Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar pas uljes së suksesshme në Oqeanin Paqësor të kapsulës Orion.
Ai përgëzoi ekuipazhin e misionit, duke i cilësuar ata si “shumë të talentuar” dhe vlerësoi misionin si “spektakolar”.
“Urime ekuipazhit të madh dhe shumë të talentuar të Artemis II. I gjithë udhëtimi ishte spektakolar, ulja ishte perfekte dhe, si President i Shteteve të Bashkuara, nuk mund të jem më krenar!”, tha Trump në një postim në Truth Social.
“Pres me padurim t’ju shoh të gjithëve së shpejti në Shtëpinë e Bardhë. Do ta bëjmë përsëri dhe hapi tjetër është Marsi!”, shtoi ai.
Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance sapo ka mbërritur së bashku me delegacionin amerikan në Islamabad, ka bërë të ditur një burim i aviacionit për BBC-në.
Ai pritet të marrë pjesë në bisedimet me Iranin më vonë gjatë ditës, së bashku me të dërguarin special Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
Vance dhe ekipi i tij negociator u nisën nga SHBA drejt Pakistanit dje, ndërsa pak para nisjes zëvendëspresidenti u tha gazetarëve se është “i/e (pres. i) me padurim për negociatat”, por paralajmëroi se nëse Irani “përpiqet të luajë me ne”, SHBA nuk do të jetë e gatshme për kompromis.
Një burrë britanik 77-vjeçar ka vdekur dhe 27 të tjerë janë plagosur pasi një autobus me turistë ra në një humnerë në La Gomera, në Ishujt Kanarie.
Grupi po udhëtonte drejt portit San Sebastián de La Gomera, prej nga pritej të merrnin tragetin për në Tenerife, raportoi mediumi spanjoll El Mundo.
Në autobus ndodheshin 28 persona, përfshirë 27 turistë britanikë dhe një shofer, njoftuan shërbimet emergjente 112 Canarias në një postim në X, raporton BBC, transmeton Sinjali.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme britanike tha se ata po “mbështesin familjen e një burri britanik që vdiq në aksidentin e autobusit”.
Të 27 të plagosurit u dërguan fillimisht në Spitalin Nuestra Señora de Guadalupe, në lindje të ishullit.
21 prej tyre janë liruar tashmë, njoftoi menaxhmenti i spitalit në një deklaratë të premten mbrëma.
Tre persona mbeten ende “nën vëzhgim”, ndërsa tre të tjerë të plagosur rëndë janë transferuar në spitale në Tenerife.
Më herët, 112 Canarias njoftoi se dy pacientë – një burrë 73-vjeçar dhe një 42-vjeçar, të dy me lëndime të rënda – janë transportuar me helikopter në Tenerife për trajtim.
Shefi i operacioneve emergjente në La Gomera, Héctor Cabrera, i tha televizionit publik TVE se pasagjerët e autobusit kishin qenë “duke qëndruar në një resort” në ishull.
Sipas deklaratës së 112 Canarias, shërbimet emergjente morën një thirrje në orën 13:16 sipas kohës lokale se një autobus kishte dalë nga rruga dhe kishte rënë poshtë një shpati.
Autobusi po qarkullonte në rrugën GM-2 para se të binte në humnerë. Ai ka rënë nga një lartësi rreth 10 metra, sipas El Mundo.
Kjo është një rrugë malore me kthesa të mprehta, dhe një fotografi e publikuar nga shërbimet emergjente duket se tregon se aksidenti ndodhi pranë një kthese të fortë.
Tre helikopterë dhe pesë ambulanca ishin ndër mjetet e angazhuara në vendngjarje, njoftoi 112 Canarias.
Sekretarja britanike e Jashtme, Yvette Cooper, tha në X se “mendimet e saj janë me të gjithë të prekurit nga ky incident tragjik që përfshiu një autobus me pushues britanikë”.
“Ata janë në kontakt me autoritetet lokale dhe të gatshëm të mbështesin shtetasit britanikë dhe familjet e tyre”, shtoi ajo.
Presidenti i Ishujve Kanarie, Fernando Clavijo, shprehu “mbështetjen e tij për viktimat dhe familjet e tyre”.
La Gomera është ishulli i dytë më i vogël i Ishujve Kanarie të Spanjës – rreth 50 minuta larg me traget nga Tenerife, më i madhi.
Në seancën e jashtëzakonshme plenare të pasdites së djeshme në Kuvendin e Kosovës janë miratuar në parim dhjetë projektligje.
Fillimisht, pas një debati rreth dyorësh, Kuvendi miratoi në parim Projektligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Tregut, me 63 vota pro, 19 kundër dhe asnjë abstenim.
Debat dhe diskutim pati edhe për Projektligjin për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, i cili kaloi në parim me 65 vota për dhe asnjë kundër.
Po ashtu, Projektligji për Shërbimet e Pagesave kaloi me 63 vota për dhe një kundër, ndërsa Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim u miratua me 62 vota për dhe dy kundër.
Projektligji për Lojërat Mesdhetare XXI Prishtina 2030 mori mbështetjen e 81 deputetëve, pa asnjë votë kundër.
Ndërkohë, Projektligji për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore kaloi me 61 vota për, nëntë kundër dhe një abstenim.
Edhe Projektligji për Banim Social dhe të Përballueshëm u miratua me 62 vota për dhe dy kundër.
Me 62 vota për dhe asnjë kundër kaloi Projektligji për Shtetësinë e Kosovës, ndërsa ai për Lëndët Plasëse u miratua me 61 vota për dhe tetë kundër.
Projektligji i fundit në rendin e ditës, ai për Provimin e Maturës Shtetërore, kaloi me 62 vota për dhe tetë kundër.
Me këtë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i mbylli punimet e kësaj seance, e cila nisi pak pas orës 17:00.
Sot bëhen 27 vjet nga rënia e luftëtarit dhe heroit Agim Ramadani, i cili gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët.
Ai ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën e bëri bashkë me shokët.
Agim Ramadani u lind në Zhegër të Gjilanit më 3 maj 1963. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, të mesmen në Gjilan në vitin 1980, ndërsa Akademinë ushtarake-drejtimi i komunikacionit në Zagreb të Kroacisë.
Me poezi dhe pikturë është marrë që nga shkollimi i mesëm. Përderisa poezitë e tij, sa ishte gjallë i mbetën të shpërndara nëpër revista të ndryshme e në dorëshkrim, si piktor organizoi ekspozita kolektive e personale në Kroaci, ku punoi si ushtarak e në Zvicër, ku jetoi si emigrant politik, meqë me fillimin e luftës në Kroaci, ai braktisi ish-armatën jugosllave ku punonte si oficer. Në vitin 1998 pranohet anëtar nderi në Akademinë Evropiane të Arteve.
Ndonëse kishte të rregulluar statusin e emigrantit, Agim Ramadani në vitin 1998 iu përgjigj thirrjes së atdheut dhe u inkuadrua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke lënë në Zvicër tre fëmijë dhe gruan.
Gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët. Ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe ishte i pari që shkuli gurin-piramidën-kufitare në Koshare.
Pas thyerjes së kufirit, në pjesën e Kosovës, te vendi i quajtur Rrasa e Zogut, ai ra heroikisht.
Në vendimin e tij të fundit për rishikimin e paraburgimit të datës 10 prill 2026, Trupi Gjykues në çështjen kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Hashim Thaçit.
“Trupi Gjykues konstatoj se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqet që të akuzuarit të pengojnë ecurinë e procesit ose të kryejnë vepra penale të tjera”, njofton Specialja.
Ambasada e Kosovës në Washington ka shprehur pikëllim të thellë për vdekjen e ish-kongresistit amerikan, Eliot Engel.
Në një postim, ambasada ka theksuar se Engel ka qëndruar pranë Kosovës jo vetëm si një anëtar i dalluar i Kongresit amerikan, por si një mik i vërtetë i vendit, i cili ka treguar kujdes të vazhdueshëm për popullin dhe të ardhmen e Kosovës.
Në postimin e ambasadës u tha se mbështetja dhe zëri i tij kanë qenë të rëndësishëm në momente vendimtare për Kosovën dhe do të mbeten të paharruara.
Në fund të reagimit theksohet se trashëgimia e tij do të kujtohet me respekt të thellë dhe mirënjohje të përhershme.
Postimi i plotë:
Jemi thellësisht të pikëlluar për ndarjen nga jeta të Eliot Engel.
Ai qëndroi pranë Kosovës jo vetëm si një anëtar i dalluar i Kongresit, por si një mik i vërtetë që kujdesej për popullin tonë dhe të ardhmen tonë. Zëri dhe mbështetja e tij erdhën në momente kur ishin më të nevojshme dhe do të kujtohen gjithmonë.
I shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes së tij, miqve dhe të gjithë atyre që e kanë njohur.
Trashëgimia e tij do të kujtohet me respekt të thellë dhe mirënjohje të përhershme.
Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, ka bërë të ditur se ka vdekur ish-kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, ish-kongresisti amerikan, Eliot Engel.
Rama është shprehur i pikëlluar për vdekjen e Engel, duke shtuar se, Engel ishte ndër të parë që qëndroi në krahun e Kosovës, kur kjo e fundit kishte më shumti nevojë për miq.
‘’ Udhëheqja e tij në Kongresin e SHBA-ve ndihmoi që kauza jonë të marrë vëmendje ndërkombëtare dhe luajti një rol të rëndësishëm në avancimin e saj’’, ka shkruar ai.
Postimi:
Jam thellësisht i pikëlluar për ndarjen nga jeta të Eliot Engel.
Në një kohë kur Kosova kishte më së shumti nevojë për miq, ai ishte ndër të parët që qëndroi në krahun tonë duke ngritur zërin me qartësi, bindje dhe mbështetje të palëkundur.
Udhëheqja e tij në Kongresin e SHBA-ve ndihmoi që kauza jonë të marrë vëmendje ndërkombëtare dhe luajti një rol të rëndësishëm në avancimin e saj.
Kosova do ta kujtojë gjithmonë miqësinë dhe përkushtimin e tij. 🇽🇰 🇺🇸
Në emër të qytetarëve të Prishtinës, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij. Trashëgimia e tij do të jetojë gjatë në kujtesën tonë.
Deputetja e Lidhja Demokratike e Kosovës, Adelina Thaqi, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës së procedimit të ligjeve në Kuvend, duke akuzuar shumicën për shkelje të rregullave dhe shndërrim të institucionit në “makineri votuese”.
Në një postim të publikuar gjatë një seance të vonshme parlamentare, Thaqi ka ngritur shqetësimin për, siç tha ajo, shmangien e debatit dhe procedurave ligjore për projektligje me rëndësi të madhe.
“Makinerinë votuese e keni – pse t’shpenzojmë për Parlament, mbylleni!?”, ka shkruar ajo.
Sipas saj, është “e pajustifikueshme shmangia e procedurës për shqyrtimin e dhjetëra ligjeve me rëndësi jashtëzakonisht të madhe – pa asnjë debat”, duke theksuar se Rregullorja e Kuvendit parasheh dy javë kohë për deputetët që të analizojnë dhe propozojnë amendamente.
Thaqi ka kritikuar veçanërisht procedimin e shpejtë të Projektligjit për organizimin e Lojërat Mesdhetare 2030, duke theksuar se ai u miratua “EXPRES për 5 minuta” në komision parlamentar, pa kaluar në dëgjim publik.
Ajo ka theksuar se projektligji parasheh investime prej mbi 253 milionë eurosh nga buxheti i shtetit, ndërsa ka ngritur disa shqetësime kryesore:
mungesën e dëgjimit publik;
mungesën e auditimit ndërkombëtar;
dispozitën që, sipas saj, i jep epërsi këtij ligji ndaj ligjeve të tjera deri në fund të vitit 2030;
mundësinë për procedura të përshpejtuara të prokurimit, përfshirë tenderë njëburimorë.
Deputetja e LDK-së ka kritikuar edhe përbërjen e strukturave drejtuese të projektit, duke thënë se në to “është futur e gjithë Qeveria”, ndërsa mungojnë ekspertë ndërkombëtarë dhe profesionistë të fushës.
Në reagimin e saj, Thaqi ka përdorur tone të ashpra ndaj qeverisë dhe shumicës parlamentare:
“Qeveria dhe mazhoranca […] i shndërron deputetët […] në një makineri votuese që haber s’ka se çfarë votoi e çfarë buxhete miratoi! Zero përgjegjësi!”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka shkuar më tej duke e krahasuar funksionimin aktual të Kuvendit me një “ndërtesë protokolare komuniste – pa asnjë mision serioz përgjegjësie kushtetuese”.
Në fund, Thaqi ka ironizuar duke sugjeruar se, sipas saj, nëse vazhdohet me këtë qasje, “s’kemi pse mbajmë dhe shpenzojmë para për me mbajte Parlament”, duke shtuar se “demokracia më shumë se numra, është kulturë”.
Deputetët e Kuvendit kanë miratuar në lexim të parë me 86 vota për Projektligjin për organizimin e Lojërave Mesdhetare XXI “Prishtina 2030”, ngjarje që pritet të mbahet për herë të parë në Kosovë.
Ministri i Sportit, Blerim Gashani, ka prezantuar në Kuvend Projektligjin për organizimin e Lojërave Mesdhetare XXI “Prishtina 2030”, ngjarje që pritet të mbahet për herë të parë në Kosovë.
Gjatë prezantimit, Gashani theksoi se Kosova do të jetë për herë të parë nikoqire e Lojërave Mesdhetare, të cilat i cilësoi si ngjarjen më të madhe sportive të organizuar ndonjëherë në vend, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ai tha se projektligji është me interes të lartë publik dhe kombëtar, pasi sipas tij forcon infrastrukturën sportive, ndikon në zhvillimin ekonomik dhe e pozicionon Kosovën në hartën ndërkombëtare si vend organizator i ngjarjeve të mëdha sportive.
Sipas ministrit, ligji përcakton rregullat, procedurat dhe përgjegjësitë e institucioneve shtetërore dhe akterëve të tjerë në lidhje me organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.
Ai shtoi se përmes këtij ligji Qeveria do të mundësojë shfrytëzimin e fondeve publike për organizimin e kësaj ngjarjeje, me një shumë që pritet të jetë të paktën 253 milionë euro.
Projektligji, sipas tij, rregullon edhe rolin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Komunës së Prishtinës dhe komunave të tjera që do të përfshihen në përmbushjen e obligimeve për organizimin e lojërave.
Gashani theksoi se, duke marrë parasysh rëndësinë e këtij organizimi, është e domosdoshme krijimi i mekanizmave adekuatë institucionalë për të siguruar realizimin me sukses të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.