ATV

Blog

  • Tetë të lënduar nga aksidenti në autostradën “Ibrahim Rugova” kërkuan ndihmë mjekësore

    Tetë të lënduar nga aksidenti në autostradën “Ibrahim Rugova” kërkuan ndihmë mjekësore

    Një aksident trafiku ka ndodhur në autostradën Ibrahim Rugova, Mazgit-Bresje, në të cilin janë përfshirë 14 automjete dhe janë lënduar disa persona.

    Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla për Klan Kosova ka bërë të ditur se tetë persona të lënduar nga ky aksident kanë kërkuar ndihmë mjekësorë.

    Tutje, ai është shprehur se tashmë shtatë prej tyre janë liruar dhe njëri është duke marrë ende trajtim.

  • ​Dita Ndërkombëtare e Maleve

    ​Dita Ndërkombëtare e Maleve

    Duke mbuluar rreth 27 për qind të Tokës, malet luajnë rol vendimtar në lëvizjen e botës drejt rritjes së qëndrueshme ekonomike.

    Dita Ndërkombëtare e Maleve u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 11 dhjetor 2003, pas shpalljes së Ditës Ndërkombëtare të Maleve nga ana e OKB-së më vitin 2002, e cila vuri në dukje nevojën e ndërgjegjësimit të vazhdueshëm mbi rëndësinë e maleve.

    Malet jo vetëm që sigurojnë furnizimin dhe mirëqenien e 720 milionë njerëzve në male nëpër botë, por në mënyrë indirekte përfitojnë miliarda më shumë që jetojnë në zona urbane. Praktikisht, malet sjellin ujë të pastër, energji dhe ushqim – burime që do të jenë gjithnjë e më të pakta në dekadat e ardhshme.

    Sidoqoftë, malet gjithashtu kanë shkallë të lartë të varfërisë, dhe janë jashtëzakonisht të prekshme nga ndryshimet klimatike, shpyllëzimet, degradimet e tokës dhe fatkeqësitë natyrore.

    Mbetet sfidë, identifikimi i mundësive të reja dhe të duhura që mund të sjellin përfitime të dyja, komuniteteve malore dhe atyre në ultësira, dhe që mund të çrrënjosnin varfërinë pa kontribuar në degradimin e ekosistemeve të brishta, malore.

    Ndryshe, kjo ditë do të shënohet edhe në Kosovë përmes aktiviteteve të organizuara nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Instituti për Politika Zhvillimore – INDEP, të cilat synojnë ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e maleve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të mjedisit për ruajtjen e cilësisë së jetës së njerëzve.

  • ​“Si në kohën e Millosheviqit”, Stradner kritikon Uashingtonin se po i beson Serbisë

    ​“Si në kohën e Millosheviqit”, Stradner kritikon Uashingtonin se po i beson Serbisë

    Analistja amerikane, Ivana Stradner ka reaguar pas një postimi të Ambasadës së ShBA-së në Serbi, dedikuar raporteve të mira ekonomike mes dy vendeve.

    Sipas saj, njëjtë si në kohën me Millosheviqin, Uashingtoni beson ende se ekonomia është problemi kryesor në Serbi. Derisa ka shtuar se qeveria serbe këtë po e shfrytëzon me kënaqësi.

    “Uashingtoni ende beson me naivitet se ekonomia është problemi kryesor në Serbi. E të mendosh se qeveria serbe po e shfrytëzon me kënaqësi. Këtë besonte Uashingtoni edhe në vitet ’90 me Millosheviqin… dhe mendonte se ekonomia e tregut të hapur do të parandalonte luftërat”, ka shkruar ajo në X, teksa ka shpërndarë postimin e Ambasadës amerikane në Beograd.

    Ndryshe, në postimin e kësaj ambasade thuhet se “marrëdhëniet tregtare amerikano-serbe janë të forta dhe bëhen më të forta. Kompanitë amerikane e dinë se Serbia e ka vendin në Perëndim. Pyetja e vetme është se sa shpejt do të arrijnë atje.”

  • ​Pioli rrezikon shkarkimin, Abate shihet si pasues i tij

    ​Pioli rrezikon shkarkimin, Abate shihet si pasues i tij

    Durimi ka filluar përfundojë për trajnerin e Milanit, Stefano Pioli dhe raportet sugjerojnë se përballja e ardhshme e Ligës së Kampionëve me Newcastle United mund të vendosë fatin e tij në klub.

    Kuqezinjtë pësuan një humbje të dhimbshme 3-2 ndaj Atalantës të shtunën, një rezultat që i lë ata nëntë pikë prapa liderit të ligës Interit pas 15 ndeshjesh. Ishte një rezultat tepër zhgënjyes për Piolin dhe lojtarët e tij, të cilët mund ta kenë përjashtuar veten nga gara për titull këtë sezon.

    Pozicioni i Milanit nuk është më i mirë në Ligën e Kampionëve, ku ata janë në fund të Grupit F me një ndeshje të mbetur për të luajtur. Skuadra e Piolit duhet të mposhtë Newcastle të mërkurën dhe shpreson që Borussia Dortmund të mundë Paris Saint-Germain për t’u kualifikuar në fazën eliminatore.

    Siç raportohet nga “TMË”, Pioli rrezikohet të shkarkohet nëse Milani pëson humbje ndaj Newcastle në ndeshjen e tyre të ardhshme në Ligën e Kampionëve, përcjellë KosovaPress.

    Drejtuesit e klubit kanë filluar të humbasin besimin te trajneri, i cili nuk ka arritur të stabilizojë skuadrën këtë sezon.

    Një raport i fundit sugjeroi se ish-sulmuesi Zlatan Ibrahimovic mund ta ndihmojë Milanin në një epokë pas Piolit, ndoshta duke punuar ngushtë me trajnerin e Primavera, Ignazio Abate, i cili do të bëhej trajneri i përkohshëm deri në fund të sezonit.

  • ​17 persona lëndohen nga përplasja e trenit në Itali

    ​17 persona lëndohen nga përplasja e trenit në Itali

    Një aksident që përfshin dy trena në linjën hekurudhore Bologna-Rimini pranë Faenza vonë të dielën shkaktoi lëndimin e 17 personave.

    Asnjë nga njerëzit nuk u lëndua rëndë. Hetuesit po përpiqen të zbulojnë shkakun e përplasjes me shpejtësi të ulët mes një treni me shpejtësi të lartë dhe një lokomotivë rajonale që po udhëtonin në të njëjtin drejtim.

    Operatori hekurudhor Trenitalia tha herët të hënën se trafiku në rrjetin e shpejtësisë së lartë ishte kthyer në normalitet pas disa orësh ndërprerje të shkaktuar nga përplasja.

  • ​Suharekë: Vdes një burrë pasi u rrëzua nga një pemë në lartësi prej 2-3 metra

    ​Suharekë: Vdes një burrë pasi u rrëzua nga një pemë në lartësi prej 2-3 metra

    Policia e Kosovës ka njoftuar se një person në Suharekë ka ndërruar jetë aksidentalisht.

    Në raportin 24-orësh të policisë thuhet se viktima ishte rrëzuar nga një pemë në lartësi prej 2-3 metra dhe si pasojë ka ndërruar jetë.

    “Suharekë. 10.12.2023 – 10:50. Është raportuar se viktima mashkull kosovar ishte rrëzuar nga një pemë në lartësi prej 2-3 metra dhe si pasojë ka ndërruar jetë, vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kompetent. Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa trupi i pajetë i viktimës u është liruar familjarëve për ceremoni varrimi”, thuhet në njoftimin e Policisë.

  • ​Ngricat dhe mjegulla, shkak i disa aksidenteve në Pejë

    ​Ngricat dhe mjegulla, shkak i disa aksidenteve në Pejë

    Kushtet atmosferike, të cilat u manifestuan me mjegull dhe ngrica mëngjesin e sotëm, dyshohet se kanë qenë shkak i dy aksidenteve në Pejë.

    KosovaPress ka kontaktuar zëdhënësin e Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashin, porse ende nuk ka marrë një përgjigje.

    Si rrjedhojë, ende nuk dihet nëse ka ndonjë të lënduar.

    Po ashtu, mbetet të merret vesh nëse shoferët po drejtonin mjetet sipas rregullave të qarkullimit rrugor.

  • Specialja vazhdon me bastisje, ZPS nuk komenton arrestimin e Haxhi Shalës

    Specialja vazhdon me bastisje, ZPS nuk komenton arrestimin e Haxhi Shalës

    Dhomat e Specializuara kanë nisur sot (e hënë) në mëngjes një operacion të bastisjeve në vendin tonë.

    Megjithatë, Gjykata Speciale në një përgjigje për KosovaPress nuk i ka komentuar raportimet e fundit se është arrestuar ish-deputeti Haxhi Shala me nofkën “Topi”.

    “ZPS po kryen operacione në vazhdimësi dhe nuk ka asnjë koment të mëtejshëm”, ka thënë për Kosovapress zëdhënësi i ZPS-së Chris Bennett.

    KosovaPress ka tentuar të marrë përgjigje nga vet Shala, por nuk e ka hapur telefonin.

    Gjyata Speciale në muajit e fundit ka pasur edhe disa bastisje të tjera në shtëpitë e ish-këshilltarëve të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Bashkim Smakajt, Ismail Sylës, si dhe Artan Behramit

    Dhomat e Specializuara në fillim të muajt nëntor e kanë arrestuar ish-kryetarin e Malishevës, Isni Kilajn.

  • ZPS vazhdon aksionin, djali i Haxhi Shalës shihet duke hyrë në zyrat e EULEX-it

    ZPS vazhdon aksionin, djali i Haxhi Shalës shihet duke hyrë në zyrat e EULEX-it

    Gjykata Speciale po vazhdon edhe sot bastisjet në Prishtinë, të nisura sërish të hënën.

    “ZPS po kryen operacione në vazhdimësi dhe nuk ka asnjë koment të mëtejshëm”, thuhet në përgjigjen e ZPS-së për ATV-në.

    Ndërkohë, ATV ka siguruar një video ku djali i Haxhi Shalës shihet duke hyrë brenda zyrave të EULEX.

  • KPK zgjedh Blerim Isufajn për kryeprokuror të Prokurorisë Speciale

    KPK zgjedh Blerim Isufajn për kryeprokuror të Prokurorisë Speciale

    Këshilli Prokurorial i Kosovës ka përzgjedhur Blerim Isufaj për kryeprokuror të Prokurorisë Speciale.

    Në mbledhjen e mbajtur të hënën Isufaj është përzgjedhur sërish në këtë pozitë me 9 vota për dhe një kundër, raporton ATV.

    Isufaj është përzgjedhur në këtë pozitë për një mandat katër vjeçar. Ai ishte zgjedhur në këtë pozitë edhe në vitin 2019.

    Ndërsa gjatë kësaj mbledhje paraprakisht është njoftuar se janë refuzuar ankesat e dy kandidatëve të tjerë që ishin në këtë pozitë, prokurorët Atdhe Dema dhe Naim Abazi.

    Gjatë kësaj mbledhje KPK me shtatë vota për, një votë kundër dhe dy abstenime ka përzgjedhur Zejnullah Gashin për kryeprokuror të Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

    Ndërsa prokurori Enis Gashi është përzgjedhur kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, me 9 vota për dhe një kundër. /atvlive.tv