ATV

Blog

  • 23 vjeçari në SHBA vret 8 persona

    23 vjeçari në SHBA vret 8 persona

    Ka marrë fund arratia e personit të armatosur përgjegjës për vrasjen e 8-fishtë që u regjistruan në zona të ndryshme të qytetit Joliet të Illinois, fundjavën e kaluar.

    Autori, 23-vjeçari Romeo Nance, u qëllua për vdekje pranë qytetit Natalia në Teksas gjatë një konfrontimi me forcat e policisë, të cilat ishin ngritur në këmbë për kapjen e tij.

    Romeo i kreu vrasjet në vende të ndryshme të qytetit të vogël. 7 nga viktimat u gjetën në 2 shtëpi, teksa e 8 u zbulua të dielën.

    Në një deklaratë, departamenti i policisë Joliet tha se Nance ishte pikasur nga Marshallët e SHBA-së, pranë Natalias rreth orës 20:30, shkruan A2CNN.

    Motivi i sulmit nuk është bërë menjëherë i qartë, por i dyshuari besohet se i ka njohur viktimat.

  • Konjufca dhe Basha takohen në Këshillin e Evropes, Basha: Do ngrejmë zërin që edhe Kosova të jetë pjesë e saj

    Konjufca dhe Basha takohen në Këshillin e Evropes, Basha: Do ngrejmë zërin që edhe Kosova të jetë pjesë e saj

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe deputeti i parlamentit shqiptar, Lulzim Basha janë takuar këtë të martë në objektin e Këshillit të Evropes, raporton Ekonomia Online.

    Kjo është bërë e ditur nga vet Basha i cili ka postuar fotografi ku shihen së bashku.

    “Kënaqësi të takoja në KiE kryetarin e Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca. Bashkëpunimi dhe bashkërendimi mes shqiptarëve në këto kohë sfidash, është shumë i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon.

    Unë dhe PD do të jemi në krah të Kosovës dhe do të ngremë zërin në institucionet ndërkombëtare, që Kosova të bëhet sa më parë pjesë dhe të ndalet përpjekja e Serbisë për destabilizim”, ka shkruar ai në Facebook.

  • Pejë: Vjehrra dhe kunata ushtrojnë dhunë ndaj nuses, ajo i denoncon në Polici

    Pejë: Vjehrra dhe kunata ushtrojnë dhunë ndaj nuses, ajo i denoncon në Polici

    Një rast i dhunes ndodhur në një familje në fshatin Loxhë të Pejë, ku dy grua dyshohen se ka ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes së djalit/vëllait të tyre.

    Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 47-vjeçarja e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka rrëfyer se vjehrra dhe kunata kanë ushtruar dhunë psikike ndaj saj, duke i bërë presion.

    Përballë kësaj situate, viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku ka deklaruar se ndër të tjera, nëna dhe motra e burrit të saj edhe e kanë ofenduar me fjalë si “oj lapericë, kurvë…”

    Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë shoqëruar në stacion policor të dyshuarat, të cilat janë intervistuar lidhur me rastin.

    Po ashtu në kuadër të veprimeve hetimore është marrë edhe dëshmia e bashkëshortit të viktimës.

    Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj dy të dyshuarave është iniciuar për veprën penale ‘Dhunë në familje’.

  • NATO-ja blen municione në vlerë të 1.1 miliardë eurove

    NATO-ja blen municione në vlerë të 1.1 miliardë eurove

    NATO-ja ka nënshkruar kontratë në vlerë të 1.1 miliardë eurove për municion artilerie 155 milimetrash, ka thënë të martën aleanca.

    Një pjesë e tyre do të dërgohen në Ukrainë, pas ankesave të këtij vendi se mungesa e municioneve është duke i penguar përpjekjet për mbrojtje kundër pushtimit rus.

    “Lufta në Ukrainë është bërë betejë municionesh”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Soltenberg, pas ceremonisë së nënshkrimit të kontratës në selinë e aleancës në Bruksel.

    NATO-ja e ka nënshkruar marrëveshjen në emër të shumë aleatëve që ose do t’i dërgojnë municionet në Ukrainë, ose do t’i ruajnë në magazinat e tyre ushtarake.

    Blerja e muncioneve me shumicë u garanton atyre çmime më të ulëta.

    Vendet e NATO-s pritet të pranojnë rreth 220.000 pjesë municionesh artilerie, dhe dërgesat e para pritet të lëshohen në fund të vitit 2025, ka thënë një zyrtar i NATO-s për agjencinë e lajmeve Reuters.

    Ato do të prodhohen prej kompanisë franceze Nexet dhe asaj gjermane Junghans.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

    Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

  • Berisha për herë të parë në SPAK: Nuk u mor vesh kush pyeti më shumë, ata apo unë

    Berisha për herë të parë në SPAK: Nuk u mor vesh kush pyeti më shumë, ata apo unë

    Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, është paraqitur për herë të parë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme në Shqipëri për t’u marrë në pyetje sa i takon aferës së ish-klubit sportiv “Partizani”.

    Ai ka dalë nga banesa e tij i shoqëruar nga forca policie, por i buzëqeshur duke thënë një fjali të vetme: “Beteja pa kthim vazhdon!”

    I pyetur nga gazetarwt se cilat ishin pyetjet që i drejtuan prokurorët e SPAK, ish-kryeministri Berisha tha se “nuk u mor vesh kush drejtoi më shumë pyetje, ata mua apo unë atyre”.

    “Mjeranë që ripërsërisnin trillimet e tyre. Se ligji thoshin… ku u tregova ligjin e 2004 dhe nenin për shpronësimet. Por ata e kanë fshehur… Rama është personi… nëse Berisha s’ka asnjë firmë në procesin e blerjen, ia ka një sërë firmash. Akuza që më bëhet se e ndryshova destinacionin për të favorizuar Malltezin, është njësoj si të thuash se bleva Ramën për të favorizuar dhëndrin. Rama ka firmosur ndryshimin e destinacionit, kur ishte pronë shtetërore. Si ka mundësi që Rama firmos lejen e sheshit të ndërtimit dhe ju nuk guxoni ta përmendni. Si ka mundësi që injoroni emrin e Ramës, kur gjykata e ka dënuar”, ka thënë Berisha, shkruan Top channel, transmeton KosovaPress.

    Berisha ndodhet në arrest shtëpiak që prej 30 Dhjetorit. Nuk dihet ende nëse ai do pranojë të shkojë në SPAK, pasi në kohën kur i ishte caktuar masa e sigurisë “Detyrim paraqitje” nuk e zbatoi asnjëherë duke e cilësuar vendimin e gjykatës si antikushtetues.

    Ai akuzohet për “korrupsion pasiv” lidhur me aferën, për të cilën u prangos edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi. Ky i fundit është nën hetim për pastrim parash.

  • Të hyrat nga interesi, bankat e Kosovës fituan 123.7 milionë euro për tre muaj

    Të hyrat nga interesi, bankat e Kosovës fituan 123.7 milionë euro për tre muaj

    Bankat e Kosovës raportohet se po vazhdojnë të përformojnë me fitime të larta. Në tremujorin e tretë të vitit 2023, bankat kanë pasur një profit neto prej 123.7 milionë eurove, sipas BQK-së.

    Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës, një rezultat i tillë ka ardhur për shkak të rritjes të së hyrave, që kanë qenë më të larta në krahasim me vitin e kaluar.

    “Rezultati i tillë financiar u arrit kryesisht nga rritja e të hyrave, e cila ishte më e lartë se një vit më parë, përderisa edhe shpenzimet vazhduan trendin rritës për të dytin vit me radhë…” – thuhet në raport mes tjerash.

    Ndërkaq, sipas BQK-së, gjithsej të hyrat kanë arritur vlerën prej 317 milionë eurove, që është një rritje prej 17.2 për qind prej vitit të kaluar.

    Në këtë rritje, kryesisht kanë ndikuar të hyrat nga interesi, që përfaqësijnë 74.0 për qind të të hyrave.

    “Gjithsej të hyrat arritën vlerën prej 317.1 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 17.2 përqind (13.6 përqind deri në shtator 2022). Në rritjen e të hyrave kontributin kryesor e kishin të hyrat nga interesi, që përfaqësojnë 74.0 përqind të gjithsej të hyrave. Në kuadër të të hyrave nga interesi, arkëtimet nga interesi në kredi kontribuuan kryesisht në këtë rritje, kategori e ndikuar prej rritjes së theksuar të kreditimit, posaçërisht në tri vitet e fundit, si dhe rritjes së normave të interesit në kredi. Për më tepër, të hyrat nga plasmanet me bankat janë rritur theksueshëm krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.” – thuhet tutje.

  • Dëshmitarja e 41-të e ZPS-së në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve vazhdon dëshminë në sesion privat

    Dëshmitarja e 41-të e ZPS-së në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve vazhdon dëshminë në sesion privat

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon dëshminë dëshmitarja e 41-të e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) me kodin W04489 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Me të fillluar seanca, kryetari i trupit gjykues Charles Smith III kërkoi që të kalohet në sesion privat për të diskutuar për një çështje dhe si e tillë vazhdoi.

    Ndërsa, se dëshmitarja e 41-të po e vazhdon dëshminë e saj është bërë e ditur përmes një njoftimi nga DhSK.

    Para se të kalohet në sesion privat, gjyqtari Smith III tha se të gjithë të akuzuarit ishin prezent në sallën e gjykimit përveç Jakup Krasniqit, i cili ishte i pranishëm përmes video-lidhjes.

    Përveç të akuzuarit Krasniqi, edhe gjyqtari Guenawl Mettraux është duke e ndjekur gjykimin përmes video-lidhjes dhe sipas Smith III kjo gjë ka ndodhur për shkak të disa problemeve personale të gjyqtarit.

    Nën masa mbrojtëse, dëshmitarja e 41-të ka filluar dëshminë e saj më 17 janar 2024../Betimi për drejtësi

  • ​Inaugurohet Forumi për Komunitetet joshumicë

    ​Inaugurohet Forumi për Komunitetet joshumicë

    Është inauguruar Formumi për Komunitetet joshumicë. Zëvendëskryeministrja e Kosovës për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, tha se ky takim do të shërbejë si platformë për fuqizimin e komuniteteve joshumicë.

    Ajo po ashtu tha se ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi ndërmjet Republikës së Kosovës dhe ICO Kosovo Limited, i cili do të avokojë për zhvillimin ekonomik në zonat ku jetojnë komunitetet joshumicë.

  • ​Qeveria e Kosovës dhe Organizata Ndërkombëtare e Komuniteteve me memorandum bashkëpunimi

    ​Qeveria e Kosovës dhe Organizata Ndërkombëtare e Komuniteteve me memorandum bashkëpunimi

    Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Organizata Ndërkombëtare e Komuniteteve (International Communities Organization) kanë nënshkruar Memorandum të Mirëkuptimit.

    Ceremonia e nënshkrimit u bë në prani të kryeministrit, Albin Kurti, ndërsa marrëveshja u firmos nga zëvendëskryeministrja, Emilija Rexhepi.

    Ky Memorandum do të shërbejë si bazë e investimeve me qëllim krijimin e vendeve të reja të punës me fokus te komunitetet jo shumicë, ngritjen e projekteve infrastrukturore dhe fuqizimin e ndërmarrjeve në qëllim të rritjes së stabilitetit në komuna.

    “Republika e Kosovës është shtet demokratik e shumetnik, vend i të gjithë qytetarëve të saj. Qeveria jonë është e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit e mbrojtjes së të drejtave të të gjithëve pa dallim. Sjellja e projekteve të reja është gjithmonë në qëllim të rritjes së prosperitetit, mirëkuptimit dhe bashkëjetesës ndërmjet qytetarëve tanë”, thuhet në komunikatën për media.

  • Pjetër Shalës i vazhdohet paraburgimi

    Pjetër Shalës i vazhdohet paraburgimi

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim që Pjetër Shalës t’i vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj të tjerë.

    Me vendimin e 19 janarit 2024, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, ka urdhëruar Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe mbrojtjen e viktimave që nëse dëshirojnë t’i paraqesin parashtrimet e veta për shqyrtimin e radhës të paraburgimit, duhet ta bëjnë jo më vonë se 5 marsi 2024.

    Ky është shqyrtimi i 15-të i paraburgimit për të akuzuarin Shala.

    “Për arsyet e lartpërmendura, Paneli përmes kësaj: a. URDHËRON vazhdimin e paraburgimit të të akuzuarit; b. URDHËRON ZPS-në dhe avokatin e viktimave, nëse ai dëshiron, të paraqesë parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të të akuzuarit jo më vonë se e marta, 5 mars 2024; c. URDHËRON mbrojtjen që të paraqesë parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të të akuzuarit, nëse dëshiron, jo më vonë se e marta, 12 mars 2024; dhe d. PËRCAKTON që çdo përgjigje, nëse ZPS-ja dhe mbrojtësi i viktimave dëshirojnë, do të dorëzohet jo më vonë se e premtja, 15 mars 2024”, thuhet në vendimin për shqyrtimin e 15-të të paraburgimit për Pjetër Shalën.

    Në parashtrimet e veta, ZPS-ja kishte pohuar se vazhdimi i paraburgimit për të akuzuarin është i domosdoshëm pasi që sipas tyre asnjë rrethanë nuk ka ndryshuar që nga vlerësimi i panelit për shqyrtimin e 14-të të paraburgimit për Shalën.

    “Më konkretisht, ZPS rikujton se, në vendimin e tij të katërmbëdhjetë për paraburgimin, trupi gjykues konstatoi se ekzistonte një dyshim (mirë) i bazuar se i akuzuari ka kryer krime të shumta brenda juridiksionit të DhSK-së dhe pohon se asnjë rrethanë që mund ta ndryshojë këtë përcaktim nuk është përfshirë që atëherë”, thuhet në vendim, sipas Betimit për Drejtësi.

    Tutje, në vendim thuhet se ZPS-ja mban qëndrimin se rreziku i arratisjes ekziston duke argumentuar se gjykimi është drejt fundit dhe kjo gjë e rritë edhe me tej rrezikun.

    “ZPS-ja përsërit më tej argumentin e saj se të gjitha këto rreziqe mund të zbuten vetëm me mbajtjen e vazhdueshme të të akuzuarit në objektet e paraburgimit të DhSK-së, ku komunikimet dhe lëvizja e tij mund të monitorohen dhe kufizohen në mënyrë efektive”, thuhet në vendim.

    Ndërsa, mbrojtja e Shalës ka pohuar se vazhdimi i paraburgimit për të akuzuarin është i paligjshëm.

    “Mbrojtja pohon se vazhdimi i paraburgimit të të akuzuarit është i paligjshëm dhe se lirimi i tij me kusht është i garantuar, pasi ZPS nuk ka dëshmuar se paraburgimi i tij mbetet i nevojshëm në kohën e shqyrtimit”, thuhet në vendim, duke theksuar që në parashtrimet e veta mbrojtja ka thënë se duhet të merret parasysh sjellja e mirë e të akuzuarit në objektet e paraburgimit të DhSK-së.

    Mbrojtja ka pohuar se i akuzuari nuk ka rrezik të ikë dhe se konkludimi i ZPS-së lidhur me këtë çështje, sipas tyre është spekulativ dhe i pabazuar.

    “Lidhur me rrezikun e arratisjes, mbrojtja pohon se i akuzuari nuk rrezikon ikjen dhe kujton gjetjen e Panelit në vendimin e katërmbëdhjetë të paraburgimit në lidhje me këtë. Ajo shton se parashtresa e ZPS-së se mbyllja e afërt e procedurës rrit rrezikun e ikjes së të akuzuarit është e pabazuar, spekulativ dhe nuk mund të përbënte një rrethanë ndërhyrëse që do të ndryshonte gjetjen e mëparshme të Panelit”, thuhet tutje.