ATV

Blog

  • ​Një i vdekur dhe 67 raste pozitive me COVID-19 në dy javët e fundit

    ​Një i vdekur dhe 67 raste pozitive me COVID-19 në dy javët e fundit

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë njofton se në dy javët e fundit (30.08.2023 – 12.09.2023) është raportuar 1 rast i vdekjes me COVID-19 dhe 67 raste pozitive dhe.

    Sipas grup-moshave rezulton se numri më i madh i rasteve i takojnë grup-moshave 50-59 vjeç (me 16 raste) dhe 60-69 vjeç (me 15 raste) me moshë mesatare 52 vjeç.

    “Prej rasteve të konfirmuara me COVID-19, sipas komunave rezulton se numri më i madh i rasteve është raportuar nga komuna e Prishtinës (25 raste), Pejës (8 raste) dhe Gjakovës (7 raste) kurse incidenca më e lartë e rasteve është raportuar në komunën e Prishtinës me 13 raste në 100,000 banorë dhe Kaçanikut me 12 raste në 100,000 banorë”, thuhet në njoftim.

    Sipas IKShPK-së përkundër rasteve të shënuara së fundi, situata epidemiologjike në Kosovë me COVID-19 mbetet e qetë, ndërsa qytetarët që manifestojnë shenja të infeksionit këshillohen të testohen dhe konsultohen me mjekun për çdo dyshim në COVID-19.

  • Kualifikimi në Evropian – Shqipëria do të marrë miliona euro nga UEFA

    Kualifikimi në Evropian – Shqipëria do të marrë miliona euro nga UEFA

    Ndeshjet kualifikuese të Euro 2024 nuk janë thjesht një luftë për të marrë pjesë në ndeshjet direkte të Euro 2024, por edhe një betejë për të fituar sa më shumë të ardhura.

    Në total, për ekipet pjesëmarrëse do të shpërndahen 371 milionë euro, ndërkohë gjatë edicionit të mëparshëm kjo shifër ishte 301 milionë.

    Shqipëria me pozitat që ka aktualisht dhe duke parë ndeshjet e mbetura në Grupin E, është pranë prerjes së një bilete për në finalet e këtij kompeticioni.

    Dhjetë pikë dhe kryesuese në grup, kuqezinjve u mjaftojnë vetëm 5 pikë në tri ndeshjet e mbetura për të parë veten në Gjermani qershorin e ardhshëm, teksa do të përballet me Çekinë në muajin tetor, ndërsa në nëntor dy sfidat e tjera me Moldavinë në transfertë.

    Kombëtarja që arrin kualifikimin në Evropian, do të marrë plotë 9.25 milionë euro. Ndërkaq përfitimet nuk do të ndalen me kaq.

    Kombëtaret do të shpërblehen edhe për çdo fitore në grupe dhe kalimet në fazat e radhës.

    1.5 milionë euro për çdo fitore në grup dhe 750 mijë euro për barazim.

    2 milionë euro për çdo kombëtare që kalon në raundin e 1/16-ave.

    3.25 milionë euro për çdo kombëtare që arrin në çerekfinale.

    5 milionë euro për çdo kombëtare që arrin në gjysmëfinale.

    7 milionë euro për finalistin që humbet.

    10 milionë euro për fituesin e Euro 2024.

  • 70 euro një metër dru, shitësit arsyetojnë çmimin

    70 euro një metër dru, shitësit arsyetojnë çmimin

    1 metër dru shitet 70 euro, njëjta sikur në vitit të kaluar, kur kërkesat për blerjen e tyre ishin më të mëdha.

    Edhe këtë vit sipas shitësve të druve kërkesat ishin të larta e bashke me to edhe ankesat e qytetarëve që çmimet janë bërë të pa përballueshme.

    Qytetarët që ende nuk i kanë siguruar ato thonë se këtë vit do ta kenë të vështirë sigurimin e tyre.

    Për çmimet e larta të druve ka reaguar edhe shoqata për të drejtat të cilët këto ngritje të çmimeve i quajtën të pa përballueshme.

    Por krejt këto çmime i kanë arsyetuar shitësit pavarësisht që shumica prej tyre prerjen e shitjen e bëjnë në mënyrë ilegale.

    Sipas tyre çmimi i druve është rritur pasi që janë rritur edhe çmimet e shumë produkteve të ndryshme. Është rritur çmimi i naftës dhe të të gjitha karburanteve Gjithashtu te çmimet e larta ka ndikuar edhe koha, ftohja e motit dhe siç u tha më lartë, mungesa pyjeve.

    ATV gjatë ditës ka qëndruar nëpër disa pika në mënyrë që të flas me dikë nga shitësit për çmimet e druve e interesimin e qytetarëve por këta të fundit kanë refuzuar të flasin. /Përgatiti: Kastriot Tahiri

  • ​Osmani: Lokacioni i stadiumit nacional s’është caktuar ende

    ​Osmani: Lokacioni i stadiumit nacional s’është caktuar ende

    Zëvendësministrja e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport ka thënë se Qeveria e Kosovës ka zotuar 250 milionë euro për organizimin e Lojërave Mesdhetarë në Kosovë në vitin 2030.

    Ajo ka thënë se kjo shifër është e ndarë në tri fusha, ku mbi 300 milionë do të shkojnë për përgatitjen dhe ndërtimin e infrastrukturës sportive, ndërsa pjesa tjetër për shpenzime operacionale si dhe 2.5 milionë euro për pagesën që duhet t’i bëhet Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare.

    “Janë 250 milionë euro të zotuara nga Qeveria e Kosovës për këtë organizim. 204 milionë e 337 mijë e 500 euro të ndara për infrastrukturën sportive, 49 milionë e 108 mijë euro për programe dhe shpenzime operacionale për të arritur të organizojmë lojëra të suksesshme në vitin 2030 si dhe janë 2.5 milionë euro për pagesën që duhet t’i bëhet Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare për dhënien e të drejtave ekskluzive Kosovës për organizimin e kësaj ngjarje”, theksoi Osmani.

    Ajo foli edhe për ndërtimin e stadiumit nacional për të cilin tha se duhet të jetë i gatshëm në vitin 2030, por për të cilin tha se ende nuk është caktuar lokacioni dhe se kjo do të bëhet pas studimit të fizibilitetit.

    “Stadiumi nacional, temë dhe projekt ndër vite i përmendur në komunitetin sportiv por edhe më gjerë. Kosova ka pasur dhe ka nevojë për një stadium nacional, andaj tani është futur në kuadër të kësaj platforme, kësaj kornize të cilën duhet të mobilizohemi maksimalisht që të sigurohemi që në vitin 2030 të jetë i gatshëm që të mirëpres sportistët e 26 shteteve anëtare të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare. Sa i përket lokacionit dhe projektit, përgjigjet e kësaj çështje do të na i kthej studimi i fizibilitetit, analizat të cilat do të bëhen, e të cilat do të na tregojnë se ku është vendi ideal për ndërtimin e këtij stadiumi, për shkak se duhet të kemi parasysh që ndërtimi e ka një kosto”, tha Osmani.

    Përveç stadiumit, Osmani theksoi se do të ndërtohen e rinovohen edhe shumë palestra sportive, ndërtohen pishina olimpike si dhe një shteg për biçikleta.

  • Nënshkruhet marrëveshja, udhëtarët e Trafikut Urban mund të pajisen me bileta përmes SMS-ve

    Nënshkruhet marrëveshja, udhëtarët e Trafikut Urban mund të pajisen me bileta përmes SMS-ve

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar se është nënshkruar marrëveshja me të cilën tash e tutje udhëtarët e Trafikut Urban mund të pajisen me bileta përmes SMS-ve.

    Siç bëhet e ditur në njoftim, marrëveshja është nënshkruar nga Kryeshefi Ekzekutiv i Trafikut Urban, Burim Maraj, me operatorin telefonik Vala.

    “Ky është një hap i rëndësishëm për ofrimin e shërbimeve më cilësore për udhëtarët”, thuhet në njoftimin për media.

    Kryeshefi Maraj e konsideroi këtë marrëveshje si arritje të rëndësishme, e cila sipas tij mundëson shërbim më efikas për qytetarët e Prishtinës.

    “Ai falënderoi përfaqësuesit e Valës për bashkëpunimin dhe besimin e tyre në këtë projekt”, bëhet e ditur tutje.

    Në anën tjetër përfaqësuesit e operatorit Vala thuhet se u shprehën të gatshëm që me ndërmarrjen Trafiku Urban, të bashkëpunojnë edhe në të ardhmen.

    “Avni Tafilaj, drejtor i shitjes në Vala, tha se fokusi i tyre është pa dyshim tek qytetarët, dhe janë të lumtur që ky projekt do të ndihmojë në lehtësimin e jetës së qytetarëve, veçanërisht udhëtarëve të Trafikut Urban”, kanë njoftuar nga komuna.

  • Gjykata liron Bedri Krasniqin

    Gjykata liron Bedri Krasniqin

    Bedri Krasniqi është liruar nga akuza për vrasjen e një polici të UNMIK-ut dhe një të Kosovës.

    Arben Dizdari është shpallur fajtor për veprën penale vrasje dhe është dënuar me tetë vite burgim, dënim ky që do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

    Aktgjykimi është shpallur nga kryetari i trupit gjykues Arben Hoti.

    Sipas aktakuzës, më 23.3.2004 në Podujevë, në bashkëkryerje me Agron Sylejmanin, Florim Ejupin dhe Shkumbin Mehmetin, kishin sulmuar një patrullë të UNMIK-ut të cilët ishin duke patrulluar afër fshatit Shakovicë.

    Më tutje theksohet se të akuzuarit kishin qëlluar me armë së paku 108 herë në drejtim të automjetit dhe katër personave që gjendeshin në të, duke privuar nga jeta zyrtarin policor të UNMIK-ut, Possible Essuman dhe zyrtarin policor të Kosovës, Arsim Rrustollin, të cilët kishin qenë në detyrë.

    Zyrtari i Policisë së Kosovës Basri Mulliqi dhe përkthyesi i UNMIK-ut Ramë Zeneli, kishin pësuar lëndime si rezultat i plumbave të shkrepur.Sipas, aktakuzës së EULEX-it, të akuzuarit me qëllim kishin rrezikuar jetën edhe të personave të tjerë të cilët ishin në automjete që vinin pas veturës së UNMIK-ut, si dhe këto dy vrasje.

  • Rita Ora shfaqet mahnitëse në VMA

    Rita Ora shfaqet mahnitëse në VMA

    Rita Ora tregoi stilin e saj fantastik të veshjes teksa arriti në tapetin e kuq në “MTV Video Music Awards 2023” në New Jersey të martën.

    Vasha nga Kosova kishte veshur një fustan të zi pa shpatulla, i cili ishte dizajnuar me mëngë të gjata dramatike për këtë rast.

    Ajo e kompletoi veshjen me taka argjendi me shkëlqim dhe platformë.

    Këngëtarja i stiloi flokët e saj duke i lënë të lëshuara dhe të ndara në mes.

    Ajo po ashtu zgjodhi grim joshës.

    Rita dukej në humor të shkëlqyeshëm teksa pozonte para kamerave.

     

  • Perimet për turshi, “të paprekshme”, një kg speca tani po kushton deri në 1.5 euro

    Perimet për turshi, “të paprekshme”, një kg speca tani po kushton deri në 1.5 euro

    “Për mua janë të paprekshme… Duhet t’i lë të gjitha”, thotë Sali Aliu teksa shikon çmimet e perimeve në Tregun e Gjelbër në Prishtinë.

    “Çka të bëj”, pyetet pensionisti nga Podujeva, i cili merr rreth 200 euro në muaj.

    Në këtë periudhë të vitit, qytetarët e Kosovës zakonisht furnizohen me perime për turshi, por çmimet e tyre sivjet kanë befasuar shumë nga ta.

    “Vitin e kaluar, nëse i ke marrë specat me thes [3 kilogramë], kanë kushtuar prej 1.5 deri në 1.8 euro. Sivjet, 3 euro e gjysmë është thesi i njëjtë, me kilogramë të njëjtë. Domatet… vjet i kemi marrë me 60 deri në 70 centë për kilogram. Sivjet i ke 1.2 deri në 1.5 euro”, thotë Amir Simnica nga Prishtina.

    Bashkëqytetarja e tij, Mirishahe Stublla, thotë se vitin e kaluar ka siguruar dhjetë thasë me speca, domate, tranguj, hudhër, majdanoz e të tjera për 30 euro. Me këto para thotë se sivjet nuk arrin ta marrë as gjysmën e këtyre furnizimeve.

    Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Visar Hajdari, i cili shet produkte të ndryshme bimore në tezgën e tij, bën disa krahasime:

    “Pasuli, vitin e kaluar, ka qenë 2.5 deri në 4 euro, ndërsa sivjet është 4 euro [për kilogram]. Hudhra, vitin e kaluar, ka qenë 5 euro, sivjet është 6 euro. Mjalti, vjet, ka qenë 8 euro, sivjet është 15 euro. Mielli i misrit, vjet, ka qenë 80 centë, sivjet është 1.3 euro”.

    Rritjen e çmimeve e konfirmojnë zyrtarisht edhe të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

    Ato tregojnë se çmimi i perimeve në gusht të këtij viti, është rritur për 28 për qind, krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, ndërsa çmimi i pemëve është rritur për 11.4 për qind. Buka dhe drithërat janë shtrenjtuar për 4.5 për qind, mishi për 3.8 për qind, ndërsa qumështi, djathi dhe vezët për 2.4 për qind.

    Për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe pushtimit rus të Ukrainës, çmimet gjetiu në botë janë rritur, sidomos më 2021 dhe 2022, për të hyrë pastaj në një trend të stabilizimit.

    Vitin e kaluar, Kosova e ka përmbyllur me normë mesatare të inflacionit gati 12 për qind.

    Çmimet e disa produkteve në një dyqan në Prishtinë. Shkurt, 2022.

    Tahir Tahiri, udhëheqës i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, thotë se rendimentet e ulëta nga prodhuesit vendorë kanë ndikuar në ngritjen e çmimeve të produkteve bujqësore, sidomos të perimeve dhe pemëve.

    E, në uljen e rendimenteve, thotë ai, ka ndikuar vonesa e mbjelljes dhe kultivimit, për shkak të shirave gjatë gjithë muajve të pranverës.

    “Bujqit e shfrytëzojnë shansin për t’i ngritur çmimet, jo vetëm pse ka prodhimtari të paktë dhe me rendimente të ulëta, por edhe për shkak të kostos së prodhimtarisë. Në kushte të vështira klimatike duhet të investohet më shumë. Kostoja e prodhimtarisë rritet, sepse duhet të merren masa mbrojtëse. Pra, kostoja e prodhimtarisë e ka kushtëzuar bujkun që t’i ngritë çmimet e këtyre produkteve bujqësore”, thotë Tahiri për Radion Evropa e Lirë.

    Ai shton se për shkak të prodhimtarisë më të ulët vendore, tregtarët edhe kanë importuar produkte bujqësore – po ashtu me çmim më të lartë se vitin e kaluar.

    Kosova importon pjesën më të madhe të produkteve, qofshin ushqimore apo të tjera.

    Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, në vitin 2022, vlera e mallrave të importuara ka qenë mbi 5.6 miliardë euro. Ndërsa, në periudhën janar-korrik të këtij viti janë importuar produkte në vlerë prej rreth 3.3 miliardë eurosh.

    Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë se ngritja e çmimeve të produkteve të konsumit të përditshëm paralajmëron rritjen potenciale të inflacionit.
    Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të jetë e vëmendshme dhe të gjejë forma që t’i ndihmojë qytetarët, përfshirë edhe prodhuesit.

    “Për shkak të inflacionit dhe rritjes së çmimeve ka humbur vlera e parasë. Si Qeveri, duhet ta mendojë mënyrën se si të rritet vlera e parasë, në mënyrë që te qytetari të mos vërehet mungesa e ndonjë artikulli.

    Shportën që e ka blerë vitin e kaluar 500 euro – po them në mënyrë hipotetike – sivjet ta blejë me 600 euro, por me një ndihmesë në formën e rritjes së pagës, subvencionit të përkohshëm…”, thotë Rafuna.

    Paga mesatare në Kosovë është 520 euro, ndërsa minimalja sillet nga 130 deri në 170 euro.

    Në gushtin e vitit 2022, inflacioni në Kosovë ka qenë 13 për qind, ndërsa gushtin e kaluar ishte 3.2 për qind.

    Rafuna thotë se nëse Qeveria nuk mund të sigurojë rritje pagash ose subvencione për qytetarët, atëherë mund ta reduktojë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për një gamë të gjerë të produkteve esenciale.

    Sipas tij, Qeveria e ka të pamundur të ndikojë në çmimet në treg, për shkak të ekonomisë së tregut të lirë.

    Projektligji për çmimet tavan, i hartuar nga Qeveria e Kosovës tetorin e vitit të kaluar, nuk është mbështetur nga partitë opozitare.

    Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës nëse ka mundësi të ndërmarrë ndonjë masë për zbutjen e inflacionit dhe efektit të ngritjes së çmimeve të produkteve esenciale, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

    Me qëllim që t’ua lehtësojë përballimin e inflacionit, Qeveria, gjatë vitit të kaluar, ka ndarë disa herë shtesa për kategori të ndryshme sociale./REL/

  • Qeveria ndan 4 mijë e 200 euro për transportimin e kufomës së argjentinases që dyshohet se u vra në Fushë Kosovë

    Qeveria ndan 4 mijë e 200 euro për transportimin e kufomës së argjentinases që dyshohet se u vra në Fushë Kosovë

    Qeveria e Kosovës ka ndarë 4200 euro për t’i mbuluar shpenzimet për transportimin e kufomës së argjentinases që dyshohet se u vra nga partneri i saj në Fushë-Kosovë në gusht të këtij viti.

    Një vendim i këtillë u mor në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

    Në arsyetim të vendimit, zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, ka thënë se kjo bëhet për shkak të ndjeshmërisë dhe aspektit human si dhe pamundësisë financiare të familjes.

    Këto mjete janë ndarë nga buxheti i Ministrisë së Drejtësisë.

  • KS, takimi Kurti-Vuçiq dhe çështja “Beleri”, Rama: Tri konsiderata në një ditë

    KS, takimi Kurti-Vuçiq dhe çështja “Beleri”, Rama: Tri konsiderata në një ditë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përmes një reagimi në rrjetet sociale, ka veçuar tri zhvillimet e afërta, drejtimin e Këshillit të Sigurimit nga Shqipëria javën e ardhshme, çështjen “Beleri”, si dhe takimin Kurti-Vuçiç në Bruksel që pritet të ndodhë të enjten.

    Drejtimi i Këshillit të Sigurimit nga Shqipëria, Rama e cilëson moment historik në marrëdhëniet ndërkombëtare.

    Ndërsa, konsiderata e dytë, kryeministri Rama merr rastin e ‘Belerit’. Kryeministri thekson se Shqipëria po e nxjerr kokën mbi ujin e ndenjur të pandëshkueshmërisë sistemike 100 e kusur vjeçare.

    Kurse, zhvillimi i tretë për Ramën është takimi në Bruksel i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

    “Lutem që mos të jetë një tjetër xhiro bosh, për një tjetër përsëritje të këngës “fajin e ka tjetri”. Pavarësisht lidhjeve tona të ngushta dhe marrëdhënies unike ndoshta në botë me Kosovën, si shteti tjetër shqiptar në kufi me Shqipërinë, ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi të përputhur plotësisht në linjën e përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, për të realizuar planin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, shkruan Rama.

    Postimi i plotë i Ramës:

    TRE KONSIDERATA NË NJË DITË

    1. Javën e ardhshme Shqipëria do të drejtojë Këshillin e Sigurimit, bash në momentin kur e gjithë bota mblidhet në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara në New York. Ky është një moment historik në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë, i cili thotë shumë për ngjitjen e shtetit tonë në një nivel të ri. Ka shumë arsye për të qenë krenarë me Shqipërinë sot, po shumica e tyre janë shumë më tepër motive për të kuptuar se sa shumë mund të bëjë ende Shqipëria dhe për të ecur vendosmërisht drejt majës së re ku duhet me se s’bën të ngjitemi si vend e si popull, e në asnjë mënyrë shkaqe për vetëkënaqësi. Por njëri ndër motivet që duhet të na bëjë krenarë e të na frymëzojë në mendimin e veprimin tonë kombëtar dhe politik të kohëve të sotme, është fakti se megjithëse në Ballkanin Perëndimor shqiptarët janë të shtrirë në disa shtete, në shifra të konsiderueshme duhet thënë, Shqipëria është shembull i veçantë i mos abuzimit me komunitetet etnike të saj të pranishme në vende të tjera. Ne kurrë nuk nxisim trazime etnike as në shtetet fqinje, as mes shteteve fqinje, duke prekur ndjenja që mund të ushqejnë kundërshti e të ndezin konflikte në këtë lagje të Europës, ku jemi të gjithë të dënuar të jetojmë së bashku në jetë të jetëve dhe të detyruar të bëjmë çmosin që t’u lemë fëmijëve tanë një hapësirë mirëkuptimi, tolerance, paqeje.

    Për ne në Tiranë, komunitetet etnike të shpërndara në të gjithë Ballkanin Perëndimor janë një urë miqësie dhe bashkëpunimi, ashtu sikundër shqiptarët e vendosur në shumë shtete janë bartësit e një ardhmërie në paqe me të gjithë, jo fitila për t’u ndezur në emër të arsyeve të mosarsyes së të shkuarës, me të cilën ushqehen rëndom këtyre anëve politika dritëshkurtëra të radhës.

    Nuk ka dyshim se disa rretherrotull, po edhe disa prej aleatëve e partnerëve tanë ndërkombëtarë e marrin nganjëherë si diçka të zakonshme, të mirëqenë e për këtë arsye thuajse të parëndësishme, qasjen tonë emancipuese për ndërtimin dhe ushqyerjen e marrëdhënieve miqësore me të gjithë. Jo se kjo na bën të dyshojmë në këtë qasje tonën, e cila është një qasje sa pragmatike aq edhe thelbësisht vlerore, për një bashkësi europiane si e jona në Shqipëri, po ja që në ndonjë rast apo moment u duhet kujtuar të gjithëve se ne japim besim, respekt, miqësi, por askush asnjëherë nuk duhet të na marrë për qorra, shurdhë apo memecë. Ne mirëpresim kritika e ndihmë për t’u përmirësuar nga gjithkush, po leksione bashkëjetese e respekti për etnitë e tjera Shqipërisë nuk i jep dot askush.

    2. Shumica parlamentare dhe qeveria që unë drejtoj, kanë ideuar e mbështetur vendosmërisht një reformë aq të thellë dhe aq thellësisht europianizuese të sistemit drejtësisë, sa që sot, për herë të parë në historinë e shtetit të saj, Shqipëria po e nxjerr kokën mbi ujin e ndenjur të pandëshkueshmërisë sistemike 100 e kusur vjeçare. Hetimi dhe ndjekja e pavarur penale e një sërë zyrtarësh të lartë të lidhur me pushtetin politik të radhës, përfshirë njërin prej zëvendëskryeministrave të mi të mëparshëm, janë prova kokëfortë e një ndryshimi epokal në jetën e vendit tonë. Shumë thanë se nuk do të ndodhte kurrë në Shqipëri që të prekeshin të pushtetshmit, por kjo tanimë është e qartë që po ndodh. Të tjerë thanë se qeveria do t’i kontrollonte gjithësesi organet e reja të drejtësisë, por kjo tanimë është e qartë që nuk ndodh.

    Ndonjë po thotë se kur vjen puna tek ndonjë patate shumë e nxehtë në duart e drejtësisë, si ajo e zotit Beleri, unë duhet të ndërhyj e ta hedh pataten në det, por kjo nuk ka për të ndodhur kurrësesi. Dhe unë vetëm do të përsëris deri në bezdi për shumëkënd, se lufta kundër korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar vetëm do të thellohet, pavarësisht dhimbjeve e kostove, sepse kjo luftë është e drejtë dhe e domosdoshme për Shqipërinë Europiane të të gjithë fëmijëve të këtij vendi. Fatkeqësisht, hija e stereotipit se korrupsioni është mënyra e jetesës në Ballkan dhe të gjithë janë njësoj, prandaj të gjithë duhen treguar me gisht, çfarëdo që të bëjnë për të provuar të kundërtën, shtrihet deri mbi çatitë e zyrave të kryeqyteteve perëndimore. Mungesa e sukseseve në hetimet, ndjekjet penale dhe gjykimet e korrupsionit në nivel të lartë, janë avazi që i përsëritet çdo vit nga të katër anët Ballkanit Perëndimor në tërësi dhe Shqipërisë po njësoj. Raportet copy paste nga viti i mëparshëm janë bërë modë dhe institucione të rëndësishme apo organizata me emër të madh, i rishtypin ato me ndonjë të re që është po aq e vjetër sa të mëparshmet, bazuar në anketime e perceptime që mblidhen nën hijen e atij stereotipi. Por fatmirësisht, ne e dimë më mirë se kushdo edhe sa shumë gjëra kanë ndryshuar, po edhe sa shumë gjëra duhen ndryshuar akoma dhe nëse ka një vend në këtë rajon, i cili meriton shumë më tepër respekt, madje edhe lëvdata inkurajuese për faktet e lidhura me këtë luftë, ky vend është Shqipëria. Megjithatë, të gjithë duhet ta dinë, se edhe pse disa fjalë të mira dhe plotësisht të merituara, do të na gëzonin si shenjë respekti, përsëritja e të njëjtit avaz nuk na mërzit fare, sepse ne nuk po e bëjmë këtë luftë as për Brukselin, as për Berlinin apo Uashingtonin, po për fëmijët e sotëm të Shqipërisë së nesërme.

    3. Sot, udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Bruksel dhe unë, si gjithnjë, lutem që mos të jetë një tjetër xhiro bosh, për një tjetër përsëritje të këngës “fajin e ka tjetri”. Pavarësisht lidhjeve tona të ngushta dhe marrëdhënies unike ndoshta në botë me Kosovën, si shteti tjetër shqiptar në kufi me Shqipërinë, ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi të përputhur plotësisht në linjën e përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, për të realizuar planin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Jo sepse aletatët tanë të mëdhenj strategjikë kanë gjithnjë, medoemos, të drejtë, po sepse deri më sot ata nuk kanë qenë asnjëherë gabim në kërkesën e tyre ndaj të dyja vendeve, e së fundmi Kosovës veçanërisht.

    Këtë qershor, gjatë kulmit të tensioneve në komunat veriore të Kosovës, me keqardhje, ne anuluam njëanshmërisht mbledhjen e përbashkët të dy qeverive me Kosovën, e cila ishte e planifikuar prej kohësh.

    Njëqind herë të ktheheshim mbrapsht njëqind herë do ta anulonim, sepse së pari, Shqipëria është një anëtar përgjegjës i komunitetit euroatlantik edhe kur duhet të pozicionohet në raport me gabimet e veta, e jo më kur duhet të pozicionohet në raport me gabimet e Kosovës apo lëre pastaj me ato të të tjerëve.

    E së dyti, sepse ai ishte momenti më i gabuar për të hedhur një valle dyshe shpatash në Prizren, në ndërkohën kur Kosova duhet të ishte në anën e të ardhmes, krah për krah me aleatët e saj strategjikë, e jo në anën e të shkuarës, prej ku ushqehen edhe teoritë helmuese të konspiracionit shqiptaromadh.

    Më pas, i vetëdijshëm se ishte një lëvizje e pazakontë, iu paraqita aleatëve tanë strategjikë kontributin e Shqipërisë në diskutimet e vazhdueshme për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, sepse jam plotësisht në një mendje me ta për nevojën e zbatimit rigoroz të gjithçkaje për të cilën shteti i Kosovës është zotuar. Qeveritë vejevijnë, por shtetet serioze nuk vejevijnë në zotimet e tyre ndërkombëtare njësoj si qeveritë.

    Por më duhet ta ritheksoj, se sa më lart nuk do të thotë aspak se Shqipëria e sheh Kosovën si të vetmen përgjegjëse për futjen e dialogut në qorrsokak. Assesi jo. Kosova bëri një hap të konsiderueshëm në drejtimin e shumëpritur, duke e pranuar planin franko-gjerman pa referencë për njohjen reciproke dhe duke pranuar po ashtu, propozimin e vetë-menaxhimit për komunitetin serb. E kam duartrokitur menjëherë Albin Kurtin për këtë hap edhe publikisht, jo vetëm personalisht. Tani është koha që edhe Serbia të dalë nga llogorja e asburdit të mohimit të realitetit dhe të veprojë në mirëbesim, duke mundësuar një sekuencë zbatimi që i përmbush nevojat e të dyja palëve në kuadër të planit franko-gjerman.

    Shqipëria i ka shtrirë Serbisë dorën e miqësisë. Në mënyrë ironike, ka ndodhur në ndonjë rast të jemi i vetmi vend në rajon që ka folur hapur kundër sanksioneve ndaj Serbisë dhe e kemi shpjeguar qartë pse jemi të bindur në këtë qëndrim. Megjithatë, dhe kjo duhet theksuar, një përfundim i suksesshëm i procesit të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm edhe për të ardhmen e qëndrueshme të marrëdhënieve Shqipëri-Serbi.

    Për fat të keq, teksa përpiqem pa sukses të kuptoj taktikat e qeverisë së Kosovës, mbetem po aq i pasuksesshëm në përpjekjen për të kuptuar strategjinë e dialogut të Serbisë. Dyshoj se strategjia e Beogradit është të vonojë proçesin dhe të përfitojë sa më shumë nga taktikat vetëdëmtuese të Prishtinës, të cilat e kanë ndihmuar vijimësisht viktimizimin e Serbisë ne arenën e ndërkombëtare.

    Fatkeqësisht po ashtu, disa harrojnë se nuk jemi më në vitet ‘90 të shekullit të kaluar. Shqipëria është për paqe, pajtim, ardhmëri të përbashkët dhe pikë. Por megjithatë, nëse gjërat shkojnë keq, Shqipëria dhe shqiptarët janë me Kosovën, e këtë s’e luan topi. Thënë kjo, unë me sinqeritet shpresoj që të gjithë të përfshirët në procesin e normalizimit të jenë të vetëdijshëm për atë çfarë luhet sot mes Kosovës e Serbisë dhe të kuptojnë dreqi e mori, që çdo alternativë tjetër, përveç zbatimit të menjëhershëm, gjithëpërfshirës, të marrëveshjes mbi planin franko-gjerman në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë është lojë me zjarrin, ku kush luan do të digjet i pari, po akoma më keq, në fund do të përvëlohet krejt rajoni, po nuk do të shpëtojë pa u përcëlluar edhe vetë Europa.

    Përfundimi i suksesshëm i procesit të normalizimit të Kosovës e Serbisë janë parësore për paqen dhe sigurinë rajonale, po edhe për sigurinë e vetë Europës.