ATV

Blog

  • Kurti kujton viktimat e Masakrës së Poklekut: U vranë 53 civilë shqiptarë të paarmatosur

    Kurti kujton viktimat e Masakrës së Poklekut: U vranë 53 civilë shqiptarë të paarmatosur

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar viktimat e Masakrës së Poklekut.

    Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se në këtë masakër mbetën të vrarë 53 civilë shqiptarë të moshave të ndryshme, përfshirë edhe gra shtatzëna.

    “Në Poklek të Drenicës, në shtëpinë e familjes Muqolli, më 17 prill 1999, u vranë 53 civilë shqiptarë të paarmatosur, nga 75 vjeç deri te foshnje 6 muajshe, përfshirë edhe gra shtatzëna. U vranë dhe më pas trupat e tyre u dogjën nga forcat e armatosura të Serbisë, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit”, ka shkruar ai.

    Postimi i plotë:

    Në Poklek të Drenicës, në shtëpinë e familjes Muqolli, më 17 prill 1999, u vranë 53 civilë shqiptarë të paarmatosur, nga 75 vjeç deri te foshnje 6 muajshe, përfshirë edhe gra shtatzëna. U vranë dhe më pas trupat e tyre u dogjën nga forcat e armatosura të Serbisë, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit.

    Sot, kujtimi për ta ruhet në shtëpinë-muze të familjes Muqolli në Poklek, e mbështetur institucionalisht nga Republika e Kosovës. Aty ruhen dëshmi dhe histori familjare që e bëjnë të prekshme përmasën njerëzore të humbjes dhe obligimin tonë për të mos harruar.

    Në Korroticë të Poshtme ruhen kujtimet për poetin e fëmijëve Ymer Elshani, i vrarë atë ditë bashkë me më të dashurit e tij.

    Në Çikatovë të Vjetër të Drenicës, civilë të tjerë shqiptarë u vranë dhe trupat e disa prej tyre u zhvendosën në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës në Serbi.

    Përkujtimi i tyre është obligim institucional dhe shoqëror. Dokumentimi i krimeve dhe ruajtja e dëshmive janë thelbësore për të vërtetën historike dhe për drejtësinë. Krimet e luftës nuk parashkruhen, dhe drejtësia për viktimat mbetet kërkesë e pandërprerë.

    Me respekt të thellë për të vrarët dhe me solidaritet me familjarët e tyre, riafirmojmë përkushtimin tonë për të vërtetën, kujtesën dhe drejtësinë.

    I përjetshëm qoftë kujtimi për të vrarët në Poklek e Çikatovë të Vjetër të Drenicës!

    Lavdi të gjithë martirëve dhe dëshmorëve të lirisë!

  • Gjykata ndalon ndërtimin e sallës së vallëzimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë

    Gjykata ndalon ndërtimin e sallës së vallëzimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë

    Një gjykatës ka ndaluar ndërtimin e sallës së vallëzimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

    Të gjitha punimet mbi tokë në projektin prej 400 milionë dollarësh të presidentit amerikan duhet të ndërpriten pas vendimit të gjyqtarit të distriktit Richard Leon.

    Por puna nëntokësore mund të vazhdojë në një bunker dhe “objekte të tjera të sigurisë kombëtare” në vend, ku dikur ndodhej Krahu Lindor i Shtëpisë së Bardhë, tani i shembur.

    Kjo do të thotë që ndërtuesit janë të lirë të vazhdojnë me ndërtimin e çdo bunkeri, instalimi ushtarak dhe objekti mjekësor poshtë sallës së planifikuar të vallëzimit.

    Presidenti amerikan ka përdorur rrjetet sociale për të shprehur pakënaqësinë e tij ndaj vendimit të gjyqtarit.

    Ai tha se Leon “ka bërë çmos për të minuar Sigurinë Kombëtare dhe për t’u siguruar që kjo Dhuratë e Madhe për Amerikën të vonohet ose të mos ndërtohet”.

    Avokatët e qeverisë argumentuan se projekti përfshin karakteristika kritike sigurie për t’u mbrojtur nga një sërë kërcënimesh të mundshme, duke përfshirë dronët, raketat balistike dhe rreziqet biologjike.

    Por gjykatësi nuk u pajtua.

    Administrata Trump njoftoi se do ta çojë vendimin në Gjykatën e Apelit të SHBA-së që Qarku i Distriktit të Kolumbias ta shqyrtojë.

  • Djegia e ndërtesës pranë QSUT-së, lirohen katër të arrestuarit

    Djegia e ndërtesës pranë QSUT-së, lirohen katër të arrestuarit

    Gjykata Penale e Tiranës ka caktuar masat e sigurimit detyrim paraqitje për 4 të arrestuarit për zjarrin tek pallati afër farmacisë numër 10.

    Togat e zeza liruan nga qelia Razie Sula, Agron Cara, Enver Ademi dhe Altin Furtuna, raporton A2CNN.

  • Kurti deklaron se i ka veç 16 euro e 41 centë në bankë dhe se i është ngritur edhe çmimi i qirasë

    Kurti deklaron se i ka veç 16 euro e 41 centë në bankë dhe se i është ngritur edhe çmimi i qirasë

    Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka publikuar deklarimin vjetor të pasurisë së Kryeministrit Albin Kurti. Nga deklarimi shihet se atij i është shtrenjtuar qiraja e banesës për 100 euro, teksa i kanë rënë kursimet.

    Tek pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme nuk ka ndonjë ndryshim. Si pasuri të paluajtshme, Kurti ka përmendur banesën e bashkëshortes, në vlerë 530 mijë euro.

    Para të gatshme në emër të tij i ka deklaruar 16.41 centë, në emër të bashkëshortes 19 mijë e 500 me prejardhje nga paga dhe trashëgimi nga prindi, 2 mijë euro kursime të vajzës dhe 50 euro tjera të vajzës, që thotë se e kanë prejardhjen nga familjarët.

    Vjet ai i kishte deklaruar si kursime 1800 euro.

    Si borxhe, ka deklaruar kredinë e bashkëshortes në vlerë të mbetur 160 mijë euro, dhe ka renditur qiranë e banesës që tash e paguan 350 euro, nga 250 sa e paguante vjet.

    Tek të hyrat vjetore, Kurti ka renditur 21 mijë e 315 euro nga paga si Kryeministër dhe 51 mijë euro të bashkëshortes.

    Albin-Kurti

  • Shpallja e aktgjykimit për vrasjen e Liridona Ademajt bëhet të martën e ardhshme

    Shpallja e aktgjykimit për vrasjen e Liridona Ademajt bëhet të martën e ardhshme

    Gjykata ka caktuar shpalljen e aktgjykimit për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt për të martën e ardhshme, më 21 prill, në ora 13:30.

    Vendimi pritet të merret pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, ku palët sot kanë paraqitur fjalët përfundimtare dhe kanë dhënë qëndrimet e tyre lidhur me provat dhe përgjegjësinë penale të të akuzuarve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Prokuroria ka kërkuar dënim maksimal me burgim të përjetshëm për të akuzuarit, duke pretenduar se vrasja është organizuar dhe kryer në mënyrë të planifikuar.

    Në anën tjetër, mbrojtja e të akuzuarve ka kundërshtuar akuzat, duke theksuar mungesë të provave direkte dhe duke kërkuar vendim të bazuar vetëm në prova.

  • Eduardo Camavinga merr përgjegjësinë pas eliminimit të Real Madridit nga Bayern Munich

    Eduardo Camavinga merr përgjegjësinë pas eliminimit të Real Madridit nga Bayern Munich

    Mesfushori i Real Madrid, Eduardo Camavinga, ka reaguar publikisht pas eliminimit në UEFA Champions League ndaj Bayern Munich, duke marrë përgjegjësinë për kartonin e kuq.

    Francezi u përjashtua nga loja pas dy kartonëve të verdhë brenda pak minutash, një moment që ndikoi drejtpërdrejt në rrjedhën e ndeshjes në Mynih.

    Pas takimit, Camavinga përdori rrjetet sociale për t’u kërkuar falje tifozëve dhe bashkëlojtarëve.

    “Dua të kërkoj falje. Marr përgjegjësinë time dhe i kërkoj falje ekipit dhe tifozëve. Faleminderit për mbështetjen. Hala Madrid, përgjithmonë”, shkroi ai.

    Mesfushori hyri në fushë në pjesën e dytë, në një moment kur Reali ishte në avantazh, por situata ndryshoi shpejt. Ai u ndëshkua fillimisht për një ndërhyrje ndaj Jamal Musiala dhe më pas për një veprim të panevojshëm pas një faulli ndaj Harry Kane, duke larguar topin pas sinjalit të arbitrit Slavko Vinčić.

    Me një lojtar më pak, Real Madridi nuk arriti të ruajë rezultatin, ndërsa Bayerni përmbysi gjithçka dhe siguroi kualifikimin.

    Vendimi i arbitrit ka shkaktuar reagime të forta në Spanjë, ku shumë e kanë cilësuar ndëshkimin si të ashpër. Megjithatë, gabimi i Camavingas rezultoi vendimtar në një mbrëmje dramatike për madrilenët

  • Ky është ushtari i FSK-së që e fitoi vendin e parë në “Garën e Ushtarit më të Mirë 2026”

    Ky është ushtari i FSK-së që e fitoi vendin e parë në “Garën e Ushtarit më të Mirë 2026”

    Në Kazermën “Adem Jashari”, përmes një ceremonie solemne, është shpallur fituesi i “Garës së Ushtarit më të Mirë 2026”.

    Vendin e parë në këtë garë e rrëmbeu Elvis Qitaku, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Vendin e dytë e zuri Ismail Ahmeti, ndërsa vendi i tretë i takoi Sead Veselit.

    Në garë morën pjesë gjithsej 44 pjesëtarë, prej tyre 22 nga vendet partnere të Kosovës dhe 22 nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

    Ekipet pjesëmarrëse në garën për “Ushtarin më të Mirë 2026” iu nënshtruan 10 disiplinave të ndryshme.

  • Maqedonci: Një përfaqësues i SHBA-së na ka ndihmuar në përgatitjen e FSK-së për misionin në Gaza

    Maqedonci: Një përfaqësues i SHBA-së na ka ndihmuar në përgatitjen e FSK-së për misionin në Gaza

    Kosova ka shprehur gatishmërinë për të dërguar disa dhjetëra pjesëtarë të forcave të saj të sigurisë në një mision ndërkombëtar në Gaza, si pjesë e një iniciative të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas armëpushimit të arritur mes Izraelit dhe Hamasit vitin e kaluar.

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, deklaroi për AP se Kosova po hyn në një fazë të re, duke kaluar nga një përfituese e sigurisë ndërkombëtare në një kontribuese aktive.

    Ai theksoi se kontingjenti kosovar do të përbëhet nga disa dhjetëra ushtarë, përfshirë ekspertë të çminimit, të cilët do të angazhohen në mbështetje humanitare dhe detyra të tjera sipas mandatit të misionit.

    “Deri më tani kemi qenë konsumues të sigurisë, pasi NATO ka kontribuar për sigurinë tonë. Tani po bëhemi ofrues të sigurisë,” u shpreh Maqedonci, duke shtuar se përgatitjet janë në fazën përfundimtare dhe se një përfaqësues amerikan ka ndihmuar në proces, përfshirë vaksinimin e trupave dhe procedurat teknike.

    ”Një përfaqësues i SHBA-së ka ndihmuar me përgatitjen, duke përfshirë vaksinimin e trupave, lëshimin e vizave dhe rregullime të tjera teknike”

    Pjesëmarrja në këtë mision shihet në Kosovë si dëshmi e progresit të vendit që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, pavarësi e cila ende nuk njihet nga Serbia.

    Ndërkohë, tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit vazhdojnë të mbeten të pranishme, pavarësisht përpjekjeve të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve, të cilat së fundmi kanë ngecur.

    Kosova aktualisht ka rreth 4,000 pjesëtarë në Forcën e Sigurisë, e cila synon të shndërrohet në një ushtri profesionale në përputhje me standardet e NATO-s.

    Vendimi për të kontribuar në Gaza është mirëpritur nga qytetarë të ndryshëm, të cilët e shohin këtë si një mënyrë për të kthyer ndihmën që Kosova ka marrë ndër vite nga komuniteti ndërkombëtar.

  • Robert Lewandowski kërkon kohë për të vendosur të ardhmen, fokusi te titulli në La Liga

    Robert Lewandowski kërkon kohë për të vendosur të ardhmen, fokusi te titulli në La Liga

    Sulmuesi i FC Barcelona, Robert Lewandowski, ka folur për situatën e tij me klubin katalanas, duke theksuar se i duhet kohë për të marrë një vendim për të ardhmen.

    “Ne kemi kohë. Klubi e di saktësisht se çfarë mendoj. Më duhet pak kohë për të reflektuar, kjo është e qartë për të dyja palët”, u shpreh sulmuesi polak.

    37-vjeçari ndodhet në vitin e fundit të kontratës së tij, e cila skadon në fund të sezonit, ndërsa Barcelona raportohet se i ka ofruar një zgjatje afatshkurtër me ulje page.

    Duke folur për eliminimin nga UEFA Champions League, Lewandowski pranoi zhgënjimin e skuadrës.

    “Gjithmonë dhemb kur eliminohesh nga Liga e Kampionëve. Donim të luftonim deri në fund dhe të arrinim në gjysmëfinale, por ky është futbolli”, deklaroi ai.

    Megjithatë, sulmuesi theksoi se skuadra ka potencial të madh për të arritur objektivat.

    “Futbolli nuk është gjithmonë i drejtë, por ne kemi potencial të madh. Jemi të etur për të fituar dhe për të luajtur futboll të bukur. Nuk mund të ndalemi te ajo që ka ndodhur, e ardhmja është më e rëndësishme”, shtoi ai.

    Në fund, Lewandowski bëri të qartë se fokusi aktual i ekipit është fitimi i titullit në La Liga.

    “Tani duhet të përqendrohemi te La Liga. Duam ta fitojmë. Kemi disa ditë për t’u përgatitur dhe kjo është gjithçka që kemi në mendje”, përfundoi ai.

  • David Alaba drejt largimit nga Real Madridi si lojtar i lirë

    David Alaba drejt largimit nga Real Madridi si lojtar i lirë

    Mbrojtësi i kombëtares së Austrisë, David Alaba, pritet të largohet nga Real Madrid si lojtar i lirë, sipas raportimeve të gazetarit të njohur Fabrizio Romano.

    Sipas këtyre burimeve, kontrata e 33-vjeçarit me klubin madrilen skadon më 30 qershor 2026 dhe aktualisht nuk ka sinjale për rinovim të marrëveshjes, çka e vendos mbrojtësin drejt një largimi të mundshëm në fund të sezonit.

    Gjatë kësaj periudhe, disa klube thuhet se kanë nisur kontaktet fillestare me përfaqësuesit e lojtarit, duke shprehur interes për shërbimet e tij. Përvoja e gjatë në nivelet më të larta të futbollit evropian e bën Alabën një profil tërheqës në treg, pavarësisht problemeve të fundit me dëmtimet dhe minutazhit të kufizuar.

    Alaba iu bashkua Real Madridit në verën e vitit 2021 si transferim i lirë, pas largimit nga Bayern Munich, ku ishte një nga figurat kyçe të skuadrës dhe fitoi trofe të shumtë.

    Këtë sezon, mbrojtësi austriak ka regjistruar 13 paraqitje në të gjitha garat, duke grumbulluar gjithsej 391 minuta lojë, pa arritur të kontribuojë me gola apo asistime. Kjo statistikë reflekton kryesisht rolin e tij të kufizuar në formacion, si pasojë e konkurrencës dhe rikuperimit nga dëmtimet.

    E ardhmja e tij pritet të qartësohet në muajt e ardhshëm, ndërsa interesimi nga klube të ndryshme evropiane mund ta bëjë atë një nga emrat më të diskutuar të afatit kalimtar të verës.