ATV

Blog

  • Ish-gruaja e Trumpit diagnostikohet me kancer

    Ish-gruaja e Trumpit diagnostikohet me kancer

    Vanessa Trump ka zbuluar se është diagnostikuar me kancer në gji.

    Ajo e ndau lajmin në Instagram të mërkurën, duke vënë në dukje në postim, ndër të tjera, se i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në fillim të kësaj jave.

    “Dua të ndaj një përditësim mbi shëndetin tim. Kohët e fundit më diagnostikuan me kancer në gji. Edhe pse ky nuk është një lajm që askush nuk e pret, po bashkëpunoj me mjekët e mi për planin tim të trajtimit. Do të doja të falënderoja mjekët që më kryen procedurën këtë javë. Mbetem e përqendruar dhe plot shpresë, ndërsa jam e rrethuar nga dashuria dhe mbështetja e familjes, fëmijëve dhe atyre që janë më afër meje”, shkroi Trump.

    Në fund të postimit, ajo falënderoi ndjekësit e saj për mirësinë dhe mbështetjen e tyre.

  • Trump: Lufta mund të përshkallëzohet nëse Irani s’jep “përgjigjet e duhura”

    Trump: Lufta mund të përshkallëzohet nëse Irani s’jep “përgjigjet e duhura”

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se është i gatshëm të presë “disa ditë” për përgjigjen e Iranit ndaj propozimit më të fundit të Uashingtonit që synon përfundimin e luftës, por paralajmëroi se situata mund të përshkallëzohet shpejt, nëse Teherani nuk jep “përgjigjet e duhura”.

    “Më besoni, nëse nuk marrim përgjigjet e duhura, gjithçka mund të përshpejtohet. Ne të gjithë jemi gati”, u tha Trump gazetarëve në një ngjarje në Konektikat.

    I pyetur se sa gjatë është i gatshëm të presë, Trump tha: “Mund të jenë disa ditë, por gjithçka mund të ndodhë shumë shpejt”.

    Më herët, gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e diplomimit në Akademinë e Rojës Bregdetare të SHBA-së, Trump tha se Shtetet e Bashkuara mund të kryejnë sulme të tjera ndaj Iranit nëse negociatat dështojnë.

    “I goditëm shumë fort. Mund të na duhet t’i godasim edhe më fort, por ndoshta jo”, tha ai, duke përsëritur qëndrimin e administratës së tij për programin bërthamor të Iranit.

    “Nuk do ta lejojmë Iranin të ketë armë bërthamore. Është shumë e thjeshtë”, u shpreh Trump.

    Këto komente erdhën menjëherë pasi Ministria e Jashtme e Iranit deklaroi se Teherani po shqyrton një propozim të ri amerikan, i cili thuhet se është dorëzuar përmes ndërmjetësve pakistanezë.

    Pakistani ka organizuar të vetmin rund zyrtar të bisedimeve të paqes Iran-SHBA, që është mbajtur deri më tani, dhe që atëherë shërben si kanal kryesor i komunikimit midis dy palëve.

    Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit paralajmëruan më vonë se çdo sulm i ri nga SHBA-ja mund ta zgjerojë konfliktin “përtej rajonit”.

    Që nga 28 shkurti, SHBA-ja dhe Izraeli janë në konflikt të hapur me Iranin dhe aleatët e tij, pas një vale sulmesh ajrore që goditën objektiva ushtarake dhe shtetërore iraniane dhe eliminuan disa figura të larta, përfshirë udhëheqësin suprem, Ajatollah Ali Khamenei.

    Sulmet ndodhën në mes të negociatave për programin bërthamor të Iranit, duke i dhënë një goditje të fortë diplomacisë.

    Irani reagoi me raketa dhe dronë ndaj Izraelit, bazave amerikane dhe vendeve aleate në rajon, si dhe mbylli Ngushticën e Hormuzit, duke tronditur tregtinë globale.

  • Sekuestrohen rreth 8 kg ari dhe argjend në Prizren, në vlerë mbi 460 mijë euro

    Sekuestrohen rreth 8 kg ari dhe argjend në Prizren, në vlerë mbi 460 mijë euro

    Prokuroria Themelore në Prizren, në koordinim me Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren, si dhe në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), ka zhvilluar veprime hetimore lidhur me dyshimet se disa biznese për shitjen e arit në qytetin e Prizrenit janë përfshirë në veprimtari të kundërligjshme, duke iu shmangur detyrimeve doganore dhe tatimore lidhur me tregtimin e arit dhe argjendit.

    Në njoftim bëhet e ditur se pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore që kanë nisur nga data 19.09.2025, me urdhër të prokurorit të çështjes me datë 20.05.2026, janë realizuar kontrolle në gjashtë lokale afariste në qytetin e Prizrenit, si dhe në tri shtëpi banimi.

    “Nga kontrollet e realizuara janë sekuestruar gjithsej: 3.775,33 gram ari i padeklaruar, në vlerë të përafërt prej rreth 455.000 euro dhe 4.204,98 gram argjend i padeklaruar, në vlerë të përafërt prej rreth 8.900 euro”, thuhet në njoftim.

    Në njoftim më tej bëhet e ditur se gjatë kontrolleve janë siguruar dëshmi materiale dhe është iniciuar rast ndaj katër personave për veprat penale “Shmangia nga tatimi” nga neni 307 dhe “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore” nga neni 312 të KPRK-së.

    Po ashtu, gjatë kontrolleve në dy lokacione të ndryshme janë gjetur dhe sekuestruar dy armë/pistoleta pa leje dhe është iniciuar rast për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 të KPRK-së.

  • Babai rrah vajzën në Malishevë, i bastiset shtëpia

    Babai rrah vajzën në Malishevë, i bastiset shtëpia

    Një person është arrestuar në Malishevë, pasi i njëjti ka sulmuar fizikisht vajzën e tij.

    Policia ka njoftuar se është kryer bastisja në shtëpinë e të dyshuarit ku gjatë kontrollit është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me një karikator dhe një fishekë.

    “Është arrestuar i dyshuari m/k pasi që i njëjti kishte sulmuar fizikisht viktimën f/k vajzën e tij. Me vendim të prokurorit është kryer bastisja në shtëpinë e të dyshuarit ku gjatë kontrollit është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me një karikator dhe një fishekë. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

  • Irani ekzekuton edhe dy të burgosur të tjerë

    Irani ekzekuton edhe dy të burgosur të tjerë

    Gjyqësori iranian ka njoftuar se më 21 maj ka ekzekutuar dy burra, në kuadër të asaj që është përshkruar si një fushatë më e ashpër e ekzekutimeve në kohën e konfliktit me SHBA-në dhe Izraelin.

    Sipas agjencisë së lajmeve Tasnim, e cila është e lidhur me Gardën Revolucionare Islamike (IRGC), dy burrat janë akuzuar për formimin e një grupi me qëllim destabilizimin e sigurisë së vendit dhe për anëtarësi në një organizatë që autoritetet e kanë përshkruar si “terroriste separatiste”.

    Tasnim i ka identifikuar ata si Ramin Zaleh dhe Karim Maroufpour.

    Sipas gjyqësorit iranian, të dy kanë pranuar se kanë bashkëpunuar në një plan për vrasjen e komandantit të IRGC-së në Iranin perëndimor dhe për ruajtjen e armëve për këtë sulm.

    Megjithatë, nuk është e qartë se në çfarë rrethanash janë marrë këto deklarata.

    Organizatat për të drejtat e njeriut i kanë dënuar gjykimet e tilla.

    Qendra për të Drejtat e Njeriut në Iran (CHRI), me seli në Oslo, ka deklaruar se shumë prej këtyre proceseve gjyqësore janë shoqëruar me “tortura, rrëfime të detyruara dhe mungesë të plotë të procesit të rregullt ligjor”.

    Ekzekutimet janë intensifikuar që nga 18 marsi – disa javë pas fillimit të luftës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.

    CHRI dhe organizata “Së bashku kundër dënimit me vdekje”, me seli në Paris, kanë raportuar se të paktën 1.639 persona janë ekzekutuar në Iran në vitin 2025, përfshirë 48 gra, duke e renditur Iranin ndër vendet me numrin më të lartë të ekzekutimeve në botë./REL

  • Sa gjoba trafiku u dhanë në 24 orët e fundit në Kosovë?

    Sa gjoba trafiku u dhanë në 24 orët e fundit në Kosovë?

    Policia e Kosovës ka shqiptuar gjithsej 2 mijë e 504 gjoba trafiku gjatë 24 orëve të fundit në vend.

    Sipas raportit policor, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 15 aksidente trafiku me persona të lënduar.

    36 aksidente të tjera kanë përfunduar me dëme materiale.

  • Katër të lënduar në një aksident në Koshtovë

    Katër të lënduar në një aksident në Koshtovë

    Dy automjete janë përfshirë në një aksident në Koshtovë të Mitrovicës, ku lëndime kanë pësuar katër persona.

    Në njoftimin e policisë thuhet se njëra njëra veturë ishte me targa vendore dhe tjetra me targa të Serbisë, ndërkaq dy nga të lënduar janë duke u trajtuar në Spitalin rajonal të Mitrovicës së Jugut dhe dy në Mitrovicë të Veriut.

    “Raportohet për një aksident trafiku në mes dy automjeteve, njëra me targa vendore dhe tjetra me targa të Serbisë. Si pasoj lëndime trupore kanë pësuar katër persona. Dy janë duke u trajtuar në Spitalin rajonal Mitrovicë Jug dhe dy në Mitrovicë Veri. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin e policisë.

  • Haradinaj kujton të rënët në Sagonë: Kaçaniku me rrethinë i doli zot atdheut në të gjitha etapat

    Haradinaj kujton të rënët në Sagonë: Kaçaniku me rrethinë i doli zot atdheut në të gjitha etapat

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kujtuar të rënët në Sagonë të Kaçanikut.

    Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se Kaçaniku me rrethinë i doli zot atdheut në të gjitha etapat, ndërsa shtoi se kjo trevë e dëshmoi veten edhe në luftën e fundit për liri.

    “Sot, në përvjetorin e rënies, kujtojmë dëshmorët e rënë në Sagonë të Kaçanikut; Kemajl Thaqi dhe Ekrem Gudaqi, të cilët ranë nën udhëheqjen e Komandantit, tanimë Hero i Kosovës, Agim Bajrami. Po ashtu, me respektin më të lartë, nderojmë martirët e rënë në këtë datë të vitit 1999; Hanife Jaha, Selvije Krivanjeva, Baki Bela, Hanife Gudaqi, Ramush Jaha, Ibush Rrushi, Ramadan Dashi, Fahri Mani, Bahrije Elezi, Sevdije Guri, Hamdi Dashi, Brahim Dashi dhe Fitim Gudaqi”.

    “Trashëgimia që e lanë pas, të na shërbejë si shtytës në përpjekjet tona për një Kosovë të sigurt e të zhvilluar. Lavdi e përjetshme të rënëve për liri. Heroizmi i tyre u trashëgoftë ndër breza!”, ka shkruar Haradinaj.

  • Zhduken dy vajza të mitura për një ditë në Fushë Kosovë

    Zhduken dy vajza të mitura për një ditë në Fushë Kosovë

    Dy vajza të mitura janë raportuar të zhdukura gjatë ditës së mërkurë në Fushë-Kosovë.

    Sipas raportit 24-orësh të policisë, në rastin e parë babai ka raportuar rreth orës 12:30 se vajza e tij është larguar nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e saj.

    Ndërkaq, në rastin e dytë, i raportuar rreth orës 22:00, është bërë e ditur se një tjetër vajzë e mitur është larguar nga shtëpia dhe ende nuk dihet se ku ndodhet.

    Të dy rastet janë duke u hetuar nga Policia e Kosovës.

  • Bllokimi i punimeve në punishten e Ishullit Urban, Rama: Qeveria vazhdon bllokimin e kryeqytetit për çështje puro-politike

    Bllokimi i punimeve në punishten e Ishullit Urban, Rama: Qeveria vazhdon bllokimin e kryeqytetit për çështje puro-politike

    Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, ka mbajtur konferencë për media në “Ishullin Urban” në Prishtinë, lidhur me bllokimin e punimeve nga Inspektorati për Trashëgimi Kulturore (ITK)

    Rama, ka ftuar Prokurorinë që të ndërmarrë masa të menjëhershme, duke thënë se të gjithë sabotuesit duhet të shkojnë në Prokurori.

    “Në punishten e Ishullit Urban ku për fat të keq prapë punët tona po bllokohen. Po bllokohen 30 mijë banorë të kryeqytetit me ju krijua mundësinë me kalu të sigurtë prej anës të “Arbërisë” në qendër të kryeqytetit. Kujt po i pengojnë këto punë? Qeveria vazhdon për çështje puro-politike me blloku kryeqytetin, derisa të njëjtën kohë ju jep leje sektorit privat. Çfarë hipokrita, çfarë hipokrizie. Ne e kemi kriju projektin, e kemi ndarë buxhetin, kemi filluar punimet, po vazhdojnë punimet me intensitet e ata vijën edhe e bllokojnë kryeqytetin ën mënyrë të jashtëligjshme. Nuk do të lejoj si kryetar i kryeqytetit të bllokohen banorë të kryeqytetit nga njerëz që janë të paaftë, që nuk ia dojnë të mirën këtij qyteti që nuk ia dojnë të mirën këtij vendi”, ka thënë ai.

    “Prandaj, ftoj prokurorinë që të ndërmarrë masa të menjëhershme. Të gjithë këta bllokues e sabotues të shkojnë në Prokurori… Nuk kanë asnjë bazë ligjore, thirren në dokumente që nuk ekzistojnë. E ftoj prokurorinë që ti marrë në pyetje. Nuk ka asgjë që e ndalë kryeqytetin…Do ta dorëzojmë kallëzimin menjëherë”, ka thënë ai.

    “Do të vazhdojmë me punë edhe në sheshin “Xhorxh Bush”, sikurse do të vazhdojmë edhe në “Ishullin Urban”, ka shtuar Rama. /Ekonomiaonline