ATV

Blog

  • Shqipëria do të luajë me Izraelin dhe Luksemburgun, FSHF punon për një tjetër miqësore

    Shqipëria do të luajë me Izraelin dhe Luksemburgun, FSHF punon për një tjetër miqësore

    Pas Luksemburgut, FSHF ka siguruar një tjetër test miqësor për Kombëtaren. Më 3 qershor, në orën 20:00, në “Air Albania”, Shqipëria do të përballet me Izraelin në një ndeshje të rëndësishme për kuqezinjtë, në kuadër të Ligës së Kombeve. Kjo do të jetë përballja e shtatë në histori mes dy kombëtareve, e para miqësore, pasi të gjitha takimet e mëparshme janë zhvilluar në kuadër të kualifikimeve për Kampionatet Botërorë dhe Europiane. Sa i përket bilancit të ndeshjeve, Shqipëria ka fituar dy herë dhe ka humbur katër herë.

    Për më tepër, 3 ditë më pas, po në “Air Albania”, Shqipëria do të luajë një tjetër miqësore, këtë herë kundër Luksemburgut.

    Në një deklaratë për mediat, FSHF njoftoi se po punohet për të siguruar një miqësore tjetër, që do të jetë në dispozicion të trajnerit Sylvinho, ose të trajnerit të ri, për të vlerësuar më mirë gjendjen e legjionarëve dhe formën e ekipit para ndeshjeve të tjera.

    Në daljen e fundit për mediat, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, sqaroi se janë në pritje të një përgjigje nga Sylvinho, pasi trajneri brazilian ka fjalën e parë. Duka theksoi se, pavarësisht vendimit për trajnerin, emri i tij do të bëhet publik përpara miqësoreve të muajit qershor, pas një periudhe të suksesshme me ekipin përfaqësues, që arriti të sigurojë një biletë për në Europian dhe shkroi historinë duke u kualifikuar për herë të parë në fazën “play-off” të një Botërori.

  • Kristian Prenga: “Luftoj për Shqipërinë dhe për shqiptarët,kjo është më shumë se një ndeshje”

    Kristian Prenga: “Luftoj për Shqipërinë dhe për shqiptarët,kjo është më shumë se një ndeshje”

    Boksieri shqiptar Kristian Prenga ka dhënë një mesazh të fuqishëm dhe emocionues në prag të përballjes së tij të rëndësishme, duke e cilësuar këtë duel si shumë më tepër se një ndeshje sportive.

    Në një reagim publik, Prenga theksoi se çdo herë që ngjitet në ring, ai përfaqëson Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët, duke e konsideruar këtë përgjegjësi si një motiv shtesë për të dhënë maksimumin.

    “Çdo herë që ngjitem në ring, mbaj me vete Shqipërinë. Kjo është më shumë se një ndeshje—është krenari, qëllim dhe përgjegjësi. Luftoj për vendin tim, për njerëzit e mi dhe për gjithçka që përfaqësoj,” u shpreh ai.

    Boksieri nuk harroi të falënderojë edhe bashkëpunëtorët dhe organizatorët që bënë të mundur këtë përballje, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm në karrierën e tij.

    “Faleminderit për mundësinë. Ky është vetëm fillimi,” shtoi Prenga, duke lënë të kuptohet se synimet e tij janë shumë më të mëdha.

  • Nëse në një familje 5 anëtarëshe, 3 ose 4 persona janë me syze, ku është problemi?

    Nëse në një familje 5 anëtarëshe, 3 ose 4 persona janë me syze, ku është problemi?

    Në një familje me pesë anëtarë, fakti që tre ose katër prej tyre mbajnë syze nuk duhet parë domosdoshmërisht si problem shqetësues, por më tepër si një tregues i zakonshëm i nevojës për korrigjim të shikimit — sidomos në një kohë kur përdorimi i pajisjeve digjitale është rritur ndjeshëm.

    Oftalmologu Ilir Osmani, në emisionin “LIBERO” këtë çështje nuk e pa si madhore, megjithëse theksoi se identifikimi i hershëm i problemeve me shikimin sipas tij, është thelbësor për zhvillimin e shëndetshëm të tyre. Një nga rekomandimet kryesore është që fëmijët t’i nënshtrohen kontrollit të syve që në moshë të hershme, rreth 3-4 vjeç, një praktikë e zakonshme në shumë vende evropiane.

    Ky proces i njohur si “screening” (kontrolli skrining) ndihmon në zbulimin e hershëm të problemeve me dioptrinë dhe mundëson trajtimin e tyre në kohë. Nëse një problem me shikimin identifikohet dhe korrigjohet herët me syze, fëmija ka shumë më tepër gjasa të zhvillohet normalisht, pa pasoja afatgjata.

    Nga ana tjetër, neglizhimi i këtyre kontrolleve deri në moshën 7-8 vjeç mund të çojë në vështirësi të vazhdueshme në shikim, të cilat mund të shoqërojnë individin gjatë gjithë jetës, sipas Doktor Ilir Osmanit.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Ilir Osmanit, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Pse po keqkuptohet feminizmi?

    Pse po keqkuptohet feminizmi?

    Sipas Bell Hooks dhe përpjekjes së saj për të treguar se çka është feminizmi në një përkufizim të thjeshtë, ajo thotë “Feminizmi është lëvizja që synon t’i japë fund seksizmit, shfrytëzimit dhe shtypjes seksuale”… Hooks sqaron se lëvizja nuk ka të bëjë me të qenit kundër burrave DHE se problemi kryesor është seksizmi!

    Duke e cituar Hooks, Resul Sinani në emisionin “LIBERO” e pyeti aktivisten feministe Adelina Tërshanin në lidhje me paqartësinë, fragmentimet ose keqkuptimet në raport me feminizmin në Kosovë. Ajo theksoi rëndësinë e kuptimit të drejtë të konceptit të feminizmit dhe pranimin e formave të ndryshme të aktivizmit.

    “…Na duhet me e kuptu çka në të vërtetë nënkupton feminizmi, jo me e pa qata çka po dojna me e pa. Në rregull, ty nuk po të pëlqen mënyra qysh Adelina Tërshani e bën aktivizmin feminist, thjesht mos u identifiko me të. Ky është problemi që gratë prej fillimit mendohen si grup homogjen (ato duhet me mendu njëjt, duhet me vepru njëjt), jo jo, edhe feminizmi edhe aktivizmi feminist bëhet në mënyra të ndryshme…”, theksoi Tërshani.

    Në thelb, diskutimi rikthen vëmendjen te ajo që Bell Hooks e ka theksuar prej kohësh: feminizmi nuk është një qëndrim kundër burrave, por një përpjekje për të çrrënjosur seksizmin në të gjitha format e tij. Siç u nënvizua edhe në bisedën në studio, sfida kryesore në Kosovë mbetet kuptimi i drejtë i këtij koncepti dhe pranimi se aktivizmi feminist nuk ka një formë të vetme. Pranimi i diversitetit të zërave dhe qasjeve brenda feminizmit është thelbësor për ta bërë këtë lëvizje më gjithëpërfshirëse, më të kuptueshme dhe më efektive në adresimin e padrejtësive shoqërore.

    *Shënim: Bell Hooks vlerësohet si një prej zërave më të rëndësishëm në mendimin feminist bashkëkohor dhe e trajton feminizmin si një lëvizje për drejtësi sociale që nuk ka të bëjë vetëm me gratë, por me çlirimin e të gjithëve nga sistemet shtypëse.

    Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Adelina Tërshanit, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Miftari konfirmon shkarkimin nga posti i shefit të Misionit në Vatikan: E kam pranuar dekretin nga U.D. e Presidentes

    Miftari konfirmon shkarkimin nga posti i shefit të Misionit në Vatikan: E kam pranuar dekretin nga U.D. e Presidentes

    Vehbi Miftari ka konfirmuar se është liruar nga detyra e shefit të Misionit të Kosovës në Vatikan, duke bërë të ditur se ka pranuar dekretin përkatës nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu.

    Në një njoftim në Facebook, Miftari theksoi se ky vendim shënon përfundimin e mandatit të tij në Selinë e Shenjtë, por jo edhe angazhimin e tij për Republikën e Kosovës. Ai e cilësoi këtë detyrë si një nder jetësor, duke qenë shefi i parë i këtij misioni diplomatik në Vatikan, dhe shtoi se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Selisë së Shenjtë tashmë janë konsoliduar.

    “Ky dekret shënon përfundimin e mandatit tim në Vatikan. Sigurisht, jo angazhimin tim për Republikën, së cilës i kam shërbyer çdo herë me përkushtim, pa kërkuar kurrë shpagim. Ka qenë nderi jetësor që më është bërë, duke qenë i pari shef i Misionit në Vatikan”, shkruan ai.

    Miftari falënderoi gjithashtu Vjosa Osmani për besimin e dhënë, si dhe institucionet e Selisë së Shenjtë për bashkëpunimin dhe mikpritjen.

    “Kanë qenë dy vjet plot angazhim e sfida të njëpasnjëshme, ndonjëherë të pakuptimta, me më shumë a më pak përkrahje, por të bukura e frytdhënëse, gjithsesi”.

    Presidentja Osmani e kishte emëruar Miftarin para dy vitesh ambasador në Misionin e Posaçëm të Kosovës në Vatikan. Që nga 1 shkurti i atij viti, ai kishte udhëhequr misionin e sapothemeluar, pasi kishte lënë pozitën e këshilltarit politik të presidentes.

    Ai u shpreh se është i gatshëm të ndihmojë në procesin e dorëzimit të detyrës tek pasardhësi apo pasardhësja e tij, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve të ndërtuara me përkushtim gjatë mandatit të tij.

    “Tani kur po përgatitem t’ia dorëzoj detyrën pasardhësit a pasardhëses sime, ofroj gjithë gatishmërinë time që, në përputhje me dinjitetin tim e me lartësinë e pozitës që kam mbajtur, të siguroj që vendimet tona të mos lëndojnë raportet e krijuara me aq mund”.

  • Rashiti: Zgjedhjet e parakohshme nuk garantojnë stabilitet

    Rashiti: Zgjedhjet e parakohshme nuk garantojnë stabilitet

    Kosova po përjeton krizë politike e institucionale dhe gjendet para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat sërish “nuk garantojnë stabilitet”, vlerëson Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë.

    Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se në sytë e faktorit ndërkombëtar, Kosova po përjeton “krizë politike dhe institucionale sistematike”.

    “Kjo situatë të bën joadekuat për të qenë bashkëbisedues me faktorin ndërkombëtar dhe me agjendat ndërkombëtare, qoftë për anëtarësim [në Bashkimin Evropian], qoftë për proceset e agjendave rajonale”, thotë Rashiti.

    Sipas tij, Kosova ka vite që e ka humbur besueshmërinë në raport me faktorët ndërkombëtarë.

    “Kosova është bërë një plagë e vogël, por pa ndikim përtej, e cila trajtohet si një ‘paciente’ e lënduar, e papjekur, e sëmurë dhe që duhet pritur të shërohet, por për të cilën nuk vjen terapia nga jashtë”, thekson Rashiti.

    Siç thotë ai, Kosova aktualisht ka një kastë politike “që nuk i beson as vetvetes, as aktorëve rreth saj, as strukturave të veta dhe minimalisht, as partnerëve”.

    Si e tillë, vlerëson ai, kjo kastë politike nuk mund të arrijë që të ketë dialog me kundërshtarët politikë dhe as me faktorin ndërkombëtar.

  • Joao Cancelo afër për të arritur një rekord të jashtëzakonshëm në futbollin evropian

    Joao Cancelo afër për të arritur një rekord të jashtëzakonshëm në futbollin evropian

    Ylli portugez Joao Cancelo është pranë një arritjeje të jashtëzakonshme në futbollin evropian. Nëse ai, siç pritet, ndihmon Barcelonën të fitojë titullin e La Ligës, ai do të sigurojë kampionatin e tij të katërt në një nga pesë ligat kryesore të Evropës. Asnjë lojtar tjetër nuk e ka arritur më parë këtë, përveç Cancelos.

    Mbrojtësi i djathtë ka fituar tituj kampioni në Premier League (me Manchester Cityn në sezonet 2020/21 dhe 2021/22), në Bundesligë (me Bayern Munichun në sezonin 2022/23) dhe në Serie A (me Juventusin në sezonin 2018/19).

    Ai gjithashtu ka fituar kampionatin portugez me Benficën në vitin 2014, ka ngritur trofeun e Ligës së Kampionëve me Cityn në vitin 2023 dhe e ka ndihmuar Portugalinë të fitojë Ligën e Kombeve në vitin 2019. Yje të mëdhenj si Zlatan Ibrahimovic, Arjen Robben dhe Kingsley Coman kanë fituar më herët kampionate në tri prej pesë ligave kryesore evropiane. Ashtu si Cancelo, dy të fundit kanë qenë pjesë e Bayern Munichut.

    Në moshën 31-vjeçare, Cancelo pritet të lërë pas emra të njohur dhe të arrijë një rekord të madh. Barcelona është në rrugë të mbarë për ta siguruar titullin e La Ligës, me një epërsi komode prej nëntë pikësh ndaj Real Madridit pas 33 javësh nga 38 gjithsej. Gara për titull mund të mbyllet madje këtë fundjavë: nëse Barcelona fiton ndaj Osasunës të shtunën dhe Real Madrid humb ndaj Espanyolit të dielën, atëherë Barça do të fitojë titullin dhe Cancelo do të thyejë një rekord të rëndësishëm.

    Megjithatë, skenari më realist është që Barcelona ta formalizojë titullin një javë më vonë, më 10 maj, në ‘El Clásico’ ndaj Real Madridit.

  • Kanye West vjen në Tiranë, koncert live më 11 korrik

    Kanye West vjen në Tiranë, koncert live më 11 korrik

    Kanye West do të mbajë një koncert live në Tiranë më 11 korrik.

    Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri Edi Rama, i cili ka njoftuar organizimin e eventit në kryeqytet.

    Koncerti pritet të jetë një nga ngjarjet më të mëdha muzikore të organizuara ndonjëherë në Shqipëri, duke sjellë në skenë një nga emrat më të njohur të industrisë globale të muzikës.

    Ende nuk janë bërë publike detaje të plota mbi vendin e zhvillimit, orarin apo mënyrën e shpërndarjes së biletave.

  • Pas operacioneve në Iran dhe Venezuelë, aeroplanmbajtësja më e madhe amerikane kthehet në SHBA

    Pas operacioneve në Iran dhe Venezuelë, aeroplanmbajtësja më e madhe amerikane kthehet në SHBA

    Anija luftarake USS Gerald R Ford po kthehet në Shtetet e Bashkuara pas më shumë se 300 ditësh në det, vendosja më e gjatë e çdo aeroplanmbajtëseje amerikane që nga Lufta e Ftohtë, pas operacioneve në luftën e Iranit dhe misionit në Venezuelë që rezultoi në kapjen e Nicolas Maduro.

    Nuk është e qartë se kur saktësisht pritet që Ford të largohet nga Lindja e Mesme, por do të kthehet në portin e tij të origjinës në Virxhinia në mesin e majit, sipas zyrtarëve që folën në kushte anonimiteti.

    Anija Ford, e konsideruar gjerësisht si aeroplanmbajtësja më e fuqishme dhe më e përparuar në botë, u nis nga Stacioni Detar Norfolk në fund të qershorit 2025 dhe fillimisht u drejtua drejt Detit Mesdhe. Anija më pas u ridrejtua për në Karaibe në tetor.

    Aeroplanmbajtësja u detyrua të kthehej në Mesdhe muajin e kaluar për riparime dhe mirëmbajtje pasi një zjarr shpërtheu në lavanderi më 12 mars, ndërsa ankorohej në një port në Greqi.

    Me një zhvendosje prej 100,000 tonësh dhe një gjatësi prej 334 metrash, ajo përmban një kuvertë fluturimi të aftë të akomodojë më shumë se 75 avionë, megjithëse zakonisht operon me një krah ajror prej 60-70 avionësh.

    Dita e 295-të në det e Fordit theu rekordin e mëparshëm pas Luftës së Ftohtë prej 294 ditësh, të vendosur nga USS Abraham Lincoln në vitin 2020 gjatë pandemisë COVID-19, sipas të dhënave të përpiluara nga Instituti Detar i SHBA-së.

    Rekordin e përgjithshëm për qëndrimin më të gjatë në det e mban anija lufte USS Midway, e cila qëndroi në det për 332 ditë gjatë Luftës së Vietnamit.

    Tre transportues aeroplanësh amerikanë janë aktualisht të vendosur në Lindjen e Mesme – një numër i paparë që nga viti 2003.

    Anija luftarake USS Abraham Lincoln ka qenë në rajon që nga janari. Anija luftarake USS George HW Bush mbërriti javën e kaluar dhe po shkon drejt Detit Arabik për të mbështetur bllokadën amerikane të porteve iraniane.

  • Vdes një punëtor në Gjakovë, u godit aksidentalisht nga një kamion

    Vdes një punëtor në Gjakovë, u godit aksidentalisht nga një kamion

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot rreth orës 09:55 në fshatin Meqë të Gjakovës, ku dyshohet se një punëtor ka vdekur pasi është goditur nga një kamion.

    Lajmin e ka konfirmuar Vlera Krasniqi, zëdhënëse e policisë për rajonin e Gjakovës.

    “Sipas hetimeve fillestare, dyshohet se gjatë procesit të punës, shoferi i një mjeti transportues (kamion) ka humbur kontrollin mbi mjetin, me ç’rast kamioni ka rrëshqitur. Si pasojë e kësaj lëvizjeje, një punëtor (mashkull i moshës madhore), i cili ndodhej në afërsi të mjetit, ka mbetur i bllokuar nën të”, deklaroi Krasniqi.

    Tutje, ajo bëri me dije se në vendngjarje kanë dalë menjëherë njësitë relevante të Policisë, ekipi i zjarrfikësve dhe ndihma e shpejtë, por që personi në fjalë veçse kishte vdekur.

    “Pas intervenimit, mjeku përgjegjës ka konstatuar se personi i zënë nën mjet ka ndërruar jetë. Lidhur me rastin po ndërmerren të gjitha hapat e nevojshëm nga Policia për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarje”, theksoi ajo.