ATV

Blog

  • ​Tajani njofton fundin e lëshimit të vizave “të lehta”

    ​Tajani njofton fundin e lëshimit të vizave “të lehta”

    Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani njoftoi të premten një linjë të re të ashpër për lëshimin e vizave nga ambasadat italiane për të reduktuar rrezikun e pretenduar të kriminelëve, përfshirë terroristët, të infiltruar në mesin e emigrantëve që shkojnë në Itali.

    “Dihet mirë se sot ekziston rreziku i infiltrimit të kriminelëve dhe terroristëve mes emigrantëve”, tha Tajani në Forumin e parë të Sigurisë në Rajonin e Lazios.

    “Kjo është arsyeja pse jam detyruar të mbaj një qëndrim të ashpër edhe për lëshimin e vizave, sepse sot ekziston rreziku i infiltrimit të kriminelëve mes emigrantëve”, vazhdoi ai.

    “Unë i kam qortuar disa zyrtarë të ambasadës që kanë dhënë viza shumë lehtë. Kjo nuk do të ndodhë më për sa kohë të jem ministër i Jashtëm”, tha Tajani.

    Të mërkurën, Tajani tha në parlament gjatë kohës së pyetjeve se që nga gushti ai kishte urdhëruar inspektime në ambasadat në Pakistan, Shri Lanka dhe Bangladesh, Republikën Demokratike të Kongos dhe Republikën e Kongos, dhe se inspektime të mëtejshme ishin planifikuar në Amerikën Latine për një kohë të caktuar.

    “Është thelbësore të forcojmë kapacitetet e zyrave tona për të ndërprerë aplikimet mashtruese për viza dhe për të parandaluar korrupsionin”, u tha ai ligjvënësve.

    “Objektiv me prioritet i qeverisë është të luftojë të gjitha format e hyrjeve të parregullta në Itali”, përfundoi Tajani. /ANSA

  • Qeveria vendos për shtesat e rrezikshmërisë për policët

    Qeveria vendos për shtesat e rrezikshmërisë për policët

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë vendim për shtesat e rrezikshmërisë për zyrtarët e Policisë së Kosovës.

    “Si qeveri kemi ardhur deri tek propozimi për shtesat e rrezikshmërisë për zyrtarët e Policisë së Kosovës. Në këtë propozim përfshihen shtatë kategori të pozitave: shtesat për njësitë elitare, Njësia Speciale Intervenuese, Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësia për Mbrojtje të Afërt janë nga 150 euro shtesë të pagës bazë. 120 euro shtesë për njësitë speciale operative K-9 dhe njësia për eksploziv, pjesëtarët e patrullave kufitare do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa pjesëtarët e hetuesisë nga 75 euro shtesë në muaj. Ekipet reaguese dhe patrullat do të marrin nga 60 euro shtesë në muaj. Kurse, policët që angazhohen për sigurimin e objekteve do t’ju ndahen nga 50 dhe respektvisiht 45 euro shtesë të rrezikshmërisë”, ka thënë ai.

    “Kjo zgjidhje do të vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, tha Kurti.

  • ​Britania e Madhe në rrezik për përmbytje pas paralajmërimeve për reshje të dendura shiu

    ​Britania e Madhe në rrezik për përmbytje pas paralajmërimeve për reshje të dendura shiu

    Paralajmërimet për shi janë rikthyer në disa pjesë të Britanisë së Madhe – duke nisur katër ditët e motit të rëndë ndërsa komunitetet tunden nga ndikimi i stuhisë Babet.

    ‘Met Office’ lëshoi një paralajmërim të verdhë për reshje shiu në Skoci dhe Irlandën e Veriut nga mesdita e së premtes, duke përfshirë zonat e goditura nga përmbytjet javën e kaluar.

    Reshjet do zgjasin të paktën deri në orën 18:00 të së shtunës, dhe Parashikimi i përmbytjeve në Skoci paralajmëroi se ka të ngjarë se gjatë ditëve të ardhshme do ketë “ndikime të rëndësishme të përmbytjeve”.

    Shi i dendur pritet të bjerë në zonat që tashmë kanë nivele të larta uji dhe tokë të ngopur për shkak të stuhisë Babet.

    Ndër zonat më të goditura është Brechin në Angus, ku qindra shtëpi u desh të evakuoheshin pasi lumi South Esk shpërtheu.

    Ministri Humza Yousaf vizitoi qytetin këtë javë dhe premtoi financimin e qeverisë skoceze, por paralajmëroi: “Do të jetë një rrugë e gjatë drejt rimëkëmbjes”. /Sky News

  • Arrestohet një person i kërkuar për dhunë familjare në Kaçanik

    Arrestohet një person i kërkuar për dhunë familjare në Kaçanik

    Policia e Kosovës në Kaçanik më 26 tetor 2023, rreth 11:00 në fshatin Duraj, kanë ndaluar, e më pas kanë arrestuar personin K.S. (26), pasi i njëjti ishte i kërkuar me urdhëresë të gjykatës.

    Ai ishte i kërkuar në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Ferizaj për veprën penale “Dhunë në familje” me dënim burgimi prej 60 ditëve. Pas kompletimit të dokumentacionit i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit.

    Policia Rajonale e Ferizajt fton qytetarët për bashkëpunim, sa herë që kanë informacione për personat e kërkuar nga organet e rendit, të njoftojnë stacionin e policisë më të afërt apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro policinë” dhe në numrat kujdestarë: 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406. Të dhënat tuaja do të ruhen në konfidencialitet të plotë.

     

  • ​Ariu hyn në kuzhinën e një hoteli në ShBA, sulmon rojën e sigurisë

    ​Ariu hyn në kuzhinën e një hoteli në ShBA, sulmon rojën e sigurisë

    Pamjet e kamerave të sigurisë kapën momentin kur një ari sulmoi një roje sigurie, në një kuzhinë hoteli në Kolorado.

    Colorado Parks and Wildlife (CPW) thotë se ariu u neutralizua pas sulmit.

    Të hënën në mbrëmje, ariu hyri nga dera e hapur e hotelit dhe shkoi në kuzhinë.

    Ai sulmoi një roje sigurie në kuzhinë, grisi këmishën dhe gërvishti kurrizin.

    “Roja e sigurisë zbriti në kuzhinë, por nuk e pa menjëherë ariun. Kur u afrua, ai e befasoi ariun, i cili e sulmoi dhe ia gërvishti shpinën. Roja i sigurisë mundi të shpëtonte dhe të telefononte 911”, tha zëdhënësja Rachael Gonzales nga CPW, raporton CBS News.

    Klikoni në link-un e mëposhtëm për të parë videon:

    https://news.sky.com/video/colorado-bear-attacks-security-guard-in-hotel-kitchen-in-aspen-12993799

  • ShBA-ja vendos sanksione të reja ndaj Hamasit

    ShBA-ja vendos sanksione të reja ndaj Hamasit

    ShBA-ja ka vendosur një raund të dytë sanksionesh kundër zyrtarëve kryesorë dhe një rrjeti financiar të lidhur me Hamasin.

    “Veprimi i sotëm nënvizon angazhimin e SHBA-së për të çmontuar rrjetet e financimit të Hamasit duke vendosur autoritetet tona të sanksioneve kundër terrorizmit dhe duke punuar me partnerët tanë globalë për t’i mohuar Hamasit aftësinë për të shfrytëzuar sistemin financiar ndërkombëtar”, tha zëvendës sekretari i Thesarit Wally Adeyemo.

    Një ekip mjekësor dhe dhjetë kamionë me ndihma humanitare hynë sot në Rripin e Gazës përmes kalimit Rafah me Egjiptin, duke transportuar ujë, ushqim dhe ilaçe, tha një zyrtar palestinez i kufirit.

    Që nga fillimi i luftës kanë hyrë vetëm 84 kamionë. Para konfliktit aktual, rreth 450 kamionë me ndihma humanitare arrinin në Rripin e Gazës në ditë. Shumica e 2.3 milionë banorëve të saj ishin tashmë të varur nga ndihma.

    Negociatat e hollësishme janë duke u zhvilluar me Izraelin në një përpjekje për të siguruar më shumë kalime humanitare në enklavën palestineze nën rrethimin izraelit, u tha gazetarëve në Gjenevë Lynn Hastings, koordinatorja humanitare e OKB-së për territorin e pushtuar palestinez.

    Izraeli ka kryer sulme të pamëshirshme ajrore që kanë vrarë mijëra njerëz në përgjigje të një sulmi ndërkufitar nga persona të armatosur të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor.

  • Haxhiu: Kemi prezantuar dëshmi se pas sulmit në Banjskë qëndron Serbia

    Haxhiu: Kemi prezantuar dëshmi se pas sulmit në Banjskë qëndron Serbia

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar në Ministerialin e organizuar në Shkup, se rasti i Banjskës më 24 shtator është sulm ndaj rendit kushtetues dhe sovranitetit të Kosovës, paqes dhe sigurisë në rajon, e për të cilin akt janë prezantuar fakte dhe dëshmi se janë të lidhura dhe mbështetura nga Serbia.

    Ajo para përfaqësueseve të institucioneve të Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera të rajonit, ka vlerësuar reagimet e akterëve të ndryshëm të cilët kanë dënuar sulmin terrorist të 24 shtatorit në veri të Kosovës, si dhe rezolutën e miratuar në Parlamenti i Evropës e cila dënon këtë akt.

    Ministrja Haxhiu ftoi të gjitha vendet që të rreshtohen dhe të dënojnë sulmet e tilla terroriste dhe të kontribuojnë për drejtësinë dhe paqen.

    “Nevoja për bashkëpunim të ndërsjellë juridik të shteteve tona në rajon, për të ruajtur paqen, sigurinë dhe stabilitetin, është domosdoshmëri e secilit nga ne dhe se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar që të bashkëpunojë për ruajtjen e paqes dhe sigurisë, dhe çështjet tjera të interesit të përbashkët”, tha ndër të tjera ministrja e Drejtësisë.

    Sundimi i ligjit dhe reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit, si dhe aksioni i përbashkët kundër agresionit Rus në Ukrainë, ishin tri tema për të cilat ministrja Haxhiu ka diskutuar në këtë Ministerial.

    Haxhiu theksoi se Kosova po përmbush obligimet e saj që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, ndërmjet Kosovës dhe BE-së, dhe se arritjet në fushën e sundimit të ligjit, janë evidentuar edhe nga raporte dhe indekse kredibile ndërkombëtare.

    Ministrja Haxhiu ka përmendur rezultatet ku sipas “World Justice Project” Kosova renditet në top vendet me përparimin më të madh për vitin 2022, Raportin e BE-së për Vendin i vitit 2022, progresin e shënuar për 20 vende më lart sipas “Transparency International”, si dhe Raportin e “Freedom House” e cila renditi Kosovën të parën në Ballkanin Perëndimor, të dytën në Evropë dhe të tretën në nivel botëror.

    Sa i përket qëndrimit të Kosovës, masave edhe veprimeve të ndërmarra ndaj agresionit rus në Ukrainë, Haxhiu ka përmendur faktin se deri tani janë miratuar 11 paketat e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, dhe që janë mbështetur sanksionet e SHBA-së ndaj këtyre vendeve, në një nismë për të shprehur qartë qëndrimin e Kosovës ndaj ndikimit të tyre në situatën aktuale.

    Ndryshe, Ministeriali për Drejtësi dhe Punë të Brendshme u organizua nga Këshilli i Bashkimit Evropian nën udhëheqjen e Spanjës.

  • Mustafa thotë se ZPS-ja s’është as 1% afër realitetit që ka ndodhur gjatë 1999-s

    Mustafa thotë se ZPS-ja s’është as 1% afër realitetit që ka ndodhur gjatë 1999-s

    Në seancën e sotme të Apelit, gjatë deklarimit të tij, Salih Mustafa – i dënuar me 26 vjet burgim nga Gjykata Speciale për krime lufte – ka thënë se ndjehet i pafajshëm për veprat për të cilat është dënuar.

    Në deklarimin e tij, Mustafa tha se ndihet moralisht dhe praktikisht i pafajshëm edhe pse juridikisht gjykata e ka shpallur të fajshëm.

    “Unë kisha me thënë që edhe praktikisht edhe moralisht nihna i pafajshëm edhe pse juridikisht gjykata me ka shpallë të fajshëm, për shkak se jam i bindur që absolutisht asnjë vepër për ato çka m’i ka ngarku prokuroria që tri vite nuk i kam konsumuar”, tha Mustafa.

    Ai tha se është i sigurt që Zyra e Prokurorit të Specializuar e din saktë që nuk është ashtu dhe se realiteti se si ka ndodhur gjatë viteve 1999 është ndryshe.

    “Unë jam shumë i sigurt që prokuroria i ka të gjitha provat edhe e din saktë që nuk është ashtu dhe nuk është afër as edhe një për qind të atij realiteti që ka ndodhë gjatë vitit 1999”, tha Mustafa.

    Ai u shpreh i bindur se prokuroria me dashje i ka vendosur të gjitha argumentet me “kokë poshtë”.

    “Unë jam i bindur që prokuroria me dashje të gjitha argumentet i ka vendos me kokë teposhtë duke mos i pa prej deklaratave fillestare të vetë dëshmitarëve të prokurorisë e deri tek marrja e vendimit të trupit gjykues”, tha Mustafa..

    Tutje, Mustafa tha se beson në drejtësi.

    “Prandaj nuk kam diçka tjetër. Kam besim në ju. Unë jam shumë i sigurt që moralisht dhe praktikisht jam i pafajshëm.

    Në parashtrimet e saj shtesë, mbrojtja e Salih Mustafës përmes avokatit Julius Von Bone tha se dokumenti i cili ishte paraqitur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar e që mbante një listë të të burgosurve nuk vlen asgjë në këtë çështje.

    Von Bone tha se ky dokument nuk tregon se ku janë mbajtur njerëzit e ndaluar.

    “Prokuroria tregoi një dokument, një listë të burgosurish e pamë atë dhe ky dokument në fakt çka do që të jetë vlera e tij, nuk vlen asgjë. Nuk vlen asgjë në këtë çështje se ky dokument nuk tregon fare se ku janë mbajtur njerëzit e ndaluar dhe për më tepër nuk tregon asgjë lidhur me lirimin e ndonjë nga personat e renditur në atë listë apo që është i rëndësishëm në këtë çështje”, tha Von Bone.

    Avokati Von Bone tha se lidhja e Salih Mustafës me këtë dokument nuk është vërtetuar kurrë.

    “Ky dokument ishte pjesë e një parashtrimi, në dosje, në atë dosje në faqe tjera ka pasur disa poshtëshënime dhe në atë poshtëshënim shihej i shkruar emri i një personi që quhej Cali. Tani ajo që ka ndodhur është se Prokuroria vuri bashkë ato dokumente edhe tha e shihni ky është përgjegjës, ky është i lidhur me këtë dokument. Në fakt një lidhje e tillë nuk është vërtetuar asnjëherë në asnjë moment, as nga ZPS-ja dhe as trupi gjykues në aktgjykimin e tij”, tha Von Bone.

    Mbrojtja e Mustafës tha se shembujt që dha ZPS lidhur me çështjen e shkakësisë janë supozime që janë bërë në të njëjtën mënyrë nga trupi gjykues. Von Bone theksoi se për pohimet që janë bërë në këtë aspekt nuk ka asnjë provë.

    “ZPS bën parashtrime lidhur me çështjen e shkakësisë duke paraqitur jurisprudencë të gjerë lidhur me këtë çështje. megjithatë, shembujt që dha ZPS lidhur me këtë çështje janë prezumime, supozime që janë bërë edhe në të njëjtën mënyrë nga trupi gjykues. Shembull se viktima mund të ketë qenë në ruajtjen e Salih Mustafës është supozim. Nëse ka pasur kontakt në mes Salih Mustafës dhe viktimës, edhe këtu është supozim që ai pra, personi i ndaluar është lënë apo braktisur në prag të vdekjes apo për të vdekur. Për të bërë një pohim të tillë nuk ka asnjë provë në dosjen e lëndës është thjeshtë supozim”, tha Von Bone.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar gjatë prezantimit të parashtrimeve të veta ka thënë se dënimi prej 26 viteve ndaj Salih Mustafës është proporcional dhe i denjë.

    “Dënimi me 26 vjet burgim i denjë dhe proporcional. Proporcionaliteti në këtë kontekst para së gjithash ka të bëjë me lidhjen apo raportin midis peshës penale dhe përgjegjësisë së Z. Mustafa për këto. Trupi gjykues e bëri këtë vlerësimin me kujdesin më të madh në këtë çështje gjyqësore duke nxjerrë një numër konstatimesh të rëndësishme”, ka thënë prokurorja Claire Lawson.

    Ndërsa, lidhur me parashtrimet e mbrojtjes, ajo tha se mbrojtja ka bërë deklarata të thata me atë se për të njëjtin lloj krimi nuk ekziston dënim me burg kaq i gjatë në tribunalet ndërkombëtare.

    “Mbrojtja ka bërë deklaratë të thatë që për të njëjtin lloj krimi nuk ekziston dënim me burgim kaq të gjatë në tribunalët ndërkombëtar. Ka disa arsye që kjo nuk demonstron ndonjë gabim në dënimin e dhënë, parasë gjithash trupi gjykues ka kompetencë të gjerë diskrecionale në përcaktimin e dënimit të duhur duke marrë parasysh rrethanat personale të të akuzuarit dhe peshën e krimit si dhe faktorët rëndues dhe lehtësues që do të thotë një dënim mund të jetë i konsiderueshëm edhe kur lidhet me të njëjtin lloj krimi”, ka deklaruar Lawson.

  • ​Këtë vikend ndryshon ora

    ​Këtë vikend ndryshon ora

    Të dielën më 29 tetor ndryshon ora kur akrepat do të shkojnë 60 minuta mbrapa.

    Ndryshimi bëhet në ora 03:00 të mëngjesit, ndërsa në aparatet e pajisjeve të zgjuara ndërrimi bëhet në mënyrë automatike.

    Lëvizja e akrepave të orës ndodh dy herë në vit – në javën e fundit të tetorit dhe në të dielën e fundit të marsit, kohë kur ora shkon para.

    Ndryshimi i orës bazohet në një sistem që synon të përdorë më mirë dritën e diellit për të kursyer energji.

    Në Evropë, ora verore zbatohet të dielën e fundit të marsit, për 7 muaj, dhe ora dimërore fillon të dielën e fundit të tetorit dhe aplikohet për 5 muaj.

    Ndërkombëtarët kanë plane për të mos ndryshuar më orën, megjithatë deri më tani nuk ka hapa konkretë.

  • Kearns: Një muaj pas sulmit në Banjskë, Radoiçiq i lirë

    Kearns: Një muaj pas sulmit në Banjskë, Radoiçiq i lirë

    Deputetja e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns ka reaguar për sulmin terrorist të 24 shtatorit kundër policisë së Kosovës, duke kërkuar drejtësi për policin e vrarë dhe ndëshkim për Serbinë.

    Kearns rikujton se janë bërë një muaj që kur Milan Radoiçiq ka pranuar fajësinë për sulmin në Banjskë të Zveçanit, ndërsa ai vazhdon të jetë i lirë në shtetin e Serbisë.

    “Tashmë ka kaluar një muaj që kur Radoiçiq ka pranuar fajësinë për sulmin paraushtarak në Kosovë me armë të ofruara nga Beogradi. Megjithatë ai mbetet i lirë në Serbi. Pa asnjë llogari për rolin e Beogradit. Unë i kam parë armët dhe kam takuar familjen e Afrim Bunjakut, ata meritojnë drejtësi”, ka shkruar ajo në X.