ATV

Blog

  • Pas stërvitjes, ushtarakët e FSK-së nderojnë dëshmorët e Istogut tek memoriali

    Pas stërvitjes, ushtarakët e FSK-së nderojnë dëshmorët e Istogut tek memoriali

    Ushtarakët e FSK-së, gjatë stërvitjeve të rregullta zbritën nga zona malore për nderime tek dëshmorët në Kompleksin Memorial të Vrellës në Istog.

    Të njëjtit, bënë homazhe dhe përkujtuan sakrificën e të rënëve për lirinë e vendit.

    Ata u pritën nga kryetari i OVL UÇK – Istog, Muhamet Demaj, së bashku me bashkëluftëtarë.

    Po ashtu, ata vizituan edhe nxënësit, ku zhvilluan aktivitete të përbashkëta dhe brohoritën për UÇK-në.

  • “Të gatshëm për mision”, FSK me stërvitje për ngritjen e gatishmërisë operacionale

    “Të gatshëm për mision”, FSK me stërvitje për ngritjen e gatishmërisë operacionale

    Në kuadër të mirëmbajtjes së kapaciteteve operacionale, kompanitë e Regjimentit të tretë të Forcave Tokësore të Forcës së Sigurisë kanë realizuar me sukses ushtrimet fushore në nivel skuadre dhe togu.

    FSK njofton se stërvitjet u kryen me qëllim ngritjen e gatishmërisë operacionale dhe përgatitjes profesionale të personelit.

    “Ushtrimet fushore “Kilo Mike”, “Stuhia e Marsit 2026” dhe “Sierra 26” kishin për qëllim ngritjen dhe mirëmbajtjen e kapaciteteve në Operacione të Mbështetjes Logjistike, zhvillimin e shkathtësive taktike individuale në përmbushjen e misionit, testimi i gatishmërisë fizike të personelit, përmirësimi i koordinimit ndër-njerëzor, operimi në kushte të vështira dhe reagimi ndaj kërcënimeve në terren kodrinoro-malor”.

    “Këto ushtrime dëshmojnë përkushtimin e ushtarakëve në arritjen e standardeve të larta profesionale dhe operacionale, duke kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e kapaciteteve të përgjithshme të njësive në përmbushjen e misionit”, thuhet në njoftimin e kësaj force.

  • Ofroi ryshfet në kufi, shtetasi i Serbisë përfundon në polici

    Ofroi ryshfet në kufi, shtetasi i Serbisë përfundon në polici

    Të premten një shtetas i Serbisë është shoqëruar në polici në pikën kufitare në Bërnjak.

    Ai dyshohet t’i kishte ofruar ryshfet një polici në mënyrë që ta linte pasagjerin të futej me dokument me afat të skaduar.

    “Me datën 03.04.2026, rreth orës 11:00, gjatë kontrollit kufitar në hyrje të Pikë Kalimit Kufitar Bërnjak, i dyshuari shtetas i Serbisë i cili po drejtonte automjetin me targa të Serbisë, i ka ofruar zyrtarit policor para, me qëllim që i njëjti të lejonte hyrjen e pasagjerit me dokument identifikues me afat të skaduar në territorin e Republikës së Kosovës, veprim ky në kundërshtim me ligjin”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

    “Me veprimet e kryera personi i dyshuar ka konsumuar veprën penale ‘Dhënie e ryshfetit’, ku lidhur me rastin, personi i dyshuar është shoqëruar për intervistim pranë Drejtorisë së Krimeve Ekonomike, ndërsa me vendim të prokurorit kujdestar, kartëmonedha është konfiskuar, përderisa personi i dyshuar dërgohet në mbajtje”.

  • Osmani nesër ia dorëzon detyrën e presidentes Albulena Haxhiut

    Osmani nesër ia dorëzon detyrën e presidentes Albulena Haxhiut

    Presidentja e Vjosa Osmani do t’i dorëzojë detyrën Kryetares së Kuvendi i Kosovës, Albulena Haxhiu, nesër, më 4 prill 2026.

    Akti ceremonial i dorëzim-pranimit të detyrës është planifikuar të mbahet në Kabinetin e Presidentes, në orën 16:00.

  • Plot 16 qepje në kokë: Albian Hajdari mund të rikthehet kundër Mainz 05

    Plot 16 qepje në kokë: Albian Hajdari mund të rikthehet kundër Mainz 05

    Albian Hajdari mund të rikthehet në aksion për Hoffenheimin këtë fundjavë, vetëm pak ditë pasi pësoi një lëndim në kokë gjatë kualifikueseve për Kupën e Botës me Kombëtaren e Kosovës.

    Hoffenheim mund të llogarisë në dy përfaqësuesit kosovarë, Albian Hajdari dhe Leon Avdullahu, për ndeshjen e radhës në Bundesliga. Të dy janë opsione për listën e ndeshjes, ka theksuar trajneri i TSG-së, Christian Ilzer, para sfidës së së shtunës në shtëpi ndaj Mainz 05.

    Hajdari pësoi një lëndim në kokë në ndeshjen vendimtare të së martës në kualifikueset për Kupën e Botës, humbjen 1-0 ndaj Turqisë. Ai mori një prerje mbi vesh, që sipas Ilzerit kërkoi 16 qepje. Ndërkohë, Avdullahu, i cili mungoi në këto kualifikuese për shkak të një lëndimi në aduktor, është gjithashtu shumë afër rikthimit.

    “ Tani është faza finale, tani është momenti për të korrur frytet”.

    “ Natyrisht, tabela bëhet edhe më e rëndësishme me çdo ndeshje”, deklaroi ai.

    Pas vetëm një fitoreje në pesë ndeshjet e fundit, Hoffenheimi ka rënë në vendin e pestë. Pika më e ulët ishte humbja e rëndë 0-5 ndaj RB Leipzig para pauzës ndërkombëtare.

    “Në fillim të sezonit ishim një nga skuadrat më efikase. Aktualisht jemi ndër më pak efikaset”, ka deklaruar Ilzer, skuadra e të cilit sipas Kicker ka kohën neto më të ulët të lojës në Bundesliga këtë sezon.

    Sipas këtyre të dhënave, koha mesatare neto e lojës është 53 minuta e 41 sekonda. Megjithatë, mbajtja e kësaj kohe sa më të ulët “nuk është një qasje taktike e Hoffenheimit”, sqaroi Ilzer.

    “ Varet nga kundërshtari, intensiteti ynë i lartë dhe fakti që kundërshtarët marrin herë pas here pushime gjatë lojës.”

  • Trump kërkon 152 milionë dollarë për të rihapur burgun famëkeq, Alcatraz

    Trump kërkon 152 milionë dollarë për të rihapur burgun famëkeq, Alcatraz

    Shtëpia e Bardhë ka kërkuar 152 milionë dollarë për të rikthyer ish-ishullin e burgut të Alcatrazit në detyrë aktive, duke ndjekur thirrjen e presidentit Donald Trump vitin e kaluar për të transformuar destinacionin e njohur turistik të Gjirit të San Franciskos.

    Kërkesa u përfshi në një buxhet të propozuar që Shtëpia e Bardhë publikoi për të financuar qeverinë për vitin fiskal 2027.

    Kërkesa të tilla për shpenzime zakonisht trajtohen nga ligjvënësit në Kongres si sugjerime.

    Bëhet e ditur se buxheti kërkon fonde për Byronë Federale të Burgjeve për të mbuluar kostot e vitit të parë të rindërtimit të Alcatrazit në “një burg të sigurt të teknologjisë së fundit”.

    Ai u mbyll në vitin 1969 dhe ka qenë nën kujdesin e Shërbimit të Parqeve Kombëtare.

    Në maj, Trump njoftoi se po i jepte udhëzime Byrosë së Burgjeve, Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së dhe agjencive të tjera që të “rihapnin një Alcatraz të zgjeruar dhe të rindërtuar ndjeshëm, për të strehuar shkelësit më të pamëshirshëm dhe të dhunshëm të Amerikës”.

    Alcatraz, i cili u hap në vitin 1934, ishte cilësuar si burgu më i sigurt i Amerikës, duke pasur parasysh vendndodhjen e ishullit, ujërat e ftohta dhe rrymat e forta.

    Asnjë arratisje e suksesshme nuk është regjistruar zyrtarisht, megjithëse pesë të burgosur janë të listuar si “të zhdukur dhe të supozuar të mbytur”.

  • Një pilot amerikan shpëtohet i gjallë pas rrëzimit të aeroplanit luftarak në Iran

    Një pilot amerikan shpëtohet i gjallë pas rrëzimit të aeroplanit luftarak në Iran

    Një nga dy pilotët amerikanë të aeroplanit luftarak F-15 që u rrëzua në Iran është shpëtuar nga forcat amerikane, raporton NBC News.

    Aeroplani u rrëzua mbi Iran më herët sot, raportuan më parë Reuters, CNN dhe media të tjera.

    Një zyrtar amerikan tha se një nga pilotët e aeroplanit është shpëtuar gjallë.

    Zyrtarët nuk kanë komentuar deri më tani se si u rrëzua aeroplani dhe ende ushtria amerikane nuk ka dhënë ndonjë koment.

    Më parë, agjencia e lajmeve Reuters raportoi se një zyrtar amerikan tha se aeroplani ishte rrëzuar.

    Incidenti shënon herën e parë që një aeroplan amerikan është rrëzuar mbi Iranin gjatë konfliktit.

    Afër fillimit të luftës, tre aeroplanë F-15 u rrëzuan gabimisht në një incident zjarri miqësor nga mbrojtja ajrore e Kuvajtit.

  • Seanca për rritjen e çmimeve, KDI: Pati mungesë të përgjegjësisë institucionale dhe seriozitetit, Kuvendi po e humb peshën

    Seanca për rritjen e çmimeve, KDI: Pati mungesë të përgjegjësisë institucionale dhe seriozitetit, Kuvendi po e humb peshën

    KDI e ka cilësuar si ‘’mungesë e përgjegjësisë institucionale’’ seancën e sotme parlamentare, në të cilën u trajtuar çështja e rritjes së çmimeve të derivateve të naftës.

    KDI, shton se kjo seancë u zhvillua pa seriozitet që kërkon një debat për çështje të tilla.

    Tutje, shtohet edhe se, Kuvendi po ‘’e humb peshën’’, duke komentuar faktin se në seancë s’kanë marrë pjesë ‘’një pjesë e konsiderueshme e deputetëve’’.

    Postimi:

    Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit e Kosovës, e thirrur sot për të trajtuar një çështje me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve si rritja e çmimeve të naftës dhe kostoja e jetesës, u karakterizua nga munges- e përgjegjësisë institucionale. Kjo bëri që seanca, ndër të paktat që Kuvendi ka zhvilluar kohëve të fundit, të zhvillohet pa seriozitetin që kërkon një debat për çështje të tilla të interesit publik.

    Mospjesëmarrja e një pjese të konsiderueshme të deputetëve – si nga pozita ashtu edhe nga opozita – e bën të qartë se Kuvendi po e humb peshën si vend ku trajtohen realisht problemet e qytetarëve, si dhe pa substancë reale vendimmarrëse.

    Në të njëjtën kohë, përdorimi i gjuhës jo-parlamentare, ndërhyrjet dhe ndërprerjet e vazhdueshme të diskutimeve të deputetëve dhe anëtarëve të kabinetit qeveritar, reflektojnë një degradim të standardeve të debatit dhe një mungesë respekti për institucionin. Kjo qasje jo vetëm që dëmton funksionimin e Kuvendit, por relativizon edhe temat që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien dhe stabilitetin ekonomik të qytetarëve.

  • Turqia mbështet Kosovën me 3.8 milionë euro për ndihma ushtarake

    Turqia mbështet Kosovën me 3.8 milionë euro për ndihma ushtarake

    Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, njoftoj për marrëveshjen me Turqinë për forcimin e kapaciteteve të FSK-së në vlerë 3.8 milionë euro.

    Megjithatë, Maqedonci njoftimin për marrëveshjen e ka dhënë me valutë turke, duke treguar se bëhet fjalë për 200 milionë lira.

    “Miratohet në Qeverinë e Republikës së Kosovës nisma për lidhjen e Marrëveshjes Financiare Ushtarake ndërmjet së cilës Qeveria e Republikës së Turqisë do të mbështes Qeverinë e Republikës së Kosovës me 200,000,000.00 TL (dyqind milionë lira turke apo 3.8 milionë euro) për forcimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, shkroi Maqedonci.

  • Policia realizon ushtrim të avancuar kundër kërcënimeve radiologjike

    Policia realizon ushtrim të avancuar kundër kërcënimeve radiologjike

    Policia e Kosovës ka zhvilluar një demonstrim të avancuar operacional në kuadër të ushtrimit “REAGIMI I KOMBINUAR – RDD 2026”, në Kampin e Njësive Speciale në Vrellë, me pjesëmarrjen e drejtuesve të lartë dhe partnerëve vendor e ndërkombëtarë, përfshirë FSK/EOD dhe Ambasada Amerikane.

    Sipas njoftimit, ushtrimi simuloi një kërcënim me mjet shpërthyes të kombinuar me material radioaktiv (RDD) në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

    Njësitë speciale të Policisë demonstruan gatishmëri të lartë, duke koordinuar evakuimin, sigurimin e perimetrit dhe neutralizimin e kontrolluar të mjetit të dyshuar me teknologji bashkëkohore.

    Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive (IEDD), bashkë me Njësinë K9, Njësinë Speciale Operative dhe Njësinë e Krim-Teknikës, realizuan gjithashtu verifikimin e rrezikut radiologjik dhe dekontaminimin sipas standardeve ndërkombëtare.

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës falënderoi pjesëtarët e njësive të përfshira dhe theksoi përkushtimin e policisë në zhvillimin e kapaciteteve për sigurinë publike dhe reagimin ndaj çdo kërcënimi.