ATV

Blog

  • Derbi Llapi–Prishtina përfundon pa fitues 0-0

    Derbi Llapi–Prishtina përfundon pa fitues 0-0

    Derbi ndërmjet Llapit dhe Prishtinës në kuadër të xhiros së 29-të në Superligën e Kosovës përfundoi pa fitues, 0-0.

    Pavarësisht rasteve të shumta dhe aksioneve të vazhdueshme nga të dyja skuadrat, gola nuk u shënuan. Llapi krijoi tentimet më të mira, por mungesa e Muhamet Hysenit ndikoi dukshëm, duke u ndjerë tek finalizimi i munguar.

    Altin Gjokaj spikati nga ana e Prishtinës, duke shpëtuar skuadrën “bardhëkaltër” disa herë me pritje fantastike.

    Prishtina u aktivizua më shumë vetëm në 10 minutat e fundit, duke kërkuar një penallti dhe duke tentuar përmes Ardian Mujës, por goditja përfundoi jashtë portës.

    Pas kësaj ndeshjeje, Prishtina renditet e treta me 44 pikë, ndërsa Llapi pozicionohet i shtati me 33 pikë.

  • Phoenix Suns dhe Orlando Magic sigurojnë vendet e fundit në Play-Off të NBA-së

    Phoenix Suns dhe Orlando Magic sigurojnë vendet e fundit në Play-Off të NBA-së

    Dy skuadrat e fundit që kanë siguruar pjesëmarrjen në fazën “Play-Off” të elitës së basketbollit amerikan, NBA, janë përcaktuar pas zhvillimit të ndeshjeve të fundit të fazës “Play-In”.

    Në Konferencën e Perëndimit, Phoenix Suns siguruan kualifikimin pas fitores 111-96 ndaj Golden State Warriors. Skuadra nga Phoenix zhvilloi një paraqitje të balancuar, me të gjithë titullarët që realizuan mbi 10 pikë, ndërsa protagonisti kryesor ishte Jalen Green me 36 pikë. Në fazën pasuese, Suns do të përballen me kampionët në fuqi, Oklahoma City Thunder.

    Në Konferencën e Lindjes, bileta e fundit për në “Play-Off” u sigurua nga Orlando Magic, që dominoi bindshëm 121-90 ndaj Charlotte Hornets. Ndeshja nuk pati shumë histori, me Orlandon që kontrolloi lojën nga fillimi në fund. Të gjithë titullarët realizuan mbi 12 pikë, ndërsa më i spikaturi ishte Paolo Banchero me 25 pikë.

  • Toni Kroos nuk përjashton rikthimin te Real Madrid-Qëndrim i kujdesshëm pas tërheqjes nga futbolli

    Toni Kroos nuk përjashton rikthimin te Real Madrid-Qëndrim i kujdesshëm pas tërheqjes nga futbolli

    Toni Kroos ka komentuar spekulimet në rritje për një rikthim të mundshëm te Real Madrid, por ka mbajtur një qëndrim të kujdesshëm dhe nuk ka dhënë një përgjigje të prerë.

    Në podcastin e tij “Einfach mal Luppen”, së bashku me vëllain Felix Kroos, legjenda gjermane u pyet drejtpërdrejt për zërat që e lidhin me një rikthim në klub në një rol jo-lojtar. Ai u përgjigj:
    “Nuk mund të them asgjë për këtë, nuk dua të them asgjë, sepse nuk di asgjë.”

    Më pas, Kroos shtoi me humor:
    “Kjo është përgjigjja që mund të vazhdosh ta japësh.”

    Raportet e fundit sugjerojnë se ai mund të rikthehet në Santiago Bernabeu si një urë lidhëse mes lojtarëve dhe bordit ose të marrë një rol në akademinë e klubit për të zhvilluar talentet e reja të “La Fábrica”.

    Kroos ka përshkruar më herët Real Madridin si “shtëpinë” e tij dhe nuk ka përjashtuar një rikthim në të ardhmen në një rol administrativ ose teknik. Megjithatë, ai ka theksuar edhe nevojën për një pauzë pas kërkesave të mëdha të futbollit profesionist, pas tërheqjes nga karriera aktive në fund të sezonit 2023/202

  • Amarildo Bakaj i jep fund karrierës në boksin profesionist në mënyrë të papritur

    Amarildo Bakaj i jep fund karrierës në boksin profesionist në mënyrë të papritur

    Boksieri Amarildo Bakaj ka befasuar të gjithë duke njoftuar pensionimin nga boksi në moshën 26-vjeçare. Me një rekord të pamposhtur, ai kishte kërkuar një përballje me boksierin numër një të botës në kategorinë e tij, Ben Whitaker, por nuk u konsiderua.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bakaj shpjegoi se mungesa e sponsorëve e pengonte të përballej me boksierët e tjerë, ndaj vendosi t’i “varë dorezat”.

    “Sot ndaj me ju dorëheqjen time nga boksi. E di që disa do të mërziten dhe disa do të gëzohen. Gjatë karrierës sime nuk mbaj mend të kem derdhur lot gëzimi. Shumë kanë përpjekur të më njollosin emrin, sepse kanë parë talentin dhe potencialin tim. Tani, mos më helmoni më zemrën.”

    Ai theksoi se nuk kishte frikë nga boksierët me emër, por për të marrë ndeshje të mëdha duheshin sponsorë:

    “Boksierët në Angli dhe SHBA janë të fortë, jo për shkak të më shumë zemre apo forcë, por sepse u paguhen trajnerët më të mirë dhe biznesmenët i mbështesin. Tek ne kjo nuk funksionon. Shumë herë kam ndjerë se ëndrrat tona ndalojnë për shkak të rrethanave, jo talentit.”

    Bakaj shprehu zhgënjimin ndaj ambientit lokal:

    “Edhe shqiptarët e mi kanë tentuar të më pengojnë; interesoheshin vetëm për xhepat e tyre. Kam qenë gjithmonë patriot me zemër dhe nuk u komprometova, por kjo më kushtoi.”

    Ai përfundoi me një reflektim të dhimbshëm për vendin dhe për veten:

    “Jam 26 vjeç, në moshën më të mirë për boks, por shpirtërisht i lodhur. Kam lindur në vendin e gabuar. Do të më mungoni shumë. Faleminderit për çdo të mirë dhe të keqe. Ju dua.”

  • Liverpool synon Anthony Gordon pas dëmtimit të Hugo Ekitike

    Liverpool synon Anthony Gordon pas dëmtimit të Hugo Ekitike

    Liverpool ka intensifikuar interesimin për Anthony Gordon, anësorin e talentuar që po shkëlqen me Newcastle United në Ligën Premier. Sipas raportimeve, lojtari ka informuar rrethin e tij të ngushtë për dëshirën e fortë për një transferim drejt stadiumit legjendar “Anfield”.

    Kjo lëvizje shihet si një përgjigje strategjike për të përforcuar repartin ofensiv pas dëmtimit të fundit të sulmuesit Hugo Ekitike.

    Anthony Gordon kërkon një hap cilësor në karrierë, që i mundëson të garojë në Ligën e Kampionëve dhe të përfitojë një rritje page në përputhje me statusin e tij aktual. Megjithatë, Newcastle nuk pritet ta lejojë lehtësisht largimin e një prej lojtarëve kyç, duke e vlerësuar kartonin e tij rreth 92 milionë euro.

    Për Gordon, veshja e fanellës së klubit gjashtë herë kampion të Europës përfaqëson realizimin e një ëndrre që më parë nuk arriti ta konkretizonte. Në vitin 2024, transferimi ishte shumë pranë finalizimit, por faktorë administrativë e penguan atë në atë kohë.

    Lojtari tashmë ka nisur të eksplorojë aktivisht opsionet për largim, duke qenë i vetëdijshëm se periudha e tij në veri të Anglisë mund të jetë drejt fundit.

  • Erling Haaland: Përvoja e Manchester Cityt në fitimin e trofeve do të jetë çelësi ndaj Arsenalit

    Erling Haaland: Përvoja e Manchester Cityt në fitimin e trofeve do të jetë çelësi ndaj Arsenalit

    Erling Haaland beson se përvoja e Manchester Cityt në fitimin e trofeve mund të jetë vendimtare në përballjen ndaj Arsenalit në Premier League. Sulmuesi norvegjez thekson se City mbetet “i uritur për më shumë” ndërsa gara për titull hyn në fazën vendimtare të sezonit.

    Manchester City shkon në këtë duel me mundësinë për të marrë kryesimin e tabelës. Një fitore ndaj Arsenalit dhe më pas tri pikë kundër Burnley do t’u jepte kampionëve aktualë një kontroll të fortë në garën për titull.

    Pavarësisht ardhjes së disa lojtarëve të rinj, bërthama e skuadrës mbetet e njëjtë dhe përbëhet nga lojtarë me përvojë të madhe në fitimin e trofeve. Haaland, pjesë e kësaj bërthame, është optimist se skuadra mund të përsërisë sukseset edhe këtë sezon.

    Duke folur para ndeshjes, ai theksoi se përvoja në fitimin e trofeve ka rëndësi të madhe, se City është një klub ku duhet të vish dhe të fitosh trofe, dhe se ndeshja e fundit kundër Chelsea tregoi fuqinë e ekipit, i cili është i uritur për më shumë suksese.

  • Barcelona ka gati planin B- Vedat Muriqi alternativa për repartin e sulmit në verë

    Barcelona ka gati planin B- Vedat Muriqi alternativa për repartin e sulmit në verë

    Barcelona tashmë ka një ide të qartë për llojin e sulmuesit që dëshiron të nënshkruajë këtë verë në rast se nuk arrin të sigurojë objektivin e tyre kryesor, Julián Alvarez nga Atletico Madrid.

     

    Klubi katalanas ka ndjekur nga afër sulmuesin kosovar të Mallorcas, Vedat Muriqi, për javë të tera, megjithëse ende nuk ka pasur kontakte zyrtare me përfaqësuesit e tij.

     

    Muriqi po kalon një sezon të shkëlqyer me Mallorcan, ku ka shënuar 21 gola dhe është golashënuesi i dytë më i mirë i sezonit në La Liga. Në moshën 31-vjeçare, ai është bërë një nga lojtarët kryesorë të ligës. Me një gjatësi prej 1.94 metra, ai dominon në ajër, sfidon qendërmbrojtësit dhe ka nuhatje për gol – një profil i ndryshëm nga sulmuesit aktualë të Barcelonës, por pikërisht kjo e bën tërheqës për ekipin.

  • Arrestohet një i dyshuar për përfshirje në sulmin terrorist në Banjskë

    Arrestohet një i dyshuar për përfshirje në sulmin terrorist në Banjskë

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se është arrestuar një person që dyshohet se është i përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë.

    Në njoftim thuhet se i dyshuari me inicialet S.R. u arrestua në pikën e kalimit kufitar nër Merdarë, dhe është ndaluar për 48 orë.

    “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ndaluar personin me incialet S.R., mbi bazën e dyshimit për përfshirje në vepra penale të natyrës së rëndë, përfshirë veprat që lidhen me sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    “I dyshuari është arrestuar nga Policia e Kosovës në pikën e kalimit kufitar në Merdarë, ndërsa me vendim të prokurorit, i njëjti është ndaluar për 48 orë”.

    Sulmi terrorist në Banjskë kishte ngjarë më 24 shtator të vitit 2023, kur një grup serbësh të armatosur kishin sulmuar Policinë e Kosovës, ku ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

  • Hyri në ‘Ferma VIP’, librat e Mimoza Ahmetit po shiten me të madhe

    Hyri në ‘Ferma VIP’, librat e Mimoza Ahmetit po shiten me të madhe

    Në tregun shqiptar të librit, ku shitjet zakonisht varen nga panairet, sezonet festive apo titujt bestseller të autorëve të njohur, mjafton një zhvendosje e papritur e vëmendjes publike për të ndryshuar sjelljen e blerësit.

    Kjo po ndodh këto javë me titujt e autores Mimoza Ahmeti, për të cilët libraritë kryesore në Tiranë raportojnë një rritje të kërkesës, pas rikthimit të autores në qendër të bisedës publike.

    Shkrimtarja është pjesë e reality show Ferma VIP, që prej muajit të kaluar, ku me stilin e saj spontan, ironinë e mprehtë dhe batutat, është bërë virale në rrjetet sociale, përtej audiencës tradicionale të letërsisë.

    Ky interes po reflektohet tashmë edhe në sjelljen e konsumatorit në tregun e librit. Në librarinë Adrion, shitësit thonë se nuk bëhet fjalë për një shpërthim të madh shitjesh, por për një lëvizje të qartë të kërkesës.

    “Kërkesa për librat e saj ka qenë më e lartë javët ë fundit, aq sa i nxorëm të dukshme prej rafteve të librave, sepse njerëzit nisën të pyesnin çdo ditë”, shprehen ata, duke përshkruar një fenomen tipik të tregut shqiptar të librit, ku vëmendja publike shpesh mjafton për të rikthyer në qarkullim tituj që kishin mbetur në heshtje.

    E njëjta tendencë konfirmohet edhe nga libraria Leximtari. Albert Gjoka thotë për Monitor se “ka një rritje të lehtë dy javët e fundit”, një sinjal që interesi nuk është thjesht kuriozitet televiziv, por po përkthehet në blerje konkrete, sado modeste në volum.

    Ndërkohe në rrjetin social Tiktok, përpos videove me momentet e saj brenda reality show-t, kanë shpërthyer video me hashtag “Mimoza Ahmeti libra”, ku edhe librari, edhe individë, po risjellin në vëmendje librat e saj.

    Ky nuk është fenomen i ri për vendin tonë. Precedenti më i freskët mbetet efekti që krijoi Luis Ejlli, pjesëmarrës në reality show Big Brother VIP disa vite më parë, kur popullariteti i tij nuk ndikoi vetëm audiencat televizive, por nxiti menjëherë sektorë të tërë retail. Nga veshjet dhe aksesorët që imitoheshin nga publiku, te kërkesa për produkte, evente dhe bashkëpunime tregtare që mbanin emrin ose estetikën e tij, tregu reagoi me shpejtësi ndaj trendit të momentit.

    Fenomeni nuk është unik për Shqipërinë. Në tregjet ndërkombëtare, televizioni dhe trendet e momentit kanë prodhuar shpesh efekte të ngjashme në shitjet e librave. Në vitet e fundit, i njëjti mekanizëm është parë me serialet streaming, ku ekranizime rikthen në qendër të tregut libra që kishin vite në qarkullim. Rasti i fundit ishte seriali i ri në Netflix “Muzeu i Pafajësisë” që riktheu vëmendjen botërore drejt librit me të njëjtin titull të autorit Orhan Pamuk, përfshirë edhe në Shqipëri. /Monitor

  • Real Madridi bën një gjest të madh pas lëndimit të rëndë të Kosovare Asllanit

    Real Madridi bën një gjest të madh pas lëndimit të rëndë të Kosovare Asllanit

    Real Madrid ka bërë një gjest të madh human dhe mbështetës ndaj ish-lojtares së saj, Kosovare Asllani, pas dëmtimit të rëndë që ajo ka pësuar së fundmi.

    Klubi madrilen i ka dërguar një letër zyrtare Asllanit, duke i uruar shërim të shpejtë dhe duke shprehur mbështetje të plotë institucionale nga e gjithë struktura e klubit, përfshirë edhe presidentin Florentino Pérez.

    Në mesazhin e publikuar, Real Madridi thekson respektin dhe lidhjen e veçantë me futbollisten, e cila ka qenë pjesë e ekipit të femrave dhe ka lënë gjurmë të rëndësishme gjatë periudhës së saj në klub.

    Letra e plotë e dërguar nga drejtori i marrëdhënieve institucionale të klubit, Emilio Butragueno, është si më poshtë.

    “E dashur Kosova, në emër të të gjithëve ne që formojmë Real Madridin, dhe veçanërisht të presidentit tonë, Florentino Perez, dua t’ju përcjell urimet tona më të mira për një shërim të shpejtë nga dëmtimi juaj. Me shumë dashuri. Një përqafim të madh”, thuhet në letrën e nënshkruar nga Emilio Butragueno, drejtori I Marrëdhënieve Institucionale të klubit.

    Ky gjest nga “Los Blancos” vjen si dëshmi e vlerësimit dhe respektit që klubi ruan për ish-lojtarët e tij, si dhe për kontributin e Asllanit gjatë kohës së saj në ekipin madrilen.