ATV

Blog

  • Milatoviq: Sa më shpejt të organizohen zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi

    Milatoviq: Sa më shpejt të organizohen zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi

    Presidenti i zgjedhur i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tha të mërkurën se zgjedhjet parlamentare duhet të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur, me pëlqimin e të gjitha partive.

    Presidenti aktual i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, i cili humbi nga Millatoviq në zgjedhje, bëri thirrje për zgjedhje të jashtëzakonshme, dy ditë para rundit të parë të zgjedhjeve presidenciale më 19 mars.

    I pyetur për të komentuar nismën e kryeministrit Dritan Abazoviq për anulimin e dekreteve të presidentit aktual Millo Gjukanoviq, Millatoviq tha se e ka parë atë, por se për momentin nuk mund të thotë asgjë për këtë.

    “Është e rëndësishme që Mali i Zi të ketë zgjedhje sa më shpejt që të jetë e mundur dhe kjo duhet të jetë me pëlqimin e të gjitha partive. Dëshiroj të ndërpres praktikën e Gjukanoviqit, e cila ishte në prag të keqpërdorimit të sistemit. Gjërat duhet të zgjidhen përmes dialogut”, u tha Millatoviq gazetarëve në Podgoricë, më 12 prill.

    Ai theksoi se është e nevojshme të respektohet dekreti që është në ligjërisht në fuqi dhe i referohet zgjedhjeve, transmeton Beta.

    “Gjykata Kushtetuese nuk ka sjellë një përfundim për atë dekret dhe unë si president, nga 21 maji, do të veproj në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën. Dekreti është në fuqi, kalendari zgjedhor ka nisur të rrjedhë, listat dorëzohen deri më 16 maj. Kjo është situata”, tha Millatoviq.

    Andrej Milloviq, një zyrtar i lartë i Lëvizjes “Evropa tani”, nënkryetar i së cilës është Millatoviq, tha se shumica e ekspertëve ligjorë pajtohen se presidenti i ri i zgjedhur nuk ka bazë ligjore për të rrëzuar vendimin e Gjukanoviqit për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare për datën 11 qershor.

    Gjykata Kushtetuese, pak ditë më parë, nuk vendosi për iniciativën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Gjukanoviqit për shpërndarjen e Kuvendit, sepse tre gjyqtarë votuan pro dhe tre kundër propozimit për refuzimin e nismës, me arsyetimin se kjo instancë gjyqësore nuk është kompetente për të vlerësuar kushtetutshmërinë e akteve juridike individuale.

    Më herët, deputetët e shumicës parlamentare, në nismën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të presidentit për shpërndarjen e Kuvendit, kërkuan që Gjykata, deri në marrjen e vendimit përfundimtar, të urdhërojë pezullimin e ekzekutimit të të gjitha akteve apo veprimeve individuale të bazuara mbi dekretin e presidentit.

    Abazoviq më pas ka theksuar një sërë akuzash kundër Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se gjyqtarët nuk duan ta mbrojnë rendin juridik.

  • Beteja për akuzat e Dick Marty në KiE, Shqipëria kërkon rrëzimin e raportit

    Beteja për akuzat e Dick Marty në KiE, Shqipëria kërkon rrëzimin e raportit

    Që prej gushtit të vitit të kaluar Shqipëria i ka kërkuar Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të rishikojë rezolutën 1782 të vitit 2011 të ish-senatorit zviceran Dick Marty.

    Qëllimi është shpallja si të pabazuara dhe rrëzimi i akuzave për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës.

    Për këtë, Tirana zyrtare ka arritur të mbledhë firmat në Asamblenë e Këshillit të Evropës me qëllim hartimin e një raporti vijues dhe një rezolute të re.

    Kryetarja e komisionit Parlamentar të ligjeve dhe njëherësh Anëtare në Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, Klotilda Bushka tregon se qeveria shqiptare nuk do të tërhiqet derisa ta fitojë këtë betejë.

    “Ne e kemi nisur këtë betejë për ta fituar, që do të thotë ne do të bëjmë gjithçka për të arritur qëllimin tonë final që të bëhet një raport vijues dhe faktet e vërteta të dalin në opinionin publik ashtu siç janë dhe të pranohet njëherë e mirë që nuk ka pasur trafik të organeve të qenieve njerëzore”, tha Bushka.

    Kryetarja e komisionit të ligjeve është e vetëdijshme se procedurat në asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës do të kërkojnë kohë.

    “Është një betejë, është shumë e vështirë sepse do të duhet të ketë votime të caktuara të cilat do të kërkojnë përpjekje shumë të madhe nga ana jonë për të pasur mbështetje. Janë procese që marrin kohën e tyre, nuk do të jetë një rrugë e lehtë as një rrugë e shkurtër”, u shpreh ajo.

    Raporti i Dick Marty në vitin 2011 shërbeu si bazë për ngritjen e Gjykatës së Posaçme në Hagë që do të hetonte krime të kryera gjatë luftës në Kosovë. Në raport flitet për trafik organesh të personave të burgosur nga UÇK, të kryer në territorin e Shqipërisë. Kjo akuzë, e paprovuar është kundërshtuar disa here nga qeveria shqiptare.

    Çështja e trafikut të organeve nuk është përfshirë si akuzë në asnjë nga proceset që po zhvillohen në Hagë kundër ish-krerëve të UÇK, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

  • Molliqaj kërkon ndihmë nga qytetarët, për ta paguar gjobën 20 mijë euroshe nga AIP-i

    Molliqaj kërkon ndihmë nga qytetarët, për ta paguar gjobën 20 mijë euroshe nga AIP-i

    Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka kërkuar ndihmë nga qytetarët pasi Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ia ka dënuar subjektin politik që e udhëheq me një shumë prej 20 mijë eurove.

    Shkak ishte bërë një aksion i PSD-së para Qeverisë së Kosovës, e sipas AIP-it, aty ka pasur “përpunim të kundërligjshëm të të dhënave personale”.

    Gjoba qe shqiptuar për rastin kur PSD-ja shpalosi në oborrin e Qeverisë peticionin e vitit 2015 kundër Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, me 205 mijë nënshkrime të qytetarëve.

    Kësisoj, Molliqaj shkroi të mërkurën në Facebook se “shteti i kapur nga Albin Kurti sot po përdoret për luftë speciale kundër opozitës”.

    “Agjensioni i Privatësisë që drejtohet nga një militante e VV-së, e dënoi PSD-në me 20 mijë euro gjobë, pa arsye, n’shpërputhje me ligjin dhe vetëm për shkak të presionit që i erdhi nga Qeveria. Qeverisë së Zajednicës, i paska penguar aq shumë që ia kemi shpalosur peticionin që po e shkelë”, shkroi ai në Facebook.

    Sipas tij, PSD-ka është subjekt me të hyra shumë të vogla financiare dhe “pa ndihmën tuaj nuk do të mund të paguajmë asnjë dënim dhe përmbaruesit privatë, të angazhuar nga Qeveria, do t’fillojnë me konfiskimin e çdo gjëje që i takon PSD-së”

    Prandaj, ai u bëri thirrje që qytetarëve që ta ndihmojnë përmes kontributeve financiare, për ta përballuar këtë dënim që ai e quan tërësisht të padrejtë e të jashtëligjshëm.

    “Ne do të bëjmë edhe padi gjyqësore kundër këtij dënimi, por ndërkohë konfiskimet përmbaruese do të fillojnë shumë shpejt. Të dhënat bankare të PSD-së: Emri: Partia Socialdemokrate Nr. i Xhirollogarisë: 1501090001041368 IBAN: XK05 Banka: Raiffeisen Bank Kosova Pershkrimi: Donacion + nr personal i donatorit”, shkroi ai në Facebook.

    “Si persona individual, ju mund të dhuroni jo më shumë se 2000 euro në vit si total, kurse si biznes, jo më shumë se 10,000 euro total për vit dhe jo më shumë se 1000 euro brenda ditës”, theksoi Molliqaj.

  • AGK e mirëpret arrestimin e tre personave për sulmin ndaj Valon Sylës

    AGK e mirëpret arrestimin e tre personave për sulmin ndaj Valon Sylës

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka mirëpritur arretimin e tre personave për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla.

    Njëherësh AGK-ja u ka bërë thirrje Prokurorisë dhe Gjykatës që konform ligjit të shqiptojnë dënimet e duhura.

    “AGK-ja, mirëpret veprimin e shpejtë të Policisë së Kosovës. Njëherësh, i bëjmë thirrje Prokurorisë dhe Gjykatës, që konform ligjit, të shqiptojnë dënimet e duhura për autorët e këtij sulmi në përputhje me sulmin e rëndë ndaj gazetarit, që cenon të drejtën themelore të një qytetari për lirinë e shprehjes”, thuhet në reagimin e AGK-së.

  • Kurti: Mundësohet lëvizja e lirë e qytetarëve në zonat ndërkufitare Kosovë-Shqipëri

    Kurti: Mundësohet lëvizja e lirë e qytetarëve në zonat ndërkufitare Kosovë-Shqipëri

    Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se Ministria e Brendshme e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Shqipërisë kanë nënshkruar Protokollin Zbatues të Marrëveshjes Qeveritare për Regjimin e Trafikut Lokal në Zonat Kufitare, duke mundësuar e jetësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve që banojnë në zonat kufitare, në 26 vendkalime të veçanta kufitare.

    “Prej ditës së sotme, mbi 200,000 shtetas të Kosovës dhe Shqipërisë që banojnë në zonat deri në 30 km nga kufiri tokësor kanë të drejtë të kalojnë kufirin lirshëm dhe të qëndrojnë në zonën kufitare, për arsye sociale, kulturore, familjare etj”, shkruan Kurti në Facebook.

    Ai po ashtu ka njoftuar se kjo marrëveshje thellon edhe më tej bashkupunimin tonë ndërshetëror dhe lehtëson ndërveprimim e qytetarëve në të dy anët e kufirit.

  • Dëshmitarja e parë në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve dëgjohet edhe sot

    Dëshmitarja e parë në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve dëgjohet edhe sot

    Dëshmitarja e parë e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), në gjykimin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), do të dëgjohet edhe sot në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara në Hagë.

    Të martën dhe të mërkurën ajo ka dëshmuar nën masa mbrojtëse dhe intervistimi i saj është bërë tërësisht në seancë të mbyllur për publikun.

    Pas përfundimit të pyetjeve të ZPS-së, dëshmitarja është përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi.

    Përveç Thaçit, në gjykatore në Hagë janë parë edhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi të cilët kanë marrë pjesë fizikisht në procesin gjyqësor ndaj tyre.

    Pas më shumë se dy vjet në paraburgim, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

    Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

    Ata po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

  • Vuçiq sot në Rashkë, takon serbët e Kosovës

    Vuçiq sot në Rashkë, takon serbët e Kosovës

    Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq sot në ora 12:00 në Qendrën e Kulturës në Rashkë do të takohet e përfaqësuesit politikë të serbëve nga Kosova.

    Siç njofton Zyra për Bashkëpunim me Media e Vuçiq, në takim do të marrin pjesë kryeministrja Ana Brnabiq dhe anëtarë të Qeverisë së Serbisë.

    Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, ka thënë sot se përfaqësuesit politikë të serbëve nga Kosova do të kenë takim me presidentin, kryeministrin dhe ministrat “do ta përcjellin qartë se si jetojnë serbët në Kosovë dhe Metohi”.

    “Edhe një herë do të paraqesim gjithçka që (kryeministri i Kosovës) Albin Kurti po bën me qëllim që t’ua pamundësojë jetën serbëve në Kosovë dhe Metohi, duke filluar nga arrestimet dhe akuzat, e duke përfunduar me tentativën e vrasjes së (Milan Jovanoviqit afër Urës së Bistricës),” ka akuzuar Simiq në televizionin Pink.

    Pjesëtarët e komunitetit serb nga veriu i Kosovës, më 12 prill, protestuan dhe kërkuan tërheqjen e njësive speciale të Kosovës nga ai rajon, pas plagosjes së një bashkëqytetari të tyre.

    Protesta është mbajtur në Zveçan, në rrugën kryesore, e cila nga banorët lokalë njihet me emrin “te ura e Bistricës”.

    Në atë vend është vendosur një njësi speciale e Policisë së Kosovës dhe më 10 prill, aty ka ndodhur një incident, ku ka mbetur i plagosur Milan Jovanoviq.

    Në protestë, serbët lokalë kanë iniciuar edhe një peticion për tërheqjen e forcave speciale të Kosovës.

    Policia e Kosovës, e cila fillimisht mohoi përfshirjen në incident, suspendoi katër policë që dyshohet se ishin të përfshirë në të shtënat.

    Ndërkohë, bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar hetim urgjent të rastit, ndërsa ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se hetimet e para kanë treguar se shoferi nuk është ndalur në sinjalin e policit, i cili më pas ka shtënë.

  • Arrestohet një person i dyshuar për veprën dhunim

    Arrestohet një person i dyshuar për veprën dhunim

    Hetuesit nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të rajonit të Prishtinës, të mërkurën kanë arrestuar një person të dyshuar për veprën dhunim.

    “Puna e hetuesve policor ka rezultuar me identifikimin e personit të dyshuar dhe arrestimin e tij. Personi i dyshuar: – E. B, mashkull 22 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, me vendim të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit, është dërguar në qendrën e mbajtjes”, njofton Policia e Kosovës.

  • Kërkesa për bankënota, në nivelin më të ulët për dy dekada

    Kërkesa për bankënota, në nivelin më të ulët për dy dekada

    Prodhuesi i bankënotave, De La Rue, ka njoftuar se kërkesa për shtypjen e tyre anembanë botës ka rënë në nivelin më të ulët në 20 vjetët e fundit.

    Kompania, që dizajnon një të tretën e bankënotave globale, ka treguar se kërkesa për kesh ka rënë që prej nisjes së pandemisë, kur bankat qendrore u rezervuan në monedha, raporton BBC , transmeton KlanKosova.tv.

    Ai tha se rënia do të godiste fitimet e saj për vitin e plotë, të cilat do të jenë nën pritje.

    Firma duhet të rinegociojë marrëveshjet e saj të huas me bankat e saj për shkak të kushteve më të ashpra të tregtimit.

    “Kërkesa për kartëmonedha ka qenë në nivelet më të ulëta për më shumë se 20 vjet, duke rezultuar në një libër me porosi të ulët që shkon në vitin fiskal 2024,” tha De La Rue në një përditësim tregtar.

  • Real Madridi shënon fitore në Bernabeu

    Real Madridi shënon fitore në Bernabeu

    Real Madridi e ka fituar përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve duke e mposhtur Chelsean në “Santiago Bernabeu” me rezultat 2-0.

    Nga një gol në secilën pjesë i mjaftuan skuadrës së Carlo Ancelotti për ta bërë një hap të madh drejt gjysmëfinales së këtij kompeticioni.

    Golin e parë e realizoi sulmuesi francez Karim Benzema në minutën e 22-të, për të shkuar në pushim me qetësi më të madhe.

    Pjesa e dytë nisi edhe më keq për Chelsean që mbeti me një lojtar më pak në fushë pasi në minutën e 59’ me karton të kuq u përjashtua Ben Chilwell.

    Epërsinë numerike vendasit e shfrytëzuan mjaftë mirë duke realizuar edhe golin e dytë përmes Marco Asension në minutën e 74’.

    Ndeshja e kthimit zhvillohet javën e ardhshme në “Stamford Bridge”.