ATV

Blog

  • LDK hap zyrtarisht fushatën elektorale në Prishtinë

    LDK hap zyrtarisht fushatën elektorale në Prishtinë

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka hapur zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 7 qershor në Kosovë. Tubimi qendror u mbajt në sallën 1 Tetori në Prishtinë, ku u prezantua programi zgjedhor i partisë dhe kandidatët për deputetë.

    Kryetari i LDK-së dhe kandidati për Kryeministër të Republikës së Kosovës, Lumir Abdixhiku e cilësoi këtë tubim si fillimin e një kapitulli të ri për Kosovën teksa kritikoi gjendjen ekonomike dhe sociale në vend, duke thënë se qytetarëve po u kërkohet të mësohen me pak.

    Abdixhiku u zotua për krijimin e Ministrisë së Familjes, mbështetje prej 200 eurosh në muaj për çdo të porsalindur gjatë vitit të parë, shtesa për fëmijë deri në moshën 16-vjeçare, 40 mijë vende të reja të punës dhe dyfishim të pensioneve, duke premtuar se asnjë pension nuk do të jetë nën 300 euro.

    Në fushën e energjisë, Abdixhiku premtoi ndërtimin e një centrali të ri me gaz amerikan.

    Në këtë tubim foli edhe kandidatja për presidente me numrin 1 në listën e LDK-së, Vjosa Osmani, ku tha se Kosova nuk do të lejohet të dëmtohet nga përçarjet politike, por do të vazhdojë rrugën e ndërtimit dhe integrimit.

    Lidhja Demokratike e Kosovës garon me numrin 113 në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

  • Fund i një epoke te Drita, futbollisti largohet pas gjashtë vitesh e gjysmë me mesazh emocionues

    Fund i një epoke te Drita, futbollisti largohet pas gjashtë vitesh e gjysmë me mesazh emocionues

    Pas gjashtë vitesh e gjysmë të mbushura me suksese, emocione dhe trofe, një prej futbollistëve më të rëndësishëm të FC Drita ka konfirmuar largimin nga klubi gjilanas përmes një mesazhi prekës në rrjetet sociale.

    Futbollisti, i cili ishte pjesë e një prej periudhave më të arta në historinë e klubit, u përshëndet me klubin dhe tifozët duke e cilësuar Dritën si “shtëpinë” e tij dhe vendin ku ka përjetuar momentet më të bukura të karrierës.

    Në mesazhin e tij emocional, ai theksoi krenarinë për kontributin në sukseset e klubit, ku së bashku me ekipin arriti të fitojë tre tituj kampioni dhe një Superkupë, duke lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e skuadrës bardhekaltër.

    “Po largohem krenar që kam qenë pjesë e periudhës më të suksesshme në historinë e klubit. Çdo fitore, çdo emocion dhe çdo sfidë e kaluar së bashku do të mbeten gjithmonë pjesë e kujtimeve të mia”, thuhej ndër të tjera në mesazhin e tij.

    Ai falënderoi presidentët e klubit, trajnerët, bashkëlojtarët dhe gjithë stafin për mbështetjen ndër vite, ndërsa një falënderim të veçantë ua dedikoi tifozëve “Intelektualët”, të cilët sipas tij kanë qenë gjithmonë forca më e madhe e ekipit.

    Largimi i tij shënon fundin e një epoke të rëndësishme për FC Drita, pasi gjatë viteve të fundit ai ishte një nga figurat kyçe të skuadrës në sukseset vendore dhe paraqitjet në garat evropiane.

  • Meriton Korenica shkëlqen në Rumani, përfshihet në formacionin e sezonit

    Meriton Korenica shkëlqen në Rumani, përfshihet në formacionin e sezonit

    Meriton Korenica ka marrë një vlerësim të madh në futbollin rumun, pasi është përzgjedhur në formacionin më të mirë të sezonit pas paraqitjeve mbresëlënëse gjatë këtij edicioni.

    Ylli kosovar ka qenë një nga futbollistët më të dalluar në kampionat, duke fituar vendin e tij mes më të mirëve falë vazhdimësisë, ndikimit në lojë dhe statistikave të shkëlqyera gjatë gjithë sezonit.

    Sipas publikimit zyrtar të formacionit ideal, Meriton Korenica është shpërblyer për kontributin e madh në skuadrën e tij, ku ka qenë një nga lojtarët kyç në repartin ofensiv.

    27-vjeçari e mbylli sezonin me 39 paraqitje në kampionat, duke realizuar nëntë gola dhe katër asistime, shifra që e rendisin ndër futbollistët më produktivë në pozitën e tij.

    Përveç statistikave, Korenica është vlerësuar edhe për energjinë, kreativitetin dhe punën e madhe në fushë, duke qenë një faktor i rëndësishëm si në fazën sulmuese, ashtu edhe në presionin ndaj kundërshtarëve.

    Ky sukses konsiderohet një lajm shumë pozitiv edhe për Kombëtarja e Kosovës, pasi mesfushori ofensiv po kalon një formë shumë të mirë dhe pritet të jetë një armë e rëndësishme për “Dardanët” në sfidat e ardhshme.

  • Vedat Muriqi drejt largimit nga Mallorca, “Pirati” favorizon rikthimin te Fenerbahçe

    Vedat Muriqi drejt largimit nga Mallorca, “Pirati” favorizon rikthimin te Fenerbahçe

    Vedat Muriqi duket se është pranë fundit të aventurës së tij me RCD Mallorca, pasi sulmuesi kosovar pritet të zhvillojë nesër një takim të rëndësishëm me drejtuesit e klubit spanjoll për të diskutuar largimin e tij.

    Pas rënies së Mallorcas në kategorinë e dytë të futbollit spanjoll, e ardhmja e “Piratit” është kthyer në një nga temat më të përfolura të merkatos verore.

    Sipas mediave turke, interesimi për Vedat Muriqi është i madh, por në garën për transferimin e tij po kryesojnë dy gjigantët turq, Fenerbahçe SK dhe Galatasaray SK.

    Megjithatë, raportimet nga Turqia bëjnë të ditur se sulmuesi nga Prizreni e ka refuzuar ofertën e Galatasarayt, duke mos dashur të transferohet te rivali i madh i ish-klubit të tij.

    Mediumi turk “Fanatik” shkruan se prioriteti kryesor i Muriqit mbetet rikthimi te Fenerbahçe SK, klub ku ai kishte shkëlqyer para transferimit në Serie A dhe La Liga.

    Po sipas të njëjtit burim, Muriqi pritet t’u kërkojë drejtuesve të Mallorcas uljen e klauzolës së lirimit, në mënyrë që transferimi të realizohet më lehtë gjatë verës.

    “Vedat Muriqi do të takohet me drejtuesit e Mallorcas për të diskutuar të ardhmen e tij. Futbollisti synon ta lehtësojë largimin përmes një marrëveshjeje më të favorshme financiare”, raportojnë mediat turke.

    Ndërkohë, sulmuesi kosovar ka munguar në grumbullimin e Kombëtarja e Kosovës për ndeshjet miqësore të qershorit, pasi ka kërkuar pushim pas një sezoni të ngarkuar. Megjithatë, rikthimi i tij pritet në muajin shtator për sfidat e UEFA Nations League.

  • Steven Spielberg kundër përdorimit të AI në film: “Arti nuk krijohet pa shpirt njerëzor”

    Steven Spielberg kundër përdorimit të AI në film: “Arti nuk krijohet pa shpirt njerëzor”

    Steven Spielberg ka shprehur shqetësimin e tij për përdorimin gjithnjë e më të madh të inteligjencës artificiale në industrinë e filmit, duke theksuar se teknologjia nuk mund të zëvendësojë krijimtarinë njerëzore.

    Gjatë një interviste në podcast-in “IMO”, të moderuar nga Michelle Obama dhe Craig Robinson, regjisori legjendar tha se AI mund të ndihmojë në aspektet teknike të produksionit, por jo në procesin artistik të krijimit të filmave.

    Sipas Spielberg, inteligjenca artificiale mund të përdoret si mjet ndihmës për kërkime apo organizim teknik, por nuk duhet të marrë rolin e skenaristëve dhe krijuesve. Ai theksoi se filmat burojnë nga përvoja, ndjeshmëria dhe emocionet njerëzore, gjëra që teknologjia nuk mund t’i kopjojë.

    Qëndrim të ngjashëm ka shprehur edhe Leonardo DiCaprio, i cili më herët kishte deklaruar se inteligjenca artificiale nuk është në gjendje të krijojë art autentik, pasi i mungon humaniteti.

    Debati mbi përdorimin e AI në Hollywood po bëhet gjithnjë e më i madh, ndërsa shumë figura të industrisë po kërkojnë kufizime në përdorimin e saj në proceset krijuese të kinemasë.

  • Dokumentari i ri për Michael Jackson shkakton reagime të forta ndaj Netflix

    Dokumentari i ri për Michael Jackson shkakton reagime të forta ndaj Netflix

    Netflix është përballur me kritika dhe reagime të shumta në rrjetet sociale pas paralajmërimit të dokumentarit të ri Michael Jackson: The Verdict, i cili rikthen në vëmendje gjyqin e famshëm të Michael Jackson.

    Dokumentari fokusohet në procesin gjyqësor të vitit 2003, kur artisti u akuzua për abuzim seksual ndaj të miturve, një rast që në atë kohë mori vëmendje të madhe mediatike në mbarë botën. Në projekt përfshihen rrëfime dhe dëshmi nga persona që kanë qenë pjesë e procesit, përfshirë anëtarë të jurisë, dëshmitarë dhe mbrojtës të këngëtarit.

    Megjithatë, publikimi i dokumentarit ka nxitur reagime të shumta nga fansat e Michael Jackson, të cilët e kanë konsideruar të papërshtatshëm momentin e publikimit, vetëm pak kohë pas daljes së filmit biografik për jetën e artistit.

    Në rrjetet sociale, shumë përdorues kanë rikujtuar faktin se Jackson ishte shpallur i pafajshëm nga gjykata, ndërsa disa të tjerë kanë akuzuar Netflix-in se po përfiton nga rikthimi i interesit për figurën e tij.

    Nga ana tjetër, regjisori Nick Green dhe producentja Fiona Stourton kanë deklaruar se dokumentari synon të sjellë një pasqyrë më të plotë dhe objektive të procesit gjyqësor, duke treguar detaje që publiku nuk pati mundësi t’i shihte gjatë kohës së gjyqit.

  • Netflix i jep fund “Emily in Paris”, seriali mbyllet me sezonin e gjashtë

    Netflix i jep fund “Emily in Paris”, seriali mbyllet me sezonin e gjashtë

    Emily in Paris do të përfundojë zyrtarisht pas sezonit të gjashtë, duke i dhënë fund një prej serialeve më të ndjekura dhe më të komentuara të viteve të fundit në Netflix.

    Lajmi është konfirmuar nga krijuesi i serialit, Darren Star, i cili falënderoi publikun për mbështetjen dhe dashurinë që i kanë dhënë historisë së Emily Cooper ndër vite.

    Seriali ndjek jetën e Emily-t, një vajzë amerikane nga Çikago, e interpretuar nga Lily Collins, e cila zhvendoset në Paris për punë dhe përballet me sfida të ndryshme mes karrierës, dashurisë dhe jetës sociale në kryeqytetin francez.

    Sipas Netflix, xhirimet për sezonin final tashmë kanë nisur në Greqi, ndërsa një pjesë e skenave do të realizohen edhe në Paris dhe Monako. Sezoni i ri pritet të vazhdojë historinë e lënë pezull në fund të sezonit të pestë, ku Gabriel, personazhi i luajtur nga Lucas Bravo, e fton Emily-n në një udhëtim romantik në Greqi.

    Që nga publikimi në vitin 2020, “Emily in Paris” është kthyer në një fenomen global, duke frymëzuar trende mode, meme dhe interes të madh për Parisin. Megjithatë, seriali është përballur edhe me kritika për mënyrën e idealizuar dhe stereotipike me të cilën e paraqet jetën në Francë.

  • “Star Wars: The Mandalorian and Grogu” debuton me 165 milionë dollarë në arkat botërore

    “Star Wars: The Mandalorian and Grogu” debuton me 165 milionë dollarë në arkat botërore

    Star Wars: The Mandalorian and Grogu ka nisur me sukses rrugëtimin në kinematë botërore, duke arritur të grumbullojë rreth 165 milionë dollarë nga shitja e biletave në mbarë globin.

    Nga ky total, mbi 102 milionë dollarë janë siguruar vetëm nga tregu i Amerikës së Veriut, konkretisht në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, sipas të dhënave të publikuara nga Disney.

    Megjithëse filmi ka tejkaluar pritshmëritë e fundjavës së parë, ai shënon njëkohësisht hapjen më të ulët për një film të sagës “Star Wars” nën produksionin e Disney.

    Saga ikonike “Star Wars” nisi me historinë e Luke Skywalker, një djalosh fermer që përfshihet në luftën kundër Perandorisë Galaktike, ndërsa përpiqet të shpëtojë Princeshën Leia dhe të kuptojë fuqinë misterioze të njohur si “Forca”.

  • 9 filmat më të përfolur në Kanë që mund të jenë pretendentë për Oscar

    9 filmat më të përfolur në Kanë që mund të jenë pretendentë për Oscar

    Festivali i Filmit në Kanë ka mbyllur siparin, por vëmendja tashmë është zhvendosur te filmat që mund të dominojnë sezonin e ardhshëm të çmimeve Oscar. Shumë prej produksioneve që patën premierën në Kanë po konsiderohen si favoritë të hershëm, falë temave të forta, interpretimeve të vlerësuara dhe reagimeve pozitive nga kritika ndërkombëtare.

    Ja disa nga filmat që po përfliten më së shumti:

    “Fjord”
    Fituesi i Palmës së Artë këtë vit, “Fjord”, me regji të Cristian Mungiu, trajton përplasjen mes konservatorizmit fetar dhe shoqërisë moderne. Filmi ndjek historinë e një çifti rumun që zhvendoset në Norvegji dhe përballet me akuza për abuzim ndaj fëmijëve. Në role kryesore luajnë Sebastian Stan dhe Renate Reinsve.

    “Club Kid”
    Një nga surprizat e festivalit ishte “Club Kid”, film i shkruar dhe drejtuar nga Jordan Firstman. Historia ndjek jetën e një djali të fiksuar pas festave, i cili zbulon papritur se ka një djalë 10-vjeçar. Kritikët e kanë krahasuar me suksesin “Anora” për shkak të humorit dhe emocionit që përcjell.

    “La Bola Negra / The Black Ball”
    Saga spanjolle me përmasa epike sjell tri histori të vendosura në periudha të ndryshme kohore dhe trajton mënyrën se si marrëdhëniet homoseksuale janë fshirë nga historia spanjolle. Në film luajnë Penélope Cruz dhe Glenn Close.

    “Soudain / All of a Sudden”
    Regjisori Ryusuke Hamaguchi rikthehet me një dramë emocionale që zhvillohet në Paris. Filmi trajton lidhjen mes një drejtoreshe azili dhe një dramaturgu japonez me kancer terminal. Edhe pse sfidues për publikun, kritikët e kanë cilësuar si një nga filmat më prekës të vitit.

    “The Man I Love”
    Rami Malek konsiderohet kandidat serioz për nominim, falë rolit të tij si këngëtar homoseksual me AIDS në Nju Jorkun e viteve ’80. Drama indie e Ira Sachs sjell një histori të ndjeshme për artin, sëmundjen dhe jetën.

    “Notre Salut / A Man of His Time”
    Kjo dramë historike e Emmanuel Marre fokusohet te bashkëpunimi i një burokrati francez me regjimin e Vichy-t gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke sjellë reflektime të forta mbi diktaturën dhe moralin njerëzor.

    “El ser querido / The Beloved”
    Javier Bardem interpreton një regjisor të famshëm që zgjedh vajzën e tij për rolin kryesor në filmin e tij më të ri. Kritika e ka vlerësuar si një nga performancat më të mira të karrierës së aktorit spanjoll.

    “Moulin”
    Regjisori László Nemes rikthehet me një thriller historik mbi Jean Moulin, liderin e Rezistencës Franceze gjatë Luftës së Dytë Botërore. Filmi përshkruhet si një kombinim mes dramës së luftës dhe thrillerit psikologjik.

    “Minotaur”
    Andrey Zvyagintsev sjell një thriller kriminal të vendosur në Rusinë moderne. Filmi ndjek historinë e një oligarku që zbulon tradhtinë e bashkëshortes, ndërsa në sfond trajtohen edhe temat politike dhe lufta në Ukrainë.

    Pas përfundimit të Festivalit të Kanës, këta filma po konsiderohen si pretendentët më seriozë për të qenë pjesë e garës së madhe në Oscar, ndërsa sezoni i çmimeve sapo ka filluar.

  • Shefi i spiunazhit rus pretendon se NATO-ja po planifikon një “konflikt të madh në lindje”

    Shefi i spiunazhit rus pretendon se NATO-ja po planifikon një “konflikt të madh në lindje”

    Shefi i spiunazhit të Rusisë, Sergei Naryshkin ka akuzuar NATO-n se po përgatitet për një “konflikt të madh në lindje”, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve RIA.

    Sergei Naryshkin, kreu i shërbimit të inteligjencës së jashtme ruse SVR, ka pretenduar se aleanca po bën përgatitje praktike për një konflikt të tillë.

    Ai është cituar gjithashtu të ketë thënë se Bashkimi Evropian po armatoset me shpejtësi dhe po shndërrohet në një aleancë ushtarake “të drejtuar kundër Rusisë”.