ATV

Blog

  • ​Vashat e Anglisë në finale të Botërorit të femrave

    ​Vashat e Anglisë në finale të Botërorit të femrave

    Sot është kompletuar çifti i fazës finale të Kampionatit Botëror të femrave.

    Kombëtarja e Anglisë e femrave ka siguruar biletën e fundit drejt finales së kësaj gare, pasi që në gjysmëfinale mposhti Australinë, raporton KP.

    Golat për Anglinë i shënuan Ella Toone (minuta e 36’), Lauren Hemp (minuta e 71’) dhe Alessia Russo (minuta e 86’).

    Ndërkaq, golin e nderit te Australia e shënoi Samantha Kerr në minutën e 63’ të ndeshjes.

    Me fitoren e sotme, vashat e Anglisë kualifikohen në finale, ku atje do të përballen me Spanjën.

    Në anën tjetër, Australia do të përballet me Suedinë e Kosovare Asllanit për vendin e tretë të këtij turneu.

    Finalja mes Spanjës dhe Anglisë do të zhvillohet më 20 gusht me fillim nga ora 12:00 në stadiumin “Olympic” të Sydneyt.

    Ndeshja për vendin e tretë mes Suedisë dhe Australisë luhet më 19 gusht me fillim nga ora 10:00 në stadiumin “Suncorp” të Brisbane.

  • Kultura dhe tradita, pjesë e edicionit të 13-të të “EtnoFest”

    Kultura dhe tradita, pjesë e edicionit të 13-të të “EtnoFest”

    Etno Fest’ ka nisur edicionin e 13-të me radhë. Në fshatin Kukaj edhe këtë vit ju pret një program i mbushur me shfaqje teatrale, poezi, muzikë, etnoperformanca kontemporane dhe baleti, vepra arti, gatime tradicionale, e shumëçka.

    I gjithë programi do të shpaloset për publikun për shtatë ditë me radhë, që ka filluar nga data 13 dhe do të zgjasë deri më 20 gusht.

    Ekipi i ATV-së ka realizuar një reportazh për këtë festival, i cili u transmetua mbrëmë në emisionin “n’mal An’det, emision ky që jepet çdo mbrëmje në këtë televizion duke filluar nga ora 21:10.

    Për më shumë, ju ftojmë të shikoni reportazhin në videon e më poshtme:

    Emisioni n’mal An’det, i cili vjen në një format më ndryshe, drejtohet nga yjet e ATV-së, Roberti, Emira dhe Jeta dhe jepet çdo ditë nga e hëna deri të premten prej orës 21:10.

    Në videon e më poshtme e gjeni emisionin e plotë “n’mal A n’det” që u transmetua mbrëmë:

  • Ministri Aliu takon Ali Ahmetin, flasin për rrugën Prizren-Tetovë

    Ministri Aliu takon Ali Ahmetin, flasin për rrugën Prizren-Tetovë

    Ministri i Infrastrukturës në Kosovë, Liburn Aliu të mërkurën ka qëndruar në Maqedoni të Veriut, ku është takuar me zëvendëskryeministrin e këtij shteti, Artan Grubi dhe kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti.

    Ministri Aliu njofton në këtë takim kanë biseduar për rëndësinë e bashkëpunimit, rifuqizimin e lidhjeve historike e kulturore, dhe bashkëpunimin e ndërsjellë për projekte në dobi të të gjithë Shqiptarëve.

    “Mes tjerash, biseduam për projektin shumë të rëndësishëm infrastrukturor rrugor që do të lidhë Prizrenin me Tetovën, si dhe për hapat e mëtejmë për finalizimin e marrëveshjes financiare. Bashkërisht, u zotuam që këtë projekt të përbashkët ta realizojmë sa më parë. Jemi bashkë për rrugë që na bëjnë bashkë”, ka shkruar Aliu në Facebook.

  • Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Austrisë, George Schnetzer

    Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Austrisë, George Schnetzer

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa  Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Austrisë, George Schnetzer, të cilin e ka uruar për detyrën dhe ka shfaqur shpresën se gjatë mandatit të tij, marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve do të intensifikohen edhe më tej.

    Sipas Presidentes Osmani, Austria mbetet aleate e rëndësishme, e cila e ka mbështetur Kosovën në faza të ndryshme të shtetndërtimit.

    Presidentja Osmani ka falënderuar Austrinë për mbështetjen e palëkundur, duke potencuar rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së mëtejme për integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

    Në takim me ambasadorin Schnetzer, Presidentja Osmani ka shtruar nevojën e forcimit të partneritetit në mes të Kosovës dhe Austrisë, si dhe bashkëpunimit në fushën e arsimit, kulturës, tregtisë, si dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.

  • ​Murati fton pensionistët pa 15 vjet stazh të regjistrohen në formular për pension parcial

    ​Murati fton pensionistët pa 15 vjet stazh të regjistrohen në formular për pension parcial

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka njoftuar se të gjithë pensionistët të cilët për shkak të largimit të dhunshëm nga puna në vitet 90-ta nuk kanë arritur t’i plotësojnë 15 vjet stazh, do të mund të kalojnë në kategorinë e pensionit parcial kontributiv, nëse i plotësojnë kriteret ligjore sipas ndryshimeve ligjore të miratuara nga Kuvendi.

    “Të gjithë pensionistët që për shkak të largimit të dhunshëm nga puna në vitet 90-ta nuk kanë arritur ti plotësojnë 15 vite stazh, e që tash marrin vetëm pensionin bazik, do të kenë mundësinë që të kalojnë në kategorinë e pensionit parcial kontributiv, nëse i plotësojnë kriteret sipas ndryshimeve ligjore të miratuara nga Kuvendi”, ka shkruar Murati në Facebook.

    Ministri ka thënë po ashtu se pensionistët duhet që brenda këtij muaji të regjistrohen në një formular online, e pastaj ata do të ftohen më radhë nga zyrat e pensionistëve për paraqitje të aplikacionit për kalim në skemën parciale kontributive.

    “Para se të fillojë zbatimi i skemës së re, ftohen të gjithë pensionistët që kanë kontribute të regjistrohen në formularin më poshtë deri në fund të muajit gusht, ashtu që zyrat e pensioneve pastaj t’i ftojnë sipas radhës për paraqitjen e aplikacionit për kalim në skemën parciale kontributive në mënyrë që të evitohen pritjet e gjata para sporteleve”, shkruan ai.

  • “Një nga profesionet që mund të zhduket është arkitektura” – befason me deklaratën arkitektja Eliza Hoxha

    “Një nga profesionet që mund të zhduket është arkitektura” – befason me deklaratën arkitektja Eliza Hoxha

    Inteligjenca Artificiale po sjell shumë risi të rëndësishme në shumë fusha dhe kjo mund të lë pa punë shumë punëtorë.

    Në emisionin “n’malAn’det” ishte e ftuar deputetja Eliza Hoxha, e cila është arkitekte me profesion dhe krahas të tjerave foli edhe për rrezikshmërinë që sipas saj do ta përjetojnë disa nga vendet e punës, me zhvillimin e Inteligjencës Artificiale.

    “…Njëri prej profesioneve që mund të zhduket (për shkak të Inteligjencës Artificiale) ka me qenë profesioni i arkitektit. Sepse sot p.sh mund të prodhosh shtëpi prej materialeve të reciklueshme… këto e pasurojnë jetën tonë, e bëjnë më të lehtë…”, theksoi ajo.

    Për ta dëgjuar intervistën e Eliza Hoxhës në tërësi, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • “Të drejtat e grave sfidë në vete”, Eliza Hoxha thotë se duhet përkrahje për to

    “Të drejtat e grave sfidë në vete”, Eliza Hoxha thotë se duhet përkrahje për to

    Çështja e të drejtave të barabarta në mes grave e burrave mbetet sfidë në Kosovë. Pjesëmarrja e grave në jetën politike e sociale përgjithësisht është shumë e ulët. Për këtë temë (sidomos nëpër media), në vazhdimësi diskutohet, edhe nga deputetët e opozitës.

    Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha në emisionin “n’malAn’det” në mesin e diskutimeve të tjera, theksoi se duhet krijuar mundësi për vajzat dhe gratë që ato të kenë kapital bazë, në mënyrë që ato të zhvillohen dhe ta shprehin veten.

    “…Vetëm 14 për qind të pronës trashëgimore gratë e posedojnë në Kosovë… Shteti duhet me qenë këtu për të krijuar mundësi dhe subvencione dhe hapësira të tjera dhe të reja për profile të ndryshme që lidhen edhe me zanatet…”, theksoi Hoxha.

    Vlen të përmendet se të drejtat e vajzave e grave në pronësi dhe të drejtat e tjera sendore garantohen sipas Gazetës Zyrtare të Republikës së Kosovës.

    Për ta dëgjuar intervistën e Eliza Hoxhës në tërësi, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Maqedonci takon ambasadorin Abbott, diskutojnë për sigurinë

    Maqedonci takon ambasadorin Abbott, diskutojnë për sigurinë

    Në vazhdën e takimeve me përfaqësuesit e vendeve mike dhe partnere, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, priti sot në takim njoftues ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott.

    Fillimisht, ambasadori Abbott i uroi ministrit Maqedonci sukses në detyrën e tij të re dhe theksoi se bashkëpunimi në mes dy vendeve dhe ministrive tona të mbrojtjes do të vazhdojë jetë i fuqishëm.

    “Gjatë takimit, ministri Maqedonci e falënderoi ambasadorin Abbott për përkrahjen e përhershme nga Mbretëria e Bashkuar, si një ndër aleatët më të fuqishëm që ka Republika e Kosovës, sidomos në integrimin e vendit në organizatat euroatlantike”, citohet në komunikatë Maqedonci.

    Siç njofton Ministria e Mbrojtjes, temat e interesit të përbashkët që u diskutuan në këtë takim në mes të ministrit Maqedonci dhe ambasadorit Abbott ishin lidhur me veprimet e nevojshme për realizimin e planit të përbashkët të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, në kuadër të partneritetit të në mes dy vendeve si dhe gjetjen e formave të reja të thellimit të bashkëpunimit.

  • Kjo është shtëpia ku u fsheh për tetë ditë i dyshuari për vrasjen në Klinë

    Kjo është shtëpia ku u fsheh për tetë ditë i dyshuari për vrasjen në Klinë

    Tush Frroku nga fshatin Kosh-Istog, i dyshuar se ka vrarë Anton Prelajt në Klinë, dyshohet se ka qëndruar për tetë ditë në një shtëpi të pabanuar që gjendet në Burojë të Skenderajt.

    Ndryshe Policia dje ka njoftuar se pas arrestimit të Tush Frrokajt, e pas intervistimit nga hetuesit, me vendim tё Prokurorit tё shtetit i dyshuari dёrgohet nё mbajtje pёr 48- orё.

  • “Smart Patrol” identifikon autobusin pa regjistrim, gjobitet shoferi me 300 euro

    “Smart Patrol” identifikon autobusin pa regjistrim, gjobitet shoferi me 300 euro

    Policia e Kosovës përmes veturës me pajisje inteligjente “Smart Patrol” ka identifikuar duke qarkulluar një autobus pa regjistrim.

    Kjo është bërë e ditur nga Policia e Kosovës.

    Shoferit të autobusit i është shqiptuar gjobë prej 300 euro ku të njëjtit i janë konfiskuar edhe targat.