ATV

Blog

  • Policia mban ligjërata informuese rreth internetit dhe komunikacionit në tri shkolla të Ferizajt

    Policia mban ligjërata informuese rreth internetit dhe komunikacionit në tri shkolla të Ferizajt

    Policia e Kosovës me qëllim të sensibilizimit dhe vetëdijësimit të nxënësve, ka mbajtur ligjeratë me nxënësit e tri shkollave të mesme të ulëta në Ferizaj: ‘’Tefik Çanga’’ me nxënës të klasave VIII-ta, me temë ‘’Parandalimi i keqpërdorimit të internetit’’ dhe në shkollat e fshatrave Zaskok dhe Doganaj të Ferizajt, me nxënës të klasave I,II dhe III, me temë ‘’ Siguria në komunikacionin rrugor’’.

    Ligjëratat janë mbajtur nga ana e instruktorëve të policisë, të cilët kanë për synim vetëdijesimin e nxënësve për të kontribuar në parandalimin e dukurive negative.

    “Gjithashtu, nxënësit janë njoftuar edhe për detyrat dhe përgjegjësitë që ka policia në fushën e parandalimit, reagimit, përkatësisht të trajtimit të rasteve të dukurive negative, masat ligjore dhe ndëshkimore, masat për sigurinë në komunikacionin rrugor, si dhe për pasojat që shkaktohen nga këto dukuri”, thuhet në njoftimin zyrtar.

    Tutje thuhet se policia rajonale e Ferizajt do të vazhdojë të mbajë ligjërata edhe në shkollat e komunave tjera të rajonit të Ferizajt.

  • ​Mbyllen komunat ilegale të Pejës, Istogut dhe Klinës

    ​Mbyllen komunat ilegale të Pejës, Istogut dhe Klinës

    Pas një koordinimi të ngushtë mes Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, me urdhër të Prokurorisë, policia sot ka zhvilluar një aksion në mbylljen e strukturave paralele të Serbisë që kanë operuar brenda Kosovës.

    Ministria e Punëve të Brendshme njofton se me këtë rast, në Gorazhdec është mbyllur komuna ilegale e Pejës, në Osojan komuna paralele e Istogut dhe në Videjë komuna paralele e Klinës.

    “Mbesim të përkushtuar në fuqizim institucioneve të Republikës së Kosovës, në respektim të plotë të Kushtetutës sonë dhe unitaritetit të saj. Koha e paligjshmërisë ka përfunduar dhe institucioni i vetëm i Serbisë brenda Kosovës do të jetë ambasada e saj në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

  • Ndryshimet në skemën pensionale, SBASHK alarmon përfaqësuesit e grupeve parlamentare

    Ndryshimet në skemën pensionale, SBASHK alarmon përfaqësuesit e grupeve parlamentare

    Për të shprehur shqetësimet lidhur me ndryshimet në skemën pensionale që kanë prekur në të drejtat e fituara të punëtorëve të pensionuar arsimor, përfaqësuesit e SBASHK-ut janë takuar me kryetarin e Komisionit parlamentar për Arsim Ardian Gola, si dhe u kanë dërguar shkresa për takime shefave të grupeve parlamentare.

    Kërkesës së SBASHK-ut i janë përgjigjur këtë premte shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri dhe ai i LDK-së, Driton Selmanaj.

    Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj në takime të ndara u kanë ofruar argumente, të cilat ua kanë lënë edhe në formë të shkruar Tahirit dhe Selamanajt duke kërkuar ta marrin iniciativën për të dërguar çështjen në Kushtetuese dhe për të nisur debat në Parlament, në mënyrë që të evitohen lëshimet në ndryshimet në ligj dhe t’u kthehet e drejta e fituar punëtorëve të pensionuar nga arsimi.

    SBASHK pret që javën e ardhshme të kenë takime edhe me shefen e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Mimoza Kusari-Lila, atë të AAK-së Besnik Tahiri dhe Enis Kervan nga Grupi Parlamentar Multietnik.

  • Mijëra majmunë “pushtojnë” Tajlandën, mbyllen dyqanet dhe bizneset

    Mijëra majmunë “pushtojnë” Tajlandën, mbyllen dyqanet dhe bizneset

    Mijëra majmunë kanë bastisur një qytet në Tajlandën qendrore, duke detyruar disa dyqane dhe biznese të mbyllen në provincën Lopburi. Sipas The Sun, një ushtri prej 3500 majmunësh pushtoi qendrën e qytetit, duke i detyruar vendasit dhe turistët të largohen.

    Disa vendas u larguan, ndërsa të tjerët u detyruan të mbylleshin në shtëpitë e tyre në një përpjekje të dëshpëruar për t’u mbrojtur.

    “Ne jetojmë në një kafaz, por majmunët janë jashtë,” tha një banore.

    Fillimisht, vendasit u përpoqën t’i mbanin kafshët larg duke i siguruar ushqim por ky plan dështoi, duke i bërë majmunët edhe më të dhunshëm. Shumë i ushqenin majmunët me ëmbëlsira, dhe ushqime me drithëra dhe sheqerna, të njohura për t’i bërë ata më hiperaktivë dhe seksualisht aktivë.

    “Ushqimet me sheqer mund të rrisin produktivitetin e majmunëve dhe të nxisin riprodhimin e tyre”, tha Satipong Kamtaptim, nga Departamenti i Parqeve Kombëtare të vendit.

    Dihet se majmunët tashmë kanë aftësinë për t’u riprodhuar dy herë në vit, dhe konsumi i sheqerit rrit këtë tendencë. Sidoqoftë, para pandemisë Covid, majmunët dhe njerëzit jetonin në harmoni në qytet.

    Por ky ekuilibër u prish shumë shpejt kur bllokimet ndaluan turizmin, duke bërë që majmunët të kërkonin të dëshpëruar për ushqim.

    “Majmunët janë më të uritur dhe më agresivë se më pare. Ata marrin atë që munden. Ata janë mësuar të ushqehen nga turistët,” tha Supakarn Kaevchot, një veteriner.

    “Me largimin e turistëve ata janë bërë më agresivë, duke luftuar për të mbijetuar”, shtoi ai.

    “Ata pushtojnë ndërtesat dhe i detyrojnë vendasit të largohen nga shtëpitë e tyre. Tani majmunët janë kudo. Ata ulen në çati, gati për pritë, trazira në rrugë e madje grabisin makinat që kalojnë”, thuhet në artikullin e “The Sun”.

    Departamentit të Parqeve Kombëtare të Tajlandës i është dashur të nisë një program sterilizimi me shpresën se do të jetë në gjendje të ndalojë shumimin e tyre.

  • ​Ushtria izraelite ka një plan të ri në Gaza

    ​Ushtria izraelite ka një plan të ri në Gaza

    Ushtria izraelite, sipas raportimeve të mediave izraelite, dëshiron të zgjerojë luftën kundër grupit militant palestinez Hamas në pjesën më jugore të Rripit të Gazës.

    Ushtria dëshiron të zgjerojë luftën në brigadën e Hamasit në Rafah, siç po bën aktualisht me njësitë e Hamasit në zonën e qytetit jugor të Khan Younis, citoi gazeta Times of Israel të thoshte të enjten ministri izraelit i mbrojtjes Yoav Gallant. mbrëmje.

    Më shumë se 1.3 milionë njerëz jetojnë në Rafah dhe zonën përreth, që është më shumë se gjysma e popullsisë së Rripit të Gazës prej rreth 2.2 milionë banorësh. Ata u larguan nga shtëpitë e tyre dhe kërkuan strehim nga luftimet në atë qytet. Para luftës, Rafah kishte rreth 250.000 banorë.

    Gati katër muaj pas sulmeve të koordinuara nga grupi militant palestinez Hamas në jug të Izraelit më 7 tetor, të cilat vranë rreth 1.200 njerëz, forcat tokësore izraelite kanë hyrë thellë në Rripin e Gazës në përpjekje për të shtypur Hamasin.

    Megjithatë, skaji jugor i zonës bregdetare palestineze, që kufizohet me Egjiptin me qytetin e ndarë të Rafahut dhe pikën kufitare me të njëjtin emër, deri më tani nuk është shënjestruar nga forcat tokësore.

    Brigada e Hamasit në Khan Younis po shembet, tha Gallant gjatë një vizite te ushtarët në qytet, raportoi gazeta.

    Khan Younis konsiderohet një bastion i Hamasit.

    Gallant tha se operacioni do të përfundonte atje dhe do të kalonte në Rafah për të “eliminuar çdo terrorist që përpiqet të na dëmtojë”.

    Wall Street Journal raportoi tre javë më parë, duke cituar burime të paidentifikuara izraelite dhe egjiptiane, se zyrtarët izraelitë kishin informuar Egjiptin për një operacion të planifikuar ushtarak përgjatë kufirit të Gazës.

    Kalimi kufitar Rafah kontrollohet nga zyrtarë egjiptianë dhe palestinezë, të punësuar nga Hamasi.

    Udhëheqja izraelite dyshon se tunelet që kalojnë nën kufirin midis Egjiptit dhe Gazës janë ende duke u përdorur për të kontrabanduar mallra dhe armë për Hamasin në Rripin e Gazës.

    Në Khan Younis, Izraeli nisi një ofensivë të madhe tokësore javën e kaluar.

    Në të njëjtën kohë me vazhdimin e operacionit ushtarak izraelit në Gaza, ndërmjetësit nga Katari dhe Egjipti po shpresojnë për një përgjigje pozitive nga Hamasi, që qeveris Gazën, për propozimin e parë konkret për një ndërprerje të zgjatur të armiqësive, të rënë dakord me Izraelin dhe SHBA-në në bisedime. në Paris javën e kaluar.

    Në fazat e mëtejshme, Hamasi do të dorëzonte ushtarët izraelitë dhe trupat e pengjeve.

    Një pauzë kaq e gjatë në luftime do të ishte e para që nga 7 tetori, kur luftëtarët e Hamasit sulmuan Izraelin.

    Zyrtarët shëndetësorë në enklavë thanë të enjten se më shumë se 27,000 palestinezë janë konfirmuar të vrarë deri më tani, me mijëra të vdekur ende nën rrënoja.

    Një zyrtar palestinez tha se Hamasi nuk ka gjasa ta refuzojë propozimin plotësisht, por do të kërkojë garanci se luftimet nuk do të vazhdojnë, gjë për të cilën Izraeli nuk ka rënë dakord.

    Banorët e Gazës raportojnë se forcat izraelite shënjestruan zonat përreth spitaleve në Khan Younis dhe intensifikuan sulmet pranë Rafahut.

    Luftimet gjithashtu janë intensifikuar ditët e fundit në zonat veriore rreth qytetit të Gazës, të cilin Izraeli pretendon se e pushtoi disa javë më parë.

    SHBA-ja duket se nuk është e suksesshme në thirrjet e saj drejtuar Izraelit për të lehtësuar situatën e civilëve në Gaza. Megjithatë, Uashingtoni po rrit presionin indirekt.

    Presidenti amerikan Joe Biden ka lëshuar një urdhër ekzekutiv që synon ndëshkimin e kolonëve hebrenj që sulmojnë palestinezët në Bregun Perëndimor të pushtuar në një valë dhune të shkaktuar nga lufta e Gazës.

  • Ministri gjerman i Mbrojtjes të hënën vjen në Kosovë

    Ministri gjerman i Mbrojtjes të hënën vjen në Kosovë

    Ministri i Mbrojtjes Gjermanisë, Boris Pistorius, të hënën viziton Kosovën, ku do të pritet nga homologu i tij kosovar, Ejup Maqedonci.

    Ministria e Mbrojtjes përmes një njoftimi ka bërë të ditur ceremonia zyrtare e pritjes, e shoqëruar me togun ceremonial të FSK-së, do të zhvillohet në objektin e Ministrisë së Mbrojtjes, duke filluar nga ora 13:30.

    “Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, të hënën, më 5 shkurt, do të presë në vizitë zyrtare ministrin e Mbrojtjes të Republikës Federale të Gjermanisë, Boris Pistorius, të shoqëruar nga deputetët të Bundestagut dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde. Ceremonia zyrtare e pritjes, e shoqëruar me togun ceremonial të FSK-së, do të zhvillohet në objektin e Ministrisë së Mbrojtjes, duke filluar nga ora 13:30”, thuhet në njoftim.

    Tutje, bëhet e ditur se pas ceremonisë ushtarake, të dy ministrat e mbrojtjes dhe delegacionet përkatëse do të mbajnë takimin bilateral.

    “Pas përfundimit të takimeve të planifikuara në Ministri të Mbrojtjes, agjenda ditore do të vazhdojë në Qendrën Ndërkombëtare të Kërkim-Shpëtimit (QNKTSH), në Pomozatin, duke filluar nga ora 15:00. Me këtë rast, të dy ministrat e mbrojtjes do të shohin për së afërmi kapacitetet profesionale dhe mjetet teknike të kësaj Qendre”, thuhet tutje në njoftim.

  • ​Final 8 e Kupës së Kosovës në basketboll zhvillohet me praninë e tifozëve

    ​Final 8 e Kupës së Kosovës në basketboll zhvillohet me praninë e tifozëve

    Nga 13 deri më 17 shkurt në palestrën e sporteve “Shani Nushi” në Gjakovë do të zhvillohet “Final 8” e Kupës së Kosovës në basketboll.

    Tetë ekipet e elitës së basketbollit kosovar do të luftojnë për njërin nga trofetë më të rëndësishëm në basketbollin vendor.

    Me këtë rast, në një konferencë për media, ka folur sekretarja e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku. Ajo ka thënë se këto ndeshje do të zhvillohen me praninë e tifozëve të të gjitha ekipeve.

    “Unë po besoj që ndoshta po bëhen më shumë se 9 vjet ose 10 që po kthehet organizimi i Final 8, në atë kohë ka qenë Final 4 në Gjakovë dhe po besoj që për këto katër ditë sa do të jetë prej 13 deri më 17 do të kemi rast që të kemi rast të kënaqemi basketboll cilësor por edhe me atmosferë festive pasi që e dimë që më 17 shkurt do ta festojmë është pavarësinë, është dita e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Sa i përket tifozëve unë dua ta jap një informatë që ka të bëjë me organizimin e tyre. Ekipet kundërshtare do t’i kenë tifozët e tyre të pranishëm në palestra të ndarë në dy tribuna anash. Ne jemi duke bërë përpjekje maksimale së bashku me Komunën e Gjakovës, KB Vëllaznimin, Policinë e Kosovës dhe të gjitha organet tjera që janë të përfshira në çështjet e sigurisë që sa i përket sigurisë për këto ditë 13,14,16,17 dhe 17 të jetë në nivelin më të lartë të mundshëm dhe të mos kemi asnjë incident të mundshëm”, tha Dushku.

    Ndërsa, anëtari i bordit të KB Vëllaznimit, Jeton Balalli deklaroi se kjo është një ngjarje shumë e rëndësi për Kb Vëllaznimin dhe se presin një organizim sa më të mirë të këtij kompeticioni.

    “Është një ngjarje e cila na ka motivuar si kryesi e klubit edhe në bazë të përvojës që kemi pasur me organizimin e ndeshjeve ku në asnjë ndeshje nuk kemi pasur asnjë incident më të voglin dhe ajo ka qenë arsyeja që ne sot këtu ta marrim përsipër organizimin e Final 8”, theksoi Bakalli.

    Në lidhje me çmimin e biletave, Bakalli bëri të ditur se ato do të dalin në shitje nga dita e hënë.

    “Rreth çmimit të biletave besoj në koordinim me federatën besoj nga e hëna do të ketë komunikim zyrtar, sa i përket tribunave do të jenë të ndara për tifozeritë në dy tribunat anësore që do të jenë spektator të të gjitha qyteteve që do të jenë prezent. Për siguri, përveç policisë së Kosovës jemi duke u angazhuar në çdo nivel edhe me sigurime private që nëse është e mundshme të mos e kemi asnjë incident më të voglin”, tha Bakalli.

    Ndryshe, në Final 8 të Kupës së Kosovës marrin pjesë Prishtina, Ylli, Bashkimi, Prizreni, Trepça, Vëllaznimi dhe Istogu, ndërsa ndeshjet finale zhvillohen më 17 shkurt.

  • ​SHBA shton 353 mijë vende pune në janar, shumë më tepër se sa vlerësimet

    ​SHBA shton 353 mijë vende pune në janar, shumë më tepër se sa vlerësimet

    Ekonomia amerikane shtoi 353.000 vende pune në muajin janar, shumë më tepër se vlerësimet e tregut, njoftoi të premten Departamenti i Punës.

    Pritshmëria e tregut për listat e pagave jo fermere ishte të tregonte një rritje prej 187.000 muajin e kaluar.

    Shtimi e vendeve të punës në dhjetor 2023, ndërkohë, u rrit ndjeshëm me 117.000 nga 216.000 në 333.000, sipas të dhënave nga Byroja e Statistikave të Punës.

    Norma e papunësisë megjithatë ka mbetur e pandryshuar në 3.7% në janar për të tretin muaj radhazi, krahasuar me muajin e kaluar.

    Gjithashtu, edhe numri i të papunëve ka mbetur kryesisht i pandryshuar në 6.1 milionë, sipas Departamentit të Punës. /AA

  • ​Bullgari, prezantohen shërbimet e urgjencës mjekësore me helikopter

    ​Bullgari, prezantohen shërbimet e urgjencës mjekësore me helikopter

    Ministri i Shëndetësisë Hristo Hinkov prezantoi sot zyrtarisht shërbimin e parë bullgar të urgjencës mjekësore me helikopter (HEMS).

    Ai shprehu kënaqësinë e tij për punën e bërë mirë në rrugën drejt “misionit më të rëndësishëm – shëndetit të qytetarëve bullgarë”.

    Hinkov shprehu besimin se mundësitë që do të ofrojë transporti ajror mjekësor do ta çojnë sistemin e kujdesit urgjent të Bullgarisë në një nivel të ri cilësor.

    Teknologjitë moderne dhe pilotët e trajnuar profesionalisht, ekipet mjekësore dhe operatorët do të kontribuojnë në këtë, tha Hinkov.

    Ata do të koordinojnë dhe kryejnë transportin e pacientëve, pajisjeve, gjakut, organeve dhe barnave, shtoi ai.

    Helikopteri i parë nga sistemi i sapokrijuar i Shërbimeve Mjekësore Emergjente të Helikopterëve (HEMS) mbërriti dje në Bullgari. Makina është prodhuar nga kompania italiane Leonardo dhe është blerë me financim evropian.

    Helikopteri është i pari nga gjithsej gjashtë. Sipas planit, helikopteri i dytë, i planifikuar për bazën operative në Dolna Mitropolia, Bullgaria veriore, duhet të mbërrijë në fund të qershorit 2024 dhe makina e tretë, e cila do të jetë e disponueshme në bazën operative në Sliven, në lindje të Bullgarisë qendrore. pritet në dhjetor. Ambulancat e mbetura ajrore do të mbërrijnë në faza deri në vitin 2026.

    Gjashtë pilotët e parë bullgarë që përfunduan trajnimin në Itali kanë marrë tashmë certifikatat e tyre të aftësisë fluturuese. Ata iu dorëzuan atyre personalisht nga kryeministri Nikolai Denkov në një ceremoni në dhjetor.

    Në sistemin e ambulancës ajrore pritet të punojnë gjithsej 36 pilotë dhe 14 inxhinierë. Në bordin e helikopterit do të ketë edhe personel mjekësor që tashmë po i nënshtrohet trajnimit përkatës. Në shkurt, helikopteri do të marrë pjesë në misione të vërteta shpëtimi.

    Në ceremoninë e sotme në bazën ajrore të Policisë Kufitare në Aeroportin e Sofjes, ku është vendosur përkohësisht helikopteri, morën pjesë edhe kryeministri Nikolaj Denkov, kryetari i komunës së Sofjes Vasil Terziev, ministri i Transportit dhe Lidhjeve Georgi Gvozdeikov dhe zyrtarë të tjerë. /BTA

  • Vitia: Kam drojën se do të vazhdojë ikja e mjekëve

    Vitia: Kam drojën se do të vazhdojë ikja e mjekëve

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia derisa përmendi disa nga të arriturat e vitit të kaluar, ka thënë se bazuar në programin kombëtar për zhvillim 2024-2026, sektori i shëndetësisë, synon dy qëllime strategjike, të cilat përfshijnë përmirësimin e cilësisë dhe çasjes së shërbimeve shëndetësore, si dhe ruajtjen e përparimin e shëndetit.

    Vitia këtë e tha sot në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, derisa foli për planin dhe prioritetet e punës së Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2024. Ai potencoi se parashikohet hartim i projektligjit për shëndetësi, sigurime shëndetësore, pajisje dhe produkte mjekësore, inspektoratin qendror të shëndetësisë, hartimi i projektligjit për shëndetin mendor dhe ai për kontrollin e duhanit.

    Vitia tha se funksionalizimi i Sistemit Informativ Shëndetësor, hartimi i protokollove klinike, parapërgatitjet dhe matjet për sistemin e sigurimeve shëndetësore, janë në proces. Ai shtoi se vendosja e standardeve për sigurinë e barnave dhe përballueshmërinë e çmimit të tyre është në fazën e fundit.

    Përveç këtyre, Vitia përmendi se janë siguruar tri vaksina të reja në kalendarin e rregullt të vaksinimit, duke përfshirë edhe vaksinën HPV për parandalimin e kacerit në qafën e mitrës.

    Ndërkaq, diskutime rreth Sistemit Informativ Shëndetësor (SISh) e shërbimeve pati ndërmjet anëtarit të komisionit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu dhe ministrit Vitia, ku u tha se përgjatë disa viteve janë shpenzuar miliona euro, por që nuk është bërë zgjidhje.

    Haxhiu tha se nuk mund të flitet as për shëndetësi moderne e bashkëkohore derisa nuk kemi sigurime shëndetësore, derisa shtoi se listat e pritjes vazhdojnë të jenë prezente.

    Ai potencoi se nga ministri Vitia po përmenden vetëm renovimet, ndërkaq nuk ka rritje të shërbimeve.

    Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu tha se edhe pas katër vitesh qeverisje, nuk ka përmirësime sa i përket sigurimeve shëndetësore, ligjit për shëndetësi, reformimit në sistemin shëndetësor e të tjera.

    Ndërkaq, lidhur me këto, ministria Vitia tha se renovimet nuk janë duke u bërë vetëm sipërfaqësisht, por në mënyrë rrënjësore.

    Vitia tha se ngecja dhe mos funksionalizmi i Sistemit Informativ Shëndetësor ka ardhur si pasojë e mungesës së një analize të mirëfilltë, për çka shtoi se po punohet vazhdimisht në këtë proces.

    Ministri Vitia është pyetur nëse ka një strategji për t’i ndal mjekët dhe specializantët.