ATV

Blog

  • Nis edicioni i 18-të i PriFest, nata e parë mblodhi emra të njohur të kinemasë dhe solli premierën e filmit “Dua”

    Nis edicioni i 18-të i PriFest, nata e parë mblodhi emra të njohur të kinemasë dhe solli premierën e filmit “Dua”

    Prishtina është kthyer në qendër të kinemasë me nisjen e edicionit të 18-të të PriFest, një prej ngjarjeve më të rëndësishme të filmit në Kosovë dhe rajon.

    Mbrëmja e natës së parë mblodhi emra të njohur të botës së filmit, artistë, kineastë dhe mysafirë të shumtë, duke sjellë një atmosferë të veçantë në kryeqytet.

    Edicioni i sivjetmë u hap me shfaqjen e filmit “Dua”, i cili u prit jashtëzakonisht mirë nga publiku. Pas përfundimit të filmit, emocionet dhe reagimet e publikut dëshmuan lidhjen e forte që krijoi historia me shikuesit.

    E emocionuar pas pritjes së ngrohtë, regjisorja e filmit ndau emocionet e saj për këtë moment të veçantë, duke vlerësuar reagimin e publikut dhe rëndësinë që ka prezantimi i filmit para një audience të tillë.

    PriFest, edhe në edicionin e tij të 18-të, sjell në Prishtinë një program të pasur me filma, premiera, mysafirë të njohur dhe ngjarje që bashkojnë profesionistët e kinemasë dhe publikun, duke e konfirmuar edhe një herë rëndësinë e festivalit në promovimin e artit dhe kulturës filmike.

     

  • “E godita vetëm një herë me shpullë”, zbardhet dëshmia e Joz Markut në gjykatë pas përleshjes me Edin

    “E godita vetëm një herë me shpullë”, zbardhet dëshmia e Joz Markut në gjykatë pas përleshjes me Edin

    Detaje të reja janë bërë të ditura nga seanca e sotme me dyer të mbyllura ndaj rastit për Jozefin Markun dhe Kristjan Nikollin, çështje që përfshin përleshjen me Eduard Kuçin.

    Këngëtari dhe i afërmi i tij akuzohen për dhunën ndaj Eduard Kuçit, ish konkurrent i Big Brother VIP Kosova, rast që ka bërë bujë në media.

    Gjykata tashmë ka caktuar masën “arrest shtëpie” për Markun dhe Nikollin.

    Në dëshminë e tij, Marku është mbrojtur duke u shprehur se ka qenë veprim gjaknxehtësie dhe se Kuçi i ka sharë familjen, raporton Top Channel.

    “Kërkoj ndjesë për veprimin. E kam kryer në gjaknxehtësi e sipër. Nuk e njihja më parë Eduard Kuçin. E kam njohur në rrjetet sociale, ku më ka sharë familjen”.

    “E kam goditur vetëm një herë me shpullë, duke i thënë të më kërkojë falje që më ka sharë familjen”, mësohet të jetë shprehur Jozefin Marku.

    Sakaq, Nikolli ka deklaruar se nuk ka qenë i pranishëm në vendngjarje, ndërsa për municionin që i kanë gjetur në banesë ka deklaruar se ishte i ndryshkur dhe në kushte të papërdorshme.

    “Unë atë natë që ka ndodhur ngjarja kam qenë në një dasmë, nuk kam qenë prezent në vendngjarje. Unë Jozin e kam mik, këtë e dinë të gjithë. Fishekët që keni gjetur në shtëpinë time ishin të ndryshkur, nuk e di përse ishin aty”, ka dëshmuar Kristjan Nikolli.

     

  • Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një personi të dyshuar për vjedhje në Ferizaj

    Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një personi të dyshuar për vjedhje në Ferizaj

    Policia Rajonale e Ferizajt ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një personi të dyshuar për një rast të “Shpërdorimit të pasurisë së huaj”, i cili dyshohet se ka ndodhur më 31 korrik 2026, rreth orës 20:00, në qendrën “The Village Shopping & Fun” në Ferizaj.

    Me autorizim të Prokurorisë së Shtetit, Policia ka publikuar fotografitë e personit që dyshohet se është i përfshirë në rast.

    Përmes një njoftimi, Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që, nëse kanë ndonjë informacion që mund të ndihmojë në identifikimin apo lokalizimin e personit, ta raportojnë në numrin emergjent 192, në stacionin më të afërt policor ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”.

    Policia ka theksuar se të gjitha informacionet do të trajtohen me konfidencialitet të plotë.

  • Simiq propozoi “në emër të popullit serb” në Kuvendin e Kosovës – reagime të ashpëra

    Simiq propozoi “në emër të popullit serb” në Kuvendin e Kosovës – reagime të ashpëra

    Gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq ka propozuar Slavko Simiqin për pozitën e nënkryetarit të Kuvendit.

    Simiq tha se kandidatura është bërë në emër të popullit serb, me nënshkrimet e 9 nga 10 deputetët që mbajnë vendet e rezervuara për komunitetin serb.

    “Në emër të popullit serb, me nënshkrimet e shumicës së deputetëve që mbajnë vendet e rezervuara për komunitetin serb, përkatësisht 9 nga 10 deputetë, propozojmë zotin Slavko Simiq si kandidat për nënkryetar të Kuvendit”, deklaroi ai.

    Ky propozim ka nxitur reagime të shumta nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

    Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka reaguar duke thënë se deputeti i Listës Serbe, sipas saj, ka sulmuar Kushtetutën dhe Republikën nga foltorja e Kuvendit.

    “E tash pritini këta që na tregojnë që nuk paska rëndësi që deputeti i Listës Serbe sulmon Kushtetutën dhe Republikën nga foltorja e Kuvendit”, ka shkruar Gërvalla.

    Edhe deputeti i LVV-së, Andin Hoti, ka reaguar ndaj deklaratës së Simiqit, duke thënë se Lista Serbe nuk përfaqëson të gjithë popullin serb në Kosovë.

    “Duhet të jetë e qartë: Lista Serbe nuk është populli serb”, ka shkruar Hoti.

    Ai ka theksuar se kandidati nga komuniteti serb për nënkryetar të Kuvendit propozohet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, sipas rregullave kushtetuese të Kosovës.

    Hoti e ka akuzuar gjithashtu Listën Serbe për, siç pretendon ai, shndërrimin e të drejtave të komunitetit në instrument të politikës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

    “Kosova nuk është Serbi. Kuvendi i Kosovës nuk është Beograd”, ka përfunduar Hoti. /Telegrafi/

  • Një muaj paraburgim ndaj personit të dyshuar për vrasje të rëndë në Pejë

    Një muaj paraburgim ndaj personit të dyshuar për vrasje të rëndë në Pejë

    Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji personit B.Z., nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe veprën penale “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë”.

    Vendimi është marrë nga gjyqtari i procedurës paraprake, Armend Lokaj, pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda.

    Paraburgimi ndaj B.Z. është caktuar për periudhën nga 6 shtatori deri më 6 tetor 2026.

    Sipas vendimit të gjykatës, personi B.Z. do ta mbajë masën e paraburgimit në Institucionin e Kujdesit Shëndetësor.

    Masa është caktuar në bazë të dispozitave për paraburgimin të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale të Kosovës.

  • Arrestohet në veri të Mitrovicës një person i kërkuar, ishte dënuar me 7 muaj burgim

    Arrestohet në veri të Mitrovicës një person i kërkuar, ishte dënuar me 7 muaj burgim

    Policia ka arrestuar në veri të Mitrovicës një person të kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, i cili ishte dënuar me 7 muaj burgim efektiv për veprën penale “Vjedhje në tentativë”.

    Sipas Policisë, më 9 shtator 2026, në Stacionin Policor Mitrovicë Veri është paraqitur personi H.B., i lindur në vitin 2001.

    Ai paraprakisht ishte kërkuar në vendbanimin e tij, pasi Policia kishte pranuar informacione nga qytetarët se ndodhej në territorin e Republikës së Kosovës.

    Pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, personi është shoqëruar dhe dërguar në vuajtje të dënimit, në përputhje me urdhër-arrestin e gjykatës.

    Policia ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe i ka ftuar që të raportojnë çdo informacion për persona të kërkuar në numrin 192, në stacionin më të afërt policor ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”.

    Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri ka bërë të ditur se do të vazhdojë zbatimin e urdhëresave të gjykatave ndaj personave të kërkuar.

  • Albulena Haxhiu zgjidhet kryetare e Kuvendit të Kosovës

    Albulena Haxhiu zgjidhet kryetare e Kuvendit të Kosovës

    Albulena Haxhiu është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës, në vazhdimin e seancës konstituive të legjislaturës së re.

    Haxhiu, e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje mori mbështetjen e nevojshme të deputetëve për të udhëhequr Kuvendin.

    “LVV për kryetare të Kuvendit të Kosovës e propozon zonjën Albulena Haxhiu. Është arritur një marrëveshje politike me LDK për presidentin, kështu që konsideroj se mund të procedojmë me këtë propozim”, tha deputeti Glauk Konjufca.

    Ajo mori 62 vota për dhe 13 vota kundër dhe 13 abstenime. Në seancë të pranishëm në momentin e votimit ishin 102 deputetë kurse mungonin 18

    Zgjedhja e saj i hap rrugë përmbylljes së procesit të konstituimit të Kuvendit dhe procedimit me hapat e tjerë për formimin e institucioneve të reja. /Telegrafi/

  • “UÇK na bashkon”, deputetët e PDK-së vendosin mbishkrimin në foltoren e Kuvendit

    “UÇK na bashkon”, deputetët e PDK-së vendosin mbishkrimin në foltoren e Kuvendit

    Pak para nisjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë vendosur në foltoren e Kuvendit një mbishkrim me mesazhin “UÇK na bashkon”.

    Ky veprim vjen në prag të shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara në Hagë.

    Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së pritet të shpallet më 16 shtator. /Telegrafi/

  • Rubio paralajmëron Iranin: Për çdo sulm ndaj anijeve amerikane, do të humbni cisterna

    Rubio paralajmëron Iranin: Për çdo sulm ndaj anijeve amerikane, do të humbni cisterna

    Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka paralajmëruar Iranin se çdo përpjekje për të goditur anijet luftarake amerikane do të pasohet me sulme ndaj cisternave iraniane.

    Rubio e cilësoi situatën si “mjaft të drejtpërdrejtë”, duke deklaruar se SHBA-ja do të përgjigjet ndaj çdo sulmi apo tentative sulmi nga Irani.

    “Irani vazhdon të përpiqet të godasë anijet luftarake amerikane. Dhe për çdo herë që e bën këtë ose përpiqet ta bëjë, do të humbasë cisterna”, deklaroi Rubio gjatë një vizite në Kolumbi.

    Sipas CENTCOM, anija amerikane e shënjestruar nga raketat iraniane arriti t’u shmangej sulmeve, ndërsa asnjë ushtar amerikan nuk u plagos.

    Sulmet e fundit vijnë vetëm pak ditë pasi SHBA-ja goditi tri cisterna të tjera iraniane, pas përpjekjeve të Teheranit për të sulmuar një aeroplanmbajtëse dhe një anije amerikane të pajisur me raketa të drejtuara.

  • Irani sulmon bazën amerikane në Jordani dhe 10 anije në Ngushticën e Hormuzit

    Irani sulmon bazën amerikane në Jordani dhe 10 anije në Ngushticën e Hormuzit

    Garda Revolucionare Islamike e Iranit ka njoftuar se ka lëshuar raketa balistike drejt një baze të përdorur nga ushtria amerikane në Jordani, ndërsa ka deklaruar se ka sulmuar edhe 10 anije në zonën e Ngushticës së Hormuzit.

    Sulmet vijnë një ditë pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan se kanë shkatërruar pesë cisterna iraniane të naftës. Përplasjet e fundit kanë ndërprerë një periudhë relativisht të qetë, duke prekur drejtpërdrejt objektivat ushtarake, transportin detar dhe infrastrukturën energjetike.

    Sipas Gardës Revolucionare Iraniane, raketat balistike u drejtuan ndaj një baze pranë Al Azras në Jordani, e cila përdoret nga forcat amerikane, raportoi Reuters.

    Një zyrtar amerikan deklaroi se sulmi ishte joefektiv dhe se të gjithë trupat amerikane në bazë ishin të sigurt.

    Sulmi në Jordani shënon një tjetër përballje të drejtpërdrejtë të Iranit me objektivat amerikane në rajon. Teherani ka goditur më herët edhe pozicione amerikane në Jordani, ndërsa një sulm në korrik kishte shkaktuar vdekjen e të paktën dy pjesëtarëve të ushtrisë amerikane.