ATV

Blog

  • Vrasja e policit në Veri, reagon Vjosa Osmani

    Vrasja e policit në Veri, reagon Vjosa Osmani

    Presidentja Vjosa Osmani, ka reaguar pas vrasjes së një polici të Kosovës dhe plagosjes së një tjetri në veri të vendit nga bandat kriminale.

    Osmani tha se kjo ngjarje është e planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe, teksa e quajti sulm ndaj Kosovës.

    “Këto sulme dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia, të cilat prej shumë kohësh, siç është dëshmuar edhe me sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve, po synojnë të destabilizojnë Kosovën dhe rajonin. Sulmet e organizuara kundër forcave të rendit të Republikës së Kosovës janë sulme kundër sovranitetit të Republikës së Kosovës”, u shpreh Osmani.

    Tutje, ajo tha se pret që aleatët e Kosovës ta mbështesin vendin në përpjekjen për të vendosur rend e ligj në çdo pjesë të Republikës.

    “Familjes së policit të vrarë ju shprehim ngushëllime të thella dhe i sigurojmë se autorët e këtyre akteve terroriste nuk do të mund t’i ikin drejtësisë. Ftoj të gjithë qytetarët, institucionet dhe subjektet politike që të qëndrojnë të bashkuar në këtë kohë kur nga Serbia po sfidohet hapur integriteti territorial, siguria dhe sovraniteti i Republikës sonë”.

    “Si Presidente e Republikës kam besimin e plotë në djemtë dhe vajzat tona nga Policia e Kosovës”, tha Osmani.

  • Memli Krasniqi reagon ashpër ndaj Beogradit pas sulmeve të fundit në Veri

    Memli Krasniqi reagon ashpër ndaj Beogradit pas sulmeve të fundit në Veri

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se sulmi i të dielës në fshatin Banjskë në veri është sulm direkt ndaj shtetit të Kosovës.

    Në sulmin në Banjskë vdiq një rreshter policor, ndërsa u plagos një polic kufitar.

    Krasniqi në postim në Facebook u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve për vetëpërmbajtje, ndërsa ka ftuar partnerët ndërkombëtarë ta dënojnë sulmin dhe t’i kërkojnë Serbisë ndalimin e ndërhyrjeve në territorin e Kosovës.

    “Jam i tronditur nga lajmi për vrasjen e një pjesëtari të Policisë së Kosovës dhe plagosjen e një tjetri, sot në pjesën veriore të Kosovës. I shpreh ngushëllimet më të thella familjes së policit të rënë në detyrë, ndërsa policit të plagosur i uroj shërim sa më të shpejtë. Sot, në këtë moment të dhembjes, qëndrojmë të bashkuar në përkrahje të policëve tanë, të cilët, përkundër sfidave ditore e sulmeve të bandave kriminale të kontrolluara nga Beogradi, po mbrojnë sovranitetin shtetëror në pjesën veriore të shtetit tonë. Ftoj të gjithë që ta dënojnë fuqishëm këtë sulm kriminal kundër Policisë së Kosovës, që është sulm direkt kundër shtetit të Kosovës. Kërkoj nga organet përgjegjëse që hetimet e plota të bëhen sa më shpejt dhe përgjegjësit të sillen para drejtësisë për të marrë dënimet meritore. Në të njëjtën kohë, apeloj tek të gjithë qytetarët për vigjilencë e vetëpërmbajtje, sepse përshkallëzimi i situatës në veriun e vendit tonë i konvenon vetëm Serbisë dhe bandave kriminale nën kontrollin e saj. Po ashtu, ftoj partnerët ndërkombëtarë të Kosovës që të dënojnë qartë sulmin dhe t’i kërkojnë Serbisë urgjentisht ndalimin e ndërhyrjeve në territorin e Kosovës dhe provokimit të mëtejmë të situatës”, ka shkruar Krasniqi.

  • ​Pjesëtarë të policisë në shtëpinë e rreshterit të ndjerë Bunjaku

    ​Pjesëtarë të policisë në shtëpinë e rreshterit të ndjerë Bunjaku

    Pranë shtëpisë së policit të vrarë, Afrim Bunjaku, po qëndrojnë pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

    Në Samadrexhë të Vushtrrisë po vërehen edhe lëvizje të familjarëve të të ndjerit.

    Mësohet se rreshteri i vrarë në orët e para të mëngjesit ka qenë baba i tre fëmijëve.

    50-vjeçari u vra në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, në fshatin Banjska të Zveçanit ku është sulmuar patrulla policore nga grupe kriminale serbe.

    Deri para pak minutash pranë shtëpisë ka qëndruar edhe autoambulanca.

  • Polici i vrarë në veri la pas vetes gruan e tre fëmijë

    Polici i vrarë në veri la pas vetes gruan e tre fëmijë

    Në familjen e policit të vrarë në veri, në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë kanë nisur vizitat e familjarëve për ngushëllime.

    Pranë shtëpisë së policit të rënë në detyrë po qëndrojnë Policia e Kosovës dhe autoambulanca, pasi gjendja emocionale e familjarëve të tij është jo e lehtë.

    Gjatë orëve të para të mëngjesit, familjarët kanë shkuar edhe në QKUK ku kanë marrë lajmin se po kryhet obduksioni i policit të rënë në krye të detyrës e tek më pas do të mund ta marrin trupin e familjarit të tyre.

    Deri në këto momente nuk ka ndonjë informacion se për vizitë do të vijë dikush nga krerët e shtetit, por një gjë e tillë pritet ta bëjnë gjatë ditës.

    Polici i rënë në detyrë ka lënë prapa vetës gruan dhe tre fëmijë ndërsa gjendja e tyre shëndetësore është jo e mirë aktualisht.

  • ShBA dënon ashpër sulmet ndaj Policisë së Kosovës: Autorët të sillen para drejtësisë

    ShBA dënon ashpër sulmet ndaj Policisë së Kosovës: Autorët të sillen para drejtësisë

    Ambasadori i ShBA-së në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka dënuar ashpër sulmet e orkestruara e të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës.

    Reagimi i diplomatit amerikan vjen pasi të dielën, mjë zyrtar i Policisë së Kosovës është vrarë, në veri të Kosovës.

    Po ashtu, sipas Policisë, si pasojë e sulmit është plagosur një zyrtar policor dhe një tjetër është lënduar.

    Hovenier, shkroi se Policia e Kosovës ka përgjegjësi të plotë dhe legjitime për zbatimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

    Ai shtoi se autorët duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi dhe do të sillen para drejtësisë.

    “I shpreh ngushëllimet në emër të Shteteve të Bashkuara familjes për vdekjen e rreshterit të Policisë së Kosovës të vrarë në krye të detyrës”, thuhet në deklaratën e Hovenierit, të cilën e ka shpërndarë në platformën “X”.

  • Sulmi tragjik në veri, mblidhet Këshilli i Sigurisë

    Sulmi tragjik në veri, mblidhet Këshilli i Sigurisë

    Forca të shtuara të Policisë së Kosovës bashkë me KFOR-in janë parë të stacionuara në rrugën Mitrovicë – Zveçan, përkatësisht në afërsi të Banjskës pas sulmit tragjik që ndodhi rreth orës 02:34, ku mbeti i vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, dhe u plagosën dy të tjerë.

    Pas këtij sulmi, kryeministri Kurti ka njoftuar se do të mblidhet Këshilli i Sigurisë së Kosovës në orën 10:00.

    Ndërkohë, presidentja Vjosa Osmani ka ndërprerë vizitën zyrtare në Nju Jork.

    Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes, konfirmoi për KosovaPress se Osmani ka anuluar të gjitha aktivitetet e parapara për të hënën dhe të martën dhe do të niset menjëherë drejt Kosovës.

    Kujtojmë se Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka rol këshillues në të gjitha çështjet që lidhen me sigurinë e Kosovës dhe kontributin e tij për stabilitetin rajonal. Ajo rekomandon politika dhe strategji për sigurinë. Këshilli i Sigurisë i Kosovës duhet të ofrojë informata dhe vlerësime të gjendjes së sigurisë në Kosovë, që t’i mundësojnë Qeverisë së Republikës së Kosovës marrjen e vendimeve përkatëse lidhur me çështjet e sigurisë.

    Takimet e Këshillit të Sigurisë nuk janë të hapura për publikun.

  • Ngrihet gjendja e gatishmërisë në institucionet shëndetësore

    Ngrihet gjendja e gatishmërisë në institucionet shëndetësore

    Pas ngjarjeve të ndodhura në veri të Kosovës, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), ka ngritur gjendjen e gatishmërisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe spitalet e përgjithshme.

    Gatishmëria është ngritur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës dhe atë të Vushtrrisë.

    Njëkohësisht, ShSKUK njofton se mbrëmë mjekët e Spitalit të Mitrovicës dhe pastaj ata të QKUK-së, kanë trajtuar policët e plagosur të cilët pas ekzaminimeve mjekësore dhe ndërhyrjeve të nevojshme janë jashtë rrezikut për jetë.

    ShSKUK ka shprehur ngushëllime të thella për familjen e policit të vrarë dhe të plagosurve iu uroi shërim të shpejtë.

    Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme (e diel) është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku ndërsa Alban Rashiti ka mbetur i plagosur. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjska të Zveçanit ku është sulmuar patrulla policore.

  • Kurti viziton policin e plagosur në veri

    Kurti viziton policin e plagosur në veri

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së sotme e ka vizituar policin e plagosur në fshatin Banjskë në Zveçan.

    “Operacioni i heqjes së predhës nga kraharori i majtë i policit Alban Rashiti është kryer me sukses sot në mëngjes. Predha ishte e një granate dore që e hodhën kriminelët e orkestruar nga Serbia në drejtim të policisë së Kosovës gjatë sulmit të tyre terrorist afër urës në Banjskë të Zveçanit. Gjatë vizitës në Klinikën Kirurgjike të QKUK-së takova edhe familjen e Albanit e cila erdhi nga Velekinca e Gjilanit”, shkroi Kurti.

    Tutje, Kurti ka thënë se polici Alban Rashiti do të lirohet sot në shtëpi dhe se gjendja e tij është stabile.

    Ndryshe, në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme (e diel) është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku ndërsa Alban Rashiti ka mbetur i plagosur. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjska të Zveçanit ku është sulmuar patrulla policore.

  • Schneeberger i reagon Borrellit e Lajçakut pas vrasjes së policit: Kjo ndodh kur luftën kundër krimit e quani provokim

    Schneeberger i reagon Borrellit e Lajçakut pas vrasjes së policit: Kjo ndodh kur luftën kundër krimit e quani provokim

    Këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger, ka reaguar pas vrasjes së rreshterit policor të Kosovës, Afrim Bunjaku dhe plagosjes së një polici tjetër në fshatin Banjskë të Leposaviqit nga grupe kriminale.

    Schneeberger i tha shefit për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe emisarit special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, se kjo ndodh kur “luftën kundër krimit e quan provokim dhe e dënon”.

    “Kështu ndodh kur e qetëson Vuçiqin dhe luftën kundër krimit e quan provokim dhe e dënon. Josep Borrel, Mirsolav Lajçak”, shkroi Schneeberger.

  • Vrasja e policit në veri, Balje: Ju jeni heronjtë tanë

    Vrasja e policit në veri, Balje: Ju jeni heronjtë tanë

    Deputetja Duda Balje ka reaguar pas vrasjes së zyrtarit policor në Veri.

    Ajo u ka shprehur ngushëllime familjes së policit të vrarë, teksa të plagosurit i ka uruar shërim të shpejtë.

    “Ngushëllime familjes së policit të vrarė! I lutem Zotit t’ju japë forcë dhe durim. Policit të plagosur u uroj shërim të shpejtë. Ju jeni heronjtë tanë🇽🇰🇽🇰🇽🇰”, ka shkruar ajo në një postim në “Facebook”.