ATV

Blog

  • Altin Gjokaj ftohet në Kombëtaren A të Kosovës

    Altin Gjokaj ftohet në Kombëtaren A të Kosovës

    Portieri i Prishtinës, Altin Gjokaj, është ftuar nga përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, për t’iu bashkuar Kombëtares A të Kosovës gjatë pjesës së mbetur të grumbullimit të Dardanëve.

    Klubi i Prishtinës ka njoftuar se ftesa për Gjokajn erdhi pas shqetësimeve fizike të Arijanet Muriçit gjatë stërvitjes së fundit dhe pamundësisë së Faton Malokut për t’iu bashkuar ekipit kombëtar.

    Gjokaj i bashkohet përfaqësueses pas paraqitjeve të mira me Kosovën U21 dhe me fanellën e Prishtinës. Ai ishte titullar në ndeshjen miqësore ndaj Turqisë U21, ndërsa forma e tij e mirë nuk ka kaluar pa u vënë re nga stafi teknik i kombëtares.

    Ftesa nga Franco Foda vlerësohet si një shpërblim për punën, përkushtimin dhe paraqitjet e fundit të portierit të talentuar, i cili tashmë ka mundësinë të dëshmojë cilësitë e tij edhe në nivelin më të lartë të futbollit kosovar.

  • Aksion në Viti, arrestohen 11 persona për bixhoz të kundërligjshëm

    Aksion në Viti, arrestohen 11 persona për bixhoz të kundërligjshëm

    Njëmbëdhjetë persona janë arrestuar gjatë një aksioni policor të zhvilluar në fshatin Pozheran të Vitisë, nën dyshimin për përfshirje në organizimin e bixhozit të kundërligjshëm.

    Sipas Policisë, hetuesit e Stacionit Policor në Viti, pas pranimit të informatave relevante dhe zhvillimit të veprimeve hetimore në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë realizuar një bastisje më 4 qershor 2026 në një lokacion ku dyshohej se zhvillohej veprimtari e paligjshme.

    “Më 04.06.2026 janë realizuar një bastisje në një lokacion në fshatin Pozheran, komuna e Vitisë, nën dyshimin se në këtë lokacion po zhvillohej veprimtari e kundërligjshme që ndërlidhet me veprën penale ‘Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të kundërligjshëm’”, thuhet në njoftim.

    Gjatë aksionit policor janë arrestuar 11 persona të dyshuar.

    “Gjatë bastisjes janë arrestuar njëmbëdhjetë persona të dyshuar. Po ashtu në vendin e ngjarjes janë sekuestruar prova materiale që ndërlidhen me veprën penale të lartcekur, të cilat do të shërbejnë si dëshmi në procedurën penale”, njofton Policia.

    Me vendim të Prokurorit të Shtetit, rasti është proceduar në Prokurorinë Themelore në Gjilan për procedurë të rregullt gjyqësore. /Telegrafi/

  • Rruga drejt sigurisë energjetike dhe partneritetit afatgjatë me Amerikën

    Rruga drejt sigurisë energjetike dhe partneritetit afatgjatë me Amerikën

    Editorial nga e Ngarkuara me Punë Anu Prattipati

    Kosova nuk po arrin t’i përmbushë kërkesat në rritje për furnizim me energji. Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, në katër vitet e fundit, Kosova ka shpenzuar 735 milionë euro në importimin e energjisë elektrike nga vendet fqinje, që shënon rritje nga 142 milionë euro në vitin 2024 në 259 milionë euro në vitin 2025. Në të ardhmen e parashikueshme, përderisa çmimi dhe kërkesat për energji vazhdojnë të rriten, Kosova do të varet gjithnjë e më shumë nga fqinjët e saj.

    Për të adresuar këto sfida strukturore, Kosova do të duhej t’i bashkohej projekteve amerikane të gazit natyror të planifikuara nëpër Ballkan. Këto projekte mund të sigurojnë burime energjetike amerikane për Kosovën. Gazi natyror i lëngshëm amerikan (GNL) do të mundësonte shtimin e llojllojshmërisë në furnizimin me energji, do të plotësonte burimet e brendshme energjetike të Kosovës dhe do të përbënte edhe një lidhje tjetër në partneritetin ekonomik në rritje ndërmjet ShBA-së dhe Kosovës.

    I Dërguari i Posaçëm i Departamentit të Energjisë së ShBA-së për Integrimin Energjetik, z. Xhoshua Volz, rishtazi shpjegoi: „Sistemi energjetik në Kosovë ka nevojë urgjente për modernizim dhe paraqet mundësi të shkëlqyeshme për industrinë dhe teknologjinë amerikane… dhe Departamenti i Energjisë do të jetë i gatshëm të ndihmojë në lehtësimin e bashkëpunimit ndërmjet industrisë amerikane dhe partnerëve industrialë në Kosovë”.

    Në botën e sotme, siguria energjetike është siguri kombëtare, e llojllojshmëria e burimeve energjetike përmes gazit natyror është thelbësore për arritjen e të ardhmes së sigurt. Centralet elektrike me gaz natyror ofrojnë aftësinë për të përmbushur më mirë rritjen e kërkesës dhe për të stabilizuar çmimet gjatë periudhave të pikut. Zgjerimi i prodhimit të brendshëm të energjisë elektrike përtej kërkesës së vendit do të përmirësonte pavarësinë energjetike dhe do t’i mbronte konsumatorët nga lëvizjet e papritura të çmimeve.

    Kosova duhet të veprojë shpejt për të realizuar këtë partneritet sepse ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme do të kërkojë kohë. Eksportet e GNL -së amerikane pritet të dyfishohen deri në vitin 2030 dhe do të rrjedhin përmes projekteve rajonale si Korridori Vertikal i Gazit dhe terminali lundrues i gazit natyror në Kroaci. Kosova gjithashtu mund të lidhet me gazsjellësin që po ndërtohet për të lidhur terminalin e GNL -së në Aleksandrupolis në Greqi me Shkupin në Maqedoninë e Veriut.

    Lidhja me një projekt gazsjellësi tashmë të planifikuar do të shkurtonte afatin kohor dhe do të ulte shpenzimet. Gjithashtu, Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka në dispozicion mekanizma financimi për të ndërtuar infrastrukturë të gazit natyror. Kosova mund të punojë me partnerët rajonalë për të siguruar kontrata afatgjata dhe ekonomi të shkallës me çmime më konkurruese.

    Mundësia për t’iu bashkuar këtyre projekteve po mbyllet. Vonesa e këtij vendimi rrezikon që furnizimet amerikane të GNL-së të zotohen diku tjetër dhe një gjë e tillë mund ta lërë Kosovën si vendin e vetëm në Ballkanin Perëndimor pa qasje në GNL-në amerikan. Historia nuk mund të qëndrojë në rrugë të vendimeve që do t’i sjellin përfitime popullit të Kosovës sot dhe në të ardhmen.

    Kosova tani përballet me një zgjedhje të rëndësishme strategjike. Administrata e presidentit Trump prioritet kryesor e ka uljen e varësisë së Evropës nga energjia ruse. Ne e nxisim Kosovën të hyjë në partneritet afatgjatë energjetik me Amerikën përmes GNL-së për të siguruar të ardhmen e saj energjetike. Së bashku, ne mund të forcojmë sigurinë energjetike dhe t’i rrisim ekonomitë tona krah për krahu.

  • Rriten çmimet e pronave të banimit në Prishtinë për 5,3 për qind

    Rriten çmimet e pronave të banimit në Prishtinë për 5,3 për qind

    Çmimet e pronave të banimit në tremujorin e parë të vitit 2026 janë rritur për 5.3 për qind krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar, sipas Indeksit të Çmimeve të Pronave të Banimit (IÇPB) të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

    Ndërkaq, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2025 çmimet e pronave të banimit shënuan rritje prej 2.4 për qind.

    Sipas ASK-së në rajonin e Prishtinës, çmimet e pronave të banimit u rritën me 1.4 për qind në tremujorin e parë të vitit 2026, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025.

    Ndërsa në rajonet e tjera të vendit, çmimet e pronave të banimit u rritën për 12.3 për qind në tremujorin e parë 2026, krahasuar me tremujorin e parë 2025.

  • Vdes nëna e Besian Mustafës

    Vdes nëna e Besian Mustafës

    Besian Mustafa, kandidati për deputet i LDK-së dhe djali i veprimtarit të LDK’së, Xhemail Mustafa, ka njoftuar se ka vdekur nëna e tij.

    Mustafa ka shkruar se ajo do të varroset të premten pasdite në varrezat e Arbërisë në Prishtinë.

    Njoftimi i plotë:

    Të dashur miq e familjar,

    Sot ndërroi jetë nana, ma i dashtuni shpirt n’këtë botë.

    Varrim bëhet nesër në 16:40 në varrezat në Arbëri, Prishtinë.

    Sa të kam frymë kam me të kujtu Nanë

  • Samiti BE-Ballkan Perëndimor, Emanuel Macron arrin në Mal të Zi

    Samiti BE-Ballkan Perëndimor, Emanuel Macron arrin në Mal të Zi

    Presidenti i Francës, Emanuel Macron, ka arritur në Mal të Zi për Samitin BE-Ballkan Perëndimor që do të mbahet me 5 qershor.

    Macron është pritur në aeroport nga kryeministri Jakov Mijatovic.

    “Kjo është një vizitë me rëndësi të madhe politike dhe simbolike dhe përfaqëson një konfirmim të miqësisë midis Malit të Zi dhe Francës, por edhe mbështetje për rrugën evropiane të vendit tonë”, ka shkruar ai.

    “Mali i Zi ka një detyrë për të përfunduar punën. Institucionet duhet të jenë të forta, reformat konkrete dhe qytetarët duhet të ndiejnë se e ardhmja evropiane nuk është një mesazh i largët politik, por një rrugë drejt një shteti më të rregullt, të drejtë dhe të fortë”, ka shtuar Mijatovic.

  • Tragjedi ajrore në Kroaci: Katër të vdekur pas rrëzimit të një aeroplani

    Tragjedi ajrore në Kroaci: Katër të vdekur pas rrëzimit të një aeroplani

    Katër persona kanë humbur jetën pasi një aeroplan u rrëzua pranë Medulinit në Kroaci.

    Policia e Istrias mori një raport për një rrëzim të një aeroplani të vogël në zonën e Medulinit në orën 11:25 të paradites.

    “Më 4 qershor, në orën 11:18 të paradites, u mor një raport për rrëzimin e një avioni të vogël në zonën e Campanož (pranë aeroportit Medulin). Raporti është konfirmuar, të gjitha shërbimet e emergjencës (policia, ambulanca dhe zjarrfikësit) janë në vendngjarje dhe po marrin masa dhe veprime brenda juridiksionit të tyre”, njoftoi policia.

    Katër persona vdiqën, ndërsa, sipas informacioneve jozyrtare, dy persona janë ende në kërkim. Sipas informacioneve jozyrtare, ata janë shtetas të huaj.

  • Protestat tronditin qytetin e Mexico City-it një javë para nisjes së Kupës së Botës

    Protestat tronditin qytetin e Mexico City-it një javë para nisjes së Kupës së Botës

    Vetëm një javë para fillimit të Kupës së Botës, Qyteti i Meksikos po përballet me valë protestash që kanë shkaktuar kaos në qarkullim dhe shqetësime për autoritetet vendase.

    Mësues, gjykatës në pension dhe përfaqësues të sektorëve të tjerë kanë dalë në rrugë, duke organizuar marshime dhe duke bllokuar disa nga arteriet kryesore të kryeqytetit meksikan. Protestat kanë sjellë vonesa të shumta në trafik, devijime të qarkullimit dhe vështirësi për miliona banorë të qytetit.

    Situata merr rëndësi edhe më të madhe për faktin se më 11 qershor në Qytetin e Meksikos është planifikuar të zhvillohet ndeshja hapëse e Kupës së Botës mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut. Duke përfituar nga vëmendja e madhe ndërkombëtare që ka tërhequr turneu, sindikatat kanë intensifikuar aktivitetet e tyre protestuese.

    Organizatorët e protestave kanë bërë të ditur se veprimet e tyre nuk lidhen me turneun e futbollit, por me kërkesat sociale dhe ekonomike që prej kohësh i kanë adresuar qeverisë. Megjithatë, ata paralajmërojnë se manifestimet mund të përshkallëzohen nëse autoritetet nuk reagojnë ndaj kërkesave të tyre.

    Në qendër të pakënaqësive është kërkesa e sindikatës së mësuesve për shfuqizimin e reformës së pensioneve të miratuar në vitin 2007 për punonjësit e sektorit publik, si dhe për rritje pagash. Protestuesit i bëjnë thirrje presidentes Claudia Sheinbaum që të përmbushë premtimet elektorale dhe të nisë dialogun me grupet e interesit.

    Sindikatat kanë paralajmëruar se, në mungesë të një zgjidhjeje, nuk përjashtohet organizimi i protestave të tjera edhe gjatë ditës së ndeshjes hapëse të Botërorit, duke shtuar shqetësimet për sigurinë dhe organizimin e një prej ngjarjeve më të mëdha sportive në botë.

  • Arrestohet një person i dyshuar për shtytje në zjarrvënie

    Arrestohet një person i dyshuar për shtytje në zjarrvënie

    Policia e Rajonit të Prishtinës, respektivisht hetuesit e Njësisë së Hetimeve të Përgjithshme (NjHP) në Prishtinë, kanë arrestuar një person të dyshuar për shtytje në zjarrvënie.

    Rasti ka ndodhur më datë 16.11.2025, në rrugën “Nezir Gashi” në Prishtinë,  ku është djegur një automjet dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme nga zjarri.

    Lidhur me këtë rast, sot nga hetuesit policorë të NjHP-së është arrestuar i dyshuari i dytë:

    • B.H, 37 vjeç, mashkull, i cili është ndaluar në pikën kufitare në Jarinjë.

    Personi i arrestuar, me vendim të prokurorit të shtetit, është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.

  • Haxhiu përfaqëson Kosovën në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor

    Haxhiu përfaqëson Kosovën në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor

    Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, do të marrë pjesë në Samitin BE, Ballkani Perëndimor, i cili mbahet më 5 qershor në Tivat të Malit të Zi.

    Samiti mbledh udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar për perspektivën evropiane të rajonit, Planin e Rritjes, si dhe çështjet e sigurisë dhe stabilitetit.

    Në këtë samit, u.d. Presidentja Haxhiu do të përfaqësojë Republikën e Kosovës dhe do të riafirmojë përkushtimin e vendit për integrim evropian, trajtim të drejtë dhe të barabartë në procesin e zgjerimit, si dhe bashkëpunim rajonal në funksion të paqes dhe stabilitetit.