ATV

Blog

  • Kaq muaj afat në pasaportë duhet të keni që të udhëtoni në Shëngen nga 1 janari

    Kaq muaj afat në pasaportë duhet të keni që të udhëtoni në Shëngen nga 1 janari

    Nga 1 janari kosovarët do të lëvizin pa viza në shtetet që i takojnë zonës së Shëngenit. Por, janë edhe disa rregulla që duhet ditur për lëvizjen në këtë zonë.

    Për të hyrë në zonën Shengen, është e rëndësishme të keni një pasaportë me afat të mjaftueshëm. Pasaporta juaj duhet të jetë e vlefshme për së paku tre muaj pas datës së planifikuar të largimit nga zona Shengen.

    Për shembull, nëse planifikoni të hyni në zonën Shengen më 1 mars, 2024 dhe deklaroni tek policia kufitare se do të qëndroni deri më 15 mars, 2024 atëherë pasaporta juaj duhet të jetë e vlefshme së paku deri më 15 qershor, 2024 pra tre muaj pas datës së planifikuar të kthimit.

  • Në gjendje të dehur ushtroi dhunë në familje, arrestohet një person në Pejë

    Në gjendje të dehur ushtroi dhunë në familje, arrestohet një person në Pejë

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Pejë, nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘Dhunë në familje’.

    Në njoftimin e policisë thuhet se i dyshuari në gjendje të dehur ka ushtuar dhunë të vazhdueshme në familje.

    Njoftimi i plotë:

    Pejë 04.12.2023-17:38. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti vazhdimisht ushtron dhunë brenda anëtarëve të familjes. I dyshuari për shkak se ishte në gjendje të dehur, në konsultim me prokurorin është dërguar në mbajtje, ndërsa pas këndelljes pritet intervistimi i tij. Rasti duke u hetuar.

  • Kaluan ilegalisht kufirin Serbi-Kosovë, ndalohen dy persona

    Kaluan ilegalisht kufirin Serbi-Kosovë, ndalohen dy persona

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arritur të kap dy persona të dyshuar në Leposaviq, të cilët kishin kaluar ileaglisht kufirin Serbi-Kosovë

    Sipas të dhënave, të njëjtit me një veturë kanë kaluar nga Serbia në Kosovë. Me vendimin e prokurorit ata janë liruar.

    Njoftimi i plotë:

    Koshuticë, Leposaviq 04.12.2023-14:30. Janë ndaluar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që të njëjtit me veturë kanë kaluar ilegalisht kufirin Serbi-republika e Kosovës. Pas intervistimit me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

  • Begaj dhe Rama për aktorin Kabashi: Mbajti gjallë brenda nesh dashurinë për artin

    Begaj dhe Rama për aktorin Kabashi: Mbajti gjallë brenda nesh dashurinë për artin

    Krerë të lartë të shtetit kanë shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta në moshën 75 vjeçare të aktorit të mirënjohur shqiptar, Mirush Kabashi.

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj shprehet në mesazhin e tij të ngushëllimit se Mirush Kabashi mbajti gjallë brenda nesh dashurinë për artin.

    “Lamtumirë Artistit që mbajti gjallë brenda nesh dashurinë për artin dhe ngriti peshë sallat kudo performoi! Lamtumirë “Nder i Kombit”, Mirush Kabashi”, shprehet Begaj.

    “Lamtumirë Mirush”, shprehet Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në mesazhin e ngushëllimit postuar në rrjetet sociale.

    Vdes në moshën 75-vjeçare aktori i njohur Mirush Kabashi

  • Skender Hyseni lirohet nga akuza për mosraportim të pasurisë

    Skender Hyseni lirohet nga akuza për mosraportim të pasurisë

    Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-ministrit të Jashtëm të Kosovës, Skender Hyseni, i akuzuar për mosraportim të pasurisë.

    Hyseni akuzohej se në cilësi të Koordinatorit Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit, nuk e ka deklaruar veturën e tipit “Volkswagen”, në vlerë 13 mijë e 300 euro, në pronësi të bashkëshortes së tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Aktgjykimi ndaj Hysenit u shpall të martën, nga gjykatësi Sabit Sadikaj.

    Sipas aktgjykimit, nuk është provuar se Hyseni ka kryer veprën penale për të cilën akuzohej.

    Kundër këtij aktgjykimit, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh. Kurse, Hyseni lirohet nga shpenzimet gjyqësore.

    Gjykatësi Sadikaj tha se gjykata erdhi në këtë vendim, duke u bazuar se mjetet me të cilat është blerë automjeti që rezulton i padeklaruar në formularin e deklarimit të pasurisë, konkretisht automjeti “Volkswagen”, nuk është provuar se rrjedh nga ndonjë veprimtari kundërligjore, pra nuk ka dyshime se i akuzuari kishte ndonjë arsye për të mos e deklaruar këtë automjet, pasi kjo vepër kryhet vetëm me dashje.

    Ndërsa, Gjykata Themelore në Prishtinë me aktvendimin e 23 shkurtit 2022 e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet e provave të ushtruar nga mbrojtësi i të pandehurit me arsyetimin se provat e grumbulluara japin bazë të mjaftueshme për dyshim të bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë dhe ka bazë për ngritjen e aktakuzës aktuale.

    Kundër këtij aktvendimi, brenda afatit ligjor ankesë ka ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit Hyseni, avokati Podvorica për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, zbatimit të gabuar të ligjit penal dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

    Ndërsa, Prokurori i Apelit ka propozuar që ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit të refuzohet si e pabazuar, kurse aktvendimi i ankimuar të vërtetohet.

    Kurse, Gjykata e Apelit e ka konfirmuar aktakuzën ndaj të akuzuarit Hyseni, kurse kërkesa e avokatit Podvorica është refuzuar si e pabazuar.

    Sipas aktakuzës së përpiluar në dhjetor të vitit 2021, Prokuroria Themelore në Prishtinë e ngarkont Skender Hysenin se në formularin për deklarim të pasurisë nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara, duke mos deklaruar një veturë të tipit “Volkswagen”, në vlerë 13 mijë e 300 euro, në pronësi të bashkëshortes së tij.

  • Zhduket një vajzë në Ferizaj

    Zhduket një vajzë në Ferizaj

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një vajzë nga qyteti i Ferizajt është raportuar e zhdukur.

    Sipas të dhënave, vajza është lajmëruar e zhdukur nga babai i saj.

    “Rr. Hamdi Bucaliu, Ferizaj 01.12.2023-17:00. Me datë 04.12.2023 ankuesi kosovar ka raportuar se vajza e tij viktima femër kosovare ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e saj. Rasti duke u hetuar”, thuhet në njoftim.

  • Memli Krasniqi: Mirush Kabashi do të jetoj përjetësisht në zemrën e secilit shqiptar

    Memli Krasniqi: Mirush Kabashi do të jetoj përjetësisht në zemrën e secilit shqiptar

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar pas vdekjes së aktorit Mirush Kabashit, duke thënë se ai do të jetojë përjetësisht në zemrën e secilit shqiptar.

    “Na paska lënë sot shqiptari, kosovari ynë, që këtë dhe, në të dy anët e kufirit, e kish Vatan e kish Atdhe. Mirush Kabashi, shkodrani me prejardhje nga Gjakova, në 75 vitet e jetës së tij realizoi mbi 100 role në teatër dhe film”, shkroi Krasniqi.

    “Pas çmimeve si “Artist i Merituar”, “Mjeshtër i Madh i Punës”, Mirushit, me plotë meritë, iu nda edhe çmimi “Nderi i Kombit”.

    “Përmes kontributit për artin shqiptar, e posaçërisht recitimeve të tij të papërsëritshme, Mirush Kabashi do të jetoj përjetësisht në zemrën e secilit shqiptar – gjersa mali të bahet hi, e hiri mal përsëri! Lamtumirë, mjeshtër!”.

    Vdes në moshën 75-vjeçare aktori i njohur Mirush Kabashi

  • Moti në Kosovë dhe rajon, këto janë temperatura për sot

    Moti në Kosovë dhe rajon, këto janë temperatura për sot

    Sot në vendin tonë parashihet të mbajë mot kryesisht me vranësira dhe reshje shiu.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme do ta mbajë Gjilani me 2 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 9 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme do të jetë me kushte të njëjta atmosferike. Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë Peja me -3 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale përsëri Prizreni me 8 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot të vranët dhe me kthjellime të herëpashershme. Temperaturën minimale do e ketë Kukësi me 3 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Vlorë dhe Durrës me nga 15 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë mund ta ndiqni në videon e mëposhtme:

  • Sot mblidhen katër komisione parlamentare

    Sot mblidhen katër komisione parlamentare

    Sot në Kuvendin e Kosovës do të mblidhen katër komisione.

    Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale sot do të shqyrtojë Projektligjin për shërbime sociale dhe familjare, ndërkaq ai për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport do ta shqyrtojë Projektligjin për Rininë.

    Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti do të bëjë shqyrtimin e projektligjit për promovimin e përdorimit të burimeve të ripërtërishme të energjisë.

    Ndërkaq, Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione do të mbajë takim me përfaqësues të Komisionit Vlerësues Mjekësor, i themeluar sipas Ligjit për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë.

  • Protestë gjithëpopullore pas vrasjes së Liridona Ademajt

    Protestë gjithëpopullore pas vrasjes së Liridona Ademajt

    Pas vrasjes së Liridona Ademajt, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, sot do të mbajë protestë gjithëpopullore me moton “nuk ka paqe pa sigurinë e grave”.

    Protesta nis në orën 18:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.

    “Thërrasim në organizim dhe veprim të gjitha/ë anembanë Kosovës që të mblidhemi dhe të themi njëzëri që nuk ka paqe pa sigurinë e grave dhe të kërkojmë që dhuna e gjinizuar dhe femicidi të trajtohen si urgjencë kombëtare”, thuhet në njoftim.

    Gjykata Themelore në Prishtinë të dielën e 3 dhjetorit, ka vendosur nga një muaj paraburgim për bashkëshoritn e Liridonës dhe dy të tjerë.

    Sipas komunikatës, gjyqtarja e Procedurës Paraprake vlerësoi se ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale, të njëjtit mund të ndikojnë në të bashkëpandehur, në të dëmtuar dhe në dëshmitarët si dhe rreziku i përsëritjes së veprave penale, në veçanti pesha e rëndë e veprës penale, e të gjitha së bashku kanë plotësuar bazën ligjore për caktimin e kësaj mase kundër të pandehurve, andaj gjykata ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve N.M, G.P dhe K.K dhe të njëjtëve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, për secilin.

    “Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 euro. Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në komunikatë.