ATV

Blog

  • Edhe 2026 vit i humbur për ekonominë e Kosovës

    Edhe 2026 vit i humbur për ekonominë e Kosovës

    Bllokada politike dhe skenat e krijuara mbrëmjen e 27 prillit për zgjedhjen e presidentit të ri kanë ngjallur shqetësim tek qytetarët në Kosovë. Ata vlerësojnë se subjektet politike me veprimet e tyre po ua vështirësojnë dhe rrezikojnë mirëqenien e tyre.

    “Pasha zotin topin na e kane hupë…”, tha një qytetar.

    “Këta si me i pagu dikush me punu kundër interesit të shtetit…”, u shpreh një tjetër qytetar

    “Kriza krejt botën, çmimet në qiell këta shkaktojnë edhe krizë politike nuk është mirë kjo…”, tha një tjetër qytetar.

    Rezultati zgjedhor i 28 dhjetorit u cilësua si një mundësi që Kosova të dalë nga kriza politike që kishte hyrë për gjatë gjithë vitit 2025, megjithatë një gjë e tillë nuk ndodhi. Në këtë situatë edhe viti 2026 po cilësohet si i humbur në aspektin zhvillimor të vendit. Ndërkohë, drejtori i dhomës së tregtisë Kushtrim Ahmeti, thotë se situata bëhet edhe më e rëndë marr parasysh gjendjen ekonomike të krijuar në Kosovë si pasojë e zhvillimeve globale.

    “Ne po shohim zhvillimet në lindje të mesme na shtrenjtuan naftën në Kosovë. Asnjë masë për qytetarët që ta përballojnë më lehtë këtë krizë nuk u ndërmor. Kemi një premtim për një pako 200 milionë në kohë të zgjedhjeve që as nuk po dihet se çfarë përmban. Dhe në fund qytetarët po ballafaqohen me rritje të varfërisë,…”, tha Ahmeti për rtv21

    Krizat politike të shkaktuara siç thuhet qëllimshëm nga subjektet politike vlerësohet se janë arsyeja kryesore që qytetarët në Kosovë nuk dëshirojnë të jetojnë në Kosovë. Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Safet Gërxhaliu numëron humbjet ekonomike si pasojë e bllokadave politike.

    “As agjendat më të rrezikshme anti Kosovë nuk do të mund t’i shkaktonin kaq shumë dëme Kosovës sa po i shkaktojnë politikanët. As vendet Evropiane nuk mund t’i përballojnë 5 palë zgjedhje në dy vjet e lëre më një shtet si Kosova…”, u shpreh Gërxhaliu.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, Kosova ka rritur varësinë ndaj produkteve të importit. Vetëm në mars u importuan mallra mbi 651 milionë euro, ndërsa eksportet arritën në 88.4 milionë euro, duke shënuar deficit tregtar mbi 560 milionë euro. Sipas ekspertëve të ekonomisë, varësia e krijuar nga produktet e importit është shkaktari kryesor i inflacionit dhe deficiti tregtar duhet të jetë shqetësim institucional, pasi Kosova po vazhdon të eksportojë para të gatshme.

  • Shqipëria firmos me SHBA-në marrëveshje për gazin në vlerë prej 6 miliardë dollarësh

    Shqipëria firmos me SHBA-në marrëveshje për gazin në vlerë prej 6 miliardë dollarësh

    Një marrëveshje prej 6 miliardë dollarësh në fushën e sigurisë energjetike është nënshkruar në Tiranë në prani të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe ambasadores së Shteteve të bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle.

    Marrëveshja u firmos mes kompanisë shqiptare Albgaz me dy kompanive të mëdha ndërkombëtare, njëra amerikane dhe tjetra greke.

    Dokumenti parashikon zhvillim e Qendrës Energjetike të Vlorës dhe marrëveshjen kornizë për furnizimin me gaz të lëngshëm natyror, si hapa të rëndësishëm drejt diversifikimit të burimeve të energjisë dhe forcimit të pavarësisë energjetike, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, si edhe ndërveprim me Greqinë.

    Nënshkrimit të marrëveshjes i parapriu një postim në X të ambasadores amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle.

    “… në Tiranë për të avancuar agjendën energjetike të presidentit të SHBA dhe për t’iu bashkuar kryeministrit Edi Rama për të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të një marrëveshjeje historike midis Shqipërisë, Venture Global dhe Aktor LNG USA për një marrëveshje 20-vjeçare për gazin e lëngshëm natyror amerikan”, theksoi ambasadorja.

    Ajo tha se angazhimi prej 6 miliardë dollarësh forcon sigurinë energjetike dhe sigurinë kombëtare në të gjithë rajonin.

    “Kur Shtetet e Bashkuara, Shqipëria dhe Greqia punojnë së bashku, ky rajon është më i lidhur, më i sigurt dhe më i begatë”, tha ambasadorja Guilfoyle.

    Marrëveshja synon ndërtimin e infrastrukturës në Vlorë për importin e gazit të lëngshëm nga SHBA-ja dhe rigazifikimin e tij për furnizimin e Evropës Jugore.

    Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës i Shqipërisë, Enea Kakaraçi, gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes tha se partneriteti me SHBA-në reflekton një vizion të përbashkët për të ndërtuar një të ardhme energjetike të sigurt dhe të qëndrueshme.

    “Një shtyllë qendrore e këtij vizioni është zhvillimi i Qendrës Energjetike të Vlorës që është një komponent, një projekt shumë komponencial që do të ripërcaktojë rolin e Shqipërisë në këtë hartë energjetike”, tha ai.

  • Çitaku: Presioni qytetar e detyroi Kurtin të tërhiqet, por sërish abuzoi me zyrën e Presidentit

    Çitaku: Presioni qytetar e detyroi Kurtin të tërhiqet, por sërish abuzoi me zyrën e Presidentit

    Anëtaria e Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, thotë se “reagimi publik dhe presioni qytetar e detyruan Albin Kurti të tërhiqet nga përpjekja e tij për ta zgjedhur Presidentin në stil ‘karate’ dhe për ta permbysur rendin kushtetues”.

    Ajo shkroi në Facebook se përkundër kësaj, kryeministri në detyrë “bëri aq sa mundi”, duke iu referuar një konference pas mesnate të mbajtur në Presidencë.

    “Po, edhe mbrëmë bëri aq sa mundi. Doli dhe abuzoi me zyrën e Presidentit. Albin, nga ajo sallë qytetarëve u drejtohet Presidentja apo Presidenti i zgjedhur. Jo Kryeministri dhe as kandidatja e shumicës”, shkroi Çitaku.

    “Shfaqja e mbrëmshme e ilustroi qartë, me zë dhe figurë, se ju në fakt e shihni veten si autoritetin e vetëm në këtë vend: edhe President, edhe Kryeministër, edhe Ministër, edhe Kryeprokuror, edhe gjithçka tjetër. Një shfaqje e turpshme”, shtoi ajo.

  • Kuvendi del me njoftim pas dështimit të zgjedhjes së presidentit

    Kuvendi del me njoftim pas dështimit të zgjedhjes së presidentit

    Pas dështimit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, Kuvendi ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me zhvillimet e së martës.

    Në këtë njoftim thuhet se, në hapje të seancës së parë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka rikujtuar edhe një herë kushtet dhe procedurat për zgjedhjen e presidentit të Republikës.

    “Duke iu referuar serish Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit, aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, me theks të veçantë Aktgjykimit në rastin Nr. KO2911, opinioneve të Komisionit të Venecias dhe dokumenteve të tjera relevante lidhur me pjesëmarrjen e deputetëve në këtë proces, kryetarja Haxhiu përsëriti disa herë ftesën për deputetët që mungonin, që të vijnë në sallë dhe të votojnë. Ajo tha se deputetët të cilët nuk ishin prezentë, përkatësisht deputetët e grupeve parlamentare opozitare, nuk kanë marrë leje nga kryetarja e Kuvendit për të munguar në seancën për zgjedhjen e presidentit”, thuhet në njoftim.

    Haxhiu ndërpreu tre herë seancën. Në vazhdimin e fundit të orës 23:00, ajo ripërsëriti ftesën për deputetët.

    “Po presim nëse deputetët e opozitës do të vijnë dhe t’i lënë anash barrikadimet. Kjo është arsyeja pse në vazhdimësi kam bërë thirrje që deputetët e opozitës të vijnë këtu. Janë minutat e fundit të kësaj legjislature. Kjo rrugë e nisur mbarë nuk meritonte të ndërpritej”, theksoi kryeparlamentarja pak kohë para skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

    “Duke marrë fjalën në seancë, ministri i Financave, Hekuran Murati, foli për humbjet që sipas tij vendi do të pësojë nga shkuarja në zgjedhje të reja. Ai tha se pos 10 milionë eurove që do të kushtojë organizimi i zgjedhjeve, do të humbin edhe dhjetëra miliona të tjerë”, thuhet mes tjerash, transmeton Klankosova.tv.

    Fjalën e mori edhe Kryeministri Albin Kurti, i cili mbrëmjen e së martës në seancë foli për ofertat që u ka dhënë partive opozitare.

    “Ai tha se Republika e Kosovës praktikisht e ka presidentin, por nuk e ka konstruktivitetin elementar të opozitës për këtë gjë”, vazhdon njoftimi.

    “Feride Rushiti është e gatshme dhe gatishmëria e saj është nder. Unë e falënderoj që, si lidere e shoqërisë civile, ka pranuar të kandidohet”, tha Kurti.

    Në prag të skadimit të afatit për zgjedhjen e presidentit, kryeparlamentarja tha se kjo seancë fatkeqësisht shënon fundin e këtij procesi dhe fundin e kësaj legjislature.

    “Sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese Kuvendi konsiderohet i shpërndarë dhe zgjedhjet do të shpallen brenda afatit kushtetues”, theksoi kryeparlamentarja.

  • Publikohet çmimi i derivateve për sot, shtrenjtohet benzina

    Publikohet çmimi i derivateve për sot, shtrenjtohet benzina

    Çmimi i naftës për ditën e sotme është 1.68 euro për litër, një cent më shtrenjtë krahasuar me dje.

    Kështu është bërë e ditur nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, e cila ka publikuar përditësimin e çmimeve të derivateve.

    Sipas njoftimit, benzina kushton deri në 1.47 euro për një litër, tre centë më shtrenjtë se dje, ndërsa gazi 0.85 euro.

  • Kur mund të mbahen zgjedhjet e reja në Kosovë?

    Kur mund të mbahen zgjedhjet e reja në Kosovë?

    Pas zhvillimeve politike dhe dështimit të procesit për zgjedhjen e presidentit, Kosova pritet të hyjë në zgjedhje të reja parlamentare, të cilat duhet të mbahen brenda afatit kushtetues prej 45 ditësh.

    Sipas llogaritjes së afateve ligjore, duke marrë si pikënisje datën 29 prill, kur kanë filluar të rrjedhin procedurat për zbatimin e vendimeve kushtetuese, zgjedhjet e reja duhet të mbahen më së largu deri më 7 qershor.

    Ndërkohë, pritet që gjatë ditëve në vijim të bëhet shpallja e datës së zgjedhjeve nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.

    Sipas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, nëse deputetët nuk arrijnë ta zgjedhin presidentin brenda afateve të përcaktuara, Kuvendi shpërndahet automatikisht (“ex constitutione”), duke hapur rrugën për zgjedhje të reja.

    “TË KONSTATOJË që në rast se Kuvendi dështon të zgjedhë Presidentin brenda periudhës së përcaktuar në pikën III të dispozitivit të këtij Aktgjykimi, bazuar në nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kuvendi shpërndahet ex constitutione, dhe për pasojë, zgjedhjet e parakohshme për Kuvend duhet të zhvillohen brenda dyzet e pesë (45) ditësh, ashtu siç përcaktohet me paragrafin 2 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafin 6 të nenit 86 [Zgjedhja e Presidentit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

  • Realizohen 46 inspektime, ndalohet puna në 17 vendpunishte të ndërtimit

    Realizohen 46 inspektime, ndalohet puna në 17 vendpunishte të ndërtimit

    Inspektorati Qendror i Punës, në zbatim të vendimit të ministrit të MPFVLÇ-së dhe në përputhje me mandatin e tij ligjor, ka ndërmarrë aksion të jashtëzakonshëm inspektues në sektorët me rrezikshmëri të lartë, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

    Inspektorati Qendror i Punës ka paraqitur rezultatet e inspektimeve të ditës së dymbëdhjetë të realizuara në kuadër të këtij aksioni.

    Në përfundim të aksionit, të gjitha subjektet që kanë rezultuar me ndalim të punimeve me automatizëm u procesuan në Gjykatat për kundërvajtje, përkitazi me shkeljet e konstatuara.

    Sipas Ministrisë janë bërë 46 inspektime dhe 37 ri-inspektime.

    Në 17 vendpunishte u ndaluan punimet, ndërsa në 9 sosh u lejuan.

    Inspektorati shqiptoi 20 vërejtje dhe regjistroi 14 raste të eliminimit të parregullsive.

  • Samiti i Qipros, Evropa mes krizës dhe riformësimit strategjik

    Samiti i Qipros, Evropa mes krizës dhe riformësimit strategjik

    AKADEMIK, PROF. ANASTAS ANGJELI

    Në një periudhë kur arkitektura ndërkombëtare po pëson ndryshime të thella, samiti informal i Këshillit Evropian në Qipro (23–24 prill) nuk mund të lexohet si një takim i zakonshëm diplomatik. Ai përfaqëson një moment reflektimi strategjik për vetë identitetin e Evropës: çfarë është sot Bashkimi Evropian dhe çfarë synon të bëhet në një botë të karakterizuar nga rivaliteti i fuqive të mëdha, fragmentimi ekonomik dhe pasiguria e zgjatur.

    Në këtë kontekst, Evropa nuk ndodhet më thjesht përballë krizave të veçuara, por përballë një transformimi sistemik. Lufta në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme, rivaliteti SHBA–Kinë dhe sfidat e brendshme ekonomike kanë krijuar një realitet të ri ku kufijtë mes politikës së jashtme, ekonomisë dhe sigurisë janë bërë pothuajse të padukshëm.

    Siç u shpreh presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, “Evropa duhet të mësojë të flasë gjuhën e fuqisë pa hequr dorë nga vlerat e saj”. Ky deklarim përmbledh në mënyrë të përkryer frymën e samitit: një përpjekje për të kaluar nga një fuqi normative në një fuqi strategjike.

    Ukraina: prova e kohezionit dhe kufijtë e qëndrueshmërisë

    Mbështetja për Ukrainën mbetet elementi më i dukshëm i unitetit evropian. Vendimet për ndihmë financiare dhe sanksione të reja ndaj Rusisë nuk janë vetëm instrumente presioni, por shprehje e një angazhimi afatgjatë që tashmë është bërë pjesë e identitetit strategjik të BE-së.

    Megjithatë, pas këtij uniteti formal fshihen tensione reale. Ekonomitë evropiane po përballen me kosto të larta energjie, inflacion dhe presion mbi buxhetet publike. Kjo krijon një dilemë të vazhdueshme: deri në çfarë mase mund të mbështetet Ukraina pa cenuar stabilitetin e brendshëm?

    Kancelari gjerman Olaf Scholz ka theksuar se “mbështetja për Ukrainën nuk është një zgjedhje, por një domosdoshmëri për sigurinë evropiane”. Por, kjo domosdoshmëri po bëhet gjithnjë e më e kushtueshme, duke e kthyer Ukrainën në një provë të qëndrueshmërisë politike dhe ekonomike të vetë BE-së.

    NGA VARËSIA TEK AUTONOMIA, NDRYSHIMI I MENDIMIT STRATEGJIK

    Një nga zhvillimet më të rëndësishme të samitit është evolucioni i mendimit strategjik evropian. Për dekada, siguria e kontinentit ka qenë e lidhur ngushtë me NATO-n dhe aleancën transatlantike. Sot, kjo qasje nuk po braktiset, por po plotësohet me një ambicie të re: autonomia strategjike. Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka qenë ndër zërat më të fortë në këtë drejtim, duke argumentuar se, “Evropa duhet të jetë në gjendje të mbrojë veten, edhe kur aleatët nuk janë të gatshëm ta bëjnë këtë”.

    Diskutimet për operacionalizimin e klauzolës së ndihmës së ndërsjellë tregojnë se kjo nuk është më një ide abstrakte. Ajo po përkthehet në plane konkrete: koordinim ushtarak më të thellë, investime në industrinë e mbrojtjes dhe zhvillim kapacitetesh autonome.

    EKONOMIA SI BOSHTI I FUQISË: “ONE EUROPE, ONE MARKET”

    Nëse siguria është dimensioni më i dukshëm i transformimit, ekonomia mbetet themeli real i fuqisë evropiane. Pikërisht këtu samiti i Qipros merr një rëndësi të veçantë.

    Nisma “One Europe, One Market” nuk është thjesht një reformë teknike për përmirësimin e tregut të brendshëm. Ajo përfaqëson një projekt politik dhe strategjik për të rritur peshën globale të BE-së.

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka theksuar se “tregu i vetëm është aseti ynë më i madh gjeopolitik”. Ky është një ndryshim i rëndësishëm në mënyrën se si Evropa e percepton ekonominë: jo më vetëm si mjet prosperiteti, por si instrument fuqie.

    FRAGMENTIMI I BRENDSHËM, PENGESA KRYESORE

    Megjithëse tregu i vetëm ekziston prej dekadash, ai mbetet i papërfunduar. Mallrat qarkullojnë lirshëm, por shërbimet, energjia dhe sektori digjital vazhdojnë të përballen me barriera të shumta rregullatore.

    Ky fragmentim ka pasoja të drejtpërdrejta:

    · kufizon rritjen ekonomike,

    · pengon inovacionin,

    · dhe dobëson konkurrueshmërinë globale të kompanive evropiane.

    Sipas ish-presidentit të Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi, “Evropa ka një problem strukturor: ajo nuk mungon në ide, por në shkallë”. Kjo mungesë shkalle është pikërisht ajo që nisma synon të adresojë.

    INTEGRIMI SI DOMOSDOSHMËRI STRATEGJIKE

    Në një botë ku ekonomitë e mëdha operojnë në shkallë kontinentale, fragmentimi evropian bëhet një disavantazh strategjik. Një treg i plotësisht i integruar do të:

    · rrisë produktivitetin,

    · ulë kostot,

    · dhe krijojë “kampionë evropianë” të aftë të konkurrojnë globalisht.

    Por ky proces kërkon kompromis politik, pasi prek drejtpërdrejt sovranitetin ekonomik të shteteve anëtare.

    ENERGJIA: MES SIGURISË DHE TRANZICIONIT

    Kriza energjetike ka zbuluar dobësitë strukturore të BE-së. Varësia nga importet dhe mungesa e një tregu të integruar energjetik e bëjnë Evropën të ndjeshme ndaj goditjeve të jashtme.

    Samiti theksoi tri prioritete:

    · integrimin e tregut energjetik,

    · uljen e çmimeve,

    · dhe përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër.

    Por këto objektiva shpesh janë në tension. Në afat të shkurtër, stabiliteti kërkon energji të përballueshme; në afat të gjatë, politika klimatike kërkon investime të mëdha dhe transformim strukturor.

    Ky është një nga paradokset kryesore të Evropës, ajo duhet të jetë njëkohësisht konkurruese dhe e gjelbër

    GARA TEKNOLOGJIKE: RREZIKU I MARGJINALIZIMIT

    Në epokën e inteligjencës artificiale dhe teknologjive të avancuara, fuqia ekonomike lidhet drejtpërdrejt me kapacitetin inovativ. Këtu BE-ja përballet me një sfidë të dyfishtë: konkurrencën nga SHBA e Kinën dhe fragmentimin e brendshëm.

    Ndërtimi i një tregu digjital të unifikuar është thelbësor. Pa të, kompanitë evropiane mbeten të kufizuara në tregje kombëtare dhe nuk arrijnë të zhvillohen në shkallë globale. Siç ka paralajmëruar Ursula von der Leyen, “gara teknologjike nuk është vetëm ekonomike, por edhe gjeopolitike”. Kjo e bën politikën digjitale një komponent kyç të strategjisë evropiane.

    BE SI AKTOR GJEOPOLITIK, EKONOMIA DHE POLITIKA E JASHTME BASHKOHEN

    Samiti i Qipros tregoi qartë se politika e jashtme dhe ajo ekonomike nuk mund të trajtohen më veçmas. Marrëdhëniet me Lindjen e Mesme, Afrika Veriore apo Azinë lidhen drejtpërdrejt me:

    · energjinë,

    · migracionin,

    · dhe sigurinë.

    Kjo ndërthurje e dimensioneve kërkon një qasje më të koordinuar dhe më pragmatike. BE nuk mund të mbështetet vetëm në normat dhe diplomacinë tradicionale, ajo duhet të përdorë edhe instrumentet ekonomike si leva ndikimi.

    Kufijtë fiskalë: ambicie të mëdha, burime të kufizuara

    Një nga sfidat më të mëdha mbetet financimi i këtyre ambicieve. Diskutimet për kuadrin financiar shumëvjeçar 2028–2034 nxjerrin në pah tensionin mes aspiratave dhe realitetit ekonomik.

    Rritja e shpenzimeve për:

    · mbrojtjen,

    · energjinë,

    · dhe politikat industriale përplaset me një mjedis ekonomik të karakterizuar nga rritje e ngadaltë dhe borxh i lartë publik. Kjo e detyron BE-në të bëjë zgjedhje strategjike: cilat prioritete do të financohen dhe deri në çfarë mase është e gatshme të thellojë integrimin fiskal.

    Drejt një “fuqie të integruar”

    Në thelb, samiti i Qipros reflekton një transformim më të thellë: kalimin e BE-së nga një projekt ekonomik, në një projekt gjeopolitik të integruar.

    Energjia, ekonomia, teknologjia dhe siguria nuk janë më fusha të ndara. Ato janë pjesë e një strategjie të vetme, që synon të rrisë autonominë dhe ndikimin global të Evropës. Ky transformim synon të kapërcejë një perceptim të vjetër: atë të Evropës si “gjigant ekonomik dhe xhuxh politik”.

    PËRFUNDIM: NJË MOMENT VENDIMTAR PËR EVROPËN

    Mesazhi që del nga samiti është i qartë: integrimi nuk është më një zgjedhje ideologjike, por një domosdoshmëri strategjike.

    Në një botë të fragmentuar, aftësia e Bashkimit Evropian për të bashkuar ekonominë me gjeopolitikën do të përcaktojë jo vetëm rolin e tij global, por edhe qëndrueshmërinë e vet projektit evropian. Pyetja që mbetet nuk është nëse Evropa duhet të ndryshojë, por nëse ajo mund ta bëjë këtë me shpejtësinë dhe koherencën që kërkon koha?

  • Peci për konferencën e Kurtit me Feride Rushitin te Presidenca: Keqpërdorim flagrant

    Peci për konferencën e Kurtit me Feride Rushitin te Presidenca: Keqpërdorim flagrant

    Ish-ambasadori i Kosovës, Lulzim Peci, ka reaguar në rrjetet sociale pas paraqitjes së ish-kryeministrit Albin Kurti në zyrat e Presidenca e Republikës së Kosovës së bashku me kandidaten e Lëvizja Vetëvendosje për presidente, Feride Rushiti, vetëm pak minuat pas shpërndarjes së Kuvendit

    Përmes një postimi në Facebook, Peci e cilësoi këtë veprim si “keqpërdorim flagrant” të Zyrës së Presidentit për qëllime politike.

    Sipas tij, pamjet e publikuara flasin vetë dhe tregojnë mënyrën se si, sipas tij, po tentohet të arrihen objektivat politike.

    “Keqpërdorimi flagrant i Zyrës së Presidentit të Kosovës nga Kryeministri i Kosovës dhe një kandidate e VV për presidente të vendit, nuk do fare koment. Mjafton vetëm të shikosh dhe i kupton të gjitha, prej mendësisë deri te mënyra e përpjekjeve për arritjen e qëllimeve politike. Pamje më kuptimplote moti nuk kemi pa,” ka shkruar Peci.

  • Arrin në Kosovë Mit’hat Llozhani, ndodhej në paraburgim në Serbi

    Arrin në Kosovë Mit’hat Llozhani, ndodhej në paraburgim në Serbi

    Ka arritur në Kosovë Mit’hat Llozhani, i cili nga shkurti ishte në paraburgim në Serbi.

    Lajmin për arritjen e tij në vendlindje e ka bërë të ditur avokati i tij, Arianit Koci.

    “Mit’hat Llozhani, i arrestuar në Serbi, sot është liruar dhe posa ka hy në Kosovë.

    Ka kaluar nëpër një periudhë jo të lehtë.

    Më shumë informata do t’i japim bashkë me Mit’hatin, ditëve në vijim” ka deklaruar Koci.

    Sipas avokatit, lirimi i Llozhanit ka qenë një proces aspak i lehtë

    Llozhani ishte arrestuar në kufirin Serbi-Kroaci, pasi gjatë kontrollit trupor iu gjet në xhep kartela e anëtarësisë së veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.