ATV

Blog

  • 2 euro false, bizneset nuk i pranojnë më

    2 euro false, bizneset nuk i pranojnë më

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Para janë, por s’kryejnë punë.

    Tash e një kohë, qytetarët nuk mund të paguajnë me monedhën metalike 2 euro. Prania e madhe e parave të falsifikuara në tregun kosovar, bëri që shumë biznese të mos i pranojnë ato.
    Megjithatë, kjo po vlerësohet si rrugë jo e drejtë për t’u mbrojtur nga paratë false.

    “Në këtë situatë shpesh i kemi pa bizneset që nuk po i pranojnë monedhat prej 2 eurosh, çka është e kundërligjshme dhe e dëmshme në përgjithësi për tregun dhe e dëmton konsumatorin, sepse ai nuk mund të paguajë edhe nëse i ka monedhat origjinale”, tha njohësi i ekonomisë, Zekrija Shabani.

    Ky vendim i bizneseve, sipas njohësit të ekonomisë, Zekirja Shabani, e dëmton ekonominë kosovare në masë të konsiderueshme.

    “Në këtë mënyrë nëse nuk gaboj janë mbi 2 milionë euro para prej 2 eurove që janë në qarkullim dhe automatikisht pra nga ekonomia hiqen 2 milionë euro”, tha Shabani.

    Ndërkohë, Banka Qendrore e Kosovës nuk parasheh ndonjë veprim konkret për ta luftuar këtë dukuri.

    “Në kuadër të përgjegjësive të saj, BQK-ja është duke u koordinuar në aspektin ndërinstitucional me organet përgjegjëse, për t’i mbështetur në veprimet e tyre për kufizimin dhe parandalimin e këtij aktiviteti, duke ofruar të gjithë bashkëpunimin e nevojshëm dhe mbështetjen profesionale. Edhe aktivitetet e ndërmarra së fundi dhe në vazhdimësi kanë kontributin e BQK-së dhe dalin nga ky bashkërendim dhe ndërveprim institucional”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

    Ndërkohë, të mërkurën tre persona nga Kosova dhe tre të tjerë nga Maqedonia e Veriut janë arrestuar, në një aksion të udhëhequr nga Prokuroria Speciale. Në këtë operacion u sekuestruan 85 mijë euro në monedha 2-euroshe, që dyshohet se ishin të falsifikuara.

  • Grabitja në Suharekë, një i vrarë, dy policë të plagosur dhe shtatë persona të arrestuar

    Grabitja në Suharekë, një i vrarë, dy policë të plagosur dhe shtatë persona të arrestuar

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Tetë ditë pas grabitjes së armatosur në një argjendari në Suharekë, një operacion i gjerë i Policisë, në shtatë lokacione të ndryshme në tri komuna, rezultoi me një të dyshuar të neutralizuar, disa të arrestuar, ndërsa një person mbetet në kërkim.

    Sipas Policisë, i dyshuari shtiu me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve, derisa përpos Prishtinës operacioni është kryer edhe në Fushë-Kosovë dhe Carralevë.

    “Zyrtarët policorë në vetëmbrojtje janë detyruar ta përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë një të dyshuar, përderisa katër të dyshuar të tjerë janë arrestuar. Deri më tani numri i të arrestuarve ka shkuar në shtatë persona, një i neutralizuar dhe një tjetër ende gjendet në kërkim policor”, thuhet në njoftimin e Policisë dhe Prokurorisë.

    Polici i plagosur, sipas njoftimit zyrtar, është jashtë rrezikut për jetën.
    Personi i eliminuar nga Policia gjatë aksionit është Dukagjin Gashi.
    Në mesin e të arrestuarve janë: K.G., B.B., L.C. dhe T.B.

    “Personat e dyshuar kanë të kaluar kriminale me dyshimet e bazuara për përfshirje në vepra penale, si: vrasje, grabitje, vjedhje e rëndë, sulm, kanosje, lëndim trupor, detyrim, armëmbajtje pa leje etj”, thuhet në njoftimin e Policisë dhe Prokurorisë.

    Më 22 Nëntor, katër persona të maskuar kryen një grabitje të armatosur në Suharekë, në të cilën një polic ishte plagosur dhe një tjetër ishte lënduar.

    Lidhur me rastin, më herët janë arrestuar edhe tre persona të tjerë, dy prej të cilëve janë ende në paraburgim dhe një është liruar në procedurë të rregullt.

  • Të shtunën testohet alarmi publik në Prishtinë

    Të shtunën testohet alarmi publik në Prishtinë

    Komuna e Prishtinës njofton se këtë të shtunë do të bëhet testimi i radhës i Sistemit të Alarmit Publik.

    Testimi është menduar që të bëhet në orën 12:05 dhe të bëhet dy herë nga 30 sekonda.

    “Të nderuar qytetarë, Ju njoftojmë se testimi i radhës i sistemit të Alarmit Publik do të bëhet me datë 02.12.2023 (e shtunë) ora 12:05 më zë të një trajtshëm dy here nga 30 sek.”, thuhet në njoftimin e komunës.

  • Largohet nga vendi i ngjarjes trupi i pajetë i të vrarit sot nga aksioni i Policisë

    Largohet nga vendi i ngjarjes trupi i pajetë i të vrarit sot nga aksioni i Policisë

    Është larguar nga vendi i ngjarjes trupi i pa jetë i personit të vrarë sot nga Policia e Kosovë i dyshuar për grabitjen e argjendarisë në Suharekë.

    Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media ka njoftuar se sot ka zhvilluar aksionin për kapjen e të dyshuarve për grabitjen e argjendarisë në Suharekë. Sipas njoftimit për media gjatë operacionit, ka pasur shkëmbim të zjarrit ndërmjet Policisë dhe të dyshuarit. I dyshuari Dukagjin Gashi është vrarë nga Policia e Kosovës, ndërkaq një polic është plagosur gjatë të shtënave me armë. Polici i plagosur ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

    Policia e ka arrestuar të dyshuarit e tjerë për përfshirje në grabitjen e armatosur në Suharekë, Bujar Basha dhe Leutrim Cakolli. Njëri nga grabitësit e argjendarisë në Suharekë është arratisur pas shkëmbimit të zjarrit mes grupit të grabitësve me Policinë e Kosovës të enjten në Prishtinë.

    Më 22 nëntor ka ndodhur një plaçkitje e armatosur në një argjendari në qytetin e Suharekës. Në tentativën për ta parandaluar plaçkitjen, është plagosur një polic. Nga ky incident, përveç një polici të plagosur, kishte mbetur edhe një tjetër i lënduar.

    Gjykata e Prizrenit ka vendosur një muaj paraburgim për dy të dyshuarit në lidhje me rastin e grabitjes në një argjendari në Suharekë.

    Të dy të dyshuarit, Albin Beqiri dhe Fatmir Tahiri, dyshohen për ndihmë në kryerjen e grabitjes së armatosur.

    Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit gjatë një seance paraprake në Gjykatën e Prizrenit, ndërsa të dyshuarit janë dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.

  • MD-ja memorandum me Bashkësitë fetare për të realizuar sesione informuese kundër dhunës

    MD-ja memorandum me Bashkësitë fetare për të realizuar sesione informuese kundër dhunës

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu bën të ditur se sot ka nënshkruar memorandume bashkëpunimi me Bashkësitë Fetare.

    Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka njoftuar se qëllimi i memorandumeve është ndër të tjerash për të realizuar sesione informuese kundër dhunës për komunitetin fetar.

    “Me Myftiun, Naim Tërnava nga Bashkësia Islame, Imir Gashi nga Kisha Protestante Ungjillore dhe Don Kolë Dedaj nga Ipeshkvia Prizren-Prishtinë, të bashkuar kundër dhunës në familje dhe dhunës ndaj vajzave dhe grave. Sot, nënshkrova memorandume bashkëpunimi me Bashkësitë Fetare, përmes së cilave u pajtuam për realizimin e sesioneve informuese kundër dhunës për komunitetin fetar, dhe mobilizimin e liderëve në komunitet, si partner e bashkëpunëtorë në veprimet kundër dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave. Sot dhe çdo ditë tjetër!”, ka theksuar ajo.

  • Kryeqyteti i Kinës raporton mbi 72.000 raste të sëmundjeve infektive

    Kryeqyteti i Kinës raporton mbi 72.000 raste të sëmundjeve infektive

    Autoritetet shëndetësore kineze thanë të enjten se mbi 72.000 raste të sëmundjeve infektive u raportuan në kryeqytetin Pekin gjatë javës së kaluar.

    Sipas Qendrës së Pekinit për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, gjithsej 72,475 raste të 16 sëmundjeve infektive të njoftueshme u raportuan në Pekin midis 20 dhe 26 nëntorit.

    “5 sëmundjet kryesore ishin gripi, infeksioni i ri i koronavirusit, sëmundje të duarve, këmbëve dhe gojës, sëmundje infektive të diarresë dhe sifilizi, që përbëjnë 99.4% të rasteve të raportuara të sëmundjeve infektive të njoftueshme”, raportoi e përditshmja me bazë në Pekin, Global Times, duke cituar qendrën.

    Të mërkurën, autoritetet shëndetësore u kërkuan qytetarëve të marrin masa paraprake pas disa rajoneve, përfshirë Tianjin verior, Zhejiang lindor dhe Guangdong jugor, raportuan një rritje të rasteve të gripit.

    Javën e kaluar, Shoqata Ndërkombëtare për Sëmundjet Infektive tha se sëmundjet e frymëmarrjes dhe pneumonia e padiagnostikuar janë në rritje në Kinë. Spitalet e fëmijëve në Pekin dhe Liaoning verior janë të mbingarkuar me raste “të papërcaktuara” të ngjashme me pneumoninë që besohet se kanë origjinën nga infeksionet bakteriale. /Anadolu Agency/

  • Gjykata ruse e shpall “ekstremiste” lëvizjen LGBT

    Gjykata ruse e shpall “ekstremiste” lëvizjen LGBT

    Gjykata Supreme e Rusisë e ka shpallur “ekstremiste” lëvizjen LGBT, një vendim i cili, sipas grupeve për të drejtat e njeriut, do t’ia mundësojë vendit t’i luftojë edhe më shumë homoseksualët dhe transgjinorët.

    Pas një seance me dyer të mbyllura, gjykata tha më 30 nëntor se e ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë për ta quajtur ekstremiste “lëvizjen ndërkombëtare LGBT”, duke ia ndaluar aktivitetet në Rusi.

    Grupet ruse për të drejtat e njeriut i kishin kërkuar gjykatës ta hidhte poshtë kërkesën e Ministrisë, duke thënë se “është e pamundur ta quash një grup njerëzish ‘lëvizje shoqërore’ thjesht sepse ata i takojnë një grupi shoqëror, apo sepse ata janë të bashkuar nga disa karakteristika personale”.

    Ky vendim është më i fundit në një sërë vendimesh kundër të drejtave të LGBT-së në Rusi.

    Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e vazhdoi një ligj të vitit 2013, i cili e ndalon përhapjen e “propagandës homoseksuale” tek fëmijët, përfshirë tek njerëzit e të gjitha moshave.

    “Ky vendi i turpshëm dhe absurd përfaqëson një front të ri në fushatën e autoriteteve ruse kundër komunitetit LGBTI”, tha Marie Struthers, drejtoreshë për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore në Amnesty International.

    “Vendimi rrezikon të ketë për pasojë ndalimin e të gjitha organizatave LGBTI, me shkelje shumë më të mëdha të lirisë së shprehjes dhe grumbullimit të lirë dhe paqësor, si dhe të të drejtës për të mos qenë i diskriminuar. Do të ketë ndikim ndaj shumë njerëzve”, shtoi ajo.

    Ligji rus ua ndalon qytetarëve dhe organizatat t’i mbështesin apo promovojnë organizatat ekstremiste, përfshirë shpalosjen e simboleve të tyre online. Ndëshkimet nisin nga gjoba deri te dënimi me burg.

    Ekspertët thonë se Putini po i sulmon LGBT dhe minoritetet e tjera për ta kënaqur bazën e vet konservatore para zgjedhjeve presidenciale në mars./REL/

  • Katër gjëra trashëgohen vetëm nga nëna

    Katër gjëra trashëgohen vetëm nga nëna

    Çdo gjë e trashëgojmë nga prindërit, duke filluar nga sjellja e deri tek inteligjenca.

    Megjithëse gjenetika është diçka komplekse, hulumtimet kanë treguar se disa trajta të caktuara i trashëgojmë vetëm nga nëna.

    INTELIGJENCA

    Një anketim me mbi 12,000 njerëz mes moshave 14 dhe 22 vjet ka zbuluar se çfarë faktorë ndikojnë në inteligjencë, status socio-ekonomik dhe në edukim.Rezultatet kanë treguar se nëna e ka ndikimin më të madh gjenetik në inteligjencën e fëmijës.Sipas ekspertëve, inteligjenca e nënës dhe fëmijës dallon mesatarisht vetëm 15 pikë.

    SHPREHITË E GJUMIT

    Studimi i publikuar në revistën “Sleep Medicine” kishte zbuluar se nënat ua trashëgojnë fëmijëve shprehitë e gjumit dhe se bebet pushojnë më pak dhe flejnë më vonë nëse nënat e tyre kanë probleme me gjumë.Në mënyrë interesante, shkencëtarët nuk e kanë zbuluar të njëjtën lidhje me baballarët e tyre.

    SHPEJTËSIA E PLAKJES

    Siç duket, gjenet e nënës ndikojnë në shpejtësinë tonë të plakjes.Shkencëtarët kanë zbuluar se një gjen të cilin e trashëgojmë vetëm nga nëna e kontrollon në mënyrë të pjesshme procesin tonë të plakjes.

    MENOPAUZA

    Edhe mosha në të cilën e kaloni menopauzën duket se trashëgohet nga nëna. Megjithatë, ekipi hulumtues ka zbuluar se nuk luan rol vetëm gjenetika, por edhe stili i jetesës.

  • Vendos qeveria, zgjatet afati për konvertimin e targave ilegale

    Vendos qeveria, zgjatet afati për konvertimin e targave ilegale

    Qeveria e Kosovës ka vendosur që të zgjatet afati për konvertimin e targave ilegale, deri më 15 dhjetor.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka ndryshuar dhe plotësuar Vendimin e Qeverisë Nr.01/170 të datës 30 tetor 2023 , duke zgjatur kështu afatin për regjistrimin me benefite financiare për pronarët e automjeteve me denominimet “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” deri me 15 dhjetor 2023”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

    Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme tanimë ka njoftuar të gjitha personat që kanë automjete targa ilegale do të kenë mundësi të përfitojnë nga lehtësirat për regjistrim në targa RKS, deri më datë 1 dhjetor 2023.

    Kjo përfshinë taksat doganore, taksën administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, tarifën për targa dhe tarifën për pajisje me certifikatë të regjistrimit të Automjetit.

    Çështja e heqjes së targave, që Serbia lëshon për qytetet e Kosovës, ka shkaktuar një sërë krizash në dy vjetët e fundit, si dhe largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës në veri në nëntor të vitit 2022.

  • Pamje tjera nga aksioni i policisë për kapjen e grabitësve, ku u vra një i dyshuar, katër u arrestuan dhe një u arratis

    Pamje tjera nga aksioni i policisë për kapjen e grabitësve, ku u vra një i dyshuar, katër u arrestuan dhe një u arratis

    Një operacion i madh i ndërmarrë nga Policia e Kosovës ka rezultuar me arrestimin e dy të dyshuarve për grabitjen e argjendarisë në Suharekë javën e kaluar.

    Në këtë aksion ka pasur edhe shkëmbime të zjarrit mes Policisë së Kosovës dhe të dyshuarve.

    Për pasojë një nga të dyshuarit ka mbetur i vrarë, ndërsa një polic është plagosur lehtë në këmbë.

    Mësohet se nga ky aksion, bëjnë me dije se Policia ka arrestuar në këtë aksion Bujar Bashën dhe Leotrim Cakollin, ndërsa në arrati është Korab Gashi.

    ATV sjell pamje tjera nga aksioni i policisë për kapjen e grabitësve, ku u vra një i dyshuar, katër u arrestuan dhe një u arratis. /atvlive.tv