ATV

Blog

  • BE e konfirmon ardhjen e Lajçakut në Prishtinë, dialogu temë kyçe

    BE e konfirmon ardhjen e Lajçakut në Prishtinë, dialogu temë kyçe

    Bashkimi Evropian ka konfirmuar se i dërguari i Posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pas vizitës sot në Beograd, nesër do të jetë në Prishtinë.

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se ky takim është pjesë e kontaktit dhe ndërveprimit të tij të vazhdueshëm me partnerët për t’i ndihmuar të ecin përpara në dialog.

    “Mund të konfirmoj se EUSR Lajčák takohet me presidentin serb Vuçiq sot në Beograd dhe nesër do të jetë në Prishtinë për takime me homologët e Kosovës. Kjo është pjesë e kontaktit dhe ndërveprimit të tij të vazhdueshëm me partnerët për t’i ndihmuar ata të ecin përpara në procesin e Dialogut të lehtësuar nga BE”, tha Stano në një përgjigje dhënë për Reporteri.

    Lajçak do të takohet me Vuçiqin sot në ora 12:30, për të vazhduar më pas për në Prishtinë.

    Këto takime vijnë pikërisht para se të hyjë në fuqi rregullorja e re e BQK-së, për përjashtimin e dinarit serb si valutë e përdorshme për transaksione në vend.

    Gjatë ditës së djeshme, vendet e QUINT-it kërkuan që të pezullohet zbatimi i këtij vendimi.

    Theksojmë se pas 14 shtatorit nuk ka pasur më takime në nivelin më të lartë politik në kuadër të Dialogut.

    Në fund të muajit dhjetor Lajçak kërkoi që si Kosova poashtu dhe Sebia të fillojnë zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Kosova të ecë para me themelimin e Asociacionit dhe Serbia paralelisht të përmbushë pjesët thelbësore të obligimeve të saj.

    “Presim që të dyja palët të veprojnë në frymën e dialogut dhe pajtimit me retorikën dhe veprimet e tyre. Situata në veri të Kosovës është e ndjeshme/e brishtë dhe siç e kam thënë shumë herë, nuk mund të kemi as përshkallëzim, as tensione dhe progres në normalizimin e marrëdhënieve njëkohësisht. BE-ja do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën për të siguruar që proceset ligjore dhe sundimi i ligjit respektohen plotësisht. Të gjithë pajtohen se qytetarët e veriut të Kosovës, pavarësisht nëse janë nga komuniteti shumicë apo joshumicë, duhet të gëzojnë të mirat e sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë. Shumë nga këto çështje do të kanalizoheshin dhe menaxhoheshin përmes Asociacionit. Kjo është një arsye tjetër pse është urgjente që Asociacionit të krijohet pa vonesë. Më duhet gjithashtu të përsëris edhe një herë se dialogu nuk mund të anashkalohet sepse është e vetmja platformë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura dhe burimeve potenciale të fërkimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo konfirmohet nga të gjitha deklaratat e fundit zyrtare të Bashkimit Evropian dhe konkluzionet e Këshillit Evropian”, kishte thënë Lajçak.

  • 25 vjet nga deklarata historike e Grupit të Kontaktit në Londër

    25 vjet nga deklarata historike e Grupit të Kontaktit në Londër

    Masakra në Reçak përfundimisht e përjashtoi mundësinë e një marrëveshjeje për paqe në bisedime të drejtpërdrejta shqiptaro-serbe, siç ishte propozuar për disa vite me radhë.

    Pas kësaj masakre u rrit aktiviteti diplomatik në relacionin Uashington-NATO-Bruksel-Grup i Kontaktit, ku dhe të gjithë kishin arritur pajtimin se ideja për organizimin e një Konference duhej të kishte prioritet ndaj politikës së ultimatumeve.

    Më 29 janar 1999, Grupi i Kontaktit, i takuar në Londër në Pallatin Lancaster House, në afërsi të Pallatit Mbretëror “St.James”, doli me Deklaratën historike për mbajtjen e Konferencës në Rambuje, dhe miratoi parimet e pa negociuara, mbi të cilat duhej të ndërtohej Marrëveshja Kalimtare për Kosovën.

    Më 30 janar Këshilli i NATO-s e ripërtëriu vendimin e marr në tetorin e vitit të kaluar, duke vendosur kështu kornizë diplomatike për Konferencën.

    Fryma e Deklaratës së Grupit të Kontaktit nuk la vend dyshimi në vendosmërinë për të gjetur një zgjidhje e për të negociuar para pranverës. Është gati ultimatum, do të shprehet në librin e tij Paskal Milo.

    Në Beograd natyrshëm deklarata e Grupit të Kontaktit nuk është pritur mirë.

    Shqipëria zyrtare nëpërmjet ambasadorit të saj në Francë, Luan Rama kishte kërkuar nga këshilltari i posaçëm i Vedrinit, i ngarkuari për Kosovën, që Shqipërisë t’i jepej statusi i vëzhguesit, gjë që nuk u pranua.

    Si arsyetim këshilltari Fushe do të deklarojë se nuk do të ketë vëzhgues të tjerë nga Ballkani, dhe se në Rambuje nuk do të ketë konferencë ndërkombëtare si ajo e Parisit për Bosnjën.

    Vendosmëria për ndërhyrje ushtarake Grupi i Kontaktit i përkrahur nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, bashkë me NATO-n tanimë ishin pjesë e lojës.

    Qeveria amerikane në veçanti kishte filluar të bënte trysni për aksion të mundshëm ushtarak për ta ndalur represionin në Kosovë.

    Kërcënimi i përdorimit të forcës në raport me Kosovën nga SHBA-ja ishte bërë që nga viti 1992.

    ’Në rast të konfliktit në Kosovë, i cili do të shkaktohej nga veprimi i Serbisë, SHBA-ja do të ishte e gatshme të përdorte forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në vetë Serbinë’’, i kishte shkruar kryetari i atëhershëm, George Bush, Sllobodan Millosheviqit, kërcënim ky që u përsërit nga administrata e Bill Clinton.

    Ndërsa Javier Solana, sekretari i përgjithshëm i NATO-s kishte deklaruar se Aleanca, në përpjekjet e veta për ta përkrahur bashkësinë ndërkombëtare që të arrihej një marrëveshje e negociuar, kishte ‘’….rishikuar planifikimin ushtarak për një vistër mundësish që të ndalej dhuna dhe të krijoheshin kushtet për negociata. Këto e përfshijnë edhe përdorimin e forcave tokësore e ajrore, e posaçërisht një vistër të gjerë opsionesh për përdorimin vetëm të forcës ajrore. Këto sigurojnë që NATO-ja të mund të vepronte me shpejtësi dhe në formë efikase po të shfaqej nevoja’’.

    Këshilli i Sigurimit i OKB-së, kishte miratuar edhe rezolutat 1160 (1998), sipas së cilës Beogradi duhej të ndërpriste të gjitha veprimet luftarake, si dhe 1199 (1998), që ishin të bazuar në kapitullin e VII të Kartës së OKB-së. Një rezolutë e cila merret duke u mbështetur në Kapitullin e VII të Kartës së OKB-së, çmohet si hap i parë drejt masave më të ashpra të ndërmarra nga KS, të cilat mund të shkojnë deri tek intervenimi ushtarak.

  • Kryetari Alban Hyseni prezanton projektin e stacionit të autobusëve në Gjilan

    Kryetari Alban Hyseni prezanton projektin e stacionit të autobusëve në Gjilan

    Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka publikuar projektin e stacionit të autobusëve, i cili kap vlerën e 1 milion eurove.

    Ai në Facebook ka shkruar edhe pse në kushte jo të mirë operimi ndërmarrja ka pasur performancë të mirë, ndërsa me projektin e ri i ai ka thënë se sukseseve të kësaj ndërmarrje do i hiqen pengesat.

    “Kushte jo të mira operimi, ambiente jo të dinjitetshme dhe imazh jo i mirë! Me performanca impresionuese të ndërmarrjeve publike mungon edhe hapësira e punës si element plotësues. Me infrastrukturë të re e moderne, parkingje nëntokësore, sukseseve të ndërmarrjes nuk i qëndron më asnjë pengesë përpara”, ka shkruar Hyseni.

  • Vetaksidenti me vdekje në Gjilan, arrestohet edhe një i dyshuar

    Vetaksidenti me vdekje në Gjilan, arrestohet edhe një i dyshuar

    Policia ka njoftuar se është arrestuar i dyshuari i katërt për aksidentin me fatalitet që ka ndodhur më 25 janar në rrugën Gjilan- PKK Dheu i Bardhë.

    I dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “AKSIDENT TRAFIKU ME FATALITET- Rr. Nacionale Gjilan-PKK, Dheu i Bardh 25.01.2024 – 00:50. Në lidhje me rastin, me 28.01.2024 është arrestuar edhe i dyshuari tjetër (i katërti) mashkull kosovar dhe i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.”

    Në këtë aksident ka mbetur i vdekur një 28 vjeçar, ndërsa për rastin janë arrestuar tre persona të cilit nuk i kanë ndihmuar viktimës por janë larguar nga vendi i ngjarjes.

  • ZRrE miraton kërkesën e Alpex për bashkimin e tregjeve energjetike Kosovë – Shqipëri

    ZRrE miraton kërkesën e Alpex për bashkimin e tregjeve energjetike Kosovë – Shqipëri

    Zyra e Rregullatorit për Energji ka miratuar të hënën kërkesën e Alpex për fillimin e tregtimit të energjisë në kursin shqiptar. Ky proces pritet të fillojë nga 1 shkurti, që për ZRrE-në konsiderohet hap i rëndësishëm për vendin. Në mbledhjen e sotme të bordit të këtij institucioni, kryesuesi Ymer Fejzullahu tha se ky është rasti i parë i bashkimit të dy tregjeve.

    Sipas tij, ky është një hap i madh dhe se shpreson se do të jetë shembull edhe për vendet tjera për bashkim të tregjeve.

    “Është një hap i madh drejt finalizimit të një procesi që është filluar pothuajse dhjetë vjet më parë. Është një ditë e madhe për sektorin e energjisë, që ta kemi mundësinë që nga data 1 shkurt të shesin dhe blejnë energjinë në kursin shqiptar. Po shpresojmë që ky treg do të jetë në të ardhmen, një prej tregjeve më likuide në Ballkan, duke pasur parasysh se është në Ballkanin Perëndimor është rasti i parë kur në të njëjtën ditë fillon edhe krijimi i një tregu për zonën e Kosovës por edhe bashkimi i dy tregjeve”, deklaroi Fejzullahu.

    Tutje, theksoi se synohet që në të ardhmen të ketë bashkim të tregut edhe me Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë.

    Ndërkaq, Skender Muqolli nga Departamenti i Tregut në ZRrE theksoi se kërkesa e Alpex për fillimin e tregtimit i plotëson kushtet.

    “Alpex kërkon nga ZRrE miratimin e fillimit të tregtimit për zonën tregtare të Kosovës, e cila do të përkojë me vitin e fillimit të bashkimit të tregjeve të energjisë elektrike midis Shqipërisë dhe Kosovës, në përputhje edhe me parashikimet e nenit 5 të marrëveshjes kornizë mbi tregjet e energjisë elektrike në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, sipas marrëveshjes të nënshkruar në vitin 2021, në mes të Entit Rregullator të Shqipërisë, Zyrës Rregullatore të Energjisë, Operatori i Sistemit të Transmisionit në Shqipëri dhe KOST në Kosovë”, deklaroi ai.

    Në mbledhjen e bordit të ZRrE-së, Muqolli shtoi se Alpex ka përfunduar periudhën e parë të testimit për integrimin e sistemeve.

  • ​Hovenier takohet me guvernatorin e BQK-së, kërkon të shtyhet vendimi për dinarin serb

    ​Hovenier takohet me guvernatorin e BQK-së, kërkon të shtyhet vendimi për dinarin serb

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka njoftuar se është takuar me Guvernatorin e Bankës Qëndrore të Kosovës, Ahmet Ismaili.

    Në llogarinë e tij në X, Hovenier tha se ai përsëriti shqetësimet e Shteteve të Bashkuara në lidhje me vendimin e BQK-së sa i përket ndalimit të dinarit serb.

    “Sot pata një takim produktiv me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili. Përsërita shqetësimet e SHBA-së për zbatimin e rregullores së ndryshuar për operacionet me para. Ne kërkojmë që zbatimi të shtyhet për të lënë kohë të mjaftueshme për tranzicion efektiv dhe komunikim publik për të zbutur ndikimin negativ tek qytetarët”, tha Hovenier.

  • Gjykata shpall aktgjykimin për tentim vrasje të avokatit Gazmend Halilaj

    Gjykata shpall aktgjykimin për tentim vrasje të avokatit Gazmend Halilaj

    Me pesë vite e pesë muaj burgim janë dënuar dy të akuzuarit për tentim vrasjen e avokatit Gazmend Halilaj.

    Xhelal Zeqiri është dënuar me tri vite burgim ndërsa Ibrahim Lushtaku është dënuar me 2 vite e 5 muaj burgim.

    Gjykata, para se të shpallte aktgjykimin dënues bëri rikualifikim e veprës penale nga vrasja e rëndë në tentativë në vrasje në tentativë.

    Dy të akuzuarit janë dënuar edhe me nga një mijë euro gjobë secili për veprën penale të asgjësimit të pasurisë, dhe me nga një mijë euro të tjera për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 21 tetor 2020 pasi që i dëmtuari avokati Gazmend Halilaj, më 11 prill 2020 kishte postuar një shkrim në “Facebook” kundër Sami Lushtakut, i akuzuari Ibrahim Lushtaku, me qëllim të hakmarrjes ndaj Gazmend Halilajt, së bashku me Xhelal Zeqirin më 14 prill rreth orës 15:50 në rrugën “Muhamet Gashi” në Gllogoc, në hyrje të rrugës i kanë zënë pritë te shtëpia e tij.

    Prokuroria pretendon se i akuzuari Ibrahim Lushtaku me veturën “Mistubishi” posa ka ardhur i dëmtuari Gazmend Halilaj me veturën “Nisan Qashai” e ka goditur veturën e të dëmtuarit Halilaj duke e detyruar atë të dalë nga vetura e tij.

    Sipas prokurorisë, pasi Halilaj është goditur nga vetura e të akuzuarit Lushtaku, ka dalë nga vetura e tij dhe ka filluar të ikë për t’iu shmangur sulmit. Në atë moment të akuzuarit kanë dalë me armë nga vetura duke shtënë në drejtim të të dëmtuarit por nuk kanë arritur ta qëllojnë pasi ai kishte hyrë në një lokal.

    Ndërsa Sami Lushtaku akuzohej se më 11 prill pasi e ka lexuar postimin e Gazmend Halilaj në Facebook që kishte të bënte me keqpërdorimin e 1.4 milion eurove në kohën e luftës, e kishte thirrë në Viber të dëmtuarin Gazmend Halilaj duke e kanosur dhe kishte kërkuar nga ai që t’i fshijë ato shkrime.

    Aktakuza thotë se Lushtaku e kishte sharë, fyer dhe me qëllim të frikësimit e ka kërcënuar me fjalët “ku je se pa ardhë me t’kall nuk kam me e lanë” me ç’rast te i dëmtuari ka shkaktuar frikë dhe ankth.

    Po ashtu Ibrahim Lushtaku dhe Xhelal Zeqiri po akuzohet se nga data e panjohur e deri më 22 prill pa lejen e organeve kompetente kanë mbajtur pistoletat e tipit “Ekol” të kalibrit 9 mm dhe “Crvena Zasatava” të kalibrit 9 x.

  • Mbi 1 mijë e 600 gjoba trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    Mbi 1 mijë e 600 gjoba trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    1 mijë e 604 gjoba trafiku janë shqiptuar në 24 orët e fundit në Kosovë.

    Gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur 12 aksidente me të lënduar dhe 12 më dëme materiale.

    Në 24 orët e fundit janë arrestuar 14 persona dhe nëntë janë dërguar në mbajtje.

  • Tre të arrestuar në Leposaviq, iu gjetën armë gjuetie, radiolidhje dhe thika

    Tre të arrestuar në Leposaviq, iu gjetën armë gjuetie, radiolidhje dhe thika

    Janë arrestuar tre përsona në Leposaviq pasi të njëjtëve u janë gjetur dhe konfiskuar armë gjuetie, radiolidhje dhe thika.

    Policia ka bërë të ditur se me vendim të prokurorit, të dyshuarit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.

    “Janë arrestuar tre (3) të dyshuar meshkuj kosovarë pasi te të njëjtit janë gjetur dhe konfiskuar: tre (3) armë gjuetie (për të cilat të dyshuarit nuk posedonin dokumentacion të vlefshëm), 3-radiolidhje dhe 2-thika. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

  • ​Lëndimet gjatë skijimit, Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim u ofron ndihmë qytetarëve

    ​Lëndimet gjatë skijimit, Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim u ofron ndihmë qytetarëve

    Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim ka njoftuar se e ekipet e tyre dje gjatë ditës u kanë dalur në ndihmë qytetarëve që kanë pësuar lëndime gjatë skijimit në qendrën e skijimit në Brezovicë.

    Në llogarinë e saj në Facebook, Shoqata tha se ata kanë ofruar ndihmë në 6 raste, me 8 të lënduar, ku përfshiheshin thyerje të gjymtyrëve, lëndime të gjurit apo alkoolit të tepruar.

    Në fund, ata u uruan shërim të shpejtë të lënduarve.