ATV

Blog

  • Edhe aeroplanët më të mirë amerikanë përballen me rreziqe: Mësimet nga incidenti i F-15 në Iran

    Edhe aeroplanët më të mirë amerikanë përballen me rreziqe: Mësimet nga incidenti i F-15 në Iran

    Incidenti me aeroplanin luftarak amerikan F-15 në Iran është duke i rritur shqetësimet për rreziqet me të cilat përballen pajisjet amerikane kur operojnë në hapësira të mbrojtura rëndë, dhe nxjerrin në pah këtë realitet: që edhe aeroplanët më të suksesshëm në botë nuk janë imunë në ambiente të kontestuara.

    Për dekada, F-15 ka qenë simbol i superioritetit ajror amerikan. Nëpër konflikte të ndryshme, ky aeroplan i ka kryer mbi 100 vrasje në terrene ajër-ajër dhe nuk ka humbur kurrë në një dyluftim ajër-ajër.

    Ky rekord qëndron ende. Mirëpo zhvillimet e fundit, bashkë me disa humbje të nxitura nga mbrojtjet tokësore, janë duke shtuar kontekst të ri për historinë e gjatë të këtij lloj aeroplani në zona konflikti.

    Në mars, tre aeroplanë amerikanë F-15E ishte raportuar të jenë rrëzuar në një incident që përfshinte aeroplanë luftarakë të Kuvajtit – vend aleat i Shteteve të Bashkuara – në fazat e para të Operacionit Tërbimi Epik, që po vazhdon ende në Iran.

    Ky episod, që është ende duke u hetuar, nuk ka rezultuar me viktima, meqë të gjithë pjesëtarët e ekuipazhit kanë arritur të largohen në mënyrë të sigurt.

    Megjithatë, ky ishte një incident i rrallë për forcën ajrore amerikane dhe pritet të analizohet prej afër.

    Përtej këtyre incidenteve, një numër i vogël i aeroplanëve F-15 kanë humbur në zona luftarake – kryesisht për shkak të sistemeve mbrojtëse tokësore, dhe jo për shkak të aeroplanëve të armiqve.

    Gjatë operacioneve në Irak në vitet ’90 dhe 2000, disa aeroplanë F-15 janë rrëzuar nga sistemet ajrore tokë-ajër, duke vënë në pah një cenueshmëri që vazhdon të jenë relevante edhe sot.

    Investimet në “teknologji të avancuar”

    “Shtetet e Bashkuara kanë investuar në teknologji të avancuar – sulme elektronike dhe komunikime hapësinore – që i ndihmojnë të jetë në avantazh me forcat tjera ajrore”, ka thënë gjenerali i pensionuar i Forcës Ajrore amerikane, Houston R. Cantwell, tani hulumtues i lartë në Institutin për Studime Hapësinore, Mitchell, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

    “Kjo, e kombinuar me planifikim të kujdesshëm dhe inteligjencë precize kundër armikut, i ka minimizuar humbjet e aeroplanit luftarak”, ka thënë ai.

    Ky investim e ka zvogëluar dukshëm rrezikun me kalimin e kohës. Aeroplani i fundit luftarak që është raportuar të jetë rrëzuar ka qenë ai i llojit A-10 në luftën e Irakut më 2003.

    Prej atëherë, avancimet në teknologji – sidomos në atë të radarëve – e kanë përmirësuar shkallën e mbijetesës.

    Megjithatë, Cantwell ka thënë se edhe këto përparësi kanë limite – sidomos kur aeroplanët janë mbi territorin e një shteti sikurse Irani.

    “Shtetet sikurse Irani kanë sisteme shumë të avancuara për mbrojtje ajrore”, ka thënë ai.

    “Ky sistem është degraduar në muajin e fundit, mirëpo kjo nuk nënkupton se është shkatërruar 100 për qind”.

    Irani i ka disa raketa që drejtohen me ndihmë të radarëve dhe rrezeve infra të kuqe, si dhe ka artileri kundërajrore. Edhe vetë madhësia që e ka i komplikon përpjekjet për neutralizim të kërcënimeve.

    “Irani është shtet i madh. Shtetet e Bashkuara nuk mund të shpresojnë se do ta eliminojnë çdo kërcënim ajror bazuar në madhësinë e tij”, ka thënë Cantwell. “Për aq kohë sa të ketë misione luftarake mbi Iran, do të ketë kërcënime për pajisjet ajrore”.

    Madje edhe aeroplanët e avancuar sikurse F-15 varen nga kundërmasat mbrojtëse për të rritur shansin për mbijetesë.

    “As këto sisteme nuk janë 100 për qind efektive”, ka thënë ai.

    Adaptimi ndaj kërcënimeve në rritje

    Rreziqet që janë vënë në pah përmes incidentit me aeroplanin F-15 i reflektojnë ndryshimet të cilat i kanë bërë armiqtë e SHBA-së teksa janë përgatitur për luftë.

    “Do ta them se preferencat e Shteteve të Bashkuara [dhe Izraelit] për luftime prej qiellit dhe shmangie të dislokimit të trupave tokësore, ka mundësi që i kanë rritur kapacitetet e amiqve potencialë për konflikt me SHBA-në”, ka thënë koloneli i pensionuar amerikan, Amos Fox, hulumtues në Iniciativën për Siguri të së Ardhmes e Universitetit të Arizonas, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

    “Ata e kuptojnë se si SHBA-ja dëshiron të luftojë – me forcë ajrore me sulme me rreze të gjatë – dhe kështu investojnë në këtë drejtim”, ka thënë ai.

    Fox e ka përmendur edhe rritjen e bashkëpunimit mes rivalëve amerikanë dhe rritjen e teknologjisë ushtarake.

    “Siç e kemi parë në Ukrainë dhe tani në Iran, armiqtë tanë na shohin si vend armik dhe punojnë bashkë që të na shohin duke dështuar”, ka thënë ai.

    “Përhapja e informacionet për sistemet e armëve dhe sistemet mbrojtëse nuk duhet të shërbejë si befasi për askënd – pasi mund të jemi duke parë vetëm majën e asjbergut”.

    Mësimet nga konfliktet e së kaluarës

    Historikisht, në fushatat ajrore amerikane janë regjistruar humbje të konsiderueshme për arsye të ndryshme. Në Luftën e Gjirit më 1991, forcat e koalicionit patën humbur dhjetëra aeroplanë.

    “Koalicioni i ka humbur gati 100 aeroplanë në ‘Stuhinë e Shkretëtirës’ mirëpo fushata ka pasur objektiva krejt të ndryshëm në krahasim me ‘Tërbimin Epik’”, ka thënë Cantwell.

    Prej atëherë, strategjia amerikane është fokusuar në neutralizim të mbrojtjes ajrore të armikut qysh në fillim të konfliktit.

    Teknologjia dhe e ardhmja e luftimeve

    Për t’i ulur rreziqet për pilotët, SHBA-ja është duke i avancuar secilën herë e më shumë sistemet pa pilot sikurse MQ-9 Reaper dhe RQ-170 Sentinel.

    “Avancimi i aseteve pa pilot sikurse MQ-9 dhe RQ-170 mundëson sulme pa rrezikuar njerëz”, ka thënë Cantwell.

    “Pajisjet MQ-9 kanë qenë shumë efikase në kërkim të shënjestrave mobile dhe shkatërrimin e tyre pa rrezikuar ekipe thellë në Iran”.

    Konceptet e gjeneratës së ardhshme, duke përfshirë aeroplanët luftarakë bashkëpunues (CCA), synojnë ta çojnë më tej këtë qasje duke i çiftëzuar sistemet pa pilot me avionë me ekuipazh.

    Rekord, por me paralajmërime

    Për pilotët që do të jenë në linjat e armikut, rreziqet janë të konsiderueshme.

    “Shmangia dhe shëndeti janë parësore”, ka vlerësuar Cantwell.

    “Duhet të bëjnë përpjekje teksa sigurohen që po kujdesen për shëndetin e tyre – për ushqim, ujë dhe strehim. Duhet të ikin derisa të gjejnë një vend të përshtatshëm ku mund të shkojnë t’i marrin”.

    Operacionet për shpëtim janë bërë më komplekse me avancim të mbrojtjes ajrore.

    “Këto misione e kërkojnë një kombinim të kapaciteteve ajrore”, ka thënë ai.

    “Helikopteri e bart ekipin e shpëtimit, mirëpo ai kërkon edhe mbështetje nga anijet, mbulim ajror dhe inteligjencë”.

    Rekordi ajër-ajër i aeroplanëve F-15 vazhdon të mos jetë i prekur. Mirëpo historia e tij dhe incidentet e fundit e shpërfaqin një realitet me më shumë nuanca: dominimi në ajër nuk e eliminon rrezikun nga toka, gabimet njerëzore dhe avancimin e taktikave të armiqve.

    Siç ka thënë edhe Cantwell, për aq kohë sa aeroplanët operojnë në territor shumë të mbrojtur “kërcënimet do të jenë evidente”. /REL

  • Studentët shqiptarë protestojnë në Shkup, Spiropali apelon për respekt të gjuhës

    Studentët shqiptarë protestojnë në Shkup, Spiropali apelon për respekt të gjuhës

    Ish-ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka dalë në mbështetje të studentëve shqiptarë që do të protestojnë sot në Shkup për mbrojtjen e gjuhës shqipe, duke e cilësuar atë si një sinjal të rëndësishëm për funksionimin e shtetit dhe respektimin e të drejtave themelore.

    Në reagimin e saj, Spiropali thekson se kërkesa për të drejta që janë të garantuara në Kushtetutë dhe në ligj, por që ngrihen në formë proteste, tregon qartë se ekziston një hendek mes parimit dhe zbatimit në praktikë. Sipas saj, të drejtat nuk duhet të mbeten vetëm në dokumente zyrtare, por duhet të reflektohen në jetën e përditshme të qytetarëve.

    “Gjuha shqipe nuk mund të jetë objekt diskutimi apo kompromisi institucional, por përbën një të drejtë themelore që duhet të respektohet. Në këtë kontekst, protesta e studentëve shihet jo vetëm si një reagim, por si një thirrje për të forcuar standardet demokratike dhe për të garantuar barazi reale”, tha ish-kryediplomatja shqiptare.

    Ajo shtoi se një shtet që mbron dhe garanton përdorimin e gjuhës, kontribuon drejtpërdrejt në forcimin e barazisë dhe ndërtimin e besimit mes qytetarëve.

    Tutje, ajo shpreh mbështetje për studentët, duke theksuar se ata po mbrojnë jo vetëm gjuhën, por edhe dinjitetin dhe parimet mbi të cilat duhet të funksionojë një shoqëri e drejtë.

    Në përfundim, ish-ministrja e Jashtme shqiptare, e konsideron këtë situatë si një provë të rëndësishme për funksionimin real të shtetit dhe përkushtimin ndaj vlerave demokratike, veçanërisht në kontekstin e aspiratave të përbashkëta europiane të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

  • Mustafa: Maqedonia e Veriut ku nafta kushton 1,55 euro, ka ulur akcizën për 7 centë dhe TVSh nga 18% në 10%

    Mustafa: Maqedonia e Veriut ku nafta kushton 1,55 euro, ka ulur akcizën për 7 centë dhe TVSh nga 18% në 10%

    Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, është shprehur i shqetësuar me çmimin e lartë të naftës në Kosovë, ku aktualisht një litër kushton 1.86.

    Mustafa ka marrë shembull Maqedoninë e Veriut, duke thënë se aty ku “nafta kushton 1.55 euro, dje ka ulur akcizën për 7 cent ndërsa para dy jave ka ulur TVSh nga 18% në 10%”.

    Ai shprehet se “Qeveria e Kosovës nuk e ka ulur as akcizën as TVSh, anipse çmimi është 1.85+”.

    Tutje Mustafa ka shkruar; “mos lsho pe Albin! Sa ma të larta çmimet qaq ma shumë po të votojnë”.

    Postimi i plotë:

  • Gati 6 mijë shoferë gjobiten për përdorim të telefonit në Kosovë

    Gati 6 mijë shoferë gjobiten për përdorim të telefonit në Kosovë

    Gjatë tre muajve të parë të vitit, Policia e Kosovës ka shqiptuar 5,878 gjoba ndaj shoferëve që përdornin telefonin gjatë drejtimit të automjetit.

    Sipas ligjit, shkelësit ndëshkohen me 200 euro gjobë, pikë negative ose ndalim të drejtës së drejtimit për tre muaj.

    Autoritetet paralajmërojnë se përdorimi i telefonit mbetet një nga shkaqet kryesore të aksidenteve dhe do të vazhdojnë kontrollet për rritjen e sigurisë rrugore.

  • Emri i saj u përmend në dosjet Epstein, reagon modelja Gigi Hadid

    Emri i saj u përmend në dosjet Epstein, reagon modelja Gigi Hadid

    Modelja e njohur Gigi Hadid ka reaguar pas publikimit të dokumenteve të Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së, ku emri i saj dhe i motrës së saj, Bella Hadid, përmenden në disa emaile të vitit 2015 që lidhen me Jeffrey Epstein.

    Në një përgjigje ndaj një komenti në Instagram, Hadid e cilësoi Epstein si një “person të neveritshëm”, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë marrëdhënie me të. Ajo u shpreh se është “e tmerrshme” të lexosh komente për veten nga dikush që nuk e ke takuar kurrë, veçanërisht në një kontekst të tillë.

    Modelja sqaroi gjithashtu se fillimisht kishte zgjedhur të mos reagonte për të mos errësuar dëshmitë e viktimave të vërteta, ndërsa theksoi se karriera e saj në modë është ndërtuar vetëm mbi punën e saj.

    Sipas saj, ajo nënshkroi kontratën e parë me një agjenci në vitin 2012 dhe ka punuar vazhdimisht që atëherë. “Përmendja e emrit tim në këto dosje është shqetësuese dhe dua të jem e qartë. Nuk kam pasur kurrë të bëj me këtë person”, deklaroi Hadid.

    Ndërkohë, dokumentet zbulojnë një shkëmbim emailesh ku Jeffrey Epstein diskutonte për karrierën e motrave Hadid në modelim. Në bisedën e datës 3 dhjetor 2015, një person i panjohur e pyet Epstein se si ato u bënë modele të suksesshme, ndërsa ai mohon se suksesi i tyre lidhej me ndikimin e familjes.

    Rasti ka rikthyer në vëmendje lidhjet dhe komentet e Epstein për figura publike, duke ngritur sërish debat mbi ndikimin dhe përmasat e rrjetit të tij.

  • Sali Berisha paraqitet sërish në SPAK, zbaton masën ‘detyrim paraqitje’

    Sali Berisha paraqitet sërish në SPAK, zbaton masën ‘detyrim paraqitje’

    Kreu i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha është paraqitur këtë të hënë në Prokurorinë e Posaçme.

    Kryedemokarti ka zbatuar masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’.

    Sipas mediave në Shqipëri, në momentin e mbërritjes, Berisha u prit nga mbështetësit e tij.

  • Gjenerali i lartë rus vdes pas rrëzimit të aeroplanit në Krime

    Gjenerali i lartë rus vdes pas rrëzimit të aeroplanit në Krime

    Një komandant i lartë i forcave ajrore ruse është konfirmuar i vdekur pas rrëzimit të një avioni transportues ushtarak në Krimenë e kontrolluar nga Rusia javën e kaluar.

    Oficeri, Alexander Otroshchenko, i cili komandonte njësinë e Forcave Ajrore dhe Mbrojtjes Ajrore të Ushtrisë së 45-të të Flotës Veriore, ishte midis afërsisht 30 personave të vrarë në aksident, thanë zyrtarët, cituar Reuters.

    Aeroplani, një aeroplan transporti ushtarak An-26, u rrëzua pasi thuhet se u përplas me një shkëmb më 31 mars. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha më parë se shkaku paraprak i aksidentit ishte një mosfunksionim teknik.

  • Hoxhaj për debatin në Maqedoninë e Veriut: Absurde që shqipja të kontestohet në një shtet anëtar të NATO-s

    Hoxhaj për debatin në Maqedoninë e Veriut: Absurde që shqipja të kontestohet në një shtet anëtar të NATO-s

    Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar lidhur me debatin e fundit për të drejtën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për t’i dhënë provimet në gjuhën shqipe.

    Përmes një postimi publik, Hoxhaj ka theksuar se kjo e drejtë përbën një standard themelor të barazisë dhe demokracisë, duke kërkuar respektim të plotë të gjuhës shqipe në arsim dhe në institucionet publike.

    Sipas tij, gjuha shqipe duhet të trajtohet si pjesë e karakterit multietnik dhe orientimit evropian të shtetit, ndërsa ka nënvizuar se barazia gjuhësore nuk është privilegj, por e drejtë themelore e shqiptarëve si popull shtetformues.

    Hoxhaj ka shtuar se është absurde që përdorimi i shqipes të bëhet çështje në një shtet që është pjesë e NATO-s dhe që synon anëtarësimin në BE.

    “E drejta e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për të dhënë provimet në gjuhën shqipe është një standard themelor i barazisë dhe demokracisë. Gjuha shqipe duhet të respektohet plotësisht në arsim dhe në institucionet publike, si pjesë e karakterit multietnik dhe evropian të shtetit. Barazia gjuhësore nuk është privilegj, por e drejtë themelore e shqiptarëve si popull shtetformues. Është absurde që përdorimi i shqipes të bëhet çështje në një shtet që është pjesë e NATO-s dhe synon të bëhet pjesë e BE-së.”, ka shkruar Hoxhaj.

  • Ramadani: Nuk ka asnjë dilemë që Serbia synon ta bartë krizën e saj brenda Kosovës

    Ramadani: Nuk ka asnjë dilemë që Serbia synon ta bartë krizën e saj brenda Kosovës

    Ish-inspektori i përgjithshëm i AKI-së, Burim Ramadani ka shkruar se nuk ka asnjë dilemë që Serbia synon ta bartë krizën e saj brenda Kosovës.

    Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Ramadani ka shkruar se Serbia njëjtë, synon të shfrytëzojë çfarëdo rrethane të re në sigurinë globale për të dëmtuar e kërcënuar Kosovën.

    Sipas tij, askush nuk duhet ta minimizojë këtë rrezik të sigurisë kombëtare të Kosovës.

    Postimi i tij i plotë:

    Nuk ka asnjë dilemë që Serbia synon ta bartë krizën e saj brenda Kosovës. Njëjtë, synon të shfrytëzojë çfarëdo rrethane të re në sigurinë globale për të dëmtuar e kërcënuar Kosovën.

    Askush nuk duhet ta minimizojë këtë rrezik të sigurisë kombëtare të Kosovës.

    Prandaj, është e domosdoshme që shumica shqiptare të ulet së pari brenda vetes e ta ndërtojë platformën e përbashkët. Njëkohësisht, të ri-vendos partneritetin me SHBA-në në siguri dhe mbrojtje në planifikime të avancuara si asnjëherë deri më tash!

    Siguria e mbrojtja janë çështje urgjente për t’u bashkërenduar, veçanërisht në këtë kohëme shumë të panjohura për të ardhmen!

  • Ndjekje si në filma: I riu shqiptar kapet nga Policia me eksploziv, armë e municion (VIDEO)

    Ndjekje si në filma: I riu shqiptar kapet nga Policia me eksploziv, armë e municion (VIDEO)

    Policia e Shtetit në Shqipëri ka zhvilluar një operacion policor të koduar si “Kontigjenti” në Tiranë, ku ka arritur të arrestojë një person të dyshuar për veprimtari të kundërligjshme.

    Sipas njoftimit, është parandaluar një ngjarje e mundshme kriminale, si dhe janë zbuluar dy të tilla, të kryera nga një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

    37-vjeçari i prangosur është kapur si rezultat i ndjekjes policore dhe te i njëjti janë sekuestruar sasi lënde eksplozive (gati për shpërthim), 10 litra lëndë djegëse, 1 armë zjarri (pistoletë) me municion, 1 maskë silikoni dhe 1 motomjet pa targa (i dyshuar i vjedhur).

    “Gjatë operacionit, i është bërë shenjë ndalimi motomjetit pa targa, me të cilin lëvizte shtetasi P. D., 37 vjeç, banues në Paskuqan.

    37-vjeçari nuk i është bindur urdhrit të Policisë, por ka vijuar lëvizjen me shpejtësi, me motomjet.

    Si rezultat i ndjekjes policore, është bërë kapja dhe arrestimi i tij, në afërsi të liqenit të Paskuqanit.

    Në momentin e ndalimit, është konstatuar se 37-vjeçari kishte vendosur maskë silikoni dhe gjatë kontrollit fizik dhe në motomjet, shërbimet e Policisë i gjetën sasi lënde eksplozive, gati për shpërthim, 10 litra lëndë djegëse dhe 1 armë zjarri (pistoletë) me municion.

    Nga hetimet e mëtejshme dyshohet se shtetasi i arrestuar, P. D, më datë 03.10.2025, në rrugën “Besim Cera”, Paskuqan 1, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së shtetasit Q. K., dhe më pas ka djegur automjetin e përdorur gjatë kryerjes së krimit, në afërsi të urës së fshatit Tapizë, si dhe më datë 17.10.2025, në rrugën “Unaza e Madhe”, Paskuqan 2, ka hedhur një sasi lënde plasëse në banesën e shtetasit Rr. D., ngjarje nga e cila janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

    Më tej, dyshohet se motomjeti me të cilin 37-vjeçari u konstatua duke lëvizur gjatë natës, në rrugën “Mustafa Lita”, është i vjedhur.

    Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna intensive për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të mundshëm të 37-vjeçarit, si dhe për zbardhjen e ngjarjeve të tjera kriminale në të cilat mund të jetë përfshirë ai.

    Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.” – përfundon njoftimi.