ATV

Blog

  • Albin Kurti publikon pamje të reja nga takimi me Rita Orën

    Albin Kurti publikon pamje të reja nga takimi me Rita Orën

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka publikuar pamje të reja nga takimi me yllin botëror të muzikës me prejardhje shqiptare, Rita Orën.

    Kurti u përkujdes që këngëtaren ta pres me lule dhe tortë, me rastin e ditëlindjes së saj.

    I pari i qeverisë i bëri edhe dhuratë Orës, një libër dhe një pjatë punim artizanal.

    Ditën e djeshme, Kurti e quajti “Ditë të paharrueshme”.

    Ndër të tjera, ata biseduan edhe për realizimin e disa projekteve me rëndësi.

  • Krasniqi: Korrupsion institucional, pasurim i zyrtarëve qeveritarë, varfëri qytetare e regres shtetëror

    Krasniqi: Korrupsion institucional, pasurim i zyrtarëve qeveritarë, varfëri qytetare e regres shtetëror

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka theksuar sot gjetjet e shumta që ka publikuar Komisioni Evropian në raportin e fundit për Kosovën sa i takon korrupsionit.

    Komisioni Evropian ka theksuar në raportin e vitit 2022-2023 se korrupsioni është shqetësim serioz në Kosovë.

    “Shkarkimi i Kreut të Njësisë së Veçantë të Hetimeve në kuadër të Policisë së Kosovës, dërgon një sinjal negativ në përkushtimin e Kosovës në luftën ndaj korrupsionit”, thuhet në raport.

    Kreu i PDK-së Memli Krasniqi tha me këtë rast se në 133 faqe të raportit të Komisionit Evropian për Kosovën – 99 herë përmendet fjala korrupsion! Korrupsion institucional, pasurim i zyrtarëve qeveritarë, varfëri qytetare e regres shtetëror!

  • Karateisti me prejardhje nga Kosova, i dyti në kampionatin zviceran

    Karateisti me prejardhje nga Kosova, i dyti në kampionatin zviceran

    Karateisti me prejardhje nga Kosova Lorian Musa, është një nga fituesit në kampionatin nacional të Zvicrës.

    Musa i cili vjen nga qyteti i Mitrovicës, garoj në kategorinë U14 deri në 39 kilogramë dhe u rendit i dyti.

    Ai është i lindur dhe rritur në Zvicër, ku jeton dhe vepron bashkë me familjen e tij, në kantonin e Valais-it.

    Loriani është aktiv në sportin e karatesë që nga mosha pesëvjeçare.

    Që atëherë e deri më sot, djaloshi nga Kosova trajnohet nga trajneri i njohur zviceran Olivier Knupfet, i cili është kampion dhe ka 33 çmime ndërkombëtare.

    Djaloshi trajnohet po ashtu nga trajnerja Italiane Iliana Bartolotta, e cila ka një bagazh të ndritur në karate.

  • ​Bie çmimi i naftës

    ​Bie çmimi i naftës

    Çmimet e naftës ranë të hënën pasi raportet për mosmarrëveshjet midis anëtarëve të OPEC + mbi kuotat e tyre të prodhimit vitin e ardhshëm rritën pasiguritë e ofertës mes pritjeve më të larta të kërkesës gjatë tremujorit të parë të vitit 2024.

    Nafta e papërpunuar ndërkombëtare Brent u tregtua me 79,81 dollarë për fuçi në orën 9:56 të mëngjesit me orën lokale (0656 GMT), një rënie prej 0,83% nga çmimi i mbylljes prej 80,48 dollarë për fuçi në seancën e mëparshme tregtare të premten.

    Standardi amerikan, West Texas Intermediate (WTI), tregtohej në të njëjtën kohë me 74,90 dollarë për fuçi, 0,84% më pak nga mbyllja e së premtes me 75,54 dollarë për fuçi.

    Nafta Brent ra nën çmimin bazë të Arabisë Saudite prej 80 dollarë për fuçi, duke rritur mundësinë e një ndryshimi të reduktimeve aktuale të prodhimit ose një rritje të mëtejshme në këto nivele, shkruan Anadolu Agency, transmeton KosovaPress.

    Arabia Saudite ka imponuar një ulje të prodhimit prej rreth 1.5 milion fuçi në ditë (bpd) që do të vazhdojë deri në fund të vitit, në krye të kontributit të saj në uljen e përbashkët të grupit prej 2 milion fuçi në ditë për t’u zgjatur deri në fund të vitit 2024.

  • Kuqezinjtë për herë të dytë në Evropian, Sylvinho: Për mua është akoma një ëndërr

    Kuqezinjtë për herë të dytë në Evropian, Sylvinho: Për mua është akoma një ëndërr

    Ishte fillimi i këtij viti 2023, saktësisht më 2 janar kur të gjithë mësuam emrin e ri e trajnerit tonë të kombëtares, një brazilian Silvio Menedez Kampos Junior, një emër që nuk thoshte asgjë thuajse për askënd, as për futbolldashësit dhe ndjekësit e rregullt të këtij sporti, jo më për njerëzit më indiferent.

    Më pas tentuan me emrin e tij të shkurtuar, Sylvinho, prapë asgjë thuajse për askënd, përjashto ndonjë matës statistikash apo ndonjë tifoz të thekur të Barcelonës, Arsenalit apo Manchester Cityt që mund të mbante mend emrin e një prej lojtarëve të skuadrës së tij të zemrës një dekadë më parë.

    Edoardo Reja përpara tij njihej nga të gjithë, edhe pse ishte italian, edhe pse kishte drejtuar në Serinë A disa ekipe dhe jo pak po në mbi 1000 ndeshje e megjithatë edhe pse arritëm për një edicion në Ligën e Kombeve të renditeshim në vendin e parë në grup, pjesa tjetër e fundit, vendosi një rekord negative të 10 ndeshjeve pa fitore.

    Një shije e keqe tek të gjithë edhe tek ai vetë padyshim, që u largua duke i shtrënguar dorën të gjithëve e parë në sy madje edhe të riut Sylvinho.

    Një lëvizje ndoshta kundër ligjeve natyrale apo të etikës, një i moshuar të ngrihet nga ulësja për t’i lënë vendin një të riu, rreth 35 vite eksperiencë për t’i lënë vendin një eksperience më pak se një vjeçare, por futbolli nuk është një shkencë ekzakte dhe për këtë arsye shumë gjëra nuk janë standarte dhe kur nuk ka një shpjegim logjik, mjaftohen me shprehjen, kështu është futbolli.

    Kështu nuk mund të shpjegohet edhe mungesa e suksesit të emrave të mëdhenj si Hans Peter Brigel, Ari Han apo Kristian Panuci, një mal me eksperiencë, historira finalesh Botëroresh e Champions League, që duhen net dimri si këto për t’i treguar, por ama si trajnerë, drejtuan Shqipërinë nuk arritën asgjë e më pas nuk dihet ku janë…të paktën jo më në nivele për të drejtuar ekipe kombëtare apo klube të mëdha.

    Sylvinho edhe pse si lojtarë ka disa trofe si Kupë e Brazilit, të Anglisë apo dy Champions Leaguer, përpara kuqezinjve, kishte pasur një eksperiencë si ndihmës i Tites në kombëtaren braziliane, ndihmës i Mancinit tek Interi në Serinë A, më pas tek Lyon disa muaj, një sezon tek Corinthias në Brazil dhe kaq.

    “Për mua është akoma një ëndërr, ndërkohë për Shqipërinë është hera e dytë që shkon në finalet e një europiani. Sa i përket trajnerëve, mund të them që edhe ata janë emra vërtet të mëdhenj. Sot është Silvio, Doriva dhe Zabaleta dhe ne besojmë shumë në punën tonë, por pa harruar punën që ka bërë Panuci apo Reja pasi janë pakashumë ata lojtarë, e njëjta gjeneratë me djem shumë të rinj. Ata dhe puna e tyre ka qenë shumë e rëndësishme për mua, në këtë moment. Për këtë arsye unë i përmend emrat e tyre por edhe trajnerit të U21-shit, Alban Bushin, pasi na kanë sjellë lojtarë të rëndësishëm. Unë besoj shumë në punën e të gjithëve. Ashtu kam bërë edhe unë edhe pse jam i ri në karrierën time si trajner, por kam lënë një shenjë ku kam qenë, me ndonjë lojtarë, apo ndonjë gjë tjetër në ekip, ashtu si lanë ata dhe ne në këto 10 muaj i zhvilluam futbollistët që na lanë dhe disa të tjerë. Nuk duhet të harrojmë se futbolli ashtu si edhe jeta ecin shumë shpejtë. Dua të falënderoj dhe e vlerësoj punën e trajnerëve përpara meje që lanë diçka për ne sot”– tha trajneri i kuqezinjve, Sylvio Mendes Campos Júnior.

  • “I nderuar të vizitoj atdheun e gruas”- Rita Ora e solli në Prishtinë për ditëlindjen e saj, Taika Waititi: Ndihem si në shtëpi

    “I nderuar të vizitoj atdheun e gruas”- Rita Ora e solli në Prishtinë për ditëlindjen e saj, Taika Waititi: Ndihem si në shtëpi

    Këngëtarja kosovare me famë botërore, Rita Ora ka sjellë për herë të parë në Kosovë, bashkëshortin e saj nga Zelanda, Taika Waititi.

    48 vjeçari që është me profesion regjisor, aktor komedian ka folur shkurt duke thënë se në Kosovë po ndihet si në shtëpi.

    “Është hera e parë që jam këtu dhe jam i nderuar të vij, e të vizitoj atdheun e gruas sime”, ka thënë Waititi.

    Ai më pas ka thënë se vëren energji te ngjashme të kosovarëve me njerëzit e vendit të tij, Zelandës së Re.

    “Po ndihem si në shtëpi tashmë”, ka thënë ai.

    Rita Ora ka ardhur në Kosovë për të festuar ditëlindjen e saj.

    Një ditë më parë, është pritur në aeroportin e Prishtinës nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

    Ndërkohë, ditën e sotme, çifti është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili shprehet se ishte i nderuar t’i priste ata.

    “Rita Ora ka arritur majat më të larta të suksesit dhe njohjes në mbarë botën duke nderuar gjithmonë rrënjët dhe kulturën e saj në atdhe. Ishte nder ta prisja dhe Taika Waititi, sot ne ditelindjen e saj. Kosova, Britania e Madhe dhe Zelanda e Re duken pa kufi përballë artit.”, shkruan ai.

  • I arrestuar i tretë për rastin e grabitjes në Suharekë lirohet në mungesë provash

    I arrestuar i tretë për rastin e grabitjes në Suharekë lirohet në mungesë provash

    I arrestuar i tretë për rastin e grabitjes së një argjendarie në Suharekë është liruar në procedurë të rregullt.

    Këtë e ka bërë të ditur prokuroja e rastit, Ervehe Gashi, e cila ka theksuar se nuk ka pasur prova të mjaftueshme për të bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

    Ndërkaq, për dy të arrestuarit e tjerë në këtë rast Gjykata Themelore e Prizrenit ka marrë vendim që t’ua shqiptojë masën e paraburgimit me kohëzgjatje prej 30 ditësh. Duke llogaritur nga data e arrestimit më 25 nëntor.

  • Ish-ushtari i UÇK-së vritet në Francë teksa flinte

    Ish-ushtari i UÇK-së vritet në Francë teksa flinte

    V.S., nga Kosova është vrarë në Dijon të Francës.

    55-vjeçari nga Kosova u qëllua me dy plumba derisa ishte duke fjetur ndërkohë që jashtë po zhvillohej një konflikt mes dy bandave rivale. Siç raportohet banesa e kosovarit gjendej në katin e parë të objektit.

    Për këtë ka treguar vetë familja e viktimës V.S., nga fshati Rashan i Mitrovicës.

    Ai ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë luftës së fundit.

    Në lidhje me këtë rast ka shkruar edhe gazeta franceze “Le Figaro”, duke treguar se dy persona që qëlluan ishin në lëvizje me veturë. Ata janë arratisur dhe se S., është viktimë kolaterale nga kjo ngjarje, ka treguar prokuroria franceze.

    Familja e tij kishte 14 vite që jeton në Francë, ka raportuar “Le Figaro”.

  • Shpërthim në veri të Mitrovicës, policia jep detaje

    Shpërthim në veri të Mitrovicës, policia jep detaje

    Policia e Kosovës ka njoftuar se në mesnatë ka ndodhur një shpërthim në Mitrovicën e Veriut.

    Një gjë e tillë është bërë e ditur nga Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh.

    “Ankuesi kosovar, ka raportuar se pranë shtëpisë së tij është hedhur një mjet shpërthyes, dhe si pasojë i janë dëmtuar disa dritare të shtëpisë”, thuhet në njoftimin e policisë.

    “Në vendin e ngjarjes kanë dal të gjitha njësitet përkatëse policore. Nuk raportohet për ndonjë person të lënduar”, vijon njoftimi.

    Rasti po vazhdon të hetohet nga policia.

  • Një shtëpi përfshihet nga zjarri në Rahovec

    Një shtëpi përfshihet nga zjarri në Rahovec

    Një shtëpi është përfshirë nga zjarri në Rahovec, si pasojë e ndezjes së stufës së druve, ka njoftuar Policia e Kosovës.

    Ekipet zjarrfikësve kanë lokalizuar zjarrin, ndërsa nuk raportohet për të lënduar.

    “Ankuesi kosovar, ka raportuar se si pasojë e ndezjes së stufës së druve, i është përfshi nga zjarri shtëpia e tij. Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitet përkatëse, ndërsa ekipi i zjarrfikësve ka lokalizuar zjarrin”, thuhet në njoftim.