ATV

Blog

  • Kosova gati për sfidën historike në Taranto, nisin garat për dy kombëtaret e volejbollit

    Kosova gati për sfidën historike në Taranto, nisin garat për dy kombëtaret e volejbollit

    Dy kombëtaret e Kosovës në volejboll, ajo e vajzave dhe e djemve, kanë mbërritur në Taranto të Italisë, ku do të përfaqësojnë vendin në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026.

    Pas udhëtimit pa probleme, ekipet kosovare janë akomoduar në anijen ARОYA, e cila do të jetë vendqëndrimi i tyre gjatë gjithë pjesëmarrjes në “Fshatin e Lojërave Mesdhetare”.

    Tashmë gjithçka është gati për paraqitjet e para, me të dyja ekipet që synojnë të japin maksimumin në këtë ngjarje të rëndësishme sportive.

    Kombëtarja e vajzave do ta nisë garimin më 20 gusht ndaj Greqisë, ndërsa më pas do të përballet me Algjerinë, Maqedoninë e Veriut dhe Turqinë.

     

    Ndeshjet e vajzave:

    20 gusht: Kosovë – Greqi, 20:00

    21 gusht: Algjeri – Kosovë, 11:00

    24 gusht: Kosovë – Maqedonia e Veriut, 11:00

    26 gusht: Turqi – Kosovë, 14:00

     

    Ndërkohë, kombëtarja e djemve do ta nisë aventurën po më 20 gusht, me përballjen ndaj Greqisë.

     

    Ndeshjet e djemve:

    20 gusht: Kosovë – Greqi, 12:00

    22 gusht: Kosovë – Spanjë, 17:00

    23 gusht: Egjipt – Kosovë, 17:00

    25 gusht: Turqi – Kosovë, 14:00

     

    Për të dyja ekipet, pjesëmarrja në Taranto 2026 përbën një tjetër mundësi të rëndësishme për ta përfaqësuar Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe për të shkruar një kapitull të ri në historinë e volejbollit kosovar.

  • Rashica në rrezik te Besiktasi, një transferim mund t’i hapë rrugën largimit të tij

    Rashica në rrezik te Besiktasi, një transferim mund t’i hapë rrugën largimit të tij

    Milot Rashica mund të jetë pranë fundit të aventurës së tij te Besiktasi, pavarësisht se sulmuesi i Kosovës ka ende një vit kontratë me klubin turk.

    E ardhmja e 30-vjeçarit në Stamboll është vënë në pikëpyetje nga zhvillimet e fundit në merkato. Sipas mediave turke, përfshirë Milliyet, Besiktasi po shqyrton mundësinë e transferimit të një tjetër futbollisti për krahun e djathtë të sulmit.

    Një lëvizje e tillë do të komplikonte situatën e Rashicës, pasi klubi do të kishte tre futbollistë të huaj për të njëjtin pozicion.

    Në këtë skenar, Rashica mund të jetë lojtari që do t’i hapte rrugë përforcimit të ri, duke bërë që aventura e tij te gjiganti turk të përfundojë më herët se sa ishte planifikuar.

    Drejtuesit e Besiktasit raportohet se janë të kënaqur me Vaclav Cernyn, i cili shihet si një nga opsionet që mund të ketë përparësi në krahun e djathtë.

    Nëse klubi arrin marrëveshje edhe me një tjetër lojtar për këtë repart, atëherë mundësia e largimit të Rashicës do të bëhej edhe më konkrete.

    Reprezentuesi i Kosovës është pjesë e Besiktasit prej disa sezonesh dhe ka zhvilluar 119 paraqitje, duke kontribuar me 13 gola dhe 25 asistime.

    Tani mbetet të shihet nëse Rashica do të vazhdojë në Stamboll edhe në sezonin e ardhshëm, apo do të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij.

  • Goditje e rëndë për tenistin, Kyrgiosin, pezullohet pas testit pozitiv për kokainë

    Goditje e rëndë për tenistin, Kyrgiosin, pezullohet pas testit pozitiv për kokainë

    Nick Kyrgios është përballur me një goditje të rëndë, pasi tenisti australian është pezulluar përkohësisht pas rezultatit pozitiv në një test antidoping për kokainë.

    Agjencia Ndërkombëtare e Integritetit të Tenisit (ITIA) ka konfirmuar se mostra e dhënë nga Kyrgios më 22 qershor, gjatë turneut të Mallorcas, përmbante benzoilekgoninë, një metabolit të kokainës.

    Sipas BBC, 31-vjeçari është nën pezullim të përkohshëm që nga 4 gushti, çka e ka lënë atë jashtë aktiviteteve të organizuara nga ATP dhe WTA.

    Vetë Kyrgios ka reaguar përmes rrjeteve sociale, duke pranuar shkeljen dhe duke kërkuar falje për atë që e cilësoi si një “gabim shumë të madh”.

    “Doja që këtë ta dëgjonit fillimisht nga unë. Së fundmi, dështova në një test antidoping në Mallorca, pasi rezultova pozitiv për kokainë. Kam bërë një gabim shumë të madh dhe marr përgjegjësi të plotë për të”, ka shkruar australiani.

    Kyrgios u ka kërkuar falje tifozëve, familjes, sponsorëve dhe veçanërisht fëmijëve që e ndjekin, duke pranuar se është thellësisht i zhgënjyer me veten.

    Pezullimi i përkohshëm nënkupton se tenisti nuk mund të garojë, të punojë si trajner apo të marrë pjesë në turnetë Grand Slam dhe në garat e tjera të zhvilluara nën autoritetin e ATP dhe WTA.

    ITIA ka bërë të ditur se Kyrgios ka të drejtë ta apelojë vendimin. Deri tani, australiani nuk e ka ushtruar këtë të drejtë.

    Tashmë mbetet të shihet se cili do të jetë vendimi përfundimtar dhe sa do të ndikojë kjo çështje në të ardhmen e karrierës së tenistit kontrovers australian.

  • Tërmet me magnitudë 3.8 godet Shqipërinë

    Tërmet me magnitudë 3.8 godet Shqipërinë

    Një tërmet me magnitudë 3.8 është regjistruar sot në Shqipëri.

    Sipas të dhënave paraprake, lëkundjet janë regjistruar në orën 12:44, me epiqendër rreth 8 kilometra në verilindje të Lushnjës dhe rreth 29 kilometra në jugperëndim të Elbasanit.

    Lëkundjet janë ndier në zonën përreth, ndërsa deri më tani nuk është raportuar për dëme materiale apo persona të lënduar.

     

  • Mbyllet shqyrtimi gjyqësor për rastin e Gllogjanit, vendimi shpallet më 24 gusht

    Mbyllet shqyrtimi gjyqësor për rastin e Gllogjanit, vendimi shpallet më 24 gusht

    Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur të mbyllur shqyrtimin gjyqësor për rastin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan.

    Pas përfundimit të seancës, gjykata ka njoftuar se vendimi do të shpallet më 24 gusht, në ora 14:30.

    Vendimi vjen pas përfundimit të rihapjes së gjykimit, gjatë të cilit gjykata ka shqyrtuar dhe administruar provat e paraqitura në këtë proces.

    Në seancën e sotme, gjykata kishte vendosur gjithashtu që si provë të administrohej një videoincizim ku shihet Kreshnik Mehmetaj duke shtënë me armë në një bjeshkë të Deçanit.

    Rasti lidhet me vrasjen e trefishtë të ndodhur në Gllogjan në vitin 2021, ndërsa vendimi i gjykatës pritet të shpallet javën e ardhshme.

  • 55 raste të të shtënave festive në vetëm dy muaj, 48 persona u shoqëruan në Polici

    55 raste të të shtënave festive në vetëm dy muaj, 48 persona u shoqëruan në Polici

    55 qytetarë kanë raportuar raste të të shtënave festive gjatë muajve qershor dhe korrik në Kosovë. Në kuadër të këtyre rasteve, Policia e Kosovës ka shoqëruar 48 persona dhe ka konfiskuar 47 armë zjarri.

    Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se raportimet lidhen kryesisht me të shtënat festive në dasma dhe ahengje familjare.

    MPB-ja ka falënderuar qytetarët që kanë raportuar rastet dhe i ka inkurajuar që të vazhdojnë ta bëjnë një gjë të tillë, në kuadër të fushatës “Festo me zemër, jo me armë”.

    Sipas ministrisë, qëllimi i fushatës është rritja e vetëdijes për rrezikun e keqpërdorimit të armëve dhe krijimi i një ambienti më të sigurt gjatë ahengjeve familjare.

  • Zbulohet prapaskena, Barcelona ishte gati ta shiste Raphinhan te Arabia Saudite

    Zbulohet prapaskena, Barcelona ishte gati ta shiste Raphinhan te Arabia Saudite

    Barcelona ishte e gatshme ta shiste Raphinhan këtë verë, veçanërisht drejt Arabisë Saudite. Këtë e ka zbuluar gazetari i njohur Romain Molina, duke hedhur dritë edhe mbi arsyen e transferimit të Jesse Bisiëut nga Club Brugge.

    Sipas Molinës, drejtuesit e Barcelonës kishin përgatitur një plan edhe në rast të largimit të brazilianit, ndërsa Bisiëu shihej si një alternativë në krahun e sulmit.

    “Bordi ishte shumë i hapur për largimin e Raphinhas, sidomos drejt Arabisë Saudite. Kjo është edhe arsyeja pse Barcelona nënshkroi me një tjetër sulmues të ri anësor. Gjithçka ishte planifikuar paraprakisht”, deklaroi Molina.

    Raphinha prej kohësh ka qenë në radarët e klubeve saudite dhe për të nuk kanë munguar ofertat e majme. Megjithatë, situata duket se ka ndryshuar.

    Molina nuk e përjashton mundësinë që Arabia Saudite të rikthehet me një ofertë të re para mbylljes së afatit kalimtar, por aktualisht largimi i brazilianit duket i vështirë.

    Raphinha konsiderohet një nga lojtarët kryesorë të Hansi Flick dhe rëndësia e tij për Barcelonën u theksua edhe me emërimin e tij si kapiten i përkohshëm.

    Për Barcelonën, shitja e tij do të kishte një ndikim të madh financiar dhe do t’i krijonte hapësirë klubit për të investuar në një sulmues të ri.

    Për momentin, megjithatë, gjithçka tregon se Raphinha do të vazhdojë në Camp Nou. Por nëse nga Arabia Saudite vjen një ofertë e jashtëzakonshme, situata mund të ndryshojë sërish.

  • Paul Pogba ndahet nga Monaco, aventura e francezit përfundon para kohe

    Paul Pogba ndahet nga Monaco, aventura e francezit përfundon para kohe

    Paul Pogba dhe Monaco kanë ndarë rrugët, pasi të dyja palët kanë rënë dakord për ndërprerjen e kontratës me marrëveshje të përbashkët.

    Mesfushori francez kishte kontratë me klubin nga Principata deri në qershor të vitit 2027, por aventura e tij përfundoi para kohe, vetëm pak kohë para startit të sezonit të ri.

    Monaco ka bërë të ditur se vendimi erdhi pasi objektivat e vendosura në fillim të bashkëpunimit u realizuan vetëm pjesërisht.

    “Pas një vlerësimi të përbashkët se objektivat e përcaktuara fillimisht ishin realizuar vetëm pjesërisht, Monaco dhe Paul Pogba kanë vendosur të ndërpresin kontratën e tyre”, thuhet në njoftimin e klubit.

    Monaco gjithashtu i ka shprehur mirënjohjen e tij Pogbas, duke vlerësuar profesionalizmin dhe besimin që ai tregoi gjatë periudhës së kaluar në klub.

    Edhe vetë fituesi i Kupës së Botës 2018 ka reaguar pas ndarjes, duke falënderuar drejtuesit, bashkëlojtarët, stafin dhe tifozët e Monacos.

    “Përfaqësimi i këtij klubi dhe i Principatës ishte një përvojë e jashtëzakonshme. Monaco është një klub fantastik dhe, edhe pse nuk luajta aq shumë ndeshje sa shpresoja, do të jem gjithmonë mirënjohës për mundësinë që pata t’i vesh ngjyrat e tij. Daghe Munegu!”, ka shkruar Pogba.

    Rikthimi i francezit në futboll pas pezullimit për doping nuk shkoi sipas pritshmërive. Problemet e vazhdueshme fizike e penguan Pogban të gjejë ritmin e duhur, ndërsa së fundmi ai pësoi edhe një tjetër dëmtim në muskujt e pasmë të kofshës gjatë përgatitjeve parasezonale.

    Tashmë, Pogba është sërish lojtar i lirë dhe mbetet për t’u parë se ku do ta vazhdojë karrierën.

  • Ramadani kërkon hetim nga Prokuroria: Mbi gjysmë milioni euro në muaj po shpenzohen për të emëruarit politikë

    Ramadani kërkon hetim nga Prokuroria: Mbi gjysmë milioni euro në muaj po shpenzohen për të emëruarit politikë

    Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po vazhdon me shkelje ligjore, kushtetuese dhe financiare, duke pretenduar se mbi gjysmë milioni euro nga buxheti i Kosovës shpenzohen çdo muaj për pagat dhe shpenzimet përcjellëse të të emëruarve politikë në institucionet qeveritare, raporton Ekonomia Online.

    Në një konferencë për media, Ramadani tha se bëhet fjalë për 463 të emëruar politikë, përfshirë kabinetet, këshilltarët dhe shoferët, të cilët, sipas tij, kanë qenë të emëruar para zgjedhjeve të 7 qershorit.

    “Lëvizja Vendvendosje e Kosovën, ka zinxhir të shkeljeve, pra shkeljet edhe ligjore edhe kushtetuese edhe financiare janë në zinxhir, pra nuk po ndalen, dhe si të tillë sot kemi thirrë konferencën që përmes jush të ngrisim shqetësimin dhe alarmin për zhvatje buxhetore që po i ndodh Kosovës gjatë kësaj periudhe jo-kushtetuese. Dhe jemi duke folur për gjysmë milioni euro zhvatje vetëm për pagat e militantëve të lëvizjes vendvendosje në zyrat e qeverisë. Është e qartë se janë 463 të emëruar politikë në institucionet qeveritare, pra po flasim për kabinetet, këshilltarët, shoferët, etj., të cilët kanë qenë të emëruar ligjërisht para zgjedhjeve të 7 qershorit. Por sikurse është e qartë me kushtetutë në nenin 72 dhe në ligjin për qeveri, në nenin 26, ai i cili certifikohet si deputet dhe jep mandat betimin si deputet, nuk ka të drejtë të ushtrojë detyrën e ministrit në qeverinë e Republikës së Kosovës. Rrjedhimisht, ky audit as nuk i punësuar nga këta ministra uzurpatorë tashmë, nuk kanë të drejtë të futen në zyrat e qeverisë”, tha ai.

    Ramadani tha se vetëm pagat e këtyre të emëruarve arrijnë në rreth 486 mijë euro në muaj, ndërsa sipas tij, me shpenzimet për telefon, automjete, karburant dhe reprezentacion, shuma e përgjithshme e kalon gjysmë milioni euro.

    “Shuma e përafërt e pagave të këtyre militantëve të lëvizjes vendvendosje në zyrat qeveritare është 486.150 euro në muaj, pra po flasim për shumën 486.150 euro në muaj, të cilave i shtohen edhe mbushjet e telefonave, i shtohen veturat e karburantit, i shtohet reprezentacioni e të tjera, dhe rrjedhimisht e kalon shifrën prej gjysmë milioni euro zhvatje të buxhetit të popullit të Kosovës. Në aspektin ligjor, nuk kanë fare të drejtë, është shkelje flagrante ata edhe ato s’kanë të drejtë fare as të futen në zyrat qeveritare, e në aspektin profesional as mos të flasim. Ka raste kur shoferët janë emëruar këshilltarë vetëm për t’iu rritur paga, dhe kjo pagë vjen në kurriz të popullit të Kosovës, në kurriz të buxhetit të popullit të Kosovës”, tha ai.

    Ai kërkoi nga Prokuroria e Shtetit që të nisë hetim për këto pretendime dhe të identifikojë personat përgjegjës.

    “Sa e sa të rinj e të reja kanë diplomuar dhe nuk kanë mundësi punësimi në Kosovë, derisa 463 të emëruar politikë që kanë qenë legal e sot janë ilegal paguhen nga buxheti i popullit të Kosovës. Ne ftojmë prokurorinë e shtetit që menjëherë qysh sot të merrë veprimet e nevojshme hetimore për të gjetur përgjegjësit dhe për t’i vendosur para drejtësisë këta që po e zhvatin buxhetin e popullit të Kosovës”, tha ai.

    Ramadani e krahasoi shumën mujore të pagave të pretenduara me pagat e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe zjarrfikësve.

    “Dhe fjalia e famshme e cila po ndodh sot është gjakderdhja financiare. Pra pikërisht këta që e kanë ngritur këtë fjali në publik sot në mënyrë tepër të qartë po bëjnë gjakderdhje financiare në Kosovë. Kjo është shumë prej gjysmë milioni, po e bëj pak me krahasim, është e barabartë me pagën që e marrin 769 policë në Kosovë. Ose me pagën që e marrin 862 ushtarë në Kosovë. Ose me pagën që e marrin 909 zjarrfikës në Kosovë”, tha ai.

  • Aston Villa nuk ndalet në merkato, zyrtarizon dy përforcime të mëdha

    Aston Villa nuk ndalet në merkato, zyrtarizon dy përforcime të mëdha

    Aston Villa ka bërë zyrtare dy përforcime të reja për sezonin e ardhshëm, duke afruar në skuadër portierin japonez Zion Suzuki dhe mbrojtësin italian Matteo Ruggeri.

    Klubi anglez po vazhdon të jetë aktiv në merkato, me synimin për të ndërtuar një skuadër sa më konkurruese si në Ligën Premier, ashtu edhe në Ligën e Kampionëve.

    Pas afrimeve të Johan Manzambit nga Freiburg, João Gomes nga Wolves dhe huazimit të Alejandro Garnachos nga Chelsea, Aston Villa ka finalizuar edhe dy lëvizje të tjera të rëndësishme.

    Transferimet e Ruggerit dhe Suzukit janë konfirmuar nga vetë klubi përmes faqes zyrtare.

    “Aston Villa ka kënaqësinë të njoftojë nënshkrimin e Matteo Ruggerit nga Atlético Madrid”, thuhet në njoftimin për mbrojtësin italian.

    Ndërsa për portierin japonez, klubi anglez njoftoi: “Aston Villa ka kënaqësinë të njoftojë nënshkrimin e Zion Suzukit nga Parma”.

    Sipas raportimeve, Aston Villa ka shpenzuar rreth 18 milionë euro për Ruggerin, ndërsa transferimi i Suzukit kap vlerën e rreth 35 milionë eurove.

    Me këto dy përforcime, skuadra nga Birminghami po tregon qartë ambiciet e saj për sezonin e ri.