ATV

Blog

  • Perëndimi i trishtë i një ylli Hollywood-i

    Perëndimi i trishtë i një ylli Hollywood-i

    Jack Nicholson u fotografua për herë të parë në 18 muaj, në ballkonin e kompleksit të tij famëkeq në Mullholland Drive në Beverly Hills.

    Pamja e çrregullt e tri herë fituesit të Oskarit vjen pas raportimeve të shumta që sugjeronin se miqtë e tij ishin mjaft të shqetësuar se ai do të vdiste vetëm, në një mënyrë të ngjashme me ish-fqinjin e tij dhe legjendën e filmit, Marlon Brando.

    Nicholson, 85 vjeç, është ndoshta beqari më i famshëm i “La La Land”, romanca e tij më e famshme me Angelica Houston përfundoi pothuajse 25 vjet më parë.

    Ai u pa për herë të fundit në tetor 2021 duke u ulur me djalin e tij Ray pranë fushës së basketbollit dhe duke parë LA Lakers-at e tij të dashur. Ray, 31 vjeç, është një nga njerëzit e paktë me të cilin Nicholson është ende në kontakt.

    “Ai ua ka bërë shumë të qartë të gjithëve se shtëpia e tij është kështjella e tij. Por njerëzit thjesht duan që ai të dalë nga shtëpia dhe të shfaqet diku për t’u treguar se si po kalon,” tha një mik i paidentifikuar për Radar Online në janar, transmeton tesheshi.com.

    Paraqitja e tij e fundit në ekran ishte në filmin pak të njohur të vitit 2010, “How Do You Know”, duke luajtur së bashku me Owen Wilson dhe Reese Witherspoon.

    Për vite me radhë, Jack i ka shmangur thashethemet se ai është tërhequr nga aktrimi sepse po lufton me demencën dhe nuk i mban mend linjat e tij.

    Në janar, një mik i tij i paidentifikuar i tha Radarit se ndërsa Nicholson është fizikisht i aftë, “mendja e tij nuk është e njëjtë”. Por menjëherë pasi u shfaqën historitë e demencës, ish-spikeri i Fox News, Bill O’Reilly tha gjatë një episodi të emisionit të tij “No Spin News” se raportet për përkeqësimin e shëndetit mendor të Nicholson ishin të rreme.

    “Kam vizituar Jack Nicholson disa muaj më parë. Kam pasur një bisedë të gjatë me të dhe ai po ndiqte nga afër “No Spin News” dhe kishte të gjitha llojet e pyetjeve të zgjuara për mua,” tha O’Reilly. “Kam qenë mik me të për dekada. 85 vjeç, por është më i aftë intelektualisht se presidenti i Shteteve të Bashkuara.”

    Nicholson ka gjashtë fëmijë me pesë gra të ndryshme.

  • Ukraina në pritje të sistemit raketor nga Amerika

    Ukraina në pritje të sistemit raketor nga Amerika

    Një grup prej 65 ushtarëve ukrainas ka përfunduar trajnimin në Frot Sill, bazë amerikane në Oklahoma dhe është kthyer në Evropë për të mësuar më shumë rreth përdorimit të sistemit mbrojtës për rrëzimin e aeroplanëve të armikut.

    Numri i të vdekurve nga sulmet me raketa në lindje të Ukrainas është ngritur në 11 të shtunën, teksa ekipet e shpëtimit kanë bërë përpjekje për t’i nxjerrë të mbijetuarit nga rrënojat.

    Forcat ajrore të Ukrainës kanë thënë se shteti shumë shpejt do t’i ketë armët me të cilat do t’i parandalojë sulmet si ato të së premtes. Pritej që pas Pashkëve, Ukraina të merrte sistemin ajror të mbrojtjes “Patriot”, që iu premtua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Ukraina ortodokse është përgatitur për pashkët të dielën. Forcat ukrainase kanë refuzuar të tregojnë për ditën e saktë të arritjes së sistemit raketor nga SHBA-ja, por kanë thënë se do të merret vesh sapo të rrëzohet aeroplani i parë i Rusisë.

    Një grup prej 65 ushtarëve ukrainas ka përfunduar trajnimin në Frot Sill, bazë amerikane në Oklahoma dhe është kthyer në Evropë për të mësuar më shumë rreth përdorimit të sistemit mbrojtës për rrëzimin e aeroplanëve të armikut.

    Zyrtarët një muaj më parë kanë thënë se ukrainasit do të ktheheshin në vendlindje me sistemin “Patriot” që zakonisht përfshin gjashtë lansues raketash, radarin mobil, gjeneratorin dhe qendrën e kontrollit.

    Gjermania dhe Holanda kanë premtuar se do ta dhurojnë sistemin “Patriot” për Ukrainën. Ndërkaq, Franca dhe Italia kanë premtuar sistemin antiraketor SAMP/T.

    Ushtria ukrainase po kërkon të forcohet për t’i rrëzuar raketat ruse teksa po përgatitet për kundërofensivën e pritshme pranverore për t’i rimarrë zonat e pushtuara nga Rusia. Edhe pse më shumë se një viti luftimesh kanë varfëruar furnizimet me armë nga të dyja palët, forcat ruse kanë intensifikuar fushatën e tyre 8 muaj e gjysmë për ta pushtuar qytetin e Bakhmutit, fokusi i betejës më të gjatë të luftës deri më tani.

    Bakhmut dhe Sloviansk ndodhen rreth 45 kilometra larg njëra-tjetrës në provincën Donetsk në lindje të Ukrainës.

    Sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave, ekipet e shpëtimit në Sloviansk gjetën trupat e dy personave nën rrënojat e një shtëpie të goditur në sulmet me raketa të së premtes. Ata kërkuan gjithashtu të shtunën për pesë persona që mbetën në rrënojat e ndërtesës së banesës, si dhe banorët e tre njësive që u raportuan të zhdukur, tha Vadym Liakh, kreu i Qeverisë lokale.

    Një ligj i ri i nënshkruar nga presidenti rus, Vladimir Putin, të premten që lejon zyrat ushtarake të dërgojnë ftesat për ushtri në mënyrë elektronike në vend që t’i dorëzojnë ato personalisht është pjesë e përgatitjes së Rusisë për luftë të zgjatur në Ukrainë, ka njoftuar Ministria britanike e Mbrojtjes në përditësimin e së shtunës.

    Sipas Inteligjencës britanike, një “regjistër i unifikuar i individëve të kualifikuar për shërbimin ushtarak” do të lidhet në mënyrë digjitale me shërbime të tjera qeveritare, duke i lejuar autoritetet ruse të “ndëshkojnë ata që shmangin ftesat duke kufizuar automatikisht të drejtat e punësimit dhe duke kufizuar udhëtimet jashtë vendit”.

  • Tetë ditë nga zgjedhjet në veri, KQZ publikon fletëvotimet

    Tetë ditë nga zgjedhjet në veri, KQZ publikon fletëvotimet

    Të dielën e 23 prillit, do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore: Mitrovicë e Veritu, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

    Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është bërë tashmë gati për këto zgjedhje.

    Në kuadër të përgatitjeve për organizimin e këtyre zgjedhjeve, dje KQZ-ja miratoi listen e qendrave të votimit për zgjedhjet e 23 prillit.

    Sipas vendimit të KQZ-së, numri i përgjithshëm i qendrave të votimit në këto katër komuna është 19 me gjithsej 34 vendvotime, prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi janë alternative me gjithsej 28 vendvotime.

    Lista e qendrave të votimit është përgatitur në bashkëpunim dhe koordinim me organet e sigurisë.

    Ndërkaq pak më herët, KQZ publikou edhe fletëvotimet për këto zgjedhje.

    Në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok do të mbahen zgjedhjet për kryetar komune.

    Teksa në Zveçan dhe Leposaviq do të zgjedhen edhe kuvendet komunale.

  • 49 raste aktive me COVID-19 në Kosovë

    49 raste aktive me COVID-19 në Kosovë

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës bën të ditur se në vend aktive me COVID-19 janë 49 raste.

    Në njoftimin e lëshuar në rrjetin social Facebook, thuhet se në 24 orët e kaluara janë shënuar shtate raste të reja, duke e dërguar numrin e përgjithshëm të të prekurve në 273,824.

    Nga COVID-19 në vend deri tani kanë vdekur 3,215 persona, si dhe janë shëruar 270,560 qytetarë.

  • Ekonomistët drejtojnë gishtin kah qeveria: S’e ka prioritet zhvillimin ekonomik

    Ekonomistët drejtojnë gishtin kah qeveria: S’e ka prioritet zhvillimin ekonomik

    Ekonomia vendëse ka marrë një goditje të madhe për shkak të ndaljes së investimeve kapitale. Sipas një raporti të Institutit GAP, thuhet se Qeveria e Kosovës performon dobët sa i përket realizimit të investimeve kapitale.

    E në lidhje me këtë, kanë folur kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahinin dhe ish-ministri i Financave, Haki Shatri.

    Shatri e Shahini thonë se Qeveria e Kosovës nuk e ka prioritet zhvillimin ekonomik.

    Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, thotë se Qeveria Kurti nuk ka treguar përkushtim në tejkalimin e krizës ekonomike. Sipas tij, Qeveria nuk po e respekton Ligjin për Buxhetin, pasi thotë se investimet kanë rënë shumë.

    “Kjo Qeveri në aspekt të zhvillimit ekonomik, nuk ka treguar asnjë përkushtim dhe nuk ka marrë asnjë veprim për ta tejkaluar këto dhe me nxit zhvillimin ekonomik. Në anën tjetër i ka marrë disa veprime nga mjetet që i ka marrë nga qytetarët, duke i kthyer në forma të ndihmave dhe me këtë formë po mendojnë se e kanë larë ‘borxhin’ ndaj qytetarëve. Ato janë mjete të qytetarëve që u kanë marrë në formë të TVSh-së dhe taksave të ndryshme”, u shpreh Shatri, teksa thotë se ekzekutivi e ka lënë anash zhvillimin ekonomik, duke u marrë me fusha tjera.

    “Ligji për buxhetin nuk po respektohet nga Qeveria. Vetë e aprovon, e propozon dhe e përgatit dhe nuk i realizon vetë. Për të qenë më konkret dhe për të treguar përse jam i shqetësuar me veprimet e kësaj qeverie që e ka lënë anash zhvillimin ekonomik. Për sferën e ekonomisë në vitin 2020, janë shpenzuar 20 për qind të buxhetit në të gjitha fushat, pra mjetet që kanë shkuar në zhvillim ekonomik. Menjëherë në vitin 2021, kjo shumë ka rënë në 15 për qind dhe ka vazhduar në vitin 2022 në 15 për qind. Pra të gjitha sferat tjera janë mbështetur e zhvillimi ekonomik është lënë anash”, u shpreh tutje Shatri.

    Kritika në ulje të investimeve kapitale ka edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini.

    Ai thotë se mbajtja e këtyre mjeteve të dedikuara për investime kapitale, e dëmton zhvillimin ekonomik.

    Investimet kapitale, Shahini i ndërlidh me gjendjen ekonomike, pasi thotë se me këtë kompanitë do të përformonin më mirë.

    “Realisht mbetjet e rezervave të parave të pashfrytëzuara që janë rreth 760 milionë euro tregon se investimet kapitale kanë ngecur dhe kjo është tepër e dëmshme për zhvillimin ekonomik, për arsye se kur nuk ka investime kapitale, vjen pikërisht edhe rënia ekonomike dhe na është lidhur kjo, nga 2021 në 2022, ku kemi një rënie drastike nga 10. 7 për qind në 3, në mungesë të investimeve kapitale dhe në mungesë të investimeve të huaja. Sepse rritja që ka ndodhur i dedikohet konsumit dhe eksporteve. Sikur ne të kishim investime më shumë, me siguri që gjendja ekonomike e qytetarëve dhe bizneseve do të ishte shumë më mirë”.

    E si pasojë e mosfutjes në qarkullim të mbi 700 milionë euro, Shahini thotë se Kosova i ka humbur rreth 1 miliard euro.

    “Është ndalë investimi, e në anën tjetër është rrit zhvleftësimi i parasë dhe një para që mbetet e pashfrytëzuar, ajo është e dëmshme dhe i sjellë gjithmonë shtetit rrezik. Duke u nisur edhe nga një fakt që në vitin e kaluar ne i kemi humbur 118 milionë euro të Trustit Pensional, në mungesë të Bordit, po ashtu sot kemi Bankën Botërore pa guvernator që aty duhet të merren vendime të shpejta. Mjetet që buxheti i Kosovës i ka, duhet që sa më shpejt t’i fusë në funksion, sepse me hyrjen e këtyre mjeteve në funksion, Kosova mund që nga 700 milionë euro që janë rezervë, Kosova mund të përfitojë 1 miliard në qarkullim. Rreth 1 mijë kompani do të mund të merrnin punë publike, të cilat janë ndalë të gjitha punimet në rrugët nacionale”, thotë Shahini.

  • 24 vjet nga eksodi i shqiptarëve nga Kosova

    24 vjet nga eksodi i shqiptarëve nga Kosova

    24 vite më parë rreth një milion shqiptarë të Kosovës po gjenin strehimin në tokat e vëllezërve shqiptarë si shkak i dëbimit kur përgjatë luftës 1998-1999, rreth një milion shqiptarë ishin detyruar të shpërnguleshin nga shtëpitë e tyre me dhunë drejt vendeve fqinjë si Shqipëria e Maqedonia nga forcat paramilitare serbe.

    Në mesin e tyre kishte fëmijë, gra dhe të moshuar, të dhunuar, të torturuar dhe të masakruar. Në çdo përvjetor të eksodit të vitit 1999, që mori përmasa biblike, në Kukës përkujtohet kjo dramë vuajtjesh nga më të tmerrshmet që kanë përjetuar njerëzit e kësaj toke.

    Me datë 27 mars, në Vërmicë/Morinë kalojnë 187 refugjatët e parë nga Kosova të cilët ishin në gjendje të mjerueshme fizike dhe mendore dhe të plagosur me mjete të forta.Menjëherë u bë transportimin e tyre me mjete të transportit civil dhe ushtrisë nga Drejtuesit e Prefekturës së Kukësit. Ata ishin kryesisht banorë të fshatrave të Prizrenit, Krushë e Madhe dhe Zym. Si fillim këto refugjatë u strehuan në pallatin e kulturës “Hasan Prishtina”. Për të vazhduar kështu me mijëra të tjerë që arritën në tokën e shpëtimit, për të cilët u sigurua vendbanimi, ushqimi e kujdesi shëndetësor.

    Por përpos Shqipërisë e Maqedonisë, mijëra shqiptarë të tjerë u nisën edhe drejt kufirit me Malin e Zi, e ndërsa qindra të tjera kishin lënë shtëpitë e tyre për të gjetur strehim maleve të Kosovës.

    Pikërisht në Kukës data 16 prill shënohet Dita e Eksodit, shenjë falënderimi dhe respekti për të gjithë ata që hapen dyert për të pritur vëllezërit e tyre shqiptarë nga Kosova.

    Në nder të kësaj çdo vit organizohet aktivitete të ndryshme e madje edhe ndër vite janë ngritur edhe simbolika të tjera si Obelisku e cila po ashtu simbolizon falënderimin ndaj popullit shqiptarë po ashtu në Qendrën Përkujtimore “Bllaca ‘99” në Han të Elezit qëndron monumenti “Muri i Kujtesës” si dhe parku “Hasan Prishtina” dhe Monumenti “Muri i Kujtesës” është një mozaik që simbolizon sakrificën e nënës shqiptare.

    Në Kukës përgjatë asaj kohe u strehuan, rreth një milion refugjatë kosovarë, kurse për nder të këtij kontributi në vitin 2000, Kukësi ishte vend kandidat për çmimin “Nobël për Paqe”. /atvlive.tv

  • Abazoviq: Marrëveshja ime me Kishën Ortodokse Serbe, model për Kosovën

    Abazoviq: Marrëveshja ime me Kishën Ortodokse Serbe, model për Kosovën

    Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka mohuar se marrëveshjen e arritur mes tij dhe Kishës Ortodokse Serbe e rrëzoi atë nga posti i kryeministrit.

    Abazoviq tha se absolutisht i qëndron papa marrëveshjes më Kishën Ortodokse Serbe.

    “Ka shkuar Gjukanoviqi e jo unë”, tha ai.

    “Nuk mund të lëvizini gjërat pa dashur të lëvizni nga zona e rehatisë”, tha Abazoviq në intervistën për RTK.

    Ai tha se ka ardhur në postin e kryeministrit për të marr vendime të vështira dhe se është krenar për aq sa ka bërë.

    “Edhe ju do ta keni më të lehtë të ecët përpara sepse të drejtën që e kërkoni për vete, duhet dhënë edhe të tjerëve”, tha ai. “Kështu e shoh politikën”.

    Abazoviq u shpreh se kjo marrëveshje e tij me Kishën Ortodokse Serbe, është model të cilin edhe Kosova mund ta zbatojë pa asnjë telashe.

    “Kur të relaksohet populli, vetëm përfitohet”.

    Abazoviq tha se me atë marrëveshje i është hequr problemi pasardhësit të tij në këtë post.

    “Nuk them në mënyrë të njëjtë, por si model mund ta ketë edhe Kosova atë marrëveshje me Kishën Ortodokse”.

    Sa i përket zgjedhjeve të ardhshme në Mal të Zi ai tha se nuk duhet tepruar me ambicie politike.

    “Ajo që ishte në platformën tonë është realizuar. Partia ime nuk ka marrë shumë vende në parlament, por tani mbi 90% të partive në Mal të Zi e kanë marrë agjendën e partisë së URA-s”.

    Abazoviq foli për projektet për ndërtimin e rrugëve Kosovë-Mal i Zi, si ajo Plavë-Deçan.

    Sa për turizëm, tha se Ulqini është i gatshëm të presë kosovarët dhe se tanimë shumë gjëra janë rregulluar, ndonëse e pranoi se tashmë qyteti bregdetar nuk është më destinacion i lirë pushimesh.

    Ai tha se ndërtimi i urës që do të lidhë Ulqinin me Velipojën në Shqipëri, do të ndihmojë e lehtësojë edhe më shumë qarkullimin.

  • Hajdari lavdërohet për investimet e huaja: Ndikoi sistemi i favorshëm tatimor

    Hajdari lavdërohet për investimet e huaja: Ndikoi sistemi i favorshëm tatimor

    Mbi 1800 biznese të huaja janë regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve nga viti 2021 deri në fund të vitit të kaluar. Këtë e ka bërë të ditur ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

    Hajdari ka thënë se investimet e huaja kanë investuar në sektorë të ndryshëm, me theks të veçantë në prodhimtari dhe në përpunim.

    Në një intervistë për EO, Hajdari ka thënë se bizneset e huaja janë të interesuar ta shfrytëzojnë potencialin gjeografik të Kosovës dhe sistemin e favorshëm tatimor.

    “Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK), kemi të regjistruar nga viti 2021 deri në fund të vitit 2022, janë afër 1873 biznese të huaja, pra me origjinë të vendeve të huaja të regjistruara në Kosovë, në sektorë të ndryshëm, ku përfshihet edhe numri i 150 bizneseve konkretisht në sektorin industrial prodhim, dhe sektorë të tjerë që e përfshijnë fushat e veprimtarive të ndryshme”, ka thënë Hajdari.

    “Është e rëndësishme të përmendet rritja e investimeve në sektorë industrial të ndryshëm, në prodhimtari dhe në përpunim, ku Kosova kuptohet si një vend me potencial me afër bregut ku shumë biznese kanë probleme me tregti në vendet e largëta dhe tani për bizneset sidomos nga Evropa është e rëndësisë së lartë për ta shfrytëzuar potencialin gjeografik, potencialin e resurseve njëri, sistemin tatimor të favorshëm, ligjet që janë në harmoni me Bashkimin Evropian, por edhe infrastrukturën e Kosovës”, ka thënë tutje ajo.

    Investime tjera, Hajdari thotë se pret pas miratimit të Ligjit për Investime Strategjike, i cili është miratuar në Kuvendin e Kosovës.

    “Këtë rast unë pres edhe më shumë investime tash me Ligjin e ri për Investime, pra me politikën industriale, Ligjin për Parqe Industriale e ku do të ketë një trajtim më të barabartë, më thjeshtësim të procedurave dhe me lehtësira për të bërë biznes në Kosovë”, u shpreh ajo.

    Lehtësirë tjetër sipas Hajdarit, është edhe miratimi i Ligjit për Parqet Industriale, e cila sipas saj e trajton investitorin e huaj si të barabartë me atë të Kosovës.

    “Ne veçse kemi kontakte me bizneset nga Evropa që po na kontaktojnë, por që janë të sfiduar me marrjen e tokës, sepse duhet që procedurat të kryhen nga komunat. Pra tash Ligji për Parqet Industriale do ta lehtësojë investitorin që të ketë edhe negocimin direkt me Qeverinë kur është partner strategjik por do të ketë mundësinë tjetër që Ligji për Parqet Industriale që biznesi që vendoset në Kosovë të trajtohet barabartë qoftë partnerë i huaj apo vendor, dhe ta deklarojë si hipotekë fabrikën në të cilën e ndërton në zonën industriale, pra jo të mbetet si koleteral i pashfrytëzuar sa i përket marrjes së fondeve shtesë”, ka thënë ajo.

    Krahas sektorit në prodhimtari e në përpunim, Hajdari thotë se bizneset e huaja janë të interesuara të investojnë edhe në fushën e energjisë së ripërtrishme dhe të shërbimeve.

    “Kryesisht që vijnë në Ministrinë tonë, janë në fushën e energjisë së ripërtrishme, janë në fushën e prodhimit dhe përpunimit, por edhe në fushën e shërbimeve. Vlen të përmendet prodhimi i përpunimit të industrisë së metaleve, që është në interes të lartë nga bizneset evropiane që të vendosën në Kosovë”, u shpreh Hajdari, teksa përmendi edhe investimin potencial të Kompanisë “Munda”, e cila merret me zhvillimin dhe prodhimin e tapicerive dhe tekstileve për industrinë e automobileve. Tha se kjo e fundit është regjistruar tashmë edhe në ARBK.

    “Prodhimet mekanike, inxhinierike, pastaj janë prodhimet e automobilave që po vijnë në Kosovë. E kemi kompaninë e fundit të regjistruar në ARBK ‘Munda’, e cila do të fillojë me tekstilin e sistemit LED për automobilat që prodhohen në Japoni apo në Kinë”, thotë Hajdari.

  • 24-vjetori i rënies heroike të Shkëlzen Haradinajt

    24-vjetori i rënies heroike të Shkëlzen Haradinajt

    Sot shënohet 24-vjetori i rënies së luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjeneral Shkëlzen Haradinaj, i cili ishte komandant për Operacione Luftarake i Zonës Operative të Dukagjinit dhe tre eprorët e lartë të Brigadës 131 ”Jusuf Gërvalla”, Hasim Halilaj, Fatmir Nimanaj dhe Luan Nimanaj, të rënë në betejën e Maznikut.

    Shkëlzen Haradinaj u lind më 25 mars 1970 në Gllogjan dhe konsiderohet si njëri ndër figurat kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sinonim i shumë betejave të Dukagjinit.

    Rënia e Shkelzenit, që kishte bërë gjashtë vjet luftë pa kompromis, ishte një humbje e madhe për UÇK-në, familjen dhe mbarë popullin shqiptar.

    Shkëlzen Haradinaj është vëllai i gjeneral Luan Haradinajt, i cili kishte rënë më 6 maj të vitit 1997 në kufirin shqiptaro-shqiptare, deri sa me një grup bashkëluftëtarësh po hynin në Kosovë.

    Shkëlzen Haradinaj ishte dekoruar nga presidentja Atifete Jahjaga me urdhrin “Hero i Kosovës” me motivacionin “për trimërinë e treguar gjatë luftës çlirimtare për liri dhe pavarësi”.

  • Në Kaçanik, iftari pritet me tupana – Kjo është arsyeja

    Në Kaçanik, iftari pritet me tupana – Kjo është arsyeja

    Ramazani ka rëndësi të veçantë për besimtarët e fesë myslimane. Ky muaj konsiderohet muaj i bekuar dhe i tillë është edhe për Naim Sopin, tavanxhiun nga Kaçaniku, i cili i informon qytetarët për kohën e iftarit.

    “Kjo është tradita e jonë që na kënaqë zemrat, këtë iftar inshalla Allahu ua bën kabull të gjithëve”, thotë për ATV-në, tavanxhiu kaçanikas.

    Ai thotë se i bie tupanit për Ramazan për t’i njoftuar qytetarët për kohën e iftarit tash e 20 vite.

    “Kjo është një traditë dhe unë nuk kam dashur me e lanë këtë traditë. Para lufte ka pasur edhe tavanxhinj të tjerë. Tash jam unë këtu në Kaçanik që i bie tupanit, katër pika i kam ku e bëjë këtë”, thotë Sopi. /atvlive.tv