ATV

Blog

  • ​Distria Krasniqi xhudistja më e mirë në botë

    ​Distria Krasniqi xhudistja më e mirë në botë

    Distria Krasniqi është tashmë xhudistja më e mirë në botë për kategorinë deri në 52 kilogramë.

    Kështu tregon renditja më e re e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, sipas së cilës xhudistja kosovare ka mbledhur 7 mijë 275 pikë duke lënë prapa xhudisten britanike, Chelsie Giles, e cila ka marrë 7 mijë e 10 pikë dhe japonezen Uta Abe, e cila i ka 6 mijë e 800 pikë, përcjellë KosovaPress.

    Krasniqi është medaliste Olimpikë nga Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, por ka edhe një numër të madh medaljesh evropiane e botërore në emrin e saj.

  • “Rregullat e pashkruara” në një dasmë

    “Rregullat e pashkruara” në një dasmë

    Veshja për dasma sot ka më pak rregulla se në dekadat e kaluara, por ka disa gjëra që duhet të keni parasysh për të pasur respekt ndaj ceremonisë dhe njerëzve që martohen.

    Disa rregulla që duhet ndjekur janë si p.sh. që të mos visheni me ngjyrë të bardhë sepse e bardha atë natë i takon vetëm nuses.

    Pastaj të vishesh thjeshtë nuk është fare ide e mirë.

    Nuk duhet të vishni xhinse apo diçka sportive edhe në qoftë se është stili juaj në një ditë të zakonshme, sidomos këmisha apo fustane me figura apo shkronja të printuara. Kjo vlen edhe për fëmijët.

    Në qofse dëshironi të vishni pantallona është krejtësisht në rregull por sigurohuni që të jenë elegante.

    Kostumet me pantallona janë një mënyrë e shkëlqyeshme për të shkuar por mund të koordinoni edhe ngjyrën e pantallonave me këmishë.

    Gjithnjë duhet të keni parasysh që një dasmë mund të jetë një ceremoni religjioze dhe do të mund të ndjeheni në siklet me veshje jo të përshtatshme.

    Është e kuptuar që dasma kërkon veshje elegante por nuk duhet të keni më shumë vëmendjen se sa çifti i martuar!

    Një fustan që shkëlqen, sigurisht që për dikë është zgjedhja më e pëlqyer, por një veshje me shumë shkëlqim nuk preferohet.

    Materialet me lëkurë të hollë preferohen shumë, për shkak se ju mbajnë të freskët gjatë ceremonisë së dasmës.

    Gjëja që duhet më së shumti t’i kushtoni rëndësi janë këpucët sepse duhet të siguroheni të jenë sa më të përshtatshme në mënyrë që edhe ecja juaj të duket sa më natyrale.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Bedri Hamza pritet të dëshmojë sot në rastin e “53-milionëshit”

    Bedri Hamza pritet të dëshmojë sot në rastin e “53-milionëshit”

    Bedri Hamza, ish-ministër i Financave, aktualish kryetar i Komunës së Mitrovices pritet që sot të dëgjohet në cilësinë e dëshmitarit në rastin e njohur si “Rasti i 53 milionë eurove”, ku ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) dhe Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    Në seancën e fundit në këtë rast kishte dhënë dëshmin e tij edhe Bajram Hasani, ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, ka deklaruar se nëse nuk do paguheshin këto 53 milion, më vonë Kosova do të duhej të paguante 200 deri në 300 milionë euro.

    Ndryshe, edhe në seancën fillestare të mbajtur më 4 maj 2022, Lekaj dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për veprën penale që iu vihet në barrë.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shkurt 2022, ngriti aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës dhe Nebih Shatrit.

    Ndërsa, më 19 shkurt 2022, PSRK njoftoi se lidhur me këtë rast, më 18 shkurt është ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare. /BetimipërDrejtësi

  • Gjendet i vdekur një burrë në Prishtinë

    Gjendet i vdekur një burrë në Prishtinë

    Një burrë është gjetur pa shenja jete në Prishtinë, njoftoi Policia e Kosovës.

    “· Prishtinë 14.05.2023-05:46. Është raportuar se është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor”, njoftoi Policia.

    Tutje në raportin e Policisë thuhet se me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion, ndërsa rasti është duke u hetuar.

  • Gjendet pa shenja jete një person në Lipjan

    Gjendet pa shenja jete një person në Lipjan

    Policia e Kosovës njoftoi se është gjetur pa shenja jete një person në Lipjan.

    “HETIM MBI VDEKJEN/ Lipjan 14.05.2023-15:45 Është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, thuhet në raportin e Policisë. 

    Tutje, bëhet e ditur se me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion.

  • Vjehrra e vjehrri ia marrin nuses pasaportën me vizë gjermane, e lënë në Malishevë dhe ia pamundësojnë kthimin në Gjermani

    Vjehrra e vjehrri ia marrin nuses pasaportën me vizë gjermane, e lënë në Malishevë dhe ia pamundësojnë kthimin në Gjermani

    Një rast i çuditshëm është raportuar të dielën dhe që dyshohet të ketë ndodhur në fshatin Maxharrë të Malishevës.

    Në një konflikt të tillë janë përfshirë një grua dhe vjehërria e saj, të cilët po dyshohen se i kanë shkaktuar dhunë psikike dhe ia kanë pamundësuar për t’u kthyer në Gjermani ku edhe jetojnë.

    Siç mëson Sinjali, dy të dyshuarit fillimisht e kishin dërguar gruan e djalit te familja e saj pasi gjoja se kanë marrë vendim “ta lëshojnë” dhe gjatë kësaj periudhe ia kanë marrë dokumentet e saj dhe të fëmijëve. Gjithë këtij rasti i ka paraprirë dhuna që ka përjetuar viktima edhe nga bashkëshorti i saj, që kulmoi me rastin e fundit.

    Në bazë të dëshmisë së viktimës të dhënë para hetuesve policorë, vjehërria e saj ia kanë marrë pasaportën, dokumentin e leje qëndrimit dhe më pas dyshon se janë nisur për në Gjermani.

    Kështu, viktima nuk ka pasur mundësi të udhëtojë për në shtetin gjerman, çka e ka shtyrë atë që të kërkojë ndihmën e Policisë.

    Si rezultat i denoncimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti si “Dhunë në familje”, teksa veprimet tjera do të merren pasi të sigurohet prezenca e të dyshuarit kryesor, i cili është futur në listën e personave të kërkuar.

  • Vazhdon seanca gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon seanca gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Gjykatën Speciale sot vazhdon seanca gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

    Sipas njoftimit të bërë për media, seanca pritet të fillojë në ora 09:00.

    Pas më shumë se dy vjet në paraburgim, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

    Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

    Ata po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

  • Parashikimi i motit me Diellza Dakën

    Parashikimi i motit me Diellza Dakën

    Dita e sotme në vendin tonë do të jetë kryesisht me reshje të shiut gjatë gjithë ditës.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 11 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 20 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme në Kosovë do të jetë kryesisht me vranësira dhe me reshje të shiut.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 10 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni më 22 gradë Celsius.

    Parashikimin e plotë të motit me Diellza Dakën në ALARM të ATV-së, mund ta gjeni në videon e më poshtme:

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Erdogan i bindur për fitore, por pranon edhe mundësinë e balotazhit

    Erdogan i bindur për fitore, por pranon edhe mundësinë e balotazhit

    Recep Tayyip Erdogan tha se aleanca e tij në pushtet ka fituar shumicën e votave në zgjedhjet presidenciale, ndërsa pranoi se është gati për një raund të dytë të mundshëm me rivalin Kemal Kilicdaroglu.

    Sipas DW, pas numërimit të 99. 78% të votave, Erdogan prinë me 49,25%, i pasuar nga lideri i opozitës Kemal Kilicdaroglu me 45,05%, përcjell atvlive.tv.

    Sipas Bordit të Lartë Zgjedhor, shumica e fletëve të votimit nga 3.4 milionë votues jashtë shtetit me të drejtë vote duhet ende të numërohen.

    Kujtojmë presidenti Erdogan kishte fituar rreth 60% të votave jashtë shtetit në zgjedhjet e vitit 2018. /atvlive.tv

  • Franca premton më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën

    Franca premton më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën

    Franca premtoi ndihmë ushtarake shtesë për Ukrainën të dielën, duke përfshirë tanke, automjete të blinduara, trajnime për ushtarët dhe ndihma të tjera, në kohën kur ushtria uukrainase po përgatiten për një kundërsulm kundër forcave ruse.

    Ky lajm u bë i ditur pas bisedimeve të papritura në Paris midis dy liderëve.

    Volodymyr Zelensky i Ukrainës dhe Emmanuel Macron i Francës u takuan përreth tre orë në Pallatin presidencial francez Elysee – një takim që u mbajt i fshehtë deri pak para mbërritjes së liderit ukrainas në Paris nga Gjermania, me një avion të qeverisë franceze.

    Ndihma ushtarake për Ukrainën ishte një nga pikat kryesore të agjendës së takimit mes liderëve.

    Zyra e Macron tha se Franca do të furnizojë dhjetëra tanke të lehta dhe automjete të blinduara “në javët në vijim”, pa dhënë numra specifikë. Gjithashtu u premtuan më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore, por përsëri detajet nuk u bënë publike.

    Franca synon të trajnojë rreth 2,000 ushtarë ukrainas në Francë këtë vit dhe gati 4,000 të tjerë në Poloni si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë evropiane për t’i dhënë ndihmë Ukrainës, tha zyra e Macron.

    Në një deklaratë, Franca e përshkroi mbështetjen e saj për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës si “të palëkundur” dhe premtoi se ndihma e saj politike, ekonomike, humanitare dhe ushtarake do të vazhdojë “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.

    Në një postim në Twitter pas mbërritjes së tij, Zelensky tha: “Me çdo vizitë, aftësitë mbrojtëse dhe sulmuese të Ukrainës po zgjerohen. Lidhjet me Evropën po forcohen dhe presioni ndaj Rusisë po rritet”.

    Franca e ka furnizuar Ukrainën me një sërë armatimesh, duke përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore, tanke të lehta, armë të tjera, pajisje dhe karburante.

    Franca dërgoi një aeroplan për të marrë Zelenskyn në Gjermani, prej ku ai u takua me kancelarin Olaf Scholz më herët të dielën dhe diskutoi kundërsulmin e planifikuar të vendit të tij. Zelensky tha se synon të çlirojë zonat e pushtuara nga Rusia brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës dhe jo të sulmojë territorin rus.

    “Ne nuk sulmojmë territorin rus, ne çlirojmë territorin tonë legjitim”, citohet të ketë thënë Zelensky pas disa raportimeve se ai ka konsideruar të sulmojë dhe pushtojë territore ruse, një lëvizje për të cilën është aluduar se ai mund ta përdorë si kartë për bisedime paqeje me Rusinë.

    “Ne nuk kemi as kohë dhe as fuqi [për të sulmuar Rusinë]”, tha ai.

    “Ne po përgatisim një kundërsulm për zonat e pushtuara ilegalisht, bazuar në kufijtë tanë legjitimë të përcaktuar me Kushtetutë, të cilët njihen ndërkombëtarisht”, tha Zelensky.

    Ndër zonat e pushtuara ende nga Rusia janë gadishulli i Krimesë dhe pjesë të Ukrainës lindore, me popullsi kryesisht rusishtfolëse./REL/