ATV

Blog

  • Në krejt QKUK-në vetëm 48 anesteziologë – Nevojiten të jenë 100

    Në krejt QKUK-në vetëm 48 anesteziologë – Nevojiten të jenë 100

    Vetëm 48 anesteziologë janë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), të cilët janë të angazhuar në disa klinika, ndërsa nevoja është për 100 sosh. Kështu ka thënë për Ekonomia Online, drejtori i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intenziv, Gazmend Spahia

    Ai ka thënë se gjatë vitit të kaluar nuk kanë pasur ikje të anesteziologëve por që disa prej tyre janë punësuar nga sektori privat.

    “Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës i kemi për momentin të punësuar 48 anesteziologë. Kjo klinikë që vite me radhë ka problemet e veta të cilat janë problem për shkak të mungesës së numrit të anesteziologëve. Po sipas përllogaritjeve të Klinikës sonë, ish dashtë me qenë së paku 100 anesteziologë për me i mbulu të gjitha njësitë të cilat kërkojnë një asistencë nga anesteziologu”, u shpreh Spahia, teksa përmend largimin e infermierëve kryesisht jashtë vendit.

    “Gjatë viti 2023 fatmirësisht nuk kemi pasur ikje të anesteziologëve, kemi pasur pesë pranime të kolegëve tre të cilëve janë kthyer nga sektori privat edhe një ka kryer provimin specialistik me sukses edhet është pranuar menjëherë. Sa i përket infermiereve kemi pasur ikje të infermiereve të cilët kryesisht kanë dalur për bashkim familjarë disa edhe për punësim jashtë vendit”, deklaroi ai.

    E gama e gjerë e shërbimeve të anesteziologëve, ka bërë që të jenë shumë të angazhuar. Krahas shërbimit në MIQ, ata angazhohen edhe në disa klinika tjera.

    “Klinika jonë kryen shërbime në disa njësi, do të thotë është një Klinikë e cila ka të shpërndara shërbimet. Kemi shërbime në Gjinekologji, në Ortopedi, në Kardiokirurgji, po kohët e fundit Qendra Klinike ka shtuar numrin e shërbimeve të cilat kërkojnë edhe një asistencë të anesteziologut. Do të thotë ne si anesteziolog merrem me trajtimin e pacienteve intra operativë, por në të njëjtën kohë kemi kërkesa, po edhe asistojmë në njësit jo operative, njësitë të cilat kanë nevojë për një asistencë nga anesteziologu”, ka thënë Spahia.

    Ndonëse kushtet e punës, thotë se i kanë të mira, Spahia sfidë e konsideron mungesën e stafit. Krahas mungesës së anesteziologëve, mungesë kanë edhe në stafin e mesëm, pasi në këtë klinikë janë 195 infermierë, duke e llogaritë edhe personelin mbështetës.

    “Sa i përket kushteve të punës i kemi të mira të cilat janë ofruar prej drejtorisë dhe MSh-së. Sfidë e vetme është mungesa e stafit, kryesisht anesteziologëve, por e kemi mungese edhe stafin e mesëm do të thotë infermierë. Kërkesat janë bërë edhe në momentin kur lajmërohet dikush prej kolegëve anesteziolog të cilët janë të gatshëm që të punësohen në QKUK, atëherë automatikisht hapet edhe konkursi për ta. Do të thotë nuk është problem, tash presim pranim edhe të infermiereve të rinj me qenë se e dimë që konkursi për infermier të ri është veç në proces e sipër, presim edhe prej tyre pranim të disa prej infermiereve në Klinikën tonë”, deklaroi Spahia për EO.

  • 80 vjet nga masakra në Tiranë

    80 vjet nga masakra në Tiranë

    Sot mbushen 80 vjet nga masakra në Tiranë, ku mendohet se u pushkatuan 84 antifashistë dhe 400 të tjerë u mbyllën në kampet e përqendrimit.

    Operacioni i 4 shkurtit, i quajtur masakra e 4 shkurtit 1944 sipas numrit të gazetës “Bashkimi” që doli një vit pas ngjarjes, në kohën e regjimit komunist, ishte një operacion kundëraksion i autoriteteve shtetërore të Mbretërisë Shqiptare si përgjigje e atentateve që komunistët u kishin bërë figurave politike.

    Masakra e 4 shkurtit në Tiranë ka mbetur një enigmë në lidhje me motivin dhe numrin e të vrarëve.

    Historiografia shqiptare ende debaton në lidhje me ngjarjen, teksa në ndihmë vjen edhe dokumentacioni britanik i kohës për motivin dhe realitetin politik të atyre ditëve të para të shkurtit 1944. Në dosjen me kod HS 5/96, të inteligjencës ushtarake të SOE, ka edhe një paragraf për ngjarjen e 4 shkurtit.

    “Partizanët vazhdojnë të tregojnë shenja aktiviteti në zonën e Tiranës ku besohet se ndodhet Komiteti Qendror i Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Më datën 3 shkurt, një atentat i pasuksesshëm raportohet të ketë ndodhur për jetën e Xhafer Devës, ministër i Brendshëm dhe një kolaboracionist i njohur. 60 partizanë nga burgu i Tiranës thuhet se janë masakruar si reprezalje”, thuhej në dokumentin britanik.

    Ndërsa vetëm në vitin 2015 do të publikohej një letër sekrete në media e një udhëheqësi të Partisë Komuniste Naho Spiru, i cili rrëfen detaje nga terrori dhe sulmet mes të cilave janë gjendur komunistët në shkurt të vitit 1944.

    Letra e tij i drejtohet Koçi Xhoxes (Trashi), Miladin Popoviq (Ali) dhe Liri Gegës (Muzhik) dhe shpjegon me një shënim në krye të letrës se ato çfarë shkruan janë shkëputur nga një letër që ia ka nisur edhe Enver Hoxhës (Tarasi).

    Ai në letër e cilëson si masakër ngjarjen e 4 shkurtit, por nuk jep bilancin e saktë të viktimave. Ndërsa tregon emrat e disa të vrarëve, Naho Spiru shpreh shqetësimet se kjo ngjarje mund të përsëritet.

    Ende nuk ka një shpjegim të qartë zyrtar nga shteti shqiptar për këtë ngjarje, por sipas këtyre fakteve ka ndodhur një masakër e vërtetë ndaj komunistëve, të cilët kishin ngritur krye ndaj pushtetit të Mbretit Zog në Shqipëri. /kp/

  • Hovenier: SHBA e shqetësuar me veprimet e Qeverisë së Kosovës, po rrisin tensionet etnike

    Hovenier: SHBA e shqetësuar me veprimet e Qeverisë së Kosovës, po rrisin tensionet etnike

    Qeveria e Shteteve të Bashkuara është thellësisht e shqetësuar për veprimet e fundit të autoriteteve të Qeverisë së Kosovës që kanë një efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të serbëve etnikë dhe komuniteteve tjera pakicë në Kosovë.

    Sipas një deklarate të Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Jeffrey Hovenier, këto veprime po rrisin në mënyrë të panevojshme tensionet etnike dhe si pasojë i kufizojnë mundësitë e Shteteve të Bashkuara për të shërbyer si një avokat efektiv për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

    “Ato përfshijnë operacionet e kryera nga Policia e Kosovës në drejtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme gjatë javës së kaluar në zyrat e institucioneve të administruara nga Serbia në Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë. si në OJQ Qendra për Paqe dhe Tolerancë në Prishtinë. Jemi të shqetësuar edhe nga veprimet e Policisë së Kosovës sot për sekuestrimin e dinarit serb dhe veturës që e transportonte për shpërndarjen e pagesave sociale nga Serbia. Ne kërkojmë nga autoritetet e Kosovës që të sigurojnë që individët për të cilët janë menduar këto pagesa të përfitimeve sociale t’i marrin ato pa vonesë. Është përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës të promovojë vizionin e përcaktuar në themelimin e saj dhe të sanksionuar në Deklaratën e Pavarësisë dhe Kushtetutën e saj: një nga një demokraci plotësisht multietnike që i përgjigjet shqetësimeve të të gjithë qytetarëve të saj. Çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë, duhet të trajtohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ne gjithashtu ritheksojmë kërkesën tonë që Kosova të shtyjë zbatimin e rregullores së ndryshuar të Bankës Qendrore të Kosovës për Operacionet me Para të gatshme derisa të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe derisa popullata të jetë mjaft e informuar se si do të vazhdojë tranzicioni i përfitimeve të tyre.

  • Një rast tjetër i rëndë në Podujevë, një person ka marrë lëndime në kokë

    Një rast tjetër i rëndë në Podujevë, një person ka marrë lëndime në kokë

    Dy persona të dyshuar kanë sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar, i cili është dërguar në Qendrën Klinike të Kosovës në Prishtinë, për tretman mjekësor i cili ka lëndime në kokë dhe për shkak të gjendjes së tij nuk ka dhënë deklaratë.

    Rasti ka ndodhur në Gërdec të Podujevës, lidhur me rastin është njoftuar prokurori.

  • Shpallja e zgjedhjeve të reja në veri pritet të zgjasë disa muaj

    Shpallja e zgjedhjeve të reja në veri pritet të zgjasë disa muaj

    Komisioni Qendror Zgjedhor është ende në procesin e verifikimit të nënshkrimeve të mbledhura në peticionin e organizuar në Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok për shkarkimin e kryetarëve aktual.

    Në KQZ thonë se ky proces do të marrë kohë, pasi të dhënat që i kanë pranuar janë të mbledhura në format fizik, andaj nuk mund të ketë ndonjë datë të saktë se kur do të përfundojë procesi i verifikimit. Në anën tjetër, partia në pushtet, por edhe njohës të proceseve zgjedhore konsiderojnë se deri te shpallja e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, do të nevojiten disa muaj.

    “Ky proces do të na marrë kohë, pasi të dhënat që i kemi pranuar janë të mbledhura në format fizik, andaj nuk mund të jap ndonjë datë të saktë, por pas përfundimit të tij, do të njoftojmë ministrinë, kryesuesit e Kuvendeve Komunale, kryetarët e komunave dhe grupet nismëtare. Natyrisht se përgjigja e KQZ-së, do të bëhet edhe publike”, thotë për KosovaPress, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

    Deputeti i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, thotë për KosovaPress, se zgjedhjet e reja në veri mund të mbahen vetëm nëse arrihet kuota 50 për qind plus një votë e qytetarëve për largimin e kryetarit. Nuk përmend ndonjë afat se kur do të mund të mbahen ato.

    Ish-kryetari i KQZ-së, njohësi i kushtetutës, Mazllum Baraliu, ndërkaq thotë se nëse nuk arrihet kuota 50 për qind plus një votë e qytetarëve për largimin e kryetarit, procesi për zgjedhjet në veri do të dështojë. Sipas tij, deri në shpalljen e zgjedhjeve do të nevojiten disa muaj kohë.

    Sipas udhëzimit administrativ, nëse KQZ-ja konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë të përshtatshme dhe i verifikon, organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet ta mbahet brenda 45 ditëve. Që ky votim të jetë i suksesshëm, kërkohet 50 për qind plus një votë e qytetarëve me të drejta vote.

    Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri na 45 ditë për t’i shpallur zgjedhjet e parakohshme në veri.

    Kryetarët shqiptarë të komunave në veri u zgjodhën në prill të vitit 2023, në zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët, në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovë.

  • Iu përkeqësua gjendja gjersa ishte duke prerë një kafshë, vdes një person në Gjilan

    Iu përkeqësua gjendja gjersa ishte duke prerë një kafshë, vdes një person në Gjilan

    Ka vdekur një person në Gjilan, ku të njëjtit i është përkeqësuar gjendja teksa ishte duke e prerë një kafshë.

    Në raportin e policisë bëhet e ditur se me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

    “Viktima mashkull kosovar deri sa ishte duke prerë një kafshë iu kishte keqësuar gjendja e tij shëndetësore dhe i njëjti ishte dërguar në qendrën Emergjente, ku mjeku kujdestar e kishte konstatuar vdekjen e tij . Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin e policisë.

  • Promovohen romanet “Anja” dhe “Brenga e Prokurorit”

    Promovohen romanet “Anja” dhe “Brenga e Prokurorit”

    “Anja” dhe “Brenga e Prokurorit”, janë dy librat që u promovuan sot nga shkrimtari Ahmet Prençi në Prishtinë. Përshkrimi i së drejtës në drejtësi, betejës dhe dashurisë që u përshkrua në këta dy libra, sipas shkrimtarëve, është bërë në një version të rrallë.

    Përvojën e punës si drejtor policor e komisioner, tashmë shkrimtari Ahmet Prençi e vendosi ne letër.

    Dy librat “Anja” dhe “Brenga e Prokurorit”, përveç promovimit në Shqipëri erdhën edhe në duart e lexuesve kosovarë.

    “Këto dy libra njëra ka të bëjë me histori dashurie tjetra me sisteme të drejtësisë…”, tha Ahmet Prençi, autor i librave.

    Rrëfimet e tij shkrimtarët e tjerë i krahasojnë me personalitete shumë të shquara.

    “Preniçin e kam mik, mbi të gjitha është aftësi libra të tillë të shkruhen kështu…”, u shpreh shkrimtari Avdullah Zeneli

    Madje këta libra u konsideruan ekspoze e informacionit unik të tranzicionit shqiptar.

    Librat u promovuan në Prishtinë. Përveç tyre, shumë shpejt do të botohet edhe romani i radhës nga Ahmet Prençi, në të cilin do të gërshetohet fenomeni i kriminalitetit dhe politikës./atvlive.tv/

  • Pas gati 6 vjetëve, FSK-ja pritet të furnizohet me uniforma, aktualisht pjesëtarët e FSK-së detyrohen t’i bartin uniformat e shqyera

    Pas gati 6 vjetëve, FSK-ja pritet të furnizohet me uniforma, aktualisht pjesëtarët e FSK-së detyrohen t’i bartin uniformat e shqyera

    Pas gati gjashtë vjetëve, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë do të furnizohen me uniforma. Megjithatë, nuk dihet sasia e uniformave e as vlera e kontratës.

    “Është nënshkruar kontrata e re dhe tashmë uniforma janë duke u prodhuar. Është kontratë e klasifikuar, blerje të përjashtuara sipas ligjit të prokurimit”, deklaroi Liridona Gashu nga Ministria e Mbrojtjes.

    Teksa nuk dihet asgjë për kontratën e re, 5 milionë euro ishin destinuar për uniforma kamuflazh dhe rezistente ndaj ujit e erës. Mirëpo, tenderi i hapur në vitin 2022, kishte dështuar. Ndërkaq, furnizimi i fundit me uniforma rezistente ndaj ujit dhe erës, sipas njoftimit në platformën e-prokurimi ishte bërë në fund të vitit 2018.

    Andaj, ushtarët e Forcës së Sigurisë, aktualisht detyrohen t’i bartin uniformat e shqyera.

    Disa prej tyre edhe i kanë qepur në mënyrë që t’i përdorin përsëri.

    Televizioni, kupton se muaj më parë secilit ushtarakë që mund t’i ketë një apo dy palë uniforma tjera rezervë, i është kërkuar që ato t’i kthejë mbrapa FSK-së, njërën. Ministria e Mbrojtjes e mohoi që një kërkesë e tillë ishte bërë për shkak të mungesës së uniformave.

    Ish-koloneli Afrim Veseli, tha se që nga themelimi i Forcës së Sigurisë, pajisja me uniforma ka qenë gjithmonë problematike.

    “Është fatkeqësi e madhe qysh ushtarët janë në ketë gjendje. Gjatë gjithë kohës sa kam shërbyer, uniforma ka qenë gjithmonë problematike. Materiali ka qene i dobët dhe furnizimi asnjëherë nuk është bërë me kohë” , thotë Veseli.

    Ndërkohë, pas dështimeve të shpeshta të tenderit 2 milionësh për furnizim me çizme, Ministria e Mbrojtjes në mënyre urgjente ka blerë vetëm 330 palë çizme në fund të vitit të kaluar./atvlive.tv/

  • Ndërtimi i Stacionit të ri Policor në Gjilan larg finalizimit, Policia funksionon në objekt të stërvjetëruar

    Ndërtimi i Stacionit të ri Policor në Gjilan larg finalizimit, Policia funksionon në objekt të stërvjetëruar

    Ndërtimi i vrazhdë në tri katet e para të objektit që do bëhej Stacion i Policisë së Gjilanit, ishte kryer që moti.

    Por, për shkak të një kontesti gjyqësor për pronën ku po ndërtohej, në fillimin e vitit 2010 punët ishin ndal në gjysmë.

    “Ka pasur kontest gjyqësor… tash rasti është në gjykatën komerciale…”, deklaroi zëdhënësi i Policisë në Gjilan, Ismet Hashani.

    Me gjithë dëmet që i janë shkaktuar ndër vite, objekti që ndodhet fare pranë gjykatës e prokurorisë, ka shpresë që të funksionalizohet.

    Derisa rasti është ende nëpër instanca gjyqësore, Policia është duke funksionuar në këtë objekt të stërvjetëruar.

    “Gjendja është shumë e keqe… objekti aktual është që 50 vjet…”, thotë tutje Hashani.

    Derisa rasti në gjykatë të zgjidhet, institucionet lokale në Gjilan kanë provuar që ta gjejnë një zgjidhje të përkohshme.

    Në tetor të vitit 2023 u mbajt seanca e fundit gjyqësore për këtë rast./atvlive.tv/

  • Në bordin aktual të “Trepçës”, punëtorët nuk kanë përfaqësues – Kërleshi: Në ditët në vazhdim do të dërgojmë propozimin tonë për përfaqësues

    Në bordin aktual të “Trepçës”, punëtorët nuk kanë përfaqësues – Kërleshi: Në ditët në vazhdim do të dërgojmë propozimin tonë për përfaqësues

    Në përbërjen aktuale të Bordit të Përkohshëm Mbikëqyrës të “Trepçës”, punëtorët e ndërmarrjes nuk e kanë një përfaqësues.

    Punëtorët, të cilët janë pronarë të 20% të aksioneve të ndërmarrjes, sipas Ligjit për “Trepçën”, duhet ta kenë së paku një përfaqësues të tyre në përbërje të Bordit.

    Sipas nënkryetarit të Sindikatës së Minatorëve të “Trepçës”, në mungesë të një përfaqësuesi të tyre në bord, Qeveria nuk do të ketë informacione sa i përket telasheve që mund t’i kenë punëtorët.

    “Në fakt na bën problem neve si dhe Bordit, sepse e njofton edhe Bordin edhe Qeverinë për problemet e punëtorëve dhe të “Trepçës”. Mungesa e anëtarit shkakton shumë telashe në informimin e Qeverisë dhe anëtarëve të Bordit për problemet në “Trepçë”, thotë Destan Kërleshi, nënkryetar i sindikatës së minatorëve të “trepçës”.

    Bordi me mandat të përkohshëm i ndërmarrjes, u zgjodh në muajin shtator të vitit 2023.

    Sipas sindikalistit Kërleshi, në kuadër të konkursit për anëtar të këtij bordi, Sindikata e Minatorëve të “Trepçës” kishte propozuar emrin për përfaqësues të punëtorëve në Ministrinë e Ekonomisë, mirëpo, sipas tij, ky propozim ishte neglizhuar.

    Bordit aktual do t’i skadojë mandati pas dy muajve.

    Ndërkohë, Qeveria tashmë ka hapur konkursin për kandidatët që synojnë pozitën e anëtarit të Bordit të ri, që do ketë mandat të plotë prej katër vjetëve.

    “Ne ende për këtë konkurs nuk e kemi dërguar propozimin tonë. Po presim që këto ditë ta përsërisim apo edhe ta ndryshojmë vendimin për bordin, por shpresojmë që të na jepet mundësia që të respektohet ligji edhe nga ana e Qeverisë, e cila është dashur ta respektojë edhe në herën e kaluar, gjë që na ka neglizhuar dhe nuk ka dhënë të drejtë të përfaqësohemi në Bordin Mbikëqyrës”, deklaroi tutje ai.

    Nga Ministria e Ekonomisë nuk kthyen përgjigje lidhur me mungesën e përfaqësuesit të punëtorëve në Bord.

    Referuar Ligjit për “Trepçën”, në përbërjen e plotë e Bordit Mbikëqyrës duhet të jenë nëntë anëtarë.

    Mes tjerash, kompetencat e Bordit Mbikëqyrës janë zgjedhja e anëtarëve të Bordit Menaxhues, aprovimi i planeve financiare dhe zhvillimore të njësive biznesore në kuadër të Trepçës, si dhe aprovimi i kontratave lidhur me partneritetin./atvlive.tv/