ATV

Blog

  • Klopp: Liverpooli është klubi im

    Klopp: Liverpooli është klubi im

    Tërheqja nga gara për Jude Bellingham, dhe spekulimet se Jurgen Klopp është dakord 100% me këtë gjë, kanë nevrikosur tifozët e Liverpoolit të jenë të nevrikosur.

    Liverpooli që nga merkato e kaluar verore ka shprehur interesim në Bellingham, dhe besohej fuqishëm se “Të Kuqtë” do të provonin me gjithçka për ta transferuar yllin e Dortmundit, raporton KosovaPress.

    Por, gjasat që ky transferim të ndodh këtë verë thuajse janë shuar. Disa raportime bëjnë të ditur se Klopp nuk është i kënaqur me qasjen e pronarëve të klubit, dhe po e mendon largimin nga Liverpooli.

    Në konferencën e fundit për media, Kloppit iu tha se ai mund t’i bashkohej ndonjë klubi tjetër që mund të shpenzojë më shumë para, por që përgjigja e gjermanit do t’i gëzojë tejmase tifozët e Liverpoolit.

    “Po, por Liverpooli është klubi im. A po sugjeroni se unë duhet të heq dorë nga këtu dhe të pres për punën time të radhës? Unë nuk e di sinqerisht se çfarë doni nga unë. Ne duhet të bëjmë biznes në treg, dhe ne do ta bëjmë atë”, tha Klopp.

    Klopp arriti te Liverpooli më 8 tetor të vitit 2015, dhe përgjatë tetë viteve në klub ka arritur të fitojë të gjitha trofetë e mundshëm.

  • Digjen tri vetura në veri

    Digjen tri vetura në veri

    Shefi i stafit të Presidencës, Blerim Vela njoftoi se edhe tri vetura të tjera janë djegur në veri të vendit, herët në mëngjes.

    Vela përmes një postimi në Twitter tha se po targetohen qytetarët, për të cilët Serbia po konsideron se po bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës.

    “Vazhdon fushata kriminale e djegies së veturave në veri të Kosovës! Tre makina të tjera janë djegur sot herët në mëngjes. Strukturat ilegale të Serbisë tani po targetojnë serbët lokalë që ata konsiderojnë se po bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës. Çdo autor do të dalë para drejtësisë!”, ka shkruar Vela.

  • Krasniqi përkujton 24 vjetorin e masakrës në Sllovi të Lipjanit

    Krasniqi përkujton 24 vjetorin e masakrës në Sllovi të Lipjanit

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka përkujtuar 24 vjetorin e masakrën në Sllovi të Lipjanit, ku 45 civilë shqiptarë u masakruan nga forcat serbe.

    “Me dhembje kujtojmë 45 civilë shqiptarë, të cilët u masakruan mizorisht 24 vite më parë nga dora barabare serbe në Sllovi të Lipjanit”, ka shkruar Krasniqi.

    Kreu i PDK-së ka shtuar se së bashku me kolegë e bashkëpunëtorë kanë bërë homazhe te varrezat e martirëve në Sllovi.

    Krasniqi ka treguar se kanë bërë homazhe dhe në fshatin Tërboc pranë lapidarit të dëshmores Zylfije Gashi në përvjetorin e 24-të të rënies së saj.

    “Nderimet më të larta për martirët e Sllovisë, për të gjitha viktimat e gjenocidit serb në Kosovë dhe për dëshmorët, të cilët u flijuan për ditët e bardha të lirisë që i jetojmë sot. E përjetshme qoftë lavdia për ta!”, ka theksuar Memli Krasniqi.

  • Kryeministri Kurti takoi Kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami

    Kryeministri Kurti takoi Kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dje në Maqedoninë e Veriut u mirëprit nga Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, njëherësh Kryetari i Lëvizjes BESA.

    Në këtë takim në të cilin kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga këshilltari i tij për marrëdhënie me Maqedoninë e Veriut, Bekim Qoku dhe ambasadori i Republikës së Kosovës, Florian Qehaja, u diskutua për politikat dhe qeverisjen lokale, me theks të veçantë për rëndësinë dhe statusin e projektit të rrugës që lidh Prizrenin dhe Tetovën dhe për bashkëpunimin e komunave rreth malit Sharr, sidomos Tetovës dhe Prizrenin në sferën e turizmit.

    Kryeministri Kurti, dje ishte në Tetovë të Maqedonisë së Veriut për të marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore në nderim të jetës së dëshmorit, Alban Ajeti në përvjetorin e 24-të të rënies së tij, organizuar në amfiteatrin kryesor të Universitetit të Tetovës.

  • Bëri bujë të madhe se si u dashurua në 77 vjeçarin, Diola Dosti zbulon se kush është ai

    Bëri bujë të madhe se si u dashurua në 77 vjeçarin, Diola Dosti zbulon se kush është ai

    Nutricionistja dhe ish-banorja e “Big Brother Vip Albania”, Diola Dosti, ishte e ftuar të premten si mysafire speciale në “LIBERO”, për të shpalosur shumëçka sa i përket eksperiencës së saj në këtë reality show.

    Ajo në këtë emision sqaroi sërish një deklaratë të saj sa ishte brenda Big Brother se ishte e “dashuruar” në një 77-vjeçar.

    Në një bisedë me Dean, ajo i kishte thënë asaj se kishte rënë në dashuri me një 77-vjeçar.

    “Unë kam folur për një person që s’e kam takuar asnjëherë dhe është një person që ka qenë mentori i im. Ne kemi komunikuar vetëm online, ashtu siç kanë komunikuar siç e njohim është Bob Proctor, me të cilin ka komunikuar një botë e tërë. Ia dua trurin, se kur më thoshin vajzat si ka mundësi, unë iu thosha ‘o ia dua trurin’ Vërtetë është plan, por është kaq i zgjuar sa që ka lexuar kaq shumë. Kjo ishte e gjitha. Ishte një keq kuptim dhe më e bukura është se ai ishte 80 e ca vjeç, aty memoria e bën të veten dhe ia futa 77”, tregon Diola.

    Në fakt Diola i referohej një dashurie platonike, pasi personi për të cilin ajo po fliste është Bob Proctor, mentor dhe autor librash, shumë i njohur në botë.

    Bob Proctor

    Ai është një folës motivues, autor dhe sipërmarrës kanadez i njohur për ekspertizën e tij në fushat e suksesit, krijimit të pasurisë dhe zhvillimit personal. Bob Proctor është më i njohur për shfaqjen e tij në filmin popullor të vetë-ndihmës “The Secret” dhe autor i disa librave duke përfshirë “You Were Born Rich” dhe “The ABCs of Success”. Proctor gjithashtu ka themeluar Institutin “Proctor Gallagher”, i cili ofron programe zhvillimi personal dhe shërbime këshilluese për individë dhe biznese në të gjithë botën. Mësimet e Proctor nënkuptojnë fuqinë e mendjes dhe rëndësinë e ndërmarrjes së veprimeve për të arritur sukses dhe pasuri në të gjitha fushat e jetës. /atvlive.tv

    Për të shikuar intervistën e plotë të Diola Dosti, klikoni në linkun më poshtë:

  • “Beteja” e dytë mes Yllit dhe Pejës

    “Beteja” e dytë mes Yllit dhe Pejës

    Sonte me fillim nga ora 20:30 do të zhvillohet përballja e dytë mes KB Yllit dhe KB Pejës, ndeshje kjo e vlefshme për gjysmëfinalen e “PlayOff-it” të Superligës së Kosovës në basketboll.

    KB Peja e mori fitoren në ndeshjen e parë të zhvilluar, ku e mposhti KB Yllin në palestrën “Karagaçi” me rezultat të ngushtë 85:82, raporton KosovaPress.

    Kampioni aktual synon fitoren sot në palestrën “18 Qershori” në Suharekë, që ta barazoj serinë në 1:1 ndaj “Shqiponjave”.

  • “Njerëzit nuk vdesin kurrë, ashtu siç bima mbillet edhe njerëzit mbillen e transformohen”

    “Njerëzit nuk vdesin kurrë, ashtu siç bima mbillet edhe njerëzit mbillen e transformohen”

    Nutricionistja dhe ish-banorja e “Big Brother Vip Albania”, Diola Dosti, ishte e ftuar të premten si mysafire speciale në “LIBERO”, ku pos që shpalosi shumëçka sa i përket eksperiencës së saj në këtë reality show, ajo foli edhe për besimin e saj për jetën pas vdekjes.

    Diola tha se beson që njeriu nuk vdes asnjëherë, por trupi i tij transformohet.

    “Ne nuk vdesim asnjëherë, ne thjeshtë transformohemi. Energjia nuk humbet asnjëherë, ajo transformohet nga një formë në formën tjetër”, tha ajo.

    Për të shikuar intervistën e plotë të Diola Dosti, klikoni në linkun më poshtë:

  • Haradinaj: Të rënët janë dëshmi se sa e shtrenjtë është liria

    Haradinaj: Të rënët janë dëshmi se sa e shtrenjtë është liria

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kujtuar sot të rënët për liri në 24-vjetorin e Betejës e Zhegocit dhe martirët e rënë në Sllovi të Lipjanit.

    Haradinaj ka kujtuar edhe ngjarjet e kësaj dite në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë.

    “Armiku, për të shfryer egërsinë dhe mllefin e humbjeve në frontet e luftës, pikërisht gjatë Betejës së Zhegocit, do të sulmonte popullatën e paarmatosur në Sllovi të Lipjanit. Njëjtë do të pësonin edhe motrat e vëllezërit tonë në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë”, ka shkruar ndër të tjera Haradinaj.

    Postimi i plotë:

    Të rënët e tokës sonë janë dëshmi se sa e shtrenjtë është liria!Kujtojmë sot Betejën e Zhegocit, nderojmë kontributin e Zonës Operative të Karadakut – rezistencën, sakrificën dhe rënien e luftëtarëve më të zotë të saj!Armiku, për të shfryer egërsinë dhe mllefin e humbjeve në frontet e luftës, pikërisht gjatë Betejës së Zhegocit, do të sulmonte popullatën e paarmatosur në Sllovi të Lipjanit. Njëjtë do të pësonin edhe motrat e vëllezërit tonë në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë. Sot, çdo përpjekje e jona në ndërtimin e vendit, frymëzim ka heroizmin e luftëtarëve të lirisë dhe sakrificën e martirëve.Lavdi të gjithë martirëve dhe dëshmorëve të Kosovës!

  • Macron nënshkruan ligjin për reformën në pensione, pavarësisht protestave

    Macron nënshkruan ligjin për reformën në pensione, pavarësisht protestave

    Presidenti francez, Emmanuel Macron, e ka nënshkruar ligjin për reformën në pensione, duke sfiduar tre muaj protesta dhe zotimet e sindikatave se nuk do ta zbatojnë vendimin e ri.

    Ligji ka hyrë në fuqi menjëherë pas publikimit në Gazetën Zyrtare.

    Ky publikim është bërë disa orë pasi Këshilli Kushtetues i ka dhënë dritën jeshile fuqizimit të ligjit, i cili parasheh rritjen e moshës së pensionimit nga 62 në 64 vjeç.

    Beteja për të nënshkruar këtë ligj është kthyer në sfidën më të madhe për Macronin, përgjatë mandatit të tij të dytë si president.

    Kjo temë i ka kushtuar atij edhe me rënie të popullaritetit.

    Sondazhet kanë treguar se dy në tre franceze janë kundër vazhdimit të punës për dy vjet më shumë./REL/

  • ​Osmani priti kryeministrin Abazoviq, diskutime për zhvillimet e fundit

    ​Osmani priti kryeministrin Abazoviq, diskutime për zhvillimet e fundit

    Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq. Marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve janë vlerësuar të shkëlqyeshme, teksa të dy bashkëbiseduesit shprehën gatishmërinë për thellimin e tyre.

    Në këtë kontekst, Osmani ka përshëndetur marrëveshjen për shërbime ajrore të Kosovës dhe Malit të Zi, të nënshkruar dje.

    Sipas komunikatës së lëshuar nga Presidenca, Osmani ka theksuar se Kosova me Malin e Zi ndajnë pikëpamjet e njëjta mbi rëndësinë e integrimit euroatlantik të shteteve të rajonit si garanci për paqe e prosperitet në rajon.

    Sipas presidentes Osmani, Mali i Zi është shtet mik dhe partner i Kosovës, ndaj ka shfaqur besimin se do ta mbështesë Kosovën edhe më tej në përpjekjen për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar duke përfshirë anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, për të cilën gjë ka marrë mbështetjen e kryeministrit Abazoviq.

    Në takim u tha se është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon dhe dialogun me Serbinë.

    Presidentja Osmani ka potencuar se Marrëveshja e Brukselit, e trajton Kosovën dhe Serbinë si palë të barabarta në kontekstin e raporteve ndërshtetërore, megjithëse ka theksuar se Serbia po vazhdon me obstruksione sa i përket zbatimit të marrëveshjes së arritur.

    Pavarësisht kësaj, presidentja Osmani theksoi se Kosova do të vazhdojë të koordinohet me aleatët ndërkombëtarë rreth zbatimit të marrëveshjes dhe se është e përkushtuar për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm.

    Ndër të tjera, në takim, nga të dy palët u tha se komuniteti shqiptar në Mal të Zi dhe ai malazez në Kosovë janë urë e fuqishme lidhëse ndërmjet të dy shteteve.

    Presidentja Osmani dhe kryeministri Abazoviq diskutuan edhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e shkëmbimit ekonomik, tregtar, turizëm, arsim dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.