ATV

Blog

  • Befason Trump: Mund të kandidoj për kryeministër të Izraelit

    Befason Trump: Mund të kandidoj për kryeministër të Izraelit

    Presidenti amerikan, Donald Trump ka bërë një deklaratë të pazakontë duke sugjeruar se mund të kandidojë për postin e kryeministrit të Izraelit.

    “Unë tani jam në 99% në Izrael. Mund të kandidoj për kryeministër, kështu që ndoshta pasi ta bëj këtë, do të shkoj në Izrael dhe do të kandidoj për kryeministër. Netanyahu do të bëjë gjithçka që unë dua që ai të bëjë,” tha Trump.

    Deklarata e tij ka tërhequr vëmendje për shkak të tonit politik dhe pretendimeve të drejtpërdrejta për ndikim në udhëheqjen izraelite.

    Deri më tani nuk ka pasur reagim zyrtar nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

    Ndryshe, zgjedhjet parlamentare në Izrael tashmë janë planifikuar të mbahen jo më vonë se 27 tetor 2026, kur përzgjidhen të 120 deputetët e Knesset-it (parlamentit izraelit).

    Zgjedhjet mbahen në Izrael zakonisht çdo 4 vjet, por shpesh mund të ndodhin më herët për shkak të krizave politike ose rrëzimit të qeverisë.

  • Çitaku: Sikur Sami Lushtaku të vritej në luftë, Kurti do shkonte te varri i tij për të vendosur lule

    Çitaku: Sikur Sami Lushtaku të vritej në luftë, Kurti do shkonte te varri i tij për të vendosur lule

    Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka thënë në “Pressing”, se sikur Sami Lushtaku të vritej në luftë, edhe Albin Kurti do shkonte te varri i tij e t’i vendoste lule.

    Ajo tha se Sami Lushtaku është plagosur disa herë në luftë dhe se i është treguar nga miqtë e tij që natën atij i ndodh të shkojë t’i vizitojë varret e shokëve të tij të vrarë në luftë.

    “Unë e shoh më shumë si reflektim i deficitit të tij personal, për shkak se është e pashpjegueshme ky obsesion që e kanë ata me Sami Lushtakun. Mund ta gjykosh si politikan, por t’i thuash atij Sami Lushtakut po jokorrekte, por edhe jonjerëzore. Samiut ende i ndodh të zgjohet e të shkojë t’i vizitojë varrezat e shokëve të tij që janë vrarë në luftë, është plagosur disa herë. Sikur të ishte i vdekur edhe vetë Albin Kurti do shkonte te varri i tij e do t’i vendoste lule”, ka thënë ajo.

  • Aston Villa shpallet kampione e UEFA Europa League 2026

    Aston Villa është kampionia e re dhe fituesja e trofeut të UEFA Europa League për vitin 2026, pas një triumfi spektakolar 3:0 përballë gjermanëve të Freiburg-ut.

    Pa mbaruar ende pjesa e parë, në minutën e dytë shtesë, Emiliano Buendía dyfishoi rezultatin, duke e dërguar Aston Villa-n në dhomat e zhveshjes me një avantazh të qartë dhe qetësi psikologjike. Shpresat e Freiburg-ut për një përmbysje u shuan në minutën e 58-të të pjesës së dytë, kur Morgan Rogers shënoi golin e tretë, duke kthyer pjesën e mbetur të lojës në një festë të pastër për klubin e Birmingham-it.

    Me këtë sukses, trajneri Unai Emery shkruan një faqe të re në historinë e futbollit botëror. Ky është trofeu i pestë i Europa League për teknikun spanjoll, një rekord absolut dhe i paarritshëm, pas tre titujve me Sevillën dhe një triumfi me Villarreal-in.

    Finalja e këtij viti ishte e gjashta në karrierën e Emery-t në këtë kompeticion, dhe ai bëhet trajneri i parë që fiton një trofe europian me tre klube të ndryshme, duke konfirmuar statusin e tij si një nga më të mëdhenjtë në historinë e Europa League.

    Për Aston Villa-n, ky triumf i jep fund një pritjeje të gjatë prej 44 vitesh, që nga fitorja historike e Kupës Europiane në vitin 1982 kundër Bayern Munich. Një brez i ri lojtarësh dhe tifozësh shkruan tani kapitullin e vet të lavdisë, duke shtuar një tjetër trofe madhështor në vitrinën e “Villa Park”.

  • Sami Lushtaku padit Albin Kurtin për shpifje, kërkon dëmshpërblim për deklaratat rreth “rrezikimit të eskortës”

    Sami Lushtaku padit Albin Kurtin për shpifje, kërkon dëmshpërblim për deklaratat rreth “rrezikimit të eskortës”

    Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka dorëzuar një padi për shpifje dhe kompensim të dëmit moral kundër Kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    Padia vjen pas deklaratave të Kurtit , ku ai pretendoi se Lushtaku kishte tentuar të bënte ndeshje komunikacioni me eskortën kryeministrore.

    Sipas dokumentit të publikuar nga Lushtaku, padia e ushtruar përmes avokatit Labinot Vata, e cilëson deklaratën e Kurtit si të pavërtetë, shpifëse dhe me qëllim dëmtimin e rëndë të reputacionit dhe integritetit të Lushtakut.

    Në argumentet e paraqitura në padi, pala mbrojtëse e Lushtakut thekson se këto deklarata e paraqesin klientin e tyre si person që ndërmerr veprime “të rrezikshme, të dhunshme dhe potencialisht kriminale”, pa pasur asnjë bazë faktike.

    “Nuk ka asnjë vendim apo provë. Nuk ekziston asnjë aktgjykim, aktvendim, procesverbal apo sanksion administrativ nga organet e rendit që mbështet pretendimet e kryeministrit.”, thuhet në deklaratë.

    Padia specifikon se Sami Lushtaku “prej vitesh nuk drejton personalisht automjete”, çka sipas mbrojtjes e bën deklaratën e Kurtit krejtësisht të pabazuar dhe absurde, duke qenë se ai paraqitet si shofer i mjetit që ka rrezikuar eskortën.

    Para se t’i drejtohej gjykatës, avokati i Lushtakut i kishte dërguar Kurtit një kërkesë zyrtare përmes postës elektronike për tërheqjen e deklaratave dhe kërkim falje publike, në pajtim me Nenin 12 të Ligjit për Shpifjen dhe Fyerjen. Pasi nuk kanë pranuar asnjë përgjigje apo reagim nga ana e Kryeministrit, pala paditëse ka iniciuar procedurën gjyqësore.

    Vlera e dëmit moral në këtë padi është lënë *e papërcaktuar*, ndërsa kërkohet që gjykata t’i cilësojë këto deklarata si shpifje që kanë cenuar nderin dhe dinjitetin e Lushtakut në opinionin publik.

    Baza e kësaj padie është një intervistë e Kryeministrit Albin Kurti.

    “Kryetari i Komunës së Skenderaj, me veturë zyrtare, 2Z, ka synuar që të bëjë ndeshje komunikacioni me eskortën ku isha unë… ka synu që ta ndërpresë qarkullimin e eskortës tonë, në mënyrë të dhunshme, me veturë zyrtare të Komunës së Skenderaj… ka pas tentim për rrezik.”, ka deklaruar Kurti.

  • Musliu e zhgënjyer nga policia, rrëfen detaje nga “rrethimi” i Skenderajt

    Musliu e zhgënjyer nga policia, rrëfen detaje nga “rrethimi” i Skenderajt

    Kandidatja për deputete nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu, ka folur për natën e 15 prillit kur telefonoi Policinë e Kosovës, kur Skenderaj ishte “rrethuar”, dhe se të njëjtit i ishin përgjigjur se “ka shumë vetura të paregjistruara dhe meqë po vjen vera ka numër më të madh të automjeteve”.

    Ajo shtoi se ishte e zhgënjyer nga reagimi i Policisë dhe se nuk kishte ditur për praninë e mediave në vendngjarje.

    “Ky moment për mua ka qenë zhgënjyes me institucionin në këtë rast dhe kjo telefonatë ka zbardhur shumë anomali që s’kisha desht as me i verifikuar, pa dashje, nuk ka qenë qëllimi im me nxjerr këtë joseriozitet të Policisë së Kosovës. Asnjëherë s’kam dasht me bë politikë me institucionet e sigurisë, s’kisha dasht me dëgju një komunikim të tillë.

    Derisa, shtoi se atë natë kishte shkuar në Skenderaj nga Prishtina rreth orës 1 pasmesnate.

    “Isha në shtëpi, dhe më vjen një mesazh një fotografi dhe më thotë një qytetarë hyn lexoj portalet, dhe hyra në media dhe i pashë. Dhe kam shku prej Prishtinës në Skenderaj. As s’e kam ditë që ka media atje fare. Kam shku atje, në momentin e parë, ka ardhur një makinë e Policisë dhe është ndalur para turmës”, tha Musliu.

  • Komuna e Prishtinës njofton për Shërbime Falas Shëndetësore në Germi, çdo të shtunë

    Komuna e Prishtinës njofton për Shërbime Falas Shëndetësore në Germi, çdo të shtunë

    Çdo të shtunë në orën 09:00, një ekip i urgjencës mobile i Kryeqytetit i përbërë nga mjek dhe staf teknik, do të jetë i pranishëm në Germi për të ofruar matje falas të shtypjes së gjakut dhe treguesve të tjerë bazikë shëndetësorë, njofton komuna e Prishtinës.

    Në njoftim theksohet se çdo të shtunë, në orën 09:00, në Parkun e Gërmisë, organizohen ecje dhe vrapime rekreative në distanca prej 2 dhe 5 kilometrash.

    “Pjesëmarrja është falas, pa karakter garues dhe e hapur për të gjitha grupmoshat, pavarësisht nivelit të përgatitjes fizike”, thuhet në njoftim.

    Detaje:

  • Shënimi i 70 vjetorit të lindjes së Fehmiut e Xhevës organizohet në Prishtinë, Lladrovci falënderon Ramën

    Shënimi i 70 vjetorit të lindjes së Fehmiut e Xhevës organizohet në Prishtinë, Lladrovci falënderon Ramën

    Kryeqendra e Kosovës dhe kryetari i saj, Përparim Rama, kanë marrë përsipër organizimin e shënimit të 70 vjetorit të lindjes së heroit dhe heroinës, Fehmi e Xhevë Lladrovci.

    Lladrovci shkurt e ka falënderuar Ramën dhe Prishtinën:

    Faleminderit Përparim, faleminderit Prishtinë, zemra e shqiptarisë!

  • Donika Gërvalla për deklaratën skandaloze të Fatos Gecit për ish-krerët e UÇK në Hagë: E respektoj atë që ka thënë

    Donika Gërvalla për deklaratën skandaloze të Fatos Gecit për ish-krerët e UÇK në Hagë: E respektoj atë që ka thënë

    Donika Gërvalla, ministre në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka komentuar deklaratën e Fatos Geci, kandidat për deputet në listën e Lëvizja Vetëvendosje, lidhur me të akuzuarit në Hagë.

    Duke folur në emisionin “Këndi i debatit” në Tëvë1, Gërvalla u pyet për deklaratën që Geci kishte bërë në një seancë të Kuvendit të Kosovës, në ditën kur ishte shpallur vendimi përfundimtar për rastin e Liridona Ademaj.

    Në atë seancë, gjatë një debati për Partia Demokratike e Kosovës, Geci kishte deklaruar se edhe personat që ndodhen në Hagë duhet të marrin “vendim të njëjtë”, duke iu referuar dënimit me burgim të përjetshëm të Naim Murseli.

    Lidhur me këtë deklaratë, Gërvalla tha se e respekton atë që ka thënë Geci, duke përmendur historinë dhe sakrificën e familjes së tij.

    “Fatosi, në përgjithësi familja Geci nga Llausha, ka një histori të dhimbshme të pasluftës dhe gjatë luftës. Edhe unë pa dashur të bëjë avokatin, e as gjykatësin e Fatos Gecit, unë e respektoj atë çfarë thotë Fatosi, sepse e respektoj përvojën dhe biografinë e familjes së tij. Mendoj që ajo pjesë e historisë sonë më të re është pjesë e historisë së Republikës së Kosovës, pjesë e një sakrifice të jashtëzakonshme që kanë bërë disa familje të mëdha në Kosovë. Kështu që Fatos Geci është njëri nga zërat e ndryshëm në këtë listë”, ka thënë Gërvalla.

  • Kastrioti fiton finalen e parë ndaj Rahovecit dhe bën hap drejt titullit

    Klubi i hendbollit Kastrioti ka bërë një hap të rëndësishëm drejt shpalljes kampion i Kosovës në konkurrencën e meshkujve, duke triumfuar ndaj Rahovecit me rezultat 37:31 në finalen e parë të playoff-it.

    Takimi u zhvillua të mërkurën në arenën “Bill Clinton” në Ferizaj, para rreth 2000 tifozëve, të cilët krijuan një atmosferë të zjarrtë në mbështetje të skuadrës vendase. Fillimi i ndeshjes ishte i baraspeshuar, me të dy skuadrat që zhvilluan lojë të fortë gjatë dhjetë minutave të para.

    Megjithatë, Kastrioti më pas mori kontrollin e plotë të takimit, duke realizuar një seri prej 7:0 dhe duke arritur epërsi të rëndësishme 15:9. Më vonë rezultati shkoi edhe në 17:10. Rahoveci provoi të rikthehej në lojë, por ferizajasit ruajtën avantazhin dhe menaxhuan ndeshjen deri në fund për të siguruar fitoren e parë në serinë finale.

    Më efikasi te Kastrioti ishte Jeton Bislimi me tetë gola, ndërsa Festim Mustafa dhe Albin Ahli shtuan nga gjashtë gola secili. Portieri Wadi Chebbi u dallua me pritje vendimtare gjatë gjithë ndeshjes.

    Te Rahoveci u veçua Egzon Gjuka me shtatë gola, ndërsa Ardit Tafilaj, Mali Luzha dhe Guilherme Fernandes realizuan nga pesë gola secili.

    Finalja e dytë e playoff-it zhvillohet të shtunën në Rahovec, ku Kastrioti synon fitoren e radhës për t’u afruar edhe më shumë titullit kampion

  • Trepça shpallet sërish kampione e Kosovës në basketboll

    Trepça shpallet sërish kampione e Kosovës në basketboll

    Trepça ka vazhduar dominimin në elitën e basketbollit të Kosovës, duke u shpallur sërish kampione. Të mërkurën mbrëma, në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, mitrovicasit mposhtën Bashkimin me rezultat 98:78 në ndeshjen e katërt finale, duke e mbyllur serinë me 4:0.

    Ky është titulli i shtatë në histori të klubit dhe i treti rresht, duke e ngjitur Trepçën në pozitën e skuadrës së dytë më të suksesshme në Kosovë, pas Sigal Prishtinës me 14 tituj. Me këtë triumf, Trepça kalon Pejën, e cila ka 6 tituj. Titujt e fituar nga Trepça janë në vitet 1993, 2000, 2001, 2012, 2024, 2025 dhe 2026.

    Në serinë finale, Trepça fitoi dy ndeshjet e para në palestrën “Minatori” në Mitrovicë me 84:79 dhe 93:83, përpara një audience me mbi tre mijë shikues. Ndeshja e tretë në Prizren u mbyll 84:80 për mitrovicasit, duke i afruar ata shumë pranë titullit.

    Finalja e katërt nisi më mirë për Bashkimin, që krijoi epërsi të shpejtë 9:0 dhe më pas 11:2, por Trepça reagoi dhe e barazoi rezultatin 13:13 pesë minuta para fundit të çerekut të parë. Mitrovicasit kaluan në epërsi dhe nuk e lanë më deri në fund. Çerekët mbyllën: 30:22, 52:40, 77:63 dhe 98:78.

    Në rrugën drejt finales, Trepça eliminoi Pejën në gjysmëfinale, ndërsa Bashkimi kaloi Borën e Prishtinës. Ky sezon konfirmon edhe një herë supremacinë e “xehetarëve”, të cilët fituan edhe Kupën e Kosovës për herë të pestë rresht dhe të nëntën në histori.