ATV

Blog

  • Kurti në 24 vjetorin e masakrës në Studime të Vushtrrisë: Krimet e Serbisë në Kosovë nuk mund të shlyhen

    Kurti në 24 vjetorin e masakrës në Studime të Vushtrrisë: Krimet e Serbisë në Kosovë nuk mund të shlyhen

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar 24-vjetorin e masakrës në fshatin Studime të Vushtrrisë.

    Kurti në një postim në Facebook ka thënë se forcat serbe nxorën nga kolona dhe i pushkatuan 116 civilë shqiptarë, si dhe ekzekutuan fëmijë para syve të prindërve, vranë të rinj e pleq, e edhe gra shtatzëna.

    “Nё ditёt e para tё muajit maj 1999, forcat serbe dogjën fshatrat e Vushtrrisë dhe dëbuan me dhunë banorët. I urdhëruan tё largohen drejt Shqipёrisё. Më 2 maj të vitit 1999, në fshatin Studime të Vushtrrisë, forcat serbe nxorën nga kolona dhe i pushkatuan 116 civilë shqiptarë. Ekzekutuan fëmijë para syve të prindërve, vranë të rinj e pleq, e edhe gra shtatzëna. Familjes Gërxhaliu ia vranë 36 anëtarë, nga mosha 85 vjeç deri në 5 vjeç. Në këtë 24 vjetor përkujtojmë martirët e Masakrës së Studimes së Vushtrrisë”.

    Ai tutje ka shkruar “se e kaluara jonë është vendimtare për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Gjaku i derdhur për liri nuk shlyhet kurrë, siç nuk mund të shlyhen krimet e Serbisë në Kosovë”.

    Kurti i ka bërë thirrje sistemit të drejtësisë që të veprojë për ndriçimin e së vërtetës.

    “Dënime për kriminelët e luftës dhe drejtësi për viktimat. Krimet e luftës nuk parashkruhen as vjetërsohen. Vuajtjet e popullit tonë janë të njoma përherë. I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë martirët dhe dëshmorët e lirisë!”, ka thënë Kurti.

  • Del në qarkullim një variant i ri i COVID, ka këto simptoma

    Del në qarkullim një variant i ri i COVID, ka këto simptoma

    Organizata Botërore e Shëndetësisë ka identifikuar një variant të ri të Covid-19 që po përhapet në të gjithë globin. Ai është quajtur “Arcturus” dhe ka simptoma të reja.

    XBB.1.16 ose Arcturus Organizata Botërore e Shëndetësisë po e klasifikon si një “variant nën monitorim”, i cili është më pak serioz se variantet e reja të Covid. Megjithatë, klasifikimet janë fluide dhe mund të ndryshojnë në çdo kohë.

    3Ky variant ka një shkallë transmetueshmërie më të lartë se llojet e mëparshme. Varianti i ri sjell me vete një simptomë krejtësisht të re të COVID-19: konjuktivitin, i njohur gjithashtu si syri rozë, i cili shpesh kombinohet me kruajtje.

    XBB.1.16 është zbuluar në 22 vende, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara. Ky variant sipas studiuesve nuk ka gjasa të rëndojë shëndetin, kjo pasi njerëzit janë vaksinuar dhe kanë imunitet më të lartë pas infeksionit të mëparshëm.

  • Kurti vetë i nënti në Bruksel, kë e përzgjodhi për ballafaqimin me Serbinë?

    Kurti vetë i nënti në Bruksel, kë e përzgjodhi për ballafaqimin me Serbinë?

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për dy vjet qeverisje është marrë në mënyrë intensive me procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë, pavarësisht se gjatë fushatës zgjedhore deklaronte se negociatat me Serbinë s’do të jenë prioritet kryesor i tij. Në procesin e gjetjes së një zgjidhjeje me Serbinë ai është “zhytur” me ekipin e tij që kësaj herë numëron 8 anëtarë. 

    Pas udhëtimit drejt Brukselit dhe pas telefonatës që ka zhvilluar gjatë ditës me krahun e djathtë të Sekretarit Blinken, Kurti është lajmëruar në orët e vona me një fotografi bashkë me ekipin e tij.

    Në përshkrimin e fotografisë, Kurti ka folur me kompetencë “rreth kompleksitetit dhe thjeshtësisë së përgatitjes për negociata”.

    “Arritëm në Bruksel dhe shpenzuam ditën për t’u përgatitur për takimin e nesërm. Të përgatitesh për negociata është njëkohësisht komplekse dhe e thjeshtë. Komplekse sepse ka shumë informacione dhe detaje të përfshira, ndër të tjera, por e thjeshtë sepse dëshirat e Kosovës janë të qarta, të ndershme dhe fisnike”, ka shkruar kryeministri në Twitter.

  • Masakra në Studime, Osmani: Serbia ka kryet gjenocid në Kosovë, historia s’mund të rishkruhet

    Masakra në Studime, Osmani: Serbia ka kryet gjenocid në Kosovë, historia s’mund të rishkruhet

    Presidentja Vjosa Osmani, tha se masakra e Studimes tregon se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë.

    Në akademinë përkujtimore për masakrën e 2 Majit në fshatin Studime të Vushtrrisë, Osmani ka thënë se historia nuk mund të rishkruhet.

    Ajo madje tha se institucionet do t’u gjenden pranë të gjithë atyre që kanë humbur më të dashurit e tyre nga regjimi serb.

    “Jemi këtu që të përkujtojmë 116 martirë të pafajshëm, përfshirë fëmijë e nëna shtatzëna. Jam gjithashtu për t’u thënë se dhimbja që keni përkujtuar atë ditë, është dhimbje e gjithmbarshme”.

    “Masakra ishte organizuar nga regjimi serb. Sot duhet t’i përkujtojmë dhunën dhe masakrën e përjetuar dhe t’i gjendemi afër të gjithë atyre që humben të afërmit e tyre”.

    “Kujtesa historike do të jetë në historinë tonë. Kjo që ka ndodhur këtu është argument se historia nuk mund të rishkruhet. Njerëz tanë u vranë vetëm pse ishin shqiptarë. Sot si asnjëherë duhet ta themi qartë se Serbia ka kryer gjenocid, dhe paqja do të jetë e mundur vetëm kur kryerësit të dalin para drejtësisë”.

    Më 2 maj të vitit 1999 në fshatin Studime të Vushtrrisë, brenda dy orëve ishin pushkatuar nga paramilitarët serb 116 persona civil që ishin në kolonë për t`u shpërngulur në drejtim të Shqipërisë.

    Shumë tjerë ishin plagosur e me mijëra tjerë pas arrestimit nga forcat serbe ishin depërtuar për në Shqipëri.

  • Trepça-Peja, zbulohet edhe orari i finaleve

    Trepça-Peja, zbulohet edhe orari i finaleve

    Pas përfundimit të ndeshjeve gjysmëfinale, është koha për finalet e “Play-off”-it, ku priten super ndeshje mes Trepçës dhe Pejës.

    Mitrovicasit kanë mundur Bashkimin në çerekfinale dhe Sigal Prishtinën në gjysmëfinale, kurse pejanët eliminuan kampionin Golden Eagle Yllin.

    Ndeshja e parë do të zhvillohet në Mitrovicë, ndërsa skuadra që shënon tri fitore, kualifikohet në finale.

    Orari:

    E mërkurë

    20:00 Trepça-Peja

    E diel

    17:00 Peja-Trepça

    11 maj

    20:00 Trepça-Peja

    14 maj

    17:00 Peja-Trepça (Finalja IV eventuale)

    18 maj

    20:00 Trepça-Peja (Finalja V eventuale)

  • ​Jep dorëheqje “babai” i inteligjencës artificiale

    ​Jep dorëheqje “babai” i inteligjencës artificiale

    Personi që shihet gjerësisht si “baba” i inteligjencës artificiale, ka lënë punën dhe ka paralajmëruar për rreziqet në rritje nga zhvillimet në këtë fushë.

    Geoffrey Hinton, 75 vjeç, ka njoftuar dorëheqjen e tij nga Google përmes një shkrimi për gazetën New York Times, duke thënë se tani i vjen keq për punën e tij.

    Duke folur për BBC-në, ai ka thënë se disa nga programet e inteligjencës artificiale janë “mjaft të frikshme”.

    “Aktualisht, ato nuk janë më inteligjente se ne – me sa mund të them. Por, mendoj se së shpejti mund të jenë”, ka thënë Hinton.

    Ai ka thënë se edhe mosha e tij ka luajtur rol në vendimin për t’u tërhequr nga gjiganti i teknologjisë.

    “Jam 75 vjeç, kështu që është koha të tërhiqem”, ka thënë Hinton.

    Në shkrimin e tij për gazetën New York Times, Hinton u është referuar “aktorëve të këqij”, të cilët mund të përpiqen ta përdorin inteligjencën artificiale për “gjëra të këqija”.

    Kur është pyetur nga BBC-ja për ta elaboruar këtë, ai është përgjigjur: “Ky është thjesht një lloj i skenarit më të keq, një skenar makthi”.

    “Mund ta imagjinoni, për shembull, një aktor i keq si [presidenti rus, Vladimir] Putin vendos t’u japë robotëve aftësi për të krijuar qëllimet e tij”, ka thënë Hinton.

    Shkencëtari kryesor në Google, Jeff Dean, ka thënë se kompania “mbetet e përkushtuar për një qasje të përgjegjshme ndaj inteligjencës artificiale”.

    “Ne po mësojmë vazhdimisht t’i kuptojmë rreziqet në zhvillim”, ka thënë ai.

  • ​FBK prezanton logon e finaleve të play-off-it

    ​FBK prezanton logon e finaleve të play-off-it

    Trepça dhe Peja pritet që të dhurojnë spektakël të jashtëzakonshëm në ndeshjet finale të play-off-it në basketbollin e Kosovës.

    Këto dy skuadra të luftojnë për titullin e kampioni, me sfidën e parë që do të zhvillohet në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, raporton KosovaPress.

    Për t’u kurorëzuar më titullin e më të mirit, njëra skuadër duhet t’i shënojë tri fitore.

    Ndërkohë, Federata e Basketbollit të Kosovës tashmë ka prezantuar logon e këtyre finaleve të cilën mund ta shihni në videon e mëposhtme:

  • Azili në Gjermani, ja çfarë po tenton të ndryshojë ky shtet

    Azili në Gjermani, ja çfarë po tenton të ndryshojë ky shtet

    Gjermania tani po mendon për shqyrtimin e të drejtës për azil jashtë BE-së. Si do të realizohet kjo?

    Ideja nuk është e re: të shqyrtohet e drejta e azilit para ardhjes së azilkërkuesve në territorin e Bashkimit Evropian dhe kështu të përcaktohet nëse ata kanë të drejtë për azil politik apo jo. Varësisht nga rezultati i kontrollit, kandidatët do të lejohen në territorin e BE-së, e ata që nuk kanë të drejtë do të kthehen në vendet e tyre të origjinës. Kjo është diskutuar për një kohë të gjatë në Danimarkë, tani këtë procedurë po e përgatit edhe Britania e Madhe.

    Shqyrtimi i të drejtës për azil para hyrjes në BE

    Duke marrë parasysh rritjen drastike të numrit të azilkërkuesve në Gjermani (pothuajse 90.000 vetëm në tre muajt e parë të këtij viti) dhe situatën e krizës në qytetet që nuk kanë më ku të strehojnë emigrantët dhe kanë mungesë fondesh, ideja për të kryer një procedurë të verifikimit të të drejtave për azil para hyrjes në BE, tani është shfaqur edhe në Gjermani. Kështu, shumica e atyre që nuk kanë perspektivë për azil politik në Gjermani (qytetarë të Pakistanit, Tunizisë, Algjerisë etj.) do të ndaheshin edhe para se të mbërrinin në tokën e Bashkimit Evropian.

    Problemet e mëdha të Gjermanisë

    Gjermania, siç shkruan e përditshmja “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, po punon për të mundësuar këtë proces. “Aktualisht jemi duke shqyrtuar mundësinë e kontrollit të statusit të azilkërkuesve edhe në vendet e treta”, thotë ministrja e Brendshme, Nancy Faeser (Partia Socialdemokrate – SPD).

    Ajo tha se aktualisht ka “negociata intensive” për lidhjen e marrëveshjeve ndërshtetërore që do të lejonin këtë lloj procedure. E pyetur nëse beson se rritja e madhe e numrit të azilkërkuesve “kapërcen aftësitë e Gjermanisë”, Faeser shmangu një përgjigje dhe vuri në dukje samitin e krizës të qeverisë federale dhe përfaqësuesve të provincave dhe qyteteve federale më 10 maj.

    Rritja e popullaritetit të AfD

    Për shkak të rritjes së madhe të numrit të refugjatëve jo vetëm nga Ukraina, por edhe nga Siria, Afganistani, Turqia dhe vendet afrikane, qeveria federale gjermane është nën presion në rritje që nga fillimi i vitit. Përfaqësuesit e opozitës kristiandemokrate i kërkojnë ministres Faeser dhe qeverisë federale të vendosin kufijtë e sipërm të numrit të refugjatëve, gjë që ajo e refuzoi vazhdimisht.

    Qytetarët në të gjithë Gjermaninë po dalin sërish në rrugë, si në krizën e vitit 2015, dhe protestojnë kundër ndërtimit të ambienteve të reja të pritjes për refugjatët. Natën e së shtunësu dogj një kamp për refugjatët në landin e Hessenit.

    Kryeministri i landit të Saksonisë, Michael Kretschmer (CDU), tha se nëse diçka nuk ndryshon në politikën ndaj refugjatëve, do të ketë një “përmbysje politike”, duke aluduar në rritjen e popullaritetit të Alternativës populiste të krahut të djathtë AfD, veçanërisht në pjesët lindore të Gjermanisë.

  • Një person në Ferizaj lëndohet aksidentalisht nga zjarri

    Një person në Ferizaj lëndohet aksidentalisht nga zjarri

    Një person është lënduar aksidentalisht nga zjarri të hënën në Ferizaj.

    Policia njofton se ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:00, ndërsa viktima është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

  • ​Maqedonia i bashkohet grupit për themelimin e Gjykatës për ndëshkimin e krimit në Ukrainë

    ​Maqedonia i bashkohet grupit për themelimin e Gjykatës për ndëshkimin e krimit në Ukrainë

    Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka bisedë telefonike me Ministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmitro Kuleba, me të cilin kanë diskutuar për vendimin që Maqedonia e Veriut t’i bashkohet Grupit Themelues për themelimin e Gjykatës Speciale për ndëshkimin e krimit të agresionit kundër Ukrainës.

    Osmani ka shkruar në Facebook se konfirmimi i mbështetjes së Maqedonisë të vazhdueshme për Ukrainën në luftën për drejtësi, liri dhe vlera të përbashkëta demokratike.