ATV

Blog

  • Hoti: Serbia më në fund pranoi krimet e saj, tani mund ta ndjekim edhe penalisht

    Hoti: Serbia më në fund pranoi krimet e saj, tani mund ta ndjekim edhe penalisht

    Kryetari i Komisionit Qeveritar për të Zhdukurit, Andin Hoti, në një lidhje direkte në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Serbia më në fund pranoi krimet shtetërore të popullsisë së pambrojtur të Kosovës, duke i cilësuar të zhdukurit si “të zhdukur me dhunë”, që sipas tij, parashihen në konventa ndërkombëtare.

    “Për neve është shumë e rëndësishme që deklarata që sot është miratu nga të dyja palët, në radhë të parë, Serbia i ka pranuar krimet e saj që i ka bërë në Kosovë, pra përmes shtetit, përmes formave të organizuara shtetërore si zhdukje me forcë, me dhunë që parashihen edhe në konventat ndërkombëtare të OKB-së.”, tha Hoti.

    Ai tha se përmes kësaj deklarate, tani Kosova mund ta ndjekë edhe penalisht Serbinë për këto krime që i ka bërë. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Hoti nga Brukseli: Deklarata për të Zhdukurit në parim është miratuar dhe zbartimi i saj është i obligueshëm

    Hoti nga Brukseli: Deklarata për të Zhdukurit në parim është miratuar dhe zbartimi i saj është i obligueshëm

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, miratuan Deklaratën për të Zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë.

    Kjo, njëherësh, ishte edhe pika e parë e rendit të ditës në takimin që po zhvillojnë në Bruksel, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të Bashkimit Evropian.

    Në një lidhje të drejtpërdrejt nga Brukseli në emisionin CONTEXT në ATV, kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, tha se

    Deklaratën për të Zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë në parim është miratuar dhe tani është e obligueshme për të dyja palët.

    Ai tha se është ë njëjta deklaratë që tash e një vit ka qenë afër nënshkrimit, mirëpo tregon ai, në momentet e fundit, Vuçiq ishte tërhequr.

    “Është e njëjta deklaratë që tash e në vit, kemi tentuar ta harmonizojmë, kemi tentu ta imponojmë ndaj Serbisë në Bruksel, ku ka qenë shumë afër nënshkrimit të atë kohë, por Vuçiq është tërhequr në momentet e fundit, ndërkaq tashmë ju e dini që më 4 prill veç se është harmonizu deklarata dhe tash është miratu. Pse është miratu dhe jo nënshkru, unë nuk jam jurist ta shpjegoj këtë, mirëpo duke pasur parasysh aneksin e Ohrit dhe marrëveshjen e fundit që kishim me Serbinë, ju e dini që edhe ajo nuk është nënshkru, mirëpo është miratu në parim dhe sipas juristëve, sipas atyre që kanë njohur në konventat ndërkombëtare, thuhet që këto marrëveshje janë të obligueshme për të dyja palët”, tha Hoti. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Shumë projekte në kryeqytet të bllokuara, shkaktare qeveria

    Shumë projekte në kryeqytet të bllokuara, shkaktare qeveria

    Këto rrugë në kryeqytet, tash e një kohë të gjatë janë në këtë gjendje.

    Por, gropat në qendër të qytetit nuk dihet se kur do të rregullohen.

    Kjo pasi në komunën e Prishtinës thonë se buxhetin të cilin e kishin destinuar për rregullim e rrugëve ua mori Qeveria.

    “Në 28.5 milionë euro ne kemi shumë projekte, duhet të fillojnë tash e që janë të lidhura me ndërtimin e shkollave ndërtimin e çerdheve ndërtimin e rrugëve të reja, andaj çdo vonesë në bartjen e këtyre mjeteve i vonon edhe projektet”, tha nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj.

    Zogaj thotë se nëse Qeveria nuk i rikthen të hyrat vetjake të kryeqytetit, përfshirë edhe ato të viteve paraprake, do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

    “Plani ynë është të shohim se cili është vendimi final dhe në qoftë se nuk shohim një vullnet që të bashkëpunojmë tutje dhe nëse nuk ndodh bartja sikurse ka ndodhur viteve të kaluara, do t’i drejtohemi gjykatës”, tha Zogaj.

    Derisa nga Ministria e Financave nuk kanë kthyer përgjigje për këtë çështje, ky dikaster javën e kaluar njoftoi se ka miratuar buxhetin e komunave me mbi 200 milionë euro më shumë.

    Por, në Asociacionin e Komunave të Kosovës thonë se këto para janë të destinuara për grante të parapara nga Qeveria si shëndeti e arsimi, por jo për investime kapitale, andaj kërkojnë që komunave t’u rikthehet buxheti vetjak.

    Sipas tij, Qeveria vendosi t’ua marrë buxhetin e pashpenzuar e më pas t’ua ndajë të gjitha komunave në mënyrë të barabartë. /atvlive.tv

  • Hapja e urës së Ibrit, zyrtarët e Mitrovicës ende pa përgjigje nga MPB-ja

    Hapja e urës së Ibrit, zyrtarët e Mitrovicës ende pa përgjigje nga MPB-ja

    Përfaqësuesit komunalë të Mitrovicës së Veriut, të cilët votuan për lirimin për qarkullim të urës së Ibrit, ende po presin leje nga Ministria e Punëve të Brendshme për këtë çështje.

    Megjithatë, pavarësisht kundërshtimeve nga ana e ndërkombëtarëve, kryesuesi i kuvendit komunal është i bindur se qeveria do ta përkrahë lirimin e rrugës.

    “Jo hala s’kemi marrë, por vendimi i qeverisë është legjitim, sepse kemi pasë përkrahje për vendimin në nivel qendror, në nivel lokal nga niveli qendror kemi pas përkushtimin sa ma të madh për vazhdim të punës”, tha kryesuesi i Kuvendit, Nedzat Ugljain.

    Banorët shqiptarë të Mitrovicës së jugut i gëzohen hapjes së urës, derisa thonë se do të lehtësohej edhe qasja në pjesën tjetër të qytetit.

    “Nashta najherë bahet veç njëherë jo se me kanë mu ba u kanë shumë mirë, mas pari këtu e kemi xhaminë, u dashtë m’u ndertu edhe ajo, qysh oshtë kisha atje, këtu kanë faj qeveritarët. Shpresoj mu ba mirë se ky vendi jonë oshtë”, thotë një banor.

    “Mirë është shumë, s’po varet prej neve se me dashtë e kishim hapë sot, po kismet ka me u hapë. Nuk varet prej neve, krejt prej ndërkombëtarëve, me u var prej neve tash e kishim çelë”, tha një tjetër banor.

    Ndërsa, serbët e Mitrovicës së veriut zbatimin e një vendimi të tillë e shohin të pamundur.

    “Jo, kanë kaluar aq shumë vjet dhe nuk besoj se as kësaj radhe nuk do të hapet dhe mendoj se nuk janë krijuar kushte që të hapet ura në këtë moment”, tha një qytetar serb.

    “Kjo nuk është ide aspak e mirë, këtu flitet gjoja për një liri të lëvizjes e në anën tjetër është duke u ndërtuar një mur vërtet kinez kah pikëkalimet në Jarinjë dhe Bërnjak. Kjo nuk mund të shkojë kështu, më në fund kemi edhe në urë të Bistricës një punkt, po ashtu kemi edhe në urën e Bistricës një pikë kontrolli që gjendet në rrugë edhe kjo nuk është korrekte dhe fer, nuk ka askund kështu dhe kjo mund të krijojë vetëm konflikte dhe tension”, deklaroi një tjetër qytetar serb.

    Pas luftës në Kosovë, ura mbi lumin Ibër ndau Mitrovicën në dy pjesë, në atë jugore me shumicë shqiptare, dhe në atë veriore, me shumicë serbe.

    Ndërkaq, vendimi për lirimin e urës së Ibrit u mor më 28 prill në kuvendin komunal të Mitrovicës së Veriut, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme që u mbajtën këtë muaj. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • ZRRE-ja shpreson te kushtetuesja kundër kompensimit për rrymën në veri

    ZRRE-ja shpreson te kushtetuesja kundër kompensimit për rrymën në veri

    Vendimi i Supremes që detyron ZRRE-në të obligojë KEDS-in t’i kompensojë konsumatorët nga 34 komuna, në vlerën totale 40.8 milionë euro, për pagesën shtesë në fatura për rrymën e papaguar në katër komunat me shumicë serbe në veri, në periudhën 2012-2017, pritet të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese.

    ATV-ja merr vesh se Zyra e Rregullatorit për Energji është duke përgatitur një ankesë, të cilën do ta dorëzojë në Kushtetuese së shpejti.

    Sipas informacioneve, Rregullatori vlerëson se Supremja ka nxjerrë vendim të jashtëligjshëm dhe të mangët.

    Ankesa e ZRRE-së pritet të ketë në qendër argumentin për ruajtjen e sigurisë kombëtare dhe pavarësisë energjetike.

    Në këtë kontekst mund të përdoret edhe zotimi i Qeverisë ndaj Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit – ENSTO-E, për ruajtjen e sigurisë së furnizimit në tërë territorin.

    Zotim i dhënë përmes letrës së ish-kryeministrit Isa Mustafa më 2015, gjatë procesit të pavarësimit energjetik të Kosovës dhe kundër ndërhyrjeve nga Serbia.

    Nga elementet që pritet të kontestohen është obligimi vetëm i KEDS-it për kryerje të kompensimit, përkundër se në periudhën në fjalë Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku janë furnizuar edhe nga KEK-u dhe KOSTT-i.

    Edhe pse afati ligjor për nxjerrjen e vendimit për kompensimit është në prag të skadimit, në ZRRE nuk dhanë përgjigje të re.

    “Zyra e Rregullatorit për Energji është në proces të vlerësimit të këtij aktgjykimi dhe në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, do t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së.

    Edhe pse aktgjykimi parasheh përmbarimin, në rast të moskompensimit të vullnetshëm, ende nuk ka ndonjë njoftim zyrtar për veprime në këtë drejtim. /atvlive.tv

  • Borrell flet pas miratimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur

    Borrell flet pas miratimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur

    Përfaqësuesi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka dalë me një deklaratë zyrtare pas miratimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur në takimin e nivelit të lartë Kosovë-Serbi.

    Borrell e njeh rëndësinë e kësaj marrëveshje të cilën ai e konsideron si shumë të rëndësishme në vazhdën e vazhdimit të dialogut.

    Kjo është deklarata e plotë e tij:

    Sot, nën Lehtësimin e BE-së, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti kanë rikonfirmuar rëndësinë e zgjidhjes së fatit të personave të zhdukur të mbetur, për t’i afruar vuajtjet e të dashurve të tyre dhe për të nxitur pajtimin dhe paqen e qëndrueshme.

    Të dyja palët e kanë njohur çështjen e personave të zhdukur si një çështje humanitare dhe kanë vënë në dukje nevojën urgjente për përpjekje shtesë të përbashkëta për të lehtësuar situatën e familjeve të prekura dhe të komunitetit më të gjerë.

    Ata kanë pranuar punën e rëndësishme të bërë përmes Grupit Punues për Personat e Zhdukur, i kryesuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK). Si shenjë e vendosmërisë së tyre të përbashkët për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve të tyre përkatëse në fushën e Personave të Zhdukur, ata kanë miratuar Deklaratën për Personat e Zhdukur.

    Ata janë zotuar gjithashtu të bien dakord për detajet operacionale në takimin e ardhshëm të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve, në nivel të Kryenegociatorëve.

    Nga 6.065 rastet e personave të zhdukur në periudhën 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000, 1.621 mbeten të pazgjidhura. Më shumë se njëzet vjet më vonë, familjet e tyre vazhdojnë të jetojnë në pikëllim, të pavetëdijshëm për vendndodhjen e të dashurve të tyre. Familjet kanë të drejtë të dinë fatin e të afërmve të tyre ashtu si shoqëria në përgjithësi.

    Zgjidhja e çështjes së personave të zhdukur nuk është vetëm një detyrim humanitar. Ajo është gjithashtu një mundësi thelbësore për pajtimin dhe besimin mes njerëzve. Është bërë urgjente të sigurohet që procesi i identifikimit të vendeve të varrimit të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur. Kujtimet po zbehen dhe individët, vendet dhe ngjarjet janë më të vështira për t’u hetuar.

    Kjo është arsyeja pse BE-ja mirëpret miratimin e deklaratës nga palët dhe pret që palët të bëjnë përparim të prekshëm në mbylljen e rasteve të pazgjidhura të Personave të Zhdukur dhe në përmbushjen e detyrimeve të tyre përkatëse ndaj familjeve. Komiteti i Përbashkët i Monitorimit i kryesuar nga BE-ja që mbikëqyr zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksit të Zbatimit të saj do të shqyrtojë rregullisht progresin e arritur.

  • Kurti e Vuçiq zotohen për gjetjen e të zhdukurve nga 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000

    Kurti e Vuçiq zotohen për gjetjen e të zhdukurve nga 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000

    Bashkimi Evropian ka publikuar Deklaratën për të Zhdukurit, mbi të cilën sonte kanë arritur pajtim në Bruksel kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Mes tjerash, në këtë deklaratë, dy liderët janë pajtuar për të dhënë informacione të nevojshme lidhur me gjetjen e personave të zdhukur nga 1 janari i vitit 1998 deri me 31 dhjetor 2000.

    Gjithashtu, theksohet se do të përdoret edhe teknologjia LIDAR për identifikimin e varrezave masive.

    “…për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji të tjera të avancuara në zbulimin e varrezave masive”, thuhet në deklaratë.

    Kjo është deklarata e plotë:

    Duke theksuar rëndësinë e zgjidhjes së fatit të personave të zhdukur të mbetur për t’i afruar vuajtjet e të dashurve të tyre dhe për të nxitur pajtimin dhe paqen e qëndrueshme,

    Duke pasur parasysh se kjo Deklaratë ndjek mirëkuptimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) për Personat e Zhdukur, i cili përfshin personat e zhdukur me forcë,

    Duke kujtuar se të gjitha kategoritë e Personave të Zhdukur, do të trajtohen me prioritet të barabartë,

    Duke pranuar punën e rëndësishme të bërë përmes Grupit të Punës për Personat e Zhdukur, i kryesuar nga KNKK,

    Duke e inkurajuar bashkëpunimin me aktorë të tjerë relevantë në fushën e Personave të Zhdukur, në veçanti me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP),

    Duke e njohur çështjen e Personave të Zhdukur si çështje humanitare,

    Duke vënë në dukje nevojën urgjente për përpjekje shtesë për të lehtësuar vuajtjet njerëzore të familjeve,

    Ne angazhohemi së bashku:

    1. Për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve përkatëse në fushën e Personave të Zhdukur,
    2. për të bashkëpunuar ngushtë për identifikimin e vendeve të varrimit dhe ndjekjen e gërmimeve,
    3. për të siguruar akses të plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë në gjetjen dhe identifikimin e personave të humbur të mbetur brenda periudhës kohore 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000. Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, regjistrimet audio dhe çdo dokument tjetër duke përfshirë ato me status të klasifikuar, nën zotërimin e institucioneve të të dyja palëve, të rëndësishme për këtë kontekst,
    4. për të vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin vendas dhe ndërkombëtar me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur të mbetur,
    5. për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji të tjera të avancuara në zbulimin e varrezave masive,
    6. të mundësojë dhe inkurajojë angazhimin aktiv të familjeve të Personave të Zhdukur në procesin e identifikimit të fateve të tyre,
    7. për të siguruar në mënyrë adekuate të drejtat dhe adresuar nevojat e familjeve të personave të zhdukur,
    8. të krijojnë dhe të punojnë së bashku përmes një Komisioni të Përbashkët të kryesuar nga Bashkimi Evropian dhe të vëzhguar nga KNKK me synimin për të mbështetur përpjekjet për të zgjidhur fatin e personave të zhdukur të mbetur,
    9. të monitorojë dhe mbështesë punën dhe progresin e bërë nga Grupi Punues për Personat e Zhdukur përmes Komisionit të Përbashkët. Në këtë kontekst, palët do të rishikojnë dhe përditësojnë Termat e Referencës dhe kuadrin e Përgjithshëm të Grupit të Punës.
    10. Detajet operacionale do të bien dakord në takimin e ardhshëm të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve.
  • Kurti dhe Vuçiq miratojnë Deklaratën për të Zhdukurit

    Kurti dhe Vuçiq miratojnë Deklaratën për të Zhdukurit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, miratuan Deklaratën për të Zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë.

    Kjo, njëherësh, ishte edhe pika e parë e rendit të ditës në takimin që po zhvillojnë në Bruksel, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të Bashkimit Evropian.

    Nga BE-ja thanë më herët se presin që palët “ta miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur, si pikë e parë e rendit të ditës”, dhe që kjo të pasohet me “paraqitjen dhe diskutimet për draftin e statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe” në Kosovë.

    Përpara takimit, Vuçiq shkroi në Instagram se “do të jetë vështirë”.

    “Kundër nesh janë të gjithë të mëdhenjtë në Perëndim”, tha ai, pa sqaruar se kujt i referohet saktësisht.

    “Megjithatë, ne kemi ligjin dhe drejtësinë në anën tonë. Më e rëndësishme se kjo është se ata nuk e kuptojnë se sa e fortë është dashuria për lirinë dhe sa fort mund ta ruani atë. Përkundër të gjitha presioneve”, tha Vuçiq.

    Kurti, përpara takimit, bisedoi me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    Një ditë më herët, ai foli edhe me këshilltarin e Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili shprehu pritjet e SHBA-së për një takim konstruktiv mes Kurtit dhe Vuçiqit, si dhe për përparim në bisedime, sidomos për çështjen e Asociacionit. /Rel

  • Para nisjes së takimit me Vuçiqin, Kurti zhvillon takim me Escobarin

    Para nisjes së takimit me Vuçiqin, Kurti zhvillon takim me Escobarin

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar në Bruksel me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për të diskutuar për dialogun me Serbinë.

    Kurti ndodhet në Bruksel për t’u takuar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq për zbatimin e marrëveshjes së 27 shkurtit dhe 18 marsit.

    Në takimin me Escobar, sipas një komunikate të zyrës së kryeministrit, është diskutuar edhe për mbështetjen që SHBA i ka dhënë Kosovës në fazën e parë të aplikimit në Këshillin e Evropës.

    Kjo është komunikata e plotë për takimin:

    Në prag të takimit të sotëm të nivelit të lartë politik në Bruksel, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua me Zëvendës ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    Ishte një takim miqësor e produktiv, të cilin kryeministri Kurti e filloi duke e falënderuar z. Escobar për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me rastin e votimit në fazën e parë të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke e cilësuar atë të arritur meritore të Republikës së Kosovës.

    U diskutua për takimin e sotëm, agjendën dhe pritjet, teksa u theksua nevoja e zbatimit të plotë, në mirëbesim dhe pa kushtëzime të asaj që është dakorduar me 27 shkurt në Marrëveshjen Bazë dhe 18 mars në Planin e Zbatimit.​

  • Nis takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel

    Nis takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel

    Në Bruksel ka filluar takimi i radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, në kuadër të bisedimeve për zbatimin e një marrëveshjeje të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

    Takimi është i pari i nivelit të lartë politik pas pajtimit në Ohër për rrugën e zbatimit të marrëveshjes që u arrit më 27 shkurt në Bruksel.

    Bashkimi Evropian gjatë ditës ka thënë se palët pritet “të miratojnë deklaratën për personat e zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës dhe kjo do të pasohet me paraqitjen dhe diskutimet rreth projektit t të parë të statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

    Nga ana tjetër pritjet amerikane janë për një takim konstruktiv dhe që sjell përparim në bisedime, posaçërisht për formimin e Asociacionit.

    Kurti, përpara takimit, bisedoi me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    Një ditë më herët, ai foli edhe me këshilltarin e Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili shprehu pritjet e SHBA-së për një takim konstruktiv mes Kurtit dhe Vuçiqit, si dhe për përparim në bisedime, sidomos për çështjen e Asociacionit.