ATV

Blog

  • Arrestohet Faruk Mujka i dyshuar për korrupsion

    Arrestohet Faruk Mujka i dyshuar për korrupsion

    Është arrestuar Faruk Mujka kryeshef ekzekutiv i Bordit të Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, nën dyshimin për korrupsion, derisa ishte nënkryetar i Komunës së Mitrovicës, raporton Betimi për Drejtësi.

    Mujka ishte nënkryetar i Mitrovicës, në kohën sa kjo komunë udhëhiqej nga Kryetari Agim Bahtiri. Mujka njëherësh ishte edhe Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë.

    Sipas raportimeve të mediave, ish-nënkryetari i Mitrovicës kishte qenë pjesë e partisë së gruas së Sllobodan Millosheviqit, Mira Markoviq. Këto pretendime, Mujka nuk i ka mohuar asnjëherë.

  • Belgjika mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO

    Belgjika mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO

    Kryesuesi i delegacionit të Parlamentit Federal të Belgjikës në NATO, Theo Francken ka shprehur mbështetjen ndaj Kosovës për anëtarësim në këtë institucion.

    Në ditën e parë të vizitës së tyre në Kosovë, ai tha se stabiliteti dhe siguria në Ballkanin Perëndimor është kyçe, sidomos pas invazionit rus në Ukrainë.

    “Belgjika gjithmonë e ka mbështetur Kosovën dhe integritetin territorial. Belgjika qëndron në anën e juaj”, tha ai.

    Para mediave foli edhe kryesuesi i delegacionit të Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-s, Driton Hyseni, i cili nënvizoi nevojën për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

  • Gjendet i vdekur një burrë pranë një shtëpie të djegur në Lipjan

    Gjendet i vdekur një burrë pranë një shtëpie të djegur në Lipjan

    Të enjten në mesnatë, një person është gjetur pa shenja jete në afërsi të një shtëpie të pabanuar e cila ishte përfshirë nga zjarri në rrethana ende të panjohura.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, zjarrfikësit të cilët e kanë fikur zjarrin dhe mjeku kujdestar i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës.

    “Lipjan 13.07.2023-23:33. Viktima mashkull kosovar është gjetur pa shenja jete në afërsi të një shtëpie të pabanuar e cila ishte përfshirë nga zjarri në rrethana ende të panjohura. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, zjarrfikësit të cilët e kanë fikur zjarrin dhe mjeku kujdestar i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa rasti është në proces hetimor”, thuhet në raport.

  • OKB: 165 milionë njerëz ranë në varfëri në tri vjetët e fundit

    OKB: 165 milionë njerëz ranë në varfëri në tri vjetët e fundit

    Pandemia COVID-19, kriza e kostos së jetesës dhe lufta në Ukrainë kanë shtyrë 165 milionë njerëz në varfëri që nga viti 2020, u tha në një raport të publikuar më 13 korrik nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).

    OKB-ja bëri thirrje që të shqyrtohet mundësia e një pauze në shlyerjen e borxhit për vendet në zhvillim.

    Për shkak të këtyre krizave, 75 milionë njerëz mendohet se kanë rënë në varfëri ekstreme gjatë periudhës kohore 2020-2023. Varfëri ekstreme cilësohet kur një person jeton me më pak se 2.15 dollarë në ditë.

    Sipas një studimi të publikuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim edhe 90 milionë të tjerë do të bien nën kufirin e varfërisë prej 3.65 dollarë në ditë.

    “Më të varfrit vuajnë më shumë dhe të ardhurat e tyre në vitin 2023 parashikohet të mbeten nën nivelet e para pandemisë”, thuhet në raport.

    “Në vendet me borxhe të larta, ekziston një korrelacion midis niveleve të larta të borxhit, shpenzimeve të pamjaftueshme sociale dhe një rritjeje alarmante të normave të varfërisë”, tha në një deklaratë shefi i UNDP-së, Achim Steiner.

    Sipas një raporti tjetër të OKB-së të publikuar më 12 korrik, rreth 3.3 miliardë njerëz, gati gjysma e njerëzimit, jetojnë në vende ku shpenzohet më shumë për pagesën e interesit për borxhin sesa për arsimin dhe shëndetin.

    Dhe vendet në zhvillim, pavarësisht se kanë nivele më të ulëta të borxhit, po paguajnë më shumë interes, pjesërisht për shkak të normave më të larta.

    Sipas raportit, kostoja vjetore e nxjerrjes nga varfëria të 165 milionë njerëzve do të ishte mbi 14 miliardë dollarë amerikanë.

    Në fillim të kësaj jave, Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres, i cili ka bërë presion për një reformë të institucioneve financiare ndërkombëtare, denoncoi “sistemin tonë financiar global të vjetërsuar, i cili pasqyron dinamikën e fuqisë koloniale të epokës kur u krijua”.

  • Vuçiq: Tërheqja e 25 për qind të policisë nga Veriu i Kosovës është mashtrim

    Vuçiq: Tërheqja e 25 për qind të policisë nga Veriu i Kosovës është mashtrim

    Serbët janë parë gjithmonë si një faktor përçarës dhe është e vërtetë se ekziston një matricë që çdokujt t’u jepet gjithçka dhe serbëve t’u hiqet gjithçka, theksoi presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

    Vuçiq tha për mediat serbe se ndaj serbëve nuk zbatohen vetëm standarde të dyfishta, por edhe më shumë se kaq.

    Lidhur me vendimin e Kosovës për tërheqjen e 25 për qind të Policisë së Kosovës rreth ndërtesave komunale në veri të Kosovës, ai nënvizoi se ishte një mashtrim.

    Ai ka theksuar se serbët në Kosovë keqtrajtohen çdo ditë.

  • Një femër në Fushë Kosovë raporton se ishte dhunuar kur ishte 13 vjeçare

    Një femër në Fushë Kosovë raporton se ishte dhunuar kur ishte 13 vjeçare

    Policia e Kosovës ka njoftuar se një femër ka raportuar të enjten në Polici se ishte dhunuar kur ishte 13 vjeçare.

    Në raportin policor bëhet e ditur se është intervistuar i dyshuari mashkull kosovar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

    “Fushë Kosovë 2019. Ankuesja femër kosovare, më datë 13.07.2023 ka njoftuar se ishte dhunuar nga një i dyshuar mashkull kosovar kur ajo ishte 13 vjeçare. Me vendim të prokurorit është intervistuar i dyshuari mashkull kosovar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

  • Aktorët e Hollivudit nisin grevën historike

    Aktorët e Hollivudit nisin grevën historike

    Aktorët e Hollivudit kanë njoftuar mbrëmjen e 13 korrikut se do t’i bashkohen një greve të skenaristëve, duke nisur atë që paraqet mbylljen më të madhe në industrinë e filmit që më shumë se 60 vjet.

    Shoqëria e Aktorëve të Ekranit (SAG) po kërkon nga gjigantët e transmetimit që ata të pajtohen për një ndarje më të drejtë të fitimeve dhe për kushte më të mira pune.

    Rreth 160.000 performues pritet të bëhen pjesë e grevës gjatë ditës. Kjo grevë bën që shumica dërrmuese e prodhimeve filmike dhe televizive në SHBA do të ndalen.

    Yjet Cillian Murphy, Matt Damon dhe Emily Blunt lanë në gjysmë premierën e filmit të shumëpritur të regjisorit Christopher Nolan, “Openheimer”, në Londër mbrëmjen e 13 korrikut, pasi u shpall greva.

    Greva e SAG fillon në mesnatë sipas kohës lokale të Los Anxhelosit, që në Kosovë i bie në orën 9 të mëngjesit. Protesta do të fillojë në mëngjes jashtë selisë qendrore të Netflixit në Kaliforni, përpara se të kalojë para selive të Paramount, Warner Bros dhe Disney.

    Sindikata – e cila zyrtarisht njihet si Shoqata e Aktorëve të Ekranit dhe Federata Amerikane e Artistëve të Televizionit dhe Radios, apo SAG-AFTRA – gjithashtu kërkon garanci që inteligjenca artificiale (AI) nuk do të përdoret për të zëvendësuar aktorët.

    Grupi që përfaqëson studiot, Aleanca e Prodhuesve të Filmit dhe Televizionit, ose AMPTP, e kritikoi vendimin.

    Në reagimin e AMPTP-së thuhet se “greva sigurisht që nuk është rezultati që ne shpresonim pasi studiot nuk mund të funksionojnë pa interpretuesit që sjellin në jetë shfaqjet dhe filmat tanë televizivë”.

    “Sindikata ka zgjedhur për fat të keq një rrugë që do të çojë në vështirësi financiare për mijëra njerëz të panumërt që varen nga industria”, thuhet tutje në këtë reagim.

    Për t’i adresuar shqetësimet lidhur me përdorimin e AI, AMPTP-ja tha se kishte rënë dakord për një “propozim novator” që do të mbronte aktorët dhe do të kërkonte pëlqimin e tyre kur kopjet digjitale përdoren në shfaqje ose bëhen ndryshime.

    Por, drejtori ekzekutiv kombëtar i SAG dhe kryenegociatori, Duncan Crabtree-Ireland, tha se oferta ishte e papranueshme.

    “Nëse mendoni se është një propozim novator, ju sugjeroj të mendoni përsëri”, tha ai.

    Një tjetër kërkesë e SAG-së për gjigantët e transmetimit është që aktorët të marrin paga bazë dhe bonuse më të mëdha për ritransmetimin e filmave dhe shfaqjeve ku ata kanë luajtur.

    Greva përfshin dhjetëra mijëra aktorë që marrin shumë më pak para sesa kolegët e tyre më të famshëm.

    Grevës do t’i shtohet një liste projektesh që tashmë janë mbyllur ose kanë ngecur për shkak të grevës së mëparshme të skenaristëve.

    Për filmat në prodhim, kjo do të thotë se një pjesë e madhe e punës do të bëhet e pamundur. Edhe në rastet kur xhirimet tashmë kanë përfunduar, aktorët nuk do të jenë të qasshëm për rixhirime dhe pjesë të tjera thelbësorë të procesit të krijimit të filmave.

    Shumë shfaqje televizive që janë ende duke u filmuar do të duhet gjithashtu të ndalin punën pasi aktorët bëhen të paqasshëm, megjithëse në disa raste mund të lidhen marrëveshje midis interpretuesve dhe producentëve për ta lejuar vazhdimin e punës.

    Yjet më të mëdhenj të Hollivudit nuk do të marrin pjesë në ngjarjet për të promovimin e filmave të rinj. Eventet e mëdha për ndarjen e çmimeve për industrinë e filmit, si Emmys dhe Comic-con, mund të shtyhen apo të kufizohen.

    Ngjarjet ndërkombëtare, të tilla si festivalet e filmit në Toronto dhe Venecia, do të vazhdojnë, megjithëse aktorët e SAG nuk do të mund të marrin pjesë siç kanë bërë në vitet e kaluara.

    Në orët e para pas njoftimit, disa aktorë të lidhur me SAG shkuan në Instagram për të shprehur mbështetjen e tyre për grevën, si ylli i Better Call Saul, Bob Odenkirk, Cynthia Nixon e Sex and the City dhe veterani i Hollivudit, Jamie Lee Curtis. /rel

  • Kurti inspektoi punimet në rrugën Prishtinë-Podujevë

    Kurti inspektoi punimet në rrugën Prishtinë-Podujevë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mbrëmë pas mesnate ka inspektuar punimet në rrugën Prishtinë – Podujevë, pasi la seancën e Kuvendit të Kosovës në të cilën pati rrahje mes deputetëve të PDK-së dhe kabinetit qeveritar.

    Kreu i ekzekutivit ka shpërndarë një video në Facebook, ku ka shkruar se janë duke vazhduar punimet me intensitet të lartë.

    “Po vazhdojnë punimet me intensitet të lartë në rrugën Prishtinë – Podujevë.

    Sonte jemi në terren, për të parë nga afër punën që po bëhet edhe në orët e vona të natës e pas mesnatës.

    I falemnderoj punëtorët e inxhinerët që nuk po ndalen ditë e natë për ta përfunduar këtë rrugë në afat!

    Qeveria për Komunat”, ka shkruar ai.

  • FDA miraton pilulën e parë kontraceptive pa recetën e mjekut

    FDA miraton pilulën e parë kontraceptive pa recetën e mjekut

    Zyrtarët amerikanë kanë miratuar pilulën e parë kontraceptive pa recetën e mjekut, duke u dhënë mundësi grave dhe vajzave amerikane ta blejnë atë ashtu siç blejnë aspirinat apo solucionet për pastrimin e syrit.

    Administrata e Ushqimit dhe Barnave tha të enjten se dha miratimin për pilulën Opill të kompaninë Perrigo e cila merret një herë në ditë pa recetën e mjekut, duke e bërë atë ilaçin e parë të tillë që zhvendoset nga seksioni i farmacisë në raftet e dyqaneve. Kompania nuk do të fillojë dërgimin e pilulës me postë deri në fillim të vitit të ardhshëm dhe nuk do të ketë kufizime moshe në shitjen e saj.

    Pilulat e bazuara në hormone kanë qenë prej kohësh forma më e zakonshme e kontrollit të lindjes në SHBA, e përdorur nga dhjetëra miliona gra që nga vitet 1960. Deri më tani, të gjitha kërkonin recetë nga mjeku.

    Shoqëritë mjekësore dhe organizatat për shëndetin e grave kanë kërkuar qasje më të gjerë, duke vënë në dukje se rreth 45% e 6 milionë shtatzënive vjetore në SHBA janë të paplanifikuara. Adoleshentët dhe vajzat, gratë me ngjyrë dhe ato me të ardhura të ulëta njoftojnë për pengesa më të mëdha në marrjen e recetave dhe ilaçeve.

    Disa nga sfidat mund të përfshijnë pagesën për vizitën e mjekut, lejen nga puna dhe gjetjen e kujdesit për fëmijët.

    “Ky është me të vërtetë një transformim në qasjen ndaj kujdesit kontraceptiv,” tha Kelly Blanchard, presidente e Ibis Reproductive Health, një grup jofitimprurës që mbështeti miratimin. “Shpresojmë që kjo do t’i ndihmojë njerëzit të kapërcejnë ato barriera që ekzistojnë tani”.

    Perrigo me bazë në Irlandë nuk njoftoi një çmim për pilulën. Barnat pa recetë janë përgjithësisht shumë më të lira se ato me recetë, por ato zakonisht nuk mbulohen nga sigurimet shëndetësore.

    Detyrimi i siguruesve për të mbuluar kontrollin e lindjeve pa recetë do të kërkonte një ndryshim rregullator nga qeveria federale, të cilin mbështetësit për çështjet e grave po i kërkojnë administratës Biden ta zbatojë.

    Shumë medikamente të zakonshme janë bërë pa recetë në dekadat e fundit, përfshirë barnat për dhimbje, urth dhe alergji. Pilulat kontraceptive janë të disponueshme pa recetë në pjesën më të madhe të Amerikës së Jugut, Azisë dhe Afrikës.

    Kompania Perrigo dorëzoi studime të bëra prej vitesh në FDA për të treguar se gratë mund të kuptonin dhe ndiqnin udhëzimet për përdorimin e pilulës. Miratimi i së enjtes erdhi pavarësisht disa shqetësimeve nga shkencëtarët e FDA-së në lidhje me rezultatet e kompanisë, përfshirë atë nëse gratë me kushte të caktuara mjekësore do të kuptonin se nuk duhet ta merrnin ilaçin.

    Veprimi i FDA-së vlen vetëm për pilulën Opill. Ajo është në një klasë më të vjetër të kontraceptivëve, të quajtur ndonjëherë minipilula, që përmbajnë një hormon të vetëm sintetik dhe në përgjithësi kanë më pak efekte anësore sesa tabletat më të njohura të kombinimit të hormoneve.

    Por avokatët e shëndetit të grave shpresojnë se vendimi do të hapë rrugën për më shumë opsione për kontrollin e lindjeve pa recetë.

    Vendimi i FDA-së nuk ka asnjë lidhje me betejat e vazhdueshme gjyqësore mbi pilulën e abortit mifepristone. Studimet në aplikimin e kompaninë Perrigo për të marrë miratimin nga FDA-ja filluan vite përpara anulimit të Gjykatës së Lartë për të drejtën e abortit.

    Për shkak të kufizimit të të drejtave riprodhuese në disa shtete, FDA-ja është përballur me presion nga politikanët demokratë, mbrojtësit e të drejtave të qasjes në shëndetësi dhe profesionistët mjekësorë për të lehtësuar qasjet tek medikamentet që ofrojnë kontroll për lindjet. Shoqata Mjekësore Amerikane dhe shoqëria kryesore profesionale për mjekët obstetër dhe gjinekologë mbështetën aplikimin e pilulës Opill pa recetë.

    Një panel i jashtëm i këshilltarëve të FDA-së votoi njëzëri në favor të ndryshimit në një seancë dëgjimore në maj, ku dhjetëra kërkuan miratimin e pilulës Opill.

    Pilulat më të reja të kontrollit të lindjes zakonisht kombinojnë dy hormone, estrogjenin dhe progestinën, të cilat mund të ndihmojnë për t’i bërë periodat më të lehta dhe më të rregullta./VOA

  • ​Asamblistja e Prishtinës kalon nga LV-ja në PDK, kthehet sërish në LV

    ​Asamblistja e Prishtinës kalon nga LV-ja në PDK, kthehet sërish në LV

    Berna Saraçi është sërish asambliste e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

    Këtë e ka konfirmuar nënkryetarja e Komunës nga radhët e PDK-së, Donjeta Sahatçiu dhe shefi i asamblistëve të VV-së në Prishtinë, Gëzim Sveçla.

    Kujtojmë se vetëm më pak se një muaj më herët, Saraçi kaloi nga VV-ja në Partinë Demokratike të Kosovës. Tash është kthyer sërish nga ku u largua më 21 qershor.

    “Më 21 qershor ndava njoftimin se Berna Saraçi na u bashkua për Prishtinën. Më 27 qershor, në mbledhjen e pestë të Kuvendit Komunal, zyrtarizuam kalimin e saj si asambliste në grupin e PDK me arsyetimin e elaboruar në fjalimin e saj. Sonte Berna ka vendosur të kthehet si asambleiste e LVV-së për të përmbyllur mandatin e saj në grupin ku ishte deri më 21 qershor. Bashkë me grupin e PDK në Prishtinë, Bernës i dëshirojmë rrugëtim të qetë dhe të mbarë në vazhdimësi”, ka shkruar Sahatçiu.

    Ndërsa Sveçla ka shpërndarë një fotografi të takimit të mbrëmshëm me kryeministrin Albin Kurti, e ku ka shkruar “Na 3 asamblistët, sonte, në takim me Kryeministrin. Vazhdojmë rrugëtimin bashkë me Bernën”.