ATV

Blog

  • Vranësira, reshje dhe pluhur saharian, parashikimi i motit për sot

    Vranësira, reshje dhe pluhur saharian, parashikimi i motit për sot

    Sot parashikohet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe priten reshje lokale shiu, kryesisht gjatë orëve të mëngjesit. Gjatë ditës mund të ketë ndonjë reshje të izoluar, ndërsa më vonë pritet vranësirat të tërhiqen.

    Gradualisht do të shtrihen koncentrime të pluhurit saharian, me ç’rast reshjet do të përzihen me baltë.

    Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, me shpejtësi prej 5-38 km/h.

    Temperaturat do të pësojnë ulje për disa gradë, me minimale që do të lëvizin prej 10 deri në 13°C, ndërsa ato maksimale prej 18 deri në 22°C.

  • Rritet sërish çmimi i kurbanit në Kosovë

    Rritet sërish çmimi i kurbanit në Kosovë

    Çmimi për therjen e kurbanit në Kosovë ka shënuar rritje këtë vit, duke arritur në 200 euro, krahasuar me 180 euro sa ishte më 2025.

    Bashkësia Islame e Kosovës ka publikuar fushatën “Kurbani 2026”, ku ka bërë të ditur se çmimi për një kurban është caktuar 200 euro. Në materialin promovues të publikuar nga Medreseja e Mesme “Alauddin” në Prishtinë theksohet se mjetet do të dedikohen për familjet në nevojë, me moton: “Bëhu pjesë e sakrificës! Mirësia jote, shpresë për ta”.

    Nga ana tjetër, edhe organizata “Islamic Relief Kosova”, që po ashtu organizon therjen e kurbanit sipas standardeve dhe kushteve më të larta higjienike, duke pretenduar se këtë e bën duke respektuar të gjitha dispozitat fetare, ka njoftuar për të njëjtin cmim.
    Sipas njoftimit të organizatës, çmimi për një hise në lopë është po ashtu 200 euro, ndërsa thuhet se mishi i kurbanit do t’u shpërndahet jetimëve dhe familjeve në kushte të vështira jetësore.

    “ Ndërkohë një hise të mishit mund ta merrni dhe ta shijoni edhe ju me të afërmit tuaj”, thuhet në njoftimin e “Islamic Relief Kosova”.

    BIK ka bërë me dije se pagesat për kurbanët mund të realizohen në këshillat e Bashkësisë Islame nëpër komuna, si dhe përmes llogarive bankare të publikuara nga organizatorët.

    Rritja e çmimit prej 20 eurosh vjen në kohën kur tregu i bagëtive dhe kostot e produkteve ushqimore kanë shënuar ngritje krahasuar me vitet e kaluara.

    Feja islame rekomandon fuqishëm therjen e Kurbanit, gati deri në statusin e obligimit, për të gjithë ata që kanë mundësi ta bëjnë një gjë të tillë. Përndryshe, Kurbani, sipas literaturës fetare, konsiderohet një vepër bamirësie dhe afërsie shpirtërore me Zotin, ndërsa theks i veçantë i kushtohet ndihmës ndaj të varfërve dhe shpërndarjes së mishit për ata që kanë më pak mundësi për ta blerë e konsumuar atë.

  • Gruda thotë se Limaj nuk ka bërë kërkesë për t’u bashkuar me PDK-në

    Gruda thotë se Limaj nuk ka bërë kërkesë për t’u bashkuar me PDK-në

    Përparim Gruda nga Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se Fatmir Limaj nuk ka paraqitur asnjë kërkesë për t’iu bashkuar listës së PDK-së.

    Duke folur në emisionin Debat Plus, Gruda tha se nuk qëndrojnë pretendimet se PDK po ia mbyll dyert Limajt, duke theksuar se deri më tani nuk ka pasur asnjë iniciativë nga ana e tij.

    Sipas Grudës, kjo çështje nuk është ende në rend dite për vendimmarrje brenda partisë, ndërsa ka shtuar se në ditët në vijim do të shihet disponimi i strukturave të PDK-së për zhvillimet e mëtejshme politike.

    “Nuk mendoj që jemi duke ia mbyllur dyert, e vërteta është se nuk kemi asnjë kërkesë as nga zoti Limaj për tu bashkuar në listën e PDK-së. Edhe kjo nuk është një çështje për të cilën PDK duhet të vendosë ose deklarohet. Kemi edhe ditë përpara të shohim cili është disponimi i strukturave të partisë”, ka deklaruar ai.

  • Zemaj: Vjosa Osmani me rreth 20 kandidatë në listën e LDK’së në zgjedhjet e 7 qershorit

    Zemaj: Vjosa Osmani me rreth 20 kandidatë në listën e LDK’së në zgjedhjet e 7 qershorit

    Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë ka arritur një dakordim në parim për bashkëpunim me ish-presidenten Vjosa Osmani në zgjedhjet e 7 qershorit.

    Duke folur në emisionin FIVE, Armend Zemaj deputet i LDK-së, tha se bëhet fjalë për një bashkëpunim parimor dhe ideologjikisht të përafërt me partinë, ku secila palë do të ruajë subjektivitetin e vet, ndërsa garimi do të bëhet brenda listës dhe me logon e LDK-së.

    “Ajo që është diskutuar dhe na është paraqitur nga kryetari është një bashkëpunim parimor dhe ideologjikisht i përafërt me LDK-në, duke ruajtur subjektivitetin e secilit në këtë garë zgjedhore brenda listës së LDK-së”, ka deklaruar Zemaj.

    Për listat zgjedhore pritet të dorëzohen më 12 maj, ai ka theksuar se një pjesë e kandidatëve do të vijnë nga lista e Osmanit.

    “Mund të jetë rreth 20 anëtarë të rinj nga ajo që propozon, besoj që do të jenë emra që i përshtaten edhe profilit të së djathtës”, u shpreh Zemaj.

  • Luciano Spalletti kërkon Lobotkën te Juventusi: një transferim i vështirë, por strategjik

    Luciano Spalletti kërkon Lobotkën te Juventusi: një transferim i vështirë, por strategjik

    Luciano Spalletti i ka kërkuar Juventus FC një përforcim të rëndësishëm në mesfushë, duke vënë në shënjestër Stanislav Lobotka.

    Trajneri italian synon të shtojë cilësi të menjëhershme në skuadër, duke kërkuar një organizator loje që sjell qetësi, inteligjencë taktike dhe lidership në ndërtimin e aksioneve. Spalletti e njeh shumë mirë Lobotkën, i cili ishte një nga lojtarët kyç te SSC Napoli në sezonin e titullit kampion.

    Sipas tij, Juventusit i mungon vazhdimësia në ndërtimin e lojës, pavarësisht përparimit të Manuel Locatelli, ndaj kërkohet një tjetër “tru” në mesfushë.

    Megjithatë, transferimi pritet të jetë i vështirë. Lobotka, 31 vjeç, ka kontratë me Napolin deri në vitin 2027 dhe klubi nuk ka dëshirë ta shesë, sidomos te një rival direkt në Serie A.

    Presidenti Aurelio De Laurentiis pritet të rezistojë fuqishëm, ndërsa klauzola prej rreth 25 milionë eurosh vlen kryesisht për klube jashtë Italisë. Në total, operacioni mund të shkojë deri në 30 milionë euro.

    Pavarësisht pengesave, në Torino besohet se investimi ia vlen për një mesfushor me përvojë dhe ndikim të menjëhershëm. Një faktor vendimtar mund të jetë edhe dëshira e vetë lojtarit, pasi një qëndrim i hapur për largim do të ndryshonte dinamikën e negociatave.

    Për Spallettin, ky afrim nuk shihet si luks, por si domosdoshmëri për të ndërtuar një mesfushë më të kontrolluar dhe më të qëndrueshme. Tani gjithçka varet nga tre elemente: qëndrimi i Napolit, vullneti i lojtarit dhe aftësia negociuese e Juventusit.

  • Atlético Madrid “kampion” financiar në Ligën e Kampionëve pavarësisht moskalimit në finale

    Atlético Madrid “kampion” financiar në Ligën e Kampionëve pavarësisht moskalimit në finale

    Atlético Madrid nuk arriti ta prekë finalen e UEFA Champions League, por vazhdon të jetë ndër klubet më të suksesshme në aspektin financiar të kompeticionit.

    Që nga ardhja e trajnerit Diego Simeone dhe sezoni 2013/14, klubi bardhekuq ka arkëtuar rreth 935.6 milionë euro nga pjesëmarrjet në Champions League, falë 13 edicioneve radhazi në elitën evropiane.

    Edhe këtë sezon, Atlético ka gjeneruar rreth 75.15 milionë euro, shumë që pritet të rritet mbi 105 milionë euro pas përfshirjes së mekanizmit të ri të UEFA-s, të njohur si “shtylla e vlerës”, që kombinon të ardhurat televizive dhe koeficientin e klubeve.

    Të ardhurat e këtij sezoni janë ndarë në disa komponentë: pjesëmarrja në fazën e ligës, bonuset për fitore dhe barazime, pozicionimi në renditje, si dhe shpërblimet për kalimin e fazave deri në gjysmëfinale, ku Atlético u ndal nga Arsenal FC.

    Sipas llogaritjeve, vetëm nga fazat sportive klubi ka siguruar mbi 70 milionë euro, ndërsa pjesa më e madhe e rritjes pritet të vijë nga “shtylla e vlerës”, e cila shpërndan qindra miliona euro mes klubeve pjesëmarrëse.

    Në vitet e fundit, Atlético ka regjistruar të ardhura të qëndrueshme në Champions League, përfshirë 102.316 milionë euro në sezonin 2023/24, 98.079 milionë në 2021/22 dhe mbi 90 milionë në disa edicione të tjera, duke dëshmuar stabilitet të lartë financiar në garën më prestigjioze evropiane.

    Edhe pse trofeu i madh evropian vazhdon të mungojë, epoka e Simeones e ka kthyer Ligën e Kampionëve në një burim të fuqishëm financiar për klubin madrilen, duke e mbajtur atë vazhdimisht në elitën evropiane si në aspekt sportiv ashtu edhe ekonomik.

  • Tension në Madrid: Mbappé në qendër të kritikave mes sezonit zhgënjyes të Realit

    Tension në Madrid: Mbappé në qendër të kritikave mes sezonit zhgënjyes të Realit

    Karriera e Kylian Mbappé te Real Madrid CF nuk ka ecur sipas pritshmërive të shumë tifozëve, pavarësisht statistikave mbresëlënëse prej 85 golash në 100 paraqitje që nga transferimi i tij në “Santiago Bernabéu”.

    “Los Blancos” janë pranë një sezoni të dytë radhazi pa fituar La Liga apo UEFA Champions League, një situatë e konsideruar e papranueshme për një klub me historinë dhe pritshmëritë e Real Madridit.

    Mbappé aktualisht është jashtë fushave për shkak të një dëmtimi muskulor të pësuar në fund të prillit ndaj Real Betis, duke e bërë të pasigurt pjesëmarrjen e tij në El Clásico ndaj FC Barcelona, një ndeshje vendimtare për fatin e titullit.

    Polemikat u shtuan pas një udhëtimi të lojtarit në Sardenjë gjatë rikuperimit, ndonëse i miratuar nga klubi. Pamjet e tij në jaht gjatë kohës kur Real Madrid po luante ndaj RCD Espanyol ndezën reagime të forta nga tifozët.

    Trajneri Álvaro Arbeloa u përpoq të qetësonte situatën, duke theksuar se lojtarët në kohën e lirë kanë të drejtë të veprojnë si të duan.

    Megjithatë, klima e tensionuar u reflektua edhe në rrjete sociale, ku u përhap një peticion online që kërkonte largimin e Mbappé, duke mbledhur miliona nënshkrime në një kohë shumë të shkurtër, edhe pse shifrat nuk mund të verifikohen plotësisht.

    Sipas analistëve, përfshirë komentet e Guillem Balagué, debati rreth Mbappé shpesh tejkalon aspektin sportiv dhe ndikohet nga narrativa mediatike dhe pritshmëritë e larta në Madrid.

    Një tjetër pikë debati mbetet bashkëpunimi i tij me Vinícius Júnior, ku analistët theksojnë se ekuilibri taktik i skuadrës mund të jetë çelësi për suksesin e ardhshëm.

    Në këtë kontekst, një gjë mbetet e qartë: një sezon i tretë pa trofe do të ishte i papranueshëm si për klubin, ashtu edhe për tifozët e Real Madridit.

  • Dyshohet për ngacmim e detyrim, ish-këshilltarit të Kurtit i ndalohet që t’i afrohet hoxhës Fetahi dhe të dëmtuarit tjetër

    Dyshohet për ngacmim e detyrim, ish-këshilltarit të Kurtit i ndalohet që t’i afrohet hoxhës Fetahi dhe të dëmtuarit tjetër

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke ia caktuar Durim Berishës- ish-këshilltar i kryeministrit në detyrë Albin Kurti masën e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar- në këtë rast hoxhës Sami Fetahi dhe të dëmtuarit tjetër- Tefik Fetahi. Berisha dyshohet për veprat penale “Ngacmim” dhe “Detyrim”.

    Sipas vendimit, kjo masë do të zgjasë deri më 31 maj 2026, dhe se obligohet Berisha që në largësinë prej 100 metra të mos iu afrohet të dëmtuarve Sami Fetahi dhe Tefik Fetahi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Në rast të mosrespektimit të kësaj mase, e njëjta do të zëvendësohet me paraburgim. Kurse, Obligohet Stacioni Policor Veriu që ta mbikëqyrë respektimin e kësaj mase dhe ta njoftojë gjykatën lidhur me zbatimin e saj.

    “Nëse personat e mbrojtur me këtë masë qëllimisht cenojnë distancën të cilën të pandehurit detyrohen ta respektojnë, gjykata mund ta dënojë personin e mbrojtur me gjobë siç parashihet në nenin 443 të këtij Kodi”, thuhet në vendim.

    Në vendim thuhet se i dyshuari Durim Berisha është ndaluar më 2 maj 2026 nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Ngacmimi” dhe për “Detyrim”.

    Prokurori Paulin Pashku kishte kërkuar caktimin e masës se ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar dhe se edhe në seancë dëgjimore qëndroi pranë kësaj kërkese.

    Prokurori kishte arsyetuar se është plotësuar dyshimi i bazuar si kusht për caktimin e kësaj mase, me arsyetimin se në bazë të deklarimit të palës së dëmtuar dhe përmbajtjes së sms, ka rezultuar se i pandehuri në vazhdimësi iu ka dërguar të dëmtuarve mesazhe, e që kjo vërtetohet me shikimin e përmbajtjes së atyre mesazheve.

    Në vendim thuhet se edhe në deklarimin në Polici, i pandehuri nuk e ka mohuar faktin se ka dërguar sms dhe as kontaktet me tani të dëmtuarit, me të cilët ka thënë se është takuar 2-3 ditët e fundit të marsit 2026. Ka pohuar se ka kontaktuar Suhejb Fathain. Ndërsa, veprimet e tij, thuhet se i arsyetoi duke thënë se ka dashur t’i sqaronte problemet pronësore me të dëmtuarit.

    Më tej, thuhet se i pandehuri e ka pranuar se kishte planifikuar të takohej me Tefik Fetahin, andaj marrë parasysh mesazhin e dërguar, formohet dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprat penale për të cilat po hetohet.

    Sipas vendimit, i pandehuri është edhe dhëndër i të dëmtuarve, dhe se prokurori ka vlerësuar që caktimi i kësaj mase është në shërbim të parandalimit të të pandehurit që të fshehë, agjësojë apo ndryshojë provat e rastit, dhe parandalimi i ndikimit tek dëshmitarët apo tek të dëmtuarit, sidomos bazuar në përmbajtjen e sms-ve, ku i pandehuri në vazhdimësi i kanosë të dëmtuarit se do t’iu shkaktojë ndonjë të keqe.

    Edhe rrethanat, motivet dhe ambienti në të cilin dyshohet se janë kryer veprat penale, Prokuroria ka arsyetuar se tregojnë se raportet mes të pandehurit dhe të dëmtuarve janë të acaruara.

    Në vendimin e Gjykatës thuhet se i pandehuri Berisha nuk e ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë, duke premtuar se nuk do të kryejë kurrfarë vepre penale. Me kërkesën e Prokurorisë u pajtua edhe mbrojtësi i Berishës, avokati Ngadhnjim Makolli.

    Andaj, Gjykata pas analizimit të shkresave të lëndës, deklarimit të palëve, gjeti se është përmbushur kushti për caktimin e masës së ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar. Aty thuhet se në rast se i pandehuri gjendet në liri të plotë, mund të ndikojë në të dëmtuarit- të cilët i ka miq dhe ende nuk janë dëgjuar në këtë procedurë.

    Në rastin në fjalë, Gjykata theksoi se është cenuar dinjiteti i të dëmtuarve. Aty thuhet se të dëmtuarve iu dërguan mesazhe me përmbajtjen si: “Insani nuk t’merr seriozisht deri t’ja qitsh sytë duq. Masandej, o kuku çka ndodhi”, “Mulla s**i”, “imami që nuk len femër pa ngacmu”, “Zalloga i braktis gruan dhe fëmijët ndërsa hutbe të mban ders për trajtimin e gruas me respekt, QR sa plehu është sot imam”, “Gabimi më fatal është nënvlerësosh njeriun që ti vetë e shtyve deri në pikën kur pa mëshirë nuk të kursen më, kështu ke nënshkruar fundin tënd”, “Së shpejti në media, lajmi për imamin nga Prishtina që fëmijëve të tij nuk ua siguron ushqimin“, e të tjera.

    Me këto veprime, thuhet se i pandehuri tek të dëmtuarit ka shkaktuar shqetësim emocional, ndërsa me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete apo personin tjetër, përdorë kanosjen serioze ndaj të dëmtuarve Sami Fetahi dhe Tefik Fetahi, që të kryejnë veprim në dëm të pasurisë së tyre, ku fillimisht ua kërkon 1,150,000.00 euro e pastaj 690,000,00 euro, duke pretenduar se këto të holla i takojnë atij, me arsyetimin se i pandehuri kishte ndihmuar babain e të dëmtuarit Sami në shitjen e pronës dhe në parandalimin e shitjes së pronës nga dikush tjetër, me këtë rast u dërgon të dëmtuarve mesazhe me përmbajtje detyruese.

    Andaj, gjyqtari i procedurës paraprake Eroll Gashi ka vlerësuar se caktimi i masës së ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, është masë dekuate.

  • Kryenegociatori Bajrami për vrasjen e Fehmi Aganit: Ende askush s’është mbajtur përgjegjës, s’duhet të mohohet drejtësia

    Kryenegociatori Bajrami për vrasjen e Fehmi Aganit: Ende askush s’është mbajtur përgjegjës, s’duhet të mohohet drejtësia

    Kreu i ekipit negociator të Kosovës dhe ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, ka shkruar me rastin e përvjetorit të vrasjes së Fehmi Aganit.

    Bajrami thotë se Agani ka qenë arkitekti kryesor i rezistencës paqësore dhe se vrasja e tij nuk ishte e rastësishme, por një shënjestrim i qëllimshëm i një figure kyçe që kërkonte liri e pavarësi.

    “Deri më sot, asnjë person i vetëm nuk është mbajtur përgjegjës për vrasjen e tij.Nuk do ta harrojmë. Drejtësia e vonuar nuk duhet të bëhet kurrë drejtësi e mohuar”, ka shkruar Bajrami.

  • Arsenal planifikon paradë të mundshme feste në Islington më 31 maj

    Arsenal planifikon paradë të mundshme feste në Islington më 31 maj

    Arsenal FC po përgatit plane për një paradë të mundshme feste në Islington të dielën, më 31 maj, në rast se arrin të fitojë titullin në Premier League ose në UEFA Champions League këtë sezon, sipas raportimeve të mediave britanike.

    Festimet janë planifikuar paraprakisht të zhvillohen më pak se 24 orë pas finales evropiane, ku londinezët mund të përballen me Paris Saint-Germain ose Bayern Munich.

    Në rast se skuadra e drejtuar nga Mikel Arteta siguron titullin e Premier League në ndeshjen ndaj Crystal Palace më 24 maj, tifozët do të duhet të presin edhe një javë për paradën me autobus të hapur në veri të Londrës.

    Sipas planit paraprak, itinerari i paradës pritet të përfundojë në Islington Town Hall, ndërsa eventi mund të zhvillohet në orët e paradites ose rreth mesditës, megjithëse rruga përfundimtare ende nuk është konfirmuar.

    Klubi kishte hartuar një plan të ngjashëm festimesh edhe dy sezone më parë, kur humbi titullin në momentet e fundit ndaj Manchester City.

    Parada e mundshme e këtij viti vjen në një kalendar të ngjeshur për skuadrën, e cila pritet të kthehet nga Budapesti në orët e para të mëngjesit të 31 majit pas finales së Ligës së Kampionëve.

    Situata ndërlikohet edhe nga angazhimet ndërkombëtare, pasi përfaqësuesja e Anglisë, nën drejtimin e Thomas Tuchel, do të grumbullohet më 1 qershor përpara një udhëtimi në Shtetet e Bashkuara në kuadër të përgatitjeve për Kupën e Botës.