ATV

Blog

  • Vëllaznimi fiton ndaj Lirisë, merr tri pikë të mëdha në Gjakovë

    Vëllaznimi fiton ndaj Lirisë, merr tri pikë të mëdha në Gjakovë

    Skuadra e Vëllaznimit të Gjakovës ka marrë tri pikë të rëndësishme në stadiumin “Shani Nushi” në Gjakovë. Gjakovarët i shkaktuan humbje rivalit të përbetuar, Lirisë së Prizrenit, me rezultat 1:0, në takimin e javës së 30-të të Ligës së Parë të Kosovës.

    Autori i golit të vetëm ishte Emir Skënderi.

    Kjo ishte një humbje e rëndë për Lirinë, që tani rrezikon të mbetet jashtë dy vendeve të para, ndërsa Vëllaznimi beson dhe shpreson se do të arrijë të realizojë këtë objektiv.

    Në tabelë, Dinamo kryeson me 65 pikë, pasuar nga Feronikeli me 62 pikë, Vëllaznimi me 61, dhe Vushtrria me 60 pikë (një ndeshje më pak), ndërsa Liria ka 59 pikë.

    Rezultatet e javës së 30-të:

    • Kika 0:1 Dinamo
    • 2 Korriku 0:3 Feronikeli
    • Ramiz Sadiku 0:1 Tefik Çanga
  • Drenica fiton ndaj Prishtinës së Re, 3-2, dhe bën një hap më afër mbijetesës

    Drenica fiton ndaj Prishtinës së Re, 3-2, dhe bën një hap më afër mbijetesës

    Drenica ka shënuar fitore me rezultatin 3-2 në udhëtim ndaj Prishtinës së Re në kuadër të javës së 30-të në elitën e futbollit kosovar.

    Ndeshja nisi me një ritëm të ngadaltë, me të dyja skuadrat që po prisnin ndonjë gabim eventual të njëra-tjetrës për të sulmuar. Me kalimin e minutave, vendasit ia dolën të shtrijnë kontrollin e lojës, dhe kjo eventualisht iu shpërblye atyre me golin e fitores.

    Në minutat shtesë të pjesës së parë, Ibrahim Kargbo realizoi për rezultatin 1-0, që në fund doli të ishte edhe epilogu përfundimtar i takimit.

    Në pjesën e dytë, mysafirët u vunë në kërkim të golit të barazimit, dhe atë më në fund e gjetën në minutën e 79-të. Ishte Kreshnik Uka ai që realizoi për rezultatin 1-1, duke vënë baraspeshën. Sidoqoftë, ky gol nuk i mjaftoi mysafirëve.

    Ata ia dolën të shënojnë edhe një herë tjetër, kësaj radhe në minutën e 90-të me anë të Jeton Krasniqit, për të kompletuar përmbysjen e madhe për 2-1.

    Drenica ia doli të shënojë edhe golin e tretë për 3-1 në minutën e dhjetë shtesë të takimit, teksa menjëherë në aksionin vijues, Prishtina e Re realizoi për të ngushtuar shifrat në 3-2, por pa arritur ta evitojë humbjen.

    Me këtë fitore, Drenica shkon në kuotën e 38 pikëve dhe gjendet aktualisht në pozitën e shtatë në tabelë, duke bërë një hap të madh në luftën për mbijetesë.

  • Lëndimi i Mbappes në ndeshjen Betis-Real Madrid ngre shqetësim tek Franca

    Lëndimi i Mbappes në ndeshjen Betis-Real Madrid ngre shqetësim tek Franca

    Me vetëm pak ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit për klubet në të gjithë Europën, si tifozët ashtu edhe lojtarët kanë nisur të fokusohen te Kupa e Botës, e cila nis këtë verë. SHBA, Kanadaja dhe Meksika do ta bashkëorganizojnë turneun e madh ndërkombëtar, me Meksikën që do të presë Afrikën e Jugut në ndeshjen hapëse më 11 qershor.

    Siç ndodh gjithmonë në Botëror, thuajse të gjitha yjet më të mëdhenj të futbollit pritet të udhëtojnë drejt Amerikës së Veriut për të përfaqësuar vendet e tyre në skenën më të madhe. Megjithatë, disa lojtarë të profilit të lartë janë përjashtuar tashmë nga Botërori për shkak të dëmtimeve, ndërsa talenti i Barcelonës, Lamine Yamal, është shqetësimi më i fundit pas dëmtimit të tij.

    Tani, në listën e dyshimeve të mundshme për Botërorin është shtuar edhe Mbappé, pasi francezi kërkoi të zëvendësohej gjatë barazimit 1-1 të Real Madridit ndaj Real Betisit të premten mbrëma.

    Sulmuesi shumë produktiv, i cili këtë sezon ka shënuar 41 gola në 41 paraqitje në të gjitha garat, kërkoi të dilte nga loja në minutat e fundit të paraqitjes së tij të 100-të me fanellën e Real Madridit, me dyshimin për një tërheqje në muskujt e pasmë të kofshës (hamstring). Fillimisht, shkalla e dëmtimit nuk ishte e qartë, por sipas gazetarit spanjoll Jose Luis Sanchez, 27-vjeçari ka pësuar mbingarkesë në hamstringun e këmbës së majtë.

    Edhe pse ende nuk dihet saktësisht sa kohë do të mungojë Mbappé, është e mundshme që ai të mos jetë në dispozicion për ndeshjen e Madridit ndaj Espanyolit më 3 maj, dhe potencialisht edhe për përballjen “El Clasico” ndaj Barcelonës një javë më vonë.

  • U.D. Presidentja Haxhiu: Gratë forcojnë demokracinë dhe shoqërinë

    U.D. Presidentja Haxhiu: Gratë forcojnë demokracinë dhe shoqërinë

    Rrjeti i Grave të Kosovës ka mbajtur Kuvendin e 23-të Vjetor të Anëtareve, ku u vlerësua roli i grave në avancimin e të drejtave, forcimin e demokracisë dhe promovimin e barazisë në vend, raporton Ekonomia Online.

    Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, tha se kontributi i grave nuk kufizohet vetëm në momente historike, por edhe në përditshmërinë e tyre në shoqëri.

    “E kuptova se dhimbja e tjetrit nuk është e huaj, se kohëve të vështira u bëhet ballë, dhe se kur gratë përfshihen, shoqëria përparon”, tha ajo.

    Ajo theksoi se Rrjeti i Grave të Kosovës ka luajtur një rol të rëndësishëm në fuqizimin e grave dhe në ndikimin në politika publike ndër vite.

    “Ligjet bëhen më të mira kur mbështeten në dije. Politikat bëhen më të drejta kur mbështeten në përvojë”, u shpreh ajo.

    Anëtarja e Bordit të Rrjetit të Grave të Kosovës, Gjylieta Mushkolaj, tha se përkundër përparimeve, mbetet nevoja për angazhim të vazhdueshëm për barazi dhe drejtësi.

    “Për të ndërtuar Kosovën si një vend i lirë, ku secili individ të ketë mundësi të jetojë në mirëqenie e me dinjitet, pa diskriminim, ku barazia dhe mundësitë e barabarta i garantohen gjithësecilit. Përkundër përparimeve, sidomos këto vitet e fundit, edhe ky takim sot është një moment për të njohur përparimet, për të reflektuar mbi plagët e pashëruara dhe për të riafirmuar angazhimin tonë për një të ardhme ku gratë janë të sigurta, të barabarta dhe të përfaqësuara në çdo vendimmarrje. E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja janë të ndërlidhura, kur flasim për drejtësinë nuk mund të anashkalojmë drejtësinë tranzicionale. Po tashmë në fund e kemi edhe strategjinë shtetërore për drejtësi tranzicionale, që vërtet është një hap i rëndësishëm. Për një strategji sado e mirë në letër, mbetet e pamjaftueshme nëse nuk kthehet në drejtësi konkrete. Dhe kjo është veçanërisht e vërtet”, tha ajo.

    Drejtoresha e NDI në Kosovë, Nancy Soderberg, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me rrjetet e grave për forcimin e demokracisë dhe rritjen e përfshirjes së grave në politikë.

    “Dhe ne e dimë që kjo është thelbësore për forcimin e vetë demokracisë. Partneriteti ynë me Rrjetin e Grave të Kosovës është thelbësor për lidhjen e këtyre përpjekjeve në nivel kombëtar me realitetet në terren. Dhe janë pikërisht këto rrjete të forta që e bëjnë gjithë punën tonë më të përforcuar, më të fuqishme dhe me ndikim më të madh.Në Kosovë, puna jonë fokusohet në mbështetjen e proceseve politike gjithëpërfshirëse, forcimin e rolit të grave brenda partive politike dhe institucioneve, si dhe krijimin e rrugëve për të dalë në pah liderë të rinj”, tha ajo.

  • Kuvendi nuk miraton dy pikat e fundit të rendit të ditës në seancën e jashtëzakonshme

    Kuvendi nuk miraton dy pikat e fundit të rendit të ditës në seancën e jashtëzakonshme

    Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës nuk janë miratuar as dy pikat e fundit të rendit të ditës, raporton Ekonomia Online.

    Me 60 vota për, 47 kundër dhe një abstenim, Kuvendi nuk miratoi propozimin që shqyrtimi i projektligjit për energjinë të bëhet me shmangie nga afatet procedurale.

    Me 62 vota për, 48 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi nuk miratoi shmangien e trajtimit të projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, me shmangie nga afatet e përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit.

  • Presidenti Begaj takim me kongresmenin Keith Self: ShBA, partner strategjik për rajonin

    Presidenti Begaj takim me kongresmenin Keith Self: ShBA, partner strategjik për rajonin

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka zhvilluar një takim me kongresmenin amerikan në Teksas, Keith Self.

    Takimi u fokusua tek rëndësia e pranisë së SHBA-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe forcimi i partneritetit strategjik mes dy vendeve.

    Në një reagim në platformën X, presidenti Begaj shkroi se “Ishte kënaqësi të takoja kongresmenin @RepKeithSelf në Teksas, të cilin e falënderova për vëmendjen e tij ndaj çështjes shqiptare dhe Ballkanit Perëndimor. Shkëmbyem mendime dhe perspektiva mbi rëndësinë e pranisë së SHBA-së në rajon, rolin e vetë rajonit, NATO-s dhe KFOR-it, si dhe forcimin e partneritetit strategjik midis dy vendeve tona.”

  • Rritet çmimi i naftës në Shqipëri

    Rritet çmimi i naftës në Shqipëri

    Bordi i Transparencës publikoi të shtunën çmimet e reja tavan për shitjen e karburanteve. Sipas njoftimit zyrtar çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 206 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 194 lekë/litër.

    Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 181 ekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 169 lekë/litër.

    Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 26 ora 14.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

  • Ardon Jashari i pazëvendësueshëm për të ardhmen e Milanit sipas Massimiliano Allegrit

    Ardon Jashari i pazëvendësueshëm për të ardhmen e Milanit sipas Massimiliano Allegrit

    Massimiliano Allegri është pyetur pas thashethemeve për një transferim të mesfushorit shqiptar, Ardon Jashari, te Juventusi, duke e përjashtuar mundësinë e largimit. Sipas trajnerit, Jashari është një “lojtar i rëndësishëm për të ardhmen e Milanit”.

    Milani dhe Juventusi do të përballen në San Siro të dielën mbrëma, më 26 prill, në ndeshjen derbi të xhiros së 34-të të Serie A. Para këtij takimi, mediat italiane e kanë lidhur Jasharin me një transferim te Juventusi, pas minutave të pakta që ka luajtur këtë sezon.

    Në konferencën për shtyp, Allegri komentoi: “Klubi ka bërë një investim të madh në një lojtar me cilësi të shkëlqyera. Ai pësoi një dëmtim, u rikthye dhe më pas pati më pak kohë loje. Por kjo nuk do të thotë që ai papritmas është bërë një lojtar i dobët. Ai ka përballuar disa vështirësi, por ka një potencial të madh. Do të jetë një lojtar i rëndësishëm për Milanin në të ardhmen, ashtu siç De Winter është zhvilluar shumë, dhe Athekame është rritur ndjeshëm.”

    Trajneri shtoi: “Klubi ka përzier lojtarë me përvojë dhe të rinj që kanë nevojë për kohë për t’u zhvilluar. Sigurisht, gjithmonë ka vend për përmirësim.”

  • PSG synon William Salibën për të forcuar mbrojtjen e skuadrës

    PSG synon William Salibën për të forcuar mbrojtjen e skuadrës

    Paris Saint-Germain po përgatit një ofensivë të paprecedentë financiare për të tentuar nënshkrimin me mbrojtësin e Arsenalit, William Saliba. Trajneri Luis Enrique synon të konsolidojë një projekt të bazuar në identitetin francez, ku qendërmbrojtësi 25-vjeçar do të jetë gurthemeli i skuadrës.

    Pas një sezoni me rritje të qëndrueshme, drejtuesit e PSG-së besojnë se çështjet personale të lojtarit nuk do të pengojnë përfundimin e marrëveshjes. Qëllimi është sigurimi i një mbrojtjeje të fortë, e cila do t’u lejojë kampionëve francezë të sfidojnë për trofetë evropianë. Përveç Salibës, në radarin e klubit janë edhe talente të tjera si Maghnes Akliouche.

    PSG ka ofruar një shifër afër 100 milionë euro për të bindur bordin e Arsenalit. Optimizmi po rritet në zyrat e Parc des Princes lidhur me realizimin e këtij transferimi, i cili do të trondiste tregun ndërkombëtar. Thuhet se Saliba do të priste me kënaqësi një rikthim në vendin e tij të lindjes për të udhëhequr mbrojtjen e PSG-së.

    Megjithatë, Arsenal ka një pozicion të fortë, pasi kontrata e lojtarit skadon në vitin 2030. Sfida kryesore është bindja e Mikel Artetas, i cili e konsideron Salibën një element të domosdoshëm për sistemin e tij taktik.

    Luis Enrique planifikon të formojë një dyshe mbrojtëse të pamposhtur me Salibën dhe Willian Pacho, duke kombinuar rininë, fuqinë dhe shpërndarjen e shkëlqyer të topit. Kjo do t’i lejonte PSG-së të luante me presion të lartë dhe posedim të topit, duke reduktuar rrezikun nga kundërsulmet e shpejta.

    Ky lëvizje strategjike synon të përmirësojë një zonë që ka pasur probleme në garat e fundit evropiane dhe t’i japë PSG-së shansin për të konkurruar më seriozisht në skenën ndërkombëtare.

  • Real Madrid nis një ristrukturim masiv-Deri në nëntë lojtarë mund të largohen

    Real Madrid nis një ristrukturim masiv-Deri në nëntë lojtarë mund të largohen

    Florentino Perez ka marrë drejtimin e një ristrukturimi të madh te Real Madrid, që mund të përfshijë largimin e deri në nëntë lojtarëve nga skuadra aktuale. Qëllimi i presidentit është të ndërtojë një ekip më dinamik dhe konkurrues, i aftë për të luftuar për çdo trofe.

    Megjithëse klubi nuk ka konfirmuar ende trajnerin e ri, është e sigurt që Alvaro Arbeloa nuk do të vazhdojë në këtë detyrë. Plani sportiv parashikon ndryshime të mëdha që do të prekë veteranët, lojtarët e rinj me perspektivë të dobët dhe ata me performancë të paqëndrueshme. Ky projekt synon të ulë faturën e pagave dhe të hapë rrugën për një brez të ri futbollistësh me më shumë ambicie.

    Portieri Andriy Lunin ka humbur besimin e stafit teknik pas një viti të paqëndrueshëm dhe nuk shihet si alternativë ndaj Thibaut Courtois. Largimet e mundshme përfshijnë edhe lojtarë me përvojë si Dani Carvajal dhe David Alaba, të cilët kanë pasur probleme me dëmtime dhe forma në rënie.

    Edhe lojtarë të tjerë si Fran Garcia dhe Raul Asencio mund të përfshihen në ndryshime për shkak të performancës së dobët. Një tjetër surprizë është Eduardo Camavinga, i cili pas pritjes së gjatë nuk ka arritur të përmbushë pritshmëritë e klubit.

    Real Madrid planifikon gjithashtu të huazojë lojtarë të rinj si Franco Mastantuono dhe Gonzalo Garcia, për t’i lejuar ata të fitojnë përvojë në klube të tjera. Ndërkohë, rikthimi i Victor Munoz, Nico Paz dhe Endrick, si dhe nënshkrimi i një qendërmbrojtësi dhe një mesfushori kreativ, do të balancojnë skuadrën.

    Florentino Perez po drejton personalisht këtë proces, duke vendosur performancën dhe rritjen e ekipit përpara nostalgjisë. Çdo lëvizje në afatin kalimtar të verës do të jetë strategjike dhe do të ndiqet nga tifozët që kërkojnë sukses të menjëhershëm.