ATV

Blog

  • Jevtiq dënohet me 6 vjet burgim e 2000 euro gjobë për spiunazh

    Jevtiq dënohet me 6 vjet burgim e 2000 euro gjobë për spiunazh

    Gjykata Themelore në Prishtinë pas aprovimit të marrëveshjes për pranim fajësie, e ka dënuar me 6 vjet burgim dhe 2 mijë euro gjobë togerin e Policisë së Kosovës, Bojan Jevtiq, lidhur me akuzën për spiunazh dhe armëmbajtje pa leje.

    Sipas aktgjykimi të shpallur nga gjykatësi Kushtrim Shyti, Jevtiq për veprën penale “Spiunazhi” u dënua me 6 vjet burgim, kurse për armëmbajtje pa leje 2 mijë euro gjobë. Ndaj tij, u shpall dënim unik në kohëzgjatje prej 6 vitesh dhe gjobë me 2 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Të njëjtit i vazhdohet masa e paraburgimit. Ndërkaq, u urdhërua shkatërrimi i armës së gjetur dhe të gjitha gjësendet e sekuestruara konfiskohen në pajtim me ligjet në fuqi.

    Jevtiqit iu shqiptua edhe dënim plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike në administratë publike në kohëzgjatje prej 5 vitesh pas mbajtjes së dënimit me burgim.

    Prezent në shpallje ishte prokurori special, Bekim Kodraliu dhe mbrojtësi i Jevtiq, avokati Millosh Nikoliq.

    Ndaj këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh.

  • “Daut Radoiçiqi”, OVL-UÇK dënon sulmet ndaj Haradinajt e Lushtakut: S’është e rastësishme, Kurti ta ndalë fushatën antiçlirimtare

    “Daut Radoiçiqi”, OVL-UÇK dënon sulmet ndaj Haradinajt e Lushtakut: S’është e rastësishme, Kurti ta ndalë fushatën antiçlirimtare

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i ka quajtur “sulme të ndyra” disa deklarata në drejtim të ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Daut Haradinaj dhe Sami Lushtaku.

    “Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dënon sulmet e ndyra të drejtuara kundër gjeneralëve të Luftës Çlirimtare, sulme që tani po përforcohen nga qarqe, prejardhja politike dhe familjare e të cilave u kalit në shërbim besnik ndaj Jugosllavisë dhe pushtimit serb”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.

    Organizata e Veteranëve tha se “asnjë shpifje nuk mund ta njollosë luftën që çliroi Kosovën”.

    “Gjeneralët dhe luftëtarët e UÇK-së nuk u kërkuan kurrë leje puthadorëve të një regjimi të vdekur para se të rroknin armët për këtë tokë. Sakrifica e tyre është themeli mbi të cilin ngrihet Kosova. Ata që pështyjnë mbi të, nuk shpërfaqin asgjë tjetër veçse zbrazëtinë e tyre politike dhe kalbëzimin moral”, thuhet në reagim.

    OVL-UÇK thotë se “nuk është e rastësishme” kjo gjuhë “kundër UÇK-së”.

    “Pas dy vitesh krizë institucionale, nxitja e qëllimshme e militantëve kundër UÇK-së nuk është e rastësishme. Është një lëvizje e llogaritur për të helmuar jetën publike, për të përçarë shoqërinë shqiptare dhe për ta çuar Kosovën drejt përplasjes së brendshme. Interesit të kujt i shërben kjo sjellje? Qartazi, Serbisë, në fushatën e saj të gjatë për të kriminalizuar Luftën Çlirimtare dhe për të shkatërruar unitetin tonë kombëtar”.

    Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i është kërkuar që ta ndalë “nxitjen e këtyre sulmeve”.

    “Albin Kurti dhe Vetëvendosje duhet të ndalin, tani, nxitjen e këtyre sulmeve ndaj UÇK-së, veteranëve dhe komandantëve të saj. Kosova nuk u çlirua që aventurierët politikë të përdorin si armë konfliktin qytetar për pushtet. Ata që nuk trashëguan asgjë nga kjo përpjekje, nuk kanë asnjë tagër të gjykojnë ata që e ngritën atë me gjak. Kërkojmë llogaridhënie publike dhe ndërprerje të pakushtëzuar të kësaj fushate antiçlirimtare. Vazhdoni në këtë rrugë dhe pasojat do të jenë të përhershme”, thuhet në reagim.

    OVL-UÇK mori shkas nga disa deklarata të rënda dhe kërcënuese së fundmi të një mërgimtari të quajtur Naser Xhylani ndaj Daut Haradinajt, të cilin ai e quajti “Daut Radoiçiqi”.

  • Haradinaj pret në takim ambasadorin Hargreaves, diskutojnë për anëtarësimin e Kosovës në NATO

    Haradinaj pret në takim ambasadorin Hargreaves, diskutojnë për anëtarësimin e Kosovës në NATO

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuara në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

    Haardinaj, përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se Kosova vlerëson lart marrëdhëniet e shkëlqyera me Mbretërinë e Bashkuar dhe mbështetjen e vazhdueshme për forcimin e subjektivitetit tonë shtetëror në arenën ndërkombëtare.

    Postimi i tij i plotë:

    Me ambasadorin Jonathan Hargreaves, biseduam për proceset nëpër të cilat po kalon vendi ynë dhe për avancimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Republikës së Kosovës.

    Ambasadorin Hargreaves e falënderova për angazhimin e tij dhe të Mbretërisë së Bashkuar në mbështetje të Republikës së Kosovës.

    Kosova vlerëson lart marrëdhëniet e shkëlqyera me Mbretërinë e Bashkuar dhe mbështetjen e vazhdueshme për forcimin e subjektivitetit tonë shtetëror në arenën ndërkombëtare. Në këtë drejtim, anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet një domosdoshmëri strategjike për paqen, sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë në rajon.

  • Shala: Themelimi i xhandarmërisë në Kosovë hap i vonuar, por i nevojshëm për sigurinë kombëtare

    Shala: Themelimi i xhandarmërisë në Kosovë hap i vonuar, por i nevojshëm për sigurinë kombëtare

    Njoftimi i ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për nisjen e procedurave për themelimin e xhandarmërisë së Kosovës, po vlerësohet si një hap i rëndësishëm në forcimin e arkitekturës së sigurisë në vend.

    Eksperti i sigurisë, Drizan Shala thotë se krijimi i një strukture të tillë ka qenë i nevojshëm tash e një kohë dhe se ajo do të ndikojë në menaxhimin më efikas të çështjeve të sigurisë dhe kontrollit kufitar.

    Shala në një intervistë për Ekonomia Online tha se xhandarmëria pritet të ketë një emërtim të ri.

    “Unë mendoj që veprimi i ndërmarrë nga ana e nivelit politik në Republikën e Kosovës është një vendim, i cili në kohë është i vonuar. Për arsye se kjo çështje do të duhej të ishte përfunduar që në 2023-ën, që nga përfundimi i sulmit terrorist diverzant nga ana e Beogradit zyrtar. Sepse është parë qartazi se do të duhet të kemi një ndryshim të arkitekturës së sigurisë dhe në kuadër të saj të kemi një strukturë të re, e cila do kishte me ndihmuar jashtëzakonisht në procese të sigurisë kombëtare. Në këtë aspekt, unë mendoj që xhandarmëria e Kosovës do të ketë një emërtim të ri, por nuk do të pranohet si terminologji e xhandarmërisë, por që funksioni dhe aktiviteti do të jetë i ngjashëm, të cilën është paraparë sipas ligjit në fuqi për sigurinë publike dhe asaj nacionale, por njëkohësisht sipas vendimit nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme”, u shpreh Shala.

    Ai vlerëson se Kosova tashmë i ka kapacitetet institucionale dhe operative për të krijuar një strukturë të tillë të sigurisë.

    “Kosova besoj tani më ka përmbyllur në aspekte të saja, arkitekturën e sigurisë, sa i përket krijimit të njësive relevante brenda Policisë së Kosovës, por njëkohësisht ne kemi në stazhin final edhe në përmbylljen e fazës së transformimit të FSK-së në forca të armatosura. Unë mendoj se tani më është koha më optimale, më e duhura që ne të kemi një strukturë të tillë, e cila do kishte me qenë si një sinergji e këtyre dy mekanizmave më herët, por që në asnjë rrethanë nuk do kishte me minimizuar punën dhe funksionin e Policisë së Kosovës apo ndoshta dhe të Ushtrisë së Kosovës, meqenëse tani më koncepti do të jetë në formatin të cilin e ka Shteti i Turqisë”, thekson ai.

    Sipas Shalës, themelimi i xhandarmërisë do të ndikojë drejtpërdrejt në lehtësimin e barrës operative të Policisë së Kosovës, sidomos në zonat kufitare dhe në menaxhimin e situatave të ndjeshme të sigurisë.

    “Sipas të gjitha gjasave do të jetë një ndihmesë jashtëzakonisht për Policinë e Kosovës, sepse deri më tani ishte përgjegjës për pjesën e brezit kufitar me shtetet fqinje, do të kishte me patur një minimizim të aktiviteteve të përditshme policore, sepse do të kishte me kaluar barrën dhe përgjegjësia e xhandarmërisë së Kosovës dhe njëkohësisht aksesin në mjetet ushtarake për të përmbyllur misionin dhe mandatin, do kishte me qenë tjetër e dëshirueshme, duke mos e ekspozuar ushtrinë në Kosovë në ndonjë aktivitet kërcënues, që mund të vihet, si me të cilin do kishte mund të menaxhojë xhandarmëria e Kosovës”, tha ai.

    Ai pret që procesi i funksionalizimit të kësaj strukture të nisë relativisht shpejt pas formimit të grupit punues nga Ministria e Punëve të Brendshme.

    “Unë po besoj dhe shpresoj se në një periudhë kohore afro 18-muajsh, që nga dita e nënshkrimit të vendimit nga ana e Ministrit të Punëve të Brendshme, ne do kemi strukturën e parë komanduese që udhëheq këtë strukturë”, u shpreh tutje Shala.

    Ndërkaq, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi sot se është nënshkruar vendimi për themelimin e grupit punues që do të analizojë modalitetet e funksionimit të xhandarmërisë së Kosovës.

    “Xhandarmëria e Republikës së Kosovës po bëhet. Si Ministër i Punëve të Brendshme sot kam nënshkruar themelimin e grupit punues i cili do të bëj analizimin dhe propozimin e modaliteteve për funksionimin e Xhandarmërisë së Republikës së Kosovës, si Agjencion i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Xhandarmëria përfaqëson një hap të rëndësishëm në konsolidimin e arkitekturës sonë të sigurisë, me mision të qartë për të garantuar prezencë të fuqishme shtetërore në funksion të ruajtjes së kufinjve, integritetit dhe sovranitetit tonë territorial, mbrojtjen nga terrorizmi, menaxhimin e trazirave me rrezikshmëri të lartë dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

  • Kosovari arrestohet në Maqedoni të Veriut, voziti mbi 200 km/h

    Kosovari arrestohet në Maqedoni të Veriut, voziti mbi 200 km/h

    Një shtetas i Kosovës është arrestuar mbrëmjen e së hënës në Maqedoni të Veriut, pasi ka vozitur veturën e tij me shpejtësi të madhe.

    Sipas policisë maqedonase, në autostradën A1, pranë Smokvicës, kosovari ka vozitur 203km/h, në zonën ku shpejtësia e lejuar është 120 km/h.

    Sipas policisë, 30-vjeçari drejtonte automjetin me targa të Kosovës.

    “Gjatë kontrollit në komunikacion me radar, policia ka konstatuar se ai po drejtonte një automjet “Audi A6” me targa të Kosovës me shpejtësi prej 203 kilometra në orë, në vend ku kufizimi i lejuar është 120 kilometra në orë. Ai është përjashtuar nga komunikacioni dhe për rastin është njoftuar prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike në Gjevgjeli. Ndaj tij është paraqitur kallëzim përkatës sipas nenit 297-a të Kodit Penal për “drejtim të pakujdesshëm të automjetit motorik”, thuhet në njoftim.

  • UEFA Champions League në të Ardhmen: A Mund të Transmetohet Falas?

    UEFA Champions League në të Ardhmen: A Mund të Transmetohet Falas?

    Ideja që UEFA Champions League të transmetohet falas në të ardhmen ka nisur të qarkullojë si një skenar revolucionar në futbollin europian, por aktualisht nuk është pjesë e agjendës zyrtare të UEFA-s. Sipas raportimeve të fundit, kjo ide nuk përjashtohet plotësisht në plan afatgjatë, por nuk ka asnjë hap konkret drejt realizimit të saj.

    Plani i diskutuar parashikon krijimin e një platforme globale streaming, ku ndeshjet e Champions League, por edhe të UEFA Europa League dhe UEFA Conference League, do të transmetoheshin falas për publikun. Modeli do të bazohej kryesisht në reklama, duke ndryshuar rrënjësisht sistemin aktual të të drejtave televizive dhe abonimeve.

    Një nga mbështetësit kryesorë të kësaj ideje është presidenti i Real Madridit, Florentino Pérez, i cili thuhet se ka diskutuar konceptin edhe me drejtuesin e UEFA-s, Aleksander Čeferin.

    Megjithatë, realiteti aktual është shumë larg këtij skenari. UEFA ka nënshkruar kontrata afatgjata dhe shumë fitimprurëse për të drejtat televizive të kompeticioneve evropiane, të cilat përbëjnë një nga burimet kryesore të të ardhurave të saj.

    Ndryshimi i këtij sistemi do të kërkonte prishje kontratash, pagesa të mëdha penalitetesh dhe përballje ligjore që mund të zgjasin për vite të tëra. Për këtë arsye, ideja nuk është pjesë e diskutimeve zyrtare të UEFA-s dhe nuk pritet të trajtohet në kongreset e ardhshme.

    Edhe pse për momentin mbetet vetëm një koncept teorik, modeli i transmetimit falas me bazë reklamat mund të rikthehet në diskutim në të ardhmen, në një epokë ku futbolli evropian po kërkon mënyra të reja për të zgjeruar audiencën globale.

    Për momentin, Champions League mbetet e lidhur ngushtë me sistemin tradicional të transmetimeve me pagesë.

  • Ndërrimi i qendrës së votimit, aprovohen mbi 11 mijë kërkesa, refuzohen 564

    Ndërrimi i qendrës së votimit, aprovohen mbi 11 mijë kërkesa, refuzohen 564

    Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është prezantuar një raport nga përfundimi i dy periudhave të ndryshime për votuesit: ndërrimi i qendrës së votimit brenda komunës (6 maj – 17 maj 2026) dhe regjistirmi i votuesve jashtë Kosovës (6 maj – 17 maj 2026).

    Në mbledhje u bë e ditur se KQZ ka pranuar 11,840 kërkesa për ndërrim të qendrës së votimit brenda komunës, prej të cilave janë aprovuar 11,276 dhe janë refuzuar 564 të tjera.

    Ndërsa, për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës u bë e ditur se KQZ ka prauar 142,803 kërkesa për regjistrim dhe pas shqyrtimit të tyre janë aprovuar aprovuar 131,800, ndërsa 10,907 të tjera janë refuzuar dhe 96 janë anuluar.

  • Rritet numri i lindjeve në Kosovë gjatë marsit, bie i kurorëzimeve dhe shkurorëzimeve

    Rritet numri i lindjeve në Kosovë gjatë marsit, bie i kurorëzimeve dhe shkurorëzimeve

    Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat preliminare për lindjet, vdekjet, kurorëzimet dhe shkurorëzimet për muajin mars 2026, ku vërehet rritje e numrit të lindjeve dhe vdekjeve, ndërsa rënie e kurorëzimeve dhe shkurorëzimeve krahasuar me muajin shkurt.

    Sipas ASK-së, gjatë muajit mars janë regjistruar gjithsej 2 mijë e 314 lindje brenda dhe jashtë Kosovës. Prej tyre, 1 mijë e 211 janë meshkuj dhe 1 mijë e 103 femra.

    “Në muajin mars 2026 kemi rritje të numrit të lindjeve rreth 15,6% krahasuar me muajin shkurt 2026”, thuhet në raport.

    Ndërkaq, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 932 raste të vdekjeve, prej të cilave 524 meshkuj dhe 408 femra.

    “Krahasuar me muajin shkurt 2026, në muajin mars 2026 janë regjistruar 3,4% raste të vdekjeve më shumë”, njofton ASK.

    Sa i përket kurorëzimeve, në muajin mars janë regjistruar gjithsej 932 raste, ndërsa krahasuar me muajin paraprak është shënuar rënie prej 3,8%.

    Po ashtu, ASK bën të ditur se gjatë marsit janë regjistruar 133 raste të shkurorëzimeve në Kosovë.

    “Krahasuar me muajin shkurt 2026 ka rënie të numrit të shkurorëzimeve në muajin mars 2026 për 1,5%”, thuhet në njoftim.

    Sipas ASK-së, këto të dhëna janë publikuar duke u bazuar në të dhënat administrative të siguruara nga Agjencia e Regjistrit Civil të Kosovës.

  • Kadrijaj i reagon mërgimtarit që kërcënoi Daut Haradinajn: Hajde o Naser Xhylani, se fort trim koke

    Kadrijaj i reagon mërgimtarit që kërcënoi Daut Haradinajn: Hajde o Naser Xhylani, se fort trim koke

    Ish-deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka reaguar pas gjuhës kërcënuese të mërgimtarit Naser Xhylani, militant i Lëvizjes Vetëvendosje, në drejtim të ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Daut Haradinaj.

    Përmes një postimi në Facebook, Kadrijaj i drejtohet mërgimtarit: “Hajde o Naser Xhylani, se fort trim koke”.

    Xhylani në një video të publikuar në Facebook e ka krahasuar Haradinajn me kryeterroristin Milan Radoiçiqin, i cili është përgjegjës për sulmin në Banjskë, duke iu referuar me mbiemrin e tij, “Daut Radoiçiq”.

    Në fund të videos, ai ka përdorur edhe gjuhë të drejtpërdrejtë kërcënuese, duke përmendur “kanunin” dhe persona që, sipas tij, janë “të gatshëm për sakrificë”.

    Një mërgimtar me emrin Naser Xhylani e krahason Daut Haradinajn me Radoiçiqin, e kërcënon publikisht me “kanun”

  • I dërgoi Serbisë dokumente konfidenciale e sekrete, togeri policor Bojan Jevtiq pranon fajësinë për spiunazh

    I dërgoi Serbisë dokumente konfidenciale e sekrete, togeri policor Bojan Jevtiq pranon fajësinë për spiunazh

    Togeri i Policisë së Kosovës i akuzuar për spiunazh, Bojan Jevtiq, ka lidhur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë Speciale.

    Kështu bëri të ditur gjyqtari Kushtrim Shyti, i cili tha se seanca që mbahet sot në Gjykatën Themelore, është seancë dëgjimore sa i përket shqyrtimit të marrëveshjes së fajësisë.

    Jevtiq, i cili është suspenduar nga Policia, në bazë të aktakuzës i ka dërguar Serbisë dokumente konfidenciale e sekrete, duke i dorëzuar nëpërmjet platformave të komunikimit me internet, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

    Në të shkruhet se i akuzuari ia ka dërguar ato Agjencisë për Siguri dhe Inteligjencë të Serbisë (BIA) dhe se me këtë veprim është rrezikuar rëndë siguria e Kosovës, për çka prokuroria ka kërkuar që dënimi ndaj tij të jetë konform paragrafit 6 të nenit 124 të Kodit Penal, që parasheh dënim nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm.

    “Nga një periudhë kohore e pacaktuar e deri më datë 17.07.2025, respektivisht deri në momentin e arrestimit të tij, i pandehuri [e redaktuar], në cilësinë e zyrtarit policor me gradën toger dhe në detyrën e Shefit të Sektorit të Operativës në Stacionin Policor Kufitar [e redaktuar], me dashje dhe në mënyrë të vazhdueshme, ka mbledhur, siguruar dhe transmetuar informacione dhe dokumente zyrtare të klasifikuara si ‘Konfidencial’ dhe ‘Sekret’, që ndërlidhen me sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, thuhet në aktakuzën për Bojan Jevtiqin, raporton Koha.

    Sipas Prokurorisë Speciale, Jevtiqi i ka dërguar BIA-s informata si shkak i të cilave janë rrezikuar jetët e zyrtarëve të institucioneve të sigurisë së Kosovës e edhe qytetarëve.

    Në aktakuzë theksohet se aplikacionet e mesazheve WhatsApp dhe Telegram janë përdorur për t’i transmetuar sekretet shtetërore të zyrtari i BIA-s, me nofkën “Qira”, e me të cilin është takuar edhe fizikisht në disa raste në Beograd.

    “Me këto veprime, i pandehuri edhe pse në dijeni për natyrën e klasifikuar të dokumenteve dhe pasojat e mundshme, ka cenuar rëndë sigurinë kombëtare, rendin kushtetues dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, si dhe ka rrezikuar drejtpërdrejt jetën dhe sigurinë e zyrtarëve shtetërorë dhe qytetarëve të saj”, thuhet në aktakuzë.

    Për spiunazh në Kosovë është dënuar ish-polici i Kosovës, Aleksandar Vlajiq me pranim fajësie vitin e kaluar. Sivjet në shkallë të parë është dënuar edhe zyrtarja e OSBE-së, Jelena Gjukanoviq. Ajo është dënuar me gjashtë vjet burgim.

    E gjykimi i Muharrem Qerimit dhe Bedri Shabanit e as ai i Hysri Selimit.

    Në paraburgim nën dyshimet për spiunazh është edhe Fatmir Sheholli, që ishte pjesë e Sigurimit Shtetëror të Serbisë në vitet e 90-a.