ATV

Blog

  • Protestë në Jarinje, QKMK paralajmëron për bllokimin e një pjese të autostradës drejt Kosovës

    Protestë në Jarinje, QKMK paralajmëron për bllokimin e një pjese të autostradës drejt Kosovës

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se sot pritet të mbahet një protestë në Jarinje dhe se do të bllokohet një pjesë e autostradës në territorin e Serbisë.

    Sipas njoftimit, protesta pritet të mbahet nga ora 12:00 deri në orën 18:00.

    “Ju njoftojmë, se sipas burimeve të hapura dhe ende të paverifikuara, pritet të mbahet një protestë në Jarinjë dhe bllokim i një pjese të autostradës drejt RKS-së në territorin e Serbisë nga ora 12:00 deri në ora 18:00. Për çdo zhvillim të mëtejmë do t’u njoftojmë me kohë”, thuhet në njoftim.

    “Për informata shtesë ju lutem kontaktoniQKMK, në numrat e mëposhtëm: +38345198000, +38345198606 dhe në numrin pa pagesë 080050095”, përfundon njoftimi.

  • Vrasja e Liridona Ademajt, sot shpallet aktgjykimi

    Vrasja e Liridona Ademajt, sot shpallet aktgjykimi

    Sot, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me fillim nga ora 13:30, do të shpallet aktgjykimi ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

    Fjalët përfundimtare në këtë rast janë paraqitur të premten, ku palët kanë dhënë qëndrimet e tyre lidhur me provat dhe përgjegjësinë penale të të akuzuarve.

    Prokuroria ka kërkuar dënim maksimal me burgim të përjetshëm për të akuzuarit, duke pretenduar se vrasja është organizuar dhe kryer në mënyrë të planifikuar.

    Edhe familja e Liridonës ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm.

    Në anën tjetër, mbrojtja e të akuzuarve ka kundërshtuar akuzat, duke theksuar mungesë të provave direkte dhe duke kërkuar vendim të bazuar vetëm në prova.

    Liridona Ademj u vra më në nëntor të vitit 2023, në një rrugë në fshatin Bërrnicë të Prishtinës.

    Ish-bashkëshorti i saj, Naim Murseli akuzohet për planifikimin e vrasjes, Plava akuzohet se e ka kryer vrasjen, ndërkaq Kushtrim Kokalla akuzohet se e ka njoftuar dorasin e dyshuar me Murselin.

    Aktakuza e ngarkon Murselin se e ka planifikuar vrasjen e bashkëshortes me qëllim hakmarrjeje dhe përfitimi financiar nga një sigurim jetësor në Suedi, në shumë prej rreth 260 mijë eurosh.

    Sipas Prokurorisë, Murseli e ka planifikuar vrasjen në bashkëpunim me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, duke u premtuar atyre një shpërblim prej 30 mijë eurosh për ta kryer krimin.

  • Britania e Madhe i ndalon hyrjen influencueses që dogji Kuranin

    Britania e Madhe i ndalon hyrjen influencueses që dogji Kuranin

    Një influencuese anti-islame me bazë në SHBA, e cila ishte autorizuar të merrte pjesë në një tubim të ekstremit të djathtë në Londër, është bllokuar nga hyrja në Mbretërinë e Bashkuar nga sekretari i Brendshëm.

    Valentina Gomez, një influencuese e vetëshpallur e Maga-s, iu dha leja javën e kaluar për të hyrë nëpërmjet një autorizimi elektronik udhëtimi në Mbretërinë e Bashkuar (ETA).

    Ajo duhej të fliste në tubimin “Unite the Kingdom” më 16 maj të organizuar nga Tommy Robinson, emri i vërtetë i të cilit është Stephen Yaxley-Lennon.

    The Guardian kupton se Shabana Mahmood ka ndërhyrë për të tërhequr autorizimin me arsyetimin se prania e Gomez “nuk do të ishte e favorshme për të mirën publike”.

    Qeveria dha të njëjtën arsye kur refuzoi lejen për reperin Kanye West, tani i njohur si Ye, për të udhëtuar në Mbretërinë e Bashkuar në fillim të këtij muaji.

    ETA e tij u tërhoq pas shqetësimeve për një sërë komentesh antisemite, raciste dhe pro-naziste. West më pas kërkoi falje për komentet e tij dhe ia fajësoi ato çrregullimit të tij bipolar.

    Gomez, 26 vjeç, mori pjesë në tubimin e parë “Unite the Kingdom” në shtator së bashku me Yaxley-Lennon dhe paralajmëroi nga skena se “myslimanët përdhunues” po “pushtonin” Mbretërinë e Bashkuar.

    “Angli, ata ju morën armët, ju morën shpatat dhe ju përdhunuan gratë. Nuk keni asgjë tjetër për të humbur, por ka ende shpresë. Ju jeni ende shumica. Pra, ose luftoni për këtë komb ose i lini të gjithë këta myslimanë përdhunues dhe politikanë të korruptuar të marrin kontrollin”, tha ajo.

    Ajo gjithashtu iu drejtua oficerëve të policisë, duke u thënë atyre: “Dua që të ndaloni së ndjekuri urdhrat sepse e dini që po ju thuhet të shikoni anën tjetër ndërsa vendi juaj po përdhunohet deri në nënshtrim”.

    Rreth 100,000 njerëz morën pjesë në këtë ngjarje, që mendohet të jetë tubimi më i madh i ekstremit të djathtë i këtij lloji në historinë britanike.

    Përveç një sërë folësish ekstremistë që u shfaqën në skenë, eventi u drejtua nga distanca nga Elon Musk, të cilin Downing Street e dënoi për përdorimin e gjuhës “të rrezikshme dhe nxitëse”.

    Mahmood ka fuqinë të anulojë lejen e një personi për të hyrë ose qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar.

    Një burim pranë sekretarit të brendshëm tha: “Ndërsa ne e njohim të drejtën demokratike që njerëzit duhet të jenë të lirë të shprehin në mënyrë paqësore pikëpamjet e tyre, kjo nuk përfshin promovimin e urrejtjes dhe pikëpamjeve ekstremiste”.

    Mahmood ishte përballur me presion për të ndaluar Gomez të hyjë në Mbretërinë e Bashkuar.

    Gomez, një e krishterë e lindur në Kolumbi, fitoi famë përmes një sërë marifetesh anti-islame. Në gusht të vitit të kaluar, ajo dogji një kopje të Kuranit dhe u zotua se do ta zhdukte Teksasin nga feja nëse zgjidhej në Kongres.

    Në një video të postuar në mediat sociale ndërsa po kandidonte pa sukses për një nominim republikan në Kongres, ajo tha se qëllimi i saj ishte “t’i jepte fund Islamit në Teksas”.

    Ajo u kërkoi myslimanëve të largoheshin nga shteti, duke thënë: “Myslimanët mund të shkojnë në çdo vend mysliman”.

  • Kuvendi sot me seancë të jashtëzakonshme për çmimin e energjisë elektrike

    Kuvendi sot me seancë të jashtëzakonshme për çmimin e energjisë elektrike

    Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë të jashtëzakonshme plenare.

    Seanca do të zhvillohet në Sallën e Kuvendit, duke filluar nga ora 11:00.

    Drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun ka bërë të ditur se në rendin e ditës është shqyrtimi i çmimit dhe faturimit të energjisë elektrike për konsumatorët.

    Megithatë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së Kryesisë ka deklaruar se Kuvendi do të mbajë tri seanca plenare gjatë kësaj jave. Njëra prej tyre do të jetë solemne dhe do t’i kushtohet ish-kongresistit amerikan Eliot Engel, i cili ka vdekur më 10 prill, ndërsa dy të tjerat do të jenë seanca me shumë pika të rendit të ditës, përfshirë projektligje dhe votime të bordeve.

  • Ulen temperaturat, mot me shi sot

    Ulen temperaturat, mot me shi sot

    Sot në Kosovë pritet të mbajë mot me vranësira të dendura dhe reshje të shpeshta shiu. Vende-vende priten reshje të dendura shiu dhe mund të ketë edhe ndonjë rrebesh me vetëtima dhe bubullimë.

    Në viset e larta malore do të ketë reshje dëbore.

    Temperaturat do të shënojnë ulje të ndjeshme. Minimalja do të zbres deri në 6 gradë Celsius, kurse maksimalja jo më shumë se 11 gradë Celsius.

  • Vjosa Osmani në Sllovi nderon Zejnepe Gashin dhe sakrificën e familjes së saj gjatë luftës

    Vjosa Osmani në Sllovi nderon Zejnepe Gashin dhe sakrificën e familjes së saj gjatë luftës

    Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka qëndruar në familjen e Zejnepe Gashit në Sllovi të Lipjanit.

    Ajo tha se qëndrooi atë për të nderuar një histori, pasi Qëndrestarja e ndjerë Zejnepe Gashi jetoi me humbjen më të rëndë që mund të përjetojë një nënë dhe një grua.

    “Sot qëndruam në familjen e Zejnepe Gashit në Sllovi të Lipjanit, për të nderuar një histori të thellë dhimbjeje dhe qëndrese. Qëndrestarja e ndjerë Zejnepe Gashi jetoi me humbjen më të rëndë që mund të përjetojë një nënë dhe një grua. Gjatë luftës, ajo humbi bashkëshortin, dy djemtë dhe dy nipërit e saj. Në pranverën e vitit 1999, në këtë fshat u vranë edhe dhjetëra civilë të pafajshëm. Këto plagë nuk i përkasin vetëm një familjeje, por janë pjesë e kujtesës sonë kolektive”.

    “Muajin e kaluar, me përulësi dhe respekt të thellë, dekorova qëndrestaren e ndjerë Zejnepe Gashi me Medaljen Presidenciale të Meritave (post mortem), për sakrificën e jashtëzakonshme në betejën për drejtësi dhe për kontributin e saj të pashoq në dokumentimin e krimeve të kryera gjatë masakrës së Sllovisë në vitin 1999. Qëndruam pranë familjes së saj për të nderuar të kaluarën, por edhe për të forcuar përgjegjësinë tonë për të ardhmen. Sakrifica e familjes Gashi mbetet amanet për një shtet ku jeta, dinjiteti dhe e drejta mbrohen gjithmonë. Lavdi të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë tonë”, ka thënë ai.

  • Dyshime për falsifikim dokumenti nga kompania turke dhe biznesmeni i afërt me VV’në për tenderin milionësh në Komunën e Prishtinës

    Dyshime për falsifikim dokumenti nga kompania turke dhe biznesmeni i afërt me VV’në për tenderin milionësh në Komunën e Prishtinës

    Komuna e Prishtinës vitin që shkoi kishte shpallur një tender për pastrimin dhe mirëmbajtjen e lumenjve dhe kanalizimeve me qëllim që kryeqyteti të mbrohet nga vërshimet. Vlera e parashikuar e tenderit ishte dy milionë euro. Për kontratë fillimisht u rekomandua kompania me vlerën më të lartë prej 1,9 milionë eurosh. Megjithatë, pas një ankese të bërë nga kompania e Eljesah Podvoricës, të afërmit me Lëvizjen Vetëvendosje, EING COM SHPK, tenderi u rikthye në rivlerësim. Për të njëjtën kompani ekzistojnë dyshime se, në konsercium me një kompani turke, ofruan një dokument të falsifikuar.

    Gazeta Insajderi iu drejtua Komunës së Prishtinës përmes qasjes në dokumente publike, duke kërkuar certifikatën e tatimit mbi të ardhurat dhe të dalat e MAVI Deniz, si dhe komunikimet me të. Kjo kompani e garoi në konsercium me EING COM SHPK. Megjithatë, nga komuna refuzuan kërkesën, duke thënë se procedura tenderuese është ende në fazën e rishqyrtimit.

    “Sektori i Prokurimit ju njofton se deri ne Vendimin (B08, B09 dhe B10), kur edhe konsiderohet i mbyllur aktiviteti i prokurimit atëherë mund të ofrohet qasja për palët e interesuara“, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës.

    Megjithatë, Gazeta Insajderi ka arritur ta sigurojë këtë dokument, saktësia dhe vërtetësia e të cilit ngelet e dyshimtë. Në dokumentin e certifikatës tatimore të lëshuar nga autoritetet turke që konserciumi “MAVI Deniz & EING COM SHPK” kanë prezantuar në ofertim të tenderit, data e dokumentit figuron 22/04/2025.

    “Që nga data 22/04/2025, tatimpaguesi, informacioni i të cilit jepet më poshtë, është i detyruar të paguajë brenda fushëveprimit të Nenit 22/A të Ligjit Nr. 6183. Nga shqyrtimi i të dhënave tona është kuptuar se nuk ka borxhe të kaluara“, thuhet në dokumentin që konserciumi ka prezantuar pranë Komunës së Prishtinës, të cilin e ka siguruar Insajderi.

    Përmes një verifikimi që Gazeta Insajderi ia ka bërë këtij dokumenti në platformën zyrtare të Republikës së Turqisë, ka marrë vesh se ky dokument është lëshuar më 18/01/2024.

    “Që nga data 22/04/2025, tatimpaguesi, informacioni i të cilit jepet më poshtë, është i detyruar të paguajë brenda fushëveprimit të Nenit 22/A të Ligjit Nr. 6183. Nga shqyrtimi i të dhënave tona është kuptuar se nuk ka borxhe të kaluara“, thuhet në sistemin elektronik të Turqisë.

    Gazeta Insajderi iu është drejtuar me pyetje kompanisë MAVI Deniz për një sqarim të këtij dokumenti, megjithatë deri në momentin e publikimit të këtij artikulli s’ka marrë ndonjë përgjigje.

    Eljesah Podvorica dhe drejtori i kompanisë turke, Ali Altuntor, në dosjen e tenderit kanë siguruar deklaratën nën betim, e cila specifikon edhe mundësinë e sanksioneve penale.

    Kenan Gashi, ekspert i prokurimit publik, në një prononcim për Gazetën Insajderi ka bërë të ditur se kanë përpiluar një raport për këtë tender, përmes të cilit konsiderojnë se ky grup i operatorëve ekonomikë mund të kenë mashtruar Komunën e Prishtinës.

    “AVONET konsideron se Grupi i Operatorëve Ekonomikë EING COM SH.P.K.; MAVI DENIZ ÇEVRE HIZMETLERI A.Ş., dhe përfaqësuesit e tyre, përmes veprimeve të sipërpërmendura, mund të kenë mashtruar Autoritetin Kontraktues, duke nënshkruar deklarata nën betim dhe duke dorëzuar dokumentacion që nuk përputhet me gjendjen faktike, duke shkelur kështu dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik dhe Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thotë Gashi nga organizata jo-qeveritare AVONET.

    “Kërkojmë nga Komuna e Prishtinës që të verifikojë në mënyrë të plotë dhe të paanshme gjetjet e këtij hulumtimi dhe të ndërmarrë masa konkrete në përputhje me legjislacionin në fuqi, përfshirë referimin e rastit tek organet kompetente të ndjekjes penale, në mënyrë që të sigurohet zbatimi i ligjit dhe mbrojtja e interesit publik”, shtoi më tej ai.

    Fillimisht, Komuna e Prishtinës me kontratë prej 1,9 milion eurove e kishte shpërblyer grupin e operatorëve ekonomikë “Diga Solutions L.L.C, Construction SHPK dhe Industria Metalike e Kosovës“, duke e vlerësuar si ofertën e vetme të përgjegjshme.

    Lidhur me këtë konsercium, ankesë fillimisht në Komunën e Prishtinës kishte parashtruar kompania e biznesmenit Eljesah Podvorica. Megjithatë, ankesa ishte refuzuar nga Zyra e Prokurimit të kësaj komune.

    Të njëjtat ankesa EING COM SHPK i kishte adresuar në Gjykatën e Tenderëve. Organi Shqyrtues i Prokurimit i dha të drejtë kompanisë së biznesmenit Podvorica, duke obliguar Komunën e Prishtinës që ta pezullojë aktivitetin e prokurimit.

    Statusi aktual i këtij aktiviteti prokurimi është i pezulluar.

    Gazeta Insajderi ka raportuar disa herë lidhur me tenderët që kompania e Podvoricës fitoi nga komunat e udhëhequra nga VV’ja.

    Eljesah Podvorica jo rrallë herë është parë në shoqërinë e njerëzve të Lëvizjes Vetëvendosje.

    Në vitin 2021, deputeti i LVV-së, Sali Zyba dhe pronari, Eljesah Podvorica ishin së bashku në një vizitë në Therandë.

    Dyshja shihen në një fotografi në shoqëri edhe të disa personave për rreth.

    Gazeta Insajderi së fundmi raportoi edhe për një telashe në një tender të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilin e kishte fituar kompania e biznesmenit Podvorica. Bëhet fjalë për tenderin për ri-adaptim të hapësirave në ndërtesat qeveritare.

    Dy kompani deponuan ankesë në Gjykatën e Tenderëve ndaj vendimit të MPB-së për të shpërblyer me kontratë kompanitë “Hexagon Construction sh.p.k.” dhe “Eing sh.p.k.”.

    Sipas një ankese, oferta fituese përmbante çmime dukshëm më të larta se çmimet reale të tregut në Kosovë, duke rrezikuar buxhetin. Aty pretendohet se dëmi i mundshëm financiar mund të kalojë mbi 500 mijë euro.

    “Në shumë pozicione çmimet janë të dhjetëfishuara krahasuar me çmimet reale të tregut në Kosovë”, thuhet në ankesë, ku theksohet se një praktikë e tillë bie ndesh me parimin e ekonomicitetit dhe vlerësimit të ofertës më të favorshme“.

    Ankesa rendit një sërë shembujsh konkretë të dallimeve drastike të çmimeve.

    Për shembull, demolimi i laminatit është ofertuar me 10 euro për metër, ndërkohë që çmimi real në treg është rreth 1 euro.

    Po ashtu, demolimi i dyerve është ofertuar me 50 euro për njësi, ndërsa në treg kushton vetëm 10 deri në 15 euro. Dallime të mëdha vërehen edhe në punimet e brendshme.

    Demolimi i tepisonit është ofertuar me 12.25 euro për metër, krahasuar me 1.5 deri në 2 euro në treg, ndërsa furnizimi dhe montimi i tepihut është ofruar me 40 euro për metër, ndonëse çmimi real sillet rreth 15 deri në 20 euro.

    Një tjetër shembull është montimi i plafonit të lëshuar, i cili është ofertuar me 40 euro për metër, ndërsa kostoja reale totale në treg nuk e kalon 10 euro. Edhe suvatimi është ofertuar me 20 euro për metër, krahasuar me rreth 5 euro në treg.

    Në ankesë përmenden edhe çmime të fryra për pajisje dhe instalime elektrike.

    Po ashtu, një rast i theksuar është ai i montimit dhe demontimit të kondicionerëve, ku për një njësi janë ofertuar gjithsej 400 euro, ndërsa çmimi real në treg është rreth 80 deri në 90 euro.

    Përveç çmimeve të larta, dokumenti ngre dyshime edhe për mospërputhje logjike në ofertë, si në rastin e dyerve, ku dimensionet më të vogla janë ofertuar më shtrenjtë se ato më të mëdha.

    Kjo kompani ka fituar miliona nga tenderët që ka marrë vazhdimisht në Komunën e Podujevës që udhëhiqet nga LVV. /Insajderi.org/

  • Pse ka më shumë arkatare (gra) në markete sesa arkatarë (burra)?

    Pse ka më shumë arkatare (gra) në markete sesa arkatarë (burra)?

    Në shumë vende, përfshirë edhe rajonin tonë, roli i arkatares në supermarkete dhe dyqane dominohet nga gratë. Ky fenomen nuk është rastësor, por lidhet me faktorë historikë, ekonomikë dhe kulturorë që kanë formësuar tregun e punës.

    Disa prej arsyeve:

    1. Ndarja gjinore e punës

    Një nga arsyet kryesore është ajo që në sociologji quhet “ndarje gjinore e punës”. Disa profesione perceptohen si “punë për gra” dhe të tjera si “punë për burra”.

    Sipas një raporti të International Labour Organization, gratë janë të përqendruara në sektorë si: shitje dhe shërbim ndaj klientit; kujdes dhe edukim; administratë bazë… Sipas studimit sektori i shitjes me pakicë (retail) ka një përqindje shumë të lartë të punësimit të grave në nivel global.

    1. Stereotipet për komunikimin dhe “punët emocionale”

    Punët si arkatare kërkojnë: komunikim të vazhdueshëm me klientët; durim dhe menaxhim emocionesh; sjellje të qetë dhe të sjellshme. Shoqëria shpesh i lidh këto cilësi me gratë. Një studim nga Harvard Business Review mbi “emotional labor” tregon se gratë priren të vendosen më shpesh në role që kërkojnë menaxhim emocional.

    1. Pagat dhe fleksibiliteti i punës

    Punët e arkës zakonisht: paguhen relativisht më pak; kanë orare fleksibël ose me turne.

    Këto karakteristika shpesh i bëjnë këto role më tërheqëse (ose më të disponueshme) për gra, sidomos në shoqëri ku ato mbajnë ende pjesën më të madhe të përgjegjësive familjare. Sipas OECD: gratë kanë më shumë gjasa të punojnë në punë me kohë të pjesshme; ato janë më të përfaqësuara në sektorë me paga më të ulëta.

    1. Diskriminimi i heshtur në punësim

    Edhe pse jo gjithmonë i dukshëm, punëdhënësit mund të kenë preferenca të pavetëdijshme: gratë konsiderohen “më të përshtatshme” për shërbim klienti; burrat orientohen drejt punëve fizike ose teknike!  Një studim i European Institute for Gender Equality tregon se stereotipet ndikojnë drejtpërdrejt në vendimet e punësimit.

    1. Faktorë historikë

    Në shumë vende, gratë hynë masivisht në sektorin e shitjes gjatë shekullit XX, kur: ekonomia e shërbimeve u rrit; punët “front-desk” u feminizuan! Ky trend vazhdon edhe sot. Dominimi i grave si arkatare nuk është rastësi, por rezultat i një kombinimi faktorësh:

    – stereotipe gjinore

    – struktura e tregut të punës

    – diferenca në paga dhe mundësi

    – pritshmëri kulturore

    Megjithatë, sipas studimeve ky realitet po ndryshon gradualisht. Në shumë vende, rolet po bëhen më të balancuara, ndërsa vetëdija për barazi gjinore po rritet.

  • Deputeti i VV-së tallet pak me LDK-në: Rrini bre…

    Deputeti i VV-së tallet pak me LDK-në: Rrini bre…

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli është tallur me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), pasi nuk u arrit marrëveshje për çështjen e Presidentit.

    Ai ka ironizuar me frazën që Kurti e kishte thënë për bashkëpartiakët e tij që u larguan dhe u angazhuan politikisht në PSD më pas.

    “Rrini bre merrni katër ministri, jo po shkojmë zgjedhje, ani shkojmë pra”, ironizoi Kërçeli.

    Kanë mbetur edhe tetë ditë kohë kushtetuese për t’u votuar Presidenti, nëse procesi dështon vendi automatikisht shkon në zgjedhje.

  • Të enjten dhe të premten mblidhet Kuvendi në nga 10:00

    Të enjten dhe të premten mblidhet Kuvendi në nga 10:00

    Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës mbajti sot mbledhjen e rregullt, ku u vendos që Kuvendi të mblidhet të enjten, në orën 10:00, për trajtimin e pikave të miratuara me shmangie nga afatet procedurale.

    Gjithashtu, të premten, po në orën 10:00, Kuvendi do mbajë një seancë në nderim të ish-kongresistit amerikan, mikut të madh të Kosovës, Eliot Engel, për të vijuar në orën 11:00 me seancën plenare të radhës, thuhet në njoftim.

    “Në mbledhjen e sotme Kryesia miratoi Rregulloren për procedurat, masat teknike dhe organizative për sigurinë e të dhënave personale në Kuvendin e Republikës së Kosovës, rekomandimin e Komisionit për Buxhet lidhur me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për periudhën 2027-2029, si dhe shqyrtoi çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj”, përfundon njoftimi.