ATV

Blog

  • Dhuna seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi: 14 prilli ma prishi jetën dhe fëmijërinë

    Dhuna seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi: 14 prilli ma prishi jetën dhe fëmijërinë

    “14 prilli për shumë prej juve është një ditë në kalendar, për mua është një ditë që ma prishi jetën dhe fëmijërinë”.

    Kështu u shpreh gruaja e parë që rrëfeu publikisht në vitin 2018 tmerrin e përjetuar gjatë luftës.

    Vasfije Krasniqi në Ditën Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale ka folur pikërisht në ditën që përkon me përvjetorin e ditës së tmerrit për të.

    Ajo tha se si 17 vjeçare e raportoi rastin pranë institucioneve të atëhershme të drejtësisë, por përjetoi padrejtësinë.

    Krasniqi bëri thirrje që këto raste të trajtohen me prioritet duke shtuar se “shpirti im do të ketë paqe kur të ketë drejtësi”, raporton kp.

    “Ambasadorja e Guximit” ka folur në konferencën rajonale në shënim të 14 prillit me temën “Avancimi i qasjes në drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës: Përgjegjësia penale dhe e drejta për kompensim”.

  • Miratohet projektligji për menaxhimin e ujërave dhe banimin e përballueshëm social

    Miratohet projektligji për menaxhimin e ujërave dhe banimin e përballueshëm social

    Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë dy projektligje të propozuara nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, që kanë të bëjnë me menaxhimin e resurseve ujore dhe banimin social.

    Sipas njoftimit, bëhet fjalë për Projektligjin për financimin e menaxhimit të resurseve ujore dhe Projektligjin për banim të përballueshëm dhe social, të cilat synojnë të përmirësojnë politikat publike në dy fusha me rëndësi të veçantë për qytetarët.

    “Projektligji për financimin e menaxhimit të resurseve ujore synon krijimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe efikas për mbrojtjen, zhvillimin dhe menaxhimin e ujërave në vend. Përmes tij parashihen mekanizma të qartë financiarë që sigurojnë investime afatgjata në këtë sektor, me ndikim të drejtpërdrejtë në mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetin publik”, thuhet në njoftim.

    Ndërkaq, Projektligji për banim të përballueshëm dhe social synon të adresojë nevojat e qytetarëve për strehim të dinjitetshëm.

    Ai krijon bazën ligjore për zhvillimin e politikave që mbështesin familjet në nevojë dhe kategoritë e cenueshme, duke rritur qasjen në banim të përballueshëm në nivel vendi.

    Autoritetet kanë bërë të ditur se këto projektligje pritet të kalojnë edhe fazat e tjera të shqyrtimit në Kuvend para hyrjes në fuqi.

  • Krasniqi: Byroja për konfiskimin e pasurisë po shndërrohet në rrjet politik

    Krasniqi: Byroja për konfiskimin e pasurisë po shndërrohet në rrjet politik

    Rrezarta Krasniqi nga LDK përmes një postimi në “Facebook”, ka reaguar ndaj nismës për krijimin e Byrosë për konfiskimin e pasurisë, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si po prezantohet dhe funksionon kjo iniciativë.

    Ajo ka deklaruar se kjo byro po shitet si “luftë kundër korrupsionit”, por sipas saj, në realitet po merr formë tjetër, atë të përndjekjes politike dhe kapjes së shtetit.

    Krasniqi ka theksuar se krijimi i institucioneve për të sistemuar militantë partiakë nuk përbën reformë, por përkundrazi paraqet degradim të demokracisë.

    Ajo ka shtuar se konfiskimi i pasurisë së paligjshme duhet të bëhet pa kompromis, por jo me standarde të dyfishta dhe jo në funksion të interesave të një partie apo militantëve të saj.

    “Drejtësia nuk mund të jetë vegël e pushtetit”, ka deklaruar ajo, duke e cilësuar këtë nismë si rrezik për demokracinë dhe si një mënyrë për rehatimin e militantëve partiakë.

  • Mbrëmje vendimtare në Ligën e Kampionëve, beteja për gjysmëfinale ndizet në Madrid dhe Anfield

    Mbrëmje vendimtare në Ligën e Kampionëve, beteja për gjysmëfinale ndizet në Madrid dhe Anfield

    Sonte rikthehet spektakli i madh i Ligës së Kampionëve, me dy përballje elektrizuese që pritet të përcaktojnë gjysmëfinalistët e parë të sezonit 2025/26.

    Të gjitha sytë janë drejt dueleve Atletico Madrid–Barcelona dhe Liverpool–Paris Saint-Germain.

    Në kryeqytetin spanjoll, Barcelona zbret në fushë me një mision të vështirë pas humbjes 0-2 në ndeshjen e parë. Katalunasit kanë nevojë për një reagim të fuqishëm dhe një paraqitje pa gabime për të përmbysur gjithçka. Në anën tjetër, Atletico Madrid synon të administrojë avantazhin me maturi dhe të godasë në momentet e duhura. Një gol i hershëm mund ta ndezë menjëherë këtë sfidë dhe ta ndryshojë rrjedhën e saj.

    Ndërkohë në “Anfield”, Liverpool përballet me një tjetër sfidë të madhe pas disfatës 0-2 në Paris. “The Reds” do të kërkojnë një natë magjike para tifozëve të tyre, aty ku shpesh janë shkruar histori të paharrueshme evropiane. Megjithatë, PSG mbetet një kundërshtar i rrezikshëm, i gatshëm të shfrytëzojë çdo hapësirë në kundërsulm dhe të mbrojë avantazhin e fituar.

    Sa i përket ndeshjeve të së mërkurës, Arsenali pret Sporting Lisbonën me epërsinë minimale 1-0, ndërsa supersfida mes Bayern Munich dhe Real Madrid mbetet plotësisht e hapur pas fitores 2-1 në takimin e parë.

    Të gjitha përballjet startojnë në orën 21:00, duke premtuar një tjetër mbrëmje të paharrueshme futbolli.

  • Komisioni “ad hoc” cakton intervistat për anëtarët e Bordit të RTK-së

    Komisioni “ad hoc” cakton intervistat për anëtarët e Bordit të RTK-së

    Komisioni “ad hoc” për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të RTK-së ka miratuar shqyrtimin e listës së kandidatëve të propozuar, ndërsa është caktuar dita e intervistimit.

    Dita e intervistimit është caktuar dita e mërkurë ndërsa opozita pati kundërshtime për këtë ditë.

    Madje deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Ganimete Musliu doli nga mbledhja.

    Intervistat për anëtarët e Bordit të RTK-së do të mbahen nga ora 09:00 gjatë ditës së nesërme.

    Ndërkaq shqyrtimi i listës së kandidatëve është mbyllur për media.

  • HRW: Sulmet e Izraelit ndaj depove të naftës në Iran mund të jenë krime lufte

    HRW: Sulmet e Izraelit ndaj depove të naftës në Iran mund të jenë krime lufte

    Organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch (HRW), tha se sulmet ajrore izraelite në depot e naftës përreth Teheranit në muajin mars, mund të kenë shkaktuar dëme serioze afatgjata për civilët dhe mund të përbëjnë krime lufte.

    Në një raport të publikuar më 13 prill, organizata tha se sulmet ndaj infrastrukturës që është kryesisht civile në natyrë, “janë shkelje e ligjit ndërkombëtar humanitar” dhe “ka të ngjarë të jenë krime lufte”, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Sulmet ndodhën më 7 mars, kur Izraeli shënjestroi katër depo nafte në zonën e Teheranit.

    Autoritetet iraniane raportuan të nesërmen se “katër lokacione të përdorura për ruajtjen dhe shpërndarjen e produkteve të naftës dhe një qendër transporti për produkte të naftës… u sulmuan nga avionët armiqësorë”.

    Në të njëjtën ditë, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit njoftuan se kishin goditur “disa komplekse të magazinimit të karburanteve” në Teheran, që i përkisnin Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).

    HRW-ja tha se sulmet mund të kenë pasoja të rënda afatgjata për ata që jetojnë në Iran.

    Sulmet “mund të kenë pasoja shkatërruese në mjedis dhe në shëndetin e njerëzve për shumë vite dhe ka të ngjarë të përbëjnë krime lufte”, shkroi studiuesja e HRW-së, Bahar Saba.

    “Forcat izraelite nuk duket se e kanë marrë parasysh dëmin e parashikueshëm afatgjatë… dhe duhet të mbahen përgjegjëse”, shtoi ajo.

    Organizata tha se i bazoi gjetjet e saj në intervista me tetë persona në Teheran dhe Karaj, në konsultime me nëntë ekspertë mjedisorë dhe shëndetësorë dhe në analizë të imazheve satelitore dhe videove të verifikuara.

    HRW-ja u shkroi edhe autoriteteve izraelite dhe iraniane më 26 mars, për të kërkuar sqarime.

    Zyrtarët iranianë nuk u përgjigjën, ndërsa zyrtarët izraelitë u përgjigjën më 30 mars, duke thënë se sulmet “u kryen në përputhje me parimet e dallimit, proporcionalitetit dhe masave paraprake”.

    Ata shtuan se objektet e shënjestruara ishin “për të siguruar karburante direkt për njësitë në forcat e armatosura të regjimit… duke përfshirë aviacionin, UAV-të dhe anijet detare”.

    HRW-ja tha se ka konfirmuar se depot e naftës u përdorën për “qëllime civile”, por vuri në dukje se nuk mund të përcaktonte nëse ato u përdorën edhe për mbështetje ushtarake.

    Një burim i informuar i tha organizatës se “depot e naftës përmbanin vetëm benzinë dhe naftë… nuk përdoren për aviacion, UAV ose anije detare”.

    Grupi i të drejtave të njeriut arriti në përfundimin se, duke pasur parasysh dëmin e parashikueshëm mjedisor dhe shëndetësor, sulmet ngrenë shqetësime serioze sipas ligjit ndërkombëtar humanitar dhe mund të përbëjnë krime lufte./REL

  • Shpëtoi një grua në Liqenin e Livoçit, qytetari nderohet nga Komuna e Gjilanit

    Shpëtoi një grua në Liqenin e Livoçit, qytetari nderohet nga Komuna e Gjilanit

    Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka pritur në takim qytetarin Faton Tahiri, i cili ditë më parë ka shpëtuar jetën e një gruaje që kishte rënë me automjet në Liqenin e Livoçit.

    Në shenjë vlerësimi për veprimin e tij, Hyseni i ka ndarë atij mirënjohje komunale për, siç u tha, trimërinë dhe reagimin e shpejtë në një situatë të rrezikshme.

    “Sot prita në takim bashkëqytetarin tonë, Faton Tahirin, i cili me një akt heroik e të jashtëzakonshëm shpëtoi pak ditë më parë jetën e një gruaje që kishte rënë me veturë në liqenin e Livoçit”, ka thënë Hyseni.

    Ai ka shtuar se veprimi i Tahirit përbën një shembull të solidaritetit qytetar dhe humanizmit në situata emergjente.

    “Fatoni është shembulli i qytetarit që na bën krenarë të gjithëve. Veprime të tilla humane janë dëshmia më e mirë e solidaritetit që na bashkon në momente të vështira. Mirënjohje dhe respekt i pafund”, ka deklaruar kryetari i Gjilanit.

  • Komisioni për Ekonomi shtyn shqyrtimin e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit

    Komisioni për Ekonomi shtyn shqyrtimin e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit

    Komisioni për Ekonomi ka shtyrë shqyrtimin e vendimit të Presidentes për kthimin në rishqyrtim të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, për shkak të nevojës për konsultime shtesë, raporton Ekonomia Online.

    Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të komisionit, ku u bë e ditur se kjo çështje do të trajtohet në një mbledhje tjetër, pas përfundimit të konsultimeve të nevojshme.

    Në të njëjtën mbledhje, Komisioni për Ekonomi ka themeluar edhe një grup pune për shqyrtimin e Projektligjit për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

  • Gjykata e Lartë pritet të shqyrtojë kërkesën e Ilir Metës për lirimin nga burgu, caktohet data

    Gjykata e Lartë pritet të shqyrtojë kërkesën e Ilir Metës për lirimin nga burgu, caktohet data

    Gjykata e Lartë do të shqyrtojë kërkesën e ish presidentit dhe kreut të Partisë së Lirisë Ilir Meta më datë 23 prill, raporton Euronewsalbania.

    Meta ka bërë kërkesë për lirimin nga burgu dhe është drejtuar disa herë me kërkesë Shkallës së parë dhe të dytë të gjyqësorit, por që i janë rrëzuar.

    Sipas mbrojtjes së Ilir Metës, rrethanat kanë ndryshuar pasi dosja ndaj tij ka kaluar për gjykim.

    Rekusi i Metës do të shqyrtohet nga Ilir Panda, Albana Boksi dhe Genta Shala.

    Meta akuzohet për veprat penale “korrupsion pasiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje të pasurisë”.

     

  • Gjiganti turk synon transferimin e Edon Zhegrovës në verë

    Gjiganti turk synon transferimin e Edon Zhegrovës në verë

    Pasi vendosi të ndahej nga Milot Rashica në fund të sezonit, Besiktas ia ka vënë syrin Edon Zhegrovës së Juventusit për pozicionin e krahut të djathtë. Mësohet se drejtuesit kanë kontaktuar agjentin e yllit të Kosovës.

    Besiktasi, duke vazhduar përpjekjet e saj për transferime për sezonin e ri, ka bërë një lëvizje të papritur.

    Bardhezinjtë, të cilët do të ndahen nga sulmuesi i krahut kosovar Milot Rashica në fund të sezonit, i kanë vënë syrin një tjetër ylli kosovar.

    Sipas mediumit turk Fanatik, është mësuar se Besiktasi po shqyrton 27-vjeçarin Edon Zhegrova, i cili luan për Juventusin.

    Raportet gjithashtu sugjerojnë se menaxhmenti i klubit turk ka kontaktuar agjentin e sulmuesit anësor nga Prishtina për të pyetur në lidhje me kushtet e kontratës.

    Gazetari i afërt me Juventusin tregon pse Spalletti nuk luan me Zhegrovën

    Zhegrova, e cila iu bashkua Juventusit në fillim të sezonit, po vuan për të siguruar kohë loje dhe është e hapur për t’u larguar nga klubi italian në fund të sezonit.

    Ylli i Dardanëve, i cila ka luajtur në 21 ndeshje këtë sezon, spikat me aftësitë e saj në driblim dhe gjuajtjet e fuqishme nga distanca. /Telegrafi/