ATV

Blog

  • “Haradinaj ka luajtur rol të rëndësishëm në jetën politike”, Hargreaves deklarohet për takimin e djeshëm

    “Haradinaj ka luajtur rol të rëndësishëm në jetën politike”, Hargreaves deklarohet për takimin e djeshëm

    Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves ka folur rreth takimit që pati të martën me kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

    Ai përmes një postimi në Facebook ka deklaruar se pati një diskutim të mirë me të para zgjedhjeve të 7 qershorit.

    “Ramush Haradinaj ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën politike të Kosovës gjatë shumë viteve, duke kontribuar në zhvillimin demokratik dhe institucionet e vendit.

    Ndërsa Kosova ecën drejt zgjedhjeve, do të jetë e rëndësishme që partitë politike të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të punojnë së bashku më pas për të formuar një qeveri të qëndrueshme dhe për të siguruar zgjedhjen në kohë të një Presidenti. Progresi demokratik i Kosovës varet nga bashkëpunimi, dialogu dhe një angazhim i përbashkët për të ardhmen e vendit”, tha diplomati britanik.

  • 5 vende të BE-së propozojnë modelin e anëtarësimit “hap pas hapi” për Ballkanin Perëndimor

    5 vende të BE-së propozojnë modelin e anëtarësimit “hap pas hapi” për Ballkanin Perëndimor

    Pesë vende të BE-së i kanë bërë thirrje Komisionit Evropian të rishqyrtojë mënyrën se si i përfshin anëtarët e mundshëm nga Ballkani Perëndimor në tregun e vetëm të bllokut, duke e paraqitur këtë si një mënyrë për t’i mbajtur aspirantët për anëtarësim larg sferës së ndikimit të Rusisë.

    “Për të ruajtur vrullin e zgjerimit dhe për të çuar përpara integrimin evropian, nevojiten stimuj të fortë dhe tërheqës”, shkruan Austria, Republika Çeke, Italia, Sllovakia dhe Sllovenia në një dokument konfidencial që u qarkullua midis 27 vendeve të BE-së në Bruksel të premten e kaluar dhe u raportua për herë të parë nga Raportuesi

    “Qasja e bazuar në meritë – nëse është e nevojshme, hap pas hapi – në tregun e vetëm evropian përfaqëson një nxitje të tillë”, shkruan vendet, të cilat janë pjesë e një klubi informal që mbështet politikisht aspiratat e Ballkanit Perëndimor për në BE.

    Vendet e përshkruan modelin e tyre të propozuar si “integrim sistematik sektorial”. Ai do të përfshinte zgjerimin e gamës së programeve të BE-së në të cilat vende si Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia mund të marrin pjesë ndërsa ato përputhen, kapitull pas kapitulli, me rregulloren e Brukselit.

    “Integrimi gradual … duhet të ndiqet në mënyrë aktive dhe sistematike pasi një kandidat demonstron një nivel të lartë përputhjeje me rregullat e BE-së në sektorin përkatës”, thuhet në dokument.

    Gjithashtu, thuhet se duhet të përfshihen masa mbrojtëse në rast se një vend që gëzon akses të veçantë në tregun e BE-së rrëshqet prapa.

    Dokumenti paraqet disa sektorë të rinj që mund të përfshihen, siç janë tregjet e transportit, energjisë dhe energjisë elektrike, tregu i vetëm dixhital, strategjitë e konkurrencës dhe politikat kritike të lëndëve të para. Ai gjithashtu citon marrëveshjen e lëvizshmërisë së të rinjve midis Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së si një shembull të një avantazhi që mund t’u ofrohet edhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

    Megjithatë, për sa i përket ambicies, dokumenti nuk i plotëson idetë e propozuara nga Ferit Hoxha, ministri i jashtëm i Shqipërisë, në një intervistë me Euractiv javën e kaluar, në të cilën ai sugjeroi që vendet kandidate duhet të fitojnë statusin e vëzhguesit në organet e BE-së ndërsa mbyllin kapitujt.

    Milan Nič, një bashkëpunëtor i lartë kërkimor në Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë, nuk u impresionua nga përmbajtja e dokumentit, duke thënë se nuk largohej shumë nga konceptet e mëparshme.

    “Tingëllon si një version pak më i sofistikuar i shtytjes së mëparshme për integrim gradual”, tha ai.

    Autorët e dokumentit i bënë thirrje Marta Kos, komisioneres për zgjerimin, të dalë me ide të reja përgjatë këtyre linjave.

    “Kjo qasje do të zgjeronte dhe forconte tregun e vetëm, duke kontribuar në rëndësinë gjeoekonomike dhe autonominë strategjike të BE-së, ndërkohë që do t’i afronte kandidatët dhe do të ndihmonte në kundërshtimin e ndikimit të vendeve të treta”, thuhet në dokument.

  • Dogana zbulon mbi 10 mijë euro e dinarë serbë të padeklaruara në Jarinje

    Dogana zbulon mbi 10 mijë euro e dinarë serbë të padeklaruara në Jarinje

    Në Pikën Kufitare në Jarinje është zbuluar një rasti i mosdeklarimit të mjeteve monetare.

    Siç njofton Dogana e Kosovës, gjatë kontrollit të një automjeti të udhëtarëve janë gjetur mjete monetare të padeklaruara në vlerë totale prej 10,173.60 euro, përfshirë euro dhe dinarë serbë, të shpërndara në pjesë të ndryshme të automjetit dhe tek një person.

    Në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, rasti është proceduar tek njësitë kompetente dhe është shqiptuar gjobë administrative.

    Për rastin në fjalë është njoftuar hetuesia e doganës përmes të cilëve është njoftuar edhe Prokurori i shtetit, derisa shuma tjetër e mjeteve mbetet e ndaluar deri në përfundimin e hetimeve.

  • Arrestohen katër shtetas të huaj në Prishtinë, Policia u gjen armë, fishekë e marihuanë

    Arrestohen katër shtetas të huaj në Prishtinë, Policia u gjen armë, fishekë e marihuanë

    Policia e Kosovës ka arrestuar katër të dyshuar meshkuj shtetas të huaj në Prishtinë.

    Përmes, raportit 24 orësh Policia bën të ditur se gjatë kontrollit në banesën e tyre janë gjetur dhe konfiskuar: një armë me 23 fishekë, tetë telefona, dy pasaporta të shteteve te huaja si dhe substancë e dyshuar narkotike marihuanë 2.1 gram.

    Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

    Njoftimi i plotë:

    Prishtinë 18.05.2026. Me datë 19.05.2026 janë arrestuar katër të dyshuar meshkuj shtetas te huaj si dhe është kryer kontrollë në banesën e tyre ku janë gjetur dhe konfiskuar: një armë me 23 fishekë, tetë telefona, dy pasaporta të shteteve te huaja si dhe substancë e dyshuar narkotike marihuanë 2.1 gram. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

  • Dhunë në familje në Rahovec, djali kanos nënën

    Dhunë në familje në Rahovec, djali kanos nënën

    Një rast i rëndë i dhunës në familje raportohet të ketë ndodhur mbrëmjen e së martës në Rahovec.

    Një grua ka deklaruar në polici se ishte kanosur nga djali i saj.

    Sipas saj, i dyshuari kishte tentuar edhe të vetëvritet, shkruan në raportin 24 orësh.

    I njëjti u dërgua për trajtim mjekësor dhe më pas u dërgua në mbajtje.

    Për ngjarjen në fjalë nuk u dhanë detaje tjera, teksa bëhet e ditur se tashmë kanë nisur hetimet.

  • Dy të mitur arrestohen për vjedhje të mjeteve të punës në Podujevë

    Dy të mitur arrestohen për vjedhje të mjeteve të punës në Podujevë

    Dy persona të mitur janë arrestuar nga Policia e Kosovës në Podujevë, pasi dyshohen për vjedhje në një vend punishte.

    Sipas raportit policor, rasti ka ndodhur dje rreth orës 22:30, ku është raportuar se disa persona kishin marrë mjete pune nga një punishte dhe më pas ishin larguar nga vendi i ngjarjes.

    Policia ka identifikuar dhe arrestuar dy të dyshuar meshkuj të mitur lidhur me rastin.

    Me vendim të prokurorit, të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje.

    “Podujevë 19.05.2026-22:30. Raportohet se në një vend punishte dyshohet se disa persona kishin marr disa mjete pune dhe ishin larguar. Lidhur me rastin janë arrestuar dy të dyshuar të mitur m/k. Me vendim të prokurorit të dyshuarit pas intervistimit dërgohen në mbajtje”.

  • Dyshohet se rrëmbyen një person dhe e malretuan fizikisht, arrestohen një grua dhe katër burra në Prishtinë

    Dyshohet se rrëmbyen një person dhe e malretuan fizikisht, arrestohen një grua dhe katër burra në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka arrestuar një grua dhe katër burra, nën dyshimin se kanë rrëmbyer një burrë, të cilin dyshohet se e kanë mbajtur për një kohë në një shtëpi duke e maltretuar fizikisht dhe i kanë marrë veturën.

    Gjatë kontrollit, është konfiskuar edhe një pistoletë.

    Me vendim të prokurorit, katër burrat e dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa e dyshuara grua është liruar në procedurë të rregullt

    “Prishtinë, 10.05.2026 – 22:00. Me 19.05.2026 janë arrestuar pesë të dyshuar; një femër dhe katër meshkuj kosovar, nën dyshimin se kanë kryer veprat e lartcekura duke rrëmbyer viktimën m/k, të cilin e kishin mbajtur për një kohë në një shtëpi duke maltretuar fizikisht si dhe i kanë marrë një veturë. Gjatë kontrollit është konfiskuar një armë pistoletë me një fishekë si dhe 2 gram substance narkotike marihuanë. Me vendim të prokurorit katër nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje ndërsa e dyshuara femër është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

  • Tërmet 5.6 ballë godet Malatya-n në Turqi, epiqendra në Battalgazi

    Tërmet 5.6 ballë godet Malatya-n në Turqi, epiqendra në Battalgazi

    Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave i Turqisë ka njoftuar se një tërmet me magnitudë 5.6 ballë ka goditur rrethin Battalgazi të Malatya-s.

    Sipas deklaratës së AFAD-it, tërmeti kishte epiqendrën në lagjen Battalgazi të Malatya-s.

    Tërmeti ndodhi rreth orës 09:00 dhe u regjistrua në një thellësi prej 7.03 kilometrash.

  • Putin në Pekin, Xi Jinping thotë se marrëdhëniet Kinë-Rusi janë në një fazë të re zhvillimi

    Putin në Pekin, Xi Jinping thotë se marrëdhëniet Kinë-Rusi janë në një fazë të re zhvillimi

    Presidenti rus Vladimir Putin zhvilloi një vizitë zyrtare në Pekin, ku u takua me udhëheqësin kinez Xi Jinping, në kuadër të forcimit të partneritetit strategjik mes dy vendeve.

    Gjatë takimit të zgjeruar mes delegacioneve, Xi Jinping deklaroi se marrëdhëniet mes Kinës dhe Rusisë kanë hyrë në “një fazë të re me më shumë përparim dhe zhvillim më të shpejtë”, duke theksuar afrimin e vazhdueshëm politik dhe ekonomik mes dy fuqive.

    Nga ana tjetër, Vladimir Putin i cilësoi bisedimet me Xi si “thelbësore”, ndërsa tha se partneriteti mes Rusisë dhe Kinës është “shembullor”. Sipas mediave shtetërore kineze, presidenti rus deklaroi se objektivi i përbashkët i dy vendeve mbetet “mirëqenia e popullit rus dhe atij kinez”.

    Takimi, i cili ishte planifikuar të niste në mesditë sipas orës lokale, u shty për afro një orë. Më vonë gjatë ditës, dy liderët pritet të marrin pjesë në një ceremoni zyrtare nënshkrimi, ku do të mbikëqyren 21 marrëveshje bashkëpunimi.

    Në fokus të takimit janë dy dokumente kryesore: deklarata për forcimin e mëtejshëm të partneritetit gjithëpërfshirës dhe ndërveprimit strategjik mes Kinës dhe Rusisë, si dhe deklarata mbi krijimin e një bote shumëpolare dhe një modeli të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare.

    Gjatë deklarimeve të tij, Xi Jinping komentoi edhe situatën në Lindjen e Mesme, duke e cilësuar atë si një “pikë kritike”, ndërsa tha se rajoni po kalon nga lufta drejt paqes.

    Sipas liderit kinez, ndalimi i armiqësive është “i domosdoshëm”, ndërsa rikthimi i konfliktit do të ishte “i papranueshëm”. Ai përmendi edhe propozimin e tij me katër pika për paqen në Lindjen e Mesme, i cili synon forcimin e konsensusit ndërkombëtar, uljen e tensioneve dhe promovimin e stabilitetit.

    Vizita e Putinit në Pekin vjen vetëm pak ditë pas udhëtimit të presidentit amerikan Donald Trump në Kinë, vizita e parë e një presidenti amerikan në gati një dekadë. Trump i përshkroi bisedimet me Xi Jinping si “shumë të suksesshme”, ndërsa lideri kinez i quajti ato një “pikë referimi historike”.

  • Ngjarje e rëndë në Obiliq: Foshnja dërgohet pa shenja jete në QMF

    Ngjarje e rëndë në Obiliq: Foshnja dërgohet pa shenja jete në QMF

    Një ngjarje tragjike ka ndodhur të martën në fshatin Plemetin të Obiliqit, ku ka ndërruar jetë një foshnje.

    Foshnja u dërgua nga familjarët në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Prilluzhë të Vushtrrisë.

    Më pas, nga mjeku kujdestar u konstatua se e njëjta nuk kishte shenja jete.

    Lidhur me rastin tashmë kanë nisur hetimet.

    Së pari rasti u raportua në Stacionin Policor të Vushtrrisë, derisa me të njëjtin do të vazhdojë të merret Stacioni Policor në Obiliq ku edhe do të zhvillohen hetimet lidhur me rastin.

    Organet e rendit i kanë intervistuar edhe familjarët.

    Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Trup i pajetë – Hetim mbi vdekjen”, ndërsa trupi i foshnjës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    Shkaku i vdekjes pritet të përcaktohet pas ekzaminimeve mjeko-ligjore.