ATV

Blog

  • Rizvanolli raporton në Komision për Ekonomi, Shala: Investim kapital në industri nuk kam parë

    Rizvanolli raporton në Komision për Ekonomi, Shala: Investim kapital në industri nuk kam parë

    Ministrja e ministrisë së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se si ministri kanë ndërmarrë një serë masash për t’i dalë në ndihmë qytetarëve në përballje me krizën energjetike.

    Gjatë raportimit të saj në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me realizimin e projekteve të ministrisë për vitin 2023 dhe planet e ministrisë për vitin 2025, theksoi se ka pasur rreth 25 mijë aplikime për masa të ndryshme për pajisje efiçiente, ndërsa ka shtuar se kërkesa më e madhe ka qenë për pajisje efiçiente të ngrohjes.

    Madje, siç tha ajo, komisionet e ekonomisë kanë punuar edhe gjatë fundjavës për të arritur që në kohë sa më të shpejtë t’i shqyrtojnë aplikimet dhe të japin përgjigje për disburism.

    “Sa i përket planeve dhe aktiviteteve të tjera sigurisht se në vazhdimësi të programeve për përballjen me krizën, një pjesë të angazhimit ka qenë në masa të ndryshme që ju ka ndihmuar qytetarëve dhe kanë zbutur ndikimin e krizës energjetike dhe ka ngritur efiçiencë. Gjatë vitit të kaluar kemi pasur procese të aplikimit sipas thirrjes masa 4, mbështetja e konsumatorëve familjar duke përfshirë konsumatorët në nevojë për investime në pajisje efeçiente shtëpiake dhe në sistemet të energjisë së ripërtritshme. Kemi pasur një numër të madh të interesuarve, kemi pasur gjithsej rreth 25 mijë aplikime për masa të ndryshme për pajisje efiçiente, dhe veçanërisht kërkesa e madhe ka qenë për pajisje efiçiente të ngrohjes. Komisionet e ministrisë së ekonomisë kanë punuar intensivisht, shpesh gjatë fundjavës për të arritur që në kohë sa më të shpejtë t’i shqyrtojnë aplikimet dhe të japin përgjigje dhe të bëjnë disbursimin…Për herë të parë vjet me përkrahjen financiare të BE-së kemi lansuar edhe masën mbështetëse për ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme për pajisje efiçiente për ngrohje gjithashtu, këtu kemi pasur 261 aplikime…Përshtypjet e qytetarëve, janë shumë të mira edhe sa i përket procesit dhe efekteve të këtyre masave”, tha Rizvanolli.

    Rizvanolli po ashtu ka thënë se këtë vit do të vendosin edhe matësit e erës.

    “Ne do të vendosim sivjet matësit e erës, dhe do të kemi matje të besueshme pastaj dhe do të bëhen edhe studime të tjera paraprake, që d.m.th që do të zhvillojmë një numër të projekteve, të cilat ën të ardhmen do të shfrytëzohen për të lansuar ankande ose për të ndërtuar kapacitete në pronësi publike ose në fund të partneritetit publiko-privat, mirëpo për dallim së kaluarës kur këto nuk janë bërë në mënyrë sistematike dhe qeveria, shteti nuk i ka pasur kurrë këto informata, sepse tokat vetëm janë dhënë me qira dhe pastaj investitorët e ndryshëm potencial i kanë bërë matjet, mirëpo nuk i kanë bërë edhe këto siç duhet, dhe kjo na ka lënë pak mbrapa në këtë aspekt…Tani i kemi projektet e qarta përpara, që kur prezantojmë para investitorëve të huaj, mund të prezantojmë në mënyrë të detajuar dhe profesionale, gjë që rrit gjasat dhe transparencën e proceseve, diçka për të cilën kemi marrë përgëzime përgjatë ankandit të parë”, shtoi Rizvanolli.

    Ndërsa, akuza pas raportimit të ministres Rizvanolli pati kryetari i këtij komisioni, Ferat Shala, i cili tha se në industri, prodhim e ndërtimtari nuk ka investime kapitale.

    “Nuk pash investime kapitale tek ndërmarrjet publike, si ministri e zhvillimit nuk konsideroj që mund ta zhvillojmë vendin duke bërë ndonjë pilot projekt në Kuvendin e Kosovës. Edhe ashtu ajo si eksperiment mund të jetë, por çfarë i sjell zhvillimit ekonomik… Në esencë investim kapital në sektorin më vital të shtetit në industri, në përpunim, në prodhimtari nuk kam parë, përveç dokumenteve të hartuara. Konkretisht, krijimi i katastrit të paraqitjeve xeherore të mineralit e kromit…Krijimi i katastrit po e kuptoj që është mirë, por mbi cilën bazë shkencore dhe mbi cilat hulumtime dhe kush po e krijon këtë data bazë të paraqitjeve kronvike në pjesën masive të Sharrit, kush janë kapacitetet e ministrisë që e bëjnë këtë punë të mirë”, ka pyetur Shala.

    Për këtë, Rizvanolli ka thënë se investimet e mëdha kapitale nuk mund të realizohen brenda natës, porse duhet kohë për këtë.

    Ndërsa, ka akuzuar opozitën për mos votim të marrëveshjeve ndërkombëtare, për çfarë tha se shkak i tyre edhe janë zvarritur investimet kapitale.

    “Investimet kapitale në sektorin e energjisë nuk i bënë ministria, qeveria, ato bëhen nga ndërmarrjet publike ose private. Sa i përket investimeve kapitale që janë realizuar, në KeK një projekt me rëndësi shumë që është realizuar…Investimet kapitale sidomos investimet e mëdha në sektor si energjia, nuk mund të ndodhin brenda natës, për këtë arsyeje është strategjia para projekteve dhe t’i përpilojmë lisën e projekteve. Duhet të keni parasysh që për secilin prej këtyre projekteve ka faza të gjata, dhe pjesa më e madhe e tyre bazohen në marrëveshje ndërkombëtare…Ju si Kuvend dhe opozitë nuk na keni ndihmuar në këtë aspekt, pra keni qenë pengese duke mos votuar marrëveshjet ndërkombëtare me muaj të tërë, dhe duke zhagitur projekte të rëndësishme…Tek ndërmarrja publike Trepça vjet ndarë 970 mijë euro, ndërsa janë shpenzuar 583 mijë euro…tek infrakos janë dhënë me marrëveshje 489 mijë euro, prej të cilave janë shpenzuar 245 mijë euro, tek trainkos janë dhënë rreth 444 mijë, mirëpo janë shpenzuar vetëm 28.9 mijë, tek ndërmarrjet e ujerave kanë qenë 440 mijë prej të cilave janë shpenzuar 57 mijë”, tha Rizvanolli. /kp

  • ​Kamberi: S’ka paqe në Ballkan pa normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi

    ​Kamberi: S’ka paqe në Ballkan pa normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi

    Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka deklaruar se mund të ketë paqe në Ballkan, porse ka shtuar se që kjo të ndodhë duhet të ketë normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

    Këto deklarata Kamberi i bëri pas takimit që pati me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili po mban takime për të formuar qeverinë.

    “Kur shikoni shembuj të shumtë që kanë ndodhur në mbarë botën të pajtimit të kombeve që ishin në mosmarrëveshje apo edhe në luftëra, pajtimi është i mundur. Nëse ishte i mundur në Afrikën e Jugut, sigurisht që është i mundur në Ballkan. Çka është ajo që ndoshta e ka ndihmuar procesin e pajtimit në Afrikën e Jugut është fakti që të gjithë ata njerëz që ishin të përfshirë në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në një proces të udhëhequr nga kryepeshkopi Desmontuto e pranuan fajin e tyre, ndoshta nuk janë gjykuar, por ka qenë e mjaftueshme që ata publikisht ta pranojnë dhe për këtë të flasin publikisht”, tha ai.

    Sipas Kamberit, dialogu për normalizim duhet të ndryshojë rrënjësisht marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Çfarë ndodh këtu, dialogu për normalizimin duhet të ndryshojë rrënjësisht marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe me këtë edhe stabilitetin e tërë Ballkanit Perëndimor, a besoj se mund të ketë ndonjë pajtim pa normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të them te drejtën, jo, kam qenë skeptik qysh në fillim për projektin e Ballkanit te Hapur, që parashihej të përfshinte gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor, në të cilin u përfshinë vetëm tri, dhe në të cilat një nga anëtarët, Republika e Serbisë, po përpiqej të ndërtonte marrëdhënie vëllazërore me trupin e popullit shqiptar, ndërsa publikisht përmes mediave, nga zyrtarët më të lartë të shtetit në njëfarë mënyre dërgonte mesazhe fyese në kurriz të pjesës tjetër të atij populli të Kosovës”, u shpreh ai.

  • Dy serbë pranojnë fajësinë për huliganizëm ndaj KFOR-it, njëri dënohet me 6 muaj burgim, tjetri 6 mijë euro gjobë

    Dy serbë pranojnë fajësinë për huliganizëm ndaj KFOR-it, njëri dënohet me 6 muaj burgim, tjetri 6 mijë euro gjobë

    Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq, të cilët u arrestuan më 29 maj të vitit të kaluar në Zveçan në veri të Kosovës, gjatë përleshjeve mes protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të KFOR-it, kanë arritur një marrëveshje me Prokurorinë Speciale dhe kanë pranuar fajësinë për veprën “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”.

    Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, e ka konfirmuar se aktgjykimi ndaj dy të akuzuarve u shpall të martën.

    Sipas aktgjykimit, i akuzuari Petroviq është dënuar me 6 muaj burgim, i cili dënim me pëlqimin e tij i zëvendësohet me gjobë 6 mijë euro. Në këtë dënim, të njëjtit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim, ku për secilën ditë qëndrimi llogariten nga 20 euro.

    Kurse, i akuzuari Obrenoviq u dënua me 6 muaj burgim, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga 29 maji deri më 27 nëntor 2023.

    Sipas aktakuzës, që u ngrit më 5 shkurt të këtij viti, ata akuzoheshin se “kanë marrë pjesë aktive në grupin përkatësisht turmën e personave me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze, përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar që të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore të vendit”, kanë “rrezikuar personat nën mbrojtje ndërkombëtare” dhe po ashtu ishin akuzuar për “sulm ndaj personit zyrtar”.

    Në mesin e vitit të kaluar, policia e Kosovës arrestoi dhjetë pjesëtarë të komunitetit serb për sulme ndaj pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, për akuza kundër rendit kushtetues të Kosovës dhe për sulme ndaj gazetarëve.

    Në veri, tensionet u rritën vitin e kaluar pasi policia e Kosovës asistoi që në ndërtesat komunale të hynin kryetarët e rinj shqiptarë. Kjo u kundërshtuar nga popullata vendase serbe, që nuk pranoi rezultatet e zgjedhjeve lokale të prillit, votime që i bojkotoi.

    Situata u përshkallëzua më 29 maj, kur serbët u përleshën me KFOR-in dhe mbi 100 persona u plagosën nga të dyja palët.

  • Suedi: Një person kishte rënë në lumë, kosovarët ia shpëtojnë jetën të riut

    Suedi: Një person kishte rënë në lumë, kosovarët ia shpëtojnë jetën të riut

    Dy kosovarë që jetojnë në Suedi janë vlerësuar me një gjest human që e kanë bërë, duke i shpëtuar jetën një të riu, i cili kishte rënë në ujë.

    Aziz Berisha dhe Gjelal Mulaj të cilët punojnë si roje të sigurisë, duke u kthyer në shtëpi nga puna, kishin vërejtur një person të dehur, që kishte rënë në një lumë dhe pas disa përpjekjeve kishin arritur që ta nxjerrin atë nga uji.

    Në një lidhje direkte për emisionin “A LIVE “në ATV, ka folur Gjelal Mulaj, i cili shpjegoi se si kishte ndodhur e gjithë kjo ngjarje.

    “Pasi kemi përfunduar orarin e punës, kemi vërejtur një kalimtar rasti që ka qenë i dehur dhe i ri në moshë diku rreth 23-vejçar, dhe kam parë që ai është duke shkuar në drejtim të lumit. Pasi ndaluam makinën, duke vrapu në drejtim të tij, e pash se ai ra në lumë dhe për disa minuta nuk e kam pa se ku përfundoi se vendosa me hy në lumë edhe unë që me nxjerr prej aty, ndërkohë që Azizit I thash që me e lajmërua Policinë dhe Ambulancën. Si përfundim arrita me shpëtua atë djalin edhe Policia ka mbërrit shumë shpejt në vendngjarje”, shpjegoi ai.

    Ndërsa, Azizi tha se ndjehet shumë i lumtur që kishin arritur ta shpëtonin të riun.

    “Është ndjenjë e veçantë sepse është në pyetje jeta e dikujt dhe ndjehemi shumë krenarë që të dy jemi shqiptarë të Kosovës dhe që kemi arritur me veprua aq shpejt sa me ia shpëtu jetën atij”, tha Azizi./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Kosova në basketboll me një fitore dhe një humbje në ndeshjet e shkurtit

    Kosova në basketboll me një fitore dhe një humbje në ndeshjet e shkurtit

    Bilanci i kombëtares së Kosovës në basketboll për ndeshjet e shkurtit ishte një fitore e një humbje.

    Dardanët mundën Irlandën 83:76 dhe pësuan nga Azerbajxhani 88:77.

    Edhe Azerbajxhani ka një fitore e një humbje, kurse lidere është Zvicra me dy fitore (ndaj Azerbajxhanit dhe Irlandës), kurse e fundit është Irlanda me dy humbje.

    Ndeshjet e ardhshme për Kosovën do të jenë në udhëtim, kundër Zvicrës e Irlandës në muajin nëntor, derisa kampanjën për Rrethin e Parë Parakualifikues Evropian për Kupën e Botës 2027 e mbyll në muajin shkurt të vitit të ardhshëm ndaj Azerbajxhanit dhe Zvicrës.

  • Ferizaj: Dërgohen në mbajtje dy persona që sulmuan njëri-tjetrin

    Ferizaj: Dërgohen në mbajtje dy persona që sulmuan njëri-tjetrin

    Dy persona në Ferizaj janë arrestuar për arsye se pas një mosmarrëveshjeje kanë sulmuar fizikisht njëri-tjetrin.

    Policia njofton se të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje.

  • Përfundojnë takimet në Bruksel për dinarin

    Përfundojnë takimet në Bruksel për dinarin

    Në Bruksel kanë përfunduar takimet e ndara mes emisarit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, dhe delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, lidhur me përdorimin e dinarit serb në Kosovë.

    Një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, parasheh euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme në Kosovë, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.

    Sipas BE-së, ky vendim ka shkaktuar probleme praktike për komunitetin serb në Kosovë, të cilët kanë përdorur dinarin serb dhe me këtë valutë kanë marrë ndihmë nga Serbia.

    Lajçak fillimisht u takua me delegacionin serb, të udhëhequr nga kryenegociatori Petar Petkoviq.

    Më pas, emisari evropian u takua me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili.

    Kosova nuk ka dashur që në këtë takim të dërgojë nivel politik sepse beson se çështja e rregullores së BQK-së për pagesat me para të gatshme nuk duhet të jetë temë e dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë.

    Pas përfundimit të takimeve dypalëshe të Lajçakut me delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, mbetet të shihet nëse do të ketë një takim trepalësh.

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili njëherësh është edhe kryenegociator për dialogun me Serbinë, nuk ishte pajtuar që çështja e dinarit serb të ishte pjesë e dialogut.

    Kjo, pasi Qeveria e Kosovës e konsideron këtë gjë si çështje të brendshme për të cilën kompetenca të pavarura ka BQK-ja.

    Bislimi javën e kaluar e kritikoi të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, për vendosjen e kësaj teme në agjendë të takimeve në Bruksel, pa pajtimin paraprak të Kosovës. Sipas kryenegociatorit kosovar, Lajçak në këtë mënyrë shkeli parimet e dialogut të vendosura vet ai, sipas të cilave, asnjë temë nuk mund të vendoset në rend dite pa pajtimin paraprak të Kosovës dhe Serbisë.

    Por, nga BE-ja janë përgjigjur se blloku angazhohen për të gjetur një zgjidhje për problemin, që sipas Brukselit, e ka “shkaktuar Kosova me vendimin e njëanshëm dhe pa konsultime as me partnerët, e as me komunitetin i cili ka pasoja të drejtpërdrejta nga ky vendim”. Sipas BE-së, dialogu është forumi ku duhet të gjendet zgjidhja për të gjitha çështjet e hapura mes palëve dhe këtë e kanë thënë edhe vendet anëtare, por edhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

    Një ditë më parë, nga BQK-ja kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se janë të gatshëm të takohen me përfaqësuesit e Bankës Popullore të Serbisë për të lehtësuar transferimin e parave përmes kanaleve bankare.

    “Në këtë kuptim, [BQK-ja] edhe i përgjigjet ftesave kur janë të nevojshme, për takime të tilla informuese, siç edhe ka bërë në vazhdimësi edhe me prezencën ndërkombëtare në vend”, u tha në përgjigjen e BQK-së dërguar REL-it.

    Serbia ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre në dinarë – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

    Autoritetet në Kosovë kanë thënë se rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme do të zbatohet përmes një tranzicioni të lehtësuar, jo më të gjatë se tre muaj, ndërkaq kryeministri Albin Kurti, ka insistuar se vendimi nuk do të zhbëhet.

    Shtetet e Bashkuara, ndërkaq, i kanë kërkuar Kosovës që të shtyjë zbatimin e vendimit të BQK-së, pasi kanë argumentuar se ai është marrë pa konsultime paraprake dhe pa pasur për bazë ndikimet negative te popullata serbe në Kosovë./REL

  • Avdiu: Edhe ne do të protestojmë, problemet e zjarrfikësve janë të njëjta në gjithë Kosovën

    Avdiu: Edhe ne do të protestojmë, problemet e zjarrfikësve janë të njëjta në gjithë Kosovën

    Dy ditë më parë, kryetari i Shoqatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka, ka thënë se në rast se nuk marrin përgjigje pozitive nga institucionet kompetente lidhur me shtesat e rrezikshmërisë, atëherë zjarrfikësit do të mbajnë protesta.

    Zëvendëskomandanti i brigadës së Zjarrfikësve në Ferizaj, Jeton Avdiu, në një prononcim për ATV-në, tha se edhe zjarrfikësit e Ferizajt e përkrahin këtë protestë, për shkak se sipas tij, problemet e zjarrfikësve janë të njëjta në të gjithë Kosovën.

    Ai thotë se një nga problemet me të cilat ballafaqohen zjarrfikësit, është se ata nuk kanë status të veçantë.

    “Edhe zjarrfikësit në Ferizaj e përkrahin këtë protestë për arsye se të gjitha problemet i kemi të njëjta në gjithë Kosovën. Së pari, duke filluar me statusin, zjarrfikësit, janë bërë tash e 20 vite që nuk kanë status të veçantë. Për shembull, pagat na i qet Komuna e Ferizajt, a dokumentacionin e kemi në Ministri të Punëve të Brendshme, gjegjësisht në Agjencionin e Menaxhimit të Emergjencave. Së pari për të krijuar kushte për punë, duhet të caktohet statusi i zjarrfikësve, sepse deri sa nuk është i caktuar statusi, ne do të kemi probleme çdo herë”, tha Avdiu.

    Ai tha se zjarrfikësve duhet patjetër tu kthehet edhe shtesa për rrezikshmëri.

    “Edhe puna e rrezikshmërisë është hequr, nuk e di arsyen se përse. Rrezikshmëria u takon zjarrfikësve sepse bëjnë punë të ndryshme, rrezikojnë edhe jetën e tyre edhe duhet patjetër të na përkrahin në rrezikshmëri”, tha Avdiu. /atvlive.tv

    Më shume detaje i gjeni në videon më poshtë:

  • Osmani publikon fotografi nga Katari: Fuqizim, lidhje dhe mundësi për sektorin e ICT-së nga vendi ynë

    Osmani publikon fotografi nga Katari: Fuqizim, lidhje dhe mundësi për sektorin e ICT-së nga vendi ynë

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani është duke qëndruar aktualisht në Doha të Katarit.

    Ajo përmes një postimi në Facebook, ka thënë se së bashku me të rinjtë nga Kosova janë duke mundësuar lidhje për ICT-në.

    Postimi:

    Fuqizim, lidhje dhe mundësi të pafundme për sektorin e ICT-së nga vendi ynë, në WEB SUMMIT në Doha, Katar.🇶🇦

    Jemi bashkë me kompanitë e ICT-së dhe të rinjtë nga Kosova të cilët i kemi ftuar të jenë pjesë e delegacionit tonë për herë të dytë në këta tre muaj.

  • ​Ministri Aliu nuk shkon në Komision, opozita: Frikësohet nga gjendja e vitit 2022-23

    ​Ministri Aliu nuk shkon në Komision, opozita: Frikësohet nga gjendja e vitit 2022-23

    Me debate mes opozitës dhe pozitës është përcjellur mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrje e Financave Publike, ku i ftuar ka qenë për raportim ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, por i njëjti nuk ka marrë pjesë në komision.

    Opozita ka kërkuar që raporti i auditimit të performancës “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vitin 2021”, të shqyrtohet në seancë plenare, por një gjë të tillë e ka kundërshtuar Lëvizja Vetëvendosje.

    Kryetarja e komisionit, Hykmete Bajrami deklaroi se në kabinetin e kësaj ministrie janë dy ministra. Sipas saj, po vjedhet dhe nuk po punohet.

    “Janë 27 persona staf politikë, janë dy ministra. Maksimumi i stafit që lejohet janë 17. Sot nuk e gjen asnjëri prej tyre të vjen të përballen me të gjeturat e Zyrës së Auditorit”, deklaroi ajo.

    Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa tha se ministri Liburn Aliu po ikë nga kjo situatë për shkak të gjetjeve të raportit.

    “Ministri është frikësuar nga gjendja e vitit 2022 dhe 2023 dhe kemi punë më shumë për Prokurorinë e Shtetit se sa për Zyrën e Auditorit”, theksoi Beqa.

    Deputeti Halil Thaqi tha se nuk do ta votojë këtë raport, për çka tha se pa diskutimin e ministrit, nuk duhet të dërgohet në seancë.

    Më pas ka reaguar deputetja, Abana Bytyqi, për çka tha se i njëjti po heziton ta votojë ketë raport për shkak të “dallavereve”.

    Asaj i reagoi deputeti Thaqi i cili tha se “infrastruktura është pikë e dobët e AAK-së”.

    Kurse, deputetja Bytyçi i tha se “Ti pikë të dobët e ke KEK-un. 100 mijë dallavere i keni bërë qe tri vjet”.