Analisti i futbollit, Muhamet Dragusha thekson se Alain Giresse nuk ka sjellë asgjë të re te Kombëtarja e Kosovës.
“Te Giresse ka çaluar gjithçka. Mendoj që çdo trajner që vjen duhet të sjellë risi, e gjëra të reja, e këtë gjë nuk e kam parë te Alain Giresse”, tha Dragusha në Ekipi A.
Analisti i futbollit, Malsor Gjonbalaj thekson se Alain Giresse nuk e kishte energjinë e duhur për ta menaxhuar Kombëtaren e Kosovës.
“Alain Giresse është një emër i madh në futbollin botëror, një njohës i madh i futbollit, mirëpo te Kosova nuk është vërejtur shumë puna e tij, në ngritjen dhe zhvillimit e ekipit tonë përfaqësues. Ekipit kombëtar i duhet një energji më e madhe në krye të saj”, tha Gjonbalaj në EKIPI A.
Trajneri i futbollit, Arbnor Morina thekson se Kombëtarja e Kosovës kishte më shumë mungesë të fatit gjatë ndeshjeve kualifikuese.
“Isha pak spektik në fillim pasi u dha një vrull shumë i madh në fillim. Por gjithçka do të ishte ndryshe nëse do të shënonim në minutat e fundit kundër Israelit, e ky shkak ishte pse kishim mungesë të fatit”, tha Morina në Ekipi A.
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndodhur një vrasje e dyfishtë në Gjakovë, saktësisht në fshatin Madanaj.
Drejtori rajonal i policisë në Gjakovë, Lumni Graishta ka bërë të ditur se njëri nga viktimat ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa tjetri rrugës për në spital.
Siç bëhet e ditur, viktimat janë vëllezër.
“Bëhet fjalë për vrasjen e dy personave, vëllezër. Njëri ka vdekur në vendin e ngjarjes, e tjetri rrugës për spital. Për momentin s’kemi informata të tjera, deri më tani nuk ka të arrestuar. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00”, tha Graishta.
Më shumë se 62 milionë Euro është vlera e përgjithshme e mjeteve financiare që BE-ja u zotua t’i ndajë për Kosovën, në fund të vitit të kaluar, në kuadër të Instrumentit të Para Anëtarësimit – IPA III.
Një pjesë e konsiderueshme e këtyre parave janë të dedikuara për përmirësimin e mjedisit, infrastrukturën për trajtimin e ujërave të zeza dhe energjinë e gjelbër.
Në kuadër të mjeteve të zotuara në vlerë 1 miliard euro për Ballkanin Perëndimor për adresimin e krizës energjetike, BE-ja tashmë ia ka ndarë Kosovës 67.5 nga 75 milionë Eurot e fazës së parë.
Ndërsa, 55 milionë të tjera janë të planifikuara për dy projekte të energjisë solare: parkun foto-voltaik të KEK-ut dhe atë të Termokosit për ngrohjen e kryeqytetit.
Muajin e kaluar, Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, njoftoi se BE-ja – përmes instrumenteve të ndryshme – është zotuar t’i ndajë 635 milionë euro për investime në Kosovë.
Atë ditë ai kishte lansuar projektin në vlerë 6 milionë Euro për forcimin e kapaciteteve të Kosovës për luftimin e krimit të organizuar.
Pa dhënë detaje për vlerat financiare veç e veç, në një përgjigje për ATV-në BE-ja njoftoi se përmes Planit Ekonomik Investiv për Ballkanin Perëndimor, që në total synon mobilizim deri në 9 miliardë euro dhe synim për 20 miliardë investime në rajon, përfshihen disa projekte të mëdha infrastrukturore në Kosovë.
“Plani Ekonomik Investiv përfshin projekte specifike të rëndësishme për Kosovën, të fokusuara në përmirësimin e lidhjes dhe furnizimit me energji. Këto projekte përfshinë një impiant për trajtimin e ujërave të zeza për Prishtinën, gazsjellësin Maqedoni e Veriut-Kosovë, Autostradën e Paqes (Rruga 7) në segmentin Prishtinë-Merdare, Hekurudha 10 nga Mitrovica në Leshak në Kosovë, dhe përgatitjet për ndërtimin e hidro-sistemit Ibër-Lepenc Faza II”, thuhet në njoftimin e BE-së.
Më në detaje, Bashkimi Evropian ka treguar vlerën e ndihmës financiare përmes fondeve IPA për Kosovën që nga viti 2007, që tejkalon vlerën 1 miliard euro.
Në periudhën 2007-2013, BE-ja kishte ndihmoi Kosovën me 642 milionë Euro përmes IPA I dhe milionave të parë të IPA II.
Ndërmjet viteve 2014-2020, në vazhdimësi të IPA II, investoi në Kosovë edhe 542 milionë euro.
Më 2021 dhe 2022, në kuadër të fondeve IPA III, ka ndarë më shumë se 128 milionë euro.
Përtej tyre, përmes Kornizës për Investime në Ballkanin Perëndimor – WBIF, nga viti 2009, Kosova ka përfituar nga BE-ja grante në vlerë 263 milionë Euro në kuadër të investimeve në vlerë 860 milionë Euro.
Së fundmi, BE-ja ka paralajmëruar pezullim të bashkëpunimit financiar nëse Kosova nuk përmbush kërkesat ndërkombëtare për shtensionim të situatës në veri. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Nëntë komuna të Kosovës nuk kanë fare plan strategjik, kurse vendi nuk ka hartë të përditësuar të rreziqeve nga lumenjtë dhe pellgjet. Pas vërshimeve tragjike në Pejë, këto të dhëna tingëllojnë edhe më dramatike, kur shikohet sa ka harxhuar shteti në projekte të ndryshme për lumenj.
Deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Mirlinda Tishukaj-Sadiku, duke u mbështetur në të dhënat e një auditimi pohon se Rreth 43 milionë euro shpenzoi Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për 142 projekte. Mirëpo, shumica e projekteve janë të papërfunduara ose janë punuar keq.
“Fatkeqësisht ka rezultuar se projektet kanë pasur pozicione të paqarta që të përfundohen punët, janë bërë mospërputhje me faturat, ka pasur nisje të punimeve pa projekt, pa studim të fizibilitetit. Pa një të studim të fizibilitetit të mirëfilltë, pa hulumtim të pellgjeve lumore, pa i ditë pikat kritike ku mund të ketë mundësi për vërshime të mundshme, pa një harmonizim ndërinstitucional të nivelit lokal me atë qendror, pa trajtim të ujërave atmosferik gjendje të tilla do të na ndodhin”, tha Tishukaj-Sadiku.
Ndërkaq, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, kishte deklaruar në Kuvend se Ministria që ai drejton është duke bërë planin e menaxhimit për zvogëlimin e rreziqeve nga vërshimet, gjithashtu sipas tij, do të zhvillohen hartat e rrezikshmërisë nga vërshimet për të gjitha pellgjet në Kosovë, projekt ky i cili pritet të finalizohet në janar të vitit të ardhshëm.
Deputetja Tishukaj Sadiku, pohon se humbjet në njerëz nuk kompensohen, por duhet nxjerrë mësime nga situata e rëndë.
“Është nxjerr një mësim se si nuk duhet të veprohet në të ardhmen, ne e dimë që memoria institucionale është në vazhdimësi. Çdo projekt që fillohet nëse nuk ka kosto, nëse nuk reflektim, ato do të dështojnë. Sot familja që ka humbje të njerëzve çfarë do që themi nuk mund ta kompensojmë, sepse nëse auditori ka thënë që 9 komuna nuk kanë plan strategjik, kjo flet shumë, prandaj që ngjarje të tilla të mos përsëriten”, tha Tishukaj-Sadiku.
Për shkka të të reshurave intensive, Kosova është ballafaquar me vërshime disa herë viteve të fundit. Komunat më të prekura nga vërshimet nga nëntori i vitit të kaluar janë Peja, Skenderaj, Mitrovica, Klina Istogu. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Krerë shtetërorë e institucional, kanë reaguar për tragjedinë që ndodhi mbrëmë në Pejë pas vërshimeve.
Presidentja e vendit Vjosa Osmani teksa foli për vdekjen tragjike të dy qytetarëve, theksoi se Forca e Sigurisë së Kosovës dhe të gjitha institucionet tjera që merren me emergjenca të tilla, janë në Pejë për të ofruar ndihme për qytetarët.
“I shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve, miqve, kryetarit të Komunës z. Gazmend Muhaxheri dhe gjithë qytetarëve të komunës së Pejës për këtë humbje të madhe e kaq tragjike. Në këto momente të rënda, është me rëndësi që përkrahja të vazhdojë në mënyrë që komuna e Pejës të përballojë dhe të rikuperohet nga kjo situatë e vështirë e tragjike”, tha Osmani.
Edhe kryetari i kuvendit Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti kanë reaguar pas tragjedisë në Pejë derisa kanë shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave, dhe theksuan gatishmërinë për ndihmë të institucioneve të Kosovës.
“Në këto momente qëndrojmë pranë familjarëve të viktimave, siç jemi pranë të gjithë qytetarëve të Pejës, të cilët kanë pësuar nga këto vërshime. Njësitet përkatëse të emergjencave me profesionalizmin e tyre janë duke ofruar ndihmën dhe punën e tyre deri në stabilizim të plotë të situatës”, tha Konjufca.
“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Të lënduarve u uroj shërim sa më të shpejtë. Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar me kapacitetet e saj me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave që të ndihmojë në përballimin dhe tejkalimin e pasojave të vërshimeve”, tha Kurti.
Për situatën pas vërshimeve në Pejë ka reaguar edhe ambasadori i bashkimit Evropian në Kosovë Tomas Szunyog, teksa u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave.
Gjatë ditës reagime ka pasur edhe nga liderët e partive politike, të cilët kanë kërkuar nga Qeveria t’i shfrytëzoj të gjitha kapacitetet për ndihem familjeve të goditura nga vërshimet në Pejë. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Mes lotëve e trishtimit, Albert Ademaj, i afërm i dy viktimave, Dion e Mirsade Ademaj, tregon për humbjen e familjarëve të tij, që vdiqën si pasojë e përmbytjeve nga të reshurat që ndodhën mbrëmë në qytetin e Pejës.
Derisa tregon për rastin, Alidemaj kritikon institucionet për mos ofrim të ndihmës së mirëfilltë.
“Jemi të gjithë të shqetësuar, është tmerr, me vdek një nuse 26-vjeçare dhe një fëmijë 5-vjeçar, është katastrofë. Jemi munduar t’i shpëtojmë, gruan dhe djalin e vëllaut i ka tërhek një vrimë që e ka thyer murin. Jemi dalë t’i kërkojmë dhe pas një kohe e kemi gjet djalin e vëllait në një shtëpi më poshtë. Jemi munduar t’i japim ndihmën e parë, kemi thirr ambulanten, Policinë. Derisa e kemi pas djalin e vogël, askush nuk është ardhë hiç, as ambulanca e Policia, e kemi marrë vet dhe e kemi çua në spital, e aty nuk ka pas shenja për jetë, ka qenë i ngulfatur. Jemi kthyer në shtëpi dhe kam pyet nëse kanë hallakat për nënën e djalit, më thanë po kemi shikuar dhe kishin qenë dy policë”, tregoi Albert Ademaj, familjar i dy viktimave.
Gjyshi i 5 vjeçarit, tha se pavarësisht përpjekjeve nuk arritën t’i shpëtonin të gjallë familjaret e tyre.
“Shi ka rënë, ka rrëshit një pjesë e kodrës, e ka nxënë jazin, u mbush te vëllau oborri plot ujë, del, deri kur ka pas mundësi e ka mbajt muri, por më pas uji ka depërtuar brenda. Menzi i kemi shpëtuar dy fëmijët e tjerë, jemi munduar ta shpëtojmë nusen, sepse atë të voglin nuk e kemi pa askund, pastaj e kemi gjet në shtëpi të komshinjve, e nusen e kemi gjet në tretën shtëpi në podrum”, rrëfeu, Milaim Ademaj, familjar i viktimave.
Ndërkaq, sipas të afërmve të tjerë, të tilla vërshime nuk mbahen mend të kenë ndodhur më parë.
“Kjo është tmerrim, kurrë nuk ka ndodhë. Që 70 vjet i kam mbush këtu, dhe kurrë nuk ka qenë uji kështu. Rrugës me ecë uji kështu, e shpiat me ardhë në këtë gjendje, kurrë s’ka ndodhë”, tha Haki Rama, i afërm i viktimave.
Derisa foli për ngjarjen tragjike që ndodhi mbrëmë në qytetin e Pejës, i pari i këtij qyteti Gazmend Muhaxheri tha se do të bëjnë rishikimin e situatës.
“Përveç këtij rasti tragjik që kanë humbur nëna me fëmijë, këto tjera janë sende që rregullohen, por këto dy jetë nuk mund të kthehen. Ka ra shi shumë kohë të gjatë dhe mbrëmë ka qenë sasi e reshjeve që nuk ka ndodhur ndoshta për 50 vite. Duhet t’i bëjmë sajimet dhe të shohim çfarë do të bëjmë”, tha kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Si pasojë e reshjeve të shiut, mbrëmë në qytetin e Pejës, u shkaktuan përmbytje, ku përveç dëmeve në njerëz, pati edhe dëme të mëdha materiale. /atvlive.tv
Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviç, ka propozuar një “plan me katër pika”, të cilat, sipas tij, do të kontribuonin në qetësimin e situatës në veri të Kosovës.
“Duhet të ketë bisedime për arrestimet e paligjshme. Duhet të ketë bisedime për tërheqjen e njësive speciale. Duhet të ketë bisedime për themelimin e Asociacionit të Komunave (me shumicë) serbe dhe të flasim për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet lokale”, tha Vuçeviç.
“Për mendimin tim, këto janë katër pikat që duhet të jenë bazamenti i zgjidhjes së kësaj situate, nëse me të vërtetë duam të lëvizim në drejtimin e shtensionimit”, ka thënë ndër të tjera Vuçeviç, ndërsa ka fajësuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për siç tha “rrezikim të sigurisë së Serbisë”.
Ndryshe, edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paraqitur një plan në përbërje prej gjithsej pesë pikave, të cilën ua ka prezantuar shteteve partnere të QUINT-it (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe) për uljen e tensioneve në veri dhe rikthimin në dialog.
Sundimi i ligjit në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, tërheqja e “milicisë fashiste” atje, kryerja e vlerësimeve të përbashkëta të sigurisë nga Policia e Kosovës, KFOR-i e EULEX-i, shpallja e zgjedhje lokale të parakohshme dhe rikthimi në dialog janë pikat e propozuara nga kryeministri Kurti.
Ndërkaq, qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja lokale atje dhe kthimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve janë kërkesat e përbashkëta të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për de-eskalim, por këto ende nuk janë përmbushur nga asnjëra palë.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pasi nënë e bir vdiqën të shtunën prej vërshimeve në Pejë.
Sipas saj, mbrëmja e djeshme në Pejë shkaktoi shqetësim tek qytetarët atje dhe në të gjithë Kosovën në përgjithësi.
“Mëngjesi i sotëm u bë edhe më pikëllues kur kuptuam se nga përmbytjet në disa pjesë të qytetit, pas të reshurave të shiut, paskan humbur jetën fëmiju 5 vjeçar dhe nëna e tij”, shkroi ajo në Facebook.
Ajo shtoi institucionet lokale atje si dhe mekanizmat të tjerë shtetëror po veprojnë që kjo krizë të tejkalohet sa më parë dhe duhet të bëhet maksimumi në kushtet optimale të rregullimit infrastrukturor që vërshimet e tilla të mos përsëriten.
“Bashkëndjejmë me dhimbjen e familjarëve për humbjen e më të dashurve të tyre, me shpresën që kjo të jetë ngjarje e fundit e trishtë që ndodhë jo vetëm si pasojë e kushteve natyrore por edhe si papërgjegjësi institucionale në ndërtimin cilësor të infrastrukturës urbane”, përfundoi Haxhiu.