ATV

Blog

  • Komisioneri Evropian, Olivier ​Varhelyi sot viziton Kosovën

    Komisioneri Evropian, Olivier ​Varhelyi sot viziton Kosovën

    Komisioneri Evropian për Zgjerim, Olivier Varhelyi, sot do ta vizitojë Kosovën.

    Ai pritet të takohet të takohet me krerët shtetërorë, si dhe me përfaqësuesit e opozitës.

    Sipas njoftimit të presidencës, Varhelyi në ora 12:00 do të takohet me presidenten Vjosa Osmani, derisa bëhet e ditur se pas takimit do të ketë konferencë për media.

    “Këto takime do të jenë një mundësi për të shqyrtuar marrëdhëniet BE-Kosovë dhe për të diskutuar zhvillimet e fundit, si dhe reformat kryesore, duke përfshirë fushën e reformës në drejtësi, tranzicionit energjetik dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga kabineti i Varhelyit.

    Është bërë e ditur po ashtu se komisioneri Varhelyi dhe ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, do të lansojnë Programin për Çështjet e Brendshme BE-Kosovë, me qëllim që të harmonizohen më tej veprimet e Kosovës në zbatimin e ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar me standardet e BE-së.

  • Murati: Pensionet do të rriten sivjet dhe vitin tjetër

    Murati: Pensionet do të rriten sivjet dhe vitin tjetër

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në emisionin CONTEXT në ATV, tha mbrëmë se pensionet do të rriten këtë vit, duke vijuar edhe përgjatë vitit tjetër, në kuadër të reformave pensionale dhe skemave sociale që sipas tij, veçse kanë filluar.

    Këto reforma, ai tha se pritet të përfundojnë gjatë viteve 2023 dhe 2024. Aktualisht, Murati deklaroi se janë në proces të plotësim-ndryshimit të ligjit, që i mundëson këto reforma për të qenë sa më gjithëpërfshirëse.

    “Patjetër që po. Tash jemi në proces të plotësim-ndryshim të ligjit. Plani ka qenë më herët. Po po, edhe sivjet. Reformat e përgjithshme, ka gjëra të tjera, ndryshim të strukturës se si trajtohet Trusti Pensional”, tha ai.

    Gjithashtu, Murati bëri të ditur se është pilotuar edhe projekti për ekipet mobile që do të fillojnë t’i vizitojnë vetë pensionistët. Kjo i mundëson pensionistëve që mos të paraqiten më nëpër sportele për të dëshmuar nëse janë gjallë.

    “Për këtë vit, parashihet të hiqet kriteri diskriminues që ka të bëjë me 15-vjetëshin e stazhit të Punës. Duhet të bëhet sivjet. Këtë e ka kushtëzuar Kushtetuesja. Kemi pasur program, jemi vonuar një vit e gjysmë për shkak të reformave”, tha ai.

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Kurti në festën e Malit të Zi: Përpara kemi projekte që do të fuqizojnë shtetet tona

    ​Kurti në festën e Malit të Zi: Përpara kemi projekte që do të fuqizojnë shtetet tona

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në festën e organizuar nga ambasada e Malit të Zi në Kosovë, për të shënuar ditën e Pavarësisë së këtij shteti.

    Kurti ka thënë se integrimi e orientimi në strukturat trans-atlantike është vlerë, synim e angazhim që ndajnë të dy shtetet.

    “Pragu i lartë në referendumin e pavarësisë para 17 vjetëve, nuk mund të kalohej pa mbështetjen e shqiptarëve në Malin e Zi, të cilët në mënyrë masive e mbështetën pavarësinë, kontribut ky i cili vlerësohet e duhet vlerësuar…Kemi punuar për të nxitur tregtinë dhe investimet, lëvizjen mes njerëzve dhe mallrave dhe përpara kemi projekte infrastrukturore të cilat do të lidhin e fuqizojnë edhe më tej dy shtetet tona”, ka thënë Kurti, siç njofton Qeveria përmes një komunikate për media.

  • Kryetarët në veri “nisin prej zeros”

    Kryetarët në veri “nisin prej zeros”

    Dhënia e betimit solemn nga ana e kryetarëve të tri komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës – Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – si dhe konstituimi i asambleve komunale në dy komunat e fundit, më 25 maj, nuk paraqesin sfidë, vlerësojnë kryetarët e rinj të këtyre komunave.

    Sipas tyre, sfidat për ushtrimin e funksioneve, ballafaqimi me problemet infrastrukturore e të tjera do të nisin pas këtyre solemniteteve.

    Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur të mërkurën se, për arsye sigurie, kryetarët e rinj do të betohen në ndërtesa publike në këto komuna, e jo në kuvendet komunale.

    Në ndërtesa publike do të mbahen edhe seancat konstituive për asambletë komunale të Zveçanit dhe Leposaviqit.

    Kryetarët e rinj – që të gjithë shqiptarë – kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb, pas kërkesës së partisë së tij kryesore, Lista Serbe.

    Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, e ka bërë betimin para kuvendit komunal, më 19 maj.

    Komuna e Mitrovicës së Veriut e ka objektin e saj, ndërsa në tri komunat tjera, deri më tash, në të njëjtat objekte komunale kanë vepruar edhe institucionet komunale sipas sistemit të Kosovës, edhe të ashtuquajturat organe të përkohshme sipas sistemit të Serbisë.

    Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Nenad Radosavleviq, vlerëson se kryetarët e rinj kanë të drejtë të punojnë në objektet kryesore komunale.

    Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare Çohu, thotë se kryetarët e rinj të komunave në veri, por edhe asambletë komunale do të kenë mjaft vështirësi për ushtrimin e mandateve dhe funksioneve.

    Qasja në objekte komunale – sfidë

    Kryetari i ri i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, pritet ta bëjë betimin solemn në fshatin Çabër të kësaj komune, në objektin e zyrës komunale për komunitete.

    Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se në këtë objekt janë zyrat për regjistrimin civil, për lëshimin e pasaportave, drejtoria për çështje sociale dhe të tjera.

    Ky kompleks i zyrave, sipas tij, mjafton si pikënisje për punën dhe ushtrimin e funksioneve komunale. Por, shton ai, në rast se nuk bëhet një dorëzim i detyrës nga ish-kryetari i komunës dhe pranim i detyrës nga vetë ai, asetet që ka komuna, nuk do të mund të shfrytëzohen.

    “Aty është një pjesë e madhe edhe e veturave të drejtorive të ndryshme, që janë pronë komunale. Pastaj, është vula, protokolli. Këto janë vështirësitë e para, por ne do të punojmë. Ne, fillimisht, duhet t’i paralajmërojmë [ish-udhëheqësit komunalë] që t’i dorëzojnë këto gjëra ose ta bëjmë pranim-dorëzimin. Në qoftë se jo, atëherë janë edhe format tjera”, thotë Zeqiri, por pa saktësuar se për çfarë formash të tjera e ka fjalën.

    Kryetari i zgjedhur i Zveçanit, Ilir Peci, do ta bëjë betimin solemn në fshatin Boletin, përkatësisht në shkollën fillore “Isa Boletini”, ku do të konstituohet edhe asambleja e kësaj komune. Ai thotë se puna e komunës do të nisë në zyrat për komunitete në fshatin Lipë.

    “Aty do të nisim që nga nesër [e enjte]. Mirëpo, për drejtori dhe të gjitha të tjerat, është pak… nuk ka hapësirë të mjaftueshme. Te ne fillon gjithçka prej zeros. Te ne nuk ka as drejtori, të cilat kanë qenë më herët, as sekretar të komunës, as fare. Prej fillimit duhet t’i përgatisim të gjitha ngadalë. Ka për të qenë pak e komplikuar, por shpresoj t’ia dalim”, thotë Peci për Radion Evropa e Lirë.

    Në Komunën e Leposaviqit, kryetari i zgjedhur, Lulzim Hetemi, do ta bëjë betimin në fshatin Bistricë, në objektin e shkollës fillore “Kadri Bistrica”. Por, ai thotë se funksionin pret që ta ushtrojë nga zyra e kryetarit, në objektin kryesor të komunës.

    “Nga Bistrica nuk mund të punosh për qytetarë të Leposaviqit. Ne synojmë të shkojmë, të ulemi në ulësen e kryetarit të komunës ku kemi fituar, në objektin e komunës ku është edhe sot. Nuk besoj… jam i bindur që nuk do të ketë probleme”, thotë Hetemi për Radion Evropa e Lirë.

    “Kryetari është kryetar gjithkund”

    Duke folur në një konferencë për media të mërkurën, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, nuk iu përgjigj direkt pyetjes së gazetarëve se ku do t’i ushtrojnë funksionet e tyre kryetarët e komunave në veri të Kosovës.

    Ai tha se “kryetarët do ta ushtrojnë mandatin e tyre kushtetues dhe ligjor në komunën ku janë zgjedhur”.

    “Kryetari është kryetar gjithkund. Por, sigurisht që kryetari do të jetë kryetar edhe në zyrë dhe do të vazhdojë të punojë dhe drejtojë komunën, t’i përmbushë detyrat e tij kushtetuese dhe ligjore nga aty ku edhe ka marrë pjesë në garën zgjedhore”, tha Krasniqi.

    Radosavleviq: Kryetarëve nuk bën t’iu ndalohet qasja fizike në objekte

    Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Nenad Radosavleviq, aktualisht drejtor i Radio-Televizionit Mir (Paqja) në Leposaviq, vlerëson se kryetari i zgjedhur i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, por edhe kryetarët e dy komunave tjera, Zveçan dhe Zubin Potok, kanë të drejtë legjitime dhe legale të qasjes në objektet e komunave përkatëse.

    Ai thotë se në objektin e Kuvendit Komunal të Leposaviqit, aktualisht, punojnë persona që u takojnë organeve të përkohshme të Serbisë, të cilët vijnë kryesisht nga Lista Serbe. Disa prej tyre, shton ai, vazhdojnë të punojnë edhe sipas sistemit të Kosovës. Ai nuk beson që ata mund t’i pengojnë strukturat e reja të zgjedhura komunale që të punojnë në këtë objekt.

    “A janë ata të gatshëm të bëjnë diçka? Mendoj që jo, sepse në çdo rast, çfarëdo që të tentohet, do të kishte reperkusione ligjore. Kjo, më pas, mund të jetë përgjegjësi penale, mbase jo në atë moment. Por, ndonjë ndalim i hyrjes në objekt, unë mendoj që nuk mund të ndodhë. Këtë nuk guxojnë ta bëjnë. Ata njerëz jetojnë këtu. Policia është këtu dhe ligji ekziston”, thotë Radosavleviq.

    Ai shton se strukturat që janë në objektin e Komunës së Leposaviqit, mund të protestojnë, por nuk beson se dikush mund ta marrë guximin për ndalimin fizik të qasjes në objektin komunal.

    Demhasaj: Asnjë veprim i pakoordinuar me SHBA-në

    Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare Çohu, thotë se vetë fakti që betimi i kryetarëve të rinj të tri komunave në veri të vendit, si dhe konstituimi i dy asambleve komunale do të bëhen në objekte publike dhe jo në objekte komunale, është sinjal sesa i vështirë do të jetë ushtrimi i funksioneve nga kryetarët e rinj.

    Demhasaj sugjeron që kryetarët, pas dhënies së betimit, të koordinohen me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës për t’i tejkaluar sfidat e mundshme.

    “Unë mendoj që edhe kryetarët e zgjedhur të komunave në veri, por edhe asamblistët që kanë marrë mandatin atje, duhet të jenë të kujdesshëm për secilin veprim që e marrin. Këtë duhet ta bëjnë gjithmonë në bashkëpunim të afërt, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me ambasadën e saj që është këtu, që të mos ndodhë që veprimet dhe vendimet që ata i marrin, ta çojnë edhe një herë veriun në bllokim. Pasojat më pas do të jenë për ne. Kështu që duhet të jemi të kujdesshëm”, thotë Demhasaj.

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë më 18 maj se nuk duhet përdorur forcë për të fituar qasje në ndërtesat komunale në veri të Kosovës.

    Zgjedhjet për kryetarët e katër komunave në veri janë mbajtur më 23 prill, pasi Lista Serbe është larguar nga institucionet e Kosovës, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar automjetet me targa ilegale serbe.

    Çështja e targave ka shkaktuar tensione të njëpasnjëshme në veri, vitin e kaluar, të cilat kanë kulmuar edhe me ngritje të barrikadave në rrugë.

  • LDK-ja hyn në zgjedhje më 1 qershor

    LDK-ja hyn në zgjedhje më 1 qershor

    Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, pas mbajtjes së mbledhjes së kryesisë, tregoi se subjekti poltiik që ai e drejton, do të hyjë në zgjedhje të brendshme më 1 qershor.

    Deputeti opozitar po ashtu tha se të premten do të mblidhet Këshilli i Përgjithshëm që përgatitet për këto zgjedhje.

    Ai theksoi se këto zgjedhje do të zhvillohen mbi shtatë parime.u përgatitur për këto zgjedhje, derisa theksoi se ky proces zgjedhor do të zhvillohet mbi 7 parime.

    “Sot kryesia e LDK-së ka marrë vendim të shpallë zgjedhje të brendshme. Për ne ky proces është festë sepse gjithmonë LDK-ja ka besuar në demokraci”, tha ai para gazetarëve të mërkurën.

    “Nuk kka mos-pajtime në mes partisë. Partia është më e bashkuar se kurrë. Të gjithë janë të interesuar të kemi një proces të hapur dhe të përfshirje të të rinjve dhe grave, si dhe një nga pozitat e nënkryetarit të jetë grua”.

    Mes tjerash, Abdixhiku bëri të ditur se kanë marrë vendim që t’i hapin katër degë në komunat e veriut të Kosovës. “Do të kemi organizim territorial të degëve në mërgatë”.

  • Murati: 1 mijë veta në Kosovë kanë prona në vlerë prej 5 miliardë euro

    Murati: 1 mijë veta në Kosovë kanë prona në vlerë prej 5 miliardë euro

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se një mijë persona në Kosovë kanë prona me vlerë 5 miliardë euro.

    Këtë statistikë Murati e dha teksa po fliste për tatimin në pronë, ku gjatë muajve të kaluar ka pasur mospajtime ndërmjet Ministrisë së Financave dhe komunave.

    Murati ka thënë se është dezinformuar kur është thënë se “Ministria e Financave ka marrë vendim për tatimin në pronë – sipas tij ministria që ai drejton ka respektuar ligjin.

    ”Më herët vlerësimi është bërë prej komunave dhe komunat kanë bërë vlerësime më të ulëta sesa vlera e tregut, ose ka pas edhe ndryshime edhe ato komuna që kanë mundur t’i bëjnë vlerësimet si duhet. Ministria e Financave e ka kryer një shërbim, por nuk ka marrë asnjë vendim. Është e pavërtetë, le të ma gjen dikush një vendim që e ka marre Qeveria për këtë çështje. Kjo ndodh në mënyrë automatike sepse departamenti që është për tatim në pronë e ka obligim ligjor ta bëjë vlerësim, të autorizojë edhe ekspertë. Kur është bërë vlerësimi në shtator të vitit të kaluar asnjë komunë nuk e ka ngritur zërin që të ndryshohet ligji ose udhëzimi administrativ”, ka thënë Murati.

    Por ai ka thënë se kryetarët e komunave filluan të ankoheshin vetëm pasi qytetarët morën faturat.

    ”Momentin kur kanë filluar ankesat e qytetarëve, faji është hedhur te Ministria e Financave dhe është thënë se Qeveria është duke e vështirësuar jetën e qytetarëve, këso deklaratash kanë qenë nga disa kryetarë komunash”, ka thënë ai.

    Më tutje, ministri i Financave ka thënë se ka propozuar ndryshim të ligjit për vitin tjetër, ndërkaq për këtë vit një falje borxhesh të tatimit në pronë prej 100 eurosh.

    ”Unë kam thënë se unë pajtohem që duhet të ndihmohen qytetarët. Po e bëjmë një projektligj, për vitin vijues e ulim pragun e shkallës tatimore, e rrisim vlerën që lirohet për pronat rezidenciale. Ka qenë 15 mijë euro për banim primar të liruara, tash në propozimin që e kemi dërgu është 30 mijë euro. Sa i përket këtij viti aktual është ta propozojmë një falje tatimi deri në 100 euro, kjo do t’i ndihmonte atij që ka pak pronë”, ka thënë Murati.

    Por sipas tij, 100 euro nuk vlejnë për dikë që duhet të paguajë 50 milionë euro tatim në pronë. Më pas Murati dha statistikën se janë 1000 persona në vend që kanë pronë mbi 5 miliardë euro.

    ”Kanë qenë diku top 1000 mijë nëse nuk gaboj kanë qenë në vlerë 5 miliardë euro”, ka thënë Murati.

  • ​PE miraton rezolutën për Shqipërinë: Aleate e rëndësishme dhe partnere e besueshme

    ​PE miraton rezolutën për Shqipërinë: Aleate e rëndësishme dhe partnere e besueshme

    Eurodeputetët e Komitetit të Punëve të Jashtme përshëndesin fillimin e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe i bëjnë thirrje vendit të ruajë fokusin e tij në agjendën e reformave të BE-së.

    Në një raport të miratuar sot me 52 vota pro, pesë kundër dhe 10 abstenime, eurodeputetët e Komisionit të Punëve të Jashtme përshëndesin ”angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për integrimin në BE, duke vënë në dukje se ai është një reflektim i konsensusit midis partive politike dhe i mbështetjes dërrmuese midis qytetarëve”.

    ”Shqipëria është një partnere e besueshme e politikës së jashtme dhe mbetet një aleate e rëndësishme gjeopolitike, falë përpjekjeve të saj për të çuar përpara bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”, thuhet në raport.

    Eurodeputetët i kërkojnë qeverisë të intensifikojë përpjekjet e saj në forcimin e funksionimit të shtetit të së drejtës, gjyqësorit, kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

    Ajo duhet të garantojë lirinë e medias, të fuqizojë shoqërinë civile, të garantojë të drejtat themelore dhe të drejtat e pakicave, përfshirë komunitetin LGBTI+, si dhe të forcojë bashkëpunimin e saj me institucionet e BE-së.

    Raporti thekson se ”qeveria duhet të avancojë më tej agjendën e reformave të BE-së në bashkëpunim me opozitën dhe të gjitha segmentet e shoqërisë”.

    Ai dënon konfrontimin e qëndrueshëm politik, veprimet përçarëse dhe retorikën nxitëse nga politikanët dhe zyrtarët e nivelit të lartë, duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të një kulture parlamentare konstruktive duke nxitur konsensusin midis të gjithë aktorëve politikë.

    Eurodeputetët shprehin keqardhjen që partitë kryesore politike nuk arritën një marrëveshje për reformën zgjedhore dhe u bëjnë thirrje autoriteteve shqiptare që të zbatojnë urgjentisht ndryshimet e pazgjidhura në kuadrin e financimit të zgjedhjeve dhe partive, shumë përpara zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës.

    Eurodeputetët theksojnë se ”nevojiten përpjekje më të strukturuara dhe të qëndrueshme për të luftuar korrupsionin, përfshirë në nivele të larta, dhe theksojnë nevojën për të trajtuar kulturën e mosndëshkimit”.

    Ata bëjnë thirrje për rezultate shtesë në luftën kundër krimit kibernetik, trafikimit të qenieve njerëzore dhe pastrimit të parave.

    Raporti shpreh keqardhje për mungesën e progresit në arritjen e transparencës institucionale dhe përkeqësimin e situatës së lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias dhe u bën thirrje autoriteteve të miratojnë një kornizë ligjore që mbron gazetarët, mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe palët e tjera të interesuara nga paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPPs ).

    Së fundi, eurodeputetët vënë në dukje se Shqipëria është shënjestruar shumë nga dezinformimi rus dhe sulme të tjera hibride dhe duhet të forcojë mbrojtjen e infrastrukturës së saj kritike, sigurinë kibernetike, kundërdezinformimin dhe masat e tranzicionit energjetik.

    Ndërkohë, raportuesja Isabel Santos tha se “Shqipëria ka demonstruar një angazhim të madh në procesin e integrimit duke zbatuar reforma të vështira”.

    ”Rezultati i votimit të sotëm tregon njohjen e këtyre përpjekjeve nga Parlamenti Evropian dhe përafrimin e plotë të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së. Është njohja e meritës së treguar nga vendi në rrugën e tij drejt anëtarësimit në BE”, theksoi ajo.

  • ​FSK realizon trajnim me ushtrinë kroate: Të gatshëm për sfida, të trajnuar për mision

    ​FSK realizon trajnim me ushtrinë kroate: Të gatshëm për sfida, të trajnuar për mision

    Kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës i atashuar në brigadën e mekanizuar të ushtrisë kroate, ka realizuar një trajnim në edukimin ndaj mjeteve të pashpërthyera për ushtarakët dhe partnerët e atashuar në brigadën e mekanizuar Kroate.

    Ushtarakët e FSK-së ndanë përvojat e tyre në edukim ndaj mjeteve të pashpërthyera duke treguar kështu kapacitetet që ka Kosova në fushën e Deminimit dhe Edukimit për mjetet e rrezikshme.

    Kosova është nikoqire e “Defender Europe 23”, ushtrimit më të madh ushtarak ndërkombëtar.

    Dita promovuese është mbajtur më 21 maj, ndërsa aktivitetet do të përmbyllen me 2 qershor.

    Ushtrimi nga ushtria amerikane dhe synim ka rritjen e ndërveprueshmërinë në mes të partnerëve si dhe gatishmërinë operacionale të NATO-s dhe partnerëve për të reaguar në rast kërcënimi ndaj kontinentit të Evropës.

    Pjesë e “Defender Europe 23” janë 23 vende të NATO-s me mbi 22 mijë trupa.

  • Vdes legjenda e muzikës, Tina Turner

    Vdes legjenda e muzikës, Tina Turner

    Këngëtarja Tina Turner, hitet klasike të së cilës, sikurse The Best dhe What’s Love Got to Do With It, e bënë atë një superyll, ka vdekur në moshën 83-vjeçare.

    Turner ka pasur një sërë problemesh shëndetësore viteve të fundit, përfshirë edhe kancer, një sulm dhe probleme me veshka.

    Në një intervistë të dhënë më 2018, ajo ka thënë:

    “Njerëzit mendojnë se jeta ime ka qenë e vështirë, mirëpo unë mendoj që kam pasur rrugëtim të mrekullueshëm. Me kalimin e viteve e kupton se nuk është e rëndësishme çfarë të ka ndodhur, por si e ke menaxhuar situatën”.

    Ajo u bë e famshme së bashku me bashkëshortin e saj, Ike, në vitet ’60, me këngët sikurse Proud Mary dhe River Deep, Mountain High.

    Ajo u nda nga Ike në vitin 1979 dhe korri edhe më shumë suksese si solo këngëtare në vitet ’80.

    E cilësuar si Mbretëresha e Rock ‘n’ Roll-it, Tina Turner ishte e famshme për performancat e saj të zjarrta dhe energjike, si dhe për vokalin e fuqishëm.

    Gjatë karrierës së saj, ajo ka fituar tetë çmime Grammy dhe është futur në Rock ‘n’ Roll Hall of Fame më 2021 si solo këngëtare, pasi paraprakisht kishte qenë e përfshirë së bashku me Ike-n më 1991.

    Hall of Fame kishte thënë se Turner “zgjeroi idenë, dikur të kufizuar, se si një grua me ngjyrë mund të pushtonte një skenë dhe të ishte një person i fuqishëm dhe shumëdimensional”.

    Këngëtarët e rinj që kanë thënë se janë inspiruar nga Turner përfshijnë edhe Beyonce, Janet Jackson, Janelle Monae dhe Rihanna.

    E lindur në Tenesi, ajo fillimisht kishte filluar të këndonte së bashku me grupin muzikor të bashkëshortit të saj të quajtur, The Kings of Rhythm. Më pas çifti vazhduan karrierën së bashku dhe shumë këngë të tyre u renditën në top-listat muzikore në fund të viteve ’60.

    Në vitet ’70, këngëtarja ndryshoi emrin e saj të lindjes, Anna Mae Bullock, në Tina Turner.

    Turner në vitin 2013, u martua me bashkëshortin e saj të dytë, Erwin Back. Çifti jetoi në Zvicër, dhe Turner kishte edhe shtetësinë zvicerane.

  • Murati: Kosova e ka nivelin më të ulët të inflacionit në rajon

    Murati: Kosova e ka nivelin më të ulët të inflacionit në rajon

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Kosova e ka nivelin më të ulët të inflacionit në rajon.

    “Opozita po thotë Qeveria po e rritë çmimin, parë rezultat, i ka rritë çmimet. Nuk e ka rritë Qeveria asnjë çmim, përkundrazi, Qeveria ka subvencionuar me i mbajtë shumicën e çmimeve të ulëta. Tash çka kemi rastin në rajon, Male i Zi, inflacionin e ka 17.5 për qind në vitin e kaluar. Bosnja-Hercegovina 14.8 për qind, Maqedonia Veriore 14.2 për qind, Kosova 11.6 për qind”, tha Murati.

    Ai tha se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë pakon më të madhe mbështetëse për qytetarët.

    “Krahasuar me këto shtete, këto të gjitha e kanë më lartë inflacionin se ne, po megjithatë ka shumë rëndësi për dy tri shifra, se prapë po them, tash a edhe në Mal të Zi e paskemi shkaktu ne inflacionin, edhe në Gjermani e paskemi shkaktu. Si qeveri ne kemi pasë këtë inflacion, pra jemi ndiku njëjtë sikur të gjitha shtetet tjera në rajon nga inflacioni, mirëpo si Qeveri kemi ndërmarrë pakon më të madhe mbështetëse për qytetarët”, tha Murati. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë: