ATV

Blog

  • Protestojnë sërish punëtorët e KEK-ut

    Protestojnë sërish punëtorët e KEK-ut

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës përsëri kanë protestuar para zyrave të KEK-ut në Prishtinë.

    Kërkesa e tyre ishte e njëjta, rritja e pagave.

    Në rast se nuk arrihet një marrëveshje sa i përket kërkesës së tyre, ata kanë paralajmëruar grevë.

    “Nuk po kërkojmë asgjë më shumë, përveç se të mbulojmë pagën bazë të inflacionit… po na detyrojnë për grevë”, tha kryetari i sindikatës së KEK-ut, Nexhat Llumnica.

    Veç rritjes së pagave, në këtë protestë u kërkua dorëheqje e menjëhershme e menaxhmentit të KEK-ut.

    “Po të kisha qenë si ta, kisha dhënë dorëheqje menjëherë, mos t’u dalin zot punëtorëve”, tha nënkryetari i sindikatës së KEK-ut, Selatin Sadiku.

    Në mbështetje të punëtorëve të KEK-ut, kishin dalë edhe përfaqësues të sindikatave të tjera në vend.

    “Në këtë shi pe dini kush na ka detyruar të dalim këtu sot…”, tha kryetari i Sindikatës së Sigurimit Fizik, Avni Mziu.

    “Marre, gjithë ky inflacion, ndërkohë që pagat e punëtorëve të KEK-ut nuk u rriten nga viti 2018…”, the kryetari i Sindikatës së Administratës Publike, Ali Gashi.

    Protesta e radhës nga punëtorët e KEK-ut është paralajmëruar për të mërkurën.

  • Publikohet opinioni i komisionit të Venecias për rritjen e numrit të anëtarëve të këshillit prokuror

    Publikohet opinioni i komisionit të Venecias për rritjen e numrit të anëtarëve të këshillit prokuror

    Përgatiti: Nora Luta

    Përveç këtyre arsyeve që i dha të hënën ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Komisioni i Venecias ka argumentuar edhe një tjetër se pse nuk e përkrah rritjen e numrit të anëtarëve të Këshillit Prokurorial në 21.

    Në opinionin e publikuar nga ky komision, nuk kontestohet fakti që ka rrezik të korporatizmit në përbërjen aktuale të KPK-së, por theksohet se shtimi i tetë anëtarëve rrit rrezikun e politizimit të Këshillit.

    “Edhe nëse ndryshimi i përbërjes mund të thuhet se është projektuar si një masë e jashtëzakonshme, e vetme për të eliminuar kulturën e korporatizmit, një ndryshim i tillë po futet në një klimë polarizimi, do të jetë funksional vetëm për një periudhë të shkurtër kohore, (më pak se dy vjet në skenarin më të mirë), është i mbushur me rreziqe bllokimesh dhe politizimi dhe krijon dyshimin se “KPK-ja e zgjeruar” do t’i nënshtrohet një ndikimi të konsiderueshëm politik përpara se të krijohet një “KPK” e reduktuar. Dhe më e rëndësishmja, siç theksohet në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, është rritja e ndjeshme e anëtarëve dhe rreziku potencial që vjen nga politizimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës që rrjedh nga rritja e mundshme e anëtarëve, por e cila do të zbehte kërkesën për integritet, pavarësi dhe stabilitet të mandateve të organeve kushtetuese, si KPK-ja, ushtrimi i funksioneve i të cilit s’duhet varur nga shumica kontingjente apo vullneti i shumicës parlamentare”, thuhet në opinionin e Komisionit të Venecias.

    Komisioni ka dhënë rekomandime rreth kuorumit dhe përzgjedhjes së tre anëtarëve që do të zgjidhen nga Kuvendi, pasi thekson se nuk është bindur që është janë marrë parasysh rekomandimet e kaluara rreth procedurës.

    “Komisioni nuk është bindur se mënyra dhe procedura e përzgjedhjes së tre (3) anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi ka trajtuar thelbin e rekomandimit të mëparshëm, i cili kërkonte të sigurohej një përbërje pluraliste e KPK-së me qëllim për të reduktuar rrezikun e politizimit në zgjedhjen e anëtarëve joprokurorë”, thuhet më tej në opinionin e Komisionit të Venecias.

    Komisioni i Venecias ka rekomanduar, gjithashtu, që ligji të parashohë masa disiplinore më të rrepta për anëtarët që do të mungonin në mbledhjet e KPK-së pa arsyetim të vlefshëm.

    Ligji i kaluar për KPK-në u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa në janar të vitit të ardhshëm Ministria e Drejtësisë ka paralajmëruar se do të nisë ndryshimet bazuar në rekomandimet e Venecias për projektligjin e ri.

  • “Më pëlqen që UEFA u trondit pak”, Klopp e komenton projektin e Superligës Evropiane

    “Më pëlqen që UEFA u trondit pak”, Klopp e komenton projektin e Superligës Evropiane

    Edhe Liverpooli e ka refuzuar krijimin e Superligës Evropiane.

    Klubi anglez doli me një komunikatë zyrtare ku tha se qëndrimi i tyre nuk ndryshon nga ai i dy viteve më parë.

    E trajneri i Liverpool, Jurgen Klopp e ka komentuar këtë situatë

    “Jam 100% dakord me deklaratën dhe verdiktin. Më pëlqen gjithashtu që kuptojmë se UEFA dhe federatat e tjera nuk mund të bëjnë atë që duan… duke luajtur më shumë lojëra me njerëz që nuk u dëgjohet fjala. Më pëlqen që UEFA u trondit pak”, tha Klopp.

  • Rama ia dorëzon “Çelësin e Qytetit”, presidentit të Bullgarisë

    Rama ia dorëzon “Çelësin e Qytetit”, presidentit të Bullgarisë

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ia ka dorëzuar “Çelësin e Qytetit”, presidentit të Bullgarisë, Rumen Radev, raporton Ekonomia Online.

    Radev u shpreh i nderuar me këtë çmim, duke thënë se bashkëpunimi me Kosovën do të vazhdojnë në shumë fusha.

    Përderisa kryetari Rama tha se mbështetja e Bullgarisë ka qenë e pakontestueshme në çdo fazë të zhvillimit të vendit.

    Paradite presidenti bullgar është pritur në takim nga homologia Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

  • Drizan Shala paralajmëron padi për shpifje ndaj Jablanoviqit

    Drizan Shala paralajmëron padi për shpifje ndaj Jablanoviqit

    Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, përmes një statusi në facebook, ka pralajmëruar padi për shpifje ndaj ish-ministrit për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jablanoviq.

    “Një politikan nacionalist e kontravez, i cili punon dhe vepron nën direktivat e Aleksander Vuçiqit më paska etiketuar si bashkëpunëtor i opozitës serbe, kinse unë paguhem për deklarata në favor të opozitës në Serbi”, ka shkruar Shala.

    Postimi i plotë i tij:

    Jabllanoviq përgaditu, ti do të përballesh me padi, shihemi në gjykatë

    Një politikan nacionalist e kontravez, i cili punon dhe vepron nën direktivat e Aleksander Vuçiqit më paska etiketuar si bashkëpuntor i opozitës serbe, kinse unë paguhem për deklarata në favor të opozitës në Serbi.

    E verteta është se, unë nuk kam ndonjë kontakt apo lidhje me opozitën serbe në Beograd, sepse fundja une jam shtetas i Republikës se Kosovës dhe nuk është çështje e imja se kënd ta ndihmojë, sepse deri me sot, pozite e opozite kanë qendrim të njëjte për Republikën e Kosovës.

    Sa i përket Jabllanoviqit i cili pa të drejtë shpifë ndaj meje, ky do të përballet me padi dhe do të shihemi në gjykatë së shpejti.

    Nga ky monstrum asgjë nuk pritet mire, sepse është po ky i njejti i cili vite më parë ofendojë nënat Gjakovare, madje ky është përpjekur që ti njollosë edhe vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke tentuar që në Koshare të vendos flamurin e shtetit kriminal Serb.

    Jabllanoviq vendin e ke në burg.

  • UEFA qëndron e vendosur kundër Superligës Evropiane

    UEFA qëndron e vendosur kundër Superligës Evropiane

    Në një konferencë për shtyp online duke iu përgjigjur vendimit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë (ECJ) të së enjtes, presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin dhe aktorët kryesorë që përfaqësojnë të gjithë komunitetin e futbollit, nënvizuan kundërshtimin e tyre të bashkuar ndaj të ashtuquajturës Super Ligë Evropiane (ESL).

    Kjo është deklarata e Presidentit të UEFA-s në konferencë:

    “Futbolli mbetet i bashkuar. Kjo konferencë për shtyp që përfshin të gjithë palët e interesuara që flasin së bashku është dëshmi e kësaj. Ne kemi gjithashtu qeveritë kombëtare dhe institucionet krah nesh.

    Ka një kontrast të thellë midis deklaratës për shtyp dhe gjykimit. Gjykimi është në të vërtetë pozitiv, pasi përfshin tiparet kryesore të piramidës së futbollit evropian: konkurrenca e hapur, meritokracia sportive dhe solidariteti.

    GJED sigurisht nuk ka dhënë dritën jeshile dhe as nuk ka miratuar një projekt si e ashtuquajtura Super liga. Ne mirëpresim qartësinë që GJED-ja ka dhënë sot duke përfshirë një miratim të sistemit të para-autorizimit dhe rolin e dyfishtë të UEFA-s si organizator dhe autorizues.

    Ne u bëmë të vetëdijshëm se sistemi ynë i autorizimit ishte i papërsosur, filluam të punonim për këtë në vitin 2021 dhe e konkluduam në vitin 2022 me vendimin e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Ne kemi besim se rregullat tona janë plotësisht në përputhje me vendimin e GJED-së. Thënë kjo sigurisht që do të shqyrtojmë më tej pasi të lexojmë vendimin në detaje dhe të shohim nëse duhet të zbatojmë ndryshime të mëtejshme.

    Është e rëndësishme të theksohet se GJED ka miratuar modelin sportiv evropian, bazuar në meritat sportive, që mund të garantohet vetëm nëse të gjitha skuadrat gëzojnë një nivel të caktuar mundësish të barabarta. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se klube nga shumë vende – si p.sh. Anglia, Gjermania dhe Franca – e kanë të ndaluar të bashkohen me një projekt që është jashtë sistemit.

    Sigurisht, UEFA është e lirë të organizojë garat e veta dhe të shesë ekskluzivisht të drejtat komerciale. Pra, çdo garë duhet të përshtatet brenda sistemit dhe të jetë në përputhje me rregullat tona të reja të autorizimit, dhe ndër të tjera duhet të respektojë meritat sportive, kalendarin ndërkombëtar dhe solidaritetin. Këto rregulla mbrojnë gjithashtu kompeticionet për klube të UEFA-s.

    Futbolli mbetet i bashkuar siç e shihni sot, i mbrojtur mirë nga ligat e shkëputura. Futbolli nuk është në shitje, ne e treguam këtë shumë herë si palë të interesuara së bashku. Asgjë nuk mund ta ndryshojë këtë”, – tha Presidenti i UEFA-s, Ceferin.

    Nasser Al-Khelaifi, Kryetar i Shoqatës së Klubeve Evropiane (European Club Association)

    “Ndoshta disa njerëz nuk e kanë vënë re se çfarë ka bërë futbolli në dy vitet e fundit. Reforma e kompeticioneve, sipërmarrja e përbashkët mes UEFA-s dhe klubeve. Unë nuk e shoh fare këtë si një fitore të Super Ligës. Ky gjykim ka të bëjë me rregullat juridike, që kanë ndryshuar.

    Ne po shohim të njëjtat prezantime, të njëjtat deklarata që flasin për lirinë – por nuk ka të bëjë me lirinë, është një ligë e mbyllur. Kjo është një kontratë sociale. Klubet janë kaq krenare që janë partnerë me UEFA-n dhe luajnë në garat e UEFA-s… Të gjitha palët e interesuara në Evropë po punojnë së bashku për të njëjtin qëllim”.

    Javier Tebas, President i LA LIGA

    “Dëshiroj të shpreh mbështetjen tonë totale për UEFA-n si rregullator i futbollit evropian. UEFA ka 69 vjet që organizon garat evropiane dhe futbollin evropian. Gjatë kësaj periudhe, UEFA-s i është dashur të përshtatet me kohën, me ndryshimet ekonomike dhe realitetet sportive.

    Kjo është ajo që ata kanë bërë vazhdimisht me aktorë të ndryshëm dhe vitin e kaluar krijuan rregulla të reja se si të krijohet një garë e re”.

    Pedro Proença, President i Ligave Evropiane

    “Për ne ky vendim i gjykatës nuk ndryshon mendimin tonë se cili duhet të jetë formati i garave evropiane. Në emër të Ligave Evropiane ne besojmë plotësisht në parimet e hapjes dhe kualifikimit për garat ndërkombëtare përmes garave vendase. Ne besojmë në balancën ndërmjet ligave vendase dhe klubeve ndërkombëtare.

    Ne mbetemi plotësisht kundër modelit të Super Ligës dhe jemi plotësisht të përkushtuar për të ruajtur këtë linjë së bashku me palët e tjera të interesit. Ky vendim sot nuk ndryshon asgjë për sa i përket asaj që ne mendojmë se duhet të jetë e ardhmja e garave ndërkombëtare”.

    Ronan Evain, Football Supporters Europe (FSE)

    “Nga ana e tifozëve, nuk ka asgjë të re. Është ende i njëjti projekt që pamë dy vjet më parë – i njëjti konkurs privat, i mbyllur, i drejtuar nga paratë. Është thjesht ripaketimi dhe riciklimi i një ideje të tmerrshme pa marrë parasysh meritat sportive.

    Superl Liga nuk dështoi për shkak të rregulloreve ekzistuese në atë kohë – ajo ra sepse ne të gjithë ishim kundër projektit. Ne i përkasim një ekosistemi të futbollit evropian që nuk është perfekt, por të paktën ka një sërë rregullash.

    Nuk ka vend për shkëputje brenda futbollit evropian. Ne shpresonim që cirku të ishte një histori e shkuar. Do të ishte më mirë për futbollin evropian nëse ata thjesht do të dorëzoheshin tani”.

    David Terrier, President i FIFPRO Europe

    “Lojtarët tashmë janë pozicionuar përballë këtij projekti dhe ata janë njëzëri kundër tij. Si Fifpro ne përfaqësojmë të gjithë lojtarët, jo vetëm ata që potencialisht do të luanin në një kompeticion të vetëm në një strukturë të fragmentuar.

    Jam dakord me presidentin Čeferin se ky vendim përforcon pozicionin tonë të përbashkët dhe nënvizon rëndësinë e meritave sportive dhe strukturës piramidale të futbollit Europian”.

  • Turqi: Më shumë se 300 persona arrestohen për lidhje të dyshuara me ISIS

    Turqi: Më shumë se 300 persona arrestohen për lidhje të dyshuara me ISIS

    Policia turke ka arrestuar më shumë se 300 persona për lidhje të dyshuara me grupin militant të Shtetit Islamik (ISIS) gjatë një bastisjeje gjithëpërfshirëse në 32 qytete, ka njoftuar ministri i Brendshëm turk.

    “304 persona u arrestuan gjatë operacionit “Hero-34” i zhvilluar njëkohësisht në 32 qytete kundër organizatës terroriste “Daesh”, shkroi Ali Yerlikaya në X, raporton Euronews.

    “Daesh” i referohet akronimit arab për organizatën Shteti Islamik.

    Stambolli dhe Ankara ishin ndër 32 lokalitetet ku u krye operacioni i policisë. Rreth 86 persona u arrestuan vetëm në qytetin e Stambollit, tha Yerlikaya.

    Turqia ishte skenë e sulmeve të shumta mes viteve 2015 dhe 2017 – disa prej të cilave i atribuoheshin Shtetit Islamik.

    Në janar 2017, një sulm në një klub nate në Stamboll, i pretenduar nga ISIS, la 39 të vdekur, ndërsa 109 persona u vranë në tetor 2015 në një sulm tjetër që i atribuohet grupit xhihadist.

  • Stoltenberg: Putin e ka humbur Ukrainën përgjithmonë

    Stoltenberg: Putin e ka humbur Ukrainën përgjithmonë

    Rusia e ka “humbur Ukrainën përgjithmonë” dhe nuk do të jetë në gjendje të arrijë qëllimet e saj të luftës, pavarësisht përpjekjeve masive ushtarake që ka bërë që kur pushtoi vendin shkurtin e kaluar, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

    “I gjithë qëllimi i këtij pushtimi ishte të parandalonte Ukrainën të bashkohej me NATO-n dhe Bashkimit Europian. Ukraina tani është më afër se kurrë me NATO-n dhe Bashkimin Europian”, theksoi ai.

    “Kjo është një humbje e madhe strategjike për Rusinë. Presidenti Putin e ka humbur Ukrainën përgjithmonë,” shtoi ai, duke iu referuar faktit se Rusia e ka konsideruar Ukrainën pjesë të sferës së saj të influencës për dekada.

    Stoltenberg refuzoi të komentojë perspektivën e një mandati të dytë për Donald Trump si president i SHBA-së, pasi ish-presidenti aktualisht kryeson pjesën tjetër të kandidatëve republikanë në sondazhet për nominimin e partisë. ndërsa ka mbetur më pak se një vit para zgjedhjeve presidenciale në SHBA.

    Gjatë mandatit të Trump si president i SHBA-së, tensionet me NATO-n janë rritur, veçanërisht për shpenzimet e mbrojtjes.

    “Jam i bindur se kushdo që zgjidhet president, SHBA-ja do të mbetet e përkushtuar ndaj partneritetit transatlantik”, përfundoi Stoltenberg.

  • BBC: Sulmuesi që kreu dje sulmin në Çeki, ka vrarë veten

    BBC: Sulmuesi që kreu dje sulmin në Çeki, ka vrarë veten

    Policia çeke bëri të ditur se sulmuesi që vrau 14 persona dje në universitetin e Pragës kreu vetëvrasje.

    Një zyrtar policor tha se sulmuesi vrau veten pasi pa policinë që e rrethonte “nga të gjitha anët”, raporton BBC.

    Siç ka thënë ai, kjo ka ndodhur rreth orës 15:19 me orën lokale.

    BBC raporton se 25 persona të tjerë u plagosën në sulmin kur një student hapi zjarr në kryeqytet

    Të shtënat filluan rreth orës 15:00 me orën lokale (14:00 GMT) në ndërtesën e Fakultetit të Arteve të Universitetit Charles. Besohet se sulmuesi D.K. (24) ka vrarë babanë e tij në një vend tjetër.

  • U bë promovimi i Botimeve “Rea” dhe i librave të parë të kësaj shtëpie botuese

    U bë promovimi i Botimeve “Rea” dhe i librave të parë të kësaj shtëpie botuese

    Mbrëmë në KultPlus Caffe Gallery u promovuan pesë libra të rinj të Botimeve REA, ku morën pjesë personalitete të jetës akademike dhe kulturore si profesorë, shkrimtarë, gazetarë, studentë e dashamirë të shumtë të librit.

    Me këtë rast u promovuan librat: “Mahnitja e parë” (Demë Topalli), “Lexuesit e kartëmortaleve” (Binak Kelmendi), “Mëkati i buzëqeshjes” (Sali Bashota), “Misioni i Shkrimtarit” ese të nobelistit Elias Canetti (përkthyer nga Naim Kryeziu) dhe “Sytë flasin në heshtje” (Afërdita Bashota-Podvorica).

    Aktivitetin e moderoi Rozafa Bashota, ku fillimisht falënderoi drejtoreshën e KultPlus Ardianë Pajazitin dhe të gjithë pjesëmarrësit e pranishëm. Rozafa, ndër të tjera, foli për projektet kryesore të Botimeve REA: “Padyshim se qëllimi ynë është të botojmë libra që janë në interes të lexuesve, si ata nga fusha e psikologjisë, letërsisë, libra biografikë, si dhe ribotime të autorëve të njohur të Kosovës që gjeneratat e reja kanë pak ose fare informacion për to.

    Unë vetë jam nga fusha e Psikologjisë dhe e them me bindje që librat psikologjikë dhe përkthimet nga gjuhët e huaja do të jenë një shtesë e padiskutueshme e Botimeve REA. Përveç se janë të rëndësishëm ta ngrisim kulturën e leximit në vendin tonë, janë po ashtu të rëndësishëm në ngritjen e vetëdijesimit për çështje të ndryshme psikologjike, të cilat për fat të mirë po iu shërbejnë lexuesve në vendin tonë në gjetjen dhe njohjen e vetvetes”, tha Rozafa e cila tutje tregoi se një nga prioritetet e kësaj shtëpie botuese do të jenë edhe aktivitetet e ndryshme që ndërlidhen me arsimimin kulturor. Natyrisht bashkëpunimi me shkrimtarët dhe përkthyesit do të jetë një kaptinë me vete në realizimin e synimeve të tyre.

    “Do të përpiqemi që t’i ndjekim standardet më të reja në praktikën botuese me qëllim të afirmimit të së drejtës së autorit, në kthimin e dinjitetit të autorit, duke respektuar mundin e tyre krijues.”

    Në vazhdim, Alketa Gashi, interpretoi poezitë: “Koha” dhe “Heshti” të Demë Topallit, tregimin “Te pllaka përkujtimore” të Binak Kelmendit, pjesë nga eseja “Misioni i Shkrimtarit” të nobelistit Elias Kaneti, prozën poetike “Rrëfimi për pëllumbat e bardhë” të Sali Bashotës dhe poezitë “Ju jeni si qielli si dielli si hëna” dhe “Vetëm unë e kam emrin tim” të Afërdita Bashota-Podvoricës. Ndërsa me kitarë e përcolli Lind Bobi.

    Ky aktivitet promovues i Botimeve REA kishte një organizim të veçantë meqë secili nga autorët foli për krijimtarinë e vet letrare, e sidomos për librin që u promovua.

    Autori Demë Topalli në fjalën e tij u shpreh se për librin e botuar kishte dyshimet e veta për shkak të distancës së madhe kohore nga botimet e tij të fundit si: “Vera e ikur” “Druri i fatit, “Haber i mirë” dhe “Sytë që dinë me pa”.

    “Përzgjedhja dhe bashkimi i këtyre poezive në një libër më dukej punë jo e qëlluar. Mirëpo, megjithatë, libri “Mahnitja e parë’’ doli. Doli me insistimin e gjatë të mikut tim, Sali Bashotës. E falënderoj shumë për këtë”, tha autori i cili tutje foli për përballjen e poetit me gjuhën dhe fjalët, kujtesën, për ndonjë përjetim që pas disa dhjetëra vjetësh vjen e bëhet poezi.

    “Po e nis me fjalën gojëzanë, që vjen nga fëmijëria ime e hershme. Ndoshta shkaku që si fëmijë kam qenë paksa i druajtur dhe i mënjanuar, shpesh iu kam shmangur takimit dhe bisedave me njerëz. Një ditë prej ditësh, një grua e një familjeje fqinje me ne, thotë “ Moti s’e kam pa Demën, kurse një tjetër, plakë, ia pret: “Po ai nuk flet, iu ka nxan goja”. Këtë ma ka thënë më vonë motra ime më e madhe se unë, që nuk jeton më. Shumë herë gjatë jetës m’u kanë kujtuar këto fjalë. Mirëpo, kurrë s’e kam besuar që ato, pas dhjetëra vjetësh, do të vijnë e do të shkrihen në një fjalë-figurë, me një tingëllim e domethënie tjetër”, tha poeti teksa foli pastaj në veçanti edhe për disa nga poezitë e librit të tij e krejt në fund u shpreh shumë i kënaqur që libri i tij është libri i parë i botuar nga shtëpia e re dhe serioze botuese “Rea”, e drejtuar nga Rozafa Bashota.

    Tutje, fjalën e mori autorit Binak Kelmendi. Ai u shpreh se promovimi i një libri mbetet gjatë në mendjen e autorit të tij dhe beson se mbetet gjatë edhe në mendjen e botuesit. Aq më shumë dhe sidomos mbetet gjatë në mendjen e një botueseje të re e plot dhunti, me iniciativë dhe ambicie siç është në këtë rast Rozafa Bashota.

    Ndërsa për përmbledhjen e tij me tregime “Lexuesit e kartëmortaleve” e cila u promovua në këtë mbrëmje, Kelmendi tregoi se libri përmban 17 tregime nga gjithsej 55 tregimet e tij, botuar deri më tash në tri përmbledhje tregimesh.

    “Vetëm tregimi “Lexuesit e kartëmortaleve”, nga i cili bart emrin përmbledhja, është tregim i ri që më duket se, siç themi ne nganjëherë, ka fjetur vetëm një vit për ta parë dritën dhe për t’u bashkuar me tregimet tjera që janë botuar edhe para më shumë se tridhjetë vjetësh”, tha autori.

    Tregimet e përfshira në këtë libër janë tregime që përfshijnë periudhat tona kombëtare, madje që nga paraepoka siç është tregimi “Tërheqja zvarrë e Gentit nëpër Romë”, por edhe periudhat më të hershme e më të vonshme që i kaluam e disa edhe i përjetuam.

    Në radhë, fjalën e mori përkthyesi Naim Kryeziu i cili në këtë mbrëmje promovoi “Misioni i Shkrimtarit” ese të nobelistit Elias Canetti. Sipas tij, kur flasim për Elias Kanetin atëherë kemi të bëjmë dhe flasim për një shkrimtar që ka rrënjët në Ballkan, për një shkrimtar vërtet të madh evropian, për një shkrimtar të përmasave botërore, pra, flasim për një nobelist.

    “Elias Kaneti, të cilin kritika letrare e ka quajtur si një „klasik të gjallë“ dhe si një prej humanistëve më të mëdhenj të shekullit të njëzetë, më 1981 iu dha Çmimi Nobel për letërsinë. Në përmbledhjen e eseve me titull „Misioni i shkrimtarit“, Kaneti analizon dhe trajton veprat e shkrimtarëve dhe të filozofëve të kulturave të ndryshme, ku pastaj në eset e veta lexuesit i ofron ajkën e krijimtarisë letrare dhe filozofike të shkrimtarëve dhe filozofëve siç janë: Tolstoji, Byhneri, Kafka, Brehti, Krauzi, Hitleri sipas Shperit, Konfuci, Ditari i dr. Haçijës nga Hiroshima, etj.”, thotë Kryeziu.

    Krejt në fund, fjalën e mori edhe autori Sali Bashota i cili zgjedhi disa fjalë për librin e tij “Mëkati i buzëqeshjes”.

    “Përmes prozës poetike synoj për të shenjuar një cak tjetër, diçka midis poezisë dhe prozës. Atë që nuk e kam thënë në librat e mi me poezi, jam përpjekur ta artikuloj në prozën poetike. Jo rrallë më duket vetja se jam midis dy lumenjve, për të provuar se në cilin lumë do të notoj më shumë, por edhe më mirë. Fundja, nuk mund të bëj krahasime, prandaj poezia dhe proza poetike, pothuajse, janë i njëjti kërkim imi, i paraqitur në variante të ndryshme, ngjitur nëpër shkallët e imagjinatës, por edhe nëpër shkallët e jetës”, thotë autori.

    Bashota, i cili në këtë mbrëmje po përjetonte një gëzim të dyfishtë, botimin e librit dhe përurimin e shtëpisë botuese të vajzës së tij.

    “Vajza ime Rozafa, tash si botuese do të udhëtojë nëpër kohën e rigjetur, për ta kuptuar edhe më fuqishëm se çka është bota e librit. Tash është një tjetër kohë e imagjinatës që shfaqet në realitetin jetësor përmes veprës dhe që bëhet e pavdekshme”, u shpreh Bashota.

    Librat “Mahnitja e parë” e Demë Topallit dhe “Misioni i Shkrimtarit” ese të nobelistit Elias Canetti, janë përkrahur për botim nga Komuna e Prishtinës. Ndërsa, veprat “Lexuesit e kartëmortaleve” e Binak Kelmendit dhe “Mëkati i buzëqeshjes” e Sali Bashotës janë përkrahur nga Komuna e Fushë Kosovës. / KultPlus.com