ATV

Blog

  • Arrestohen 667 protestues në Francë, polici që vrau 17-vjeçarin kërkon falje

    Arrestohen 667 protestues në Francë, polici që vrau 17-vjeçarin kërkon falje

    Polici francez që qëlloi për vdekje të miturin 17-vjeç, Nahelin, i ka kërkuar falje familjes së tij teksa ishte në paraburgim. Ndërkohë që deri më tani janë arrestuar 667 persona.

    Avokati i tij, Laurent-Franck Lienard, tha se polici ishte “i shkatërruar” dhe se ai nuk ngrihet në mëngjes për të vrarë njerëz.

    “Fjalët e para që shqiptoi ishin kërkim-falja dhe fjalët e fundit që tha ishin për t’i kërkuar falje familjes”, shkruan BBC.

    Ndërsa, në të gjithë Francën kanë vazhduar protestat e shumta ku pas natës së tretë janë arrestuar 667 persona, transmeton KosovaPress.

    Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin ka thënë se policia dhe zjarrfikësit u përballën me “dhunë të rrallë” që përfshiu vendin sërish mbrëmë.

    Shumica e të arrestuarve janë nga mosha 14 deri në 18 vjeç, ndërsa në disa raste protestuesit kanë hyrë me makina në dyqane, barnatore e vende të tjera.

  • Historia e organizatës terroriste “Brigada e Veriut”

    Historia e organizatës terroriste “Brigada e Veriut”

    “Mos u shqetësoni! Ne jemi këtu! Po presim!”. Në mesin e muajit gusht të vitit të kaluar, në pjesën veriore të Kosovës janë shfaqur disa grafite, ku është parë një logo me mbishkrimin “Brigada e Veriut” në serbisht. Për dallim prej “Mbrojtjes Civile”, për “Brigadën e Veriut” dihet shumë më pak.

    Krahas grafiteve me logo të saj në disa rrugë dhe objekte të ndryshme në pjesën veriore të Kosovës, nuk dihet se kush qëndron prapa saj, nëse ka anëtarë aktivë dhe cili është roli i tyre. Për dallim prej “Mbrojtjes Civile”, “Brigada e Veriut” ka më shumë prezencë në rrjetet sociale.

    Për këtë formacion gushtin e shkuar ka folur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në një konferencë për media, Vuçiqi ka thënë se gazetarët dhe opinioni po i referoheshin gabimisht organizatës me emërtimin “Brigada e Veriut”, pasi, sipas tij, emërtimi i saktë është “Brigada Veriu”.

    “Unë jam një person i saktë. ‘Brigada e Veriut’ janë tifozët e Zvezdës [klub futbolli në Beograd]”, ka thënë Vuçiq. Pas kësaj deklarate, grafitet në pjesën veriore të Kosovës kanë filluar të shkruhen me emërtimin “Brigada Veriu”.

    Me kalimin e muajve dhe me rritjen e tensioneve në veri janë shpeshtuar edhe thirrjet e kësaj organizate kundër institucioneve të Kosovës. E në veri janë shkruar edhe mbishkrime që tregojnë se ky formacion ka mbështetës të rinj: “Brigada e Veriut po rritet dita-ditës”. Pas kësaj organizate nuk dihet se kush qëndron.

    Ajo çfarë dihet është se në rrjete sociale, përfshirë platformën e komunikimit “Telegram”, “Brigada e Veriut” ka një llogari, në të cilën publikon vazhdimisht informacione për situatën në pjesën veriore të Kosovës.

    Departamenti amerikan i Shtetit tha se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Uashingtonin sa i përket shpalljes së “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut” organizata terroriste.

    Qeveria e Kosovës më 29 qershor i shpalli këto dy organizata si terroriste.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha gjatë arsyetimit të vendimit se këto dy organizata, që veprojnë në veri, paraqesin “kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë në Kosovë”.

    “Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të shpallur këto grupe si organizata terroriste nuk ka qenë i koordinuar me SHBA-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Ky vendim do të duhej të koordinohej me partnerët më të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata të cilët kanë përgjegjësinë primare për të siguruar stabilitetin e Kosovës. Ne sërish i bëjmë thirrje Kosovës që të përmbahet nga hapat e njëanshëm përderisa ne po punojmë me të gjitha palët për të zgjidhur krizën aktuale”, tha një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.

    Sipas Kurtit, këto dy organizata kanë kryer veprime “me elemente terroriste”, si: sulme të armatosura ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX dhe ushtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

    Zëdhënësi i DASH-it tha se SHBA-ja dënon dhunën “e papranueshme ndaj trupave të misionit të NATO-s, KFOR”.

    “Ata që kanë kryer për këto sulme duhet të mbahen përgjegjës, pas një procesi të rregullt me transparencë të plotë”, tha zëdhënësi.

    Më 29 maj, protestuesit serbë në Zveçan u përleshën me pjesëtarët e KFOR-it. Dhjetëra persona u lënduan nga të dyja palët gjatë këtyre përleshjeve.

    Autoritetet në Kosovë kanë sqaruar se vendimi për shpalljen e këtyre dy organizatave si terroriste nuk do të prekë askënd që mund të ketë kryer vepra penale para këtij vendimi.

    Sipas ligjit në Kosovë, kur organizatat shpallen terroriste, aktiviteti i tyre ndalohet menjëherë. Çdo aktivitet i mëtejmë i tyre do të bartte pasoja të rënda ligjore.

    “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” numërojnë qindra pjesëtarë të tyre nga radhët e komunitetit serb.

    Shpallja e tyre si organizata terroriste vjen në kohën kur tensionet në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – janë rritur.

    Serbët lokalë po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit që u zgjodhën më 23 prill. Këto votime u bojkotuan nga popullata serbe.

    Që nga 26 maji, serbët kanë protestuar në veri dhe që atëherë në këtë zonë janë regjistruar disa sulme me shok-bomba dhe granata dore, që kanë shkaktuar dëme materiale, por pa pasoja në njerëz.

    Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të shtensionojnë menjëherë situatën dhe Prishtina të organizojë zgjedhje të reja në katër komunat në veri.

  • Ambasadori Hill: Marrëdhëniet ndërmjet SHBA-së dhe Serbisë janë të forta

    Ambasadori Hill: Marrëdhëniet ndërmjet SHBA-së dhe Serbisë janë të forta

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Serbi, Christopher Hill, tha se Serbia dhe Amerika janë si dy miq që kanë ndarë rrugët e tyre në të kaluarën, por tani janë sërish bashkë dhe mesazhi i tij është se suksesi i Serbisë është në interes të SHBA.

    Hill, në pritjen me rastin e 4 korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA-së, theksoi se “njëri shok flet për të kaluarën dhe tjetri për të ardhmen”, por e rëndësishme është që të jenë sërish bashkë dhe të tregojnë respekt dhe mirëkuptim.

    “Marrëdhëniet tona dypalëshe janë komplekse, por nuk ka dyshim se ato po përparojnë kurrë më shpejt. Durimin nuk e kam konsideruar kurrë si një virtyt të veçantë dhe kjo shihet nga fakti që festën e 4 korrikut e festojmë më 29 qershor”, tha Hill.

    Hill tha se marrëdhëniet e forta ndërmjet SHBA-së dhe Serbisë janë të rëndësishme për të gjithë dhe se ato duhet të kontribuojnë për paqen dhe sigurinë në këtë rajon, i cili është i rëndësishëm për Evropën, si dhe për tejkalimin e problemeve të së kaluarës dhe përpjekjen për një të ardhme më të mirë.

    “Bashkëpunimi ynë ka themele të thella, bazohet në besimin dhe vlerat reciproke. Në diplomaci besimi është veçanërisht i rëndësishëm, sepse vleni aq sa vlen fjala jote”, theksoi Hill dhe shtoi se do të ketë ende dallime, për të cilat disa do të këmbëngulin me kokëfortësi, por është e rëndësishme të kapërcehen këto lloj vështirësish.

    Duke folur për bashkëpunimin ekonomik, Hill kujtoi kompani të rëndësishme teknologjike që operojnë në Serbi, si NCR ose Oracle në Qendrën e të Dhënave në Kragujevc.

    “Air Serbia na lidhi edhe me një fluturim për në Çikago dhe tani njerëzit nga Denveri mund të arrijnë lehtësisht në Serbi, por disa njerëzve u duhet pak më shumë hapësirë ​​për shkak të këmbëve”, tha Hill, duke aluduar për basketbollistin më të mirë të NBA, Nikola Jokiq.

    Hill theksoi gjithashtu bashkëpunimin shumë të mirë të Gardës Kombëtare të Ohajos me Serbinë, stërvitjen Platinum Wolf dhe sigurimin e automjeteve Humvee për Ushtrinë Serbe, si dhe deklaroi se sot në mëngjes ka marrë pjesë në dërgimin e një kontingjenti të ushtarëve serbë në një mision paqeruajtës, në të cilin ata do të jenë së bashku me ushtarët amerikanë.

    “E di që edhe në Serbi edhe në SHBA ndonjëherë ka shumë politikë, por askush nuk do të jetonte në një vend pa politikë. Le të gjejmë rrugën për të përparuar, për të ushqyer një demokraci më të begatë, më të fortë, është e nevojshme të marrim vendime të vështira, të guximshme, të bëjmë kompromise dhe të respektojmë denjësisht të drejtën për një mendim tjetër”, tha Hill.

    Në pritje morën pjesë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ministra në Qeverinë e Serbisë, përfaqësues të opozitës, komunitetit të biznesit, trupit diplomatik, komuniteteve fetare dhe mediave.

  • Kurti i përgjigjet edhe në Twitter BE-së për masat kundër Kosovës

    Kurti i përgjigjet edhe në Twitter BE-së për masat kundër Kosovës

    Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, në mbledhjen e Qeverisë të enjten i është përgjigjur Komisionit Evropian për masat e ndërmarra ndaj Kosovës, për shkak të situatës në Veri ku BE-ja gishtin e drejton kah Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti.

    Kurti nuk ka qenë i ashpër në reagim, duke thënë se Kosova mbetet aleati më i sinqertë dhe më i qëndrueshëm i Bashkimit Evropian.

    Fjalën e tij, Kurti e ka publikuar edhe në Twitter, aty ku e ka komunikimin publik me bashkësinë ndërkombëtare.

    Kreu i ekzekutivit ka thënë se është për të ardhur keq për këto masa, pasi Kosova vetëm po i mrbon vlerat edhe të vetë Bashkimit Evropian.

    “Masat për Kosovën. Masat janë për të ardhur keq, p.sh. pasi ato janë një reagim ndaj mbrojtjes sonë të patundur të vlerave bazë të vetë BE-së—demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Megjithatë, Kosova mbetet aleate e BE-së, besnike ndaj asaj që përfaqëson Unioni”, ka thënë Kurti.

    Bashkimi Evropian e fajëson Kosovën për dërgimin e kryetarëve shqiptarë në komunat veriore, duke kërkuar që ata të punojnë në objekte alternative.

    Po ashtu, kërkojnë që Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës të largohen nga hapësira rreth komunave.

    Këto kërkesa të BE-së janë në kuadër të përpjekejeve siç thonë zyrtarët evropianë për de-përshkallëzim të situatës në Veri.

  • Kupchan: Amerika e vendosur që Kosovën e Serbinë t’i rikthejë në dialog

    Kupchan: Amerika e vendosur që Kosovën e Serbinë t’i rikthejë në dialog

    Diplomati i pensionuar amerikan Charles Kupchan ka thënë se reagimi i Këshillit Kombëtar të Sigurisë ndaj letrës së tetë senatorëve për Presidentin Joe Biden, lidhur me situatën në Kosovë, është indikacion për bashkëpunim mes Shtëpisë së Bardhë dhe senatorëve amerikanë për tensionet në veri të Kosovës.

    Ish-këshilltari i ish-presidentit Barack Obama për Evropë, Kupchan ka deklaruar se njëjtësimi i qëndrimit, forcon pozicionin amerikan të shprehur mbi dialogun Kosovë-Serbi.

    “Çon një mesazh të qartë rreth vendosmërisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të kthyer Prishtinën dhe Beogradin në dialogun konstruktiv dhe për ta implementuar Marrëveshjen e Ohrit”, ka thënë ai për Zërin e Amerikës.

    Gjatë ditës së djeshme, tetë senatorë demokratë e republikanë, kanë kërkuar nga presidenti amerikan që ta prioritizojë krizën në përkeqësim në veri të Kosovës.

    Ata kanë propozuar që SHBA të ushtrojë presion diplomatik në mënyrë që t’i jepet fund tensioneve mes dy shteteve.

    Duke iu përgjigjur kësaj letre, Këshilli Kombëtar i Sigurisë ka njoftuar se administrata e qeverisë amerikane ndan shqetësimet e njëjta me Kongresin rreth tensioneve të rritura në veri të Kosovës.

    “Ne qartazi kemi dhënë indikacione të qarta se normalizimi i marrëdhënieve, pjesëmarrja në procese demokratike dhe respektimi i sundimit të ligjit do të kontribuojnë në stabilitet dhe siguri në veri të Kosovëes”, është thënë në një përgjigje të Shtëpisë së Bardhë.

    Kupchan ka vlerësuar se ky qëndrim i shtetit amerikan bën të qartë për liderët në Kosovë dhe Serbi se mungesa e koordinimit nga ta, do të ndikojë në marrëdhëniet e tyre me SHBA-në.

  • Grenell: Kurti t’i bindet marrëveshjeve të nënshkruara

    Grenell: Kurti t’i bindet marrëveshjeve të nënshkruara

    Ish-emisari i ShBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell në një intervistë për Syri.net ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka qenë gjithmonë kundër amerikanëve.

    Grenell, tutje tha se Kurti si kryeministër ka hedhur poshtë çdo ide amerikane që i është përcjellë.

    Ish-emisari i ka bërë thirrje Kurtit që t’i bindet marrëveshjeve të nënshkruara.

    “Nuk e di por për mua nuk ka rëndësi, ajo që ka rëndësi është të shohim përpara për ta ulur këtë situatë, kam qen i qartë se Kurti ka qenë i njëanshëm në lëvizjet e tij dhe nuk duhet të kemi forca speciale atje, nuk duhet të kishim kryetar bashkie, dhe duhej të kishim ata që janë të zgjedhur siç duhet, Albin Kurti ka hedhur poshtë çdo ide amerikane që i është përcjellë. Ne duhet të kemi zgjedhje dhe një marrëveshje për bashkitë serbe.

    Tutje ai tha se Kurti si asnjëherë më parë ka bërë bashkë republikanët dhe demokratët, që siç thotë ai nuk mund të ketë një udhëheqës të njëanshëm që siç është Kurti.

    “Albin Kurti bëri bashkë republikanët dhe demokratët si kurrë më parë dhe ata thanë bashkë se s’mund të kemi një udhëheqës kosovar që është i një anshëm dhe provokativ. I thash serbëve se duhej të ktheheshin dhe ti dorëzonin tre oficerët policor”.

    Grenell tutje ka folur edhe për rrëmbimin e tre policëve të rrëmbyer nga Serbia, derisa tha se për këtë janë kritikuar të dyja palët.

  • Hovenier për propozimin e Ramës për Asociacionin: Propozim serioz dhe i menduar mirë

    Hovenier për propozimin e Ramës për Asociacionin: Propozim serioz dhe i menduar mirë

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se propozimi i Edi Ramës për draft-statutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është serioz dhe i menduar mirë.

    Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, ai ka theksuar se Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë nga Kosova që ta formojë një Asociacion i cili bie ndesh me Kushtetutën e saj.

    “Po, gjëja e parë që do ta thosha është se kam pasur mundësi ta lexoj, por jo në detaje, propozimin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe që Rama e ka prezantuar, është serioz, është i menduar mirë, por ka shumë ide dhe shumë mënyra se si mund të bëhet. Është një propozim i bërë nga Friedrich Ebert Foundation, që ishte gjithashtu serioz dhe i realizuar me kujdes. Pra ajo që do të thosha është se nuk kemi mungesë të ideve të mira se si mund të bëhet kjo”, ka thënë ai.

    Tutje, Hovenier duke iu referuar asaj që ka thënë Këshilltari i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka thënë se është e qartë që Asociacioni nuk do të ketë autoritet ekzekutiv.

    “Dhe më lejoni ta përsëris atë që e kam thënë disa herë, ShBA-ja nuk i kërkon Kosovës që të bëjë një Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe që e shkel kushtetutën e saj aktuale, që nuk është në pajtueshmëri me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, apo që shkon përtej asaj që ne u munduam ta shtrojmë në një editorial të botuar nga Ndihmës-sekretari Escobar dhe nga Këshilltari i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, që e bënë shumë të qartë se nuk do të ketë autoritet ekzekutiv, jo nivel të tretë të qeverisjes, jo model si të Republikës Serbe, ne nuk do ta përkrahim këtë. Ka mënyra për ta bërë këtë, që u përgjigjen shqetësimeve të komunitetit dhe natyrisht i mirëpresim idetë e njerëzve të tjerë se si të bëhet kjo”, ka theksuar Hovenier.

    Më tej, ai ka thënë se në fund të ditës, Qeveria e Kosovës duhet të prezantojë ide të reja, duhet të punojë me Miroslav Lajçakun dhe bashkësinë ndërkombëtare për të ecur përpara drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.

    Sipas tij, edhe Serbia ka përgjegjësi, të cilat duhet t’i realizojë për ta zbatuar marrëveshjen e Ohrit.

    “Në pyetjen që ngritët lidhur me hapat e ardhshëm për dialogun, ne nuk do të shprehim opinion mbi hapat më të mirë, në hapat e ardhshëm dhe mënyrën më të mirë për ta bërë, qoftë që të mbyllen njerëzit në një dhomë deri sa ta arrijnë një marrëveshje, qoftë negocim në mënyra të ndryshme. Ky është një proces i lehtësuar nga BE-ja dhe BE-ja e ka emëruar dikë, në të cilin kemi besim, Miroslav Lajçak, që të jetë përfaqësues special dhe përfaqësuesi i lartë, Borell, i cili aktualisht është duke luajtur rol të rëndësishëm në tërë këtë. Ata do ta përcaktojnë se cilët do të jenë hapat e ardhshëm. Ne do t’i mbështesim ata hapa të ardhshëm”, ka thënë ambasadori.

    I pyetur rreth asaj nëse e sheh të mjaftueshëm përfshirjen e presidentes Vjosa Osmani, ai ka thënë se ajo me vendosmëri e ka mbrojtur sovranitetin dhe të drejtat e Kosovës si dhe ka folur mbi rëndësinë e koordinimit të plotë me komunitetin ndërkombëtar.

    “Nuk jam i sigurt a është me vend që unë ta vlerësoj performancën e presidentes së një shteti sovran. Do të them se i kam parë deklaratat publike të presidentes Osmani dhe kemi pasur biseda private, në të cilat ajo me vendosmëri i ka mbrojtur sovranitetin dhe të drejtat e Kosovës dhe ka folur mbi rëndësinë e koordinimit të plotë me komunitetin ndërkombëtar”, ka shtuar ai.

    Tutje, ai ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë veprime në përgjigje dhe në bashkëpunim me miqtë dhe partnerët e saj.

  • Hohmann largohet nga posti i ambasadores së BE në Shqipëri

    Hohmann largohet nga posti i ambasadores së BE në Shqipëri

    Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Christiane Hohmann, do të largohet para kohe nga posti i saj në fund të kësaj vere. Hohmann do të rikthehet në Shërbimin e Jashtëm Gjerman nga 1 Shtatori 2023, ku pritet të marrë një tjetër post të lartë në shërbimin diplomatik.

    Prej datës 2 Gusht të vitit 2022, Christiane Hohmann ka qenë në vendin tonë si ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Evropian. Më parë, ajo ka qenë ambasadore e Gjermanisë në Estoni, në Bosnje dhe Hercegovinë, si dhe ka mbajtur disa poste të tjera të larta në shërbimin diplomatik.

    Largimi i diplomates gjermane e lë bosh postin e ambasadorit të BE në Tiranë. Me shumë gjasa, zëvendësuesi i Hohmann pritet të mësohet në vjeshtë.

  • Trazirat pas vrasjes së 17-vjeçarit, Franca në “shtetrrethim” me 40 mijë policë në rrugë

    Trazirat pas vrasjes së 17-vjeçarit, Franca në “shtetrrethim” me 40 mijë policë në rrugë

    Autoritetet franceze janë të alarmuara për protestat e dhunshme dhe trazirat që kanë shpërthyer në vend, pas vrasjes së 17-vjeçarit Nahel nga policia.

    Prej dy netësh radhazi ndërtesave dhe automjeteve në qytete të ndryshme iu vu zjarri, teksa mijëra njerëz (kryesisht të rinj) dolën në rrugë për të protestuar, pasi u shpërnda në rrjet video ku adoleshenti brenda makinës qëllohej me armë nga policia.

    Policia shtiu mbi të riun në periferinë pariziene të Nanterre pasi ai nuk iu përgjigj thirrjes së tyre për të ndaluar, teksa kishte shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.

    Demonstratat që pasuan incidentin kanë bërë që Presidenti Emanuel Makron të urdhërojë vendosjen e 40,000 oficerëve mbrëmjen e kësaj të enjten në shërbim, mes frikës së një natë e tretë trazirash do të ndodhë ne veçanti në Paris.

    Gjithashtu policia në kryeqytet ka dhënë urdhër që shërbimet e autobusëve dhe tramvajit të mbyllen herët, në mënyrë që të mos jenë shënjestra për banditë dhe vandalët.

    Ndërkohë, qyteti Clamart me një popullsi prej 54,000 banorësh, që ndodhet në periferinë jugperëndimore të Parisit njoftoi një shtetrrethim brenda natës që do të zgjasë edhe në fundjavë.

    Shtetrrethimi do të nisë në orën 21:00 dhe vijon deri në 06:00 të mëngjesit nga e enjtja mbrëma deri të hënën.

    Sakaq, ministrat e Makron kanë bërë thirrje për qetësi teksa u mblodhën për një takim për krizën që ka kapluar vendin këtë mëngjes.

    Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin tha: “Profesionistët që mbjellin tension duhet të shkojnë në shtëpi. Përgjigja e shtetit do të jetë jashtëzakonisht e ashpër”.

    Ministri konfirmoi gjithashtu se numri i oficerëve në detyrë sonte do të katërfishohej nga 9,000 në 40,000, me numrin e oficerëve të vendosur vetëm në rajonin e Parisit të dyfishuar me 5,000.

    Në takimin urgjent që mbajti gjatë paradites, vetë Macron mësohet të jetë shprehur: “Këto akte janë krejtësisht të pajustifikueshme”.

    Ai gjithashtu ka kërkuar një plan për ditët në vijim, në mënyrë që paqja e plotë të mund të kthehet në vend.

    Por ndryshe mendojnë aktivistët francezë, të cilët përsëritën thirrjet për të trajtuar atë që ata e shohin si abuzim sistematik të policisë, veçanërisht në lagjet ku shumë banorë luftojnë me varfërinë dhe diskriminimin racor ose klasor.

    Ndërkohë, raportohet se në dy mbrëmjet që pasuan incidentin, pati përplasje të ashpra midis policisë dhe të rinjve në qendrat strehimore dhe lagje të tjera vulnerabile.

    Në shesh, përballë ekipeve të policisë kundër trazirave pati gaz lotsjellës dhe granata trullosëse, ashtu si edhe gurë, flakë dhe fishekzjarrë. Demonstratat u përhapën edhe në qytete të tjera të mërkurën mbrëma, pavarësisht nga prania e shtuar e policisë.

  • Profesori i të drejtës ndërkombëtare tregon se pse konferenca ndërkombëtare nuk është e mirë

    Profesori i të drejtës ndërkombëtare tregon se pse konferenca ndërkombëtare nuk është e mirë

    Profesori i të drejtës ndërkombëtare, Bashkim Rrahmani, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se ideja e mbajtjes së një konference për Kosovën dhe Serbinë është e panevojshme në fazën në të cilën gjenden këto dy vende tani.

    “Personalisht mendoj se BE-ja do të bëjë një kthim prapa, nuk do të arrihen efektet e dëshiruara krahas një procesi të ndërmjetësuar nga BE e cila po zgjatë më shumë se 10 vite dhe në momentin kur ne po presim finalizimin e një marrëveshje për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që i kemi me Serbinë, na vjen si rrufe një ide për një konferencë, e cila është përmendur edhe nga ish-kryeministri para pak vitesh sikur këto ditët e fundit po përmendet edhe nga kryeministri shqiptar Edi Rama. Mendoj se një konferencë e tillë është absolutisht e panevojshme në fazën në të cilën gjendemi ne, në momentet kur BE-ja ka tentuar që të luajë rolin e ndërmjetësuesit në negociata”, tha Rrahmani. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë: