ATV

Blog

  • Hovenier e përsërit: Qeveria e Kosovës ta shtyjë zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore

    Hovenier e përsërit: Qeveria e Kosovës ta shtyjë zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka përsëritur edhe një herë sonte, se Qeveria e Kosovës duhet ta shtyjë zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore.

    Ai tha se as SHBA dhe as partnerët ndërkombëtarë nuk po e kontestojnë autoritetin e Bankës Qendrore dhe as Kushtetutën e Kosovës, por është e shqetësuar me mënyrën se si rregullorja planifikon të zbatohet pas marr parasysh disa realitete.

    Ambasadori Hovenier në një intervistë intervistë për RTV21, ka folur edhe për ndikimet që do të ketë zbatimi i kësaj rregulloreje në marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në.

    “Mendoj se krejt çka mund të bëj është të flas për kërkesën e qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Para së gjithash, më lejoni të sqaroj disa gjëra. Kërkesa jonë është shumë e qartë. Ne po i kërkojmë qeverisë, jo vetëm unë, ka kërkesa edhe nga Uashingtoni, por edhe kolegët e mi të QUINT-it e kanë këtë pikëpamje, që qeveria tash për tash do të duhej të shtyjë zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore. Po e kërkojmë këtë sepse besojmë që puna parapërgatitore e nevojshme për zbatimin me sukses të saj në mënyrë që të mos ketë ndikim të padrejtë në komunitetet e cenuara – dhe po flasim për komunitetet pakicë, po flasim, ndër të tjera, për komunitetin etnik serb në Kosovë – se puna që duhet bërë, që është dashur të bëhej për të shmangur ndikimin e saj negativ nuk është bërë”.

    “Më lejoni të jem shumë i qartë për këtë. Ne nuk e kontestojmë Kushtetutën e Kosovës. Ne e pranojmë dhe e respektojmë atë. Për hir të Zotit, ne e mbështetëm procesin dhe zhvillimin e tij. Ne nuk i kontestojmë autoritetet e Bankës Qendrore të Kosovës për të rregulluar sektorin financiar. Në fakt, sërish, qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare për rolin që kemi luajtur në mbështetje të zhvillimit të Bankës Qendrore, Ministrisë së Financave dhe institucioneve të tjera”.

    “I mirëpresim përpjekjet e Kosovës, si çdo vend tjetër në botë, për të vënë në zbatim rregulloren, ligjin, procedurat që zvogëlojnë mundësitë për kryerjen e krimeve financiare, si pastrimi i parave, financimi i terrorizmit, gjëra të tilla. Pra, ne nuk kemi problem filozofik që Banka Qendrore të vendosë një rregullore që do t’i përmbushte këto synime”.

    “Jemi të shqetësuar se mënyra në të cilën kjo rregullore po zbatohet apo planifikohet të zbatohet nuk merr parasysh siç duhet disa realitete. Dhe këto realitete për të cilat ne besojmë se nuk merren parasysh në mënyrë adekuate ndikojnë drejtpërdrejt në një nga çështjet më të ndjeshme në dialogun bilateral… në dialogun Kosovë-Serbi që ne e mbështesim e që janë veprimet që prekin komunitetet pakicë në Kosovë, veçanërisht komunitetin serb. Kjo është arsyeja e kërkesave tona.

  • Kurti: Është e nevojshme një periudhë tranzicioni për rregulloren e BQK-së

    Kurti: Është e nevojshme një periudhë tranzicioni për rregulloren e BQK-së

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pranuar se komunikimi rreth vendimit për rregulloren e Bankës Qendrore për pagesat vetëm me valutën euro, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb, ka mundur të ishte më i qartë “për të shmangur konfuzion”.

    Pavarësisht se rregullorja e BQK-së për pagesa me para të gatshme hyri në fuqi më 1 shkurt, mes kritikave nga faktori ndërkombëtar dhe serbëve lokalë, Kurti tha se e kupton që “një periudhë tranzicioni është e nevojshme”, duke shtuar se një periudhë e tillë tranzicioni veçse ka nisur.

    Kryeministri kosovar tha se gjatë këtij muaji autoritetet do të ofrojnë informacione që “ky tranzicion të jetë sa më i lehtë që të jetë e mundur”.

    “Një periudhë tranzicioni kurrë nuk duhet të keqinterpretohet si sulm apo ndarje e thelluar. Dhe pasiguria e shkurtër që haset gjatë kësaj periudhe nuk duhet të shfrytëzohet për përfitimin politik”, tha Kurti, sipas një njoftimi për media të lëshuar nga zyra e tij më 6 shkurt.

    Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kritikuar Kosovën për miratimin e rregullores së BQK-së, pa konsultime paraprake.

    SHBA-ja po ashtu ka kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit dhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hoveriner ka deklaruar se “ne kemi shqetësime të thella për mënyrën e zbatimit të kësaj rregulloreje, pasi besojmë se nuk i merr parasysh disa shqetësime të komuniteteve”.

    Kurti sërish përsëriti qëndrimin e tij se rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme nuk është kundër dinarit serb dhe se serbët që pranojnë pensione dhe ndihmë tjetër nga Serbia me dinarë, mund të vazhdojnë t’i pranojnë ato, por ato pagesa duhet të deponohen në llogaritë bankare në Kosovë me euro.

    Një ditë më herët, Kurti u takua me ambasadorët e akredituar në Kosovë. Në takim, sipas një njoftimi, ai u shpreh i gatshëm të adresojë “në mënyrë të shpejtë” shqetësimet lidhur me vendimin e BQK-së për pagesat.

    Faktori ndërkombëtar ka shprehur shqetësime për ndikimin që mund të ketë kjo rregullore te komuniteti serb në Kosovë, pasi ata që nga paslufta kanë përdorur monedhën kombëtare të Serbisë. Shteti serb ua paguan serbëve të Kosovës – përmes një sistemi paralel – pagat, pensionet, ndihmat sociale, dhe përfitimet tjera.

    Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka kritikuar vendimin e BQK-së, dhe kreu i kësaj partie, Zllatan Ellek, më 3 shkurt tha se ndalimi i përdorimit të dinarit “nënkupton dëbimin të serbëve dhe të gjitha institucioneve serbe” nga territori i Kosovës.

    Sipas Ellekut, afër 100.000 serbë do të preken drejtpërdrejt nga vendimi i BQK-së për ndalimin e përdorimit të dinarit.

  • Hovenier thekson mundësinë e pasojave në cilësinë e partneritetit me Kosovën

    Hovenier thekson mundësinë e pasojave në cilësinë e partneritetit me Kosovën

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka paralajmëruar pasoja në cilësinë e partneritetit me Kosovën, në rast se kryeministri Albin Kurti, nuk dëgjon kërkesat e SHBA-së për çështje të ndryshme.

    “Në masën që qeveria është e përgjegjshme për gjërat që ne besojmë se janë të rëndësishme dhe të cilat besojmë se e avancojnë trajektoren evropiane dhe euro-atlantike të Kosovës, rrit partneritetin tonë. Në masën që qeveria nuk përgjigjet kjo ndikon në cilësinë e partneritetit tonë”, ka deklaruar Hovenier në RTV 21.

    Ambasadori amerikan ka thënë se nuk po shohin se Qeveria po u përgjigjet shumë kërkesave të tyre.

    “Nuk është gabim të thuhet se jemi të shqetësuar dhe do të donim që të shihnim përgjegjshmëri më të mëdha ndaj kërkesave tona nga ajo që ne po shohim se kemi në këtë kohë”

    Hovenier ka thënë se procesi i zgjedhjeve në komunat veriore po shkon shumë ngadalë.

    Ai thotë se nuk do të kenë durim të presin shumë gjatë.

    “Unë e di se jemi në përfundim të një hapi të rëndësishëm që është se peticionet janë nënshkruar, kanë indikacione janë se më shumë se 20 për qind e votuesve të regjistruar me të drejtë vote që i kanë nënshkruar këto peticione, por vetëm Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund ta konfirmojë këtë. Por sapo të ndodhë kjo, është mjaft e rëndësishme që autoritetet të bëjnë gjithçka që është e mundur për të siguruar që hapi tjetër të ndodhë pa vonesa. Dhe ne nuk do të jemi shumë të durueshëm. Hapi tjetër duhet të ndodhë brenda afatit të parashikuar, që mendoj se është 45 ditë”, ka deklaruar Hovenier.

  • “Dikush ka me shku në burg”, Rama flet për rënien kulmit të ndërtesës së Komunës së Re të Prishtinës

    “Dikush ka me shku në burg”, Rama flet për rënien kulmit të ndërtesës së Komunës së Re të Prishtinës

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në emisionin CONTEXT në ATV, foli për tragjedinë e rënies së çatisë së Komunës së Re, si pasojë e së cilës u lënduar një 23 vjeç.

    Ai tha se ka kërkuar që hetimi për këtë çështje të shkojë deri në fund dhe të gjenden personat përgjegjës.

    “Është një tragjedi që ka ndodhur aty ku edhe një vajzë 23 vjeçare ka pësuar dhe për fat ë mirë ka shpëtuar dhe tash është çdo ditë e më mirë. Është një moment shumë i keq për kryeqytetin, për komunën kur kulmi i vetë ndërtesës të re të komunës fluturon. Për këtë tragjedi tash e kemi policinë, është duke u marrë me hetimet edhe gjithsesi dikush ka me shku jo në shtëpi, por ndoshta edhe në burg”, tha Rama. /atvlive.tv

  • Përparim Rama flet për herë të parë për aferën e “Badovcit”

    Përparim Rama flet për herë të parë për aferën e “Badovcit”

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në emisionin CONTEXT në ATV, ka sqaruar për herë të parë ‘aferën’ Badovci.

    Ai tha se toka afër liqenit Badovci ka pasë kushte ndërtimi, por për shkak të presionit publik për mbrojtje të ujit, është ndalë ndërtimi dhe iu është ofruar ndërrimi i tokës, me një vend ku mund të bëhet ndërtimi.

    “Faktet thonë po ashtu që një tonë e cila në qeverisjen e kaluar është vlerësuar prej ministrisë faktikisht, 13 hektarë afër liqenit janë vlerësuar 8 milionë, edhe ministria i ka kërkuar komunës prapë në qeverisjen e kaluar për me e shty procesin sepse e ka ndalë. Kjo pronë ka pasur leje ndërtimi dhe ka pasë faktikisht kushte ndërtimi edhe për shkak të presionit publik, ka thënë ndaloni mos ndërtoni aty edhe e ka vlerësua tonë, ka thënë ta ndërrojmë t’ia japim diku tjetër sepse e kanë pronocu si pronë me interes publik për mos me e lënë me u ndërtu rreth liqenit, për me e mbrojë ujin. Kjo ka qenë arsyeja pse e kanë ndalë, edhe i kanë thënë po e ndrrojmë po ta japim diku tjetër. Vendin ku ia ka dhënë tash të ri, prapë ministria, komuna ka propozu me ia dhënë diku 6.6 hektarë për me e ndërru 13 hektarshin, ministria atë e ka vlerësuar si 3 milionë. Ministria e ka vlerësu tokën e komunës si 3 milionë 6.6 hektarë, ministria e ka vlerësua tokën private 13 hektarshe 8 milionë, aty s’ka pasë punë Përparim Rama, apo Kuvendi Komunal”, tregoi Rama.

    Ai tha se kanë mbetur edhe 5 milionë që të shpronësohen dhe është kërkuar që procesi të vazhdojë përpara. /atvlive.tv

  • Rama: Zona te Stacioni i Autobusëve do të shndërrohet në zonë të ndërtimit të lartë

    Rama: Zona te Stacioni i Autobusëve do të shndërrohet në zonë të ndërtimit të lartë

    Kryetari i Prishtinës Përparim Rama, në emisionin CONTEXT në ATV, ka paralajmëruar kompensimin e investitorëve të unazës së jashtme të Prishtinës, me pronë komunale te Stacioni i Autobusëve për ndërtim të lartë.

    Projekti “Join-Venture” (bashkë investim) parasheh që investitorët që do të marrin pjesë në ndërtimin e unazës së jashtme të Prishtinës, do të kompensohen me prona komunale në rrethinën e Stacionit të Autobusëve, zonë kjo e cila do të shndërrohet në zonë të ndërtimit të lartë.

    “Jemi në proces. E kemi bërë konferncën për investitorë. Kemi pasur një numër të madh të të interesuarve për investime. Tani do ta bëjmë thirrjen publike për ofertat më të mira dhe në bazë të atij procesi do të ecim përpara”, deklaroi Rama./atvlive.tv

    Intervistën e plotë të tij në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Rama: Problemi me qen endacakë nuk është vetëm i Prishtinës, por i gjithë Kosovës

    Rama: Problemi me qen endacakë nuk është vetëm i Prishtinës, por i gjithë Kosovës

    Kryetari i Prishtinës Përparim Rama në emisionin CONTEXT në ATV, tha se për zgjidhjen e problemit me qen endacakë e ka kërkuar ndihmën e Qeverisë, pasi se siç thotë ai, ky problem nuk është vetëm i Prishtinës, por i gjithë Kosovës.

    Ai thotë se vetëm Prishtina është duke punuar për zgjidhjen e këtij problemi.

    “Problemi i qenve endacak është i gjithë Kosovës. Ne kemi kërku ndihmën e Qeverisë. Megjithatë, ne nuk po presim prej askujt, e kemi strehimoren që ka përfundu dhe kemi nda nga 50 euro për secilin person që adopton një qen. Po ashtu kemi kërkuar nga OJQ-të që të bëhen pjesë e ndryshimit, sepse kemi vendin e ndarë për strehimore. Kemi kërkuar të zbatohet Ligji, të ndahet buxhet sepse ka 0 buxhet. Pra nevojitet një bashkëpunim i nivelit qendror dhe komunave, vetëm Prishtina punon për këtë çështje”, tha Rama. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të tij në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Përparim Rama konfirmon rikandidimin për Kryetar të Prishtinës

    Përparim Rama konfirmon rikandidimin për Kryetar të Prishtinës

    Kryetari i Prishtinës Përparim Rama në emisionin CONTEXT në ATV, e konfirmoi se do të kandidojë sërish për Kryetar të Prishtinës.

    “Unë kam thënë gjithmonë që më duhen 8 vjet për transfromim të qytetit. Këtë e kemi fillu në fazën e parë dhe e përfundojmë në fazën e dytë“, tha Rama. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të tij në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Rama: Nënkryetaren e shkarkova sepse ajo refuzoi ta shtyjë përpara procesin e dixhitalizimit

    Rama: Nënkryetaren e shkarkova sepse ajo refuzoi ta shtyjë përpara procesin e dixhitalizimit

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se shkarkimi i nënkryetares së Komunës ë Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, ka ndodhur për shkak se ajo nuk e ka shtyrë procesin e dixhitalizimit të kryeqytetit.

    Kryetari Rama tha se, nënkryetarja, jo vetëm që nuk e ka shtyrë procesin përpara, por një gjë të tillë edhe ka refuzuar ta bëjë.

    “Unë kërkoj në mungesë të drejtores së Arsimit, e cila ka skuar në pushim të lindjes, e ka marrë pozitën si ushtruese e detyrës nënkryetarja edhe unë bëj kërkesë që ta shtyejë këtë proces përpara, nënkryetarja refuzon me e shty procesin përpara, edhe e tregon këtë publikisht që këtë proces e ka ndërprerë”, tha Rama.

    Ai tha se tani sa janë bërë dy vjet të qeverisjes, kryeqyteti ka ngecje të madhe të dixhitalizimit.

    “Me nënkryetaren duke e njohur që është ardhë si profesioniste në aspektin e dixhitalizimit, këtë e ka pasur edhe si detyrë kryesore për transformimin e kryeqytetit. Pra të gjitha proceset e dixhitalizimit, i ka pasur si pjesë e proceseve transformuese për kryeqytet edhe pika e parë ka qenë, këto janë mundësitë për transformim, për dixhitalizim, janë mundësitë e shumta, të lutëm shtyje përpara. Tash, prapë po them, po bazohem në rezultate. Jemi dy vjet në qeverisje edhe kemi ngecje të madhe të dixhitalizimit edhe përveç kësaj, kur them se në shtatorin evitit të kaluar që e patëm problemin edhe me nivelin qendror në aspektin e librave, unë kam pasur takim me drejtoren e Arsimit edhe me nënkryetaren, i kam thënë “tash duhet me e shty përpara procesin e dixhitalizimit. E kemi mundësinë për me i pasë tremat e referencës, me e ba kërkesën për operatorë ekonomikë që të na mundësojnë ofertën për kurrikulum dixhital”, tha Rama. /atvlive.tv

  • Përparim Rama thotë se arsyeja e shkarkimit të Ilirik Musliut ka të bëjë vetëm me mos zgjidhjen e problemit me mbeturina

    Përparim Rama thotë se arsyeja e shkarkimit të Ilirik Musliut ka të bëjë vetëm me mos zgjidhjen e problemit me mbeturina

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se arsyeja e shkarkimit të Drejtorit të Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës ka qenë mos zgjidhja e problemit të mbeturinave në kryeqytet.

    “Sot jemi në shkurt edhe e kemi problemin e madh me mbeturina. Pra nuk kam pasur në mundësi tjetër përveç që me e ndërrua drejtorin për arsye të mundësisë për me e zgjedhë problemin e mbeturinave”, tha Rama.

    Ai mohoi se shkarkimi i drejtorit Ilirik Musliu ka të bëjë me çështje të tjera apo probleme brenda koalicionit.

    “Unë gjithmonë kam diskutu për rezultate. Rezultatet janë ato aspektet të cilat mua më interesojnë edhe si rezultat i rezultateve, të cilat nuk kanë qenë të nivelit të pritshmërisë time në dikastere të ndryshme, në këtë rast e drejtorisë së Shërbimeve Publike, ku si pjesë e problemeve të mëdha është edhe zgjedhja e problemit të mbeturinave. Kjo është një çështje që e kemi diskutuar vazhdimisht edhe faktikisht kemi pasur një numër të madh të datave të ndryshme ku edhe i kam vendosur për zgjidhjen e problemit të mbeturinave”, tha Rama.

    Ai tha se ka kërkuar që problemi i mbeturinave të zgjidhet edhe duke shikuar mundësinë e prurjes së sektorit privat në pamundësi që ky problem të zgjidhet me kompaninë “Pastrimi”.

    “Kam kërkuar që problemi i zgjedhjes së mbeturinave të menaxhohet, pra te menaxhohen proceset edhe të mundësisë të aspektit të prurjes së sektorit privat në pamundësi që ne ta zgjedhim problemin e mbeturinave me kompaninë “Pastrimi”. Me kompaninë “Pastrimi” kemi pasur probleme shumë të mëdha, edhe përkundër faktit se ne kemi subvencionu me muaj të tërë, kemi dhënë subvencionime shtesë që t’i ndihmojmë kompanisë “Pastrimi””, tha Rama. /atvlive.tv