ATV

Blog

  • Dëmtohen xhamat e dy kafeneve si pasojë e një shpërthimi në Mitrovicë

    Dëmtohen xhamat e dy kafeneve si pasojë e një shpërthimi në Mitrovicë

    Në orët e para të së premtes, ka ndodhur një shpërthim në sheshin “Adem Jashari” në Mitrovicë, ku si pasojë, janë dëmtuar xhamat e dy kafeneve.

    Lajmin për klankosova.tv e ka konfirmuar zyrtari për Informim i Policisë, Avni Zahiti.

    “Rreth orës 03:20, është raportuar se në sheshin ‘Adem Jashari’ si pasojë e një shpërthimi janë dëmtuar xhamat e dy kafeneve dhe një dyqani. Përveç dëmeve materiale, nuk raportohet për të lënduar, rasti në procedurë hetimore”, ka thënë Zahiti.

  • ​Sulmi me thikë në Francë, fëmijët e plagosur në gjendje të qëndrueshme

    ​Sulmi me thikë në Francë, fëmijët e plagosur në gjendje të qëndrueshme

    Katër fëmijë të vegjël që u goditën me thikë në një park në Annecy, në juglindje të Francës, tani janë në gjendje të qëndrueshme.

    Fëmijët nga një deri në tre vjeç po trajtohen në spital.

    Policia mposhti dhe arrestoi sulmuesin me thikë pasi ai hyri në një kënd lojërash për fëmijë për të kryer sulmin, shkruan BBC.

    Mes të plagosurve është edhe një fëmijë britanik trevjeçar, ndërsa një tjetër holandez. Dy të rritur gjithashtu u plagosën, dhe janë në gjendje më kritike.

    Policia ka konfirmuar se i dyshuari është një sirian 31-vjeçar, i cili kishte statusin e refugjatit në Suedi.

    Ky tregim përmban detaje që disa lexues mund t’i gjejnë shqetësuese.

    Deputeti rajonal Antoine Armand e përshkroi sulmin si “të neveritshëm” dhe tha se autoritetet po hetonin, por dinin “shumë pak”.

    Pamjet video të sulmit të ngarkuara në mediat sociale tregojnë një shesh lojërash të vogël, ku jeta po vazhdon normalisht. Fëmijët vrapojnë përreth, dhe prindërit dhe kujdestarët e tyre janë aty.

    Pastaj hyn një burrë me thikë dhe shumë shpejt dëgjohen britma. Ai po kërkon qartë fëmijë për të sulmuar – dhe ai sulmon një në një.

    Sipas raportimeve, sulmuesi “nuk ka të dhëna kriminale apo psikiatrike”.

    Prokurorja e Annecy Line Bonnet-Mathis u tha gazetarëve se viktimat e reja varionin nga 22 muajsh deri në tre vjeç.

    “Nuk duket të ketë asnjë lloj motivimi terrorist”, tha ajo.

    Policia thotë se i dyshuari ka statusin e refugjatit në Suedi dhe së fundmi ka ardhur në Francë, duke lënë pas një grua dhe një vajzë trevjeçare. Në një kërkesë të pasuksesshme për azil vitin e kaluar për statusin e refugjatit në Francë, ai tha se ishte një i krishterë sirian.

    Gjatë incidentit, sulmuesi thirri emrin e Jezu Krishtit.

    Një grua e identifikuar si ish-gruaja e tij tha për BFM TV se ish-partneri i saj ishte i krishterë.

    “Ai nuk më telefonon për katër muaj. [Marrëdhënia jonë] u ndal sepse ne jetonim në Suedi dhe ai nuk donte të jetonte më në Suedi,” tha ajo, duke shtuar se ai nuk kishte shfaqur më parë sjellje të dyshimta.

    Vitet e fundit, Franca është ballafaquar me sulme me thikë, të kryera shpesh nga të rinj të vetmuar me prejardhje në krime të vogla dhe me disa lidhje islamike. Është e qartë se ky sulm është i një natyre tjetër.

    Deri më tani, shumica e politikanëve janë të kujdesshëm që të mos kërcejnë në përfundime, por është e pashmangshme që sulmi të ushqehet në debatin mbi emigracionin.

  • Ish-presidenti Trump akuzohet për rastin e dokumenteve të klasifikuara

    Ish-presidenti Trump akuzohet për rastin e dokumenteve të klasifikuara

    Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, është akuzuar për trajtimin e dokumenteve të klasifikuara pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë.

    Trumpi, 76-vjeçar, përballet me shtatë akuza, duke përfshirë mbajtjen e paautorizuar të dosjeve të klasifikuara, raporton BBC duke iu referuar mediave amerikane, transmeton Klan Kosova.

    Akuzat nuk janë ende publike.

    Kjo është aktakuza e dytë e Trumpit dhe padia e parë federale e një ish-presidenti.

    Ai po bën fushatë për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024.

    Ekspertët ligjorë thonë se aktakuza nuk do të kufizojë aftësinë e Trumpit për të kandiduar sërish për postin e presidentit.

    Në një postim në Truth Social të enjten, Trumpi tha se është i pafajshëm dhe ishte thirrur të paraqitej në një gjykatë federale në Miami të Floridës të martën pasdite, ku do të arrestohet dhe do të dëgjojë akuzat kundër tij.

    “Asnjëherë nuk e kam menduar se ishte e mundur që një gjë e tillë t’i ndodhte një ish-presidenti të Shteteve të Bashkuara”, ka shkruar ai.

    Ai shtoi: “Kjo është me të vërtetë një ditë e zezë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne jemi një vend në rënie serioze dhe të shpejtë, por së bashku do ta bëjmë Amerikën përsëri të madhe!”

    Avokati i Trumpit, Jim Trusty, tha për CNN se ish-presidenti kishte marrë detaje të akuzave në një dokument thirrjeje.

    Ai shtoi se ato përfshijnë konspiracion, deklarata të rreme, pengim të drejtësisë dhe mbajtje të paligjshme të dokumenteve të klasifikuara sipas ligjit të spiunazhit.

  • Zelensky vlerëson arritjet në luftimet e rënda në Donetsk

    Zelensky vlerëson arritjet në luftimet e rënda në Donetsk

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka lavdëruar forcat e armatosura të shtetit të tij për arritjet në luftimet e rënda në rajonin lindor të Donetskut, raporton BBC, transmeton Klan Kosova.

    Në përditësimin e tij të rregullt mbi luftën, Zelensky tha se kishte “beteja shumë të vështira” në vazhdim, megjithëse ai nuk dha asnjë detaj për ndonjë sukses luftarak.

    “Por ka një rezultat dhe unë jam mirënjohës për të gjithë ata që e siguruan këtë rezultat! Bakhmut – bravo. Hap pas hapi. Falënderoj secilin nga luftëtarët tanë”, shtoi ai.

    Udhëheqësi i Ukrainës po fliste në një tren pas një vizite në rajonin e përmbytur Kherson, të shkatërruar nga përmbytjet që pasuan shembjen e digës Kakhovka në fillim të kësaj jave.

    Imazhet që shoqëronin postimin e tregonin atë duke u takuar me komandantë të lartë ushtarakë në terren.

  • Nga janari 2024, ilaçet në Kosovë me një çmim

    Nga janari 2024, ilaçet në Kosovë me një çmim

    Projektligji për çmimin e barnave fillimisht u miratua në qeveri në mars, e tek pas tre muajsh, të mërkurën në kuvend mori edhe dritën jeshile në lexim të parë.

    Ky dokument ligjor synon rregullimin e tregut farmaceutik privat dhe unifikimin e çmimeve ashtu që qytetarët nuk do të orvaten për të gjetur barnatoren me çmimet më të lira.

    Megjithëkëtë, qytetarët këtij ligji do ia shohim hairin tek në fillimin e vitit 2024, të paktën sipas farmacistëve. Këta të fundit thonë se janë disa procedura tek komuniteti farmaceutik, të cilat do të pasojnë pas miratimit të ligjit dhe hyrjes në fuqi të tij.

    Procedurat përfshijnë ofertimin e çmimeve tavan nga depot dhe furnizuesit që më pas të përcaktohet çmimi final dhe më pastaj, pacientët ilaçet kronike do t’i blejnë me çmim të njëjtë kudo në barnatoret e Kosovës, gjë e cila mungon tani.

    E, deputeti nga opozita Armend Zemaj, i cili këtë ligj e cilëson të domosdoshëm por edhe të vonuar nga qeveria, thotë se nuk duhet pritur 2024 për zbatim dhe se për këtë punë do i bëjnë presion më shumë qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

    Aktualisht sipas farmacistëve, në 90% të rasteve, pacientëve iu intereson vetëm çmimi i barit dhe nuk kërkojnë këshilla profesionale.

  • Përfitimet shëndetësore nëse hani vezë çdo mëngjes

    Përfitimet shëndetësore nëse hani vezë çdo mëngjes

    Veza është një nga produktet më të mira shtazore dhe më me vlera ushqyese.

    Të paktën një vezë në ditë duhet ta hani, dhe sugjerohet në mëngjes, në mënyrë që të keni energji gjatë gjithë ditës.

    Disa përfitime që merrni nga veza:

    Veza përmirëson përqendrimin;

    Ju bën më të vëmendshëm;

    Veza është e mbushur me ushqyes themelorë;

    Proteina që përmban veza mund t’ju ndihmojë të bini në peshë;

    Veza i jep energji trurit;

    Mbron sytë.

  • Pesë serbë dënohen për krime lufte në Bosnjë-Hercegovinë

    Pesë serbë dënohen për krime lufte në Bosnjë-Hercegovinë

    Gjykata e Sarajevës dënoi pesë ish-policë serbë për krime kundër boshnjakëve të kryera gjatë konfliktit të viteve 1992-1995.

    Milan Djokic dhe Branislav Trisic u dënuan secili me nga tre vjet burg, ndërsa Zoran Tanasic, Zarko Milanovic dhe Mladen Krajisnik u dënuan me dy vjet burg.

    Tre të pandehur të tjerë në të njëjtin gjyq u shpallën të pafajshëm. Të pandehurit akuzohen se kanë marrë pjesë në përndjekjen, ndalimin e paligjshëm, keqtrajtim, rrahje dhe vrasje të popullatës civile boshnjake në zonën e Janjës.

    Lejohet ankesa në Këshillin e Apelit të Gjykatës së Bosnjë-Hercegovinës./abcnews.al/

     

  • Zjarr te Tregu i Gjelbër në Prishtinë

    Zjarr te Tregu i Gjelbër në Prishtinë

    Si pasojë e një incidenti, zjarri ka kapluar Tregun e Gjelbër në kryeqytet orëve të vona të mbrëmjes të enjten.

    Nga Policia e Kosovës kanë thënë se zjarri u raportua të ketë ndodhur rreth orës 22:00.

    Nuk raportohet për të lënduar, vetëm për dëme materiale.

    “Sot rreth orës 22:00, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në tregun e gjelbërt në Prishtinë. Në vendngjarje janë zjarrfiksit dhe policia të cilët po merren me rastin. Bazuar në të dhënat e deritanishme, është raportuar vetëm për dëme materiale”, tha zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

  • Aeroporti më i madh në botë, projekti i “çmendur” i Dubait që do kushtojë miliarda

    Aeroporti më i madh në botë, projekti i “çmendur” i Dubait që do kushtojë miliarda

    Dubai ka dëshmuar prej kohësh se po përgatitet për… gjëra të mëdha. Mund të qeshim me ironi me lojën e fjalës, por realiteti është se ndërtimet më të mëdha në planet po zhvillohen aktualisht në metropolin e famshëm të Emirateve të Bashkuara Arabe.

    Pavarësisht nëse po flasim për ishuj artificialë apo rrokaqiejt me muzeume dhe hotele, Dubai po përjeton një “bum” zhvillimi të përqendruar gjithmonë në turizmin luksoz. Mega projekti i fundit është Aeroporti Ndërkombëtar Al Maktoum, “metropoli i aeroportit” i parë në botë që do kushtojë 33 mld $.

    Aeroporti i madh po ndërtohet për të thyer rekorde, duke synuar të bëhet aeroporti më i madh në botë deri në vitin 2050, me një kapacitet deri në 255 milionë pasagjerë në vit.

    I njohur gjithashtu si Dubai World Central, aeroporti në Jebel Ali përfshin 35,000 hektarë. Për krahasim, Aeroporti Ndërkombëtar i Los Anxhelosit shtrihet në 3,500 hektarë, ndërsa Aeroporti Ndërkombëtar John F. Kennedy (kapaciteti 29 milionë pasagjerë në vit) përfshin 4,930 hektarë.

  • Ambasadori britanik në Tiranë: Kosova të tërheqë policinë dhe të themelojë Asociacionin

    Ambasadori britanik në Tiranë: Kosova të tërheqë policinë dhe të themelojë Asociacionin

    Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Alastair King-Smith, tha se mbeten të shqetësuar për tensionet në veri të Kosovës duke shtuar se po bashkëpunojnë për të qetësuar gjendjen.

    Smith u shpreh se duhet të ketë zgjidhje, ndërsa sugjeron tërheqjen e policisë nga ndërtesat e komunave, zgjedhje të reja dhe themelimin e Asociacionit.

    “Aktualisht qeveria e Kosovës ka një rol vërtet të rëndësishëm; ata duhet të tërheqin forcat e policisë speciale nga ndërtesat e komunave dhe duhet t’i krijojnë mundësinë kryetarëve të komunave të kryejnë funksionet e tyre nga lokacione të tjera. Gjithashtu, ne mbështesim thirrjen për zgjedhje të reja lokale dhe gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunimin për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, siç është rënë dakord mes qeverive. Kështu që së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, Francën, Gjermaninë, Shtetet e Bashkuara, ju përmendët BE-në, Italinë dhe të tjera me radhë, ne po bashkëpunojmë për të qetësuar situatën dhe për të gjetur një zgjidhje”, tha King-Smith.

    Në këtë intervistë për “Report TV”, ai tha se rajoni i Ballkanit Perëndimor është shumë i rëndësishëm.

    “Ne po përballemi me një luftë në Evropë me pushtimin e Ukrainës nga Rusia dhe tani po shohim të ndizen tensione të tjera. Ne nuk duhet ta lejojmë që kjo të ndodhë. Ky rajon është i rëndësishëm dhe stabiliteti i tij është i rëndësishëm, kështu që ne u bëjmë thirrje të gjithëve të gjejnë mënyrën të kapërcejnë të gjithë këto probleme dhe të gjejnë një zgjidhje që të funksionojë vërtet, jo vetëm për qeverinë, por më e rëndësishmja dhe kryesorja është që duhet të funksionojë për qytetarët dhe qytetarët e çdo komuniteti”, deklaroi ambasadori britanik në Tiranë.