ATV

Blog

  • Abdixhiku: Haradinaj e keqkuptoi mirësinë time, nëse s’do me u taku, punë e madhe

    Abdixhiku: Haradinaj e keqkuptoi mirësinë time, nëse s’do me u taku, punë e madhe

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka treguar se ka pasë takim me kreun e PDK-së, Bedri Hamza, lidhur me çështjen e Presidentit.

    Por, Abdixhiku ka thënë se kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka refuzuar takimin me të.

    “Po jam takuar me zotin Hamza. Kam zhvilluar diskutime për të parë pozicionin e tyre. Zoti Haradinaj ka pasur refuzim takimi, me thënë të drejtën është qëndrim i tyre që s’duan të takohen po mos të ankohen pastaj sepse takimi është parakusht i diskutimeve normale njerëzore. Si duket zoti Haradinaj e ka keqkuptuar mirësinë time për të pasur komunikim, po në qoftë se s’do me u taku, punë e madhe”, tha ai.

    Kujtojmë se ditë më parë Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk është i interesuar ta takojë Abdixhikun.

    “Së pari, nëse Lumiri dëshiron me marrë rolin e zmadhuesit të Albinit le ta marr nëse i pëlqen. Unë s’mundem me shku me taku Lumirin me fol për çka ka fol ai me Albinin. S’është ka më intereson. S’është pjesë e imja. Le t’i grah ai tjetërkah. Ose Bedrinë, se Bedria e Lumiri kanë shkruar disa herë në takime…”, ka thënë Haradinaj në emisionin ‘Debat Plus’ të RTV Dukagjini.

    Haradinaj ka deklaruar se kanë mundur t’i kërkojnë takime para se të takohen me Albin Kurtin për ta pyetur e konsultuar.

  • Visar Azemi : ZRRE nuk e rriti çmimin e rrymës pas skandalit me njehsorët, nuk do të ndalemi

    Visar Azemi : ZRRE nuk e rriti çmimin e rrymës pas skandalit me njehsorët, nuk do të ndalemi

    Anëtari i LDK’së, Visar Azemi, ka thënë se vendimi i ZRRE-së për të mos i rritur tarifat e energjisë elektrike vjen pas ekspozimit të problemit me orët e rrymës. Sipas Azemit, pa u zbardhur e vërteta me çështjen e orëve elektrike nuk do të ketë lëvizje të çmimit të rrymës.

    “Pas skandalit të madh me njehsorët elektrikë dhe pas kërkesës sonë të qartë që të mos merret asnjë vendim për ngritje të çmimit të energjisë elektrike pa u zbardhur e gjithë e vërteta, ZRRE ka njoftuar për mos-ngritje të tarifave të energjisë elektrike.”, ka shkruae Azemi.

    Ai ka thënë se kjo është një fitore për qytetarët dhe një dëshmi se kur ngrihet zëri dhe kur kërkohet drejtësi, rezultatet vijnë.

    “Por beteja nuk mbaron këtu.Nuk do të ndalemi deri sa ky skandal të zbardhet plotësisht, përgjegjësit të dënohen dhe qytetarëve t’u kthehen paratë e vjedhura.”, ka shkruar Azemi.

  • Nait Hasani e “lanson” Xhavit Halitin si figurë unifikuese për President: Mund të marrë edhe votat e VV’së

    Nait Hasani e “lanson” Xhavit Halitin si figurë unifikuese për President: Mund të marrë edhe votat e VV’së

    Deputet i PDK-së, Nait Hasani ë ka thënë se Kosovës aktualisht i nevojitet një kandidat unifikues për postin e presidentit.

    Ai tha se anëtari i kësaj partie, Xhavit Haliti, mund të jetë një nga këto figura, që sipas tij do t’i merrte edhe votat e LVV-së.

    “Mendoj që nga ata që mundet më përballu dhe me qenë unifikues është Xhavit Haliti, besoj që mund të marrë edhe votat e VV-, sepse ka qenë kryetar i Kuvendit të Kosovës, ka qenë deputet, nuk ka ngatërresa nga subjektet e tjera, e shoh si një figure politike e angazhuar e hershme”, ka thënë Nait Hasani në Klan Kosova.

    Ai tha gjithashtu se ky është propozimi tij, ndërsa jo i PDK.

  • Inflacioni në Kosovë arrin në 6.7%, rriten çmimet e konsumit dhe transportit

    Inflacioni në Kosovë arrin në 6.7%, rriten çmimet e konsumit dhe transportit

    Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për muajin mars 2026.

    Në publikimin e ASK’së, thuhet se çmimet e konsumit kanë pasur një shkallë të rritjes për 6,7 % vjetore dhe 1,5 % mujore

    Aty shtohet se, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 6,7 % në muajin mars 2026, krahasuar me muajin mars 2025, dhe se, inflacioni mujor ishte 1,5 % në muajin mars 2026, përcjell Gazeta Express.

    ‘’Mars 2026 / Mars 2025 6,7 %

    Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 6,7 % në muajin Mars 2026 krahasuar me muajin Mars 2025. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit (42,5%), biletat e fluturimeve (38,4%), furnizimi me ujë dhe shërbimet e ndryshme që kanë të bëjnë me vendbanimin (31,9%), energjia elektrike (17,4%), karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (17,4%), lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (15,6%), pushime të organizuara (13,2%), pemët (13,1%), mishi (12,4%), kafja, çaji dhe kakao (7,8%), shërbimet hoteliere (6,9%), prodhimet ushqimore (6,8%), sheqeri, reçeli, mjalta, çokollata dhe ëmbëlsirat (5,7%), shërbimet ambulantore (5,6%), kujdesi personal (5,2%), mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (5,1%), perimet (4,9%), gjërat personale (4,4%), buka dhe drithërat (4,1%), duhani (4,1%), pijet alkoolike (3,9%), produkte mjekësore, aparaturë dhe pajisje (3,9%), mobilje dhe orendi, qilima dhe mbulesa të tjera dyshemeje (3,8%), veglat dhe pajisjet për shtëpi dhe kopsht (3,8%), mirëmbajtja dhe rregullimi i vendbanimit (3,4%), qumështi, djathi dhe vezët (3,4%), uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet (2,7%), qelqurinat, takëmet dhe mjetet e kuzhinës (2,3%), veshje (2,2%) dhe ndryshimet e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve te disa nëngrupe me nje ndikim te vogel në IHÇK me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 6,7 për qind në IHÇK-it..’’, thuhet nga ASK.

    Tutje, në publikimin e ASK’së, shtohet edhe se, rritje ka pasur edhe krahasuar me muajin e kaluar për 1.5%.

    ‘’Mars 2026 / Shkurt 2026 1,5 %

    Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 1,5 % në muajin Mars 2026 krahasuar me muajin Shkurt 2026.Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (25,8%), perimet (3,7%), pemët (1,5%) dhe mishi (0,3%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1,7 për qind në IHÇK-it.

    Ndërsa rënie e çmimeve vërehet te grupi i COICOP-it: energjia elektrike (-3,7%) dhe lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (-2,2%) me një ndikim prej -0,2 për qind në IHÇK-it’’, thuhet nga ASK.

  • Drejtori i AVONET ngre dyshime për ndërtuesit në Ferizaj: Kemi pranuar ankesa për mashtrim e vepra penale

    Drejtori i AVONET ngre dyshime për ndërtuesit në Ferizaj: Kemi pranuar ankesa për mashtrim e vepra penale

    Drejtori ekzekutiv i AVONET, Kenan Gashi, nëpërmjet një reagimi publik ka deklaruar se kanë pranuar dhjetëra ankesa nga banorët e Komunës së Ferizajt, të cilët kanë dhënë pronat dhe shtëpitë e tyre për ndërtim, si dhe nga qytetarë që kanë investuar në blerjen e banesave.

    Sipas Gashit, në ankesat e cekura janë mbledhur dëshmi se një numër i konsiderueshëm i kompanive ndërtimore nuk po i përmbushin obligimet kontraktuale, duke tejkaluar afatet e përcaktuara dhe duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe pasiguri juridike për qytetarët.

    “Këto veprime përbëjnë shkelje të rënda të marrëdhënieve kontraktuale dhe bien ndesh me dispozitat e Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve, duke cenuar drejtpërdrejt të drejtat e palëve kontraktuese. Për më tepër, në raste të caktuara ekzistojnë elemente të dyshimit për vepra penale, përfshirë: mashtrimin, keqpërdorimin e besimit dhe dëmtimin e kreditorëve, të parapara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, ka thënë Gashi.

    Tutje ai ka kërkuar nga organet kompetente që të ndërmarrin veprime urgjente për hetimin e këtyre rasteve dhe ndëshkimin e përgjegjësve.

  • Kombëtarja e Kosovës në hendboll për femra bëri përgatitjet për ndeshjen kundër Kroacisë

    Kombëtarja e Kosovës në hendboll për femra bëri përgatitjet për ndeshjen kundër Kroacisë

    Pas ndeshjes ndaj Kombëtares së Francës në hendboll për femra të zhvilluar të enjten mbrëma në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, hendbollistet e Kombëtares së Kosovës në hendboll për femra kanë kthyer menjëherë fokusin te ndeshja e fundit e fazës së dytë eliminatore për Euro 2026 në hendboll për femra.

    Që të premten, lojtaret dhe shtabi teknik u janë rikthyer përgatitjeve për këtë ndeshje të rëndësishme. Dardanet kanë udhëtuar drejt Zagrebit, ku do të vazhdojnë me seancat stërvitore para sfidës.

    Në ndeshjen ndaj francezeve u panë periudha pozitive nga lojtaret e reja, ndërsa shpresohet që ato të jenë më të shumta dhe më të gjata në përballjen ndaj Kroacisë.

    Kujtojmë se Kombëtarja përbëhet kryesisht nga lojtare të reja, shumica nga klubet vendore. Për dallim nga ndeshjet e kaluara, në ekip janë mbi gjysma e lojtareve të reja, shumë prej tyre debutuese.

    Përvoja e fituar në këtë cikël eliminator pritet të jetë shumë e vlefshme për zhvillimin dhe karrierën e hendbollisteve kosovare.

    Të dielën, nga ora 18:00, në Zagreb zhvillohet përballja Kroacia – Kosova

  • Prishtina e Re përmbys Malishevën në fund dhe mban gjallë shpresat për mbijetesë

    Prishtina e Re përmbys Malishevën në fund dhe mban gjallë shpresat për mbijetesë

    Prishtina e Re ka shënuar një fitore shumë të rëndësishme në shtëpi ndaj Malishevës, duke mbajtur gjallë shpresat për mbijetesë në elitën e futbollit kosovar.

    Edhe pse ishte në disavantazh, me dy gola të vonshëm Prishtina e Re arriti të përmbysë rezultatin dhe të mposhtë Malishevën me shifrat 2-1, në kuadër të xhiros së 28-të.

    Pjesa e parë përfundoi pa gola, pasi të dy skuadrat krijuan raste, por nuk arritën të konkretizonin.

    Në pjesën e dytë, ishte Etnik Brruti ai që kaloi Malishevën në epërsi në minutën e 59-të.

    Megjithatë, vendasit reaguan në minutat e fundit. Ibrahim Kardgbo barazoi rezultatin në minutën e 78-të, ndërsa Endrit Baholli realizoi golin e fitores në minutën e 89-të, duke vulosur përmbysjen e madhe.

    Me këtë fitore, Prishtina e Re arrin në kuotën e 27 pikëve, ndërsa Malisheva mbetet në vendin e pestë me 40 pikë

  • Arsenali pëson humbje surprizë 2-1 ndaj Bournemouth-Mbetet ende lider në Premier League

    Arsenali pëson humbje surprizë 2-1 ndaj Bournemouth-Mbetet ende lider në Premier League

    Arsenal FC ka pësuar një humbje të papritur në javën e 32-të të Premier League, duke u mposhtur 2-1 nga AFC Bournemouth në një ndeshje me ritëm të lartë dhe me shumë episode vendimtare.

    Bournemouth e nisi më mirë takimin dhe kaloi në epërsi në minutën e 17-të me golin e Eli Junior Kroupi, i cili përfitoi nga një top i kthyer brenda zonës dhe e dërgoi në rrjetë nga afërsia, duke mos i lënë hapësirë reagimi portierit David Raya.

    Arsenali reagoi dhe krijoi raste të rrezikshme, ku Kai Havertz ishte pranë golit të barazimit pas një krosimi të Declan Rice, por goditja e tij me kokë përfundoi mbi traversë.

    Presioni i “Topçinjve” u shpërblye në minutën e 35-të, kur Viktor Gyökeres shënoi golin e barazimit me një goditje precize në cepin e portës, pas një aksioni të mirë ekipor.

    Në fillim të pjesës së dytë, Arsenali mendoi se kishte përmbysur rezultatin, por goli i Gyökeres u anulua për pozicion jashtë loje.

    Trajneri Mikel Arteta bëri disa ndryshime taktike duke futur në lojë Leandro Trossard, Eberechi Eze, Gabriel Jesus dhe Cristhian Mosquera, në përpjekje për të shtuar freski në lojë.

    Megjithatë, Bournemouth riktheu epërsinë në minutën e 74-të me golin e Alex Scott, pas një aksioni të bukur të nisur nga Evanilson, duke mposhtur portierin Raya me një goditje të saktë në cepin e portës.

    Pas kësaj humbjeje, Arsenali mbetet në krye të tabelës së Premier League me 70 pikë, 9 pikë përpara Manchester City, i cili ka një ndeshje më pak të luajtur.

  • Sa kushtoi misioni Artemis II drejt Hënës?

    Sa kushtoi misioni Artemis II drejt Hënës?

    Katër vite më parë, NASA vlerësonte se 93 miliardë dollarë (69 miliardë paund) do të shpenzoheshin për programin Artemis midis viteve 2012 dhe 2025, shumë më tepër se vlerësimet e mëparshme.

    Edhe pse programi zyrtarisht filloi në vitin 2017, ndërtimi i raketës kishte nisur shumë më herët. Por sipas raportit më të fundit të auditimit, kostot janë rritur që atëherë.

    Megjithëse shfrytëzimi i burimeve të Hënës mund të sjellë përfitime të mundshme ekonomike, kjo mbetet ende shumë larg.

    Megjithatë, NASA argumenton se programi, në formën e tij aktuale, sjell përfitime të konsiderueshme për ekonominë e SHBA-së. Të dhënat më të fundit nga organizata tregojnë se ajo punëson pothuajse 20,000 persona, duke gjeneruar 75.6 miliardë dollarë prodhim ekonomik. Argumenti i dytë është se SHBA-ja nuk mund të përballojë të mbetet pas rivalëve të saj.

    Në një seancë dëgjimore të vitit 2024 nga Committee on Science, Space and Technology për të vlerësuar programet e NASA, kryetari, përfaqësuesi republikan Frank Lucas, tha: U kujtoj kolegëve të mi se ne nuk jemi i vetmi vend i interesuar për të dërguar njerëz në Hënë. Partia Komuniste Kineze […] ka deklaruar ambicien e saj për të pasur astronautë njerëzorë në sipërfaqe deri në vitin 2030. Vendi që do të zbresë i pari do të ketë mundësinë të vendosë një precedent për atë nëse aktivitetet e ardhshme hënore do të zhvillohen me hapje dhe transparencë apo në një mënyrë më të kufizuar.

  • Persona të armatosur vrasin të paktën katër persona në një vend pikniku në Afganistan

    Persona të armatosur vrasin të paktën katër persona në një vend pikniku në Afganistan

    Disa persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën pas një sulmi të armatosur në një vend pikniku në provincën Herat të Afganistanit.

    Siç shkruan BBC, ngjarja ndodhi të premten pasdite në fshatin Deh Mehri, distrikti Enjil, ku persona të paidentifikuar që lëviznin me motoçikleta hapën zjarr ndaj civilëve.

    Raportet mbi numrin e viktimave janë kontradiktore pasi Ministria e Brendshme e Talebanëve njoftoi për shtatë të vrarë, ndërsa zyrtarët lokalë raportuan katër.

    Një mjek nga spitali rajonal i Heratit tha për BBC-në se numri i viktimave është edhe më i lartë, 12 të vrarë dhe 12 të plagosur, duke theksuar se të gjithë ishin pjesëtarë të komunitetit Hazara, një pakicë Shia e cila shpesh ka qenë e shënjestruar në të kaluarën.

    Zyrtari taliban Ahmadullah Muttaqi konfirmoi se mes të plagosurve ka edhe gra dhe se një i dyshuar është arrestuar nga forcat e sigurisë. Ai e cilësoi ngjarjen si një “incident terrorist” dhe shtoi se viktimat kishin shkuar në një zonë për rekreacion pranë një tyrbe myslimane Shia që vizitohet çdo ditë nga shumë njerëz për lutje.

    Autoritetet afgane po hetojnë ngjarjen, ndërsa asnjë grup nuk ka marrë ende përgjegjësinë për sulmin.