ATV

Blog

  • KB Drita shpallet kampione dhe rikthehet në Superligën e Kosovës pas 4 vitesh

    KB Drita shpallet kampione dhe rikthehet në Superligën e Kosovës pas 4 vitesh

    KB Drita ka kurorëzuar një sezon të jashtëzakonshëm, duke u shpallur kampione e Ligës së Parë dhe duke siguruar rikthimin në elitën e basketbollit kosovar pas katër vitesh mungesë.

    Skuadra nga Gjilani konfirmoi dominimin edhe në finalen e dytë ndaj Proton Cable Prizreni, ku triumfoi me rezultat dramatik 92:91, duke e mbyllur serinë me dy fitore të pastra.

    Ndeshja vendimtare ishte një betejë e vërtetë deri në sekondat e fundit, kur Eris Zeneli realizoi pikët që vulosën titullin. Gjatë takimit u dalluan edhe Jay Walker me 20 pikë dhe Adhurim Alijaj me 19, ndërsa te prizrenasit më efikasi ishte Rron Dahsyla me 23 pikë.

    Çmimi MVP i finales i takoi Adrian Ibishi, i cili kontribuoi me 18 pikë dhe 12 kërcime, duke qenë një nga shtyllat kryesore të suksesit.

    Ky triumf vetëm sa vulos një edicion perfekt për “bardhekaltërit”, të cilët më herët fituan edhe Kupën e Ligës së Parë, pikërisht ndaj të njëjtit kundërshtar në finale.

    Me këtë sukses të madh, Drita rikthehet fuqishëm në Superligën e Kosovës, duke paralajmëruar një kapitull të ri ambicioz në skenën kryesore të basketbollit vendor.

  • Haradinaj i ashpër në Kuvend: Në energji kryehajni është Kurti, e kryehajnesha Mihali

    Haradinaj i ashpër në Kuvend: Në energji kryehajni është Kurti, e kryehajnesha Mihali

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është treguar i ashpër me Qeverinë gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës.

    Ai pati kritika ndaj kryeministrit Albin Kurti, për gjendjen në sektorin e energjisë.

    “Asnjë në këtë sallë nuk mundet me ik, kjo është një e vërtetë e cila kurrë nuk do të ndryshojë, dikush u kujdes mos me lënë Kosovën me prodhu 500 megavat energji me qymyr të vetin, me çmim 80 euro. Serbia nuk ka krijuar fitore më të madhe ndaj Kosovës pas vitit 1999 se sa këtë dështim të termocentralit të ri 500 megavat dhe pastaj dorëzimit të Kosovës te Serbia. Krejt VV-në e lus, çdo anëtar interesohuni rreth kësaj që po e them”, deklaroi ai.

    “Nuk kanë marrë masa me kriju burime të reja energjetike, a e dini pse, sepse rreth tyre janë grumbulluar mafia energjetike e Ballkanit e në të cilën dominojnë serbët, dhe këtë e dinë shumë mirë të gjithë në këtë sallë. Dhe ata bashkë me Albin Kurtin dhe Dejona Mihalin, krijojnë kompani çdo dy javë, i regjistrojnë në Shqipëri e i sjellin në Kosovë. Gjithë në këto kompani është një i afërm i Albin Kurtit, i njerëzve të tij”.

    Sipas tij, Albin Kurti është “kryehajn”, e Dejona Mihali “kryehajneshë”.

    “Nuk po them mos rrini në parti të atij që e ka bërë kështu, por diskutoni dhe mos lejoni me ndodh kjo masakër energjetike që po i ndodh këtij vendi, nëse nuk ndërmarrim veprime dëmet do të rriten. Albin Kurti nuk lodhet për këtë, e ka përgatit një pako tash në qershor me i shpërnda disa pare. Në energji kryehajni është Albin Kurti e kryehajnesha Dejona Mihali”, tha Haradinaj

  • Haxhiu ia tërheq vërejtjen Haradinajt: Kujdes me gjuhën, mos e keqpërdor foltoren

    Haxhiu ia tërheq vërejtjen Haradinajt: Kujdes me gjuhën, mos e keqpërdor foltoren

    Kryetarja e Parlamentit, Albulena Haxhiu ia ka tërhequr vërejtjen kreut të AAK-së, Ramush Haradinajt, pasi ky i fundit ishte i ashpër me Qeverinë për sektorin e energjisë.

    Pasi Haradinaj tha se Kurti është “kryehajn” dhe Mihali “kryehajneshë”, Haxhiu kërkoi nga deputeti të mos e keqpërdor foltoren e Kuvendit.

    “Zotëri Haradinaj ju lutem të keni parasysh që të mos përdorni gjuhë të tilla në Kuvendin e Kosovës, mos mendo që e përforcon argumentin duke përdorur gjuhë jo parlamentare. Mos e keqpërdor këtë foltore të Kuvendit, është hera e fundit që ta tërheqi vërejtjen, nuk ke asnjë replikë me mua”, tha kryeparlamentarja.

  • Mirlind Daku elektrizon Kazanin, hapja e dyqanit të Rubin Kazan shndërrohet në festë të tifozëve

    Mirlind Daku elektrizon Kazanin, hapja e dyqanit të Rubin Kazan shndërrohet në festë të tifozëve

    Rubin Kazan ka inauguruar dyqanin e tretë zyrtar në zemër të qytetit, por ajo që duhej të ishte një ceremoni e zakonshme u kthye në një spektakël të vërtetë falë entuziazmit për sulmuesin shqiptar Mirlind Daku.

    Në këtë event morën pjesë edhe Daku së bashku me Igor Vujačić, megjithatë vëmendja ishte e gjitha tek reprezentuesi kuqezi. Sipas raportimeve të medias ruse “Sport”, tifozët nisën të mblidhen që dy orë para hapjes, duke krijuar radhë të gjata që shtriheshin deri në rrugë.

    Interesimi ishte i jashtëzakonshëm, fanella më e kërkuar ishte ajo me numrin 10 e Dakut, ndërsa shumë prej të pranishmëve kishin ardhur vetëm për ta parë nga afër idhullin e tyre. Një moment prekës u shënua kur një fëmijë, i zhgënjyer që nuk e pa menjëherë Dakun, deshi të largohej, por vendosi të priste pasi u informua se ai do të mbërrinte më vonë.

    Me ardhjen e Dakut, atmosfera shpërtheu. Thirrjet e tifozëve pushtuan zonën, ndërsa turma u shty nga dëshira për autografe dhe fotografi. Sulmuesi shqiptar kaloi kohë të gjatë duke u përshëndetur me tifozët, duke nënshkruar fanella dhe duke bashkëbiseduar me ta për formën dhe synimet e sezonit.

    Edhe në përfundim të aktivitetit, ai nuk u largua pa dhënë edhe autografin e fundit, mes ovacioneve të vazhdueshme.

    Daku është rikthyer së fundmi në fushë pas një periudhe të gjatë jashtë për shkak dëmtimi. Para lëndimit, ai kishte lënë gjurmë me nëntë gola të shënuar për Rubin Kazanin, duke u kthyer tashmë edhe më i motivuar për vazhdimin e sezonit.

  • Çështja e presidentit, Bajqinovci: Opozita nuk duhet t’i mbyllë dyert, s’duhet ta dërgojë vendin në zgjedhje

    Çështja e presidentit, Bajqinovci: Opozita nuk duhet t’i mbyllë dyert, s’duhet ta dërgojë vendin në zgjedhje

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci ka folur për çështjen e presidentit para fillimit të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit.

    Ai ka thënë se opozita nuk duhet t’i mbyllë dyert, duke shtuar se këta të fundit nuk duhet ta dërgojnë vendin në zgjedhje siç kanë bërë dy herë në vitin 2025.

    “Opozita nuk duhet ta dërgojë vendin në zgjedhje ashtu siç ka bërë në vitin 2025 dy herë, pra mendoj që është një tendencë që Kurti të mos qeverisë me vendin, të rrëzohet e jo pozita e presidentit, Mendoj që ka qenë një ofertë gjeneroze dhe duke e ditë si është votuar, i kemi gati 52%dhe LDK-ja i ka 15 deputet mendoj që ishte një ofertë gjeneroze për LDK-në.

    “Unë besoj që opozita nuk duhet me i mbyll dyert sepse ka kohë që të gjendet një solucion por varet prej opozitës…Mendoj që vetëm nuk duhet të mbyllen dyert me deklaratat që i kemi dëgjuar dje… ju e dini që prej se ka pas deklarata që ish-presidentja e vendit do të jetë në garë me LDK-në ju e keni parë që deklaratat e tyre ishin ne s’kemi çka me humbë, kemi humbë boll, këtu duhet të humbë LVV-ja. Kjo është gabim dhe mendoj që opozita duhet të reflektojë edhe njëherë dhe të ulet ën tavolinën  e bisedimeve”, ka deklaruar Bajqinovci.

  • E pazakontë: Hajnat vjedhin eshtrat e gruas që vdiq 17 vjet më parë në Lushnje

    E pazakontë: Hajnat vjedhin eshtrat e gruas që vdiq 17 vjet më parë në Lushnje

    Një ngjarje e pazakontë dhe shqetësuese është regjistruar në qytetin e Lushnjes, ku janë vjedhur eshtrat e një personi të ndarë nga jeta prej 17 vitesh.

    Sipas informacioneve paraprake, autorët kanë hapur një tunel të madh nën tokë për të depërtuar në varr, çka tregon për një veprim të mirëorganizuar dhe të menduar më parë, raporton Top Channel.

    Ngjarja ka ndodhur në varrezat e qytetit dhe është zbuluar nga punonjës të mirëmbajtjes së tyre. Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e policisë kanë mbërritur në vendngjarje, duke nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorëve.

    Deri më tani nuk dihen motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë, ndërsa po punohet për mbledhjen e provave dhe verifikimin e çdo piste të mundshme.

    Autoritetet pritet të japin më shumë detaje në vijim, ndërsa rasti ka shkaktuar shqetësim të madh te qytetarët.

  • Spektakël në NBA, Fitore të mëdha dhe seri të barabarta në Play-Off

    Spektakël në NBA, Fitore të mëdha dhe seri të barabarta në Play-Off

    Mbrëmje plot dramë dhe emocione në NBA, ku ndeshjet e Play-Off-it sollën spektakël dhe rezultate që mbajtën tifozët në ankth deri në fund.

    Në Konferencën Lindore, Cleveland Cavaliers vazhduan formën e shkëlqyer duke mposhtur Toronto Raptors me rezultatin 115:105. Cavaliers dominuan që nga fillimi, duke ndërtuar epërsi graduale në çdo çerek dhe duke kaluar në avantazh 2-0 në seri.

    Figura kryesore të kësaj fitoreje ishin Donovan Mitchell me 30 pikë, 7 kërcime e 5 asistime, si dhe James Harden që kontribuoi me 28 pikë, 5 kërcime dhe 4 asistime.

     

    Ndërkohë në Perëndim, Minnesota Timberwolves arritën një fitore të rëndësishme si mysafir ndaj Denver Nuggets me shifrat 119:114, duke barazuar serinë në 1-1.

    Po aq dramatik ishte edhe dueli në “Madison Square Garden”, ku Atlanta Hawks triumfuan ngushtë 107:106 ndaj New York Knicks, duke rikthyer ekuilibrin në seri me rezultat 1-1.

    Play-Off-i i NBA-së po hyn në një fazë gjithnjë e më intensive, ku çdo ndeshje po sjell histori të reja dhe beteja të forta për një vend në rundet e ardhshme.

  • Komandanti i FSK-së e pret në vizitë zyrtare Agjutantin e Përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Ajovës

    Komandanti i FSK-së e pret në vizitë zyrtare Agjutantin e Përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Ajovës

    Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, ka pritur në një vizitë zyrtare Agjutantin e Përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Ajovës, Stephen Osborn.

    Sipas njoftimit, vizita u zhvillua në frymën e partneritetit të qëndrueshëm dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Gardës Kombëtare të Ajovës.

    “Me këtë rast, Jashari i uroi mirëseardhje të ngrohtë Gjeneralit Osborn dhe delegacionit shoqërues, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Garda Kombëtare e Ajovës ka dhënë për zhvillimin dhe avancimin e kapaciteteve të FSK-së”, thuhet në njoftim.

    Gjatë takimit, të dy gjeneralët zhvilluan bisedime për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit dypalësh, me theks të veçantë në planifikimin dhe realizimin e aktiviteteve të përbashkëta, trajnimeve dhe shkëmbimit të përvojave profesionale.

  • Ylber Ramadani shkëlqen në Serie A dhe futet në formacionin e javës

    Ylber Ramadani shkëlqen në Serie A dhe futet në formacionin e javës

    Xhiroja e 33-të në elitën e futbollit italian, Serie A, ka sjellë emocione dhe paraqitje të jashtëzakonshme nga shumë lojtarë.

    Një ndër emrat që shkëlqeu ishte mesfushori shqiptar Ylber Ramadani, i cili zhvilloi një ndeshje mbresëlënëse në përballjen ndaj Fiorentina. Takimi përfundoi 1-1, por performanca e tij ishte vendimtare për Lecce që siguroi një pikë me shumë peshë.

    Ramadani dominoi mesfushën dhe u dallua si lojtari më i mirë në fushë, duke marrë vlerësime të larta për paraqitjen e tij. Forma e tij e shkëlqyer nuk kaloi pa u vënë re, pasi ai u përfshi në formacionin më të mirë të javës nga SofaScore.

    Me notën 8.0, ai ishte një nga mesfushorët më të vlerësuar, përkrah emrave si Nicolò Barella, Adrien Rabiot dhe të tjerë që spikatën në këtë xhiro.

    Në repartin ofensiv u përzgjodh M’Bala Nzola, ndërsa në mbrojtje vendin e siguruan Mario Hermoso, Stefan de Vrij dhe Lloyd Kelly.

  • Tahiri kërkon ulje të tarifave të rrymës: Pas zgjedhjeve çmimi iu rrit rreth 16%, ky manipulim

    Tahiri kërkon ulje të tarifave të rrymës: Pas zgjedhjeve çmimi iu rrit rreth 16%, ky manipulim

    Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri ka kritikuar qeverinë për rritjen prej rreth 16% të çmimit të energjisë elektrike siç tha ai pak ditë pas zgjedhjeve, duke thënë se kjo po rëndon familjet me të ardhura të ulëta dhe po dëmton bizneset.

    Ai ka theksuar se situata është pasojë e politikave të gabuara, keqmenaxhimit të sektorit të energjisë dhe varësisë nga importi i shtrenjtë.

    “Familjet me të ardhura të ulëta po ballafaqohen me fatura që nuk janë thjesht të tarta, por të papërballueshme. Bizneset e mëdha po largohen drejt vendeve të rajonit.

    “Si është e mundur që pak ditë pas zgjedhjeve çmimi i rrymës është rritur rreth 16%. Këto manipulime shpesh janë dhe qesharake dhe të qarte. Kjo situatë nuk është rastësi, as fatkeqësi natyrore, është pasojë e politikave të gabuara, dhe keqmenaxhimit të sektorit të energjisë dhe mungesësë së investimeve në kapacitetet prodhuese vendore, dhe varësisë nga importi i shtrenjtë”, tha Tahiri.

    Tahiri i ka bërë thirrje Qeverisë dhe ZRRE-së për ulje të tarifave, auditim të pavarur të matësve dhe kompensim për qytetarët për matjet e pasakta të energjisë.

    “Si kryetar i Grupit Parlamentar të PDK-së, i bëj thirrje qeverisë dhe ZRrE-së të ndërmerren masa për uljen reale të tarifave elektrike për konstumatorët shtëpiak, bizneset e vogëla të kryhet auditim i pavarur i matësve të energjisë dhe kompenzim i qytetarëve nga matjet e pasakta”, tha ai në Kuvend.