Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot do të niset drejt Greqisë, ku do të marr pjesë në një darkë joformale diskutimi mbi zgjerimin dhe të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor, darkë kjo që do të organizohet nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis. Ndërsa, lajmi u bë i ditur nga mediat greke.
Pas darkës të së hënës, të martën do të ketë takim të ndarë me kryeministrin grek.
Ndërkohë, Shqipëria e ftuar në nivel presidenti nuk do të përfaqësohet në këtë takim, për shkak të agjendës së paracaktuar.
Agjencia e lajmeve ANA – MPA, raporton se nisma e kryeministrit Mitsotakis për të ftuar liderët e Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të BE-së në Mansionin Maximos për një darkë joformale diskutimi mbi zgjerimin dhe të ardhmen evropiane të rajonit, nënvizon rolin e Greqisë si shtyllë për stabilitetin, paqen dhe sigurinë energjetike në Ballkan dhe në Evropën Juglindore.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së Mitsotakis, diçka që është sa thelbësore dhe simbolike.
Përpos Kurtit, nga liderët rajonalë do të marr pjesë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, presidenti malazez, Jakov Milatoviç, kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Borjana Kristo si dhe presidenti serb, ish-ministri i Millosheviqit, Aleksandër Vuçiq.
Në darkën joformale do të marrin pjesë edhe liderët e vendeve që janë anëtare të BE-së si kryeministri i Bullgarisë, Nikolai Denkov, i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, dhe i Rumanisë Ion-Marsel Ciolacu.
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se sot do të nis edhe zyrtarisht funksionimi i Dhomës së Monitorimit të Zhurmave dhe pajisjeve për matjen e zhurmës, të cilat tashmë janë të instaluara në lokalet e Gastronomisë.
Sipas njoftimit, kjo zyre do të nis punën në objektin e Inspektoratit të Kryeqytetit, që nga ora 10:30.
Përndryshe, Komuna e Prishtinës së bashku me përfaqësues të gastronomëve ka bërë një rregullore sa i përket zhurmës në kryeqytet dhe tash e disa muaj janë duke u njoftuar bizneset me dënimet që janë paraparë për ato lokale që nuk vendosin pajisjet për matjen e zhurmës, si dhe nuk respektojnë atë rregullore.
Sot mbushen gjashë vjet që kur u nda nga jeta ish-kryeministri i parë i Kosovës në kohën e pasluftës, Bajram Rexhepi.
Në prill 2017, ish-kryeministri u shtrua në QKUK për shkak të një sulmi shëndetësor në organet vitale, ndërsa më pas është dërguar në Turqi për shërim jashtë vendit.
Pas një beteje prej pesë muajsh me sëmundjen, Rexhepi ndërroi jetë më 21 gusht 2017 duke lënë pas vetes bashkëshorten dhe vajzën.
Bajram Rexhepi u lind në Mitrovicë më 3 qershor 1954. Studimet pas-universitare i kreu në Zagreb në vitin 1985. Punoi si kirurg i përgjithshëm dhe specialist endoskopik në spitalin rajonal të Mitrovicës deri në vitin 1990.
Rexhepi e kaloi shumicën e karrierës së tij si kirurg dhe fitoi famën si kirurgu më i mirë në rajonin e Mitrovicës.
Gjatë luftës së Kosovës më 1999, Rexhepi u bashkua me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe kaloi tre muaj duke shërbyer si mjek në terren. Ai shërbeu si kryetar i Mitrovicës jugore, duke punuar me paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara dhe NATO-s për të zvogëluar trazirat civile.
Ndërsa serbët dhe shqiptarët kishin prishur të gjithë dialogun, Rexhepi ofroi të heqë dorë nga pozita e tij në favor të një administratori të OKB-së, por serbët e refuzuan këtë propozim. Njëherësh ishte edhe kreu i degës së Partisë Demokratike të Kosovës për qytetin e Mitrovicës.
Më 4 mars 2002, pas tre muaj bisedimesh dhe me ndërmjetësimin e shefit të atëhershëm të UNMIK-ut Michael Steiner, Kuvendi i Kosovës zgjodhi Bajram Rexhepin si kryeministrin e parë të Kosovës së pasluftës.
Më 1 prill 2010, Rexhepi u emërua ministër i Punëve të Brendshme. Viteve të fundit të jetës ishte tërhequr krejtësisht nga politika duke iu përkushtuar profesionit të tij prej kirurgu.
Një protestë kundër presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, është mbajtur të dielën në qendër të kryeqytetit të Malit të Zi, Podgoricë, me sloganin “Putini është vrarës”.
Dhjetëra persona u mblodhën në sheshin qendror të Podgoricës duke mbajtur në dorë banerë që kërkonin lirimin e Alexei Navalny, liderit të burgosur opozitar rus.
Protesta e 20 gushtit ishte pjesë e një fushate të organizuar nga ekipi i Navalny në gjithë botën me sloganin “Putini është vrasës”.
Këto protesta po mbahen për ta shënuar trevjetorin e tentim vrasjes të Navalny, për çka ai ishte evakuuar nga Rusia në Gjermani për t’u shëruar nga helmimi me një agjent nervor të epokës sovjetike.
Më 17 gusht, SHBA-ja i sanksionoi katër rusë për të cilët thotë se ishin të përfshirë në helmimin e Navalny, dhe të cilët janë të lidhur me Shërbimin Federal të Sigurisë së Rusisë.
Kremlini e ka mohuar përfshirjen në helmimin e Navalny, i cili u arrestuar pasi u kthye në Moskë nga Gjermania në janar 2021.
“Putini po vret. Ai po i vret mijëra njerëz – ukrainasit dhe qytetarët e vet”, thuhej në njoftimin e ekipit të Navalny për thirrjen e protestave.
Leonid Volkov, ish-shef i fushatës zgjedhore të opozitës ruse, shkroi në rrjetet sociale se është e rëndësishme të theksohet me zë të lartë se “Putini është vrasës”, sepse, siç thotë ai, vetëm një e treta e qytetarëve të Evropës Perëndimore janë të gatshëm ta thonë këtë në protesta, sipas një studimi të ekipit të Navalny.
Alexei Navalnyt i janë shqiptuar dy dënime me burg, me 11 vjet dhe 19 vjet, nën akuzat për ekstremizëm dhe përvetësim.
Ai e ka hetuar korrupsionin në autoritetet ruse dhe i ka cilësuar akuzat ndaj tij si të nxitura politikisht.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të udhëtojë të hënën drejt Greqisë me ftesë të kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis për darken informale të organizuar nga kreu i shtetit grek.
Mitsotakis ka ftuar të gjithë kryeministrat e rajonit, me përjashtim të Shqipërisë ku ftesa është dërguar në nivel presidencial.
Ajo që ra në sy ishte fakti që Mitsotakis kishte ftuar në darkë presidentin dhe jo kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Darka dhe refuzimi i ftesës nga ana e Shqipërisë vjen pas tensioneve në rritje për rastin e Fredi Belerit.
Gjithashtu, edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Borjana Kristo, do të mbërrijnë në Athinë për të marrë pjesë në darkë, raporton Euronews Albania.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së Mitsotakis.
Letrës së parlamentarëve dhe senatorëve perëndimorë, në mbështetje të Kosovës zyrtarisht i janë bashkëngjitur të gjithë deputetët e grupit parlamentar të ASh-së.
Alicia Kearns, deputetja nga Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar se i ka ardhur një konfirmim.
“Pra, pas konfirmimit për bashkëngjitjen e deputetit Halil Snopçe, sot erdhi konfirmimi se janë bashkëngjitur edhe Ziadin Sela, Abdulla Saliu, Artina Qazimi, Atnan Neziri, Ilire Dauti, Elmi Aziri dhe Remzi Memedi”.
“Me këtë rast Alicia Kearns i ka shprehur falënderimin e saj grupit parlamentar të ASh-së për bashkëngjitje letrës së iniciuar nga kryetarët e Komiteteve për Punë të Jashtme të parlamenteve amerikane, gjermane, britanike, ukrainase, islandeze, irlandeze, estoneze, lituaneze, letoneze e çeke”, thuhet në komunikatën e Aleancës për Shqiptarët.
Qeveria e Kosovës ka zhvilluar sot në mënyrë elektronike mbledhjen e radhës në të cilën ka miratuar vendimin përmes të cilit i bashkohet Deklaratës së Përbashkët të vendeve të G7 mbi mbështetjen për Ukrainën.
”Mbështetja dhe përkrahja ndaj Ukrainës, do zbatohet sipas legjislacionit të Republikës së Kosovës”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.
Pas kësaj komunikate, ka shkruar edhe kryeministri, Albin Kurti, i cili përmes një postimi në Facebook ka deklaruar se “duke iu bashkuar kësaj Deklarate, Republika e Kosovës rithekson se sigurimi i fitores për popullin ukrainas, si dhe llogaridhënia e liderëve të Rusisë për krimet e tyre, është e domosdoshme për ruajtjen e paqes dhe demokracisë, në Evropë dhe më tej”.
“Pushtimi ilegal dhe i paprovokuar i Ukrainës nga ana e Rusisë, mbetet një kërcënim ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Çmimi i shkaktuar deri tani, në jetë njerëzish, stagnim ekonomik dhe shkatërrim mjedisor, ka qenë katastrofal për popullin ukrainas”, ka deklaruar Kurti
Që nga 24 shkurti i vitit 2022, Rusia po përpiqet ta pushtojë Ukrainën.
Gjatë kësaj kohe, NATO-ja ka qenë e qartë në mbështetje të Ukrainës.
Në këtë linjë ka qëndruar edhe Kosova, duke i vendosur sanksione Federatës Ruse.
Pas arrestimit të biznesmenit Ridvan Muharremit, të cilit Qeveria Kurti i besoi dhe i dha çasje në punë sekrete shtetërore të Rezervave shtetërore, pushteti tashmë e ka mprehur gjuhën ndaj Prokurorisë, duke ua vënë në kundërpeshë raste që ata pretendojnë se prokuroria nuk i ka trajtuar.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar duke rishpërndarë një akuzë ndaj Prokurorisë të bërë nga Ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili pretedon se ka dy vite që ka dërguar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale për një rast të pretenduar keqpëdorimi për shpronësimet në rrugën Kijevë-Zahaq.
“Njësoj kanë vepruar PSRK edhe me kallëzimin penal ndaj ish Ministrit të Drejtësisë dhe ish drejtorit të burgjeve të cilët pronën e MD ia kishin dhënë një oligarku, pa asnje bazë ligjore. PSRK pati thënë nuk ka bazë për ndjekje sepse e keni ndalur dëmin anipse dëmi ishte shkaktuar tashmë”, ka shkruar Haxhiu, duke e deflektuar temën në fjalë.
E njëjta, gjatë ditëve të kaluara nuk ka komentuar arrestimin e dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica, si dhe biznesmeni, Ridvan Muharremi, i cili dyshohet se është i përfshirë në keqpërdorimet me rezerva shtetërore.
Vashat e Spanjës e kanë shkruar historinë duke e mposhtur 1:0 Anglinë për ta fituar Kupën e Botës së Grave për herë të parë në historinë e ekipit të tyre kombëtar.
Ky triumf, po ashtu, nënkupton se spanjollet janë skuadra e parë që e fitojnë Kupën e Botës në tri kategori të ndryshme njëkohësisht, për grupmoshat deri në 17 vjeçe, 21 vjeçe dhe seniore.
Kapitenia Olga Carmona e shënoi golin e fitores duke e mposhtur portieren angleze Mary Earps në pjesën e parë.
Futbollistja spanjolle Olga Carmona duke e puthur trofeun e Kupës së Botës 2023, pasi e shënoi golin e triumfit në finale kundër Anglisë, 20 gusht 2023.
Luaneshat, të cilat po synonin ta fitonin Botërorin për herë të parë në historinë e tyre, mbetën me zemër të thyer pasi u dërrmuan nga një ekip i vashave spanjolle plot kreativitet dhe aftësi.
Kjo ishte vetëm hera e tretë që vashat spanjolle marrin pjesë në Kupën e Botës dhe para këtij turneu, e kishin shënuar vetëm një fitore në Botëror.
Spanja, e cila ishte afër përjetimit të një rebelimi vitin e kaluar kur 15 futbolliste e braktisën ekipin kombëtar, ishte skuadër më agresive në finale kundër Anglisë dhe triumfoi me meritë.
Arritja e Spanjës është e jashtëzakonshme duke qenë se trajneri Jorge Vilda i mbijetoi një kryengritjeje të futbollisteve 12 muaj më parë. Ai rebelim para Botërorin bëri që të mungonin futbollistet me nam si Sandra Panos, Mapi Leon, Patri Guijarro dhe Claudia Pina, të cilat i kishin ndihmuar Barcelonës ta fitonte Ligën e Kampionëve në qershor.
Triumfi i tyre mund ta transformojë futbollit e grave në Spanjë, i cili ka qenë në qendër të vëmendjes publike pas suksesit të brendshëm të Barcelonës së fundmi.
Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit gjatë këtij viti ka bërë gërmime në shtatë lokacione për të kërkuar personat e zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Kushtrim Gara, nga ky komision tha se në bashkëpunim me institucionet e tjera do të nisin përsëri gërmime në disa lokacione përfshirë ato në komunën e Gjakovës dhe të Skenderajt.
“Në fakt brenda territorit të Republikës së Kosovës janë diku të paktë n shtatë lokacione në të cilat kemi qenë të fokusuar ose jemi të angazhuar në kuptim të gërmimeve vlerësues gjatë këtij viti. Kjo edhe një herë konfirmon që Komisioni Qeveritar i Republikës së Kosovës në koordinim të plotë edhe me partneret ose institucionet që janë pjesë e këtij procesi, realisht po bëjnë përpjekje të vazhdueshme që çështja e personave të zhdukur gjithsesi të trajtohet me prioritetin e veçantë”, tha Gara.
“Ne besojmë që tani në fund të verës siç ka qenë e planifikuar edhe më parë do të jemi të angazhuar në një lokacion në regjionin e Gjakovës, përkatësisht në fshatin Bishtazhin, e po ashtu në një lokacion besoj në komunë të Skenderajt. Në rastin e Bishtazhinit jemi duke folur për një lokacion që është përdorur si hapësirë, si varrezë masive jashtëligjshme nga forcat serbe për të groposur, varrosur viktimat të disa masakrave në komunën e Gjakovës. Në fund të luftës, forcat serbe janë rikthyer në këtë lokacion dhe kanë zhvarrosur eshtrat e viktimave që kanë qenë të groposura në këtë lokacion nga ana e tyre për ti dërguar në drejtim të pa njohur deri në rastin kur janë inicuar varrezat e para masive në territorin e Serbisë”, theksoi Gara.
Ai theksoi se në vazhdën e gërmimeve hyjnë edhe regjioni i Kamenicës dhe ai i Podujevës.
“Nga shtat lokacione që i potencova, nga regjioni i Pejës, duhet me theksuar se para këtij lokacioni kemi qenë të angazhuar në regjionin e Kamenicës, pastaj kemi pasur tri lokacione në regjionin e Prishtinës, pra në varrezat e qytetit edhe në Arbëri dhe në varrezat e lagjes Mat. Por edhe në dy raste në periferi të Prishtinës në hapësirës e Gërmisë. Po ashtu kemi pasur edhe gërmimet që duhet me theksuar si fakt në lokacionin në Vidomeriq të komunës së Mitrovicës, përkatësisht në pjesën veriore të Kosovës dhe një lokacion në fshatin Kishnicë. Në shumicën e këtyre rasteve, përfshirë edhe lokacionin në regjionin e Kamenicës dhe lokacionin në lagjen Mat po edhe një lokacion që e kemi pasur në regjionin e Podujevës, në këto lokacion besoj shpejt do të rikthemi, me që në koordinim të plotë edhe me angazhimin e hetuesve ose komplet epikes nga departamenti i policisë për hetime e krimeve të luftës gjithsesi me angazhimin e kolegëve dhe zyrtarëve të Komisionit Qeveritarë, besoj jemi në trajtim ose shqyrtim të hollësishme të informatave plotësues mbi bazën e të cilave shpresojmë që të arrijmë të saktësojmë lokacionet e nevojshme ose të markojmë, shënjojmë lokacionet të cilat do të jenë me interes për t’u adresuar në kuptimin e gërmimit, që nënkupton që do të rikthemi në këto lokacione”, tha Gara.
Sa i përket lokacionit në Gjakovë, sipas tij, në fund të luftës forcat serbe i kishin zhvarrosur përsëri trupat e viktimave për t’i dërguar në një vend të panjohur, ku një pjesë e viktimave ishin zbuluar se janë varrosur në territorin e Serbisë.
Ndërkaq, në komunën e Skenderajt, në fshatin Polac , pas masakrës së 30 marsit të vitit 1999, viktimat janë groposur nga forcat serbe në një vend të caktuar në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit të tyre, ndërkohë që ekipet ndërkombëtare në këtë zonë kishin arritur të gjejnë mbetje mortore të 27 viktimave.
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: