ATV

Blog

  • ​LDK i vendos karton të kuq qeverisë: Duhet të shkojnë në shtëpi pas shkeljeve kushtetuese

    ​LDK i vendos karton të kuq qeverisë: Duhet të shkojnë në shtëpi pas shkeljeve kushtetuese

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuzuar sot Qeverinë e Kosovës për shkelje të vazhdueshme të Kushtetutës. Sipas partisë opozitare, pushteti aktual e ka kthyer në normalitet shkeljen e ligjeve dhe Kushtetutës, andaj simbolikisht i vendosën një karton të kuq, siç thanë, për dërgimin në shtëpi të ekzekutivit.

    Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, në konferencë për medie, tha rrëzimi i Ligjit për zyrtarët publikë nga Gjykata Kushtetuese e dëshmoi edhe një herë paaftësinë dhe tendencën autoritare të qeverisë Kurti.

    Ai përmendi disa prej ligjeve dhe vendimeve antikushtetuese të ekzekutivit, derisa tha anëtarët e qeverisë janë bërë shkelës serikë të ligjit dhe Kushtetutës.

    “Ky pushtet është pushtet i shkeljeve ligjore dhe ngeljeve kushtetuese. Po i përmendi vetëm disa nga ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës ku janë dërguar dhe shqyrtuar në Gjykatën Kushtetuese dhe është dëshmuar se ky pushtet dinë vetëm të shkelë Kushtetutën. Shkelja e parë ndodhi gjatë kohës së pandemisë COVID 19, shkelja e dytë ndodhi po ashtu për vendosjen e karantinës dhe kundërvajtjeve ndaj atyre që nuk respektuan rregullat anti-covid. Shkelja e tretë e Kushtetutës u krye nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ndërsa shkelja e katërt, kur Gjykata Kushtetuese gjeti se ministrja e Drejtësisë e ka shkelur Kushtetutën, ku e shpalli antikushtetues ligjin për Këshillin Prokurorial…Anëtarët e kësaj qeverie tashmë janë shkelës serikë të ligjit dhe kushtetutës. Ky pushtet ka hyrë në një seri të keqe të shkeljes së ligjit dhe kushtetutës së Kosovës”, tha ai.

    Ndërkaq, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Shkëmb Manaj tha se gjysma e ekipit qeverisës kanë marrë “karton të kuq” nga Gjykata Kushtetuese.

    Ai përmendi edhe presionin që sipas tij, po përballen zyrtarët publikë dhe administrata e shtetit nga Qeveria Kurti.

    “Gati gjysma e ekipit qeverisës kanë marrë karton të kuq nga Gjykata Kushtetuese. Në vend që të përjashtohen nga ekipi qeverisës ata mbrohen dhe çmohen nga i pari i tyre. Nga i pari që sa ishte në opozitë thoshte se ‘kush e shkel ligjin është kriminel, ndërsa kush e shkel Kushtetutën është super kriminel’…Dje Gjykata Kushtetuese i dha një karton të kuq pushtetit absolut, dje fitoi drejtësia, kushtetutshmëria, sundimi i ligjit, administrata e shtetit dhe secili zyrtar publik. Zyrtarët publikë në secilin institucion qendror të shtetit është në presion të madh nga partia në pushtet. Presion që të vendosin në kundërshtim me ligjin për procese populiste të partisë në pushtet…Kjo qeveri çdo ditë në secilën fushë po merr karton të kuq. Dje mori një karton të kuq nga Gjykata Kushtetuese dhe do të marrë edhe plot të tillë në ditën në vijim derisa kjo qeverisje është në detyrë. Kjo qeverisje antikushtetuese duhet të shkojë në shtëpi dhe ne në mënyrë simbolike ia japim një karton të kuq”, theksoi ai.

    Zemaj pasi u pyet nga gazetarët edhe për hapin e radhës për shtensionimin e situatës në veri, ku sot u bë tërheqja edhe e 25 për qind të policisë në dhe rreth objekteve komunale atje.

    Sipas tij, ky vendim është lojë e ndytë e Kurtit në raport me dështimin e tij në procesin e dialogut.

    “Kjo tërheqje shihet si një lojë e ndytë e Kurtit në raport me dështimin e tij në procesin e dialogut dhe rënies së tij në grackën e Vuçiqit. Asgjë më shumë dhe asgjë më pak, fatkeqësisht”, theksoi ai.

    Ndërkaq, Zemaj iu kundërpërgjigj edhe liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili dje potencoi se PDK dhe LDK po i ndihmojnë Kurtit duke mos u përfshirë në mocionin e mosbesimit ndaj tij.

    “E shohim si tendencë për hapësirë opozitare. Ne e kemi rolin tonë opozitar dhe partiak, kemi agjendë politike dhe i shpalosim të gjeturat. Tentojmë të japim versione më të mira për këtë qeveri, ndërsa jemi parti që edukojmë të gjithë, përfshirë edhe partitë opozitare”, përfundoi ai./KP/

  • ​Guri: Dënim meritor për Krivaqën, të zhgënjyer me dënimin ndaj Sejdiut

    ​Guri: Dënim meritor për Krivaqën, të zhgënjyer me dënimin ndaj Sejdiut

    Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist po e konsideron si dënim meritor, vendimin për burgim të përjetshëm për Dardan Krivaqën. Por, njëjtë nuk e vlerëson edhe dënimin ndaj Arbër Sejdiut, me 15 vjet burgim.

    Pas seancës gjyqësore, Bjeshkë Guri nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist tha se janë të zhgënjyer me dënimin ndaj Sejdiut.

    “Ne e konsiderojmë si dënim meritor dënimin e Krivqës për burgim të përjetshëm. Në të njëjtën kohë jemi shumë të zhgënjyer me dënimin ndaj Arbër Sejdiut, i cili është konaideruar ai bashkëkryerës, por u dënua vetëm me 15 vjet. Mendojmë që është zhgënjyes edhe gjithashtu është dënim shumë i ultë, pasi që ai po konsiderohet si bashkëkryerës edhe do të ishte më meritor vendimi nëse atij do i shqiptuar një masë apo dënim shumë i gjatë”, tha ajo.

    Guri shtoi se do të bëjnë presion për drejtësi dhe vendosjen për burgim meritor ndaj Arbër Sejdiut.

    “Ne do të bëjmë apel dhe kemi për t’i shqyrtuar edhe me i moniroru gjykatat se çfarë do të ndërmarrin, pasiqë e kemi parë që është praktikë e gjykatave me dhënë dënimet minimale dhe do të jemi këtu për të bërë presion”, shtoi ajo.

    Për vrasjen e Marigona Osmanit, Gjykata Themelore në Ferizaj ka dënuar sot me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për veprën penale “vrasje e rëndë”. Ndërkaq, Arbër Sejdiu është dënuar me 15 vjet burgim, për veprën penale “ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë”./kp

  • ​Krasniqi mposht xhudisten belge, kalon në raundin e tretë të Masters në Hungari

    ​Krasniqi mposht xhudisten belge, kalon në raundin e tretë të Masters në Hungari

    E arta jonë olimpike, Distria Krasniqi e ka nisur aventurën në World Judo Master në Hungari me fitore.

    Në kuadër të kategorisë deri në 52 kilogramë, Krasniqi raundin e parë e kaloi pa luftë, kurse në të dytin e mposhti xhudisten belge, Amber Ryheul, raporton KP.

    Krasniqi e fitoi luftën ndaj Ryheul me Waza-ari.

    Tani, Distria do të përballet me xhudisten Mascha Ballhaus, për ta siguruar çerekfinalen e kësaj gare.

  • Avokati paralajmëron ankesë: Vrasja e Marigona Osmanit më e rënda që nga paslufta

    Avokati paralajmëron ankesë: Vrasja e Marigona Osmanit më e rënda që nga paslufta

    Avokati i familjes së Marigona Osmanit, Gazmend Rexhepi, ka deklaruar para mediave pas përfundimit të seancës, se synim i tij ka qenë dokumentimi i vrasjes mizore të së ndjerës, raporton EO.

    Ndërkaq ka paralajmëruar ankesë për lirimin e Dardan Krivaqës nga akuza për dhunim.

    Rexhepi, ka thënë se nuk pajtohet edhe me dënimin për 15 vite burgim ndaj Arbër Sejdiut, të akuzuar për ndihmë në kryerjen e veprave penale të vrasjes dhe dhunimit.

    Ai ka pohuar se vrasja e Marigonës ka qenë vrasja më e rëndë në Kosovën e pasluftës.

    “Ka qenë e vështirë me u dokumentuar me prova dhe fokusi im ka qenë te vrasja në mënyrën mizore e që të merret dënimi maksimal dhe i gjithë angazhimi im ka qenë që ta merr dënimin maksimal, te çështjet e dhunimit, Gjykata e pretendon që ka qenë vështirë e dokumentuar dhe unë vazhdoj të besoj se e ndjera ka qenë e dhunuar”.

    “…atë pretendim ma japin edhe video-incizimet por ta sqarojmë se ky vendim është vetëm i shkallës së parë dhe do të kemi edhe të drejtën e ankesës, për shkak se ende nuk e kemi vendimin e plotfuqishëm për këtë rast”, u shpreh.

    “Sigurisht unë do ta paraqes ankesën. Të dy të akuzuarit e mendojnë burgun e përjetshëm. Vazhdoj të qëndroj mbi atë se vrasja e Marigonës ka qenë vrasja më e rëndë në Kosovën e pasluftës”, ka thënë avokati Rexhepi.

    “Pasi ta marrim aktgjykimin, sigurisht se do ta bëjmë ankesën tonë”, ka deklaruar ai.

  • Xhaxhai i Marigona Osmanit për Arbër Sejdiun: Shihemi pas 15 vjetësh

    Xhaxhai i Marigona Osmanit për Arbër Sejdiun: Shihemi pas 15 vjetësh

    Xhaxhai i Marigona Osmanit, Remzi Osmani, tha se nuk është i lumtur me aktgjykimin dënues me 15 vjetësh burgim kundër Arbër Sejdiut, i dënuar për ndihmë në vrasjen e mbesës së tij.

    Osmani, pas përfundimit të seancës ku u shpall aktgjykimi dënues me burgim të përjetshëm ndaj Dardan Krivaqës, i është drejtuar Sejdiut me fjalët: “Shihemi pas 15 vitesh”.

    Pas përfundimit të seancës, Osmani është shprehur i pakënaqur me një pjesë të aktgjykimit.

    “Jam plotësisht i lumtur me burgimin e përjetshëm të Dardan Krivaqës, por me të akuzuarin e dytë jo. Kuptohet 15 vite. 2 vite i ka mbajtur, pastaj pesë vite ia hjekin andej-këndej. Me u dënu për 15 vite për pjesëmarrje në vrasje është pak”, ka thënë Remzi Osmani.

    I pyetur se çfarë ka nënkuptuar me fjalët që ia drejtori Arbër Sejdiut në përfundimin e seancës, ai ka thënë: “Po, e kam bërë me ia uruar lirimin pas 15 vitesh”.

    Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me burgim të përjetshëm, Dardan Krivaqën dhe 15 vjet burgim Arbër Sejdiun, për vrasjen e Marigona Osmanit, raporton Ekonomia Online.

    Sipas aktakuzës, përshkruhet se në intervale kohore nga ora 10:56 deri në orën 14:43, i pandehuri i parë kishte marrë një shkop, e së bashku me të pandehurin e dytë kishin hyrë në dhomë dhe kishin filluar ta godasin tani të ndjerën në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtës i kanë shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psiqikei.

    Viktima nga goditjet e njëjta ka pësuar politrauma-lëndime të shumëfishta, ku vdekja shkaktohet drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme, nga thyerja e ashtit të nofullës së poshtme, thyerja e brinjëve, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, këputje parciale të palcës së kurrit në qafë, të njëjtën e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty.

    Para se të fillojë seanca gjyqësore, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka protestuar duke kërkuar ndëshkim maksimal për vrasësit e saj.

    Përndryshe në seancën e fundit, Krivaqa shprehu keqardhjen për atë që ka ndodhur duke pohuar se do të donte ta kthente kohën pas.

  • ​Elshani: Situata në veri e qetë, por delikate

    ​Elshani: Situata në veri e qetë, por delikate

    Sot është vendosur që të largohen edhe 25% e forcave policore të Kosovës në dhe përreth objekteve komunale në veri të vendit. Vendimi u mor pas vlerësimit të situatës nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i.

    Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, deklaroi për KosovaPress se situata e sigurisë në veri të vendit vlerësohet të jetë e qetë, stabile, por delikate.

    “Situata e sigurisë për momentin është e qetë, është stabile, por është edhe delikate, duke e ditur zhvillimet politike që janë duke u zhvilluar, mirëpo për momentin mund të konsiderohet se është e qetë”, tha ai.

    Elshani theksoi se varësisht nga vlerësimi i situatës së sigurisë do të bëhet reduktimi i numrit të policëve nga objektet komunale në veri, ashtu siç është paraparë me marrëveshje politike, ndërsa shtoi se policia nuk ka ndonjë plan për tërheqje nga veriu në përgjithësi.

    “Njëherë për njëherë ne jemi në tërë territorin e Kosovës, nuk kemi ndonjë plan për tërheqje nga veriu në përgjithësi. Mund të konsideroj se mund të jetë një vlerësim i situatës së sigurisë në formë të përgjithshme ashtu siç është paraparë me marrëveshje politike, në mënyrë që ne të vendosim se sa policë do të jenë nëpër ndërtesat e komunave, mirëpo nuk ka ndonjë plan që policët të tërhiqen në pjesën tjetër të veriut të Kosovës”, vijoi Elshani.

    Autoritetet policore thonë se policët serbë të cilët kanë dhënë dorëheqje më 5 nëntor të vitit të kaluar nuk do të kthehen më në polici, ndonëse pranojnë se marrëveshjet politike do ta përcaktojnë fatin e tyre.

    Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut bëri të ditur për KosovaPress se prej më shumë se 500 policëve serbë të dorëhequr në nëntor të vitit të kaluar, të gjithë i kanë kthyer pajisjet, duke përfshirë këtu edhe armët.

    “Unë mendoj se ata të cilët kanë dhënë dorëheqje janë larguar nga policia dhe nuk do të kthehen më. Sidoqoftë, marrëveshjet politike janë ato të cilat përcaktojnë ndoshta ndonjë veprim tjetër… Nuk e kam atë informacion së paku unë që ka policë i cili nuk e ka dorëzuar armën”, tha Elshani.

    Derisa nuk flet shumë për shkak të hetimeve, nëse janë identifikuar ose arrestuar të gjithë personat të cilët kanë sulmuar së fundi pikat policore me shok-bomba, granata dhe mjete tjera të ngjashme në atë pjesë, Elshani tregon se policia ka identifikuar në masë të madhe kryesit e veprave kundër gazetarëve, KFOR-it dhe policisë.

    “Duke marrë parasysh se kjo është pjesë e hetimeve, nuk mund të flasë shumë për këtë çështje, por policia ka identifikuar në masë të madhe kryesit e veprave, apo të dyshimtët që i ka identifikuar për kryerjen e veprave të ndryshme ndaj gazetarëve, KFOR-it, apo policisë, dhe jemi dike punuar në kryerjen e veprimeve tona ashtu siç e parasheh ligji… Kemi arrestuar disa persona, disa të tjerë janë në kërkim, kështu që kjo punë vazhdon”, u shpreh Elshani.

    Nënkoloneli Elshani pranon se shqetësim për Policinë e Kosovës në veri mbetet funksionimi i strukturave paralele.

    “Unë konsideroj se Policia këtu si të stabilizohet mirë situata, do të ketë punë me prishje të rendit dhe qetësisë publike, me dhunë në familje, dhe mandej kalojmë te krimi ekonomik, financiar dhe krimi i organizuar që duhet të luftohen… Duhet të kalohen edhe disa tema të tjera si strukturat paralele të cilat janë funksionale këtu, që të dimë saktë se si të veprojmë me to, duke marrë parasysh se të gjitha informacionet veç i kemi, dhe pas marrjes së veprimeve tona ne do të dimë se nga duhet të lëvizë zhvillimi i këtij vendi”, deklaroi Elshani.

    Elshani thotë se situata e përgjithshme në veri të Kosovës megjithatë ka ndryshuar për të mirë, duke thënë se është ndërtuar besimi i qytetarëve ndaj policisë dhe se janë afër qytetarëve.

    “Policia ka arritur të jetë afër qytetarëve, qytetarët konsideroj se e kanë parë që jemi këtu për ta, tash me ardhjen edhe të 74 zyrtarëve shtesë këtu qëndrimi i tyre ndaj neve dhe në përgjithësi situata ka ndryshuar. Konsiderojmë se jemi më afër tyre dhe ata më afër neve me probleme… Për shembull më shumë raste të dhunës në familje janë të paraqitura më shumë për gjashtë mujorin e këtij viti, kur pothuajse të gjithë këtu ishim shqiptarë, sesa në gjashtëmujorin e vitit të kaluar. Kështu që besimi (mes qytetarëve dhe policisë v.j.) veç është krijuar, është duke u ndërtuar, forcuar, mirëpo këtu problemi është më shumë politik”, tha zëvendësdrejtori Elshani.

    Ndryshe, situata në komunat më veriore të vendit është tensionuar nga data 26 maj kur kryetarët e zgjedhur më 23 prill tentuan të hyjnë në objekte komunale. Më 29 maj pati tensionim të situatës kur persona të armatosur të nacionalitetit serbë përdorin dhunë ndaj forcave të Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve duke lënë të lënduar me dhjetëra persona.

  • Haxhiu reagon pas dënimit të Krivaqës dhe Sejdiut: Gjykim i drejtë për krimin mizor

    Haxhiu reagon pas dënimit të Krivaqës dhe Sejdiut: Gjykim i drejtë për krimin mizor

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se ndërgjegja kolektive “mund të jetë më e qetë” pas dënimit maksimal të shqiptuar sot nga Gjykata Themelore në Ferizaj ndaj dy të akuzuarve për vrasjen e Marigona Osmanit.

    Haxhiu, në një shkrim në Facebook, e ka cilësuar të drejtë gjykimin për rastin e vrasjes së 18-vjeçares në Ferizaj.

    “Gjykim i drejtë për krimin mizor”, ka thënë ministrja. “Gjykata Themelore në Ferizaj shqiptoi dënimin maksimal ndaj një prej krimeve më mizore të shkaktuara viteve të fundit, dhunës deri në vdekje ndaj Marigona Osmanit nga krimineli Dardan Krivaça dhe bashkëpunëtori në krim, Arbër Sejdiu”.

    Ministrja Haxhiu ka deklaruar se “ndërgjegjja kolektive mbase mund të jetë më e qetë kur drejtësia në emër të popullit, vihet siç duhet.”

  • Duartrokitje në sallë pasi Dardan Krivaqës iu shqiptua dënim i përjetshëm

    Duartrokitje në sallë pasi Dardan Krivaqës iu shqiptua dënim i përjetshëm

    Gjykata Themelorë në Ferizaj e ka dënuar Dardan Krivaqën me burgim të përjetshëm për vrasjen e Marigona Osmanit.

    Pas shqiptimit të dënimit nga ana e kryetarit të trupit gjykues, janë dëgjuar duartrokitje në sallë, që ka detyruar gjyqtarin që të thërret për qetësi në sallë.

    Krivaqa është dënuar për veprën penale “Vrasje e Rëndë”, të cilit në dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

    Ndërsa Arbër Sejdiu është dënuar me 15 vjet burgim për ndihmë në kryerjen e veprës.

  • Vrasja e Marigona Osmanit: Dardan Krivaqa dënohet me burgim të përjetshëm, ndërsa Arbër Sejdiu me 15 vjet burgim

    Vrasja e Marigona Osmanit: Dardan Krivaqa dënohet me burgim të përjetshëm, ndërsa Arbër Sejdiu me 15 vjet burgim

    Me burgim të përjetshëm është dënuar Dardan Krivaqa, i akuzuar për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani, ndërsa Arbër Sejdiu me 15 vjet burgim, për ndihmë në vrasje.

    Kështu ka vendosur sot Gjykata Themelore në Ferizaj, duke i shpallur ata fajtor për veprën penale “Vrasje”, ndërsa i ka liruar ata nga akuza për dhunim, meqë nuk është provuar se është kryer vepra penale.

    Kur gjykatësi ia shqiptoi dënimin Krivaqës u dëgjuan thirrje nga të pranishmit, derisa vendimi u duartrokit.

    Marigona Osmani ishte vrarë në gusht të vitit 2021.

    Ndërkohë, para fillimit të seancës gjyqësore ku pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, mbajti aksion simbolik para Gjykatës së Ferizajt.

    Protestues me pankarta në duar, kërkuan dënim maksimal për të akuzuarit për vrasjen e Marigona Osmanit.

    Përfaqësuesja e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, Bjeshkë Guri, deklaroi se nuk mund të lejojnë që Marigona të vritet për herë të dytë nga shteti.

    “Jemi mbledhur këtu në ditën e shpalljes së aktgjykimit ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut për vrasjen e Marigona Osmanit. Për të mos lejuar që padrejtësia për Marigonën të vazhdojë edhe për së vdekuri. Jemi mbledhur këtu meqë jemi dëshmitarë që gjykatat në Kosovë kanë amnistuar vazhdimisht burrat që kanë vrarë gratë, duke i lënë të lirë e me dënime shumë të ulëta. Krivaqa dhe Sejdiu e vranë Marigonën me 22 gusht 2021, e sot kur po i afrohemi dy vjetorit të vrasjes së saj nuk mund të lejojmë që ajo të vritet nga shteti për herë të dytë, nuk mund të qëndrojmë të qeta derisa kjo gjykatë e çdo institucion tjetër shtetëror të rreshtohet në anën e grave”, tha ajo.

    Ajo shtoi se nga vendimi i sotëm presim dënim maksimal, ani pse janë skeptik për një gjë të tillë.

    “Ne kemi theksuar që nga kjo gjykatë duam asgjë më pak së dënime maksimale për Krivaqën e Sejdiun. E nga këtu qojmë mesazhe për çdo institucion që t’i mbrojë gratë para se të jetë shumë vonë edhe prap theksojmë se shteti duhet ta trajtojë femicidin si urgjencë shtetërore”, shtoi ajo.

  • Papa Françesku paralajmëron vizitë në Kosovë

    Papa Françesku paralajmëron vizitë në Kosovë

    Papa Françesku ka paralajmëruar që do ta vizitojë Kosovën. Këtë e ka bërë të ditur ai së fundmi për një media spanjolle.

    I pyetur nëse ka ndonjë udhëtim të planifikuar përtej atyre të shpallura zyrtarisht, Françesku ka thënë se është duke punuar për vizitë në Kosovë.

    “Ne jemi duke punuar në Kosovë, por nuk është e përcaktuar.”, është shprehur ai për gazetën Vidanueva, përcjell KP.

    Ndër të tjera, ai ka thënë se nuk do të shkoj në asnjë vend të madh të Evropës derisa të mbarojë me të vegjlit.

    Kujtojmë që, më 22 qershor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është pritur në takim nga Papa Françesku, gjatë vizitës së tij në Vatikan. Kurti e ka ftuar Papa Françeskun që ta vizitojë Kosovën.