ATV

Blog

  • Ambasadori francez sqaron se si u hoqën vizat për Kosovën

    Ambasadori francez sqaron se si u hoqën vizat për Kosovën

    Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka bërë një reagim pasi Parlamenti Evropian vendosi miratimin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

    Ai përmes një cicërime në Twitter përmendi masat që Qeveria e Kosovës i ka marrë për te ardhur deri në këtë proces.

    “Rezultat shumë i bukur për qytetarët e Kosovës falë masave të marra nga qeveria e Kosovës”, shkroi ai.

    “Pikërisht në bazë të kësaj pune presidenti Macron njoftoi marrëveshjen tonë verën e kaluar”, shtoi diplomati francez.

    Nga 1 janari i vitit 2024, qytetarët Kosovës mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.

  • Kush do t’i paguajë dëmshpërblimet që i kërkon Specialja?

    Kush do t’i paguajë dëmshpërblimet që i kërkon Specialja?

    Qeveria e Kosovës nuk duket se ka ndonjë plan konkret për kompensimin e mundshëm të viktimave në rastin e Salih Mustafës, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i dënuar për krime lufte në Kosovë nga Gjykata Speciale në Hagë.

    Kjo gjykatë, përmes një vendimi të marrë më 6 prill, e urdhëroi Mustafën që të paguajë 207 mijë euro në emër të kompensimit të dëmeve për tetë viktima nga ky proces.

    Megjithatë, gjatë shpalljes së vendimit u bë e ditur se Mustafa ka deklaruar se nuk posedon mjete për të paguar zhdëmtimin.

    I gjendur në këtë situatë, trupi gjykues në Gjykatën Speciale theksoi nevojën “për përfshirjen e aktorëve të tjerë për zbatimin e Urdhrit për Zhdëmtim, sidomos Kosovën”.

    REL-i pyeti më 18 prill Gjykatën Speciale nëse ka marrë ndonjë përgjigje nga Qeveria e Kosovës, në lidhje me vendimin e saj për zhdëmtimin e viktimave, por zyrtarë të saj mohuan se kanë pranuar ndonjë informacion.

    Si parashihet zhdëmtimi i viktimave brenda Gjykatës Speciale?

    Gjykata Speciale është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.

    Atje gjykohen krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

    Në ligjin, përmes të cilit është krijuar kjo gjykatë, parashihet që viktimat e konstatuara të krimeve brenda juridiksionit të kësaj gjykate, ta kenë të drejtën e zhdëmtimit.

    Ligji parasheh që gjykata mund të shpallë urdhër të drejtpërdrejtë për zhdëmtim apo, në disa raste, t’i udhëzojë viktimat që të ngrenë padi civile në gjykatat tjera të Kosovës.

    Në rastin e Salih Mustafës, gjykata dha urdhër të drejtpërdrejtë për zhdëmtimin e viktimave.

    A mund ta paguajë buxheti i Kosovës zhdëmtimin e viktimave të Mustafës?
    Sipas legjislacionit aktual, mundësia e kompensimit të plotë të këtyre viktimave nga buxheti i Kosovës është e vogël.

    Kjo, për shkak se gjatë hartimit të ligjeve, me të cilat është themeluar Gjykata Speciale, nuk është paraparë ndonjë fond i veçantë për t’i kompensuar viktimat e mundshme që dalin nga ky proces.

    Radio Evropa e Lirë pyeti Ministrinë e Drejtësisë në Kosovë në lidhje me atë se si mund të bëhet kompensimi i këtyre viktimave dhe në përgjigjen e marrë me shkrim thuhet se çështjen e kompensimit të viktimave të krimit e mbulon ligji aktual për këtë çështje.

    Ky ligj parasheh që viktimat e krimeve të kryera brenda territorit të Kosovës, të mund të kompensohen nga programi shtetëror, në rastet kur për një arsye ose tjetër nuk mund të kompensohen nga personi që e ka kryer krimin ndaj tyre.

    Megjithatë, brenda këtij ligji parashihen kufizime për shumat maksimale që mund të marrin viktimat individuale të krimeve.

    Varësisht nga lloji i dëmeve që mund të ketë pësuar viktima e një krimi, në këtë ligj parashihen shuma të kompensimit deri në 4 mijë euro dhe në raste shumë të veçanta deri në 10 mijë euro.

    Vendimi i Gjykatës Speciale për zhdëmtimin e viktimave në rastin e Mustafës ka paraparë shuma nga 2 mijë deri në 80 mijë euro për secilën nga tetë viktimat.

    Me gjithë insistimin e Radios Evropa e Lirë, Ministria e Drejtësisë nuk e komentoi faktin se ligji aktual nuk i mbulon shumat e zhdëmtimit që janë urdhëruar tashmë nga Gjykata Speciale.

    As Zyra për Komunikim e Qeverisë së Kosovës nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për koment në lidhje me këtë çështje.

    Organizatat joqeveritare me mendime të ndryshme lidhur me zhdëmtimin
    Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK), që merret me drejtësinë tranzicionale, e mirëpriti vendimin e Gjykatës Speciale për zhdëmtimin e viktimave.

    “FDHK e konsideron këtë urdhër si një avancim në realizimin e së drejtës së kompensimit të viktimave”, thuhet në deklaratën publike të kësaj organizate të datës 7 prill.

    Kjo organizatë, po ashtu, i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të krijojë një legjislacion adekuat dhe mekanizma që do të ofronin realizimin e dëmshpërblimit për viktimat e krimeve të luftës në Kosovë.

    Bekim Blakaj, drejtor i FDHK-së, thotë për Radion Evropa e Lirë se kompensimi i viktimave të krimeve të luftës është shumë i rëndësishëm, por shton se kompensimi do të duhej të bëhej për të gjitha viktimat – edhe përtej juridiksionit të Gjykatës Speciale.

    “Nëse do të duhej të krijohej një fond për kompensimin e viktimave të krimeve të luftës, të cilat janë vërtetuar nga kjo gjykatë [Gjykata Speciale], nuk do të ishte e drejtë që t’i përfshinte vetëm viktimat që vërtetohen nga Dhomat e Specializuara [në Hagë]”, thotë Blakaj.

    Por, sipas Këshillit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Kosovë, Gjykata Speciale “nuk mund ta detyrojë Qeverinë e Kosovës që t’i kompensojë këto viktima”.

    Sipas kësaj organizate joqeveritare, fondi për pagesën e viktimave do të duhej të krijohej nga buxheti i vetë Gjykatës Speciale, e jo të bëhet ngarkesë shtesë në buxhetin e Kosovës.

    Rikujtojmë se Gjykata Speciale financohet nga shtetet e Bashkimit Evropian dhe disa shtete të tjera kontribuuese.

    Sipas raportit të kësaj gjykate të publikuar në vitin 2021, ky institucion përgjatë viteve 2016-2020 ka pasur një buxhet prej më shumë se 150 milionë eurosh.

    Në vitin 2015, kur Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Gjykatën Speciale, deputetët kanë miratuar edhe një ligj tjetër, që u ka garantuar të akuzuarve potencialë mbështetjen financiare.

    Ministria e Drejtësisë nuk i tregoi shifrat e fundit për shpenzimet për të akuzuar, por, sipas disa llogaritjeve të mëhershme, kjo shumë i kalon 13 milionë euro.

    Në proces është edhe gjyqi kundër ish-pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala, i akuzuar për krime lufte.

    Si është bërë zhdëmtimi i viktimave të luftës në rajon?
    Rajoni i Ballkanit Perëndimor është përfshirë nga luftëra të përgjakshme në vitet ’90, të cilat kanë çuar në shpërbërjen e Jugosllavisë së atëhershme.

    Në vitin 1993 është themeluar Tribunali i Hagës, i cili ka trajtuar krimet e luftës, të kryera në këtë rajon në atë kohë.

    Aktakuzat e kësaj gjykate kanë përfshirë periudhën nga viti 1991 deri në vitin 2001 dhe kanë pasur në shënjestër anëtarë të grupeve të ndryshme etnike në Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut.

    Kjo gjykatë, ndryshe nga Gjykata e tanishme Speciale e Kosovës, nuk ka shqiptuar ndonjë urdhër të drejtpërdrejtë për zhdëmtim të viktimave, mirëpo viktimat janë udhëzuar t’u drejtohen gjykatave vendore përkatëse për të siguruar zhdëmtimin.

    Sipas një raporti të vitit 2021 të publikuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi, qindra padi për zhdëmtim janë bërë në gjykatat në Serbi, duke kërkuar kompensim nga shteti serb për krimet e kryera gjatë luftërave të viteve ‘90.

    Ky raport nuk tregon se sa raste kanë fituar dëmshpërblim në total, por kritikon gjykatat se kanë ofruar shuma të vogla për kompensim dhe kanë tejzgjatur procedurat gjyqësore për viktimat.

    Në anën tjetër, sipas të dhënave nga Mali i Zi, miliona euro janë paguar në emër të zhdëmtimit të viktimave të krimeve të luftës në këtë shtet.

    Sa i përket Bosnje dhe Hercegovinës, ky shtet nuk ka një ligj specifik shtetëror për t’i mbështetur viktimat e luftës, përfshirë viktimat e dhunës seksuale.

    Në një rast të paprecedentë, një viktimë e përdhunimit seksual gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë ka arritur që përmes Komitetit të Kombeve të Bashkuara kundër Torturës, ta detyrojë shtetin e Bosnjës që t’i paguajë një dëmshpërblim prej 15 mijë eurosh.

  • Inteligjenca artificiale, ligjvënësit e BE-së kërkojnë samit për kontrollin e saj

    Inteligjenca artificiale, ligjvënësit e BE-së kërkojnë samit për kontrollin e saj

    Dymbëdhjetë ligjvënës evropianë, që punojnë për legjislacionin e BE-së lidhur me teknologjinë, i kanë bërë thirrje presidentit amerikan, Joe Biden, dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që të thërrasin një takim për të gjetur mënyra se si të kontrollohet zhvillimi i sistemeve të avancuara të inteligjencës artificial.

    Kjo deklaratë vjen disa javë pasi pronari i Twitter-it, Elon Musk, dhe mbi 1.000 personalitete të teknologjisë kërkuan një pauzë gjashtëmujore të zhvillimit të sistemeve më të fuqishme sesa sistemi i krijuar nga OpenAI dhe i mbështetur nga Microsoft, ChatGPT, që imiton njerëzit dhe krijon tekste dhe imazhe bazuar në kërkesa.

    Në letrën e hapur, ata i kanë bërë thirrje shteteve demokratike dhe “jodemokratike” që të reflektojnë mbi sistemet e mundshme të qeverisjes dhe të ushtrojnë përmbajtje sa i përket dëshirës së tyre për inteligjencës të fuqishme artificiale.

    Javën e kaluar, rregullatori i Kinës për hapësirën kibernetike paraqiti masa për të menaxhuar shërbimet e inteligjencës artificial.

    Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, po ashtu ka kërkuar nga publiku mendimin për masat e mundshme ndaj sistemeve të inteligjencës artificiale, teksa janë rritur pyetjet lidhur me ndikimin që mund të ketë inteligjenca artificiale në sigurinë kombëtare dhe edukimin në SHBA./rtsh/

  • ​Si të përballeni me një koleg përtac

    ​Si të përballeni me një koleg përtac

    Kur jeni duke punuar në projekte të mëdha ku puna ekipore është shumë e rëndësishme – një koleg dembel mund të bëhet një pengesë e madhe. Kolegë të tillë zakonisht nuk mbajnë përgjegjësitë të cilat u janë caktuar dhe gjithë kontributin grupor e bëjnë duke u ankuar vazhdimisht dhe për gjithçka. Është edhe më keq nëse ai është një pengues i drejtpërdrejtë, i cili nuk bën asgjë për të cilën nuk i jepen merita.

    Fakti që kolegë të tillë nuk e marrin peshën e përgjegjësisë siç kanë bashkë me të tjerët mund të shkaktoj shumë pakënaqësi te ekipi. Të keni një reagim të denjë ndaj personave të tillë nuk është gjithmonë e lehtë. T’ia adresoni problemin shpesh mund t’i përkeqësoj gjërat dhe ta raportoni te shefi kjo mund të ju bëj të mos dukeni mirë.

    Pra çfarë duhet të bëni? Si mund ta trajtoni atë bashkëpunëtor që nuk po bën punën e tij? AkademiPune ju përcjell sugjerimet e disa ekspertëve.

    Supozoni qëllime të pastra

    “Një gabim i madh që njerëzit priren të bëjnë në këtë situatë është të supozojnë se bashkëpunëtori dembel është i vetëdijshëm për sjelljet e tij ose të saj,” ka theksuar Leila Bulling Towne, Trajnere Ekzekutive me The Bulling Towne Group. “Së pari duhet të supozoni se ai ose ajo nuk është i vetëdijshëm – se ai ose ajo nuk po përpiqet qëllimisht të shmangë punën”, shton tutje ajo.

    Duke supozuar më të mirën – në vend që të shkoni atje me armë të ndezura – do të jeni në gjendje t’i qaseni situatës në më pozitivisht dhe në fund të arrini në rrënjën e problemit.

    “Asnjëherë nuk e dini, mund të ketë një histori prapa për atë që po ndodh,” shton Melissa Davies, trajnere ekzekutive dhe autore e “Si të mos veprosh si një përgjues në punë”. Sipas saj bërja e supozimeve se pse dikush nuk po kontribuon në mënyrë efektive mund t’i fut njerëzit në telashe.

    Bëni një bisedë përballë me të

    Ju mund të tundoheni të dërgonii një email ku shprehni gjithë zemrimin. Megjithatë, si me çdo bisedë tjetër personale ose serioze në vendin e punës, biseda personalisht ose nëpërmjet një takimi “Zoom” është më mirë.

    Për më tepër, është e rëndësishme që ta bëni këtë një bisedë ku takoheni përballë (në vend të një diskutimi në një takim ekipor!), në mënyrë që kolegu të mos ndihet sikur ai ose ajo po sulmohet nga i gjithë ekipi juaj. Kur flisni, sigurohuni që të qëndroni të qetë dhe të përdorni sa më pak emocione. “Mos harroni, ju po mbledhni informacion,” thotë Bulling Towne. “Është shumë shpejt për të bërë një gjykim.”

    Përdorni gjuhën “unë”.

    “Kur keni një bisedë me një koleg për ndonjë temë të ndjeshme, është e rëndësishme të merrni përgjegjësinë për bisedën,” shpjegon eksperti i teknologjisë së burimeve njerëzore dhe menaxhimit të njerëzve, John Croëley. “Me fjalë të tjera, mos përdorni fraza të tilla si “njerëz të tjerë e kanë vënë re” ose “dikush mendon se jeni XYZ”.

    Në vend të kësaj, duhet të shpjegoni me takt atë që keni vënë re nga dora e parë – në këtë rast, mungesë kontributi. Kur e bëni këtë, është gjithashtu e rëndësishme që të filloni shumicën e fjalive tuaja duke përdorur “Unë”, në vend që të tregoni gishtat.

    Bulling Towne rekomandon përdorimin e një qasjeje si kjo:

    “Unë po shqyrtoj detajet për këtë projekt dhe dua të siguroj që ne mund ta realizojmë atë në kohë. Mendoj se do të ishte e dobishme që ne të rendisnim detyrat për të cilat secili prej nesh është përgjegjës. Si ju duket kjo?”

    Bëni pyetje

    Do të vini re se deklarata e mësipërme përfundon me një pyetje – një taktikë që rekomandohet për të bërë të qartë se nuk po bëni vetëm një kërkesë. Davies sugjeron të pyesësh diçka të tillë si: “Si e shihni cilësinë e aftësisë sonë për të punuar së bashku? Si po shkojnë gjërat për ju?”

    Kur dëgjoni se çfarë ka për të thënë kolegu juaj, atëherë mund të përgjigjeni vetë duke përdorur gjuhën “Unë” të përmendur më parë. Përfundimi i sugjerimeve dhe mendimeve tuaja me një pyetje si, “Si ju duket kjo?” do të çojë në pikën që po kërkoni të keni një diskutim bashkëpunues – në vend që ta qortonirreptësishtë kolegun.

    Ndiqni procesin

    Një bisedë e drejtpërdrejtë me kolegun tuaj nuk garanton menjëherë se sjellja do të ndryshojë. Kjo mund të marrë pak kohë. Nëse vazhdoni të ndiheni sikur keni mbetur duke mbajtur pjesën më të madhe të punës, duhet të keni një diskutim tjetër. Këtë herë – në vend që të lini të gjitha emocionet jashtë tij – Bulling Towne rekomandon përfshirjen e disa prej ndjenjave tuaja për ndikim shtesë. Kjo mund të bëhet me një deklaratë si:

    “Kur diskutuam për herë të fundit këtë projekt, ne ramë dakord për afatet. Tani ato afate kanë kaluar dhe unë jam duke pritur për punën tuaj. Jam i shqetësuar se nuk do të dorëzojmë në kohë”.

    Kur duhet t’i drejtoheni shefit tuaj?

    Nëse keni pasur tre biseda me atë koleg problematik dhe gjërat mbeten ende të pandryshuara, ndoshta është koha të kërkoni një epror. Kur shkoni për ta adresuar cështjen te shefi sigurohuni që të tregoni një përmbledhje të nivelit të lartë të asaj që keni provuar tashmë dhe nuk ka nevojë ta mbingarkoni atë me detaje dhe dokumentacion.

    “Ju po përdorni gjuhën “ne” në këtë situatë,” shpjegon Bulling Towne. Qëllimi juaj është të theksoni se si kjo po ndikon në të gjithë ekipin tuaj dhe në cilësinë e punës suaj – dhe jo vetëm te ju personalisht. Për shembull, ju do t’i shprehni shefit tuaj një shqetësim si: “Jam i shqetësuar se nuk do ta dorëzojmë në kohë”. Nëse po i kërkoni shefit tuaj ndihmë dhe udhëzim në trajtimin e situatës, sigurohuni që ta bëni këtë në mënyrë të qartë. “Dëgjoj shpesh ankesa nga njerëzit se mbikëqyrësit e tyre nuk i ndihmojnë,” thotë Bulling Towne, “Kur gërmojmë në bisedë, mësoj se njerëzit nuk po kërkojnë ndihmë. Ata po supozojnë se kur shfryjnë ose ankohen, një shef e lexon këtë si një thirrje për ndihmë.”

    Mos harroni, përpara se të adresoni problemin te shefi juaj, duhet t’i jepni atij bashkëpunëtori kohën ose mundësinë e duhur për të bërë një ndryshim. “Nëse nuk keni shkuar te kolegu juaj për të pasur një diskutim, atëherë nuk duhet të shkoni direkt te shefi juaj,” paralajmëron Davies./ AkademiPune

  • Pezullohen gjashtë zyrtarë të MPB-së, dyshohen për keqpërdorim të detyrës

    Pezullohen gjashtë zyrtarë të MPB-së, dyshohen për keqpërdorim të detyrës

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se janë pezulluar nga detyra gjashtë zyrtarë të kësaj ministrie.

    Ai tha se të njëjtit dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    Përveç pezullimit, Sveçla bëri të ditur se është iniciuar rasti për hetime ndaj tyre në Policinë e Kosovës.

    “Referuar rastit të keqpërdorimit të detyrës nga zyrtari i Ministrisë së Punëve të Brendshme Riza Alshiqi, për përfitimet e biznesit të tij “Rent a car” në dëm të aseteve shtetërore, përveç inicimit të rastit për hetime në Policinë e Kosovës, i njejti bashkë me 5 zyrtarë të të njejtit departament sot janë pezulluar nga detyra”, tha ai në Facebook.

    “Do të vazhdojmë me përpjekjet tona që të gjithë keqpërdoruesit t’i ballafaqojmë me drejtësi teksa zyrtarët e përkushtuar për punë me profesionalizëm e përkushtim do të jenë në nivelin më të lartë të detyrës e në shërbim të qytetarëve tanë”, shkroi i pari i MPB-së.

  • Zgjedhjet e 23 prillit: Kurti nis fushatën dhe përkrah kandidatët e LVV-së për kryetarë komunash

    Zgjedhjet e 23 prillit: Kurti nis fushatën dhe përkrah kandidatët e LVV-së për kryetarë komunash

    Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka takuar kandidatët e subjektit të tij në Mitrovicën e Veriut. Në takim, Kurti ka qenë së bashku me disa ministra dhe deputetë të partisë.

    Më 23 prill do të mbahen zgjedhjet lokale për komunat në veri të cilat mbeten pa kryetar si shkak i dorëheqjes së Listës Serbe nga institucionet. LVV-ja ka prezantuar kandidatët, ndërsa Kurti ka thënë se Komuna e Mitrovicës së Veriut sot është vend më i sigurt sesa që ka qenë dy vite më parë.

    “115 është numri i Fitores! Komuna Veriore e Mitrovicës sot është vend më i sigurt sesa që ka qenë dy vite më parë. Kjo falë vendosmërisë dhe punës serioze që ka bërë qeverisja qendrore në atë pjesë. Luftimi i krimit, korrupsionit, kontrabandës dhe bandave kriminale atje, ka dhënë rezultate të suksesshme. Nuk ka më ferma të drogës e të kriptovalutave, rrugë ilegale për kontrabandë. Ka prani të shtetit, stacione të reja të policisë që garantojnë rendin dhe sigurinë”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

    Tutje thuhet se është treguar edhe se çfarë u mungon qytetarëve në atë pjesë dhe si duhen adresuar këto nevoja.

    “Kësaj po i përgjigjen në komunikim të përditshëm me qytetarët katër kandidatët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! që me numrin 115 do të jenë kryetarët e ri në komunën Veriore të Mitrovicës, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq. Erden Atiq si Kryetar i ardhshëm i komunës Veriore të Mitrovicës, Flatron Hasani si kryetar i komunës së Zubin Potokut, Fetah Peci si kryetar i Zveçanit dhe Lulëzim Hetemi i Leposaviqit, kanë mbështetjen e plotë të qytetarëve në katër komuna veriore. Përveç kësaj, ata kanë edhe mbështetjen e Kryeministrit, Albin Kurti, dhe të ministrave në kabinetin e tij, me të cilët edhe po punojnë ngushtë për t’iu përgjigjur secilës çështje të interesit dhe nevojës që kanë qytetarë në ato komuna”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

  • Delegacioni i Kosovës organizon një pritje për ndërkombëtaret: Falënderues pas liberalizimit të vizave

    Delegacioni i Kosovës organizon një pritje për ndërkombëtaret: Falënderues pas liberalizimit të vizave

    Një delegacion i Kosovës i udhëhequr nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla-Schwarz, së bashku me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, ambasadorët Agron Bajrami e Lulzim Hiseni dhe zyrtarët tjerë përcjellës, kanë qëndruar dje në Strasburg.

    Kjo pasi Parlamenti Evropian gjatë seancës së rregullt plenare miratoi me konsensus liberalizimin e vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës.

    Sipas MPJD-së, me këtë hap përmbyllet procesi i liberalizimit të vizave i cili nënkupton se shtetasit me pasaporta biometrike kosovare mund të udhëtojnë dhe qëndrojnë në shtetet e Zonës Schengen më së largu nga 1 janari 2024.

    “Aty, ministrja shfrytëzoi rastin të takojë një numër eurodeputetësh të cilët i falënderoi shumë për kontributin e tyre në përmbylljen e këtij procesi”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

    “Pas miratimit, ministrja gjithashtu organizoi një pritje rasti për eurodeputetët, ku morën pjesë përfaqësues të të gjitha grupeve parlamentare prezente në Parlamentin Evropian”.

  • A do të ketë shpërngulje të mëdha në Evropë nga kosovarët pas liberalizimit?

    A do të ketë shpërngulje të mëdha në Evropë nga kosovarët pas liberalizimit?

    Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, gjatë një intervistë në emisionin DIREKT në ATV, tha se, edhe pse është përfolur se me liberalizimin e vizave do të mund të ketë një zbrazje të Kosovës, ai beson që një gjë e tillë nuk do të ndodh.

    “Është përfolur mjaft shumë për një mundësi të tillë. Unë nuk e besoj shumë këtë gjë. Më tepër do e besoja që ajo kategori e qytetarëve të vendit që nuk kanë pasur rastin të udhëtojnë drejtë shteteve evropiane mund ta bëjnë një gjë të tillë. Mund të bëjnë vizita të ndryshme”, thotë Pula.

  • Para Fitër Bajramit, disa organizata gëzuan fëmijet në Klinikat e QKUK së me dhurata

    Para Fitër Bajramit, disa organizata gëzuan fëmijet në Klinikat e QKUK së me dhurata

    Rreth 150 fëmijë të shtrirë në Klinikat e Qendrës Klinike Universitare morën dhurata. Donatorë të shumtë dhe organizata joqeveritare “Replay Peace” u bënë bashkë për t’iu sjellë gëzim fëmijëve në prag të festës së Fitër Bajramit.

    “Ma mirë nuk e di qysh, vetëm Allahu i shpërbleftë të gjithë. Edhe dje u kanë sjellë fëmijëve dhurata. Është gëzuar sa u dok që sëmundja iu largu”, tha Fazli Vojvoda, prind.

    “Shumë mirë, Allahu i shpërbleftë. Një dhuratë nuk paguhet, por vetëm se është ardhë, zemra i ka kushtuar që ia ka sjellë dhuratën djalit”, tha Avni Hoti, prind.

    Iniciativë si kjo, nga organizatorët kërkohet të bëhen më shpesh.

    “Jashtëzakonisht ishin të lumtur edhe fëmijët edhe familjet e tyre, sepse ne e kemi këtë praktikë të kamotshme. Ka gati 15 vite të cilën e praktikojmë. Fëmijët të cilët nuk kanë mundësi t’i presin festat në shtëpi të tyre, atëherë ne iu dhurojmë dhurata dhe e ndajmë gëzimin bashkë me ta”, tha Burim Krasniqi, organizator.

    Përveç Qendrës Klinike Universitare, organizatat shpërndanë dhurata edhe në “Sos Fshatra” dhe në Qendër të Autizmit. /atvlive.tv

  • Vendimi për faljen e tatimit në pronë deri në 100 euro, përplasi ministrin, Murati dhe deputetët

    Vendimi për faljen e tatimit në pronë deri në 100 euro, përplasi ministrin, Murati dhe deputetët

    Çështja e tatimit në pronë çoi në përplasje verbale, ministrin e Financave, Hekuran Murati, me disa deputetë opozitarë. Shkak për këtë ishte vendimi për faljen e tatimit në pronë, në vlerë deri 100 euro.

    Por, ministri Murati ua kujtoi deputetëve nga opozita se kjo do të rregullohet me ligjin për tatimin në pronë.

    “Ideja ka qenë për zbritjen e 100 eurove të para, që të lehtësohet barra e qytetarëve. Për vitin 2024 janë paraparë disa ndryshime, pasi shuma e zbritur nga vlera e tatimit në ligjin aktual është 15 mijë euro, derisa në ndryshimin e ligjit të ri do të jetë 30 mijë euro. Për vitin 2025 këto zbritje vlejnë dhe shkalla tatimore kthehet në progresive, bazuar në vlerën e pronës që ka një pronar”, tha Murati.

    Ish-kryeministri tash deputet, Avdullah Hoti, kërkoi sqarime se si do të bëhet kompensimi për rënie të të hyrave të komunave pas këtyre vendimeve, sqarime këto që më pas i dha ministri.

    Megjithatë, për opozitën është i papranueshëm vendimi, pa e marrë edhe pëlqimin e tyre. /atvlive.tv